Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Kulturë / Urbanistikë

GURËT E HISTORISË

Për më se dyzet vjet regjimi totalitar ndërtoi e sidomos shkatërroi shumë në Tiranë, për t’ia imponuar kryeqytetit shqiptar ideologjinë e vet edhe në arkitekturë e në urbanistikë. Megjithatë, Tiranën sot e kësaj dite gjithnjë këmbëngulim ta identifikojmë me kompleksin arkitektonik të qendrës së ministrive, Bulevardit të Madh dhe rektoratit-stadiumit (sheshit “Nënë Tereza”), të konceptuar dhe të realizuar sipas një estetike neoklasike me ngjyrime fashiste e gjithsesi joshqiptare.

Pas vitit 1990, kjo copëz Italie sjellë në Ballkan nga erërat e politikës imperiale madje nisi të konsiderohej si më autentike edhe se përmendoret e arkitekturës “socialiste”, të tipit të Pallatit të Kulturës, Muzeut Historik Kombëtar, Muzeut “Enver Hoxha” (Piramidës) dhe Pallatit të Kongreseve; pse këto të fundit i referoheshin, idealisht, diktaturës dhe e glorifikonin.

Gjatë gjysmë shekulli regjimi totalitar, Tirana pothuajse e dhjetëfishoi popullsinë e vet çka doemos do të kërkonte edhe rritjen hapësinore të qytetit sidomos me pallate banimi; por këto qindra e qindra blloqe ndërtesash popullore, tashmë të amortizuara, nuk kanë kurrfarë fizionomie as ngjyre e, ndoshta me përjashtim të “Shallvareve”, ngjajnë si dy pika uji me blloqe të ngjashme në qytete të tjera të Shqipërisë.

Natyrisht, më e shumta e qytetarëve të Tiranës nuk dinë, e as duan të dinë gjë për origjinën dhe estetikën jokombëtare të shenjave dalluese të qytetit të tyre: pa përjashtuar këtu edhe Kullën e Sahatit me xhaminë përbri, Bankën, Lidhjen e Shkrimtarëve e të tjera godina të spikatura. Veçanërisht ndërtimet e italianëve në Tiranë tanimë janë përvetësuar plotësisht nga vetëdija kryeqytetase. Me fjalë të tjera, kryeqytetasit priren ta rehabilitojnë çdo element të arkitekturës së Tiranës që i mbijetoi transformizmit totalitar, nëpërmjet një operacioni në thelb ngushëllimtar; sikur duan të thonë se qyteti i tyre, edhe hapësinorisht, në një farë mënyre i rezistoi diktaturës. Ironia e këtij rivlerësimi përndryshe legjitim është se arkitektura fashiste, në një farë mënyre, në kohën e vet njëlloj himnizonte autoritarizmin, duke ia dhënë një bazë sa estetike aq edhe urbanistike diktaturës musoliniane. Gjithsesi, kjo s’është veç një provë e mëtejshme – ndoshta e panevojshme – se historia e ndikon të sotmen jo drejtpërdrejt, por nëpërmjet miteve masive.

Përndryshe Tirana është qytet i ri, në krahasim me të tjerat qytete të një vendi si Shqipëria, ku gjurmët e qytetërimeve të lashta kurdoherë kanë qenë burim krenarie, në mos përligjje. Në Durrës e kaluara aq e lavdishme bashkëjeton me të sotmen modeste, në mënyrë të tillë që arkeologjia është tanimë pjesë e jetës së përditshme të qytetit; dhe nuk e kam fjalën vetëm për Amfiteatrin, as për kështjellën bizantine, por edhe për përmendore të tilla si Torra, sa intime, aq edhe më domethënëse për banorët e qytetit dhe jo vetëm.

Edhe këtu, gjeometritë ndonjëherë ekstravagante, e gjithsesi artificiale të ndërtimeve të periudhës 1944-1990, pa përmendur kitsch-in e mëvonshëm, nuk kanë arritur dot të kthehen në shenja dalluese të qytetit; në një kohë që mbijetojat e periudhave kur qyteti sundohej dhe ndonjëherë mishërohej prej Tjetrit ose të huajit (duke përfshirë edhe kështjellën bizantine vetë), lexohen sot si më autentike, më të mirëfillta, më durrsake.

Emblema_-_Bashkia_Tepelenë

Emblema e Bashkisë, Tepelenë, me kala osmane dhe luan heraldik mesjetar.

Të jetë fjala vetëm për një reaksion të tepruar ndaj vizionit totalitar, apo mos vallë kemi të bëjmë me një pasojë, sado të pakëndshme, të zanafillës në thelb rurale të kulturës sonë kombëtare? Nacionalizmi populist i viteve 70-80, i frymëzuar edhe nga politika autarkike e regjimit të Hoxhës, i shndërroi kështjellat në simbole absolute të shqiptarizmit në shekuj, në atë masë që qëndresa ndaj asimilimit u pa si tipar thelbësor i kodit gjenetik kombëtar; që këtej edhe figurativizimi i skajshëm i përmendoreve historike të tilla si kalatë që sundonin pejzazhet urbane në Berat, Shkodër, Gjirokastër, Lezhë, Krujë, Tepelenë, Elbasan e gjetiu; e që vijon me mënyra të tjera, më kitsch e më komerciale, edhe sot.

Gjithfarë fortifikimesh ushtarake, postkomandash të krahinave ose burgjesh perandorake ndërtuar e përdorur kryesisht nga administrata joshqiptare (bizantine, veneciane, osmane) – e që objektivisht duhen parë si mbijetoja periudhash kur Shqipëria, si truall dhe si vendbanim i shqiptarëve, ishte thjesht pjesë njësish politike gllabëruese – u ndërmjetuan shpejt e shpejt në mite historike-ideologjike për t’u përdorur pastaj si zhguaj narrativash manipulative ose në tempuj të fesë nacionaliste që kultivonte regjimi. Ky operacion kaq ideologjik e arriti kulmin me Muzeun e Krujës, ose ekuivalentin arkitektonik të një video-loje me vlera edukative.

Sot kulti i dhunës, i flamurit, i malit, i gjakut të derdhur, i të ngrënit të barit, i grykës së topit, i dhënies së jetës për këtë ose atë ideal, i ngujimit brenda mureve të fortesës, etj. duket sikur ka marrë të tatëpjetën në mos është margjinalizuar larg elitave; por përmendoret historike nuk zhduken dot aq shpejt sa narrativat autoritare, as e meritojnë të zhduken. Tek e fundit, historia është gjithnjë aq e përkulshme sa t’u ofrojë ideologëve zgjidhje të gatshme për çfarëdo manipulimi që i duhet bërë publikut, në përputhje me nevojat afatmesme të politikës.

Po ato kështjella bizantine, garnizone e hamame osmane, tempuj greko-romakë e fortesa veneciane që u përdorën dikur për të na bindur se shqiptarin nuk e kishte nxjerrë “lokja prej barkut”, por “huta prej çarkut”, sot mund t’i ofrohen fare bukur mitit të ri të integrimit rajonal dhe evropian, ose mohimit të mohimit të internacionalizmit proletar.

Megjithatë, kush ende kërkon kokëfortë shenja autentike të një qytetërimi autokton për t’ua kundërvënë gërmadhave të atij urbanizimi herë artificial e herë të nxituar, ndërmarrë prej “të tjerëve”, mundet ende të ngjitë një kodër krejt anonime e modeste pranë fshatit të Selcës së Poshtme në Mokër, jo dhe aq larg bregut të Liqenit të Pogradecit, për të vizituar varrezën ilire në një shpat shkëmbor; gdhendje, rrëmime e murime enigmatike, ndonjëherë përdhosur nga zhgarravitje ilirësh të sotëm kaq alfabetikë, e ndonjëherë tjetër përdorur nga barinj pragmatikë për të strehuar bagëtinë në dimër.

Qytetërim pa qytet, esencë e virgjër e pashfrytëzuar prej ideologjive e ndoshta e pashfrytëzueshme; ndoshta bash për këtë arsye nuk ka narrativë që ta zëvendësojë përvojën e të qenit in loco. Pa përmendur ironinë përmbyllëse, të këtij qytetërimi sa të lashtë aq edhe të mirëfilltë, që u përcillet kohëve të sotme nëpërmjet një varreze.

Shënim: një version i kësaj eseje është botuar në përmbledhjen Zhargonet e kombit.

Pa Komente

  1. ‘Gjithfarë fortifikimesh ushtarake, postkomandash të krahinave ose burgjesh perandorake ndërtuar e përdorur kryesisht nga administrata joshqiptare (bizantine, veneciane, osmane) – e që objektivisht duhen parë si mbijetoja periudhash kur Shqipëria, si truall dhe si vendbanim i shqiptarëve, ishte thjesht pjesë njësish politike gllabëruese – u ndërmjetuan shpejt e shpejt në mite historike-ideologjike për t’u përdorur pastaj si zhguaj narrativash manipulative ose në tempuj të fesë nacionaliste që kultivonte regjimi. Ky operacion kaq ideologjik e arriti kulmin me Muzeun e Krujës, ose ekuivalentin arkitektonik të një video-loje me vlera edukative.”

    Te besh nje pohim kaq pergjithsues , kaq rrumbullakoses, ku pertej bedenave te keshtjellave veneciane osmane , te mos shikosh asnje gjurme te ndertimeve me fizionomi autoktone, ne banesen e stilit qytetar dhe ate fshtar/malesor, do te thote te rindertosh nje narrative manipulative. Madje me tingellon cinike ta reduktosh trashegimnine autoktone ne ndertime me je varreze!
    Gjurmet e sistemeve, regjimeve, pushtimeve jane te dukshme ne arkitekturen e cdo vendi, pothuaj. Arkitektura neoklasike eshte e pranishme ngado, ne Europen qendrore dhe vendet nordike, ne ish kolonite , ne Usa e deri ne Australi. Eshte pak e veshtire te provosh nje arkiteture puro autoktone, te “pandotur” nga gjurmet e pushtimeve, civilizimeve, huazimeve dhe imitimeve. Sipas ketij koncepti purist, civilizimi romak, bie fjala, do te konsiderohej djerrine ne fushen e arkitektures kur mendon se pushtuesit romake u “pushtuan” nga kultura greke dhe ajo bizantine edhe ne fushen e ndertimtarise. Nga ana tjeter, arkitektura ne europen perendimore prej njemije vjetesh u influencua nga arkitektura romake.

    1. I nderuar, do të lutesha që, para se të ngutesh për të bërë kritikën e radhës, të më lexosh më me kujdes. Nuk kam qenë ndonjëherë purist – madje kundër purizmit kam shkruar një libër të tërë! Veç shoh një kontradiktë midis kërkimit të paepur për “rrënjë”, kaq karakteristik për kombëtarizmin tonë kitsch dhe natyrën e ardhur të shenjave dhe simboleve që i adhurojmë si historike; ose një kontradiktë midis çfarë ka qenë jona dhe çfarë është bërë jona, qoftë edhe rastësisht. Kritika jote e paqëlluar më bën të mendoj se ndoshta ky argument është i vështirë dhe kërkon pak më shumë reflektim nga lexuesi. Përndryshe, mbetem i mendimit se, njëlloj sikurse shumë prej simboleve që kërkon t’i bëjë të vetat (ndonjëherë duke u jargavitur pa nevojë), edhe vetë kombëtarizmi ynë, për nga trajtat, është dukuri e importuar.

  2. Xha Xhai, komenti im nuk ishte nje kritike, si qellim ne vetvete dhe aq me pak “e radhes”. Faktikisht une nuk eshte se prita radhen.Fushen e gjeta bosh dhe hodha “gurin” i pari, duke pasur bindjen se nuk mekatova. Shpreha nje mendim ndryshe nga sa jeni shprehur ju lidhur me raportin e arkitektures autoktone me ate te qe ka mbetur si gjurme e kulturave apo pushtimeve te huaja. Eshte e vertete se nje pjese e keshtjellave apo fortifikatave jane ngritur nga osmanet dhe venecianet.Disa mbi rrenojat e keshtjellave ilire dhe te princerve arberore.Sikurse dhe ato te ngritura nga osmanet, jane rindertuar dhe perdorur me pas nga feudalet vendas.E tille eshte kalaja e Tepelenes, bie llafi, meqe e keni sjelle si ilustrim te ngritjes ne rang simboli kombetarist te nje ngrehine osmane .Pra faktet deshmojne se nkeshtjellat apo fortifikimet, pvaresisht nga origjina e tyre, nuk jane thjesht mbijetoja e shenja te huaja ne nje truall si pjese e sitemeve politiko-uhstarake gllageruese. Njeherazi jane dhe gjurme te klases se princerve, feudaleve dhe sundimtareve vendas.
    A eshte qendresa kundrejt asimilimit, tipar thelbesor i kodit gjenetik kombetar? Fakt i pakundershtueshem eshte ekzistenca e kombit shqiptar sot, cfare do te thote se perkundrejt politikave shekullore asimiluese, konvertimeve, migrimeve ,ripopullimmeve etj, popullata shqipfolese mbijetoi dhe ja arriti te ngjizej si komb. Nese ne ate qe konsiderojme si identitet kombetar te shqiptareve ka gjurme, ndikime, shartime dhe shtresezime te kulturave , se sa kultura materiale dhe shpirterore eshte autoktone dhe sa e ndikuar prej gjurmeve dhe dinamikave te pushtimit dhe komunikimit me kulturat e tjera, kjo mbetet e diskutuesheme. Thene kete, nuk perjashtoj mpleksjen e historise me mitet romantike nacionaliste mbi Keshtjellen, keshtjellaret, qendrestaret dhe mpleksjen e imagjinares me ate cfare ka qene reale ne perceptimin e procesit historik dhe kombetar.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin