U lajmërua me të madhe, në mediat e Tiranës, çelja e muzeut “Bunk’Art” në mjediset e një bunkeri antibërthamor në periferi të Tiranës, ku do të strehohej udhëheqja e regjimit totalitar, në rast të një sulmi ushtarak masiv ndaj Shqipërisë, në vitet e Luftës së Ftohtë.
Nuk e kam parë ende këtë bunker, as muzeun përkatës; por shkruaj tani sepse më erdhën të gjalla, në mendje, disa asociacione të vetë fjalës bunker, të përforcuara nga prania, në shumë foto zyrtare të veprimtarisë hapëse, e imazheve të disa bunkerëve të tjerë, ose të “kupolave” siç i kanë quajtur nga zori.
Në fakt, duke qenë bunkeri antibërthamor i nëndheshëm ose i gërmuar brenda një kodre ose mali, është e vështirë që ta paraqitësh në mënyrë vizuale, përveçse nëpërmjet planimetrisë, që nuk thotë asgjë.
Sa për “kupolat”, këto kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë rol të dorës së parë, në paraqitjen e një Shqipërie “të çuditshme” për turistët; të cilëve deri edhe u shiten rëndom modele të vogla prej alabastri, kushedi made in China.
Lidhja mes njërës strukturë dhe tjetrës, e ndërmjetësuar nga emri i përbashkët bunker, është legjitime; edhe pse bunker është quajtur në fillim një strehim i nëndheshëm për t’u mbrojtur nga sulmet ajrore; ndërsa “kupola” e ka marrë emrin bunker më pas, ndonjëherë në anglishte e quajtur edhe trench bunker.
Ka një dallim të madh, do të thoja dramatik, megjithatë, midis njërit bunker dhe tjetrit: bunkeri “kupolë”, me të cilën u mbushën fushat, kodrat dhe malet e Shqipërisë autarkike të viteve 1970-1980 ishte i kudogjendur dhe i pranishëm në çdo peizazh; ndërsa ky tjetri, strehimi kundër një sulmi ajror masiv kushedi edhe me armë bërthamore, mbetej jo vetëm i padukshëm, por edhe i fshehur ndaj publikut dhe vizitorëve.
Strehimet atomike, gjatë viteve të Luftës së Ftohtë, kanë qenë realitet në shumë vende – të Lindjes dhe të Perëndimit. Çdo qeveri në Europë ka pasur plane kontingjente, në rast të një katastrofe të papritur – dhe unë Enver Hoxhën nuk e përfytyroj dot duke ikur nga Shqipëria me helikopter në momentin e fundit.
Përkundrazi, ishin “kupolat” ato që e riformatuan peizazhin shqiptar dhe që u shndërruan pastaj në valutë turistike, pas 1990s; për t’u shfrytëzuar, deri edhe sot e kësaj dite, si simbol imediat i paranojës autarkike dhe izolimit shqiptar, gjatë periudhës totalitare.
Në këtë rol, ato i ka ndihmuar edhe lehtësia e identifikimit të imazhit (recognition), për shkak të formës së rrumbullakët dhe të lëmuar prej këpurdhe; e përshtatshme deri edhe për të pikturuar në të, për ta mbuluar me vizatime dhe graffiti.
Nëpërmjet shënjuesit bunker, ky imazh tani e transferon fuqinë e vet simbolizuese tek objekti tjetër – strehimi antibërthamor i udhëheqjes komuniste – një objekt kushedi interesant në vetvete dhe me siguri më interesant për publikun se sendet që kanë vendosur aty kuratorët; por që, për fat të keq, nuk paraqitet dot vizualisht.
Edhe skena e prezantimit të eventit, me sa shoh nga fotot që më dalin përpara nga të katër anët, përmban disa “kupola” të vizatuara nga një dorë fëmije – që rrezatojnë po aq pafajësi, sa edhe zambaku kitsch që e vendos një dorë e panjohur te tyta e pushkës vrastare.
Ekspozita, muzeu dhe instalacionet shoqëruese u paraqitën edhe si një mundësi e re që u jepet kureshtarëve, brezave të rinj dhe turistëve për t’u njohur me regjimin totalitar të Enver Hoxhës. Megjithatë, nëse “kupolat” e përfaqësojnë mirë paranojën e atij regjimi dhe kundërvënien groteske ndaj botës mbarë, përfshi këtu edhe dy a tre superfuqitë; strehimi antibërthamor, në të vërtetë, zbulon një anë të papritur të totalitarizmit shqiptar, duke e sjellë këtë, paradoksalisht, më afër mendësisë moderne, duke e bërë më njerëzor, më të lëndueshëm, më të vetëdijshëm për prekaritetin e vet.
E mbjellë në mes të fushës me grurë, kupola do të mishëronte dhe pastaj rrezatonte bindjen e patundur se armiku, ngado që të vinte, do të përballej me luftë dhëmb për dhëmb, sy për sy, bajonetë për bajonetë; pa i lëshuar asnjë pëllëmbë truall; brenda asaj hapësire aq elementare, ushtari shqiptar dhe qytetari shqiptar do të futeshin jo për të mbijetuar, por për të luftuar; dhe nëse struktura i shërbente mbijetesës, kjo vlente veç në emër të vazhdimit të betejës.
Funksioni i saj mbrojtës në fushë të betejës nuk do të mund të ndahej kurrë nga roli i saj propagandistik, i riprodhimit të mendësisë totalitare, autarkike të kohës.
Përkundrazi, strehimi atomik i nëndheshëm, ashtu i fshehtë dhe larg syve të njerëzve, ishte në thelb një vrimë miu, ose një vend ku udhëheqja do të futej për të shpëtuar kokën, teksa ushtarët e saj dhe qytetarët dhe masat punonjëse dhe fshatarësia kooperativiste dhe dreqi me të birin do të linin lëkurën te “kupolat” në fushë, duke u përleshur me artilerinë, tanket, mitralimet, flakëhedhëset, napalmin dhe gjithçka tjetër, të cilën zhgualli i kupolës ishte llogaritur që t’i bënte ballë.
(Mjaft të vinin tapa në vesh.)
Strehimi atomik, pavarësisht nga emri me të cilin e quajmë, përshenjon zbythje të arsyeshme, frikë nga vdekja përndryshe e pashmangshme, instinkt të vetëmbrojtjes, arsyeshmëri, tërheqje taktike në kufi të panikut; është simboli abstrakt i lënies për nesër të punës së sotme. Çuditërisht, ai lë të kuptohet se edhe një regjim i sëmurë, si ai i Enver Hoxhës, e kish ruajtur aq racionalitet, sa të mendonte për të keqen më të vogël, në rast të një sulmi nga jashtë.
Dhe si i tillë, “bunkeri” që u çel sot për vizitorët e shumtë është pikërisht e kundërta e bunkerëve me të cilët jemi mësuar; dhe që praktikisht kanë përfunduar tashmë në shenjën mistike për të evokuar, sidomos në kontekste artistike, paranojën totalitare shqiptare të viteve 1970-1980; them e kundërta, sepse kjo lloj strukture nuk përshenjon rezistencë ballazi dhe vendosmëri për të mos u zbythur para bajlozit; por veç nevojën për tërheqje, fshehje, maskim, groposje, ruajtje, konservim, dimërim – derisa të kalojë stuhia.
Doemos flet edhe ai për periudhën totalitare, por duke treguar diçka të kundërt nga ajo e bunkerëve kupola të pikturuar me lule dhe pamje idilike nga fshati; rrëfen historinë e një regjimi që, në momente kritike, dinte të sillej edhe normalisht, duke lënë mënjanë krekosjet autarkike, bombat retorike kundër NATO-s dhe Traktatit të Varshavës, dhe përbetimet e rreme se “ne shqiptarët do të hamë edhe bar…”
Praktikisht, ai objekt që u hap sot për publikun simbolizon një udhëheqje totalitare shqiptare, me Enver Hoxhën në krye, që refuzon të hajë bar, sikurse refuzon të kafshojë dheun, në emër të idealeve të mëdha, qofshin këto kombëtare apo marksiste-leniniste.
Kaq shumë kontradiktë brenda një fjale të vetme – bunker; sepse në fakt ashtu ka qenë edhe historia e atëhershme, e barsur në kontradikta. “Mbyllja e fantazmave të së shkuarës…” që e kërkon ministrja Kodheli në foto, nuk ka pse të shoqërohet, gjithsesi, me rrafshim të atyre kontradiktave.
Me bind ajo qe thoni ju se fantazmat e se kaluares qetesohen e mbase shuhen pasi t’i kuptojme me gjithe kontraditat e tyre, sepse deri tani i kemi pare me shume bardh e zi, siç shihej qemoti komunizmi.
Per kuriozitet, a ka ndonje link ku mund te ndiqet flaja e znj. Kodhelit?
Fjalimi i ministres Kodheli mund te ndiqet ne linkun me poshte, po ashtu mund te ndiqni dhe fjalimin e Kryeministrit.
https://www.youtube.com/watch?v=qp1rSgRuGxQ#t=412
kjo lloj strukture nuk përshenjon rezistencë ballazi dhe vendosmëri për të mos u zbythur para bajlozit; por veç nevojën për tërheqje, fshehje, maskim, groposje, ruajtje, konservim, dimërim – derisa të kalojë stuhia.
—-
Dmth ne kushtet e luftrave moderne ku presupozohet edhe perdorimi armeve atomike, shqiptari duhet te luftonte sipas modeleve qe servirte propaganda e kohes, Mic Sokoli me gjoksin perballe grykes se topit dhe Vojo Kushi mbi tank. Po te ndiqet kjo vije logjike, edhe perdorimi kundragazit ne nje situate me LHL, duhet konsideruar si devijim nga perballja me rrezikun, si largim nga tipologjia e shqiptarit tradicional qe vdekjen (ne cdo forme qe ti vije) e shikon ne sy e syri nuk ja ben terr. Kjo ngrehine ishte analoge me ate te cdo vendi tjeter ne kushtet e Luftes se Ftohte dhe jo vetem. Ajo mund te ridikulizohet sot, pasi ka rene ai sistem, si shprehje grotekse e pretendimit per ti bere balle dy superfuqive te kohes por jo si pjese normale e infrastruktures mbrojtese qe nderton cdo vend ne nje bote ende pa arme e pa luftra (sic predikonte Hrushovi ne vitet 60). A duhen vleresuar si “vrima miu per mbrojtjen e kokes” vendstrehimet e presidenteve te USA dhe ngrehinat antiberthamore apo koka e nje shqiptari, edhe kur eshte koke diktatori, ka me pak vlere se koka e nje amerikani? Pastaj cfare mund te thuhet per te gjitha venstrehimet e komandave te larta ushtarake ne raste luftrash e konflike te armatosura, ku ata (shefat e ushtrise) pine caj e drejtojne gishtat ne harte kurse ushtaret vriten ne beteja??
E keni krejtësisht gabim, zotëri. Bunkeri anti-atomik, aq i natyrshëm për udhëheqjen e një shteti qoftë ky edhe superfuqi si ShBA, nuk përkonte me imazhin heroik që kërkonte të linte regjimi totalitar në sytë e njerëzve. Përkundrazi, presidenti ta zëmë amerikan, sot e kësaj dite, nuk pretendon gjë që ta njohin dhe ta adhurojnë si hero. Ju nuk e keni kuptuar tekstin tim (strehimi antibërthamor do të quhej “vrimë miu” nga propaganda totalitare triumfaliste); pyetjet që bëni janë boshe.
Nuk ka ndonje fakt ku propaganda komuniste te shpallte njeriun te pasgjesueshem nga bombat dhe bombardimet e imagjinuara, edhe pse fliste papushim per Njeriun e Ri. Popaganda triumfaliste te pakten nuk kishte shkuar deri ne kete pike. Prandaj vazhdoj te mendoj se kunderthenia e “zbuluar” eshte nje zbavitje e intelektit por krejt bosh nga perspektiva dhe logjika e strategjive ushtarake per mbrojten ne rastin te nje konflikti te armatosur.
Propoganda triumfaliste kishte shkuar ende me larg. Jo vetem njeriun e pajisur me ideologjine e kohe e cilesonte si armen me te fort, por ajo shpalli me e madhe se sistemi i kupolave ishte i papushtueshem. Kjo, per ato qe interesoheshin per ate qe po ndodhte, qe ne vitet ’80 nxorri ne pah deshtimin e plote taktik e strategjik te te gjithe mbrojtjes se vendit. Meqe kupoles iu vesh nje mitologji e plote rreth e rrotull (tregohej per tipet e topave dhe predhave qe hidheshin mbi te dhe ajo nuk donte tia dinte fare), por ne nje fare kuptimi ajo ngriti disi moralin e disa shtabeve qe njihnin dobesine e armeve kineze me te cilat qe pajisur ushtria. Nderkohe qe lartsohej kulti i papushtueshmerise se kupolave me te cilat u mbulua vendi, dikush ngriti problemein e dobesise njerzore, u shtrue pyetja, po sikur ndokush te braktise kupolen? Atehere u tha se bashke me mbrojtesit e punkerve do te fusnin edhe familjet e ushtarakeve, vullnetare apo efektive qofshin. Keshtuqe, u tha, ata do te detyrohen ne mos leshojne kupolen. Kjo ngjalli e solli perseri siguri neper shtabe dhe nisi i avazi i papushtushmerise se sistemit te kupolave.
E tille ishte gjendja kur dikush (nje oficer i ri) ngriti nje problem te shkaktoi nje fare termeti. Ai tha se dakord, kupolat jane te papushtueshme, por sikur ne nje çast te nje terheqjeje strategjike, nje pjese e territorit, bashke me kupolat perkatese, te bjere ne dore te armikut? Si do i behet hallit? Se edhe ne duart e armikut, ato mbesin persri te papushtueshme, apo jo?
Nuk ka patur shqetesim me te madh per shtabet shqiptare ne ate kohe se shtrimi i kesaj pyetje. Se duhet ditur qe rrotul sistemit te vendosjes se bukeve qe ndertuar e gjithe strategjia e mbrojtjes kombetare, duke filluar nga vendosja e formacioneve te vogla, skuadra, toga etj e deri te divizionet e korpuset ushtarake.
Temperatura ngrihej gjithandej dhe fakti se dikur nje territor i blinduar me kupola mune te binte ne duart e armikut, u kthye ne makth te vertete. Askush nuk guxonte te ngrinte problememin lart. Per strategjine aktuale ishte punuar me dhjetra vite, e papritur dikte e gjitha fiasko.
Per te mos e zgjatur, z Shpend, ai sistem mbrojtjeje kupolash,ai sistem qe ngjan aq tetral e qesharak sot, e qe behet i njour si atrakson turistik, siç veren me te drejte 2xh, ne kohen e tij ai ka qene me shume se propagande triumfaliste, sepse ata qe merreshin me ate pune e dinin se ishte mashtrimi dhe deshtimi me i madh i dogmatizmit te diktatures shqiptare.
Sasia e qendrave të zjarrit permanente që ndërtohen për çdo skuadër varet nga rëndësia e drejtimit. Kërkesë e domosdoshme është që në drejtimet bregdetare dhe fushore, si rregull, çdo ushtar të luftojë i vendosur në qendrën e zjarrit permanante; ndërsa në qendrat më pak të rëndësishme, në qendrat e zjarrit permanente vendoset pjesa kryesore e skuadrës së mitralozit…Në ndërtimin e qendrës së zjarrit duhen patur parasysh këto kërkesa taktike dhe teknike:
– QZ të lejojë bërjen e zjarrit pa asnjë pengesë, në të gjithë sektorin e qitjes që i është caktuar, mënyrë që armës t’i merret rendimenti i plotë
– Frëngjitë e QZ duhet të ndërtohen për të bërë kryesisht zjarr anësor dhe thikë’
– Frëngjitë e QZ duhet të shikojnë gjithmonë PËRPARA dhe ANASH, por ASNJËHEËR PRAPA
– QZ duhet të ndërtohet në nënyrë të tillë që, të mbulojë 3-4 QZ të tjera dhe të sigurojë palosjen e zjarrit me to
– QZ duhet të jenë të regjistruara me terrenin, të maskuara dhe të mbrojtura mirë nga zjarri i armëve ME
SHËNIM DIREKT të armikut
– Frëngjitë e QZ duhet të sigurojnë bërjen e zjarrit deri në disa metra para saj, me qëllim që të mos mbeten
kënde të vdekura pa u rrahur nga zjarri i armës së vendosur në të
– Frëngjitë e QZ duhet të jenë medoemos të dhëmbëzuara në sipërfaqet e brendshme anësore të tyre, në
mënyrë që predhat e armikut të mos rrëshqasin në faqet e pjerrëta të frëngjive…
Pozicionet e Zjarrit për skuadrat ndërtohen sipas planit të sistemit të zjarrit të pikëmbështetjes. Çdo pushkatar ose automatik duhet të ketë një çerdhe zjarri të përgatitur, plotësisht të mbuluar, ose gjysmë të mbuluar…
“Rregullore e Brigadës së Këmbësorisë në Luftim”, fq. 200-201, Viti 1977, Sekret
Diçka edhe për pamposhtjen:
1. Operacioni i kalimit nga etapa e parë e mbrojtjes strategjike, në etapën e dytë dhe të fundit të mbrijtjes strategjike, është operacioni i kalimit nga Lufta Popullore e shkallës së parë, në Luftën Popullore të shkallës së dytë(partizane). Kjo është e vetmja etapë e tërheqjes sonë strategjike. Tërheqja si lloj i veçantë luftimi, DO TË KRYEHT VETËM NË SHKALLË TAKTIKE DHE, E SHUMTA, NË SHKALLË OPERATIVE. Operacioni i kalimit në Luftën Popullore të shkallës së dytë…na imponohet vetëm nga një raport forcash i atillë që, po të vazhdohej më tej lufta në front të rregullt, do të bëhej i pashmanshëm asgjësimi i formacioneve tona.
Po aty, fq. 453.
Më racional akoma është çështja e numrit të bunkerëve dhe kostos së tyre bashkë me fortifikimin në përgjithësi. Meqë Shqipëria nuk ka luksin që të vijohet të flitet me përgjegjësinë e Edi Ramës, po jap këtu të dhënat e përcjella nga Kostaq Karoli, ish-shef Shtabi në kohën e PD-së. Pra pasi Xhaxhi kishte lënë benevrekët te bunkeri Bollino-Rama dhe kthehu patkonjtë nga dielli.
“Është spekuluar shumë me shifrën e qendrave të zjarrit. Ka pasur deklarata kundërshtuese ku një herë thuhej për 700 mijë bunkerë e një herë për 360 mijë. Por e vërteta është se ato ishin gjithsesi 176 mijë copë. Në fakt ai nuk do të ishte i plotë në qoftë se nuk do të përmendnim sistemin e strehimeve për mbrojtjen e popullsisë, sistemin e vendkomandave, i cili është ndërtuar i gjithi nën tokë, baza ajrore e Gjadrit dhe bazat detare të ndërtuara në Shëngjin e Palermo, të cilat janë vepra madhore e të rralla në llojin e tyre, sistemi i ndërlidhjes telefonike i cili është i groposur i gjithi nën tokë, etj.. I gjithë ky sistem fortifikimesh u bë me mundit, djersën e gjakun e oficerëve, nënoficerëve dhe ushtarakëve, me një kosto minimale të domosdoshme. Duhet ditur se një pjesë e shpenzimeve, që shkonin në Porto-Palermo, vinin nga Kina në formë çimentoje dhe betoni. Por me ndihmën e Kinës u ndërtuan dhe objekte të tjera të fortifikuara”( http://shekulli.com.al/ëeb/p.php?id=3657&kat=103).
Iracionale në të gjithë këtë histori është ndërtimi i strategjisë te Njeriu, sidomos duke ditur që njeriu është Shqiptar. D.m.th mendoj se do të duhej një analizë e vërtetë dhe serioze për këto ccështje dhe jo mjaullimat habitore si ato të ministres së Mbrojtjes. Me gjithë respektin si femër tërheqese që është.
Shpend, o unë e kam keqkuptuar Xha Xhain, dhe në këtë rast kërkoj ndjesë të dyve, o ti je duke luftuar me mullinjtë e erës.
Në shkrim dallohet mes luftës popullore të bunkereve mbitokësorë dhe luftës së elitës për mbijetesë në ata nëntokësorë. Këta të fundit tradhëtojnë frikën e atyre që projektonin bunkere mbi tokë në emër të idealeve komuniste, ç’tregon se idealet sosnin aty ku niste dera e bunkerit urith. Kështu e kuptoj unë citatin se regjimi “dinte të sillej edhe normalisht, duke lënë mënjanë krekosjet autarkike, bombat retorike kundër NATO-s dhe Traktatit të Varshavës, dhe përbetimet e rreme se “ne shqiptarët do të hamë edhe bar…” Ky është ambiguiteti i përmbajtur në historinë e bunkerit, simbol rezistence dhe ankthi.
militschi, ne kushtet e luftrave moderne, cdo vend, pavaresisht sistemit politik, projekton sisteme mbrojtese mbi dhe nentokesore.Eshte mungese realizmi ti shikosh si te ndara dhe kundervenese e te kerkosh simbolika te sforcuara, kur grotesken ai sistem e kishte ne thelbin e tij. Perse ne sistemin kapitalist strehimet nentokesore qenkerkan dicka normale dhe jo vendstrehim per te shpetuar koken e udheheqjes dhe as shprehje ankthi nga vdekja? Po si ne sistemin totalitar, strehimi nentoksor na qenkerka vetem per eliten (imagjino nje Shqiperi shkrumb e hi, nje vend i pushtuar, dhe elita nentoke duke luajtur letra!) Madje xha xhai, venstrehimin nentoksor e quan dicka racionale brenda logjikes se semure te sistemit totalitar. Kur flitet per sistemin totalitar shqiptar, grotesk ishte pretendimi dhe retorika per ti bere balle dy superfuqive, me kupolat dhe bunkeret nentoksore kur dihet fare mire se gjithe infrastruktura ushtarake e atij sistemi ishte primitive, krahasuar me armet e sosfistikuara konvencionale te dy superfuqive dhe fuqive te tjera perendimore. Me cafre do ti behej balle armatimit modern dhe suprmacise ne numur dhe arme te dy superfuqive? Me avione Mig apo me karabinen mitike? Nuk di a ke bere zbor asokohe. Lufta moderne nuk eshte nje loje ushtarake si vidiogame ne kodrat e Mamurrasit ku ne fitonim perhere mbi armikun. Groteske ishte vete sistemi, ne gjykim te fundit dhe sidomos, post factum apo post mortem. Ne kete kontekst, ai vendstrehim nentokesor sa nje pallat, sot perfytyrohet si pjese e atij grotesku.
Ne lidhje me sqarimin e termit bunker qe trajtohet me siper, Gazeta Dita sot ka nje deklarate te Ish Shefit te Shtabit i cili pohon se “termi bunker nuk është i përshtatshëm për këtë objekt, ai është një strehim dhe i ndërtuar si vendkomandë e Shtabit të Përgjithshëm.” Ndoshta per t’iu pergjigjur akuzes se opozites se aty po ndertohet nje muze i figures se Enver Hoxhes ai sqaron se ky objekt nuk ishte zyre te posacme per Enverin.
Lajmet e shumta të fundit për aktivitetet “e panumërta” që po zhvillohen (e me siguri do të zhvillohen edhe në të ardhmen) në këtë objekt, rrëfejnë një pamje tjetër të situatës. Megjithëse e veshur me llogje ideologjike moderne përkundër llogjeve ideologjike të së shkuarës, objekti në fjalë rezulton – as më pak, as më shumë – thjesht një biznes, një biznes i ri, një biznes shumëmilionësh. Një biznes i qelbur i kupolave të reja politike e mediatike, që për më tepër tallen dhe përdorin shtampat e vjetra ideologjike të propagandimit për ta shitur për çfarë nuk është këtë histori. Dhe është për të ardhur keq që në grackën e “rrahjeve e diskutimeve moralo-historike” ka rënë edhe ky blog. Shpesh njerëzia nxitohet e i merr për vepra fjalët e tamtamet deklarative, qofshin këto edhe nga drejtues politikë të veshur me mantel modern.