Një nga problemet madhore që kanë sot emigrantët shqiptarë është njohja e bashkimi i kontributeve për pensionin. Nuk mund të mohohet se çështja është mjaft e ndërlikuar dhe ndërthuret me një sërë problemesh të tjera, që ndryshojnë shpesh nga vendi në vend.
Le të marrim një shembull për ta shpjeguar më mirë problemin e pensionit të emigrantëve. Ta zëmë se Agroni, 35 vjeçar nga Durrësi, u nis për në Itali andej nga vitet nëntëdhjetë, pasi kishte punuar në Shqipëri për rreth 13 vjet. Aktualisht Agronit i rezultojnë pak a shumë po aq vite pune në Itali.
Megjithëse është ende i ri, sot Agronit i duhet të mendohet pak për pensionin. Në periudhë krize madje duhet të shqetësohet. Përse? Sepse sipas ligjit shqiptar për sigurimet shoqërore, për të marrë pension të reduktuar ose të plotë (varet nga mosha) duhen plotësuar jo më pak se 35 vjet sigurim. Agroni nuk mund të kërkojë as pensionin e pjesshëm që kërkon 15 vite sigurim shoqëror.
Situata nuk paraqitet e mirë as në Itali, ku lipset vjetërsi kontributive prej 20 vitesh për të marrë pensionin minimal. Kjo do të thotë se duhet të rezultojnë zyrtarisht kontributet e derdhura pranë institutit italian të sigurimeve shoqërore. Agroni, për fat të keq, nuk e përmbush kriterin e viteve që duhen me kontribute. Edhe pse ka ende kohë për ta mbushur moshën e pensionit, me përhapjen e punës së zezë, emigranti shqiptar rrezikon të mos i mbushë kriteret në asnjë nga anët e detit Adriatik. E po flasim për pensionin minimal, që siç dihet, ndoshta nuk do të mjaftojë as për ta mbajtur frymën gjallë *.
Si Agroni ka shumë vetë në mërgim. Kanë vite pune në Shqipëri, por që nuk kanë asnjë farë vlere për pensionin e ardhshëm, ose kanë vite që nuk shërbejnë për marrjen e pensionit të plotë (35 vjet kontribute minimumi). Shembuj mund të sillen plot e nga më të ndryshmit. Ndokush mund të ketë bërë njëzetë e ca vite punë në Shqipëri dhe vite të tjera jashtë shtetit, madje të jetë pranë moshës për pension dhe të mos ketë të drejtën e tij. Në këtë rast, gati gati Agroni na duket me fat, sepse ka ende kohë që t’i rrumbullakosë vitet.
Megjithatë, reforma e fundit e pensioneve në Itali i ka ndërlikuar keq punët, sepse duke filluar nga viti 2012, vjetërsia kontributive llogaritet sipas sistemit kontributiv, që do të thotë sipas kontributeve të derdhura realisht gjatë jetës e jo siç ishte më parë (sistemi retributiv) që bazohej mbi rrogën mesatare të viteve të fundit të punës. Aktualisht, për të marrë një pension normal në Itali kërkohen mbi 40 vjet pune.
Ngaqë emigracioni shqiptar është i përhapur kudo në botë, ky problem duhet parë detyrimisht brenda kuadrove ligjore përkatëse. Në fakt, sistemet e pensioneve në vende si Greqia, Gjermania, Belgjika, Anglia, etj. kanë diferenca mes tyre, pavarësisht se ka një farë tendence homologimi për efekt të kuadrit europian. A nuk komplikohet situata po të kemi parasysh vende që janë jashtë Europës si SHBA-të, Kanadaja, etj. ku nuk mungojnë emigrantët shqiptarë?
Natyrisht, nuk janë pa ndikim edhe kushtet e ekonomisë së vendeve pritëse, sikundër numri i shqiptarëve që jetojnë atje. Përpjekjet shtetërore shqiptare kanë filluar vërtet, por kanë vështirësi objektive për të arritur objektivin e njohjes së bashkimit të periudhave. Agroni ynë, që për ligjet e pensionit nuk është as mish as peshk, do të ishte vërtet i lumtur sikur t’ia njihnin vitet e kontributeve në Shqipëri, plus vitet e kontributeve në Itali, pavarësisht koeficienteve të llogaritjes dhe rezultatit përfundimtar.
Që problemi është i mprehtë na e vërtetojnë, midis të tjerash, të dhënat statistikore, të cilat tregojnë se numri i shqiptarëve në emigracion është i lartë, madje në rritje. Nga ana tjetër, nuk duhet të harrojmë se arsyeja për punë është mbizotëruese tek emigrantët shqiptarë, ndërkohë që po rriten kategoritë e qëndrimit afatgjatë. Emigracioni shqiptar është i ri, por vitet kalojnë edhe për të.
____________________________
* Për hollësi të tjera mund të lexoni materialet e përgatitura nga Naim Balluku, zëvendëspresident i patronatit INAS Albania, që mund t’i gjeni këtu e këtu.