Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Admin / Histori

ME KËTË RAST

Ky tekst është shkruar me rastin e festave kombëtare të Shqipërisë dhe të shqiptarëve anembanë botës; sikurse e kërkon kalendari.

Nëpërmjet tij, blogu Peizazhe të Fjalës synon të marrë pjesë në harenë e përgjithshme dhe atmosferën që duhet të jetë krijuar mes bashkatdhetarëve gjatë këtyre ditëve.

Që teksti në fjalë të mos duket si akt ose gjest konformimi, autori është përpjekur t’i mveshë një trajtë origjinale, por jo aq sa ky origjinalitet të japë efekt të kundërt dhe ta nxjerrë blogun në dritë të keqe.

Qëllimi i postimeve të tilla nuk është të tërheqin vëmendjen ndaj autorëve ose ndaj mediumit ku botohen, por të shprehin simpatinë ndaj lexuesve, duke presupozuar se për këta lexues festat kombëtare përfaqësojnë data të shënuara.

Fjala të shënuara këtu ka kuptimin që lexuesit i përjetojnë festat kombëtare si momente të veçanta, të cilat kërkojnë vëmendje, përkushtim dhe gjendje shpirtërore ngazëllimtare.

Edhe pse blogu Peizazhe të fjalës nuk ka ndonjë gjë të veçantë për të thënë në lidhje me festat kombëtare, prapë se prapë është i detyruar të publikojë diçka, sepse mospublikimi do të ishte një marrje pozicioni tepër e fortë dhe do të ngjallte dyshime në një kategori lexuesish.

Në fakt, injorimi i një përvjetori ose i një kremtimi kolektiv mund të interpretohet, jo krejt pa të drejtë, si kundërvënie ndaj frymës së përgjithshme dhe si shprehje anti-konformizmi deri-diku provokator, në mos vanitoz.

Nga ana tjetër, do të ketë lexues që menjëherë do të mendojnë se blogu po shkruan për festat vetëm për t’u konformuar, ose për t’ua davaritur dyshimet të gjithë atyre që mendojnë se Peizazhe të fjalës nuk angazhohet me zemër në çështje të shtrenjta për sensibilitetin e masave.

Dhe këta lexues do të arrijnë kushedi në përfundimin se, duke u përpjekur të konformohet me këtë shtresë lexuesish që e shohin blogun si potencialisht të pandjeshëm ndaj problematikave masive, atëherë Peizazhe të fjalës thjesht e përforcon përshtypjen, te masa e lexuesve por edhe në lexues individualë të distancuar prej masës në fjalë por jo të kundërvënë doemos ndaj saj, se kërkon të hiqet elitar edhe kur elitar nuk ka kuptim të jihet (të vërehet këtu edhe përdorimi i trajtës pësore, në kufi të gramatikalitetit, të foljes jam; e cila vetvetiu do të jetërsojë një numër të madh lexuesish që i duan tekstet e tyre gjuhësisht të disiplinuara).

Dhe kjo pavarësisht nga fakti që festat kombëtare janë festa që masës së lexuesve dhe masës së shqiptarëve në përgjithësi i janë imponuar nga elitat, të cilat i shohin ato – festat – dhe ngjarjet historike që përkujtohen nëpërmjet tyre si elemente të domosdoshme për riprodhimin e tyre si elita të kombit, pavarësisht nga meritat e tyre reale.

Pra, pavarësisht nga fakti që besimi i papërligjur i masës, përfshi këtu edhe masën e lexuesve, se festat kombëtare janë në fakt festa popullore është besim i induktuar jo i vetvetishëm; dhe se në thelb nuk ka ndonjë ndryshim kategorik midis festave fetare dhe këtyre që kremtojnë momente të historisë së jetuar, meqë edhe të dytat i përkasin asaj çfarë e kanë quajtur religjion civil.

Për këtë arsye, blogu Peizazhe të fjalës dëshiron të precizojë, edhe nëpërmjet këtij teksti, se kremtimi i festave të sanksionuara nga kalendari kombëtar nuk ka pse të bëhet thjesht për hir të amshimit të pushtetit të elitave të tanishme.

Festat kombëtare kanë arsye të mirëfillta që të kremtohen, mes të cilave një nga më të rëndësishmet është që ato janë kremtuar tashmë prej dekadash, në kuptimin që përsëritja, vit pas viti, e ritualeve të kremtimit, po ndihmon për t’i shndërruar ato në festa të mirëfillta popullore.

Duke vepruar kështu, blogu Peizazhe të fjalës mbetet i vetëdijshëm për problematizimin e historisë kombëtare në rrethanat e kultivimit të mendimit pluralist edhe në historiografi; dhe e sheh të arsyeshme të precizojë se, duke i veçuar datat e festave nga të tjerat në kalendar dhe duke u kushtuar atyre një shkrim të posaçëm, nuk është se rreshtohet, automatikisht, me të gjithë ata që i kundërvihen – nga frika se mos humbin statusin ose për shkaqe të tjera qoftë edhe triviale – rishikimit, ose riciklimit të historisë, përfshi këtu edhe ata që kërkojnë reformën e kalendarit kombëtar të shqiptarëve.

Me ç’rast edhe përfitojmë të vëmë në dukje, se Peizazhe të fjalës nuk konformohet me idolizimin e dhunës nëpërmjet veçimit kalendarik të datave që lidhen vetëm me fitore betejash ose luftërash; sikurse nuk konformohet me konceptimin e historisë së shqiptarëve si histori të rënësh, varresh, martirësh dhe mbijetese në përpjekje të pandërprerë me armikun; i cili konceptim në momentin e tanishëm i shërben kryesisht pushtetit të paktën simbolik të asaj kaste që e sheh veten si vazhduese ose trashëgimtare e luftëtarëve realë ose imagjinarë të së shkuarës.

Vetë kremtimi i festave, ose fakti që shqiptarët kanë rast dhe arsye të gëzohen së bashku, mund të ketë më shumë vlerë, në rrethana të caktuara, sesa vetë datat kalendarike ku janë ankoruar këto festa dhe kuptimi që u është ankoruar këtyre datave.

Anasjelltas, nëpërmjet publikimit të tanishëm, blogu Peizazhe të Fjalës nuk synon të hapë as të rihapë ndonjë polemikë ose debat, në lidhje me pozicionimin ekzakt të këtyre festave në kalendar, orientimin ndaj festave të tjera dhe aq më pak në lidhje me oportunitetin e kremtimit të njërës ose të tjetrës. Dita kur kremtohen nuk është dita më e përshtatshme për të çuar përpara debatin në lidhje me kremtimin ose vetë kalibrimin kalendarik të festave në fjalë.

Ky publikim, për të gjitha arsyet e mësipërme, provon përkatësinë e blogut Peizazhe të fjalës në një botë historike dhe sociale të caktuar, por nuk duhet marrë, sepse nuk është synuar as është, si pjesë e kremtimit ose e haresë së përgjithshme; dhe as duhet kremtuar në vetvete ose si pjesë e kongruitetit të blogut tonë me historinë e shqiptarëve ose edhe me historinë e kremtimit të festave prej shqiptarëve. Teksti në fjalë kryesisht mbush një zbrazëti që, po të lihej e pambushur, mund të përftonte pështjellim.

Megjithatë, asnjë pështjellim nuk përftohet, as pritet që të përftohej, nga fakti që blogu Peizazhe të fjalës nuk i kushtoi ndonjë rresht këtë vit festës kombëtare amerikane të Ditës së Falenderimeve (Thanksgivings); pavarësisht se edhe këtë festë tashmë kanë filluar ta përfshijnë në kalendarët kombëtarë të shqiptarëve, kryesisht në shenjë mirënjohjeje ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Zgavra e krijuar nga kjo mos-përmendje e qëllimshme nuk pritet të lëshojë asnjë lloj gazi toksik, as për autorët e blogut as për lexuesin.

Ky paragraf i fundit, i një teksti që me siguri u zgjat më tepër se ç’ishte synimi i autorit dhe veçanërisht durimi i të tjerëve, ka për qëllim të urojë lexuesin individual, por edhe pjesë dashur pa dashur të një kolektiviteti lexuesish që përftohet si i tillë nëpërmjet leximit të përbashkët të tekstit vetë, për festat kombëtare, me bindjen se dashamirësia që përcillet nëpërmjet këtij urimi nuk ka natyrë kalendarike as rituale, por mishërohet në çdo shkrim të publikuar në blog.

Këtu i vjen radha përshëndetjes përmbyllëse.

Pa Komente

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin