Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kinema / Narratologji

MË I AVASHTI FITON

Këtë vjeshtë vendosa të ndiqja sërish filma televizivë pas një pauze gati njëvjeçare. E inaugurova kthimin me dy serialë jo fort të reklamuar në kontinentin plak: Under the Dome (Nën Kupolë), serial amerikan, dhe Broadchurch, britanik. Pritmëritë për të parin i pata fort të larta, sepse një histori e bazuar mbi romanin me të njëjtin titull të Stephen King premtonte, më në fund, diçka të paramenduar, pas një varg serialesh të tjerrura me zor sezon pas sezoni. Broadchurch s’më ngrohte aq, pa çka se një kishë e gjërë është lajm i mirë.

Në fund të dy serialeve hamendja se këto do të ishin eksperienca të kundërta doli e drejtë, por me një përmbysje brenda. Under the Dome, në sfondin e së përditshmes të shtresës së mesme amerikane, të përball me prezencën misterioze të një kupole të tejdukshme e të pakalueshme, që e ndan qytetin në bërthamë dhe periferi, në jetë brenda dhe jashtë hemisferës, në njerëz të zënë peng si miza nën burgun e qelqtë dhe në kuriozët që i vëzhgojnë insektet e ngujuara nga jashtë.

Broadchurch, i filmuar në bregdetin e mrekullueshëm të Lyme në jugperëndim të Mbretërisë së Bashkuar, i famshëm të paktën që prej romanit Bindje (Persuasion) të Jane Austen, merret me mistere, fatkeqësisht, më të përditshme se sa rënie kupolash nga qielli. Një djalë 11-vjeçar gjendet i vdekur në plazhin e qytezës turistike, çka vë në lëvizje ekipin hetues lokal. Pikënisje si kjo, standarti i mijërave serive CSI & Co., nuk përbën recetë suksesi përkrah pjatës ngacmuese që i servir kureshtjes fantashkenca e Stephen King.

Nuk dua t’ju lodh me përmbledhje – kush ka durim mund t’i konsultojë ato në www.imdb.com – jo vetëm sepse përmbledhjet janë tekste monotone, por sepse ç’dua të them ka nevojë për pak detaje: tek Under the Dome, obsesioni për ta mbajtur ngrehur vëmendjen e shikuesit, rezulton në një vargan marramendës vrasjesh të gati më shumë se gjysmës së personazheve kryesorë të sezonit të parë (thuajse e njëjta vlen për sezonin e dytë). Për çudi, këto personazhe fshihen nga narrativa sapo shikuesi ka nisur të interesohet për ta. Personazhet që mbijetojnë janë simpatikë, por me thellësinë e Bob Ndërtuesit. Në Broadchurch, botë në dukje më e mëshirme, ngjarjet përfshijnë një numër të vogël personazhesh kryesorë dhe, ndër këta, veç dy ndërrojnë jetë. Under the Dome, sipas skemës frojdiane, e zbut turrin drejt vdekjes me doza erotike, kurse Broadchurch, nën etosin e vetëpërmbajtjes puritane, që në episodin e tretë, mbyt në embrion një dashuri të ndaluar, ndonëse dashuritë e ndaluara janë strumbullari i kësaj historie.

Pas një bilanci të tillë, mund të kuptohet habia ime kur them se Broadchurch është ndoshta thriller/Krimi më i arritur që kam parë prej kohësh. Hijeshia elegjike me të cilën ky serial e vesh individin e ngrirë në izolimin e tragjedisë, të kujton Lovely Bones, edhe ky libër e film që vajton vrasjen e një fëmije. Të dy janë portrete të pamundësisë së atyre që ngelen pas për të ripërtërirë lidhjet familjare e miqësore, të cilat deri në prag të gjëmës ishin të nevojshëm për ta quajtur jetën jetë. Përpos, Broadchurch, edhe më ballhapur se Lovely Bones, ngre pyetje të makthshme: “Sa dijeni ke se ç’bëhet nën kubenë e shtëpisë tënde dhe të komshiut që përshëndet çdo mëngjes? Ç’duhet të dish e të mos dish?”

image 1Under the Dome ka aleatë ndoshta sa të dëgjuar, aq edhe të dështuar. Për ata që dikur lidhën vite të jetës së tyre me Lost (si viktima e këtyre radhëve), afaret e kupolës janë një rikthim i mistereve, ringjalljeve, halucinacioneve që Lost nuk zbardhi kurrë. Një kthim i holluar me ujë, ose më mirë i holluar me shpejtësi, sepse edhe Lost qe më i ngeshëm e më i dhimbsur me personazhet e tij. Ky më duket është pikërisht mësimi që Broadchurch i jep Under the Dome: ngadalësia është virtyt i maskuar. Asgjesimet e vrullshme në Under the Dome të kujtojnë frenezinë e një manufakture kapitaliste ku prodhimtaria matet me numrin e fatkeqësive, ndërsa shikuesi nxitet, si lëvrues i një tregu me ofertë të larmishme sensacionesh, të gdhend me çdo vdekje një rreth më shumë në bastunin e eksperiencës së tij televizive. Pse të thellohesh në vrasjen e një personazhi, kur mund ta ri-ri-shohësh atë vrasje në petka të ndryshme?

Nëse do binim dakort, se një vepër arti funksionon, ndër të tjera, si udhëtim dhe jetim imagjinar në universe alternative, duket me vend, që spektatori i një vepre arti të mendohet si udhëtarë a turist në kolltuk. Dhe në fakt, projektimi i spektatorit-turist frymëzon haptazi skenaret me spiunazhe, shih The Tourist, Mission Impossible, Alias, Homeland and The Americans si shembuj të spikatur. Ndërkohë, ekperienca e turistave të sotshëm i ngjan kapërcimeve skenike, në urinë për ndërrim e konsum të hapësirave si edhe të personazheve. Çdo shkrepje arme tek Under the Dome ngjan me një shkrepje të kamerës së turistit moden, i cili rreket të kompensojë përjetimet fluturake, duke memorizuar e monumentalizuar çastet kyçe. Si shëmbull të turistit modern po jap japonezët, të cilët jo rrallë e përshkojnë Europën perëndimore brenda dy javësh, sot në kulmin e Jungfrau, nesër në Mynih, pasnesër në Amsterdam, si një rite de passage, binjak i përshpejtuar i Grand Tour-ës iluministe, ku gjashtë muaj rrugëtim ishin minimumi i minimumit (Sweet 2). Me pak fjalë, aty ku personazhi shndërrohet në pjesë të dekorit, ndërsa vendi turistik në thjesht dekor, ndërrimet jetëshkurtëra të piperosura me mbresa të forta ofrohen si ilaç ndaj mërzisë dhe amnezisë.

image 2

‘Travel to and fro and knowledge shall be encreased’ [sic], 1850

Hopi i shpejtësisë, fenomen që shfaq gjurmë të mirëpritura e shqetësuese me hekurudhat e shekullit të XIX, u ngrit në piedestalin e bukurisë moderne prej manifestit futurist të Filippo Tommaso Marinetti-t në 1909. Prodhuesit e Under the Dome duket se ndriçohen nga besimi i manifestit të njëqind viteve më parë, ku për çudi evokohen kupola e llampa dritëdhënëse. Broadchurch e trajton shpejtësinë si faktor errësues e pengues për udhëtime në brendësinë e ujërave njerëzore. Në dimensionin vertikal, që kërkon të hulumtojë ky serial, duket sikur ligji i konkurrencës së lirë është kthyer përsëmbrapthi: këtu më i avashti fiton. Së fundmi, tek bluaja lidhjet e paraqitura më sipër mes kultit të përshpejtimit sensacional në kinematografi apo turizëm m’u kujtua një tregim i Jorge Luis Borges rreth bandave të New York-ut, histori me më shumë marramendje se hijeshi (52).

Referenca

Sweet, Rosemary. Cities and the Grand Tour: The British in Italy, 1690-1820. Cambridge UP, 2012.

Marinetti, Filippo Tommaso. “Manifesto del Futurismo”. Gazzetta dell’Emilia. 5 febbraio. Bologna, 1909. “sotto lampade di moschea dalle cupole di ottone traforato” http://www.classicitaliani.it/futurismo/manifesti/marinetti_fondazione.htm

Borge, Jorge Luis. “El proveedor de iniquidades Monk Eastman”. Historia Universal de la Infamia. Barcelons: Círculo de Lectores, 1995. “más vertiginosa, más torpe”

Imazh: © http://lindseyled.blogspot.ch/ “Brain too Slow? Buy a new one!”

 

Pa Komente

  1. dmth. na sugjeron Broadchurch – meqe jam ne pritje te House of Cards (besoj se alegori per Clinton-et, shih edhe 1 & 2), po i hedh nje sy – era e fundit qe pash nje serial ishte The Americans, por me la nje shije te keqe, sikur kafshoja nje kompensate dhe pse shihja bakllava. Po vjen fundi i vitit e duhet me shpenzuar ca kohe ne televizor.

  2. Kontrasti qe beni mes ketyre serialeve, njeri amerikan tjetri britanik, verteton edhe nje here me shume ate thenien e Bernard Shaw se anglezet dhe amerikanet jane popujt te ndare nga nje gjuhe e perbashket. Kjo ndarje shkon deri ne artin qe prodhojne.

  3. Po, arsimtar, rekomandoj të paktën sezonin e parë, se kur lexova që kanë filluar xhirimin e të dytit, kam frikë se do të nis tatëpjeta. Duket e pamundur t’i thuash vetes stop, kur je në majë të valës.

    Viola, hap goxha temë vërejtja jote. I saktësova orgjinët për kontekstualizim, dhe mund të jetë thjesht rastësia e përzgjedhjes sime që lë përshtypjen e diskrepancëz. Por tek shkruaj këtë, më vijnë në mendje dy filma të ngjashëm në tematikë e narrativ: “New Year’s Eve” dhe “Love Actually”. Ky i fundit shkëlqen me humorin anglez sa vetëpërçmues edhe narcistisk, ai i pari është diçka e shpëlarë e e ngathët…

    1. sapo e mbarova Broadchurch, brenda nje nate – ora 7 e mengjesit. Ok, me pelqeu, karakteret, filmimi etj. Por filozofia e “haunting”, perndjekjes nga e kaluara gjithmone me rrenqeth mishte, e nje gracke ne kohe shume me e tmerrshme se ajo ne hapesire (sa here ne filma kem gracka ne hapesire: burgje, familje, humbetira etj.). Shumekush kishte nga nje skelet ne dollap, per te tjeret kishte vetem “brenge”. Ajo persiatja mbi “grief” shume e thelle, nje intensitet shume i larte edhe pse ne nje moment te shkurter – besoj se kjo ishte nje arritje e vecante per filmin: paketimi ne kohe te shkurter i kaq shume dimensioneve te rrefimit. E megjithate, duke e pare te gjithe njeherazi, mu duk se ishte pershkuar nga nje ndenje dashurie – jo thjeshte krimi, investigimi apo hollesi ala-Simenon (qe fillonte me viktimen/keqberesin, e kalonte neper viktimat e tjera te historive prej nga mundoheshin te arratiseshin). Tani me duhet te marre veten me Curb your Enthusiasm (Larry David) e te vijoj me 6 episodet e tjera.

      1. “…besoj se kjo ishte nje arritje e vecante per filmin: paketimi ne kohe te shkurter i kaq shume dimensioneve te rrefimit.”

        Kështu e perceptova edhe unë, në një kohë të shkurtër dhe me qetësi që të vete nën lëkurë. Çdo sekondë e dedikuar personazheve, në fjalë, shikime, muzikë, peizazhe, e mirëpeshuar. Po ashtu renditja e ngjarjeve, ku një palë dyshime paraprijnë shtjellimin e atyre që vijojnë, plus dimensioni njerëzor i dhimbjes si protagonist dhe spektator qoftë brenda apo jashtë ekranit. Unë s’e përmenda në shkrim, por edhe zgjidhja (“dénouement”) finale trajtim i ri i një teme të bërë përndryshe telef. Jam shumë dakort që thua se përshkohet nga një ndjenjë dashurie, paçka se fokusi është tek krimi. Duket si një botë me krim e dhimbje të madhe por fajtorë kryesisht aksidental.
        E vërteta është se s’e kam marrë ende veten të shoh filma ku prindrit humbin fëmijë.

  4. Broadchurch nuk e kam pare. Ndersa Under the Dome, pavaresisht subjektit interesant, eshte nje serial idiot. Keshtu qe une as qe do e merrja fare si pike referimi per nje serial tipik amerikan. Tema qe hap Viola eshte disi problematike sepse cilet do te ishin psh serialet “perfaqesues” amerikane e cilet britanike? Ja dy shembuj qe Amerika mund te krenohet dhe qe mund te merren fare mire si perfaqesues: Twin Peaks dhe True Detective. Nuk di se cili serial britanik do te arrinte tu afrohej…

  5. Trekëndëshi, nuk është synimi i shkrimit të tematizojë hendekun SHBA-Britani, por të konsiderojë dinamikën e jetëgjatësisë/shkurtësisë së personazhit në seriale ku një komunitet i mbyllur përballet me një katastrofë. Që këtej pastaj zhvillohet lidhja me eksperiencën marramendëse të shikuesit-turist.

    1. Po, e sakte. Por une u perpoqa te ngreh nje pyetje duke e marre pikenisjen tek komentet. Ndoshta jo e lidhur ngushte me temen por na i fal keto “gjynahe” te vogla se une them se i bejne mire debatit.

      Te vijme tek shkrimi juaj. Bie dakord me shtjellimin e tij, por mendoj se piken e referimit te Under The dome e ke ta gabuar. Pse? E para se nuk ia vlen te merresh me nje film te tille. E dyta, se nje film i dobet nuk e ben krahasimin te shendoshe. Eshte njesoj si te krahasosh nje ekip te kategorise se pare me nje te kategorise se trete. Duhej te merrje nje serial me nivel por qe “cen shpejt” ne menyre qe ideja qe shtjellon te qendroje me mire ne kembet e veta. Dmth duhet te vije ne gare dy telefilma pak a shume te barabarte.

      Pse e them kete? Sepse mendoj se Under the Dome nuk deshton vetem nga pershpejtimi i idese se fatkeqesise (vrasjeve ne seri si metafora te fatkeqesise se Kupoles qe i kanoset komunitetit). Under the Dome deshton ne rradhe te pare se tema te tilla si frika nga e panjohura, pushteti, paniku, bashkepunimi, heroi ambig etj. i trajton ne menyre te trashe. Pershpejtimi i vrasjeve sherben ne njefare menyre qe te mbuloje trajtimin e trashe e gati banal qe u ben ketyre pikave. Pra mekati me i madh i Under the Dome nuk eshte se e trajton shikuesin si turist japonez por si nje turist idiot. Se fundja-fundit japonezet jane te vetedijshem se te lindur e rritur ne nje kulture thellesisht aziatike nuk kane filtrat e duhura per ta kuptuar Evropen me detaje prandaj bejne nje tur te pershpejtuar (se edhe ai i avashti nuk do i bente derman). Ndersa “turistin”, Agjencia Turistike Under the Dome nuk e con fare ne Evrope por tek ato qytetet kopje te Evropes qe bejne Kinezet ne Kine.

      1. E kam të vështirë të kuptoj se si mund të jeni dakort me shtjellimin kur mendoni që “Under the Dome” është pikënisje e gabuar, sepse duke qenë njëri nga dy filmat nuk është veç pikënisje por edhe pjesë e shtjellimit.

        Shkruani: “E para se nuk ia vlen te merresh me nje film te tille. E dyta, se nje film i dobet nuk e ben krahasimin te shendoshe.” Kjo është llogjikë qarkore.

        E përsëris interesi është trajtimi i personazhit, faqe projektimi i të gjitha simptomave të katastrofës që përmendni ju, këtë mund ta bësh në “Under the Dome” dhe “Broadchurch” (ky qe shtjellimi). Lezeti i fiskulturës mendore është më i shprehur aty ku duhet pak sparkatë, prandaj s’shoh problem tek përballja e këtyre dy filmave. Aq më tepër, krahasimi i filmave/artit si ekipe nuk është thjerrëza ime.

        1. Kur flas per shtjellim kam parasysh shtjellimin e idese se shkrimit tuaj. Thjesht do me pelqente te mendoja rreth kesaj ideje nese do te krahasoheshin dy filma me te barabarte. Perndryshe edhe Terbuni dhe Partizani dy ekipe futbolli nglelen fundja-fundit.

          Sa per te tjerat mendje mendje kjo dynja. Ja psh mua me pelqen sporti (futbolli psh) por s’me ka pelqyer asnjehere berja e sparkates…

  6. Me komentin qe lash nuk pretendova kurrsesi te shtjelloheshin ndryshimet Amerike-Angli, lere pastaj garat. Po theksimi i ngadalsise e qetesise, krejtesisht e kundert me “shoot first, ask later” qe duket buke e kripe e under the dome me coi tek fjala e Shaw. Sa per humorin, une kap me kollaj ate amerikan se anglez, pra jam e predispozuar ta pelqej (s’e kam pare New Year’s Eve, e pranoj).

  7. Viola, për mos të humbur rastin për pak humorr, ja një parathënie e parathënies mbi komunikimet amerikano-britanike:
    “[Irony] is like the kettle to us [Brits]: it’s always on, whistling slyly in the corner of our daily interactions. To Americans, however, it’s more like a nice teapot, something to be used when the occasion demands it. This is why an ironic comment will sometimes be met with a perplexed smile by an unwary American. Take this exchange that took place between two friends of mine, one British (B), the other American (A):

    B: “I had to go to my grandad’s funeral last week.”
    A: “Sorry to hear that.”
    B: “Don’t be. It was the first time he ever paid for the drinks.”
    A: “I see.”

    Now, my American friend was being neither thick nor obtuse here; he simply didn’t immediately register the need to bury emotion under humour. This tendency is also apparent in our differing use of disclaimers. When Americans use irony, they will often immediately qualify it as being so, with a jovial “just kidding”, even if the statement is outrageous and plainly ironic. For instance…

    A: “If you don’t come out tonight, I’m going to have you shot… just kidding.”

    Of course, being America, this might be true, because they do all own guns and use them on a regular basis (just kidding). Americans can fully appreciate irony. They just don’t feel entirely comfortable using it on each other, in case it causes damage. A bit like how we feel about guns.”

    Për të gjithë artikullin, shih http://www.theguardian.com/film/2007/feb/10/comedy.television

    1. Kjo qenka parathenie e permbledhje, yll fare. Ia kam treguar shoqerise dhe nje shoku im francez qe ka studiuar e punuar ne Angli dhe Amerike, tha se i ka rene ne te gazetari.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin