Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Gjuhësi

KY PIS

Pis është një nga ata turqizma të shqipes bisedore që fjalorët e trajtojnë si mbiemër, me kuptimin “i papastër, i ndotur, i ndyrë” edhe pse për nga mënyra si sillet kjo fjalë në fjali, mund të supozojmë se nuk është “asimiluar” si duhet nga sintaksa e shqipes; dhe se po jep ndihmesën e vet për kristalizimin e një modeli semantik-gramatikor alternativ të foljes në gjuhën tonë.

Kështu, në fjalinë Mos e prek bukën, se i ke duart pis, fjala pis është në pozicion kallzuesor, duke shërbyer – kuptimisht – si cilësor i fjalës duar; e megjithatë, nuk merr mbaresat që duhej të merrte, si mbiemër, në atë pozicion. Të krahasohet: i ke duart të pastra.

Përkundrazi, thënia jam pis është e krahasueshme me jam mirë, jam keq, jam përgjumësh, etj.; dhe pis këtu mund të trajtohet si ndajfolje.

Megjithatë, dallimi mes mbiemrit dhe ndajfoljes, për këtë kategori fjalësh që shfaqen kryesisht në pozicion kallzuesor, ka më tepër interes teorik sesa funksional – sa kohë që fjalët thjesht etiketojnë një status, i cili mund të jetë, sipas rastit dhe kontekstit, i një emri (çka e bën fjalën mbiemër) ose i një foljeje (çka e bën fjalën ndajfolje).

Si kallzuesor, pis merr pjesë në ndërtime të tilla si jam pis, bëj pis dhe bëhem pis që janë, në thelb, të barasvlershme me tre folje; në të cilat bëj merr përsipër të shprehë kategoritë gramatikore të foljes (kohën, vetën, numrin, mënyrën, etj.), ndërsa fjala pis kuptimin përkatës. Të vërehet edhe si në këto tre ndërtime foljore, i pari jam pis shpreh një gjendje; i dyti bëj pis një ndërtim kauzativ (bëj që të jetë pis, khs. ndot, qelb, ndyj, fëlliq) dhe i treti bëhem pis një ndërtim vetvetor-mesor (khs. ndotem, ndyhem, qelbem, fëlliqem).

Në funksion përcaktori, pis del më rrallë – dhe sërish me luhatje sintaksore të mëdha. Kështu, në shqipen bisedore dëgjon togje të tipit pis njeri, pis milet; ku mbiemri i paravendoset emrit në funksion kryesisht ekspresiv, por pa marrë kategoritë e tij gramatikore (të krahasohet me i madhi Zot). Këto përdorime mund të krahasohen me dreq-o punë, palo burrë, mut njeri, zevzek burrë, etj.; ndërtime që unë nuk do t’i trajtoja, gjithsesi, si ndajshtimore.

Pis del edhe si emër – duke shënjuar dikë në bazë të cilësisë; edhe pse me kufizime sintaksore të rëndësishme. E ndeshim në formime të tipit ky pisi, ose është pis i madh, ose është një pis që s’e ka shokun ose është pis nga goja (në kuptimin gojëndyrë). Sërish, kufiri mes emrit dhe mbiemrit nuk shquhet dot lehtë; krahas me është pis i madh (formalisht emër), mund të themi edhe është shumë pis (formalisht mbiemër)… (pis këtu në kuptimin “maskara, qelbanik, qelbash, qelbësirë, ndyrësirë, fëlliqësirë, pleh”).

Në ndërtime të tilla, fjala merr edhe një prapashtesë mocionale –e, kur i referohet gjinisë femërore: është një pise ajo që…. ose pise grua. Që këtej edhe përdorimi grua pise, si një formë mbiemërzimi. Për ta konfirmuar këtë, le të krahasohet ndërtimi grua pise me e kam dorën pis; meqë *e kam dorën pise nuk është shqip.

Si mbiemër përcaktor, pis(e) konkurron nga njëra anë me i/e pistë, nga ana tjetër me pisanjos(e); dhe jashtë kësaj fushe morfologjike por gjithnjë brenda shqipes bisedore, me zhuls.

Të mbahet parasysh edhe emri prejfoljor mjaft i përdorur pisllëk.

Kalimi metaforik nga papastërtia fizike në atë shpirtërore nuk është veçanërisht për t’u shënuar – ndodh praktikisht në shumë gjuhë. Njëlloj edhe për fjalë pise, llafe pise, fjalë të pista (angl. dirty words).

Përkundrazi, është për t’u shënuar që kjo fjalë, pis, në një status të pezullt mes mbiemrit dhe ndajfoljes, përdoret në shqipen me të cilën u drejtohemi shumë herët foshnjave, për t’u mësuar këtyre një karakteristikë themelore – në shumë kuptime – të botës rrethuese: pis!

Kur u thuhet foshnjave, kjo pis gati e panyjëtuar gramatikisht, ose në formë thënieje paragramatikore, përfshin edhe informacionin për botën, edhe ndalimin për të bërë diçka, edhe vendosjen e kufijve që foshnja duhet të mësohet t’i respektojë. Sikurse, bie fjala, në anglishte (khs. dirt dhe dirty), pis i referohet “dheut” ose “tokës”; me metonimi diçkaje që është marrë nga toka ose që ka rënë ose është gjetur në tokë; dhe, në përgjithësi, diçkaje që nuk duhet futur në gojë ose, më gjerë, që nuk duhet prekur.

Më së miri këtë karakteristikë e mishërojnë fecet (të pëgërat), duke filluar nga ato të foshnjës vetë.

Bashkëlidhja e të qenit pis me dheun shpjegon edhe pse, bie fjala, këpucët janë pis, sepse kanë qenë në kontakt të pandërmjetësuar me dheun përjashta (prandaj duhen hequr, kur hyn në shtëpi); ndërsa këmisha është bërë pis, ngaqë ka rënë në kontakt rastësor me diçka të papastër ose që është bërë e tillë jashtë kontekstit të vet të natyrshëm (p.sh. me qumësht ose me bojë).

Te Purity and Danger, Mary Douglas shpjegon, mes të tjerash, si ritualet e pastrimit dhe mirëmbajtja e një hapësire të pastër ndihmojnë për të përvijuar, si për të rriturit ashtu edhe fëmijët, kufijtë e shtëpisë. Shihni për këtë edhe një trajtim më antropologjik që ia kemi bërë temës në blog (Pisllëku që vjen nga jashtë).

Që një fjalë me prejardhje nga turqishtja osmane ka marrë rol themelor, në shqipe, në edukimin bazë të fëmijës, kjo i detyrohet, doemos, rastësisë.

Shqipja ka edhe fjalë të tjera, disa syresh mjaft të vjetra, për të shprehur cilësinë e të qenit i papastër: i ndyrë, i ndytë, i fëlliqur, i ndotur, etj. (për të mos shtuar këtu pastaj i palarë, i papastër, etj.) Avantazhi i pis, edhe pse fjalë relativisht e re në raport me konkurrencën, ka të bëjë – pas gjase – me statusin e kësaj fjale që përmbledh në vetvete ndajfoljen dhe mbiemrin dhe ndonjëherë edhe emrin; çka e lejon ta shprehë cilësinë e papastërtisë lakuriqe, pa iu referuar gramatikisht ndonjë objekti specifik. Kështu, kur i themi fëmijës pis! mos e fut në gojë! i vetmi referim ndaj objektit përkatës është pjesëza përemërore kallzore e; prandaj mund edhe t’i themi vetëm: pis! çka sjell me vete edhe ndalimin, ose një jo implicite.

Përkundrazi, një mbiemër i rregullt i shqipes, si i ndyrë, i qelbur, i ndotur, etj. i sjell me vete kategoritë gramatikore (gjininë mashkullore, nyjen e përparme, etj.) dhe, për më tepër, nuk është dhe aq i përshtatshëm për t’u përdorur në pozicion të pavarur; pse nuk e ka forcën abstrakte lakuriqe dhe as shkurtësinë e pis. Jo më kot, si alternativë ndaj pis mund të përdorent thjesht ndajfoljet mohore mos ose jo; meqë qëllimi kryesor i kësaj pis është që të përcjellë a të imponojë një censurë.

Pa Komente

  1. Xhaxha, mjaft interesante këto shkrimet e fundit mbi fjlalë të huazuara nga osmanishtja. Gjithashtu edhe shpjegimi se avantazhet që bartin një pjesë prej tyre kanë sjellë mënjanimin e sinonimeve të mëhershme, ndërsa huazime të tjera kanë pasur më pak sukses, si në një lloj procesi selektimi gjuhësor.
    Mund të shkojmë edhe më tej në rastin e fjalës “pis”. Për shkak të konotacionit, kjo mund të ketë mënjanuar, përveç sinonimeve, edhe fjalë homonime. Për shembull, fjala “mace” është huazim i sllavishtes, ndërsa në rumanisht korrespondentja është “piska”; që nuk ka etimologji latine. Ndaj ma merr mendja se me sintagmën “ky pis” në titullin e shkrimit, përpara 5 shekujsh mund të konceptohej diçka krejt tjetër nga ç’mendojmë sot.

    1. Në shumë zona të Shqipërisë macen e thërresin edhe sot, “pis, pis, pis.” E quajnë edhe me përkëdheli Piso, Pisiko ose Pisika, Pisonare. Unë kam pasur një dac të vogël, që e quaja Piso. Këtë e përmend edhe Dizdari (fjalën piso për macen, jo dacin tim të shkretë), gjithë duke shënuar se do të jetë fjalë onomatopeike.

      Përndryshe, fjalën pis e ngatërrojnë shpesh, madje edhe në gjuhën e shkruar, me fjalën pisë, një lëndë e zezë që del nga katrani, e ngjashme me ziftin; angl. tar, pitch; italisht pece; edhe pse kjo e fundit (pisë) vjen nga greqishtja πίσσα me të njëjtin kuptim; prandaj duhet thënë me flokët pisë të zinj, jo pis të zinj, etj.

      1. Sapo i hodha një sy fjalorit të Orel. Shkruan se është me origjinë onomatopeike dhe do të thotë “mace, ose mace me lara”, dhe korrespondon me rumanishten “pisa”! Për çudi askush nuk e përdor më në atë kuptim, përveçse natyrisht, në funksionin origjinal, siç është edhe kënga e famshme për fëmijë.
        Gjithashtu për “dac”, jep të njëjtën përgjigje; përcakton macen, dhe është fjalë me origjinë onomatopeike.
        Tani për të shkuar akoma më larg, pyetja që ngrihet është; mirë huazimi “pis” ka mënjanuar fjalën e mëparshme që përcaktonte “macen”, dhe ka sjellë përhapjen e kësaj të fundit – që kushedi më parë mund të ketë qenë thjesht një dialektizëm i një zone kufitare, – po sllavizimi “mace” kush e di çfarë mund të ketë mënjanuar?

        1. Gjergj, sikur nuk të marr vesh – huazimi “pis” nuk ka mënjanuar ndonjë fjalë të mëparshme që emërtonte macen; dhe as ka lidhje me macen. Nëse e ke fjalën për pisa, kjo nuk e ka vlerën denotative të fjalës mace dhe as besoj ta ketë pasur ndonjëherë – është fjalë përkëdhelie, si bubi për qenin etj.

          Sa për emrin e vjetër të maces, në Shqipëri të mesme kësaj i thonë edhe qete. Nuk jam etimolog dhe nuk po dua të marr pozicion, por ngjashmëritë me latinishten catus janë të mëdha.

          Nga pikëpamja antropologjike, macet i mbajnë më shumë bujqit (për t’u mbrojtur prej minjve), ndryshe nga qentë, që preferohen prej blegtorëve. Nëse është kështu, fjala mace do të jetë përgjithësuar bashkë me një kategori termash bujqësorë që kanë hyrë në shqipe nga gjuhët sllave.

          1. Ndoshta jam unë që jam gabuar; Orel (1998, f. 327) shkruan saktësisht;
            Pisë – f ‘cat, tabby cat’. An onomatopoeia similar to that of Rum pisa id. and the like (Meyer Wb. 339-340)
            Unë e përkthej si një fjalë që ka kuptimin denotativ, dhe që është me origjinë onomatopeike, por më siguro që nuk e kam gabim?! Natyrisht sot “pisë” nuk përdoret në këtë kuptim, por mesa lexoj, sipas Orel dhe Meyer, më parë është përdorur!
            Është e mundur që përpara huazimit “mace” vendin e saj ta ketë pasur fjala “qetë”, veç çështja është që “qetë” është hera e parë që e dëgjoj, ndërkohë që “pis” përdoret gjerësisht prej rumunëve dhe tek shqiptarët gjithashtu e ndesh shumë herë më tepër se “qetë”, natyrisht vetëm për ti thirrur macet, pa i emëruar.
            Natyrisht popujt që merren me blegtori duhet ta kenë të vështirë ti marrin kafshë të tilla me vete, ndërsa shtegtojnë, por përderisa rumunët e kanë ruajtur, mund ta kemi rujatur edhe ne. Përndryshe po lexoj për tu siguruar që edhe kafshë të tjera të vështira për tu lëvizur siç “derr” janë me origjinë prej proto-shqipes, çka është një fakt mê shumë.

            1. Fjalori i 1954-ës e ka pisë të shënuar si “fjalë të gjuhës së fëmijëve.” Në fjalorët etimologjikë, këto i quajnë edhe Lallwoertern. Zakonisht është e vështirë të diskutosh për moshën e tyre: njëlloj si të diskutosh sa e vjetër është fjala mami ose fjala cicërimë. Nuk janë as të vjetra as të reja, sepse janë elementare. Gjithsesi, pisë në kuptimin “mace” nuk më duket se hyn fare në këtë muhabet: nuk ka lidhje me pis, që është huazim nga turqishtja, as me pisë (katran) që është huazim nga greqishtja e re.

          2. Pjesa tjetër më duket logjike. Kur ka polisemi dhe një prej kuptimeve mbart njëfarë ideje “pisllëku” atëherë nuk është e lehtë të përdoren edhe homonimet e tjera. Mesa di në gjuhët paleo-ballkanike fjala “sura” kuptohej si “rrëke uji” por sot në shqipe përdoret vetëm për një lloj të caktuar uji.

          3. Sigurisht që është e vështirë, përndryshe nuk do ta kishim arritur në këtë bisedë :)Dikush tjetër do të kishte gjetur argumenta të palëvizshme, dhe gjithçka do të ishte e qartë.
            Për temën,
            Fillimisht desha të shtoj vetëm se përveç pasurimit të gjuhës, një huazim nga turqishtja si « pis » (me kuptimin i ndotur), ka sjellë edhe zhvendosje e humbje në leksik, që sot është e vështirë të dallohen plotësisht, përveçse pasurim të gjuhës apo mjeteve të saj. Por, pastaj kjo lloj arkeologjie gjuhësore është mjaft interesante !
            Për vjetërsinë ,
            Fjala është zhvilluar vetëm në dy popullsi që kanë një fond gjuhësor të përbashkët. Në gjuhë të tjera « mace » jepet si, cat (ang) katze (gjer), gáta (gr), mačka (srb), gato (it), etj. Fondi i përbashkët ose shkëmbimet mes rumannishtes dhe shqipes kanë ndodhur në masën dërrmuese, për E. Çabej nëse nuk gabohem, përpara mbërritjes së sllavëve dhe gjithsesi medoemos përpara mijêvjeçarit të ri kur mes arbërve dhe rumunëve dëshmohen popullsi sllave.
            Për etimologjinë ;
            Pisërëngë – është një lloj salamandre me njolla.
            Piskë – një lloj shpendi, me lara.
            Pispillosem – vishem e lyhem në mënyrë të ekzagjeruar.
            Pisë – ka qenë më parë – në shekullin XIX, të punës dhe fjalorit të Meyer – sinonimi i « mace » / « mace me lara ».
            Dhe macet e egra vendase, janë me lara e ngjyra të ndryshme.
            Ndërsa, « piskamë » dhe « pizgë », – janë të huazuara nga sllavishtja .
            Në shqipe me « pisë » nënkuptohet apo është nënkuptuar; gjëkafshë, shpend etj me lara ose ngjyra, ndërkohë që fjalët « lara » dhe « ngjyra » kanë pasur, kuptime të ndryshme. Sigurisht nuk jam specialist i gjuhësisë, dhe i kuptoj përfundimet e gjuhëtarëve. Në pamje të parë « pisë » duket si një fjalë fëmijësh; veçse pas leximit të shkrimit, komenteve dhe dy-tre shpjegime në fjalorin e Orel, kam disa dyshime të forta që kjo nuk qëndron po aq mirë në këmbë, sa një shpjegim i origjinës prej një fjale të mëhershme shqipe të kuptimit « laraman » apo « larosh ». Sigurisht, nuk është fusha ime dhe nuk i kam mundësitë të jem i sigurtë, por e them thjesht për të shkëmbyer një mendim.

  2. Xhaxha jane te lavderueshme kontributet e fundit ne eksplorimin e fjaleve me origjine nga turkishtja osmane. Pergezime!

    Besoj se te gjithe biem dakord se shqipja ka trupezuar shume, po ama, shume, fjale te tilla, sidomos ne regjistrin bisedor.

    Nuk e di, pervecse fakteve dhe perdorimeve, analizes qe po sjell, besoj se do te kesh krijuar nje teze tenden rreth ketyre prurjeve. E kam fjalen ne lidhje me ngjyrimet e pasura te perdorimeve dhe kuptimeve, nderkohe qe fjalet ndryshojne rolin si kategori gramatikore ne fjali, per pasoje edhe kuptimin/perdorimin.

    A mendon se kjo eshte merite e shqipes per te qene kreative duke eksploruar, shkelur ne shtigje te reja, apo me teper merite si nje aftesi e gjuhes shqipe, per te percuar besnikerisht, bile me fanatizem, kuptimet dhe perdorimet(per pasoje dhe fleksibilitetin gramatikor) te ketyre fjaleve ne turqishten qe prej asaj osmanes.

    Po hulumtoja fjalet pis, pisllek, dhe perdorimet e tyre ne turqisht. Gjeta nje plethora perdorimesh, ku te dyja fjalet ndryshonin rolin e tyre ne fjali.

    Mua me eshte krijuar bindja se ne ne shqip nuk kemi bere asgje tjeter, vecse i kemi hapur dyert, pranuar pa rezerva, kuptimet dhe perdorimet qe kane keto fjale ne turqisht. Shkurt i kemi bere tonat. Bile regjistri ne shqip i ketyre dy fjaleve eshte, mbetet me i varfer se ai ne turqisht.

    Per te dyja fjalet, ngjyrimet e kuptimeve kane nje inventar mbi 30-te kuptime dhe perdorime, ku fjalet, per pasoje, ndryshojne rolin ne fjali (mbiemer, emer, folje, ndajfolje).

    Per kuriozitet po postoj nje link me nje perzgjedhje perdorimesh ne kontekste te ndryshme ne turqisht me perkthimin anglisht perbri.

    https://en.glosbe.com/tr/en/pislik.%20filthy%20pis?page=4

    Duket se martesa e shqipes me turqishten ka qene teper gjate. Si pasoje e kesaj martese te gjate nje divorc pas kaq shekujsh eshte i pamundur. Duket se jemi martuar perjete. 🙂

    1. Falemnderit! Në fakt, po analizoj strukturat kuptimore të këtyre fjalëve në shqipen bisedore të sotme, prandaj nuk e konsideroj këtë si hulumtim historiko-gjuhësor. Duke qenë të përbashkëta për dialektet e shqipes, këto turqizma shërbejnë – paradoksalisht – edhe si bazë për shqipen bisedore përtej dallimeve gjeografike.

      Përndryshe, në rastin e pis nuk kam gjetur ndonjë risi kuptimore as frazeologjike në raport me burimin (me aq sa kam mundur natyrisht); por më duket me interes të madh mënyra si këto fjalë – as tamam emra, as tamam mbiemra, as tamam ndajfolje – integrohen në strukturat e shqipes. Dhe nuk është vetëm pis, ka edhe të tjera. Turqishtja është gjuhë jo-indoeuropiane, gramatika e saj nuk komunikon dot mirë me të shqipes – ndryshe nga gjuhë të tjera që kanë dhënë e kanë marrë me tonën. Por këto fjalë kështu, sikur janë përshtatur me mënyrat e tyre dhe kanë shfrytëzuar të çarat në strukturën e shqipes – e kam fjalën për gramatikën natyrisht.

      Ka fjalë të tjera pastaj, si qejf, që kanë fituar një jetë të re brenda shqipes edhe për nga struktura kuptimore.

      Më duket e vështirë që një fjalë të huazohet me të gjitha kuptimet që ka në gjuhën burim – në rastin e pis, kemi të bëjmë në thelb me dy kuptime: ai i papastërtisë fizike dhe pastaj metaforizimi në papastërti shpirtërore.

      Është një kalim që nuk ka nevojë ta huazosh – vetë shqipja e ka pasur, p.sh. te i ndytë, që përdoret edhe ashtu edhe kështu; ose i qelbët, i fëlliqur etj. Unë do ta mbaja si një “universale” semantike, ose kryemetaforë; edhe pse nuk e përjashtoj një ndikim të kontekstit ballkanik.

      Më në fund, gjuhët bëjnë bricolage gjithë kohën, duke përdorur ato elemente që kanë. Turqizmat në shqipen bisedore përfunduan për shumë arsye – mes të cilave edhe ajo e purizmit; meqë shqipja e shkruar nuk i pranoi. Dhe kjo u shfrytëzua pastaj, besoj unë, vetvetiu, për të kristalizuar një normë të shqipes bisedore, që nuk i ka rrënjët në të folmen ose dialektin.

      1. Kam pershtypjen 2xha se diku e ke permendur kohet e fundit rolin e nyjeve ne shqip. Po e risjell per te kompletuar temen ne fjale.

        Suksesi i huazimeve te leksikut nga turqishtja, duke ruajtur semantiken leksikore dhe ndoshta duke e pasuruar ate, i atribohet ne nje pjese te madhe, rolit te nyjeve ne shqip.

        Shqipja pasi e fut ne perdorim fjalen e huazuar(sic eshte rasti i turkish loans, kryesisht leksikore), e kryen magjine e konvertimit dhe adaptimit nepermjet nyjeve. Fjalet duke ruajtur pothuajse te njejten forme, i gjejme ne funksione te ndryshme. Ndryshe nga turkishtja, gramatikisht kaq e ndryshme, kjo larmi perdorimesh duke percjelle te njejten semantike(qofte edhe si metafore) dhe plus, arrihet nepermjet perdorimit te nyjeve(te perparme, te pasme, shquese, nyjeve ne rasen gjindore).

        Ne vetevete nyjen nuk kane kuptim leksikor, por magjine e kryejne duke pasur(zene) vendin e tyre te mbiemrat, emrat, peremrat dhe ndihmuar keshtu ne fjaleformim dhe larmine e ngjyrimeve kuptimore. Per fjalet qe jane huazuar me mjeshteri nga shqipja, nje merite ka edhe roli i nyjeve. 🙂

  3. Një vëzhgimi im nga “animal kingdom” ka të bëje me pisërëngë=pikëlore, salamandër dhe piskë=zog me pendë të larme. Pisërëngë me ngjan e ardhur nga pisë (katran i zi), por piskë edhe mund të vijë nga pis, sepse në fjalor (Thomai et al.) pis jepet edhe si “me njolla”, pra mund t’i referohet pendëve të larme të shpendit A thua qëndron?

    Edhe diçka tjetër: mua më erdhi shumë pas qejfi produktiviteti moral dhe fizik i pisit, një pilulë e hidhur më shumë për puristat, por … tant pis.

    1. Këto etimologji janë gjithnjë fusha me mina. Më vijnë në mend edhe disa lidhje me piskamë nga njëra anë, me pizgë në tjetrën; meqë zogjtë i emërtojnë edhe sipas këngës ose zërit që lëshojnë – por nuk e kam idenë si mund të këndojë piska.

  4. Pas sqarimit qe i dhe Read Me, Xha Xha, e kam me te qarte metoden e qellimim e ketyre shenimeve. Ti me siguri ke nje liste tenden me fjale qe meritojne vemendje, por une po e shpreh nje deshire timen per fjalen ‘hatër’ . Patjeter qe s’me ngelet hatri nese s’me mban me hater.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin