Herë pas here del ndonjë roman që i këndon rezistencës popullore në një Amerikë të pushtuar nga Koreja e Veriut ose nga Irani. Me të drejtë, vepra të tilla konsumohen si letërsi zhanri; nuk i merr kush seriozisht dhe as pret iluminime filozofike prej tyre; e shumta mund të vlejnë për të kaluar kohën kur të kap ndonjë uragan në aeroport.
Nga ana tjetër, nuk ka lexues të letërsisë fantastike ose fantashkencore që të mos e dijë se premisa narrative e një vepre nuk mund të vihet në diskutim; dhe se atyre, si lexues, u kërkohet ta pezullojnë mosbesimin dhe ta pranojnë atë premisë si të mirëqenë. Askush nuk pyet se si pikërisht funksiononte “makina e kohës” e H.G. Wells-it; as pse janë kaq fotosensitivë vampirët etj.; tek e fundit, askush nuk pyet as si ndodhi që Gregor Zamza u gdhi një ditë buburrec. Kështu, një roman për, ta zëmë, Francën që pushtohet prej gaforreve inteligjente nga konstelacioni i Gaforres, ose gjunjëzohet para një kompjuteri rus, do të merret për atë që është: vepër zhanri.
Nuk ndodh kështu, megjithatë, me “Nënshtrimin” (La Soumission), romanin e ri të Houellebecq-ut, ku Franca bie në duart e një presidenti mysliman, përfaqësues të një partie me frymëzim islamik; dhe ku deri edhe universitetet publike përfundojnë të blera prej Arabisë Saudite dhe parasë së sheikëve; sepse ky roman mëton të jetë vepër serioze jo zhanri, që komunikon me lexuesin jo vetëm duke e dëfryer dhe duke ia konfirmuar pritjet dhe paragjykimet, por edhe duke e bërë të mendojë për çështje të politikës, fesë dhe të filozofisë, me impakt të menjëhershëm madje dramatik në të përditshmen.
Nuk e njoh aq mirë Houellebecq-un, sa të kuturisem në një analizë të rregullt të kësaj vepre; vështirë se do ta lexoj sërish, pas shijes së keqe që më la romani i tanishëm; madje personazhi i tij, ose rrëfimtari në vetë të parë, m’u duk kaq i rraskapitur e i rrënuar moralisht dhe i shterrur intelektualisht, sa rrëfimin e tij mund ta krahasosh me qimet dhe thonjtë që thonë se vazhdojnë t’i rriten në trup një të vdekuri. Natyrisht, ky rrëfimtar nuk është aq Houellebecq-u vetë, sa një marifet letrar i rëndomtë, ose “buburreci” i tij; që i shërben autorit për të parashtruar dilemat e shoqërisë franceze sot, përballë Islamit dhe përparimit të së djathtës ksenofobe.
Nuk e njoh aq mirë as Francën, sa të mund të shprehem për pika takimi mes realitetit të atjeshëm dhe botës ku është vendosur romani; edhe pse një vepër letrare nuk ka pse të jetë doemos realiste, për të qenë autentike. Megjithatë, nëse konvencioni letrar mund të më detyrojë ta pranoj premisën e një force politike me frymëzim islamik që merr në kontroll vendin “më europian” të Europës, madje atdheun e shekullarizmit, sërish pakti që sapo kam vendosur me autorin më hyn në krizë, kur shoh mënyrën si reagon kjo Francë imagjinare, ndaj islamizimit të jetës publike (dhe private) të francezëve.
Por kjo nuk do të ishte më letërsi, por satirë; diçka si Charlie Hebdo, për terjaqinjtë e fjalës së shkruar.
A është anti-Islam “Nënshtrimi”? Si lexues i çinteresuar, them se jo, nuk është; megjithë përshkrimin aq të cekët që rrëfimtari i Houellebecq-ut ia bën skenarit – sado të pagjasë – të një islamizimi relativisht paqësor të Francës në të ardhmen e afërt (në 2022). Madje pasazhet ku flitet për lejimin e poligamisë dhe efektet përkatëse m’u dukën të një niveli fare të ulët, prej farse; po aq të ulët sa edhe karikaturat e Muhametit dhe të së tjerëve, në faqet e Charlie-t. Nuk mund të pranoj se Houellebecq-u mendon vërtet kështu; çka do të thotë se ai e ka krijuar këtë rrëfimtar pseudo-alter ego, për t’i folur një publiku të caktuar, i cili e koncepton Islamin në mënyrë njëlloj infantile.
Dhe nëse satira e Houellebecq-ut nuk drejtohet kundër Islamit, atëherë kundër kujt drejtohet? Përshtypja ime është se autori e ka inatin me elitat e sotme franceze dhe eurocentrike; të dhjamura në privilegjet e tyre, por që nuk kanë hequr dorë nga iluzioni se janë ende të majta; produkte madje shushunja të Francës urbane dhe të institucioneve publike, por që tani e kanë humbur krejt orientimin, aq sa të jenë gati për t’iu “nënshtruar” sundimtarit të ri, që vjen edhe me torbat plot me florinj. Këtë farë anti-intelektualizmi visceral, që gjeta te Houellebecq-u, e kisha ndeshur më parë te Ayn Rand (veçanërisht, te Fountainhead).
Tek e fundit, në roman janë pikërisht këto elita që ia hapin dyert islamizimit dhe tregohen të gatshme të bashkëpunojnë me padronët e rinj; të cilët kërkojnë, para së gjithash, të marrin në kontroll arsimin publik dhe, natyrisht, statusin e gruas: si qytetare, si bashkëshorte dhe si monedhë shkëmbimesh në tregun e themeluar rishtas, të një shoqërie islamike.
Për mua e gjithë kjo është trash; po aq trash sa edhe romanet që përmenda në krye, të Amerikës që pushtohet prej koreano-veriorëve; dhe kjo pavarësisht aktualitetit të disa prej temave dhe vetë statusit të Houellebecq-ut si shkrimtar dhe figurë publike. Ironikisht, “Nënshtrimi” përfitoi nga atentati terrorist kundër Charlie Hebdo-së; aq sa disa nxituan ta paraqitin si versionin frëng të “Vargjeve satanike”. Nuk di ç’të them, veprën e Rushdie-s nuk e kam lexuar (e gjej të mërzitshëm për vdekje atë autor); por, nga përshtypja që krijova gjatë leximit, ka më shumë gjasë që fatwa-në kundër Houellebecq-ut ta lëshojë e majta franceze, shekullariste dhe humaniste. Më shumë se ajatollahëve, Houellebecq-u duhet t’i druhet Volterit.
Pastaj, nëse “Nënshtrimi” ia shkel syrin edhe së djathtës frënge, duke blofuar me kartën e rrezikut mysliman për Europën dhe institucionet e saj, këtë shpresoj të ma thonë ata lexues të romanit, që janë edhe të shënjestruar prej tij – ata që jetojnë në Francë dhe janë të integruar në shoqërinë e atjeshme. Prandaj ftoj lexuesit t’i konsiderojnë shënimet e mësipërme vetëm si një hyrje për një debat që me siguri të tjerë më të informuar se unë do të munden ta ngrenë në një nivel tjetër.
[E lexova “Nënshtrimin” në italishte jo në origjinal; por diskursi i Houellebecq-ut është aq i sheshtë, sa nuk besoj se kam humbur shumë, në krahasim me frëngjishten; aq më tepër që tekste të tilla i afrohen mjaft pamfletit dhe luajnë me idetë, jo me fjalën.]
“Fantapolitike dylekshe” e quan xha-xhai, a thua se kemi te bejme me nje ese politike dhe jo me nje roman, ku idete politike percillen permes nje fictioni.Skenari mbi shoqerine franceze te islamizuar, nje dystopi fictionale, sado imagjinar te duket, merr spunto nga islamofobia e cila nuk eshte imagjinare ne shoqerine franceze dhe ate europerendimore, sidomos pas ngjarjeve te fundit ne Paris. Qasja e shtjelluar me teper eshte ideore dhe permbajtesore, nje lloj analize sociologjike . Mund te tingellonte me e pranueshme ose e diskutueshme, si “letersi dylekshe” neqoftese analiza do te fokusohej tek letraria, stili, struktura e romanit, kompozimi, personazhet, niveli artistik Houellebecq . Kjo lloj qasje permbajtesore e cila del jashte korrnizave te fictionit te kujton menyren si u percoll nga debati publik romani Blushit “Te jetosh ne ishull”. Nuk ka dyshim se romani Houellebecq perfaqson nje letersie me teze dhe te angazhuar dhe , si e tille, reflekton diskursin aktual mbi raportet e Islamit me civilizimin perendimor, perspektivat e multikulturalizmit dhe pasojat e sekularizmit, ne nje shoqeri te plakur demografikisht , te coroditur nga relativizmi ekstrem i vlerave, me nje te majte te shterpezuar dhe nje te djathte ekstreme me trendin ne ngjitje.
Skenari islamizimit te Frances , nje lloj antikryqezate islame,qe fiton terren politik dhe kulturor, mund te jete nje fantapoltike dhe pagjasa te ndodhe ne vitin 2022 por ne nje perspektive afatgjate, te themi ne vitin 2122, perse jo?
Mjaft interesante me duket ideja e autorit kur profetizon rikthimin e te shenjtes , rikristianizimin e shoqerise perballe nje islami te reformuar/europianizuar me kercenues dhe iluminizmit/laicizmit te pafuqishem per te mbushur gropat e boshllekut shpirteror ne nje shoqeri me bollek material.
Duket se ju e keni lexuar drejt e në origjinal, në frëngjisht, romanin. Do ishte me interes të sillej një krahasim i mundshëm mes dy versioneve, origjinalit dhe përkthimit italisht ku bazohet shkrimi i autorit.
Shpend, ti e kundërshton qasjen time, me argumentin se “Nënshtrimi” nuk është ese politike, por roman, ku “idetë politike përcillen përmes një fictioni.”
Në fakt, si “fiction”, ai roman për mua nuk vlen shumë dhe sidomos nuk ia vlen mundimin tim për të shkruar për të. Nëse harxhova kohë, e bëra për idetë që përcjell.
Pse “Nënshtrimi” – gjithnjë për mua – është një pamflet me pak makijazh romani: madje ka aty pasazhe të tëra, me dhjetëra faqe, që nuk dallojnë nga një ese politike standard.
Prandaj e përqendroj analizën në atë aspekt që më ka tërhequr më shumë, dhe jo në atë aspekt që më ka lënë indiferent, meqë qëllimi im nuk është të sulmoj autorin.
Ti e quan këtë “qasje përmbajtësore”; dakord jam edhe unë. Por pastaj e pranon edhe vetë se romani i Houellebecq-ut “përfaqëson një letërsi me tezë dhe të angazhuar”, “reflekton diskursin aktual mbi raportet e Islamit me civilizimin perëndimor, perspektivat e multikulturalizmit dhe pasojat e sekularizmit në një shoqëri të plakur demografikisht, të çoroditur nga relativizmi ekstrem i vlerave…”
Kjo lloj letërsie e lyp qasjen përmbajtësore; nuk besoj se ka kush interes t’i qaset për t’ia analizuar kompozicionin ose strukturat intertekstuale. Unë që në krye e krahasova me letërsi zhanri (fantapolitikë, histori alternative); dhe prej letërsisë së zhanrit nuk pritet të sjellë gjë me interes, në aspektin formal (diskursiv, narratologjik, retorik).
Natyrisht unë do të mirëprisja një analizë, prej teje ose kujtdo tjetër, të romanit “Nënshtrimi” si fiksion: narrativën, diskursin, personazhet, ritmin, planet, dialogjikën, kompozicionin. Por a ia vlen? Madje edhe më tej – nëse ndokush gjen gjëkundi, në revistat dhe botimet kritike anembanë, një analizë formale ose letrare të mirëfilltë të këtij romani, është i lutur ta sjellë linkun këtu.
“Nënshtrimi” është vepër e destinuar që të ngjallë interes të natyrës politike dhe sociologjike; e përmban këtë mekanizëm në vetvete, si pjesë të intentio operis (në kuptimin që i jep këtij termi Eco-ja). Çdo analizë e tij në aspektin formal ndoshta do të kishte interes mbase brenda një analize kritike të prozës së Houellebecq-ut si të tillë – për të parë intertekstin, evoluimin e temave, dinamikën psikologjike të personazheve, modulimet në ritmin narrativ, etj. Por kjo nuk ka qenë, natyrisht, qëllimi im; dhe gjithsesi do të kish qenë jashtë mundësive të mia, sepse këtë autor e njoh shumë pak, që ta karakterizoj në çfarëdo mënyre: e shumta mund të karakterizoj atë Houellebecq që shfaqet brenda “Nënshtrimit”.
Xha Xhai, nuk kam kundershtuar qasjen tuaj , thjesht kam pohur se shkrimi eshte nje analize permbajtesore, e fokusuar ne idete politike, vizionin, qasejen e autorit per te ardhmen e shoqerise franceze.
Vete autori, ne intervisten qe keni sjelle ne linkun me poshte, pohon se ky roman eshte nje fiction politik , pra nje skenar imagjinar futurologjik per shoqerine franceze te dorezuar para islamit (politikisht, kulturalisht). Une nuk gjej asgje te keqe ne kete lloj qasjeje, sepse, sikurse e pohoni dhe vete, kjo lloj letersie e dominon vemendjen publike pikerisht permes provokimit ideor.Madje edhe per letersine jofantapolitike, analizat gazetareske jane rendom te tipit recensional dhe permbajtesor.
Qasja juaj eshte goxha interesante por nga shkrimi juaj mbeta jo fort i qarte per piken se perse kjo fantapolitike eshte “dylekshe” dhe nuk ja vlen te merret ne konsiderate.”Dylekshe” per gjasat e pamundura te ndodhe ne 2022 ky skenar (qasje jorealiste) , per dorezimin e autorit intelektual para paragjykimeve dhe perceptimeve alarmante te mases , te qytetarit -lexues mesatar (shtysa komerciale) apo skenari ju duket teper apoliptik per te qene i besueshem edhe hipotetikisht? Nderkohe, ende pa u publikuar romani, permbajtja ideore, kjo “fantapolitike dylekshe” ka patur jehone te gjere dhe jo vetem ne France.
Thoni: Por kjo nuk do të ishte më letërsi, por satirë”. Po edhe satira eshte letersi dhe historia e letersise ka shembuj te romaneve satirike te sukseseshem. Nga ana tjeter, romanet e Houellebecq , sikurse jeni ne dijeni, nuk jane vetem satire.Ne thurjen e tekstit kane si ingrediente edhe realizmin, cinizmin, provokimin.
Nga pikpamja e letrares dhe artistikes, Houellebecq mund te mos jete maja e mjeshterise artistike por mendoj se eshte nje shkrimtar i mire qe ngacmon lexuesin me idete provokuese dhe qasjet kontraversale, jashte gjuhes dhe stilit politikisht korrekte.
Nje analize ne planin artistik, te fokusuar tek letrarja, nje ushtrim i rrethit te ngushte te studiuesve dhe revistave te specializuara per kete pune , eshte jashte kompetencave te mija dhe, dakort jam, pa interes te gjere. E permenda ne komentin tim kete lloj analize nga qe shpresoja te dija me shume rreth opinionit tuaj, nisur nga pohimi per “shijen e keqe qe ju la romani”. Por shijet artistike nuk diskutohen, tek e fundit.
Edhe ne kete pike,nje doze te mire te “shijes se keqe” ju ka dhene rrefimtari /personazhi,per te cilin thoni:
“m’u duk kaq i rraskapitur e i rrënuar moralisht dhe i shterrur intelektualisht, .. ”
Kam pershtypjen se skenari futurist i nenshtrimit te Frances para Islamit , sado hipotetik, eshte alarmues, jo vetem nga prania e minoritetit mysliman , si premisa e pare por edhe nga nje premise tjeter, po aq reale dhe gerryese: personazhi rrefimtar perfaqson intelektualin apo qytearin francez te postmodernitetit te coroditur, pa busull morale, i rrezikuar nga paradokset e zgjerimit te lirive te cilat, shprehur me titullin e nje romani tjeter te Houellebecq,njekohesisht kane “zgjeruar edhe territorin e luftes”.
Prandaj e gjej shume te drejte, kur thoni:
“Dhe nëse satira e Houellebecq-ut nuk drejtohet kundër Islamit, atëherë kundër kujt drejtohet? Përshtypja ime është se autori e ka inatin me elitat e sotme franceze dhe eurocentrike; të dhjamura në privilegjet e tyre, por që nuk kanë hequr dorë nga iluzioni se janë ende të majta; produkte madje shushunja të Francës urbane dhe të institucioneve publike, por që tani e kanë humbur krejt orientimin, aq sa të jenë gati për t’iu “nënshtruar” sundimtarit të ri, (Islamit)”
Nuk e kam lexuar librin e tij te fundit, por me aq sa kam lexuar nga ky shkrimtar, vej re njefare rregullsie ne librat e tij. Ka tre boshte kryesore. Eshte ploti, dimensioni individual dhe ai shoqeror. Ne mbajtjen e balances midis ketyre dy dimensioneve te fundit, per mua Houellebecq-u eshte nder shkrimtaret me te zote.
Ndersa kur vjen puna tek ploti, ndryshon muhabeti. Ai eshte pergjithesisht i thjeshte por i kapercyeshem ne fillim. Mirepo rruges behet gati-gati feminor dhe mund te shkaktoje tek lexuesi habi te tipit “ja futi kot ky tani!”. Kjo habi behet edhe me e madhe nga fakti se lexuesit e kane kuptuar tashme se shkrimtari nuk eshte ndonje kokebosh qe shkruan vetem per te shkaktuar habi dhe skandal. Perkundrazi, Houellebecq-u eshte shkrimtar inteligjent dhe gjithnje e ka nje ide qe deshiron ta bluaje fort ne romanet e tij.
Atehere perse e ben Houellebecq-u kete? Personalisht nuk e kam kuptuar teresisht psene, por besoj se lidhet me faktin se ploti eshte grepi me te cilin Houellebecq-u deshiron te terheqe lexuesin. M.H, eshte shkrimtar qe e kerkon vemendjen, e kerkon publikun. Per kete ai shpesh edhe provokon. Ndoshta ky eshte mekanizmi se si ai can tregun. Por nuk eshte thjesht nje provokim i tipit “kush ben poza me te bukura”. Perkundrazi eshte i tipit “e kam vemendjen tuaj, tani degjoni c’kam per te thene!”. Une mendoj se M.H i ka te gjitha mundesite te krijoj nje plot me kompleks por qellimisht zgjedh ate me infantilin. Duket sikur kerkon te thote qe kjo s’ka dhe aq rendesi. Se kjo puna e ngjarjes ishte loja dhe i fut nje te qeshur si Ndrek Luca tek Duel i Heshtur.
Ja si e vështron vetë autori romanin – edhe pse mënyrës si e vështron një autor romanin e vet nuk është për t’i dhënë rëndësi:
http://www.theparisreview.org/blog/2015/01/02/scare-tactics-michel-houellebecq-on-his-new-book/