Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Komunikim

TY TË PUTH E TË DUA… FORT

Të puth ty – i shkruante im shoq (që e flet shqipen si i huaj) në fb një mikeshës sime para ca kohësh. Unë dhe mikja ime u gajasëm, pastaj nisëm t’ia shpjegonim duke bërë të gjithë edhe pak shaka, se duhet të ishte më i kujdesshëm me kundrinorët e drejtë e të zhdrejtë, me trajta të shkurtra e me të plota, të bashkuara e të thjeshta, se trajtat janë tërë aludime me spec e të bëjnë gjëmën kur s’e ke mendjen, pa pastaj të bëjnë edhe gaz të botës.

Ai e njeh mirë mungesën e subjektit në shqip, sido që gjuha e vet e do gjithnjë të pranishëm, (ndaj edhe nuk thotë Unë të puth), por shqetësohet se përse dreqin të mos jetë ty pas të puth? Pastaj, për të thënë që e mori vesh, na tha: “Atëherë mund të shkruaj vetëm të puth, apo jo?” Ah, jo, i thamë ne, s’je aq afër. Mund të thuash të përqafoj por jo të puth. Si mashkull, duhet të jesh vëllai, një shok shumë i vjetër e i afërt fëmijërie, i dashuri ose burri i saj që t’i thuash vetëm të puth. Pjesa e futjes së vëllait në varg krijoi edhe më shumë të qeshura, si edhe disa nga ato që në USA quhen Kentucky jokes. Por pastaj unë shtova se edhe babai mund të thotë të puth, por kjo varej sidomos nga sa patriarkal, nursëz, i hapur apo liberal ishte babai.

Këtu biseda u pëlqeu edhe vajzave të mia që gjithashtu pyesin sa herë që duhet t’i drejtohen dikujt në shqip, sidomos me shkrim dhe sidomos në hapje e mbyllje letrash. Atyre aplikimi i studimeve gjinore në rastin e shqipes dhe Shqipërisë u duket gjithnjë mahnitës. “Ta mbyll me të puth, të përqafoj apo përqafime, apo më mirë asgjë, e të ve vetëm emrin tim në fund?” “Po një vajzë a mund t’i thotë të puth një vajze tjetër?”, thotë ime bijë, tjetra. Po: teorikisht është gjithnjë e mundur pavarësisht nëse është lidhje gjaku apo miqësie, por këtu duhet pasur kujdes sa afër je me gruan tjetër. Nuk mund t’i thuash të puth një gruaje me të cilën nuk ke marrëdhënie konfidenciale; asaj i thua Të fala, Gjithë të mirat, Qofsh mirë, Kalofshi bukur, Mbetemi në kontakt, Shkruhemi rishtaz, etj. Që t’i thuash një gruaje Të puth, duhet ta kesh shoqe a njeri të afërt. Mund t’i thuash edhe Të puth fort, ose edhe ~fort-fort. Kjo e fundit tregon se ke më shumë mall e dashuri, por jo se e ke më të afërt.

“Po të puth shumë, a mund t’i them?” thotë e vogla ime. Jo, i përgjigjem. Kjo nuk tingëllon edhe aq shqip. Nëse e ke pak më larg, le të themi shoqe jo të ngushtë, mund t’i thuash Puthje, dhe nëse e ke edhe pak më larg se aq (sido që ende mjaft afër), mund t’i thuash Përqafime. Ndërsa ajo lloj shoqeje që rri për nga afërsia me ty, midis asaj që i thua Puthje dhe asaj që i thua Përqafime, mund të fitojë një tjetër gradim leksikor: atë që sjell folja të përqafoj. “Të përqafoj, a ia themi dot një shoku?”- më pyet vajza tjetër. Po. Të përqafoj shkon mirë për një shok të afërt të cilit do t’i konfirmosh afërsinë dhe dëshirën që ta shohësh gjithnjë mirë. Normalisht njerëzit e kujdesshëm në këtë marrëdhënie parapëlqejnë emrin në vend të foljes, pra përqafime (që përdoret në shumës, dhe kurrë në njëjës) në vend të Të përqafoj. Kjo sepse kështu janë të sigurtë që nuk të japin ndonjë ide të gabuar lidhur me çfarë ndiejnë për ty. Personalisht, kur më merr malli për një shok ose mendoj se nuk ndihet mirë dhe ka nevojë për ngrohtësi, i them Të përqafoj, madje edhe Të përqafoj fort.  Edhe këtu (i kthehem tim shoqi), s’thua dot Të përqafoj TY. Ty-ja duhet lënë prapë jashtë shprehjes.

Por gocat e mia janë mësuar ta mbyllin mesazhin me “I love you”, tipike për kulturën e këtushme.  A mund ta thonë ato këtë në shqip, dhe si mund ta thonë? Im shoq do thoshte prapë Të dua ty, duke krijuar një ngatërresë të re më të thellë sesa ajo me Të puth ty. Shqipja ka nisur t’i zhvillojë mbyllëse të tilla afektive vitet e fundit sidomos ndër shkrues të rinj ose edhe të vjetër më të hapur ndaj komunikimit liberal e afektiv. Këtu unë u shpjegoj time bijave se mund t’i mbyllin mesazhet me Të dua fort/shumë për të gjithë njerëzit e afërt të familjes ose edhe mikesha të afërta. Me miqtë Të dua fort përdoret me kursim në shqip, ndaj, po u përdor normalisht, mund ta bëjë marrësin mashkull të reagojë si për një mesazh të markuar emocionalisht.  Por sidomos nuk mund të përdoret vetëm Të dua nëse marrësi nuk është në funksionin e dashnorit ose të njeriut të cilit sapo i ke rrëfyer se ke rënë në dashuri me të. Shtimi i fjalëve fort ose shumë e asnjëanëson shprehjen nga efekti i fundit. Në një marrëdhënie edhe më joformale dhe ledhatare mund të thuhet edhe të kam xhan/shpirt që sot po përhapet shumë ndër të rinj edhe në komunikim ndër-gjinor, edhe kur palët nuk kihen xhan veçanërisht. Edhe shoqe të çfarëdo moshe mund t’ia thonë këtë njëra-tjetrës duke nënkuptuar afërsi të veçantë dhe shpesh edhe binjakëri shpirtërore e mendore pa qenë fort afër. Kuptohet që ka edhe variante të shprehjeve të mësipërme, disi eksperimentale që njerëzit i lidhin me veçantinë e prodhuesit gjuhësor ose edhe të marrëdhënies, si psh xhan-xhan, shumë xhan, përqaf, mblluq, puç, qafoj, etj. Këto të gjitha duke mos pasur qytetari të plotë, përdoren veç në marrëdhënie thellësisht konfidenciale me një ton humori e të qeni në qejf.

Pa dyshim përshëndetjet kohore si Ditën e mirë, Natën e mirë etj, unë i përdor dhe i rekomandoj gjithnjë si shprehje mjaft neutrale. Disi më të ngrohta janë Ditë të mbarë/të bukur, Qofsh mirë, Të ectë mbarë. Ndër shprehjet neutrale sot unë do fusja edhe mbyllësen e hyrë nga italiashtja Ciao. Të rinjtë e përdorin shumë sot edhe në shkrim. Është bisedore, por e shkurtër, miqësore dhe e ngrohtë. Ndoshta do kish qenë më e përshtatshme shprehja Tung hyrë nga Kosova, që për një farë kohe u duk se fitoi aq terren, sa do mbetej në shqipen e përbashkët. Sot duket se kjo mundësi është larguar. Mendoj se problemi me Tung qe se krijonte përshtypjen e një përgjigjeje nga ato prej njerëzve që ta presin shkurt, me një nën-mesazh negativ të përafërt me “kot ta zgjasim më këtë muhabet”; “kot t’i biem qark” etj. Tung linte përshtypjen e një marrëdhënieje të pakënaqur, përdoruesi shpesh dilte arrogant ose dominues, edhe pa qenë i tillë. Për ata që kanë qejf ‘emoticons’, këto janë zbutëse perfekte të një mbylljeje së cilës i mungon diçka: psh Tung me një ‘emoticon’ që të mbyll syrin, është krejt ndryshe dhe e butë. Mendoja se ‘emoticons’ nuk do shtriheshin dot në marrëdhënie zyrtare, por sot i gjen edhe në regjistra të larta komunikimi, mjafton të mos jetë këmbimi i parë mes dy të panjohurish.

Dhe pasi i kam thënë të gjitha këto, ca për të ndihmuar tim shoq e time bija dhe ca jo, me bindjen se vështrimi im bart edhe subjektivitetin tim në qëndrimin ndaj mbyllësve, ende më ka ngelur brenda vetes një vuajtje që do shprehur. Sa më të varfër sesa gratë e kanë burrat inventarin e mbyllëseve të komunikimit afektiv (vezzeggiativo it.; endearing angl.)?! E kanë disi më të kufizuar në raport me gratë, por sidomos e kanë shumë më të kufizuar në raport me njëri-tjetrin. Pafjalësia burrërore kur është rasti të shprehen ndjenjat lidhëse që shprehin ngrohtësi, edhe mua vetë më lë pa fjalë! Thua burrat të mos kenë qejf të luajnë me fjalën, me gratë ose më njëri-tjetrin? Jo, nuk besoj ëshë kjo arsyeja. Besoj se e kapërdijnë më me stoicizëm bosh sesa gratë robërinë e fjalës dhe kulturës së ngurtë. Motoja (e pathënë edhe kjo) “mos e shpreh dashurinë me fjalë”, ua than gojën e ua varfëron jetën! Gjynah!

Sot shkrova për mbylljet. Hapjet i kam trajtuar në një shkrim të 2012-ës ku përqëndrohem tek hapëset dhe fjala Përshëndetje. Aty cik edhe vështirësinë e shqiptarëve (hijerëndë) me shprehjet hapëse/hyrëse afektive në komunikimin me shkrim, si me atë e/i dashur si dhe me formulat e thjeshta, praktike dhe që përcjellin marrëdhënie egalitare si mirëmbrëma, mirëdita etj. Besoj se jeta ndryshon dhe kam përshtypjen (pa referenca kërkimesh sasiore teksti) se sot hasen më kollaj se në 2012-ën, hapjet me e/i dashur. Ndoshta këto, të prura, jo nga të shkruarit standard në anglisht, por nga ligjërimi bisedor me ndikim direkt nga italishtja (cara/caro) ku ato janë mjaft të përdorshme sot. Edhe loja e pushtetit dhe ndërvendosjeve hierarkike me fjalën përshëndetje është disi e neutralizuar sot, ndoshta nga stërpërdorimi i fjalës këto vjet (këtë, në fakt, e kisha parashtruar në shkrimin e 2012-ës si një zhvillim të mundshëm). Tani është më shumë një shprehje burokratike, s’është më e markuar si qe para dy vjetësh, dhe s’thotë edhe aq shumë që përdoruesi po vdes t’i takojë një grupi apo klase me të ardhme, sido që ende ruan nuanca të tilla për grupe dhe kushte të caktuara përdorimi.

Hapjet dhe mbylljet e një komunikimi janë themelore, sidomos në një komunikim ndërpersonal ku polet e komunikimit nuk janë anonimë dhe as kolektivë. Unë besoj fort se ne duhet t’u japim më shumë rëndësi analizave, përshkrimeve dhe këshillimeve lidhur me përdorimin e formulave hapëse e mbyllëse në tekste të shkruara, sepse na mungojnë modelet dhe kjo krijon probleme e keqësim komunikimi. Ato janë padyshim pjesë e zhvillimit të aftësive shprehëse të shqipes. Janë edhe tregues të kohezionit tonë si shoqëri, sidomos në komunikimin e shkruar të të gjitha shkallëzimeve lidhjesore ndërpersonale. Në rrafshe të caktuara jo-zyrtare, zhvillimi i mjeteve të tilla shkon përkrah, madje mund edhe të prijë, thyerjen e marrëdhënieve të ngurta e konservativo-patriarkale ndërpersonale.

Pa Komente

  1. E dashur presje,
    Ne po na zjen koka me futbollin këtu, kurse ti ke nge e merresh me gjëra kaq të holla. Bravo të qoftë ty: shtatë të bje sahati!
    Gjithsesi, i pëlqeva shumë ato që shkruan…
    Përshëndetje,
    P.S. Ose, për t’u treguar më i afërt (me trajta të shkurtra): ma përqafo tët shoq dhe puthmi gocat!

  2. Presja, të falenderoj për këtë shkrim të rrjedhshëm e stil bisedor (nëse kjo s’është fjala e duhur për “conversational”). Këto punët e hapje-mbylljeve janë delikate. Para disa ditësh i shkruaja një mikut tim të ri (madje uroj të më konsideroj mik) duke përfunduar me “të përshëndes”. Më la pa gjumë kjo mbyllje, s’dija në kish qenë e ftohtë a e ngrohtë për stadin e njohjes sonë.

    Edhe diçka tjetër, në lidhje me hapjet. I hodha një sy letrave të shkruajtura me dorë (ah, bukuria e një letre të dorëshkruar, sikur të ushqen me gërma) që më janë mbledhur nga 1994-1998, dhe të gjitha fillonin me “I/e dashur”. Ndër to edhe ca me “shumë i/e dashur”.

    1. militschi: falemnderit. Ka nje sasi te madhe shqiptaresh qe kane problem te shkruajne e/idashur pa e njohur tjetrin mire, te themi ne komunikimin ne email. Une ne shkrimin e vjeter i referohesha kesaj kategorie dhe jo leterkembimit familjar. Sic them, gjendja ka ndryshuar ne kohet e fundit, por ende mbetet nje lloj tutjeje ndaj shprehjes. Edhe une jam dakord me ty per letrat e shkruara me dore. Ende shkruaj kartolina dhe letra me shkrim dore, sido qe e kam shkrimin e dores “beterr”.:)

      1. Kam pershtypjen se duhet shkruar ka nje numer te madh shqiptaresh, dhe jo nje sasi te madhe shqiptaresh…

        1. kerkoje mekatin atje ku hyn ne pune per gjesend, Dule, te lutem! Sido qofte, “sasi” perdoret si per individe dhe arra, ashtu edhe per kripe dhe kos.

          1. Sasi e madhe njerezish? Me verte? Pastaj nuk ishte per te kerkuar mekat, thjesht nje sugjerim miqsor….po ju si te doni, this is a free country.

  3. une i kam shume bezdi kesi gjerash, stili burokrat i te pershendeturit me ka nxjerre nga sikleti (i/e nderuar, nderime e respekte) . Por sa per puthjen, rinia sot ne Tirane puthen e flasin me “zemra-shpirti-jetke” etj. me te njohur e te panjohur. Facebook-u e ka percudnuar teresisht komunikimin, sa njeriu nuk ndalet ti veshe fjalet me emocionin e sinqerte qe ndjen ne cast, por ja keput per zakon e emotikon – e ndegjojme se andej nga laci vritet ndonje 16 vjecar per ca fjale me teper, e tjetra cuditet se ne inbox gjen ftesa te pahijshme. Problemi eshte se ky llloj komunikim i guximshem (i paturpshem etj. atribute me te sakta mund te rreshtoje ndonje linguist) ka dale ne rruge, per mire (kepusim litaret e turpit) apo per keq (mos te dallojme kontekstet e ndryshme sociale).

    1. Pa dyshim qe konteksti eshte percaktues, Arsimtar. Por brenda kontekstit, stilit e regjistrit te caktuar te gjithe shprehim, ngurtesi, liri dhe subjektivitete te ndryshme. Une merrem pikerisht me kete cope te ceshtjes. Shprehjet afektive nuk jane detyrimisht te turpshme, madje do thoja qe jane kryesisht permiresuese te komunikimit. Vulgariteti dhe afeksioni per mua jane pa lidhje.

  4. Shkrim interesant ku ,përmes analizës kuptimore të formulave gjuhësore përmbyllëse, analizohet dinamika e komunikimeve dhe sociologjia e raporteve ndërpersonale. Eshtë e vërtetë,në kohën tonë, komunikimet ndërpersonale, sidomos ato virtuale, përmes rrugëve elektronike ( facebook, skype, messenger, e-mail etj.) është e vërtetë, janë bërë “më liberale e më afektive” dhe pikërisht në këtë truall , mund të krijohen keqkuptime dhe karambole mes marrësit dhe dhënësit të mesazhit.
    Shpesh kam përsiatur me veten time përdorimin inflacionist të shprehjes “love you”, si formulë universale, tradicionale e shprehjes, transmentimit dhe celebrimit të dashurinë seksuale/erotike në çiftet heteroseksuale (aktualisht edhe në ato homoseksuale). Por kjo formulë përdoret rëndom, si një klishe, edhe në raportet afektive, për transmentimin e dashurisë joerotike, mirënjohjes apo përkushtimit mes prindërve dhe fëmijëve, mes mikeshave (në fb ) dhe rrallë, për të mos thënë aspak, në raportet mes dy meshkujve miq apo shokë të ngushtë. Si në anglisht, ashtu edhe në shqip, vajza i thotë mamit “love you/të dua shumë , motra i thotë motrës apo shoqes së ngushtë “love you” dhe, në këto raste, konteksti dhe vetëdija për raportin ndërpersonal , nuk le shteg për asnjë keqkuptime apo nuancë turbulluese.
    Sot për sot nuk ka një formulë gjuhësore e cila të përdoret ekskluzivisht dhe vetëm si shprehje e dashurisë seksuale. Nganjëherë, varësisht dhe nga gjëndja emocionale dhe konteksti, formula “love you” si përmbyllje në mesazhin drejtuar të dashurit/dashurës, duket kaq e ftohtë, kaq formale dhe pa asnjë ngarkesë emocionale. Duke qënë kaq universale si formulë, kaq e përdorur dhe e keqpërdorur , kaq e konsumuar edhe në raporte nderpersonale miqësore e familjare, pas fazës së dekretimit të dashurisë bash me këtë formulë (love you/ të dua) zakonisht partnerët përzgjedhin formula më të individualizuara përmbyllëse në një komunikim si “t kam zemër”, “t kam jetë” “t puç fort lepurushe” “t kam shumëëëëë xhan ” “love you jeta ime” etj.
    Eshtë e qartë se formulat përmbyllëse të komunikimit në regjistrat bisedorë, varjojnë në varësi të raportit ndërpersonal (të afërm, miq, kolegë, të dashur, të njohur ) konfidencës ,kontekstit dhe profilit (hokatar, ledhatues, i ftohtë, afektiv) të shkruesit të mesazhit.
    Eshtë interesant sesi dinamika e një raporti-njohje-afeksion-rënie në dashuri, reflektohet në regjistrin bisedor dhe formulat mbyllëse:
    -Në fazën e parë njohëse, mbyllja është formale “klm” “ditën e mirë” “natën e mirë” “ciao” “bye”
    -Në fazën e dytë, kur komunikimi dëndësohet dhe afeksioni shpërfaqet,nisin aludimet, nëntekstet, dykuptimësitë, biseda mbyllet me shprehje më ledhatare “paçim” “t përqafoj” “gjum t ëmël” dhe , një hap më tej: “t kam xhan” shoqëruar me atë emotikonin e përndezur nga emocioni.
    -Në fazën kur dashuria shpallet, pranohet, dekretohet me universalen “love you” -mbyllja mer nuanca intime “t puth zemër” “të dua shumëëë” t puth fort “shpirti im” etj. etj.

    1. “Sot për sot nuk ka një formulë gjuhësore e cila të përdoret ekskluzivisht dhe vetëm si shprehje e dashurisë seksuale. ”

      E para, I love you s’ka qene kurre ekskluzivisht erotike.

      Si s’ka shprehje me te ngushta erotike? Ne anglisht: “I desire/ covet/ adore you”, “I long/pant for you”.
      Ne shqip: “Te deshiroj/adhuroj”, “Te dua me gjithe shpirt”, “Mbarova/ u dogja per ty”, “je me e shtrenjta per mua, gjeja me e bukur qe kam”, etj.
      S’po vazhdoj me se do tingelloj si Florentino Ariza.
      S’ekziston epoke qe te mos kete nxjerre arsenalin e vet te metaforave dhe shprehjeve te vdekura, por kjo e nxit imagjinaten poetike per te rinuar gjuhen.

      1. Nuk them gjekundi ketu qe “I love you” perdoret per dashuri erotike. Po fjalia e cituar eshte nga shkrimi i 2012? Me thuaj dicka qe te di si te ta ndjek mendimin.

      2. “E para, I love you s’ka qene kurre ekskluzivisht erotike.”
        Po pikërisht këtë po thoja, që “i love you” nuk përdoret si formulë ekskluzive vetëm për shprehjen e dashurisë erotike. Se ka dashuri joerotike për mamin, babin, motrën, shoqen, zjushën etj. Dhe për të gjitha këto dashuri apo pëlqime , rëndom përdorim shprehjen “love you” në situata të caktuara. Dashuria erotike është një ndjenjë speciale dhe emocioni jashtëzakonshëm që ajo mbart, duket i varfëruar kur artikulohet me një shprehje që përdoret dhe për qenin, bie fjala.
        Kurse shprehjet e tjera që ke përmendur, sikurse e thua, janë arsenal i metaforave të personalizuara për rikonfirmimin e dashurisë, kur ajo ka ndodhur tashmë. Po flisja për një shprehje ekskluzive që e “dekreton”, shpall dhe deklaron atë solemnisht para personit tjetër.

        1. E kuptova qe e lidhe kete jo-ekskluzivitetin me inflacionin e “I love you” si pasoje e mediave te reja. Por ka shprehje te qarta erotike qe deklarojne dhe dekretojne; “I am in love with you”, “I have fallen for you” dhe nje paralele disi e asaj “te dua moj qene”: “I have the hots for you”. Ne shqip “te dashuroj” rezervohet dhe vulos deshire erotike. Vete e kam thene kete fjale kur kam dashur te kuptohem qe s’e kam per sport (e rralle, por ka ndodhur).

  5. ah, me fal bonodushku! Mendova se me drejtoheshe mua, por shoh qe po i pergjigjesh Shpendit.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin