DOSJE TË SHPRISHURA

Mësoj, nga ky lajm në Tema, se albanologu Matteo Mandalà i ka dhënë një intervistë Radio Vatikanit, ku “është shprehur pro hapjes së dosjeve në Shqipëri.”

Ai beson se kjo do të ndihmojë me njohjen e së kaluarës dhe historinë e periudhës së diktaturës; me gjithë rrezikun që këto dosje ndërkohë janë prekur, risistemuar dhe “dezinfektuar” nga personat që kanë akses dhe/ose interes në to.

Prandaj, vëren prof. Mandalà, “këtu duhet një qasje shkencore për të vlerësuar dosjet, një qasje e qetë, një qasje me gjakftohtësi dhe pa kërkuar hakmarrje, sepse këtu nuk ka vend për hakmarrje, por për njohje, thjesht për njohje.”

Pyetjes mos kjo hapje mund të krijojë një përçarje të re mes qytetarëve në Shqipëri, Mandalà i përgjigjet negativisht, meqë “edhe të persekutuarit e dinë pak a shumë se kush janë ata që i kanë persekutuar, por nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim kundër tyre.”

Filologu arbëresh pranon se “e ka njohur realitetin nëpërmjet gazetave, nëpërmjet emisioneve televizive dhe nëpërmjet rrëfimeve të miqve dhe të kolegëve.”

Çfarë ka lënë jashtë nga intervista e tij, me siguri për arsye kohe, është megjithatë pikërisht ai aspekt i punës agjenturore të Sigurimit të Shtetit të periudhës totalitare, që ka prekur drejtpërdrejt komunitetet arbëreshe në Itali, institucionet e tyre – si Kishën dhe katedrat e gjuhës shqipe në Romë, Napoli, Unical (Cosenza) dhe Palermo.

Përveç numrit të madh të studiuesve, studentëve dhe miqve arbëreshë që hynin dhe dilnin në Shqipëri gjatë viteve 1970-1980, ka pasur gjithnjë personel të specializuar në ambasadën e Shqipërisë në Romë, që kujdesej me përparësi për çështje të tilla.

Logjika ta lyp që Sigurimi iu është “qasur” arbëreshëve të asaj kohe në dy drejtime kryesore: për të kontrolluar vetë komunitetet, nëpërmjet përpunimit të intelektualëve të caktuar, titullarëve të katedrave universitare dhe përfaqësuesve të institucioneve fetare me ndikim të madh në jetën e atyre komuniteteve; dhe për të kontrolluar, tërthorazi, komunitetet e shqiptarëve të mërguar në Itali, të cilët kishin kontakte të shumta me arbëreshët.

Nuk përjashtoj që kështu të jenë rekrutuar edhe agjentë aktivë të zbulimit, të cilët t’i kenë dhënë shtetit totalitar të Hoxhës informacion për punët italiane, përfshi këtu edhe për veprimtarinë e NATO-s; por ky aspekt nuk ka gjithsesi lidhje me çështjen e dosjeve; sikurse nuk përjashtoj që, mes arbëreshëve që hynin dhe dilnin në Shqipërinë e atyre viteve, të ketë pasur agjentë aktivë të shërbimeve sekrete italiane – emrat, biografitë dhe përgjimet e të cilëve janë regjistruar gjithashtu në dosjet që tani do të hapen.

Çfarë më duket me interes, dhe me siguri do t’i interesojë edhe prof. Mandalà-së – jo për t’u hakmarrë, por vetëm e vetëm për të ndihmuar me njohjen e së kaluarës – është edhe ndikimi i shtetit totalitar shqiptar, drejtpërdrejt por edhe nëpërmjet agjenturës të bazuar në ambasadën në Romë dhe gjetiu, dhe financimeve në hard cash që mund të kenë shkuar për kultivimin e atyre figurave dhe personaliteteve të shoqërisë dhe të kulturës arbëreshe që regjimi i Tiranës i konsideronte si më të dobishëm për punët e veta; edhe pse një pjesë me siguri do t’i kenë ofruar shërbimet e tyre vullnetarisht.

Shënim: ky shkrim është pronë e blogut Peizazhe të fjalës. Ndalohet marrja e tij nga sajte të tjera dhe media të shkruara, pa lejen eksplicite të një administratori të blogut.

Nuk ka komente

  1. i kam hedhur nje veshtrim Arkives Mitrokhin mbi agjente perendimore ne llogari te KGB, qe ne Itali eshte publikuar me Raportin Impedian, e gjen ne internet ne tre dokumente kryesore te hartuar nga nje komision parlamentar, Guzzanti (2006)… pervec disa gazetareve nuk me ka zene syri ndonje albanolog, por do te ishte me interes te diheshin lidhjet e sigurimit te shtetit me diasporen apo arbereshet ne Itali.

  2. shume prej arberesheve ishin sinqerisht te irrituar nga sigurimi i shtetit. Shume prej tyre me kane treguar. Por kur shtroheshin dreka e darka, dhe beheshin udhetime te bukura falas kontrolluar dhe drejtuar nga sigurimi i shtetit, nuk thoshte kush “jo!”. Por ka fakte shume te cuditshme lidhur me ate kohe, qe une nuk i lidh dot me hamendje, dhe qe eshte e veshtre te dalin nga intervista qe shpesh perfundojne ne subjektivizma hamendjesore apo ligesi te njerit e tejtrit. Nje gje qe dua te di eshte si mbiu busti i Skenderbeut ne cdo fshat arberesh. E di qe u dergua nje nr i madh me urdher nga KQ, por si tamam u organizua dhe cili ishte personi qe u kujdes per gjithe procesin. Pastaj ka nje ndryshim cilesor qe ndodh pikerisht ne vitet 70-80 (koha e shkembimeve tona njerezore) ne menyren e sjelljes se komuniteteve arbereshe me pasoja direkte ne sjelljet sociolinguistike dhe qendrueshmerine e gjuhes. E kam ne plan ta gjej pas nje viti… por me vjen mire qe Xha Xhai e zuri me goje, sido qe prej nje tjeter qasjeje.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: