Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Letërsi

TË FLASËSH PËR LIBRIN

Albatros Rexhaj dhe Mustafa Nano janë përfshirë, këto ditë, në një debat publik, në lidhje me librin shqip, promovimin e tij dhe suksesin në publik, duke marrë shkas edhe nga çfarë ka ndodhur me librin e gazetarit B. Fevziu kushtuar Ahmet Zogut.

Artikulli fillestar i Rexhajt mund të lexohet këtu; përgjigjja e Nanos këtu; dhe kundërpërgjigjja e Rexhajt këtu.

Nuk dua të rimarr shkëmbimin mes tyre, as të futem në hollësitë e atij debati – i ftoj të interesuarit të lexojnë tri shkrimet e lartcituara, meqë ndërtojnë argumente me vlerë.

Por dua të them dy fjalë, në lidhje me hierarkitë letrare; meqë Nano duket se mbron nevojën e një renditjeje edhe vertikale të vlerave që i ofrohen publikut, ndërsa Rexhaj vëren se “ngulmimi në disa mekanizma që promovojnë një sistem të paracaktuar të vlerave… janë tendenca të një fashizmi (monizmi) të heshtur.”

Nanoja, nga ana e vet, në ndërhyrjen e tij, haptazi mbron nevojën për një prezantim vlerash të tillë që ta kapërcejë nivelin e promovimit mediatik sipërfaqësor të veprave të botuara.

Me fjalë të tjera – do të shtoja unë – nevojën e kritikës profesionale.

Është fakt i trishtuar se kritika letrare në Shqipëri ka vdekur; jo aq në kuptimin se nuk ka më vlerësime veprash në shtyp, as në kuptimin se nuk ka më kritikë profesionistë; por ndaqë kritika nuk po luan më rol, në shoshitjen e vlerave.

Dhe gabojnë këtu, ndoshta qëllimisht, ata që vihen të shpjegojnë se vdekja e kritikës, si institucion, është efekt anësor i pluralizmit; meqë në vendet me traditë pluraliste disa-shekullore, si ato anglo-saksone, kritika – përfshi këtu edhe kritikën letrare – luan ende rol të dorës së parë në ndërmjetësimin e veprës me publikun.

Mjaft të citoj dy botime si London Review of Books ose The New York Review of Books dhe prestigjin e tyre në qarqet kulturore; por edhe analizat kritike të veprave që ofrojnë gazetat dhe revistat më të mëdha (The New York Times, Washington Post, The New Yorker, Harper’s, për t’u mjaftuar vetëm me ShBA).

Mediat tona vrapojnë të sjellin të përkthyer çdo artikull kritik, sado modest dhe të pa-informuar, që publikohet në këto gazeta e revista, për letërsinë shqipe.

Kjo lloj kritike në kulturën shqiptare po mungon – sikurse mungon informacioni i organizuar për botimet e reja (me ndonjë përjashtim si rubrika e Beti Njumës në Top Channel); një revistë letrare javore ose fundja edhe mujore; dhe, në përgjithësi, refleksioni dhe debati kolektiv për çfarë botohet rishtas.

Mungon, sepse – para së gjithash – i mungon mbështetja institucionale.

E ka zëvendësuar, si kanal komunikimi të botimeve me publikun, lajmi televiziv, promovimi komercial, promovimi i heshtur komercial, nëpërmjet recensioneve panegjirike ndonjëherë të porositura, dhe, në përgjithësi, reklama; e cila gjithashtu informon për librin, por e bën këtë që të shesë sa më shumë kopje.

Albatros Rexhaj ka të drejtë kur e denoncon diktatin e vlerave nga një elitë si fashizëm; por çuditërisht nuk vë re se edhe kur ky diktat vjen nëpërmjet tregut, ai është njëlloj shprehje e fashizmit.

Në të vërtetë, publiku asnjëherë nuk a priori është i lirë të zgjedhë mes vlerave që i ofrohen; sepse gjithnjë kushtëzohet prej informacionit paraprak, i cili mund t’i vijë nga kritika komerciale ose e specializuar; por mund t’i vijë edhe nga reklama e paguar; ose edhe nga ekspozimi mediatik i autorit si celebrity dhe mënyra të tjera promovimi agresiv – përfshi këtu edhe recensione të zjarrta dhe mallëngjyese, që botohen në media, të cilat kanë të njëjtin pronar dhe të njëjtat interesa me shtëpitë botuese të librave ashtu të përlavduar; dhe që normalisht duhej të kishin dalë nën okielon “infomercial”.

Ajo çfarë mëton të arrijë tregu, reklama dhe zallahia televizive është të zëvendësojë një hierarki me një tjetër; ose fashizmin nga lart, elitar, tipik për regjimet moniste, me fashizmin nga poshtë – të imponuar nga paraja dhe, me nder jush, kurvllëku.

Në një shoqëri komplekse dhe pluraliste, roli i kritikës letrare është jo vetëm të evidentojë vlerat e mirëfillta, por edhe të kompensojë për trysninë brutale të tregut; duke i dhënë lexuesit atë liri që, përndryshe, njëlloj do t’i mungonte.

Duke eliminuar kritikën letrare, elitat e sotme kulturore në Shqipëri nuk i shërbyen gjë pluralizmit, as zbulimit dhe kultivimit të vlerave letrare të prodhuara rishtas; por sidomos ia siguruan diktatin parasë së madhe edhe në fushën e botimeve.

Jo arritje për kulturën, pra, por katastrofë.

Pa Komente

  1. me tej Xhaxha, te vjen peshtire te hedhesh syte ne obituaret (a nekrologjite) qe shkruajne – ok, ndoshta disa autorr kur ishin te gjalle nuk i kane gezuar vemendjen dhe levdatat, por vijne vu pas vdekjes. Rasti i fundit ishte ky i Skender Drinit – nje lum shkrimesh vershuan ne pjesen fundore te faqeve te internetit per te ndjerin, pa kurrfare kritike letrare mbi vepren e tij – dhe njekohesisht i kerkojne lexuesit qe shkrimtari te nderohet per meritat e tij ne letersi. Ne te gjalle kritika eshte e pamprehur, po nuk e perdorin as ne autopsi.

    1. Vërtet, i shkreti Skënder – ia kam lexuar veprat kur isha fëmijë, duke filluar nga një libër i hershëm, “Tregimet e shahut”, ku gjendej një novelë me peripecitë e një ushtari shahu. Por për këta njerëz kujtohen vetëm kur vdesin, a thua se vdekja është sinjali për t’i shenjtëruar, në mënyrën pagane siç dimë ne. Ja, sapo u promovua edhe një vëllim me vjersha të Olldashit – nuk e paragjykoj dot pa e lexuar – por pashë që ia kish bërë parathënien Driteroi; dhe kjo puna e parathënieve sot mëton të mbushë gropën që ka lënë mbrapa dhëmbi i shkulur i kritikës; por në fakt në masë të madhe vetëm sa i shërben krijimit dhe riprodhimit të klaneve – dhe këtë e them me vetëdije se edhe unë jam futur ndonjëherë në këtë valle. Tani s’ka mbetur vetëm që ndonjë autor, i frustruar nga indiferenca e publikut, të bëjë sikur të vdesë, për të shijuar pak lavdi; madje gati po përfytyroj një agjenci private që e ofron këtë shërbim – kinse vdekjen – përkundrejt një çmimi të arsyeshëm, që përfshin pastaj edhe ndërrimin e identitetit dhe kushedi edhe ndonjë program rilokacioni! Madje vdekja, e vërtetë ose e stisur, mund të interpretohet si motori që çon përpara kulturën shqiptare: vdekja të kthen në vëmendje të njerëzve, të riboton veprën, të pajton me armiqtë. Të shtyhemi edhe pak me imagjinatë, dhe të përfytyrojmë një kulturë ku autori të lejohet ta shpallë vdekjen e vet zyrtarisht; ose t’i detyrojë të tjerët ta konsiderojnë të vdekur – dhe ashtu miqtë e tij le të mblidhen dhe ta kujtojnë me përgjërime therëse, veprat të ribotohen me kapak të fortë, dhe pastaj, hap pas hapi, t’u zbulohen dorëshkrime të lëna gati përgjysmë, në sirtaret dhe sëndykët. Dhe pastaj, me radhë, pas vdekjes, institucionet do të fillojnë të kujdesen për “ringjalljen” – e njëjta histori që prej mijëra vjetësh: nëpërkëmbje, vdekje, glorifikim, ringjallje; e përshtatshme për një popull në kërkim të idhujve. Dhe të mendosh ironinë e Skënder Drinit, që famën e bëri me romanin “Shembja e idhujve”!

      1. Dhe pastaj, me radhë, pas vdekjes, institucionet do të fillojnë të kujdesen për “ringjalljen” – e njëjta histori që prej mijëra vjetësh: nëpërkëmbje, vdekje, glorifikim, ringjallje; e përshtatshme për një popull në kërkim të idhujve.

        Kete proces propozoj ta quajme DeRadaizim, si barazpeshim i bleonaqerretizimit qe ndodh sa jane gjalle autoret.

    2. Keni një përshtypje të nxituar, më duket, në vlerësimin e krijimtarisë letrare. Letërsia është art që matet me majat e krijimit, s’është furrë buke puna e së cilës matet me copët e prodhuara në 12 orët e aktivitetit të furrtarit. Drini ka lënë një kryevepër në prozën shqipe, “Shembja e idhujve”, dhe kaq i mjafton letërsisë. Është vërtet produkt në kornizën e socrealizmit, e prapë mbetet kryevepër. Por jeta kulturore tek ne është e preokupuar me shqetësimet minelliane, ndaj dhe s’ka nge të merret me vogëlsira të tilla si jeta e një shkrimtari. Andaj dhe çuditet dynjaja që thuhet ndonjë fjalë kur ai ikën nga kjo botë.

  2. Xha Xha,

    e lexova kete shkrimin tend fill pas shkrimit pararendes te Pishakut “Me jepni nje gjilpere” dhe seç pata pershtypjen se ishin dy pjese te te njejtit shkrim, sepse dukuria qe trajtojne eshte, ne thelb, e njejte. Se paku ne veshtrim te pare. Te dy shkrimet merren me problemin e kritikes dhe te hierarkise se vlerave artistike. Mekanizmat e vleresimit te letersise artistike te ne duket sikur ngjasojne, se paku nga rezultatet, me mekanizmat e vleresimit dhe te promovimit te artit modern gjetke.

    Tani pyetja ime:

    Ç’i bashkon dhe ç’i dallon dy dukurite qe jane objekt i dy shkrimeve perkatese? 🙂

    1. Në nivelin e galerive ku ekspozon Jeff Koons-i me shokë, arti bashkëkohor është ekuivalent i aksioneve në bursë: vlera e një vepre përcaktohet zakonisht nga raporti midis sa shitet sot dhe sa do të mund të shitet nesër. Çështje bixhozi për milionerë, një lojë që më lë krejt indiferent.

  3. S’rezistova pa i lexuar artikujt se zor se do futesha në temë, duke qenë larg TV dhe shtypit shqiptar, dhe dua të komentoj një tendencë në kundërpërgjigjen e AR. Më duket simptomatike për vërbërinë e autorit ndaj trysnisë së tregut:

    “Në shoqëritë dhe mediumet e lira, jo rrallëherë, përmbyset kjo piramidë, pasi që vëmendja e medias shkon aty ku është vëmendja e publikut. Përmbysja e piramidës së lajmeve – ku një ngjarje jopolitike del në krye të edicionit të lajmeve apo në faqe të parë të gazetës ….”– A. Rexhaj

    Bie në sy sintaksa e artikullit të AR: “përmbyset kjo piramidë”, ose “një ngjarje jopolitike del në krye”.

    E para nuk ka subjekt aktiv, kurse në të dytën ngjarja del vetvetiu si subjekti që përmbush veprimin. Në të dyja rastet lihet të kuptohet se përmbysja e rendit të lajmeve dhe dalja e lajmeve nuk lidhen me aktorë njerëzorë e as kryen prej tyre. Dmth AR mbulon gjurmët e atyre që projekojnë hierarkinë e lajmeve si edhe mënyrën si paraqiten këto. Kjo është të mbulosh gjurmët e pushtetit duke i natyralizuar aktet e tij si p.sh. ligje të fizikës.

    Dhe ky mjegullim ndodh nën kuadrin e një artikulli me titullin “filtruesit e vlerave.” Filtrimi më shqetësues këtu është filtrimi i individëve-subjekt, pra i atyre që përkufizojnë atë që është lajm për t’iu servirur publikut.

    Kjo sintaks mua më sjell në mendje “Shqipen Totalitare” të AV, sepse manipulon publikun duke fshirë individin-subjekt, duke qenë se në një fjali “ngjarja del”, mund të flitet veç për subjekt fantazëm ose “surrogate”.

    Nuk po futem të diskutoj të tjera si “vëmendja e medias shkon aty ku është vëmendja e publikut”– çfarë dogme trushplarëse!

  4. Nje shoqeri eshte e mjere kur nje njeri mediatik si Nano e justifikon, madje e miraton faktin qe kultura spostohet ne faqe te fundit te gazetave, sa per te tjerat, autoret e talentuar nuk jane ata qe bredhin televizion me televizion…

  5. Në të vërtetë, publiku asnjëherë nuk a priori është i lirë të zgjedhë mes vlerave që i ofrohen; sepse gjithnjë kushtëzohet prej informacionit paraprak, i cili mund t’i vijë nga kritika komerciale ose e specializuar; por mund t’i vijë edhe nga reklama e paguar; ose edhe nga ekspozimi mediatik i autorit si celebrity dhe mënyra të tjera promovimi agresiv – përfshi këtu edhe recensione të zjarrta dhe mallëngjyese, që botohen në media, të cilat kanë të njëjtin pronar dhe të njëjtat interesa me shtëpitë botuese të librave ashtu të përlavduar; dhe që normalisht duhej të kishin dalë nën okielon “infomercial”.

    Mendoj se vlerat e verteta, nese mund te lejojme te flasim keshtu, shkojne perhere te shume pak. Ne rastin e Shqiperise ka edhe nje paradoks: media ka humbur besueshmerine dhe nga ana tjeter thuhet se imponohet duke perpunuar shijet dhe duke organizuar tregun e librit. E ca me tutje edhe te vlerave. Kjo mund te shpjegohet vetem me kompromisin e saj (ne fakt te tyre) me te gjithe ata qe kerkojne te prezantohen para publikut, qe rrok keshtu tablone e nje varianti pa alternative. Do te ishte interesant nje trajtese krahasuese me kohen e para viteve ’90, kur ta zeme nje liber i Kadarese ishte ngjarje.

  6. Shkrimi është shumë i mirë 2Xha e më pëlqeu, por kam një vërejtje: marrja seriozisht e argumentave të dy sharlatanëve siç Nano dhe Rexhaj.
    Duke e bërë këtë, dmth. duke zbritur në “diskursin”, në rrafshin e tyre e duke u dhënë kësisoj një rëndësi që nuk e kanë, duke i trajtuar me një fjalë si njerëz seriozë, pavarësisht se ajo çka shkruan ti nuk ka të sharë, në fund të fundit është njëlloj sikur, ta zemë, të diskutosh jazz-in tek Arian Cani, apo me Çiljetën, Kallashin, Bleonën etj.
    Serioziteti më ngjan të ndodhë këtu në vendin dhe personat e gabuar: më mirë do të kish qenë humori, ironia, por edhe më mirë akoma sarkazma a cinizmi, në mos përçmimi.
    Well, do të thuash ti, po edhe unë kam qenë në emisionin e Nanos dhe te Fevziu; privatisht janë njerëz me të cilët edhe mund të flasësh, edhe aq ke nuk është, në fakt shkova veç për të promovuar librin tim etj. etj.
    Personalisht mendoj – ndoshta shumë rreptë – e natyrisht që ti ke të drejtë të bësh me veten e dinjitetin tënd ç’të duash (asgjë personale kjo…) se ka vetëm dy mënyra për të mbetur i papërlyer, etik a estetik me këta tipa: o t’i injorosh fare (e keqja më e vogël), o sulm frontal (që natyrisht, nuk bëhet dot vetëm, pasi “ata” janë shumë dhe të sprovuar në sofizëm dhe përbaltje).
    Në fund të fundit do të dilnim tek integriteti moral, kombëtar, qytetar a intelektual (quaje si të duash), masën e së cilit e vendos gjithkush vetë. Kompromiset e patetika, zemra e butë dhe dhimbsuria ( po hë më, se nuk e dijnë se ç’bëjnë, aq dinë, aq bëjnë; vend i vogël Tirana; ne veç njëri-tjetrin kemi; hë dhe ti se nuk u prish bota…), jo vetëm që nuk po na çojnë asgjëkundi, por po na çojnë drejt e atje, në asgjëkund pra.
    I duhet rënë kokës jo me patjetër qyqarit Rexhaj; ky është peshë e lehtë: ja të të them ca gjëra që kalojnë përditë pa u verifikuar në është vërtet ashtu: çmimi europian i letërsisë (Blushi), botuesit (edhe Dudaj… apo?), të kudondodhurit Zogaj, Lubonja e me radhë… pak a shumë të tërë.
    Kam nisur të kem simpati për metodat së fundmi të Ramës; me sa duket, radikaliteti jo vetëm që nuk është i tepruar në Shqipëri, por mëse i nevojshëm, në duam që të paktën të shtrijmë këmbët sa ç’kemi jorganin…

    1. Paskal, nuk është në natyrën e këtij blogu që të merret me njerëzit (ad hominem), dhe aq më tepër, në temën për të cilën po flasim, as Nano dhe as Rexhaj nuk janë sharlatanë; por, secili në fushën e vet, njerëz që përpiqen të “lënë një gjurmë” (to make a difference) ashtu siç u duket më e përshtatshme dhe ku mendojnë se kanë më shumë talent. I njoh të dy, Nanon më shumë se Rexhajn, dhe nuk më vjen mirë që flitet për ta pa doganë nga një pseudonim. Në asnjë mënyrë nuk e konsideroj veten të përlyer prej kontaktit me ta: Paskal, nevojtoret janë gjetiu. Dhe, për më tepër, edhe njëri edhe tjetri, kanë ngritur argumente me interes për mua, në shkrimet e tyre, dhe kaq më mjafton për të shkruar: argumentet, jo biografitë.

      1. Po, ke të drejtë. E tërheq mbrapsht ç’shkrova e kërkoj ndjesë për përmendje emrash… Sidoqoftë nuk ish asgjë personale me të lartpërmendurit.
        ( Eppur si muove- tha)

  7. Ekziston nje liber i shkelqyer ne shqip per Zogun (“Mbreti Zog dhe perpjekja per stabilitet ne Shqiperi” nga Bernd Fischer : http://www.shtepiaelibrit.com/store/sq/historia-shqiptare/214-mbreti-zog-dhe-perpjekja-per-stabilitet-ne-shqiperi-b-fischer.html ). Fakti se asnje kritikë mbi librin e Fevziut nuk e permend ekzistencen e tij, eshte prova me flagrante e mungeses se kritikes profesionale. Nano dhe Rexhaj teorizojne mbi nje kritike qe ne fakt… nuk ekziston !

  8. Po ne vendet perqark Shqiperise (qe kane pak a shume kushte ekonomike te ngjashme), Xha Xhai ke dijeni ne haset i njejti indiferentizem ne fushen publike kryesisht persa i perket promovimit te informacionit kritik letrar? Ne Shqiperi gjendja eshte shume mjerane, nuk ka asnje gazete te mirefillte kulturore, pervec ca kolonave kulturore ne gazeta “jo kulturore”

  9. XhaXhai më qortoi sipër për sulm ad hominem dhe mirë bëri. Duhet të isha marrë jo me personat e diskutuar dhe argumentat e tyre, por me fenomenin.

    Ja dhe fenomeni i përshkruar si udhëzues për dikë që kërkon të arrijë vëmendje mediatike, “të bëhet” e “të bëjë” lajm e të na bëjë edhe ne të hidhemi në lumë për të nxjerrë gurët:

    Nëse ke ambicie në fushën e shkrimtarisë, nuk duhet të shqetësohesh aspak për nivelin, përmbajtjen a formën e asaj çka shkruan; kjo është dytësore; ulu e shkruaj pas pune ca gjëra si:”Fjalë kam sa të duash, por asaj nuk di si t’ia them! Më lehtë do të rrotulloja botën sesa t’i dal përballë! Gjithçka do jepja për një rast të vetëm! Të vërtetën t’ia them. T’i tregoj se çmendem pas saj!!!”. U kry.
    Tani vjen më e rëndësishmja: bërja “lajm”. Sponzorizo faqen tënde në Facebook: brenda një kohe jo aq të largët do kesh shumë fansa, qofshin ato edhe çupa pa shumë kërkesa; nëse financon edhe ca më shumë kap shifra marramendëse: 450 mijë llajke. Mos u merakos për financimin, se shpejt vjen Panairi i Librit e shiten librat si qofte e paratë i merr mbrapsht: shikoje më shumë si investim. Bëj kujdes të gjesh edhe markën tënde për këtë: ja ta quajmë si furgon: filozofi urbane. Mbaroi.
    Kontratat me botuesit bëhen shpejt: një kafe, sa kushton? Aha… OK.
    Çupat blejnë librin: lajmi u bë; tani je në ekran. Tani merr çantën e shpinës dhe bano në studiot televizive; rri gjakftohtë e i tërhequr, përgjigju me durim: kërkesat nuk janë të larta, kritikë s’ka. Nga kjo rritet edhe më numri i kopjeve të shitura. Voila!
    Tashmë je fakt, “je lajm” e mund të diskutosh e të shkëmbesh argumenta pa fund me “kolegët”; a nuk ke shitur më shumë kopje se cilido prej tyre? A nuk të jep kjo të drejtën dhe logjikën, në mos të më të fortit, të barabarit mes barabarësh? Po, ta jep. Pasi edhe të tjerët nuk është se bëjnë më shumë se kaq; mitingje bëjnë edhe ata, njerëz janë edhe ata, nuk kanë brirë.
    Kjo e gjitha, nëse do të bëhesh shkrimtar dhe pak filozof.
    Se si bëhesh këngëtar-r dhe model-e, vijon në komentin tjetër…

  10. Po sikur ta drejtonim muhabetin nga menyra per permiresim? C’duhej te behej krijuar terren per kritiken letrare? S’e di po organizmat anglo-saksone qe permend xhaxhai si mbjetojne, si i nxjerrin shpenzimet? Si e rekrutojne dhe e paguajne personelin sidomos kritiket?

  11. T’i kthehemi ca rreptësisë së komentit që kontestoi me të drejtë Xhaxhai, për të filozofuar ca jo mbi argumentat që sjellin palët diskutuese, por për të mëtuar se ç’na bën të merremi me to e jo me ndonjë cicërimë dokudo: është vendi që ato zënë në të përditshmet, duke u kthyer kështu në “lajm”, që na bllokon ngado që shfletojmë; e gjen në TV, në gazeta e, nëse nuk do të hidhesh në agjërim mediatik e të injorosh
    gjithë ç’shkruhet e transmetohet në shqip, nuk i shpëton dot edhe po të duash.
    Përgjatë Panairit të Librit e derimë tani Rexhaj është nonstop i pranishëm në të gjitha kanalet, në mëngjes, në darkë, live nga Pallati i Kongreseve; me të drejtë të lind pyetja: për çfarë kontributi? Shpejt e zbulon: për asnjë. Thjesht ka qenë aq i zgjuar sa të bëjë reklamë për faqen e tij në Facebook, duke blerë deri edhe klikime. Por, që të kuptohemi: jo vetëm ai; janë shumë të tillë, në mos shumica.
    Nuk duam e as nuk na intereson të bëjmë radiografinë e tij, apo të Nanos: duam të vemë në dukje diçka tjetër: mungesën totale të filtrave të medias shqiptare.
    Në një gazetë, a televizion gjysmë serioz diku në Perëndim, as njëri e as tjetri nuk do të kishin as shansin më minimal të shfaqeshin gjëkundi (Një gugllim i shpejtë të tromaks për vulgaritetin e gjuhës dhe tonin) ; më e shumta si portier, në ndonjë talk show kanalesh private, apo në të ashtuquajturin trash tv. Kjo nuk vlen vetëm për ta, por për 99% të medias tonë; kjo është për të ardhur vërtet keq, pasi dëmi është i pallogaritshëm.
    Në gazetat tonë nuk ka mbetur kush pa shkruar; gjithë popullsia ka dalë në ekran, në mos si protagonist, si pjesëmarrës në mitingje me siguri.
    Ndaj duhet mëtuar vërtet seriozisht nëse “përlyhesh” kur “bëhesh lajm” në median tonë, kur “legalizohesh”, apo mos ndoshta është më e urtë të ruash statusin e virgjër e të rehatshëm të anonimit të këtyre anëve.
    Natyrisht që shkruesi i këtyre rreshtave mund të qe edhe mik me të lartpërmendurit, pasi mund të ndodhë që një gazetar a shkrimtar i dobët të jetë njeri i mirë dhe e kundërta. Asgjë me ta; ama skepticizëm jo edhe aq të pabazuar për kauzat e tyre. Mirëpo kjo nuk duhet të na pengojë t’i themi gjërat me emrin e tyre, qoftë edhe kur tingëllojnë ad hominem.

    1. Paskal,

      Se pari, sikurse e thua vete, fajin nuk e kane aq autoret e veçante sa e ka media qe i ve ata ne qender te vemendjes. Lind pyetja, pse ndodh kjo? Sepse media per nga vete natyra e saj eshte komerciale, ve ne qender te vemendjes ate qe duan lexuesit.

      Se dyti, brenda zhanrit qe kane trajtuar autore si Fevziu, Nano etj. a ka mbetur ndonje autor me i mire se ata pa u permendur a i lene menjane? Fevziu ka shkruar nje ese te suksesshme per Ener Hoxhen dhe nje ese tjeter per Zogun. Ata kane shkruar si gazetare dhe jo si historiane. Nuk ka asnje kuptim te krahasohet libri i Fevziut me ate te Bernd Fischerit, sepse u perkasin dy gjineve te ndryshme. As mos prit qe libri i Fischerit te behet best seller, sepse nuk eshte per popullin, por per speciaistet dhe per nje kategori elitare lexuesish. Ndersa libri i Fevziut eshte per popullin. Edhe populli eshte me i madh ne numer se specialistet.

      Per krahasim, po me vjen ne mendje tani nje emer i shquar i gazetarise italiane, Indro Montanelli, i cili, veç te tjerash, ka shkruar edhe nje “Histori te Italise” ne 12 vellime. Nje nga librat me te shitur te llojit te tij ne Itali qe ribotohet shpesh dhe shitet si suplement gazetash. Por Montanelli nuk ishte historian, Asnje historiani nuk do t’i shkonte ne mend te citonte librat e tij, madje asnje mesuesi historie ne shkollat e mesme nuk do t’i shkonte ne mend t’ua rekomandonte nxenesve “historine” e Montanellit.

      Nuk e kane fajin autoret qe shkruajne libra sa dhe si dine. Fajin e ka ajo qe thote Xha Xhai, mungesa e filtrave, e kritereve, e hierarkise se vlerave. Fajin e ka injoranca e shqiptareve,

      1. Personalisht nuk kam asnjë problem me “Enver Hoxha” i Fevziut (këtë të riun nuk e kam lexuar), përveçse që është i krimbur me gabime drejtshkrimore e nuk duhej asesi të lëshohej në treg në atë formë.
        Sidoqoftë, problemi nuk është që kjo lloj shkruesie ekziston; këtë e gjen gjithkund. Problemi nis e bëhet i tillë kur ose mungon, ose nuk përfillet fare, ndoshta edhe qëllimisht, ajo serioze e cilësore. Di ti p.sh. të më rekomandosh ndonjë emision në T.V., të cilin ia vlen ta ndjekësh? Nuk ka. E nuk ka edhe se si të ketë, nëse u lihet balli i vendit Rexhajt me shokë.
        Shembujt e kohëve të fundit, ta zemë, ku është përbaltur nga “gazetarë”- si t’ i quash?- në mënyrën më brutale të mundshme 2Xhai e ilustrojnë qartë jo vetëm mungesën e filtrave, por nxitjen qëllimisht të këtij farë “debati”, të përleshjes trup më trup. Kjo krahas hemorragjisë verbale, goditjes së publikut me lajme, që veç të tillë nuk janë, kitsch-it, tallavasë, etj., etj.

      2. Relapso,

        shkruan: Sepse media për nga vetë natyra e saj është komerciale, vë në qender te vemendjes ate që duan lexuesit.

        Kjo është deridiku e vërtetë, por vlen vetëm për kanalet dhe gazetat private, bulevardeske. Nëse nuk i zemë në hesap TVSH-në dhe aktivitetet e vlerësimet që zhvillojnë institucionet shtetërore, që për nga vetë natyra e financimit nuk duhej të ndikoheshin nga ky faktor, pra nga masat, turmat dhe vulgu, mund të të përmendja shumë tituj gazetash, revistash a kanalesh televizive në Perëndim që synojnë një audiencë tjetër lexuesish e shikuesish, se sa nga ajo që u nënshtrohet ligjeve të tregut.

        Ndërsa kur shkruan: Fajin e ka injoranca e shqiptarëve,

        më duhet mendoj njëherësh se edhe në që po e pohojmë këtë jemi shqiptarë e nuk po pajtohem dot, megjithë modestinë e duhur, me këtë fakt.

    2. “Ndaj duhet mëtuar vërtet seriozisht nëse “përlyhesh” kur “bëhesh lajm” në median tonë, kur “legalizohesh”, apo mos ndoshta është më e urtë të ruash statusin e virgjër e të rehatshëm të anonimit të këtyre anëve.”- Paskal Stafa

      Dhe ne fakt ne kete kohe kur s’ka njeri qe si ka dale fytyra ne Tv, ku gelojne VIP-at ne nje vend me nje grusht njerezish, ku ka nje inflacion kompetentesh, inflacion dukjeje etj etj., pra ne nje kohe dhe nje vend te tille antikonformizmi i vertete eshte te jesh nje anonim. Flas per anoniminin qe i intereson ideja dhe jo per ate qe baltos e perdhos lart e poshte dhe qe ka per synim atentatin ndaj karakterit, se ky i fundit eshte thjesht nje burracak e qe i bie krejt e kunderta e antikonformistit.

  12. Qofsha gabim, por kam pershtypjen se shume qe i jane vene Nanos, Rexhes, e te perkedhelurve te tjere te susksit, as qe kane lexuar nje rresht prej tyre, por e kane formuar opinionin ne baze te formules “nese e pelqejne masat, atehere s’ka vlere.” Dhe per mendimin tim, kjo eshte menyra me e keqe se si mund te flasesh per librin.

    1. Lulian,
      është shumë e thjeshtë të krijosh një përshtypje për të dy, por edhe – Zot, na ruaj – t’i lexosh fund e krye. rexhajn e gjen në Facebook, ndërsa artikujt e Nanos kudo.

    2. Xha xha, nuk ndryshohen gjerat nese shkruajme politikisht korrekt! Sa per median, botues e gazetare vitrinash libri nuk pushojne se kthyeri qoka ndersjelltaz, edhe autoret qe reklamojne keto media jane pikerisht keta qe mbajne qendrime politikisht korrekte…

      1. Nuk e kisha për korrektesë politike – por vetëm ngaqë përqendrimi te ky apo ai person e zhvendos vëmendjen nga tema që më intereson mua.

  13. Letërsia buron nga njerëzillëku. Kur nga ky i fundit arrin të ngjizet një qytetërim, edhe letërsia fillon të zhvishet nga etika e të bëhet gjithnjë e më estetike në ontologjinë e saj, çka shënon fillimin e degradimit të saj, ashtu siç qytetërimet në përgjithësi shkëputen nga vlerat e origjinës dhe kalojnë, përmes një lloj pseudotranshendence, në shpërbërje. Atje ku këto faza janë zhvilluar me radhë, tregu dhe audienca janë përshtatur e institucionalizuar, kurse ne qe kemi kaluar për 150 vjet nga periferia primitive e një perandorie në rënie në globalizmin e sotëm duke marrë parasysh edhe peripecitë ndërmjet, i ngatërrojmë të gjitha bashkë. Për kontrast, letërsia e huaj në Shqipëri, që vjen e filtruar dhe e strukturuar gati, duket se funksionon pak a shumë në rregull, e përfaqësuar mirë në nivelet përkatëse për aq kapacitete shqipërimi e botimi sa ka shqiptaria. Ama mua më duket e vështirë që letërsia shqipe të arrijë të orientohet ndonjëherë siç duhet (e si duhet vallë?), ashtu siç më duket disi i dyshimtë edhe integrimi europian, të paktën siç e kemi përfytyruar ne. Sepse ja, tani që po i afrohemi dukshëm BE-së, seç po vihet në dyshim e ardhmja e kësaj të fundit. Prandaj kam frikë se kur të kapërcehen probleme si këto në letërsinë shqipe dhe kjo e fundit të konsolidohet e kritika të funksionojë siç duhet, do ketë ardhur qameti, si te “Njëqind Vjet Vetmi”, hehe. Por kjo nuk do të ishte tragjike. Tragjike do të ishte nëse nuk do arrinim të bëhemi njerëz. E sidomos në një botë që sa vjen e zombifikohet, ky është një mision edhe më i vështirë se letërsia. Por kushedi, edhe më i lehtë nga njëra anë, për sa kohë vazhdojmë të ngjizemi akoma nëpër barqe nënash.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin