SHAH: CARLSEN-I E RUAN TITULLIN

Match-i për titullin botëror në shah, midis norvegjezit Magnus Carlsen dhe indianit Vishi Anand sapo ka përfunduar me fitoren e të parit.

Në lojën e parafundit, Anand-it i duhej patjetër fitorja, për çka edhe rrezikoi më shumë se ç’bën zakonisht; Carlsen-i u tregua gjakftohtë dhe e fitoi këtë lojë pa u lodhur shumë; duke mbrojtur kështu edhe titullin e kampionit botëror.

Tabela në vijim tregon ecurinë e match-it:

match

Sikurse mund të shihet lehtë, ndeshja e 6-të që përfundoi me fitoren e Carlsen-it u tregua vendimtare për të përcaktuar fatet e këtij takimi; meqë u pasua nga katër barazime të njëpasnjëshme, derisa Anand-i u detyrua të rrezikojë në ndeshjen e 11-të.

Deri në ndeshjen e 6-të, të dy palët kishin secila nga një fitore dhe match-i dukej mjaft i ekuilibruar.

Për këtë arsye, dua të tregoj pak, aq thjesht sa mundem, se çfarë ndodhi pikërisht në këtë lojë fatale (e cila mund të ri-luhet e tëra këtu).

Pozicioni i mëposhtëm u përftua në tabelë pas lëvizjes së 26-të, ku Carlsen-i e çoi mbretin nga c1 në d2.

fatal position

Motorët e shahut dhe komentuesit në studio menjëherë e vunë re se Anand-it, që luante me gurët e zinj, iu dha këtu shansi për të fituar dy ushtarë me anë të një manovre taktike; dhe dy ushtarë, në këto nivele, janë më se të mjaftueshëm për të fituar lojën.

Dhe pikërisht: indiani duhej të kish marrë ushtarin në e5 me kalë, dhe pasi Carlsen-i të ishte përgjigjur duke marrë me torren e vet, torren e të ziut në g8, të vazhdonte me një zwischenzug, duke marrë me kalë ushtarin e bardhë në c4, me shah; dhe pas kësaj të merrte torren e bardhë në g8, për ta përfunduar ndërrimin (nëse i bardhi, pas shahut në c4, i afrohet kalit me Md3, atëherë i ziu ka edhe një shah tjetër në dispozicion: Kb2+, pas të cilit mund të marrë qetësisht torren në g8).

Në këtë rast, pozicioni (i supozuar) në tabelë do të ishte si ky më poshtë, ku i ziu ka dy ushtarë më tepër, ndërsa i bardhi asgjë për të kompensuar disavantazhin material.

pozicioni i supozuar

Manovra e sugjeruar është relativisht elementare, për çka të gjithë e quajtën gabim të rëndë lëvizjen me mbret të Carlsen-it.

Megjithatë, gabimin më të madh e bëri Anandi, të cilit i shpëtoi kjo mundësi taktike. Në konferencën për shtyp në fund të ndeshjes, indiani shpjegoi se, pasi e kish vënë re më pas që mund ta kish marrë ushtarin në e5 dhe pas tij edhe atë në c4, u shqetësua kaq shumë, sa nuk mundi të përqendrohej më dhe ashtu lojën e fitoi Carlsen-i, shumë lëvizje më pas.

Në thelb, ishte një gabim i Anandit, relativisht elementar, që ia siguroi Carlsen-it fitoren në match dhe ruajtjen e titullit botëror.

Ata që e ndjekin shahun sot në nivelet më të larta, e dinë se, falë edhe përdorimit masiv të motorëve shahistikë, hapjet janë optimizuar deri në atë shkallë, sa një numër i madh lojërash ndjekin lëvizjet e kolauduara nga motorët – të cilat i kanë mësuar përmendësh – deri aty nga lëvizja 20-25, ndonjëherë edhe më tej.

U tha se fitorja e Anand-it, lojën e tretë të match-it, ishte e tëra e përgatitur në tavolinë; dhe vetë indiani e pranoi këtë.

Për këtë arsye, shahu i nivelit të lartë në epokën e kompjuterit është transformuar thellë; dhe sot shahistët më të mirë janë ata që arrijnë të mbajnë mend qindra-mijëra pozicione, lëvizje dhe variante të hapjeve. Aftësia për të kalkuluar në imagjinatë vjen vetëm më pas.

Kampioni i botës në shah, Magnus Carlsen, i mbiquajtur (prej meje) "noflla."

Kampioni i botës në shah, Magnus Carlsen, i mbiquajtur (prej meje) “noflla.”

Edhe pse mjeshtra të tillë si Carlsen-i dhe Anandi mbeten kampionë të shkëlqyer në të gjitha fazat e lojës, realiteti është se, për shkak të përpjekjeve që bëjnë – në fazën e hapjes – për të kujtuar lëvizjet optimale të sugjeruara në stërvitje prej motorëve, ata arrijnë të lodhur në meslojë; aq më tepër në pozicione ku është e vështirë të krijosh diçka.

Vetëm me lodhjen, plus tensionin psikologjik, mund të shpjegohet një gabim ose harresë si ajo e Anand-it më sipër; i cili, në rrethana të tjera, do ta kish gjetur lëvizjen K:e5 edhe sikur të kish qenë duke luajtur me sy të lidhur.

Përndryshe, ky match për titullin kampion ishte përgjithësisht i mërzitshëm; dhe as mund të krahasohet me spektakularitetin e disa turneve të nivelit të lartë, dhe aq më pak me match-e klasike për titullin botëror – prej të cilëve unë veçoj, meqë e kam ndjekur me shumë pasion, ai Spaski-Fisher i vitit 1972.

Magnus Carlsen-i është pa dyshim shahist më i fortë se Anandi dhe e meriton titullin e kampionit; por gjatë matç-it ai shkëlqeu vetëm në lojën e dytë.

Shënim 1: lëvizjet që kam treguar më lart janë të gjitha të sugjeruara prej motorëve dhe/ose komentatorëve të match-it. Niveli im, si shahist, nuk është i tillë që të mund të sugjeroj dhe të komentoj, në mënyrë të pavarur, ndeshje midis mjeshtrave.

Shënim 2: Loja e 6-të, e komentuar, mund të ndiqet këtu.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: