Një fjalë shqipe e vështirë për t’u disiplinuar kuptimisht është hátër, ndonjëherë e shqiptuar edhe si hatËr (me theksin në rrokjen e dytë); e cila përdoret si emër në kontekste ku flitet për detyrimet rituale që kemi ndaj të tjerëve, ose qokat, por sidomos në disa togfjalësha idiomatikë, dhe kryesisht më mbeti hatri, (bëje diçka) për hatrin tim, dhe e mbaj dikë me hatër (i mbaj hatrin dikujt). Në vështrim të parë, nuk duket se çfarë mund t’i bashkojë kuptimisht këto përdorime sot në shqipen bisedore.
Edhe pse në Fjalorin e vet të Orientalizmave Dizdari sjell edhe një tog kuptimesh të tjera, për të përfunduar pastaj se hatër e shqipes i ka trashëguar kuptimet e turqishtes hatır, në fakt disa prej këtyre kuptimeve të trashëguara tashmë kanë humbur; duke filluar nga ai i “kujtesës”, i cili është kryesor për turqishten hatır; dhe më pas ai i “mendjes”, gjithashtu i rëndësishëm në turqishte; në vetvete dhe si organizues i pemës së kuptimeve.
Përkundrazi, në shqipe hatır hyn në një paralelizëm kurioz me qejf, sidomos nëpërmjet togfjalëshit më mbeti qejfi/hatri – çka i jep hatrit, në ligjërimin bisedor, rolin e një agjencie autonome të subjektit, e cila kushedi i referohet edhe ajo me dëshirën si qejfi, por në një rrafsh tjetër. Kjo do të shpjegojë edhe pse bëje për hatrin tim ka tjetër forcë bindëse nga bëje për qejfin tim; e para e vë bashkëfolësin në pozitë, duke i testuar shqisën e korrektesës ose të detyrimit në marrëdhëniet sociale; e dyta tingëllon pothuajse vulgare, meqë qejfi i dikujt nuk ka pse të respektohet nga të tjerët.
Në fakt, një analizë kuptimore e togut i ka mbetur hatri (dikujt), i cili përndryshe i përgjigjet turqishtes hatırı kalmak, tregon se kjo zakonisht ndodh kur me atë person nuk veprojmë ose sillemi ashtu siç ai priste prej nesh, në bazë të reputacionit tonë në sytë e tij; çka mund edhe ta ketë fyer, edhe pse qëllimi ynë nuk ka qenë doemos që ta fyejmë. Për shembull, dikujt nuk mund t’i mbetet hatri pse e qëllove me shpullë; por mund t’i mbetet në qoftë se ti nuk e uron për datëlindje, ose nuk i shkon për ngushëllim për vdekjen e të ungjit, ose po të marrë vesh se ti ke thënë diçka të papëlqyeshme për të në një tavolinë.
Më shumë se fyerja, mbetjen e hatrit e shkakton shkelja e etiketës, e një norme morale ose sociale soft, ose mungesa e taktit. Shpesh personi që i ka mbetur hatri nuk e shpreh këtë haptazi, por e lë të kuptohet me sjelljen e vet, duke u tërhequr nga ndonjë zotim ose duke qëndruar larg; por kjo nuk është e domosdoshme; dhe në fakt, të qëllon të dëgjosh shprehjen “më ka mbetur (ngelur) hatri me ty”, që thuhet zakonisht me shaka, por përmban brenda një qortim sado të butë; sidomos kur shkelja ose infraksioni që ka shkaktuar mbetjen e hatrit nuk janë aq serioze, sa të mos ndreqen me pak vullnet të mirë (këtu edhe kompozita pronësore hatërmbetur). Anasjelltas, kur shohim dikë që na shmanget ose sillet në mënyrë të çuditshme, do të na qëllojë ta pyesim: ore, mos të ka mbetur gjë hatri me ndonjë gjë/me mua?
Me fjalë të tjera, dikujt i mbetet hatri me ne kur ai konstaton, me ose pa të drejtë, se nuk e kemi përfillur (begenisur) aq sa duhet, ose ç’i takon; në bazë të biografisë së tij, statusit social në raport me ne dhe detyrimeve që, gjithnjë sipas tij, ne ia kemi; qoftë edhe pse hatri mund të jetë edhe një kthim i një kortezie ose një detyrim ritual (unë u shkova kur fejuan djalin, ai nuk më erdhi kur fejova unë timin). Në këtë kuptim, hatri mund të krahasohet me sebepin (ishim në një sebep; nuk po cek këtu kuptimet e tjera të kësaj fjale që i kam trajtuar gjetiu); por me dallimin që, ndryshe nga hatri, sebepi (p.sh. një vdekje ose një fejesë ose një datëlindje ose një përkujtimore tjetër private) nuk parakupton ndonjë farë detyrimi moral ose edhe thjesht shoqëror.
Në fakt, fjala hatërli, hatërleshë, që përdoret ende (krahas me sinonimet hatërmadh dhe hatërmadhe), shënjon dikë që është veçanërisht i kujdesshëm për t’i ruajtur shkëmbimet e kortezisë ose hatËret me të tjerët. Ky lloj virtyti çmohet veçanërisht në komunitet, sepse hatërliu shërben edhe si katalizator i jetës sociale dhe shembull i dikujt që është aq i lirë nga preokupimet e përditshme dhe aq i ngritur, moralisht, sa t’i përkushtohet mirëmbajtjes së marrëdhënieve midis familjeve dhe, në përgjithësi, brenda komunitetit.
Edhe diçka: kur i shkojmë dikujt për një hatër, hatri është në thelb i mikpritësit, ose i skajit marrës; për këtë arsye, po të mos i shkonim, atij do t’i mbetej hatri, jo neve; ose, për ta thënë ndryshe, ne jemi hatërlinjtë, ai do të ishte hatërmbeturi.
Le të formulojmë pra këtë hipotezë: hatri, në shqipen e sotme bisedore, është vetja e përfillshme nga tjetri. Kjo do t’i jepte hatrit një përmasë etike e cila qejfit i mungon; sepse qejfi është i kthyer së brendshmi, ndryshe nga hatri, që është gjithnjë relacional.
Nëse kjo qëndron, atëherë edhe te i mbaj hatrin dikujt ose mbaj dikë me hatër, pavarësisht nga marrëdhëniet që mund të kenë këto fraza me burimin turqisht, hatri sërish funksionon si vatër e përfilljes; sepse të mbash dikë me hatër, ose ta veçosh prej të tjerëve, të kujdesesh për të dhe t’i japësh trajtim të privilegjiuar, do të thotë ta përfillësh me përparësi. Këtu mund të shtojmë se një person hatërli do ta mbajë dikë me hatër, si pjesë e detyrimit moral që ka ndaj tij; që këtej edhe porosia që i jep prindi mësuesit të fëmijës, të cilin e njeh prej kohësh: mos e mbaj me hatër – çka duhet interpretuar jo thjesht si porosi, por edhe si leje ose autorizim që i jepet tjetrit, për ta çliruar nga detyrimi i hatrit.
Shënim: ishte një koleg këtu në blog që më sugjeroi, te një shkrim i mëparshëm, të merresha me fjalën hatër në shqipe, me ç’rast e falënderoj.
Per hater te zotit- per hir te zotit- une perdor me shume kete te dyten ne kete kontekst, megjithate kjo fjale nuk eshte krejtesisht e zevendesueshme, pasi nuk mund te themi “me mbeti hiri” por hatri, gjithashtu nuk mund te themi “hirli” apo “hirleshe”, sidoqofte “hater” mbetet nje fjale jo dhe aq e hijshme per ta perdorur ne letra, shqipja e vjeter duhet ta kete patjeter ndonje fjale me te hijshme se kjo…
Ke memorie fenomenale Xha Xha. Kam pershtypjen se eshte nga ato orientalizma si qejfi qe s’zevendesohet mire nga fjale a togfjalesh te tjere ose vetem duke i rene nga Kina e renduar fjalite dhe turbulluar kuptimin.