Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Gjuhësi

NË XHEP

Mes turqizmave të shqipes që kanë fituar një jetë të dytë në regjistrin bisedor, xhep i përket për nga origjina kategorisë së emrave konkretë – meqë i referohet një pjese specifike të veshjes (xhepi i palltos, xhepi i këmishës, xhepat e pantallonave).

Shqipja tekniko-shkencore moderne e ka përdorur këtë fjalë për një numër termash nga fusha të ndryshme: mjekësia, biologjia, gjeologjia, sociologjia, etj.; kryesisht duke kalkuar kuptime metaforike nga gjuhë të tjera.

Emri ka treguar një farë gjallërie edhe kur, në imitim gjuhësh të tjera, është përdorur në funksion përcaktor (si rrjedhore) për të shënuar versione të vogla ose miniaturë sendesh të ndryshme, si orë xhepi dhe libër xhepi.

Ndërkohë, më interes ka fati i xhep në frazeologjinë e shqipes bisedore.

Duke qenë xhepi vend i mbyllur dhe i mbrojtur sidomos nga vështrimi i Tjetrit, ku zakonisht mbajmë objekte me vlerë si orën (orë xhepi), portofolin ose paratë – si kartëmonedha dhe monedha – metaforizimi i parë i fjalës xhep na jep një kontenitor të parave personale, ose një farë portofoli abstrakt a kompartimenti të rezervuar. Kështu, e pagova nga xhepi do të thotë “e pagova me paratë e mia” (për diçka që kushedi duhej paguar me fonde të tjera); kruaj xhepat do të thotë “nuk kam dhe aq pará”, njëlloj si s’jam mirë nga xhepi; s’ma mban xhepi që ta blej diçka do të thotë “nuk kam aq pará sa ta blej, është përtej mundësive të mia financiare”; s’e fut dorën në xhep (dikush) do të thotë “nuk paguan, pret që të paguajnë të tjerët; ia ngroha xhepin dikujt do të thotë “e pagova mirë,” njëlloj si edhe ia kripa xhepin.

Dy elemente duhen dalluar këtu: xhepi si kontenitor parash, që është edhe metafora ndërmjetësuese e të gjitha shprehjeve më sipër; dhe pastaj xhepi si metaforë më abstrakte, për financën personale dhe mundësitë financiare aktuale të personit.

Metafora shtyhet pastaj edhe më tutje, në mënyrë që xhepi, nga vend i destinuar për të mbajtur paranë personale (ose private) të shndërrohet në hapësirë të kontrolluar, ose në skutën/strofkën vetjake a private të dikujt. Kështu, e kam në xhep dikë (diçka) do të thotë “e kam në dorë, e kontrolloj me siguri”; ndërsa ç’më hyn mua në xhep? përdoret me kuptimin “sa më intereson kjo mua, ç’përfitim kam unë”. I shton nga xhepi thuhet për dikë që i zbukuron historitë kur i përcjell, duke shtuar gjëra nga fantazia e vet; në një kohë që pritej thjesht t’i raportonte.

Xhepi ndodhet, në fakt, midis botës së jashtme dhe trupit; nuk është pjesë e vetes, por vetja e pronëson, duke e përdorur për të fshehur sende dhe duke e mbajtur pranë, në kontakt me lëkurën. Edhe duart i futim zakonisht në xhepa për t’i ngrohur ose për t’i mbajtur ngrohtë – çka e bën xhepin të funksionojë si veshje brenda veshjes, dyfish maskues dhe mbrojtës: në vetvete, dhe si pjesë e rrobës përkatëse. Pastaj xhepi e merr ngrohtësinë nga trupi, por – siç e tregon edhe shprehja ia ngroha xhepin – mund ta marrë edhe nga paraja; e cila ofron kështu një lloj komforti të ngjashëm me atë të mirëqenies fizike.

Kur xhepi përfaqëson një kontenitor ose arkë (1) të financës private dhe (2) të sferës së influencës ose të kontrollit, atëherë edhe foljet që zakonisht i shoqërohen janë hyj, dal, fut, nxjerr, mbush, zbraz (boshatis) (të cilat ndonjëherë janë në raporte kauzative mes tyre: hyj => fut dhe dal => nxjerr), së bashku me mbaj, kam, ruaj e ndonjë tjetër; të cilat shënjojnë veprimet që kryhen zakonisht me kontenitorin.

Fjalorët e turqishtes së sotme nuk i kanë këto kuptime abstrakte; pas gjase, as osmanishtja nuk do t’i ketë pasur, për shkak të historisë materiale të xhepit, si teknologji – nëse mund ta quaj kështu. Prandaj ka mundësi që xhep të jetë metaforizuar si kontenitor i financës vetjake dhe më pas edhe si hapësirë e kontrollit vetjak brenda shqipes ose gjithsesi brenda vernakularit ballkanik; aq më tepër që gjatë kontakteve të shqipes me turqishten osmane, paratë mbaheshin zakonisht në qese ose në brez (bankënota e parë osmane më rezulton të jetë emetuar në 16 nëntor 1863; më parë në hapësirën e perandorisë përdoreshin monedha argjendi dhe floriri: akçe, grosh dhe lira). Shqipja qese, edhe ajo huazim nga osmanishtja, i ka disa kuptime të ngjashme me ato të xhepit, si kontenitor i financës private: e zgjidhi qesen, i mban qesja etj.; khs. edhe kompozitën qesefëlliqur, “koprrac”.

Aq më tepër që, sa më mbrapa të shtyhemi në kohë, aq më i koklavitur do të bëhet dallimi mes xhepit dhe qeses; në Perëndim, për të sjellë një shembull krahasues, xhepi si pjesë e veshjes e ka origjinën në qeset që vareshin në brez, për të mbajtur stoli dhe monedha (në fakt edhe italishtja tasca/gjermanishtja Tasche, edhe anglishtja pocket/frëngjishtja poche, edhe spanjishtja bolsillo e kanë origjinën nga fjalë që shënjonin çanta ose qese); ndërsa në shqipe, me sa shoh te Dizdari, nuk më rezulton që fjala xhep të ketë shënjuar ndonjëherë qesen ose çantën (ose torbën ose hejben, të gjitha huazime nga turqishtja).

Antropologët mund të hulumtonin, në këtë fushë, se çfarë mbanin njerëzit në xhep, para se të fillonin të mbanin aty paratë: ushqim, fara për të përtypur, sheqerka, shami, krehër; por edhe kutinë e duhanit dhe cigarishten ose llullën, së bashku me shkrepëset ose eshkën dhe strallin; faqoren e rakisë; ndonjë dokument a dëftesë; çelësat e shtëpisë, në qytet; kushedi edhe ndonjë laps a thikë a biçak a bilbil, ose ndonjë mjet punë-doreje a send tualeti personal për gratë; më në fund, edhe ndonjë hajmali a gjësend tjetër që mbron nga syri i keq.

Mjaft të shohësh, sot e kësaj dite, çfarë mbajnë fëmijët në xhepa, sidomos çunat – meqë vajzat kanë edhe vende të tjera ku t’i futin sendet personale. Thuaji një fëmije t’i zbrazë xhepat, dhe do të marrësh vesh çfarë i pëlqen të bëjë, çfarë ëndërron dhe me çfarë e kalon kohën; përveçse edhe çfarë ka qenë duke bërë gjatë ditës ose edhe javën që shkoi. Kjo të kujton çfarë e kanë quajtur dikur psikometri, dhe që e ushtronte virtuozisht, mes të tjerësh, Sherlock Holmes-i, kur ish në gjendje të nisej nga ekzaminimi i një sendi personal, si një orë xhepi (The Sign of Four), një bastun (The Hound of the Baskervilles) ose një llullë (The Adventure of the Yellow Face), për t’ia deduktuar profilin psikologjik të zotit.

Në fakt xhepat na përfaqësojnë në atë hapësirë që nuk është krejt private, por as publike; dhe nëse më pas në jetë nevoja për elegancë dhe obsesione të tjera sociale na mësojnë të mos mbajmë gjë në xhep veç portofolit dhe çelësave të shtëpisë a të makinës, sërish këto objekte abstrakte – paratë, kartat e kreditit dhe faturat, ID-ja dhe vendbanimi fiks ose i lëvizshëm – na përfaqësojnë po aq sa kaçavidat, xhamat zmadhues, thërrimet e djathit, prefësja, kopaci, llastiqet me tel, dhëmbi i qumshtit, copa e spangos, susta e stilolapsit, goglat, zari prej qelqi, bateritë dhe kinkaleritë e tjera përfaqësonin dikur fëmijën brenda nesh. Mbase edhe për këtë arsye, xhepat e xhepistit janë më interesante se ato të viktimave të tij.

Përkundrazi, t’i futësh duart në xhepa për t’i mbajtur ngrohtë ose si shenjë shkujdesjeje, shpengimi ose cool-llëku do të ketë hyrë më vonë si zakon, dhe gjithsesi më lehtë për burrat sesa për gratë dhe për qytetarin sesa për fshatarët; së bashku me veshjet që e lejonin këtë madje që e kënaqnin këtë “nevojë” të re dhe rrugët ku mund të ecje lirisht pa rrezik se rrëzoheshe ose vendet publike ku mund të qëndroje me duar në xhepa – tek e fundit, duart i fut në xhepa kush mendon se nuk do t’i hyjnë në punë hë për hë.

Gjithnjë duke spekuluar, do të thoja se xhepi e ka filluar karrierën si kontenitor sendesh – ose në një grup me qeset, torbat, hejbet, trastat dhe çantat; dhe vetëm më tej do të jetë shndërruar në lloj porte gjysmë-intime drejt brendësisë së veshjes dhe më afër trupit; kjo kronologji do të jetë pasqyruar pastaj edhe në metaforizim.

Pa Komente

  1. “xhepat na përfaqësojnë në atë hapësirë që nuk është krejt private, por as publike” –

    xhepi tashme eshte shnderruar ne llogari bankare, ne prag te kembimit te cdo sendi qe ndodhet ne te.. dhe simbolizon idene e kapitalit, e dickaje qe ka vlere kembimi prandaj edhe ruhet. Prandaj inspektorati i deklarimit te pasurive nuk sheh xhepat por llogarite. Edhe pse duhet te shikonte xhepat se shume persona deklarojne se kane nen dysheqe dhe neper xhepa miliona euro. Ndersa dikush tjeter e mban xhepin ne ishujt virgjine, por nuk ka distance ta ndaje tjetrin nga xhepi i vete. Ky, sikur edhe hajduti i xhepave, eshte xhepist, profesionist.
    Por edhe kur kemi inat themi “nje ne xhep” , per tu hakmarre me vone (edhe pse e derdhim me vone ne kusi, per te matur sa shkon mbushja, se helbete nuk mund te shpenzojme shume energji per pak inat) ..

    interesante do te ishte se sa mund te formulohej nje lloj mendimi ekonomik shqiptar pikerisht nga perdorimi i fjaleve te tilla si “xhep”.. sa ndikon kjo mendesi ne privatizimin e te ardhurave publike (e futi ne xhep tenderin/licencen, personin nen influence), ne kategorizimin e konsumatoreve (xhepshpuar, xhepa te thelle)

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin