Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji

ZHVESHJE

Në shoqëritë patriarkale, turpi i femrës ka shërbyer dhe vazhdon të shërbejë si mekanizëm rregullues i sjelljes së saj në publik, madje edhe i riprodhimit të rolit të saj si femër, përballë autoritetit mashkullor.

Duke qenë turpi një reagim emocional ndaj edhe vetëm mundësisë për transgresion, mund ta mendojmë edhe si formë të auto-censurës që vepron me rrugë jo-racionale – edhe vetë shqipja na vjen në ndihmë këtu, meqë folja përkatëse, kam turp, i përket të njëjtit model me kam frikë, kam gjumë, kam inat të cilat shënjojnë përjetime pasive të subjektit.

Sërish, falë një koincidence fatlume, turp dhe trup në shqipe paraqiten si anagrama reciproke – ku vetëm dy fonema ndërrojnë vendet; si për të treguar sa i rrënjosur është turpi në imazhin që kemi për trupin; duke filluar nga mbulimi i disa zonave delikate, seksualisht të ngarkuara. Veshja ia fsheh trupin femëror vështrimit (gaze) të burrit, që është edhe vështrimi i vetë gjuhës; dhe shndërrohet ashtu në manifestimin material të turpit.

Që këtej edhe semiotika e zhveshjes së femrës, e cila vjen si thikë me dy tehe: nga një anë si strip-tease, nga ana tjetër si paturpësi. Zhveshja në skenë e një aktoreje (performueseje), në një bar për “të rritur” ose një film porno, ose një revistë burrash si Playboy është aq e ritualizuar, sa e konfirmon rendin patriarkal, meqë bëhet në zona të caktuara, të lejuara; dhe nga gra të caktuara, të lejuara – të cilat i shkelin rregullat e turpit simbolikisht, në mënyrë që këto të vazhdojnë të funksionojnë normalisht në zona të tjera.

Nga ana tjetër, paturpësia e një grupi si Pussy Riot, ku kemi vajza që zhvishen jo për t’u sjellë kënaqësi burrave, por për të përcjellë një mesazh proteste – politik ose sociologjik sipas rastit, i cili kalëron në kalin e forcës instrinseke që ka pamja e trupit lakuriq të femrës.

Ky lloj i dytë zhveshjeje, që mund të jetë edhe po aq ritual sa edhe strip-tease-i i klubit të natës, shpesh nuk i shmanget forcës primordiale të lakuriqësisë, dhe përfundon edhe ai në gjunjë, para vështrimit (gaze) të mashkullit sundimtar, aq më tepër edhe ngaqë pikërisht atij i drejtohet.

Prandaj rrallëkush guxon ta lexojë pornografinë komerciale si një lloj proteste sociale; dhe strip-tease-in klasik si një lloj revolte ndaj rendit ekzistues politik dhe etik; në një kohë që interpretimi i kundërt duket më i arsyeshëm.

Rrallëkush, të paktën derisa faqja online shqiptarja.com, në rubrikën e saj trashy thash & them, nuk e kish nxjerrë një foto sugjestive të një Era Istrefi, të shoqëruar me komentin se ajo “është vajza më e zhveshur nga komplekset që ka pushtuar tregun muzikor të kohëve të fundit…”.

e zhveshur nga komplekset - Shqiptarja

Foton e kishin titulluar “Era Istrefi e mbulon ‘zogun’ me dorë…”

Një gosti për kë dëshiron të ndjekë asociacionet e fjalëve (kushedi edhe për syrin, e atyre që duan t’i shijojnë këto pamje nga rubrikat e mediave shqip online).

Duke filluar nga zhveshja – që mund të jetë edhe akt erotik ngashënjyes, me të cilin tjetri ta ofron trupin e vet së paku për syrin; por edhe akt proteste, ku refuzimi i turpit (i modestisë) simbolizon refuzimin e rendit ekzistues të pushtetit politik dhe social.

Mirëpo, Era Istrefi, në diciturën e fotos, na përshkruhet si e zhveshur nga komplekset – çka papritur sugjeron jo vetëm lidhje midis veshjes dhe komplekseve; por edhe midis rregullave të sjelljes në publik dhe komplekseve.

Dicitura vjen e bëhet thellësisht freudiane, megjithë banalitetin e përdorimit të fjalës komplekse, në një kontekst thashethemesh.

Fjala përdoret, në fakt, si eufemizëm modern për turpin; ose metamorfoza, pop-freudiane, e një ndjesie që nuk na pëlqen e që duket sikur na kontrollon kundër vullnetit tonë; të kesh komplekse do të thotë të dyshosh për impulset e tua; dhe t’i frenosh ato.

Që këtej, edhe paturpësia (shfrenimi) – të cilën mediat amerikane nuk ia kursyen as një akti krejt performativ, si ai i mirënjohuri i Miley Cyrus – vjen dhe paraqitet me konotacion pozitiv, si zhveshje nga komplekset, ose si rezultat përpjekjesh titanike, këtë herë të një këngëtareje, për të mposhtur turpin ose, më gjerë akoma, normat elementare të paraqitjes në publik.

Ironikisht, me gjithë zhveshjen nga komplekset, Era Istrefi në foto del jo vetëm e veshur, por edhe me ‘zogun’ të mbuluar me dorë; pa çka se dora që mbulon është edhe vegla auto-erotike që sa i fton, aq edhe i shtyn tutje meshkujt; si për t’u thënë turrsave (emri popullor i voyeur-it) se auto-erotizmi ia ka zënë vendin tashmë veshjes dhe se ajo gjëja e lakmuar, zogu që nuk është, mbetet sërish off-limits; si në çdo pamje soft porn, e cila forcën e ka te sugjerimi, jo realizimi.

Mirëpo transgresioni i Istrefit është jo vetëm simbolik, ose i inskenuar; por edhe citacional – meqë imazhi i përcjellë prej saj i referohet sa mijëra e mijëra femrave të tjera skenike që kanë simuluar lojën auto-erotike në sytë e konsumatorit seksual, aq edhe një historie paksa të vjetër, të një këngëtareje tjetër (Tuna), e cila i bëri mediat të flisnin për ‘zogun’ e saj.

Këto gjeste kanë tregun e tyre që e krijojnë dhe e mbajnë gjallë; çfarë po më duket zbavitëse, është rileximi i tyre, prej zërit autoritativ të gazetës, si zhveshje; a thua se modeli i ofruar nga Era Istrefi – që është tek e fundit një model biznesi – mund të shërbejë përnjëmend për ta ndihmuar femrën shqiptare të zhvishet “nga komplekset.”

Nga ana tjetër, turpi mund të jetë vërtet i lidhur me trupin, por kjo lidhje ka virtytin që të ndërrojë kuptim sipas rrethanave; në kuptimin që turpi i sotëm mund të përjetohet po aq intensivisht sa i djeshmi, por t’i referohet të kundërtës. Dua të them – si çdo reagim i kodifikuar nga super-egoja (po bëhem edhe unë freudian për një grimë), edhe turpi synon konformim absolut; dhe nuk mund të lëmë jashtë mikro-kontekste ku vetë “të pasurit komplekse” mund të përjetohet si e turpshme.

Këto 30 vjetët e fundit – meqë unë fut këtu edhe dekadën e viteve 1980 – femra shqiptare ka përjetuar një fazë transformimi sa dramatik, aq edhe të dhimbshëm; dhe, në lidhje me temën tonë, e ka fituar lirinë edhe duke u zhveshur, edhe duke u veshur. Kjo lojë e hollë diferencash, midis shpërfaqjes dhe mbulimit, është ku e ku më delikate se erotizmi junk i videove muzikore dhe faqeve soft porn të mediave shqip. Brenda saj, të gjithë zhveshim disa “komplekse” por vetëm për të veshur “komplekse” të tjera – sepse njeriu mirëfilli i zhveshur, në kuptimin që i jep titulli i lajmit te shqiptarja.com, ekziston vetëm si mungesë, ose si ‘zog’.

Shënim: për të parë një formë alternative transgresioni, nëpërmjet “zhveshjes nga komplekset”, mund të klikoni këtu. Ky poster i një ekspozite të tanishme në Torino ka ngjallur polemika në lidhje me simbolikën, por edhe me mënyrën e përdorimit të financimeve publike.

9 Komente

  1. “Veshja ia fsheh trupin femëror vështrimit (gaze) të burrit, që është edhe vështrimi i vetë gjuhës.”

    Kush është burri i përgjthshëm i këtij postulati? Nëse është fjala për lidhjen midis logocentrizmit (kulturës, perceptimit dhe organizimit të riteve dhe rregullave që vënë në qendër fjalën gojore) dhe phallogocentrizmit (që e lidh këtë fjalë me organin seksual mashkullor), atëherë duhet parathënë se vetë organi biologjik është produkt i kulturës dhe nuk mbart kuptim ideor në vetvete. Ndaj është më saktë të thuash: “Veshja ia fsheh trupin femëror vështrimit (gaze) mashkullor, që është edhe vështrimi i vetë gjuhës.”

    1. Po, këtë kisha parasysh, vështrimin mashkullor – edhe pse nuk besoj që ‘vetë organi biologjik është produkt i kulturës.’ Por këtë debat të dytë nuk e përballon dot tema në fjalë.

      1. Produkt i kulturës, domethënë që dallohet si organ sexual mashkullor (=Tjetri i atij femëror) nga rendi simbolik i gjuhës. Nejse, një pyetje larg labirinteve Lacaniane, në lidhje me fjalën turrsa për “voyeurs”, nga vjen ky shqipërim, nga folja “me u turr”? A është alternativi i “këqyrsave”? Jo se ky i fundit arrin të komunikojë idenë e kënaqësisë brenda skopofilisë, por përse pikërisht turrsa?

        1. Fjalën turrsa e kanë përdorur në Tiranë, në vitet 1980, për voyeurs që popullonin kodrat e Liqenit, gjatë mbrëmjes dhe natës. Nuk është ndonjë shqipërim imi, por fjalë popullore. Kështu duket sikur vjen nga folja turrem, me kuptimin “sulmoj”, kushedi ngaqë ka qarkulluar një legjendë se këta edhe i sulmonin çiftet.

          1. Une jam nje “çun i vjeter Tirone”, ndoshta jo nga ata te vertetet (cfaredo kuptimi te kete kjo). Fjala “turrs” ne Tironen e vjeter, dmth shume para vitit 1980 eshte perdorur ne kuptimin “ata qe kane qef ti bien turres”, ku “turre” eshte prapanica. Qe ketej shprehje te tjera shume te perdorura ne ate kohe “Burre me lesh ne turre”, “A ta mban turra?” , “i bie turres” etj. Ne kete kuptim origjinal te fjales, “turrs” vjen nga “turre” dhe nuk e besoj qe ka te beje fort me foljen ” me u turre”.

            Nuk jam i sigurte a e kam degjuar ndonjehere perdorimin e fjales “turrs” ne kuptimin e “voyeur”. Megjithate nuk them se eshte e pamundur qe te kete ndodhur nje zgjerim ne kuptimin e fjales “turrs” ne vitet 1980 kur edhe voyeur-et u shfaqen ne kodrat e liqenite dhe shqipes i mungonte fjala perkatese. Gjithsesi jam i sigurte qe para 1980 kjo fjale perdorej ne kuptimin qe dhashe me siper.

            1. Ka shumë mundësi të jetë kjo që thua ti, për prejardhjen e fjalës. Sepse ekzistonte edhe ideja se voyeurs nuk ishin tamam burra, prandaj edhe preferonin ta kundronin seksin, në vend që ta bënin vetë.

              Por ne ashtu e përdornim – dhe këto fjalë tabu shpesh ndryshojnë kuptim, gjatë qarkullimit.

          2. Po, dhe per fat te keq (ose kushedi te mire) ky tip fjalesh nuk perfshihet ne fjalore, ose edhe ne perfshihet, kuptimet e “ndyta” te mundshme te tyre nuk jepen, prandaj ose ato dalin nga perdorimi kur brezi (brezat) qe i perdorin zhduken, ose i rezistojne kohes duke zgjeruar, ose ndryshuar kuptimin fillestar, sic mund te jete rasti me “turrs”.

  2. E shoh se me padijen time tradhëtova se i përkas një gjenerate më të vontë… Kjo histori e turrsave që pamundësinë fizike e kompesojnë me këqyrje, më kujtoi, “le voyeur par excellence” të Hitchock-ut, Jefferies të mbërthyer në karrige me rrota para dritares që shihte mbi oborr.

  3. edhe une perforcoj shpjegimin e xha-xhait se ne vitet 70-80 -te , ndoshta dhe me vone, ne tironsit “turrsa” u thonim atyre meshkujve/tipave qe i gjunin /pergjonin ciftet nga liqeni. Biles, kur donim me shajt ndonjerin qe ishte tip skuthi i thonim “ik mer turrs”.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin