Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

AGJENTI LETRAR – KOHA PËR TA PASUR

Kush dëshiron të botojë një libër, të paktën në Perëndim, duhet të lidhet më parë me një agjent letrar.

Si rregull, agjenti letrar ndërmjetëson midis autorit dhe entit botues, duke negociuar gjithçka që mund të negociohet; dhe me kapacitetin e një përfaqësuesi të autorit.

Natyrisht, një agjent mund të përfaqësojë disa autorë njëherësh. Ka agjentë që specializohen në letërsi zhanri; sikurse ka agjentë që përfaqësojnë vetëm shkrimtarë “seriozë.”

Nga agjenti letrar përfitojnë të gjithë – duke filluar nga shtëpitë botuese, të cilat nuk komunikojnë më drejtpërdrejt me autorët; në fakt, agjentët shërbejnë si filtra, duke bërë të mundur që shtëpive botuese t’u propozohen për botim vetëm autorët më të mirë, ose të paktën më të përshtatshëm.

Kush merret me botime, e di se çfarë barre prej Sizifi përfaqëson leximi i dorëshkrimeve që propozohen dhe dorëzohen për botim, nga të njohur dhe të panjohur.

Agjenti punon me autorin edhe për ta bërë gati veprën për propozimin përfundimtar, duke i këshilluar redaktimet dhe ndryshimet përkatëse; dhe sidomos duke i sugjeruar shtëpinë botuese më të përshtatshme, për atë lloj vepre.

Agjenti punon me autorin edhe duke e orientuar drejt atij lloji letërsie ku autori ka potencial të japë më shumë.

Avantazhi i këtij sistemi është i jashtëzakonshëm: autorët sigurojnë falas shërbimet e një profesionisti, ndërsa shtëpitë botuese bashkëpunimin e një eksperti letrar të besuar.

Në ShBA agjentët paguhen me një përqindje të çmimit të librit të botuar – ose drejtpërdrejt nga shtëpia botuese. Kjo do të thotë që një autor kurrë nuk duhet të futë dorën në xhep, për të shpërblyer shërbimin që po ia bën agjenti.

Agjentët që u kërkojnë pará autorëve, ose që u sugjerojnë këtyre shërbime editoriale paraprake me pagesë (duke i drejtuar te “book doctors”) konsiderohen si jo-profesionistë dhe autorëve të rinj u thuhet që t’u rrinë larg.

Duke i siguruar të ardhurat e veta nga shitjet e librave që ka marrë përsipër të promovojë, agjenti është jashtëzakonisht i interesuar që libri me të cilin po shpenzon kohë dhe energji të botohet dhe të ecë përpara.

Më pas, i njëjti agjent do të marrë në “patronazh” karrierën e autorit, duke i siguruar kontrata për përkthime dhe përshtatje të veprës që ka shkruar; duke u kujdesur për mbrojtjen e të drejtave; dhe duke e nxitur për të shkruar vepër të re, nëse është rasti.

Për autorin, agjenti përfaqëson një “buffer” në raport me tregun; meqë aleanca mes tyre është e natyrshme.

I shkruaj këto rreshta, duke pasur parasysh që në tregun shqiptar të botimeve figura e agjentit letrar mungon; autorët komunikojnë drejtpërdrejt me shtëpitë botuese, kur nuk i porositin drejtpërdrejt “veprat” e tyre në shtypshkronjë.

Kemi adoptuar një sistem të ashpër liberist të tregut të librit, i cili është tërësisht në shërbim të enteve botuese dhe të interesave të tyre financiare; por që nuk i ndihmon mirëmbajtjes dhe kultivimit të autorëve.

Efekti i këtij sistemi mund të shihet edhe te konfuzioni, ndonjëherë i paqëllimshëm, midis best-seller‑ëve dhe veprave të suksesshme.

Entet botuese, nga ana e tyre, zakonisht ankohen – përgjithësisht me të drejtë – se veprat e autorëve shqiptarë nuk para shiten; dhe se shpesh i botojnë ato për hir të një misioni kulturor që i kanë vënë vetes.

Në kuptimin që një shtëpi botuese, e cila bën biznes, i nxjerr fitimet e veta me tekste shkollore ose libra kuzhine ose përkthime të letërsisë erotike; dhe pastaj një pjesë të tyre e përdor – idealisht –  për të financuar botimet e autorëve shqiptarë bashkëkohorë.

Nuk di sa e vërtetë është kjo; por një shtëpi botuese është edhe institucion kulturor përveçse fabrikë letre me shkronja përsipër – prandaj asaj gjithnjë i duhet të gjejë një ekuilibër midis interesave të ndryshme: të lexuesve, të autorëve, të tregut dhe të pronarëve.

Dhe, e kotë ta shtoj, koncepti i “ekonomisë së tregut”, si edhe në sektorë të tjerë, edhe në fushën e botimeve ka shërbyer si pretekst për ta rrafshuar jetën letrare.

Këtu nuk e kam thjesht fjalën për letërsi artistike, dhe aq më pak për fusha të tilla si poezia, të cilat tashmë kanë përfunduar në hobbies edhe në Perëndim.

E kam fjalën, përkundrazi, te mënyra si komunikojnë autorët e sotëm me lexuesin; e cila sot nuk po funksionon.

Se pse ndodh kështu, arsyet janë të shumta: libri ka konkurrencë të fortë nga media të tjera, sidomos nga Interneti; shumë shtëpi botuese parapëlqejnë përkthimet, sepse këto i kanë shitjet më të garantuara; pa përmendur pastaj faktin që autorët e huaj e kanë arritur tashmë suksesin në vendet e tyre.

Ndërkohë, shtëpitë botuese, edhe ato më komercialet, janë të interesuara të botojnë autorë bashkëkohorë shqiptarë, në fiction dhe non-fiction; për arsye kulturore por edhe komerciale.

Dhe pikërisht këtu do të hynte në lojë figura e agjentit letrar, si një ndërmjetësues ose facilitues i mekanizmit të qarkullimit të librit. Agjenti mban kontakt të vijueshëm edhe me autorët, edhe me përfaqësuesit e shtëpive botuese, edhe me funksionarët e lartë të kulturës, edhe me fondacionet vendëse dhe të huaja, edhe me revistat letrare, edhe me të gjithë aktorët e tjerë të tregut të librit; dhe brenda këtij rrjeti marrëdhëniesh dhe interesash të ndërlikuara, ai përfaqëson pikërisht autorin, edhe pse paguhet prej shtëpive botuese.

Pra, agjenti letrar përmbush mungesën më kritike të tregut të botimeve sot – faktin që autorit nuk i del kush në krah, që t’ia mbrojë interesat përballë shtëpisë botuese.

Me këtë nuk dua të them se interesat e shtëpisë botuese bien ndesh me ato të autorit; sepse kjo thjesht nuk do të qëndronte. Vetë shtëpia botuese dëshiron që të botojë libra të mirë, me potencial për ta tërhequr lexuesin, por edhe për të lënë gjurmë në kulturën bashkëkohore; dhe sidomos, që këta libra të shiten sa më mirë.

Megjithatë, ka një rrafsh ku këto interesa – të entit botues dhe të autorit – nuk përkojnë madje ndonjëherë përplasen; dhe pikërisht këtu do të zinte vend mirë agjenti letrar.

Unë vetë kam botuar shumë libra në Tiranë dhe në përgjithësi kam ndërtuar marrëdhënie korrekte dhe miqësore me botuesit e mi; por e kam të qartë se jo të gjithë autorët e kanë dhe do ta kenë fatin tim, njohjet e mia dhe ekspozimin tim në media.

Por edhe unë, pavarësisht nga marrëdhëniet që kam sot me shtëpinë time botuese, do t’ia delegoja me gjithë qejf një pjesë të punëve agjentit tim letrar hipotetik – i cili, në këtë fazë, do të kujdesej bie fjala për të më çuar në programe televizive dhe të radios që ai do t’i gjykonte të rëndësishme për të ardhmen e librit tim; ose do të organizonte një tur në Shqipëri ose në Kosovë pas botimit të librit; do të prenotonte lokalet dhe sallat përkatëse; do të lidhej me shtëpi botuese të huaja për të biseduar mundësi të përkthimit të librit; do të ndiqte shitjet e librit dhe shpërndarjen për interesin tim, etj. pa përmendur angaritë për përgatitjen e kontratave, negociatat për çmimin e kopertinës, etj.

Shumë prej këtyre punëve sot i kryen botuesi vetë – por jam i bindur se edhe botuesi do të ndihej i lehtësuar, sikur ta dinte se me to do të merrej drejtpërdrejt një profesionist; i cili të mbijetonte në profesionin e vet vetëm e vetëm në atë masë që marrëdhëniet mes një autori dhe shtëpisë botuese të mbaheshin optimale.

Çfarë e pengon krijimin e figurës së agjentit letrar, pra? Asgjë, përveç inercisë, mefshtësisë dhe mungesës së shpirtit sipërmarrës. Sfera e librit dhe e botimeve në Shqipëri ende është e polarizuar midis një takëmi botuesish që synojnë agresivisht fitimin dhe një takëmi autorësh, që synojnë Nobelin. Përjashtimet – mes të cilave fut edhe veten – natyrisht nuk mungojnë, por edhe nuk ngrenë shumë peshë.

Agjenti letrar do të shërbente, në këtë rast, edhe si përgjigje e pjesshme, por domethënëse ndaj pyetjes nëse ekzistojnë apo jo mundësitë, sot për sot, që publiku shqiptar të blejë më shumë libra: po, ekzistojnë, me kusht që mekanizmat e transmisionit të vajohen më mirë.

 

Pa Komente

  1. Propozim me vend por qe te futesh ne skenen e letrave shqip ku dominojne gjithe rehatllik 2-3 autore (pa permendur xixellonjat mediatike) dhe shtepite botuese duhet te kesh nje profil te larte integriteti e dashuri e perkushtim te madh per librin dhe kulturen sepse realisht botuesit deri sot kane pretenduar se kane interesin e autorit ne mendje meqe sic te kujtojne shpesh nuk kane perfitime.

    Kryesisht agjenti sot duhet te garantoj transparence mes botuesit dhe autorit. E di ti xha xha sa kopje te librave te shiten ne nje vit? Libri yt i fundit nuk gjendet ne disa prej librarive kryesore te kryeqytetit. Ndryshe nga ti qe je larg agjenti letrar do ti rrinte mbi koke botueses e cila perndryshe mund te kujtohet per librat e tu vetem gjate promovimit dhe panaireve. Kur ti qe ke ekspozim dhe lexuesi di ku dhe si te te kerkoje po per te tjeret qe jane emra te panjohur dhe Kadareja yne i ardhshem?

    Mendoj se fillimisht ka nevoje per nje agjent te mire qe te perfaqesoj autore te afirmuar por qe kane nevoje per te rinegociuar me botuesit dhe nje agjent qe “zbulon” talent te ri.

    1. Shkruani:

      E di ti Xha Xha se libri yt i fundit nuk gjendet ne disa prej librarive kryesore te kryeqytetit?

      Ma thonë herë pas here këtë dhe kjo më pezmaton shumë, dhe përtej reagimit tim njerëzor është shumë serioze, sepse nuk ka asnjë kuptim që librat të jenë diku në një magazinë dhe lexuesit t’i kërkojnë, por diçka të ngecë në atë fazë që duhej të ishte më elementarja: në shpërndarje.

      Logjika ma thotë që shtëpia botuese është e interesuar t’i japë librit shpërndarje optimale, në qoftë se beson se kjo do t’i sjellë fitime materiale, në krahasim me thjesht shpenzimet që kërkon magazinimi. Mirëpo gjërat janë të ndërlikuara – asnjëherë nuk kam arritur të kuptoj marrëdhëniet midis librarive dhe shtëpive botuese: dëgjoj të thuhet se janë libraritë ato që e kanë fajin, sepse duhej t’u kishin kërkuar shtëpive botuese kopje, sapo libri të shitej; çka do të thotë, në thelb, se as libraritë nuk duan ta përdorin hapësirën e tyre si magazina; dhe se po të jetë për magazinim, më mirë le t’i mbajë shtëpia botuese.

      Një zgjidhje do të ishte që shtëpitë botuese të hapnin dyqanet e tyre, siç i ka Feltrinelli në Itali; ose që libraritë të përfshiheshin në biznesin e botimeve. Sepse fakt është që librat e mi shpesh nuk i gjejnë, dhe siç më ndodh mua u ndodh edhe shumë të tjerëve.

      Njëlloj shpesh ndodh edhe që libri të jetë aty, por askush të mos e dijë se ku gjendet pikërisht – sepse librat janë radhitur në rafte shkeleshko, pa kurrfarë kriteri indeksues.

      Për shembull, Adrioni librin tim “Folklori i elitave” e pat përfshirë në raftin “Folklor-Antropologji”. Ndokujt tjetër, romanin “Arkivoli” do t’ia kenë përfshirë në raftin “Sektori i shërbimeve funerare”.

      Një person që vajti të blente “Kundër purizmit” para pak javësh, më tha që u desh të hidheshin të gjitha raftet e librarisë në tokë, për të gjetur kopjen – dhe kjo në të njëjtën librari ku, vjet në qershor, unë vetë pata parë një raft të tërë me kopje të këtij libri (rreth 20 në mos më shumë).

      Ka edhe librari që nuk e pranojnë librin, sepse thonë “nuk shitet”. Dhe botuesi bindet për këtë dhe e mban në magazinë – në një kohë që kjo “nuk shitet” kthehet në profeci vetë-përmbushëse, meqë libri nuk mund të shitet, në qoftë se ti je i bindur se nuk shitet.

      Më në fund, mund të pyetet edhe sa të interesuara janë, pikërisht, shtëpitë botuese që të shesin libra me qarkullim të ngadalshëm, ku unë përfshij shumë prej librave të mi. Vetëm një libër i ilustruar kuzhine do të shesë, në Shqipëri, më shumë kopje se ç’kam shitur unë për të gjithë librat e botuar deri më sot – por ç’do të thotë kjo? Që të botojmë tash e tutje më shumë libra kuzhine? Të heqim dorë nga librat që s’kanë potencial për best-sellerë dhe t’i lëmë autorët në mëshirë të vanity presses dhe të peshkaqenëve të tjerë?

      Apo të botojmë libra vetëm kur dikush i financon – mundësisht ndonjë ambasadë Perëndimore ose ndonjë fondacion arab?

      Këtu nuk e kanë fajin njerëzit – e ka fajin një sistem i kopjuar dhe i zbatuar keq, në një treg të varfër si ai shqiptar; sistem i cili e korrupton kulturën e leximit (i njëjti arsyetim mund të vlente edhe në fusha të tjera).

      Siç ma konfirmoni edhe ju, agjenti letrar mund të ndihmonte shumë në këtë pikë, për ta ri-balancuar dhe normalizuar tregun.

  2. Xha Xha, kur kërkuam “66 Rrëfimet e Maks Gjerazit”, ato ishin të rradhitura PRAPA “Sendeve që nxirrte deti”. U desh të vinte pronari t’i gjente, por nja 45 minuta derisa erdhi, u kap fije-fije gjithë libraria, pa menduar për ekzistencën e rradhëve të fshehura. Shitësit s’i jepnin kon as radhitjes as katalogut në kompjuter. Kjo në mes të Tiranës, që për ato 45 minuta na u duk si fshati më i madh i rruzullit.

  3. Mirë do të ishte Xhaxha, por nuk e di a ka ardhur koha. Ky është një zanat shumë i hollë për fodullëkun shqiptar. Një agjent letrar duhet të ketë profil të lartë etik, në radhë të parë. Do të thotë që duhet gjithmonë të mbajë anën e autorit. Tani, kur ka një fluks parash që shkon me kahjen nga botuesi tek autori (dhe jo e kundërta, të paktën në logjikën e rëndomtë të gjërave) çdo të bëjë, druaj, agjenti letrar? Do t’i bashkangjitet kosheres së maltit, në një kohë që duhet të ndihmojë, minimumi me një kontratë të ndershme botimi, autorin (që, për definicion, për punë kontratash është elifi matrák). Pastaj njëkohësisht me këtë figurë, mendoj unë, tregu i librit në Shqipëri duhet të prodhojë edhe figurën e konsulentit letrar, ky po, një aleat i shtëpive botuese, një scout, gjahtar kokash (në kuptimin figurativ, po në shqip, nëse vërtet thuhet kështu, togfjalëshi seç merrka një hije të kobshme), kundëraltar i agenti letrar, pra.

  4. Ideja e agjentit letrar eshte sa e mire, por dhe aq e paarritshme, te pakten, tani per tani, ne Shqiperi.
    Megjithate do te doja te saktesoja dicka: agjenti letrar jo domosdoshmerisht e ndihmon autorin per permiresimin e tekstit, ate duhet ta beje editor-i ose redaktori, ne duam ta quajme keshtu. (por jo redaktori sic njihet rendom ne Shqiperi, qe shume e ngaterrojne edhe me korrektorin). Sigurisht, kohet e fundit figura e “editor-agente” ka filluar te jape me teper rezultat, sepse ai e njeh tekstin shume me mire se kushdo tjeter dhe eshte ne gjendje t’ia propozoje shtepise botuese ne menyren e duhur, qofte edhe t’i gjeje raftin e shitjes. Por kjo eshte situata ideale. Realisht c’ndodh? Ne Shqiperi funksionon pak ose aspak roli i editor/redaktorit, qe te “fuse duart” ne tekst, te sygjeroje zhvillime personazhesh apo subjektesh etj. dhe cdo gje kufizohet ne nje redaktim gjuhesor dhe korrekture. (Gjithnje nese behet) Dhe duhet te mbahet parasysh qe eshte nje nga punet me te veshtira, sepse nese autori e ka shfryre me vrull gjithe frymezimin e tij ne leter, editori, qe eshte me i ftohte ndaj tekstit, i duhet ta beje te lexueshem.

    Nga ana tjeter, Xhaxhai me te drejte shprehet qe agjenti duhet te paguhet nga shtepia botuese, ne fakt, agjenti paguhet nga perqindja qe merr autori kur shet te drejten e botimit. Pra, nje shtepi botuese duhet te paguaje nje pagese paraprake per autorin (dhe kete e negocion agjenti) dhe me pas perqindjet perkatese, gjithnje ne varesi te kontrates qe behet mes agjentit dhe shtepise botuese. Por te marrim rastin me te mire, kur shtepia botuese lidh kontrate drejtperdrejt me autorin dhe nuk i mungon as vullneti per ta paguar, pse do te donte nje ndermjetes, i cili detyrimisht do t’ia rriste cmimin si te pageses paraprake, si te perqindjeve?
    Ama, shtepite botuese ne Shqiperi vazhdojne te botojne me pagese, pervec pak kokrrave qe numerohen vetem me njeren dore. Pa pagese botohen autore tashme te konsoliduar, por edhe atyre nuk u paguhet as e drejta e autorit dhe as perqindjet. (Njoh personalisht raste te tilla qe autori s’ka guxim t’i kerkoje botuesit jo me llogari per shitjet, por eshte i kenaqur qe botuesi nuk i ka kerkuar para.) Patjeter qe ne kete rast do te ishte mire te ekzistonte agjenti, ama shtepia botuese as qe do te merrte mundimin ta konsideronte doreshkrimin, jo me te paguante agjentin.
    Po agjenti nderkohe me cfare do te mbijetoje?

    1. K., ashtu siç e shoh unë, agjenti do të ndikojë që të shiten më shumë libra (p.sh. duke e nxitur botuesin me mënyra të ndryshme – që t’i bëjë më shumë e më mirë reklamë librit, ta shpërndajë më mirë në krejt territorin; por edhe duke organizuar më mirë daljet e autorit në publik dhe duke ia kuruar figurën). Ashtu fitimi i agjentit do të vijë nga një surplus në të ardhurat e botuesit.

      E kuptoj që shumë autorë sot paguajnë, që librat t’u botohen. Ka ardhur koha që shtëpitë botuese cilësore t’ia përcjellin këtë praktikë shtëpive botuese të specializuara si kudo gjetiu në botë (vanity presses), dhe kjo me një marrëveshje të përgjithshme mes tyre, që kurrë të mos pranojnë pará prej autorëve. Shtëpitë botuese të mëdha në tregun letrar (fiction dhe non-fiction) duhet të jenë në gjendje të mbijetojnë me shitjen e librave.

      Më në fund, një agjent mund të përfaqësojë disa autorë – ashtu edhe do të sigurojë të ardhura më të mira. Në hapësirën e librit shqip, mbase 7-8 agjentë të mirë do të mjaftonin, për fiction dhe non-fiction. Jam i sigurt se, brenda 4-5 vjetësh, do të fitonin të ardhura të mjaftueshme për një jetë të rehatshme. Natyrisht, për ta nisur këtë (kickstart), do të duhej një fond publik; dhe agjenti mund ta ushtrojë veprimtarinë e vet edhe part time, ndërsa të merret edhe me punë të tjera (p.sh. të përfaqësojë artistë, ose të përkthejë).

      P.S. Agjenti nuk merret me punë redaktimi as korrektimi; por mund t’i sugjerojë autorit ndryshime në vija të përgjithshme, për ta bërë tekstin më të përshtatshëm për botim. Nëse një autor ka shkruar një libër për Haxhi Qamilin, agjenti mund të këshillojë autorin që të shtojë një kapitull për ushtritë e huaja që vepronin në trojet e Shqipërisë në dekadën e dytë të shekullit XX.

      1. Xhaxha, falemnderit per pergjigjen!
        Personalisht e kam menduar me qindra here kete gje, madje dhe e kam bere punen e editorit (pa pagese), por prape eshte shume e veshtire qe te cash te shtepite botuese, pavaresisht vlerave te tekstit. E sidomos per autore te rinj e te panjohur eshte akoma me keq. Gjithcka permblidhet ne pyetjen: “Sa shet?” Me ka ndodhur te perballem me pronare shtepish botuese dhe me kane thene qartazi, “autori duhet te paguaje, sepse une s’i perballoj dot shpenzimet”. Ose-ose, duhet te jete nje njeri teper i dashuruar me letersine dhe teper filantrop qe te marre persiper nje risk te tille. Me sa jam ne dijeni, dikush po mundohet ta beje, por nuk e di sa do t’ia arrije qellimit.

        1. Për mua është kënaqësi që ndërhyre ti në këtë debat, për çka të falënderoj.

          Një agjent do të ishte mirë të fillonte punën me autorë të konfirmuar – ashtu do të krijonte një emër dhe reputacion për veten.

          Më pas mund të fillonte të pranonte edhe autorë të rinj.

          Natyrisht, shtëpitë botuese – kështu siç janë punët sot – mund të mbijetojnë për bukuri duke shitur vetëm libra të përkthyer.

          Por këtu mund të ndërhyjë shteti dhe të vendosë kuota – dhe kush të falimentojë le të falimentojë. Kaq letërsi e përkthyer dhe kaq letërsi shqipe – ç’të keqe ka këtu? Çdo kulturë që kërkon të konsolidohet, i ka përdorur lirisht kuotat si instrument.

          Nga ana tjetër, shtëpitë botuese, të paktën ato që njoh unë, zakonisht drejtohen nga njerëz që e duan letërsinë dhe kanë marrëdhënie të mira me autorët (po shpërfill këtu çakejtë, shkelësit e të drejtave të autorit dhe të gjithë ata që i hyjnë këtij biznesi pasi kanë siguruar kontrata ose fituar tendera për tekste shkollore).

          Çfarë më duket se ende u mungon ose nuk e kanë në shkallën e duhur, është kompetenca për të vepruar në treg dhe për ta çuar librin te lexuesi; jo vetëm best-seller-in, që shitet vetë, por edhe atë tjetrin, që mund të shitet, me pak kujdes dhe zgjuarsi.

          Madje ca duket sikur nisen nga premisa se nevoja e publikut për libra është e dhënë konstante, pa çka se duan ta mjelin këtë nevojë mundësisht duke ndërmjetësuar edhe vetë (p.sh. sa herë që lakmojnë financime institucionale për botime private). Në fakt, kjo nevojë krijohet – sepse tregu është fare i pasaturuar.

          Dhe këtu mund të ndihmojë agjenti.

          Në përgjithësi, neve si shoqëri dhe si kulturë na mungojnë facilitatorët, ose figurat ndërmjetësuese – e ceku edhe Ben Dedja, kur foli për ego dhe fodullëqe. Në parathënien e librit “Te Kundërcjapi” të A. Klosit, kam shkruar se Klosi ishte një nga pionierët në këtë fushë; ose një nga shumë të paktët që ndërmjetësonte, ose vajonte ingranazhet e kulturës.

          Dhe kjo nuk vlen vetëm për letërsinë, as vetëm për prodhimtarinë intelektuale. Për shembull, kur isha në Tiranë herën e fundit, u interesova të gjej një agjenci që të menaxhonte, për llogari të nënës sime, një apartament (meqë ajo është plakë dhe nuk i ndjek dot vetë këto punë). Më thanë që “nuk ka.” Duke pasur parasysh sa apartamente ka në Tiranë, që rrinë bosh edhe pse kanë pronar, kujtoja se dikush do të kish krijuar tashmë agjenci të tilla.

          Ose, në një fushë tjetër – para ca muajsh, një kastravec më shau publikisht, në një gazetë mjaft të njohur. Një avokat i shkathët mund të kish nuhatur këtu pará të madhe dhe të më kish kontaktuar, për ta hedhur gazetën në gjyq dhe për t’i marrë një dëmshpërblim të madh për prishje imazhi. Nuk ndodhi: avokatët parapëlqejnë të rrinë në kafe.

          Por le të mos diskutojmë për këto dy raste të fundit, ju lutem; e kanë vendin në një temë tjetër. Kush dëshiron, le të më shkruajë privatisht.

  5. Më duket se po vëmë shumë probleme mbi tryezë. Por ndoshta kjo vjen nga procesi i ndërlikuar i librit, nga duart e autorit deri në duart e lexuesit është një det në mes. Tjetër çështje është agjenti letrar dhe tjetër çështje vendosja e librave në rafte, pavarësisht se i lidh letra me shkronja.

    Ideja e agjentit letrar më bind në teori, por më pak në praktikë. Edhe pse e dobishme për shkrimtarët, kjo figurë funksionon në një “treg libror” që funksionon përgjithësisht mirë. Porse tregu i librit në Shqipëri, përfshirë edhe zinxhiri i botimit, mund të thuhet se nuk funksionon fare, meqë ka shumë probleme. Pastaj, kam frikë se “agjenti letrar” do t’u jepte alibinë ithtarëve të tregut të xhunglës ta kthenin në treg të pastër librin, në mos në pazar të mirëfilltë. Dua të them se agjenti letrar e ka vendin e vet brenda një mekanizmi ku ka rol edhe kritika letrare, madje kjo e fundit i kundërvihet në një farë mënyre, sepse kjo i referohet veprës kurse agjenti shikon edhe tregun. Mirëpo në Shqipëri dihet që kritika nuk është në gjendje të shkëlqyer. Në një mekanizëm pa ekuilibër nuk mund të shtosh vetëm një kushinetë.

    Kam frikë se edhe përmasat e tregut shqiptar sikur nuk e pranojnë figurën e mësipërme. Sa autorë mund t’ia lejojnë vetes në Shqipëri të kenë agjent letrar? Pak. Po yjet e kinemasë, këngës, televizionit, spektaklit në përgjithësi nuk duhet të kenë agjentët e tyre? Patjetër. Por edhe këta nuk është se janë shumë. Natyrisht kjo mund të zgjidhet me faktin se një agjent mund të përfaqësojë disa shkrimtarë ose këngëtarë, por këtu hyn rreziku i monopolit dhe i marrëveshjeve nën tryezë, pra i konfliktit të interesit.

    Pastaj është problemi i të drejtave të autorit. Dikush nga kolegët përmendi kopjet e librit. Ai i vendit në raftet e librarisë është më i vogli. A di autori sa kopje nxjerr tipografia nga shtypshkronja? Nuk e di. Po sa kopje shiten me siguri a e merr dot vesh? Kam dyshim që jo. Në rast se nuk gjendet një sistem i mirë për ta monitoruar shitjen edhe agjenti sikur nuk e gjen dot veten në mekanizmat e botimit shqiptar. Në këtë pikë institucionet mund të japin ndihmesën e vet.

    1. Pishak, po agjenti kujdeset edhe për kritikën letrare – duke i mbajtur lidhjet me kritikët e të gjitha llojeve, që nga recensionuesit e deri tek ata të mëdhenjtë fare, të revistave “peer reviewed” (që s’u kolis qimja, thotë populli). Agjenti i njofton kritikët për librin që ka dalë, u dërgon kopje falas ose ndonjë “ante prima”, u siguron intervista me autorin e vet, në përgjithësi i nxit që të punojnë. (Kur themi që s’ka kritikë në Shqipëri, duhet të kemi parasysh që edhe ata që janë kompetentë, pjesën më të madhe të kohës e kalojnë në kafetë.) Po ashtu, interesohet për t’i çuar autorët e vet në TV dhe në radio… Mundësitë janë të shumta.

      Ti flet për problemet e mundshme që mund të krijohen nga përfshirja e një figure profesionale si agjenti në tregun e librit. Unë them – le të futet njëherë, pastaj i shohim problemet. Tregu i librit është për faqe të zezë në çdo kuptim, asnjë palë nuk është e kënaqur, prandaj agjenti veç mirë mund të bëjë, duke e tonizuar. Dhe, natyrisht, një agjent mund të përfaqësojë disa autorë. Për shembull, një agjent mund të përfaqësojë autorë të djathtë, militaristë, okultistë, konspiracistë, anti-komunistë hard core; një tjetër mund të përfaqësojë autorë të specializuar në letërsi nga autore femra; një i tretë mund të përfaqësojë gazetarinë politike; një i katërt historianët…

      Mund të krijohen madje edhe sinergji: p.sh. ai që përfaqëson autorët e djathtë dhe komunistët hard-core, mund të ketë interesa edhe në botën e sporteve të rënda ose të kinemasë kuqezi… Nuk ka nevojë të ketë shumë agjentë; siç e thashë 7-8 dalin dhe teprojnë. Rëndësi ka që autorët të ndihen të përfaqësuar.

  6. Perpara disa muajsh nepermjet medias mesova se vepra me e mire letrare per 2013 (ne Shqiperi) ishte shpallur romani “fjala e fundit e Sokrat Bubes” e shkrimtarit Thanas Medi. Vajta per ta blere fillimisht tek libraria te themi kryesore tek Pallati i Kultures, e pastaj brodha edhe neper librari e kioska te tjera, por pa sukses. Librin, jo vetem qe nuk e kishin, por as edhe degjuar. Librashiteset ngrinin supet duke shtuar qe se fundmi kishin ardhur dhe te tjere si puna ime per ta blere. Pra, libri me i mire i vitit i shpallur, as qe kishte vajtur neper librarite te themi kryesore te Tiranes, megjithese ishte botuar qe ne 2013-ten. Cfare ironie

  7. Ideja është e mirë, në teori. Në praktikë, është e parealizueshme. Arsyet janë aq të shumta, sa nuk ia vlen as t’i rendisësh. Besoj e dini historinë e njëqind arsyeve pse nuk binte këmbana e kishës së fshatit.

    1. Por a nuk duhet që ta provojë kush, para se të themi se nuk bëhet? Apo mos duhet të konkludojmë se nuk bëhet, ngaqë askush nuk e provon? Mua nuk më duket kaq e pamundur, që një person të përfaqësojë, të themi 10-15 autorë, pranë shtëpive botuese. Ose edhe më shumë, xhanëm. Nuk di nëse ekziston si praktikë në Bangladesh apo në Kamerun, por në Itali dhe në ShBA – vende që i njoh më mirë – është praktikë e rëndomtë; po aq e rëndomtë sa – bie fjala – noterizimi ose përfaqësimi në mosmarrëveshjet për pronën. Atëherë pse për librin jo?

      1. Per nje arsye te vetme: jemi skllever te egos. Nuk e imagjinoj dot qe nje person i letrave te lere menjane egon personale dhe tu sherbeje te tjereve. Ne duam te jemi te gjithe ne vend te pare te autobuzit e nuk dime te kemi kenaqesi nga mundesimi i shkelqimit te nje tjetri. E kemi kaq te pamundur kete sa edhe ketij propozimi nuk do ti japim ekspozim pikerisht sepse nuk na pelqen qe e the ti e jo “ne”. Kunder interesave vetem e vetem qe te mos “perfitosh” ti pike me kete qe the.

    2. Ndoshta u shpreha gabim kur thashë e parealizueshme. E realizueshme është, por është e pafrytshme, në radhë të parë për ata që do të angazhohen në këtë punë. Në këtë prizëm, realizimi i saj do të ishte i pakuptimtë – harakiri në emër të çfarë? Kjo sepse mungon këmbana, ndaj s’dëgjohen tingujt e këmbanores në fshat. Mungon shteti kontrollor dhe rregullator në mes të gjithë aktorëve ndërveprues në fushën në fjalë, e cila s’është fushë ndërveprimi njerëzor në kuptimin që duam t’i japim ne, por realisht xhungël në kuptimin parësor të fjalës, një lloj far west-i i veprimtarisë së botimeve (dhe nuk është vetëm kjo fushë ku operohet kështu, njësoj është pothuaj në gjithë të tjerat). Dhe një agjent i tillë siç e përshkruani ju nuk ka sesi të bëjë edhe agjentin, edhe policin, edhe avokatin, edhe tatimorin, edhe shitësin në librari, edhe kritikun, edhe redaktorin, edhe shpërndarësin, edhe përmbaruesin, e plot edhe-ra të tjera në doni. Mungon një arbitër në mes aktorëve, dhe puna e agjentit do të ishte ekonomikisht e pavlerë, paçka se etikisht e lartë. Thënë ndryshe, arbirtri (shteti) është, por ia ka futur gjumit mbi bar në qoshe të fushës. Ndaj dhe atë punën e agjentit aktualisht e kryejnë (në stilin e tyre, alla shqiptarçe) vetë shtëpitë botuese. Të cilat, nga ana e tyre, ua duan të mirën autorëve më shumë se vetes.

      1. Jam dakord: në kulturë shteti ka dështuar më shumë dhe më bujshëm se aktorët e tjerë.

        Dhe natyrisht që një agjent letrar ose i fushës së artit dhe të spektaklit do të kish nevojë për një kuadër ligjor ku të vepronte.

        I cili kuadër ligjor nuk mund të shpërfillte nevojën për të disiplinuar shtëpitë botuese – të cilat përndryshe do të përfundojnë si gazetat; ose në duar të njerëzve që kur u thua “kulturë” vënë dorën në kobure.

        Që kjo të mos përfundojë si debati për pulën dhe vezën, unë do të thoja që hapin e parë duhet ta hedhë agjenti: një person me lidhje (kontakte), me kulturë dhe i respektueshëm, që vihet të përfaqësojë disa shkrimtarë të mirë dhe, në punë e sipër, nis të ofrojë edhe një model për t’u ndjekur.

      2. Jo, mor i dashur Ardian, nuk po flas për dështimin e shtetit në kulturë, po flas për shtetin. Dy janë konvencionet kryesore që ka krijuar njerëzimi për të miradministruar marrëdhëniet mes veti – paraja dhe shteti. Meqë bota u bë e madhe e llojet e punëve të shumta, njerëzit krijuan paranë për të mos këmbyer një thes me grurë me një arkë me mollë me njëri-tjetrin; gjithashtu i deleguan një pjesë të punëve të tyre një krijese artificiale si autoriteti shtetëror, për të mos qenë të detyruar t’i bënin vetë të gjitha punët, ngaqë ishin të shumta, kokëçarëse e konsumuese për këtë arsye. Në Shqipëri funksionon vetëm konvencioni i parë, paraja, por jo i dyti, shteti. Një agjent letrar mund ta bëjë atë punë që thoni ju, por nuk i detyron dot shtëpitë botuese (të cilat pothuaj të gjitha kanë shtypshkronja – dini ndonjë sh.b. të madhe që s’ka? dhe e keni pyetur ndonjëherë veten pse shtëpitë botuese janë edhe ente shtypshkruese?) të japin llogari se ç’e kanë bërë 50-70 përqind të letrës dhe bojës që kanë blerë, pasi nga ato çka deklarojnë se kanë shtypur, kjo sasi letre e boje u del “e firuar”, (e vetmja gjë që shfrytëzohet me një efikasitet jo 100 përqind, sa ç’duhet të jetë normalisht, por nganjëherë deri në 500 përqind janë lastrat, ato pllakat prej metali që përdoren për shtypje e rishtypje në shtypshkronja, për kë nuk e di se ç’janë.) Një agjent letrar mund të interesohet për ecurinë e shpërndarjes së librit, por nuk ka fuqi të zgjidhë enigmën se përse asnjë libër nuk rezulton me siglën “ribotim”, edhe pse gjendet në qarkullim me vite të tëra. Një agjent letrar mund të pyesë si ecën libri në librari, por nuk ka fuqi të zbulojë vërtet sa kopje janë shitur, përsa kohë nuk funksionojnë kasat fiskale (se po të funksiononin këto, s’kish nevojë të shkonte librari më librari, por hynte në faqen e agjencisë së tatimeve dhe i nxirrte që andej shitjet nga indeksi i çdo librarie, si dhe nga indeksi i kompanive të shpërndarjes.) Një agjent shitjeje mund të pretendojë të paguhet nga shtëpitë botuese, por si mendoni se do t’ia arrijë kësaj, kur vetë autorët paguhen me sistemin barter (me një sasi librash në dorë) në gjysmën e rasteve, e në gjysmën tjetër paguajnë vetë me para në dorë (e në plot raste përdoren të dyja sistemet bashkë); kur përkthyesve u duhen muaj, në mos vite, për të marrë prapapagim (nisur nga ecuria e shitjeve, është preteksti) punën e tyre, që duhej ta merrnin (me praktikat e perëndimit nga flisni ju) pjesërisht parapagim e pjesërisht me dorëzimin e punës tek shtëpia botuese. Një agjent shitjeje mund të vejë e të grindet me shtëpinë botuese për të mbrojtur interesin e tij dhe autorit që përfaqëson, por nuk bën dot rolin e gjyqtarit në gjykatë kur të vijë puna për t’i zgjidhur atje konfliktet. Ai agjenti që thoni ju duhet të mbajë dy kobure në brez, si në perëndimin e dikurshëm amerikan, e t’i zgjidhë me plumb kokës gjithë punërat të cilat teorikisht ia kemi deleguar autoritetit të shtetit e që praktikisht s’bën asgjë. Jo, mor mik, unë nuk po flas për kulturën. Kjo është arsyeja pse gazetat shkruajnë përditë si njerëzit theren si berrat me njëri-tjetrin për hiçmosgjë e asgjë nuk ndryshon, megjithë kalimin e viteve. Dhe fakti që ka kaq pak vrasje sa ç’janë aktualisht e nuk ka shumë- shumë më tepër sa ç’duhet të ishin në një vend ku sundon vetëm ligji i xhunglës, është thjesht tregues i një shkalle bonsensi që mbizotëron në masë të madhe tek njerëzit. E një njeri që i do të mirën librit dhe kulturës që thoni ju, s’ka si del me kobure në brez rrugëve. Jo në jetën e përditshme.

  8. Jam gjithnjë për përfaqësimin, në politikë e në shoqëri. Përderisa delegoj dikë të më përfaqësojë në parlament përse nuk duhet t’i besoj dikujt të më përfaqësojë përballë shtëpisë botuese? Deri këtu nuk ka diskutim. Në këtë prizëm, agjenti letrar mirë se të vijë në kuadrin ligjor shqiptar, në qoftë se nuk përfshihet ende në ndonjë nga figurat përfaqësuese të deritanishme.

    Mirëpo dua të bëj avokatin e djallit. Shtëpitë botuese nuk e shohin me sy të mirë agjentin letrar, sepse ky mbron autorin dhe specializohet në kleçkat e botimit dhe të ekonomisë së tregut libror, sektorë ku autori do të jetë përgjithësisht i mangët. Sot shumë detyra të agjentit letrar i bën shtëpia botuese në Shqipëri. Nuk po flas për cilësinë se nuk ia vlen. Është shtëpia botuese ajo që udhëzon autorin si ta përgatisë më mirë librin, nëpërmjet redaktorëve të saj. Është zyra e shtypit të shtëpisë botuese që ua dërgon medieve librin e porosit recensione për ta informuar publikun. Me pak fjalë, shtëpisë botuese i intereson të shesë sa më shumë libra të autorit të vet sepse fiton me to. Atëherë ç’i duhet shtëpisë botuese agjenti? Hiç fare. I duhet më shumë shkrimtarit, edhe pse kemi një mbivendosje interesash: shitjet u interesojnë të gjithëve, raporti me mediat u intereson të gjithëve, kujdesi për librat në rafte u intereson të gjithëve, kritika letrare i intereson edhe publikut.

    Në një botë ideale duhet të ishte zyra e shtypit e shtëpisë botuese që merret me të gjitha, edhe me marrëdhëniet publike në favor të autorit të vet, meqë ky është pula që mund të bëjë vezë floriri. Këtu agjenti duket i tepërt. Për çfarë duhet? Për t’i mbajtur axhendën shkrimtarit? Këtë mund ta bëjë asistenti, ose vetë shkrimtari.

    Në kuadrin e tanishëm shqiptar, ku mbizotëron amullia, mungesa e seriozitetit dhe e iniciativës, agjenti letrar më duket si hallkë e tepërt, sepse do t’i shtonte problemet që sot shtëpia botuese dhe autori nuk i zgjidhin dot. Do të ishte një “peso morto”. Çfarë mund të bëjë agjenti kur librashitësi është aq idiot sa nuk di të shesë “produktin” e dyqanit të vet? T’i thotë që po punon kundër interesave të veta si dyqanxhi? Edhe mund ta bëjë, por nuk arrin ndonjë gjë të madhe. Po kështu për raste të tjera.

    Mirëpo e kuptoj që po paragjykoj një figurë që ndoshta në realitet mund të jepte rezultate. Atëherë le të shpresojmë që kjo hapësirë të zihet nga agjentë vullnetmirë.

    1. Shkruan:

      Atëherë ç’i duhet shtëpisë botuese agjenti? Hiç fare.

      Po unë e kam sqaruar këtë disa herë deri tani: i duhet, sepse agjenti, me aktivitetin e vet, mund t’ia dyfishojë shitjet librit: dhe ashtu fiton shtëpia botuese para edhe agjentit, edhe autorit. Kjo është një lojë me shumë pozitive.

      1. Dua të them se nga ana ekonomike janë në konflikt. Ta zëmë se një libër shitet 20,00 €uro. Nga kjo duhet të heqësh përqindjen e autorit, shtypshkronjës, transportuesit, librashitësit, taksave… Pjesa tjetër i mbetet shtëpisë botuese. Nesër duhet të shtosh hallkën e agjentit letrar. Ky do përqindjen e vet, edhe pse diçka mund t’i japë shkrimtari nga e vetja. Rezultatet pozitive do të ishin sikur shitjet të ishin vërtet të shumta, që agjenti të nxirrte veten e të rriste fitimet për të tjerët.

        1. Jo doemos. Supozojmë se një autor sot shet 300 kopje të romanit të vet, nga të cilat shtëpia botuese fiton një përqindje të caktuar (të themi 30% të çmimit të kopertinës). Në qoftë se ndërhyn agjenti, ky do të robëtohet që autorit t’i jepet ekspozimi i duhur në mediat, që të organizohen prezantime të librit jo vetëm në Tiranë por edhe në Prishtinë dhe gjetiu anembanë vendeve ku lexohet shqipja, dhe më në fund, që shpërndarja e librit të jetë më e rregullt se sot. Si përfundim, nga 300 kopje të shitura mund të kalohet në 600 kopje. Natyrisht, agjenti do të marrë një përqindje të vogël nga këto fitime, por gjithsesi, më e fituara në këtë mes do të jetë gjithnjë shtëpia botuese. Tek e fundit, ky është edhe efekt kryesor i punës së agjentit: të shtojë ekspozimin e librit dhe të autorit ndaj publikut. Prandaj thashë që është lojë me shumë pozitive (pa përmendur pastaj që për 600 kopje, shtëpisë botuese do t’i kushtojë më pak shtypja e librit për njësi: ekonomi e shkallës). Nga përvoja ime si autor, kam frikë se për çdo libër timin që i ka shkuar lexuesit, ka pasur së paku një lexues që ka mbetur pa libër, sepse e ka kërkuar në treg dhe nuk e ka gjetur. Lexueset më të kënaqura sot në Shqipëri janë magazinat.

  9. I gjithe ky debat, i vonuar, me kujtoi nje leter te hapur te Agron Tufes drejtuar botueses se tij, Irena Tocit, titulluar Shtepi Botuese v. Sabotuese, ne prill te vitit te kaluar. Pakenaqesite e Tufes, me botuesen per mosshperndarjen e librave te tij neper librari, i kane perjetuar dhe shume te tjere, qe kur nuk jane dorezuar para kesaj indiference te botueseve kane marre vete persiper te bejne distributorin.

    E kishte permendur dhe Pishaku, botuesit rregullisht neglizhojne te jene transparente si me shkrimtarin, librashitesin dhe lexuesin. Realisht nje botues do te interesohet qe nje liber te shitet deri ne ate pike ku te nxjerre perfitimet e investimit. Me tutje nuk ia vlen barra qirane te beje perpjekje qe libri te jete i ekspozuar mire. Tani, me dy panaire ne vit botuesi do kete edhe me pak interes qe te beje distributorin, meqe kostot e shtypshkronjes, perkthimit, redaktimit e te tjera veprime qe kerkojne investim financiar do mund t’i nxjerre ne keto dy aktivitete. Ketu fillon dhe e kupton se perse per librin kujtohen te flasin pikerisht para dhe gjate panaireve, dhe debati dominohet nga botuesit dhe interesat e tyre per cmime stendash e te tjera cic-mice qe kane pak te bejne me shkrimtarin, lexuesin dhe kritiken. Ka shoqata per botuesit por asnje per shkrimtaret e perkthyesit qe te mundesojne nje dialog per nevojat e tyre.

    C’eshte e verteta shtepite botuese me te medha mbahen ne kembe me investimet qeveritare per libra shkolle e universitare. Ka dhe nga ato shtepi botuese qe jane pjese universitetesh dhe librat qe nxjerrin jane nje menyre per te investuar ne personalitete e pedagoge qe ia rritin vleren universitetit, sic eshte rasti i UET Press. Nje pjese tjeter, librat e tyre i shkarkojne ne bibliotekat e qyteteve e kjo ben qe te mos interesohen qe ta shperndajne librin jashte Tiranes, meqe presin qe biblioteka te kenaqe kerkesen lokale. Ky eshte jo vetem sabotim i shkrimtarit, por edhe sabotim ekonomik qe s’e kam kuptuar ndonjehere (nje shpjegim ab absurdum do te ishte t’i perfytyroje botuesit si mafia qe e perdor librin per te lare para).

    Sot Kico Blushi kishte nje shkrim mbi artin dhe kulturen ku vinte theks te forte tek libri dhe nevoja per politika qe e perkrahin e promovojne ate:

    Libri shqip është më i persekutuar se kështjellat dhe ikonat, pronat publike, monumentet që “mbrohen nga shteti” dhe institucionet artistike. Prej mëse tri vitesh bibliotekat në mbarë vendin nuk blejnë dot libra se nuk kanë fonde nga bashkitë. Kësisoj, libri shqip mbetet mall stok. Shkrimtari Betim Muço, edhe pse jetonte në Amerikë, kishte çelur një shtëpi botuese për librin shqip, por i trishtuar, sivjet në verë më tha se një dhomë të apartamentit të tij në Tiranë e kishte ding me libra, të cilat nuk dinte kujt t’ia falte. Rrjeti i shpërndarjes së librit është edhe më i keq se i gazetave. Pedagogët e universiteteve i shesin vetë, me detyrim-përcaktim, tekstet shkollore. Kurse shkrimtarët shqiptarë duhet të paguajnë botuesit që të nxjerrin në dritë një libër. Edhe pse nuk bëhet fjalë për honorare, këto gjithsesi qenkan taksuar 50%. Por edhe pse jemi popull i vogël, me një gjuhë “të vogël”, ne kemi botues shumë të pasur dhe autorë tejet varfanjakë. Si mund të blejnë lexuesit e sotëm një libër që kushton gati dhjetë euro? Kam dëgjuar që Ministria e Kulturës të sponsorizojë këngëtarë e balerinë të huaj, por deri më sot nuk kam dëgjuar të çelë një projekt për botimin e së paku një dhjetëshe autorësh shqiptarë…

    Ligji për sponsorizimet është sajuar i tillë që të favorizohen “producentët” dhe botuesit, por jo autorët, as përkthyesit, aq më pak lexuesit.

    Ne nje skene kaq te cekulibruar ne favor te botuesve, shkrimtaret e perkthyesit vec mund te perfitojne nga hyrja ne skene e agjentit letrar. Natyrisht roli i ketyre nuk mund te jete qe te vene rregull ne gjithe problematikat e permendura deri tani por kam pershtypjen se do te funksiononte si nje katalizator per te shtyre drejt zgjidhjeve te mundshme te tyre. E kote te presim qe agjenti tek ne te permbushe menjehere te gjithe funksionet qe ben nje koleg ne Perendim por si fillim ai mund te fokusohet ne nje aspekt dhe gradualisht duke e treguar veten te zot te marre persiper dhe aspekte te tjera qe deri sot i kane bere botuesit ose ne rastin me te madh vete shkrimtaret. Nje pike qe eshte vertete e sikletshme per shkrimtaret eshte aspekti manaxherial i permbushjes se konditave te kontrates. Per nje shkrimtar qe e vlereson kohen dhe hapsiren e vete krijuese, menjanimi i ketyre hesapeve eshte lehtesim i madh. Ndoshta nuk do te ishte kaq e sikletshme nese botuesit vete do te merrnin iniciativen ta mbanin te informuar shkrimtarin per suksesin e librit. Por ja qe jane te rralle ata botues qe punojne me integritet edhe per ato pak detyrime qe kane edhe pse gjithe kohes degjon te ankohen se sa shume sakrifica bejne per autoret e tyre. Dhe meqe ajo qe deri tani ka mundesuar botimin ka qene marredhenia personale mes shkrimtarit dhe botuesit dhe vajisjes se vazhdueshme te kesaj marredhenieje, kontrata e te tjera marreveshje kane mbetur te nivelit simbolik. Kjo marredhenie sado e shendetshme dhe favorizuese mund te kete qene per disa shkrimtare, nuk ben asgje per te mundesuar vete skenen te shkelqeje.

    Pikerisht keto jave u lajmerua se Ministria e Kultures do te shperndaje 6000 ekzemplare ne disa nga bibliotekat kryesore te vendit: por lista e librave nuk u be publike e as kriteret e perzgjedhjes. Ketu nuk kane dhe aq faj botuesit sesa Ministria qe ne kete rast e ka per detyre te informoje publikun. Nese ndonje nga lexuesit e ka listen le ta bej publike ketu.

  10. Përshëndetje! Është hera e parë që shkruaj në këtë blog, paçka se e ndjek herë pas here.
    Mbi këtë debat, jam dakort me parafolësit që e gjykojnë rolin e agjentit në Shqipëri si diçka të realizueshme me vështirësi të mëdha. Arsyet e këtij opinioni do t’i ilustroj me një llogaritje të vogël. Le të themi që një autor i mirë në Shqipëri shet dymijë kopje në vit (natyrisht varet edhe nga numri i librave, por mendoj se edhe autorët më të mirë, me përjashtim të Kadaresë apo të “best-sellerave”, nuk shesin më shumë se pesëqind kopje në vit të një titulli të vjetër). Le të themi që ky agjent ka dhjetë autorë. Le të marrim një çmim mesatar prej 800 lekësh dhe të hipotizojmë që agjenti shpërblehet me 5% të shitjeve (duke pasur parasysh që e drejta e autorit vërtitet rreth 15%). Atëherë i bie që agjenti të grumbullojë shpërblime për 2000 x 10 x 800 x 5% = 800,000 lek në vit. Tani, sado optimistë të tregohemi (p.sh. ta çojmë numrin e autorëve në 15) apo ta çojmë numrin e librave të shitur në 4000, përsëri, shuma e grumbulluar në nivele relativisht të ulta. Kjo është edhe më e vërtetë nëse konsiderojmë se agjenti do të kishte edhe shpenzime për të mbuluar (sikur vetëm telefonin dhe internetin, për të mos folur për qira e energji). Pra, mendoj unë, përtej arsyetimeve të themi sociologjike apo psikologjike, problemi i vërtetë qëndron, ahimé, ende te tregu.

  11. Ky preventivi qe permend Dydogu mendoj se eshte gjithe thembra e Akilit. Madje une kam frike se te ardhurat e agjentit do te ishin edhe me te vogla se llogarite e mesiperme. Ne keto kushte ceshtja shtrohet: a ia vlen barra qerane per agjentin gjithe ai mund dhe shpenzime?

    Psh kam nje pyetje per Xha Xhain. Nje liber juaji, mesatarisht ne sa kopje shitet? E bej kete pyetje per te bere nje llogari se sa e leverdishme do te ishte per nje agjent te bente nje pune te tille me nje shkrimtar relativisht te njohur per publikun. Dmth qe e kalon nivelin mesatar te njohjes.

    1. Unë nuk e di sa dhe si shitet libri im (këtë e dinë botuesit e mi, shpresoj). Di që ka potencial të shitet të paktën 2-3 herë më tepër se kaq, me një shpërndarje më të mirë dhe pak reklamë. Për këtë arsye, shitjet aktuale të librit nuk vlejnë, për të përafruar sa mund të fitonte agjenti – sepse agjenti, thjesht duke u bërë pjesë e lojës dhe duke u angazhuar në favor të autorit (dhe tërthorazi edhe të shtëpisë botuese), do t’i shumëfishonte shitjet. E kam fjalën – është gabim (ose defeating the purpose) për mendimin tim, që t’i përllogaritësh të ardhurat e agjentit në bazë të kopjeve të shitura aktualisht nga libri.

      1. Ndersa une them se shitjet aktuale te librit vlejne. Sepse, nese nje liber i nje autori si ju, shitet vetem disa qindra kopje atehere nuk ia vlen barra qerane. Kjo do te thote qe agjenti te beje nje pune kolosale per te rritur shitjen dyfish ose trefish e prape se prape nuk do te fitonte ndonje gje te madhe. Pra eshte logjika e tregut qe futet ne loje. Pyetja ime ishte me teper per tu orientuar sepse fundja-fundit, pervec njeqind e nje problemeve, kjo pune varet kryesisht nga bilanci perfundimtar.

        Sidoqofte une mendoj se agjenti letrat ne kushtet e sotme mund te funksionoje. Nuk i duhen me teper se dy autore si ju psh qe kane bonsens dhe qe t’i japin atributet qe i takojne pa bere qarkun e shkurter me botuesin. Por ne kemi sot edhe nje agjent qe e ka vertetuar qe ky rol funksionon (pavaresisht se eshte agjent i nje lloji tjeter). Ai quhet Albatros Rexhaj dhe eshte agjent i vetvetes. Jam i sigurt se nje pjese te “inatit” qe mori me vete kohet e fundit, nuk eshte edhe aq per shkak te cilesise si shkrimtar por per shkak te habise qe shkaktoi duke qene i suksesshem si agjent i vetes. Per ata qe nuk e kishin ndjekur ai doli papritur nga hici. Por Rexhaj kishte ca kohe qe pergatiste figuren e tij. Ishte i rregullt ne emisone televizive dhe sidomos ne ato kulturore. Ishte dhe eshte aktiv ne internet (nje pike e forte qe duhet ta shfrytezoje cdo agjent i ardhshem letrar). Facebook-u menjane, ai eshte themeluesi i nje sajti publikimesh online qe quhet Libraria Elektronike. Ky sajt ben te mundur botimin online falas te cdo autori, duke krijuar keshtu nje forme alternative publikimi qe thyen skemen problematike te botimit te librit ne shtepite botuese sot. Dhe dy muaj para panairit te librit e futi veten ne nje fushate “agresive” promovimi duke organizuar takime me studente ne trevat e ndryshme shqiptare dhe ne qytete te ndryshme te Shqiperise per te kulminuar pastaj me shitjet me numer te madh ne panairin e Tiranes. Madje dy dite para panairit krijoi edhe nje kenge me grupin muzikor Na. Rezultati: shitje ne numer te madh. Mendimi im personal eshte qe sikur Rexhaj te ishte nje shkrimtar aq i zoti sa c’eshte agjent do te ishte vertet nje game changer.

        E thashe qe ky eshte nje tjeter lloj agjenti por kushdo qe mund ti futet kesaj pune mund te nxjerre dy a tre mesime. Vetem se dallimin e madh e ben fitimi si stimulues jo i vogel.

        1. Shumë me vend kjo që thoni për Albatrosin. Në vjeshtë të vitit 2013, jemi takuar shpesh, ai dhe unë, te stenda e shtëpisë botuese “Dudaj”, ku ai përfaqësohej me romanin e tij “Edith”, ndërsa unë me “Sende që nxirrte deti.” Albatrosi kishte me vete edhe një kolege, e cila e fotografonte vazhdimisht, teksa ky firmoste autografë në librat dhe përshëndeste lexuesit e shumtë që mbanin radhën për të. Pyeta dhe më thanë se këto fotografi i shërbenin për të përditësuar, in real time, faqen e tij në FB. Kam përshtypjen se Albatrosi po bënte të pamundurën, që libri i tij jo vetëm të shitej, por edhe të mbërrinte pikërisht tek ai publik që ai synon.

          Tek e fundit, të njëjtën gjë kam kërkuar edhe unë – sidoqë librat e mi janë të një kategorie tjetër. Por dëshira ime, si autor, është që fjala ime e shkruar t’i mbërrijë atij lexuesi që ka interes për të. Në këtë kuptim, çdo herë që një lexues ka dëgjuar për librin tim, ose ka lexuar blogun, ose më ka parë mua në një nga intervistat e rralla në TV, dhe pastaj shkon në librari për të blerë librin, por i thonë se këtë libër nuk e kanë ose, më keq akoma, se nuk kanë dëgjuar ndonjëherë për të (edhe pse kjo ka ndodhur edhe me libra që kanë fituar çmime kombëtare), unë si autor ndihem i rrëzuar përdhé dhe i shkelur me këmbë, nga ata faktorë të tregut që duhej – idealisht – të ishin përkrah meje.

          Një miku imi dhe shkrimtar i mirë dhe i dashur për publikun, u nis njëherë me makinë anembanë Shqipërisë, për të shitur vetë librat e veta në takime të improvizuara me lexuesin; e kam takuar më pas, dhe më tha se kish fituar nga kjo ndërmarrje rreth $15,000 – që nuk është pak në kushtet e atjeshme. Por kjo figurë e shkrimtarit që shëtit me makinë dhe i shet vetë librat e veta më bën për të qarë – dhe gjithsesi unë nuk do ta bëja dot.

          Kam lexuar dikur një intervistë me një nobelist nga vendet e Lindjes – nuk më kujtohet se kush ishte ky pikërisht – dhe që thoshte se shkrimtarët e gjuhëve të vogla janë heronj. Në kuptimin që pakkush mund të jetojë si autor, thjesht me të ardhurat që nxjerr nga librat e vet; por të paktën publiku, shteti, shoqëria civile dhe tregu duhen faktorizuar si aleatë të autorit – se përndryshe, konteksti i sotëm nuk po i lë shkrimtarët as të jenë heronj; duke i katandisur thjesht në viktima, ose – për ta thënë me një fjalë anglishte – roadkill.

          Në fakt, ngaqë shumë shtëpi botuese botojnë tekste vanitoze autorësh që paguajnë për t’i parë në treg dorëshkrimet e tyre, atëherë shumë burokratë dhe sekserë të librit janë akomoduar paradoksalisht me idenë se shkrimtarët, veçanërisht autorët e fiction-it, janë të gjithë njerëz të marrë, ose budallisht naivë; në këtë epokë akrobatësh bythëshpejtë që jetojmë.

  12. Lexoja para disa ditesh intervisten e nje shkrimtareje te re shqiptare. Nga ajo interviste ngela me shije aq te keqe ne goje sa qe c’te te them.
    Romani im, thonte vajza, mund te ishte vendosur edhe ne Alaske, sic eshte vendosur ne Tirane, sepse temat qe trajton, thote vajza, jane …universale, pa asnje lidhje me vendngjarjen.
    Hoqa picirrin, vazhdon cupa, me botuesit hallvaxhinj dhe bakalle qe nuk degjonin te ma botonin kete roman.
    Si thua ti tani, une si shqiptar diligjent me behet te lexoj, lere pastaj te blej, nje roman nga nje cupe shqiptare qe i thote Tiranes time nje cmendine e madhe, shkruan per tema universale pa lidhje me pikerisht ate qe une lus ta gjej ne nje shkrimtar shqiptar-eksperiencen shqiptare, dhe qe ka aq arrogance te verber sa qe te mos t’i shkoje ndermend qe libri i saj mund te mos jete kryeveper?
    Agjenti do t’ja kishte zbutur tehun budallallekut kesaj cupe, por ne nje treg krejt te lire sic eshte tregu i librit ne Shqiperi, une nuk e di se sa buke do nxirrte ai, duke ndihmuar kete cupen per te shitur sa me shume, por edhe duke me ruajtur mua nga shkrimtare te tille si kjo cupa?

    1. Sinqerisht nuk e kuptoj ku eshte problemi. Kjo eshte letersia: tentative per te percjellur universalen permes lokales. Miopi e tepruar e realizmit socialist kjo deshire per te pasqyruar eksperiencen “shqiptare” si dicka e vecante dhe te paster. Sido qe ta marresh tematikat tona (tona?) jane universale. Cka eshte unike eshte menyra si i perjetojme dhe i rrefejme ato. Nje liber per gjakmarrjen ka nje teme universale brenda tij: faljen (forgiveness).

      Ky debat ka tjeter fokus: lutem te mos perqendrohemi tek individe te caktuar. Nuk na con perpara ky lloj niveli.

      1. Sigurisht qe tematikat tona jane universale, por jane dhe pak te vecanta, pak …shqiptare.
        Jo shqiptare me xhublete e me fustanelle por shqiptare ne sensin qe une lexuesi shpresoj qe kur lexoj nje roman nga nje shkrimtar shqiptar te me tingelloje ne vesh nje cope nga jeta ime e meparshme, ose jeta e shqiptareve te tanishem qe jetojne atje. Kjo, eshte nje kerkese e arsyeshme, besoj, kur marr ne dore te lexoj nje roman shqiptar. Per te tjerat kujdesen te tjere autore qe gjenden ne raftet e Barnes & Noble.
        Agjenti, do ta kishte te veshtire te siguronte buken e gojes duke kultivuar shkrimtare si ajo cupa e intervistes dhe ne te njejten kohe duke u kujdesur qe mos diskretitohet krejtesisht ne syte e mia dhe si rrjedhim ne syte e botuesve.
        Mqrf,
        Ky nuk eshte debat. Jane komente te njerezve qe flasin mendjen e vet. Behet debat, kur i drejtohesh tjetrit me ton pak…

  13. Në favor të agjentit letrar mund të jepet edhe faktori i lëvizshmërisë njerëzore, e cila është rritur ndjeshëm sidomos ndër shqiptarët e postotalitarizmit. Një autor sot mund të jetë rezident në Tiranë, sikundër mund të jetë emigrant (i përkohshëm) në Europë; i përkohshëm në kuptimin që nesër pasnesër mund të shkojë në SHBA ose në Australi. Por edhe vetë autori me qëndrim në vendlindje mund të kalojë pjesë të jetës së vet jashtë shtetit. Tani, në epokën e migrimit e të shpejtësisë, kush do t’ia përfaqësojë interesat shkrimtarit? Agjenti letrar, për shembull, i cili e ka zyrën në vend dhe mund të jetë pikë e qëndrueshme referimi në një botë të lëvizshme.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin