EMRA DHE INSTITUCIONE

Kohët e fundit mediat përcollën thriller-in e emërtimit të drejtorit të ri të Bibliotekës Kombëtare: e nisën me hamendjet nëse drejtori ekzistues do të konfirmohej apo jo në detyrë; pastaj harxhuan bojë dhe elektrone, për javë të tëra, me spekulime të hareshme për emrin e drejtorit të ri (kush-kush-kush); më tej qeveria e shpalli emërimin befasisht; dhe më në fund, drejtori dalës iu drejtua punonjësve të institucionit me një letër, e cila sërish iu ofrua publikut për informim dhe dëfrim.

Për dikë si unë, që e ndoqi këtë thriller së largu, e gjithë kjo zallahi për drejtorin e një institucioni kulturor si Biblioteka Kombëtare nuk mund të përjetohet veçse si farsë. Tek e fundit, ai post është një detyrë publike që i jepet dikujt për një periudhë të caktuar; dhe pastaj ky ia lë radhën dikujt tjetër. Vetë Biblioteka Kombëtare nuk është ndonjë institucion kritik për jetën e qytetarëve dhe integrimin euro-atlantik të Shqipërisë – as kërkon zotësi mbinjerëzore për t’u drejtuar: mjafton kompetenca, bonsensi dhe pasioni për të punuar me librin, sikurse e dëshmoi me vite drejtori dalës, z. Plasari.

Meqë jam përdorues i rregullt i shërbimeve të Bibliotekës Publike në New York City, krahasimin nuk e shmang dot: unë nuk e kam idenë se kush është drejtor i kësaj biblioteke, as si është zgjedhur a emëruar ky person në atë post. Një seksion i bibliotekës, i njohur si Schwarzman Building, më ka ndihmuar pa masë në hulumtimet e mia, por atje më mjafton kortezia e personelit në sallë (dhe jo, me këtë Schwarzman-in nuk kam pirë ndonjëherë kafe). E megjithatë, dhuroj çdo muaj diçka nga kursimet e mia, për ta ndihmuar rrjetin e bibliotekave publike të qytetit tim, sikurse jap herë pas here kontribute të vogla edhe për Wikipedia-n dhe shërbime të tjera që, përndryshe, i ofrohen publikut falas.

Ma merr mendja që një institucion i konsoliduar nuk ka nevojë për të pasur një emër në krye të punëve – sepse drejtimi i mirë dhe kompetent, në këtë rast, sjell me vete normalitet dhe, tek e fundit, edhe anonimitet. Aq më tepër në raste institucionesh si Biblioteka Kombëtare, të cilat nuk i politizon dot, madje edhe sikur të donin shtabet e tyre.

Kjo më bën të mendoj se zhurma që rrethoi më parë Aurel Plasarin, pastaj përgojimet e kandidatëve të mundshëm për ta zëvendësuar, dhe tani Persida Asllanin ose nxitet nga llafazanë inkompetentë, të cilët e përcjellin politikën e kuadrit si të ishte fjala për ndeshje të Bundesligës ose gara të Formula Uno-s; ose përfaqëson një mënyrë komunikimi të koduar, që dërgon sinjale të fshehta poshtë e lart, të padeshifrueshme për një lexues dorëjashtë, si puna ime.

Ç’interes mund të kishte vallë publiku te kjo lloto e shpëlarë? Mos mendoi kush se procedurat e shkarkimit të drejtorit të vjetër dhe të emërimit të drejtorit të ri në një institucion të qetë, si Biblioteka Kombëtare, do të testonin politikën e kuadrit të qeverisë Rama? Mos shpresoi kush se largimi i paralajmëruar i z. Plasari do të zgjidhte ndonjë problem të mbetur pezull a do të shëronte ndonjë plagë të hapur, në drejtimin e Bibliotekës?

Janë pyetje të cilave nuk ua kam përgjigjen (pa çka se edhe mua vetë ma zunë në gojë emrin në këto lexime filxhanesh nga fallxhorë që as filxhanet nuk dinë t’i lexojnë). E megjithatë – për ta ri-thënë me një batutë të Groucho Marx-it – kush do të guxonte të pranonte drejtorllëkun e Bibliotekës, në një vend ku me drejtorllëkun e Bibliotekës merren obsesivisht tabloidët?

Gjithsesi, i uroj sukses znj. Asllani, e cila me siguri i ka kredencialet në rregull për ta ngarë kamionin e librave me urtësi dhe kompetencë.

5 Comments

  1. Xha xha me i kenaquri nga te gjithe ne kete mesele bajate dhe banale do te kete qene mesiguri vetegazetari i cmendur Edison Ypi. Pasi ishte ky syresh qe kercenoi se “do te hidhte BK ne ere” nese do te emerohej AV. Dhe me kete rsat duhet thene se shyqyr qe nuk emeruan AV se do ishte bere hataja. 🙂

  2. Per fat te keq, Ministria e Kultures sot ne Twitter vendos ta festoje emerimin e drejtoreshes se re me nje fotografi, ku ne sfond shohim nje raft pa libra. Per te ruajtur traditen e lakuriqesise ne mediat?

    1. Parrulla, kjo fotografi interesante ka nevojë të analizohet në mënyrë ndërdisiplinore, gjithsesi në disa plane. Për nga mungesa, mund të dallojmë librat në raft, por edhe kompjuterin, çka mund të na çojë tek tema e digjitalizimit të bibliotekës. Sipas gjasës, librat dhe kompjuterin i ka çuar direkt e në bibliotekë për të pasuar fondin dhe shërbimet digjitale. Për nga prania, vërejmë midis veglave të punës, gërshërë, ngjitëse, stilolapsa blu e të zinj (të kuqin e ka në dorë ama), por edhe një vizore të gjatë, që për Drejtorin e Bibliotekës është e domosdoshme. Për të goditur duart e punonjësve apo të lexuesve? 🙂
      Le t’i urojmë punë të mbarë Drejtoreshës së re, duke i kujtuar se puna e saj shihet tek cilësia e shërbimeve të institucionit që do të drejtojë.

      1. Le t’i gëzohemi pranisë së fjalës ‘bibliotekë’ në tabloid dhe stilolapsit në dorë të drejtoreshës, gati për t’i shkruar vetë librat që mungojnë në raft.

  3. Nga fotoja qe na serviret – duke marre te mireqene se tryeza e punes dhe rafti mbrapa drejtoreshes jane orendi ne pronesi te BK- me le te hamendesoje se librat dhe shkresat qe do te kene mbushur me pare raftin e zbrazur si dhe desk topi apo lap topi kane qene ne pronesi te drejtorit dales zotit Plasari.

Comments are closed.