Të rejat për skandalin e Lettera Internazionale nuk mungojnë dita-ditës, prandaj po detyrohem të shtoj edhe një njoftim të shkurtër, për kuriozët që mund të vijnë këtu të marrin vesh pozicionin tim.
E kam sqaruar se çfarë ka ndodhur me esenë time të përkthyer italisht, më se një herë; në blog dhe në shtyp. Këtë sqarim e kam bërë për ata njerëz që i besojnë fjalës sime.
Sepse ka dy rrafshe ku mund të flitet për këtë skandal, i cili mbetet i pasqaruar deri në fund: rrafshi etik dhe rrafshi formal-juridik. Tani për tani, unë nuk kam dalë nga rrafshi etik, meqë nuk i kam as mjetet as dëshirën që ta ndjek këtë punë formalisht.
Dhe nga pikëpamja etike, ose në nivelin e gentleman-it, besoj se i kam thënë të gjitha tashmë. Edhe komunikimi privat që pata me I. Kadarenë ishte i këtij niveli – në kuptimin që unë prita prej tij t’u besonte fjalëve të mia, sikurse ai priste prej meje që t’u besoja fjalëve të tij.
(I premtova shkrimtarit që do ta sqaroja këtë punë me revistën Lettera Internazionale, si subjekti përgjegjës për skandalin e shtrembërimit; dhe pastaj revista, me këmbënguljen time, e pranoi gabimin publikisht, duke u kërkuar po publikisht ndjesë mua dhe lexuesve. I kisha ftuar edhe që t’i kërkonin ndjesë Kadaresë – por këtë nuk e bënë.)
Përtej këtij pakti të mirëbesimit reciprok unë nuk kam interes të shkoj – sepse përtej këtij pakti të mirëbesimit reciprok nuk ka asgjë tjetër veç llumit. Dhe vetë I. Kadaresë unë nuk kam asgjë për t’i vërtetuar akoma, veç respektit që kam për të si njeri të shquar të letrave.
Argumentet e tipit “provoje që nuk e ke thënë” ose “provoje që përkthyesi ekziston” i përkasin një salle gjyqi imagjinare, ose atyre të fantaksurve, bully-ve dhe megalomanëve, që pasi janë mësuar t’i zgjidhin konfliktet ose me forcë ose me rrugë amorale, kërkojnë tani t’i ngatërrojnë punët duke e përfytyruar veten në role prokurorësh ose gjykatësish.
Unë nuk kam asgjë për t’i provuar askujt; fjala ime për mua mjafton, sikurse pres që t’u mjaftojë edhe të gjithë atyre që i qasen këtij debati me paanësi dhe ndershmëri.
Nuk pretendoj pra, asgjë më tepër sesa të njëjtin standard mirëbesimi që akuzuesit e mi zbatojnë ndaj I. Kadaresë vetë.
Ose komunikimi do të ndodhë në një nivel fisnik, prej zotërinjsh të fjalës; ose nuk do të ndodhë.
Veç meje ka edhe palë të tjera të lënduara nga shtrembërimi që i bëri revista artikullit tim: Kadareja, përkthyesi A. Doda, vetë revista (që u mashtrua nga redaktori), dhe lexuesit e revistës, të cilëve u është dhënë një material i falsifikuar.
Secila nga këto palë mund dhe duhet të reagojë, me mënyrat e veta, për të gjetur të drejtën (asgjë nuk do t’i pengonte gazetarët e Panoramës që t’i telefononin kryeredaktores së Lettera Internazionale, në numrin e afishuar te faqja e kontakteve të asaj reviste në ueb, dhe t’i kërkonin sqarime). U premtoj solidaritetin tim të plotë në demarshet e tyre, madje jam gati t’i ndihmoj që t’i gjejnë këta numra telefoni.
Të premten më datë 27 dhjetor, që në pikë të sabahut me orën time, dhashë një Skype-intervistë për A-Show të cilën kushdo mund ta ndjekë në linkun më poshtë:
https://www.youtube.com/watch?v=GUfp8HGWczo
(Videoja punon mirë tani.)
Nga lexuesit e blogut, nuk pres të gjejnë te kjo intervistë ndonjë gjë të re në lidhje këtë fushatë sa të montuar, aq edhe të shpifur kundër meje; të nxitur veçanërisht nga “Panorama.”
Megjithatë, falënderoj publikisht Adi Krastën që mori mundimin të më pyesë drejtpërdrejt se çfarë mendoja për këtë incident; sikurse falënderoj publisht Adi Thanon e “Ditës” për kujdesin që tregoi për t’i përcjellë lexuesit qëndrimet e mia; dhe redaksinë e ResPublica-s online për njoftimet mjaft korrekte dhe informative, në lidhje me zhvillimet e këtij turpi mediatik.
E them edhe në intervistë, se është e papranueshme dhe jashtëzakonisht joprofesionale për të gjitha ato media që i dhanë jehonë të gjerë këtij pseudo-lajmi, që askush nuk mori mundimin t’i telefonojë revistës Lettera Internazionale, si palë në ngatërresë; a thua se prisnin prej meje t’ua nxirrja gështenjat nga zjarri.
Palo gazetarë, që punojnë në palo gazeta; dhe që gënjejnë veten dhe lexuesin me zhgarravinat që kërrejnë.
Që ta kuptoni pse jam kaq i revoltuar, ju ftoj t’i hidhni një sy titullit të mëposhtëm, të gazetës “Tema” dje:
https://xhaxhai.files.wordpress.com/2014/12/titulli-tema.jpg
Gënjeshtër fund e krye – sepse Ismail Kadare i dha një intervistë telegrafike R. Rakipllarit të Panoramës, por nuk është se m’u përgjigj mua; dhe nuk m’u përgjigj sepse në intervistë merret me punë të tjera, por edhe për arsyen e thjeshtë se unë nuk i isha drejtuar gjë atij publikisht më parë. Natyrisht, kush e ka formuluar këtë pyetje luan me pisllëqe dizinformuese ad hominem, për ta bërë interesante faqen e vet.
Titulli lë të kuptojë edhe sikur unë paskam përhapur legjendën urbane për deklaratën e I.K.-së në lidhje me dykorriksat – çfarë është rrenë; dhe sikur I.K.-ja më quan mua shpifës, sërish rrenë.
Ja edhe një titull tjetër, këtë herë i “Panoramës”, sërish nga dje:
https://xhaxhai.files.wordpress.com/2014/12/titulli-panorama.jpg
Ky titull flet për një “polemikë të Vehbiut për refugjatët e vitit 1990” – por nuk ka asnjë polemikë timen për këtë çështje, përtej asaj që ka shpikur “Panorama” për të përligjur atë character assassination që ka ndërmarrë kundër meje tashmë prej vitesh; dhe pastaj sërish lë të kuptohet sikur Kadareja më është drejtuar mua si “fabrikues i shpifjeve”.
Vëreni edhe qershizën mbi tortë, ose diçiturën e fotos te Panorama: kanë futur një (MAJTAS) midis dy emrave, a thua se ka kush nevojë, mes lexuesve të kësaj gazete, që t’i sqarojnë se kush është është A.V. dhe kush I.K. nga portretet në foto!
Shënim: kërkoj mirëkuptimin tuaj, që i kam mbyllur këto komente; nuk dua të ushqej trollët dhe as të pastroj kakërdhitë e tyre të porositura; përfshi këtu edhe concern troll-ët, që tashmë po bëhen edhe ata monotonë. Nëse doni të më shprehni solidaritetin tuaj, ju lutem bëjeni privatisht: do t’ju jem dyfish mirënjohës.