FILM I DERDHUR NË RRUGË

Para dy muajsh vranë një bankier në Tiranë: e ekzekutuan në mes të Bllokut, sipas një skenari nxjerrë nga një film policor, me hitmen të veshur me të zeza, motoçikletë grossa cilindrata, kaska futuristike dhe ikje gjarpëruese drejt zeros, të përcjellë pa entuziazëm nga kamerat e keq-paguara të bizneseve të zonës dhe të trafikut.

Ndryshe nga ç’ndodh në filmat policorë, kësaj vrasjeje autori ende nuk i është gjetur.

Sikurse nuk është gjetur edhe se kush ia rrëfeu multimedialisht historinë publikut, ose autori tjetër.

Drejtori i Policisë Artan Didi sapo i paska thënë televizionit Vision Plus se “Jemi të interesuar të zbardhim këtë ngjarje”.

Pikërisht: policia nuk e ka humbur ende interesin, megjithë angazhimin e saj tani vonë me hapjen e tokave të reja në Lazarat dhe tani në Dukagjin.

Fjalët e plota të z. Didi:

Jemi të interesuar të zbardhim këtë ngjarje, pasi kjo ngjarje nuk na ndihmon thjesht për të zbardhur autorët, por edhe motivet. Mund të na hapë edhe pista të tjera, që të na krijojë mundësi që të shikojmë se çfarë grupesh kriminale veprojnë dhe që lidhen më pas me sistemin bankar apo sistemin financiar.

Kjo do të thotë edhe se puna hetimore, për sqarimin e një vrasjeje spektakulare si ajo e A. Santos, paska edhe vlerë edukative, sidomos sa i përket krimit financiar dhe të organizuar në Shqipëri dhe më gjerë.

A thua se po flitet për një PhD, jo për një hetim nga më të nxehtit e këtij viti!

A thua se vetë vrasja e dikujt, në vetvete; thashë me qëllim e dikujt, në kuptimin e kujtdo; vrasja, pra, si e tillë, nuk përbën arsye të mjaftueshme për t’i mobilizuar tërësisht të gjithë ata që merren me krimin në Shqipëri.

Prokuroria thotë, ndërkohë, se ia ka kaluar tashmë dosjen policisë, “për zbulim autori.”

Bukur. Tani duket sikur policia po gatitet t’i përgjigjet pyetjes se çfarë ka dashur të thotë autori i këtij filmi, me skenën në fjalë?

Një pyetje që shumë nxënës, në orën e letërsisë në shkollë, e kanë përjetuar rregullisht si kriminale.

Dhe që nuk është aq naive, as në kontekstin tonë.

Dikur, në kohë më të drejtpërdrejta, vrasje të tilla në mes të ditës i quanin atentate, dhe autorët e tyre atentatorë.

Siç na e kanë mësuar e ngulitur filmat e Kinostudios dikur, atentati zakonisht kryhej nga një guerrilas i ri, me këmishë të bardhë të zbërthyer, kundër një gege të bëshëm me uniformë, marrë hua nga Estrada e Shkodrës.

Atentati ka gjithnjë efekt spektakular: plumbi kalon nga koburja e njërit tek trupi i tjetrit, por skena ia shkel syrin spektatorëve, lexuesve (kamerës); ose të gjithë atyre që u rrëfehet ngjarja.

Sikurse edhe terrorizmi sot, që kalëron mass mediat për të arritur synimet e veta, edhe atentati e përdor opinionin publik për ta çuar në vend kumtin.

Vrasja është vrasje, por është edhe pusullë që e gjen vetvetiu marrësin.

Paralajmërim mafioz, e kanë quajtur gjithashtu.

Assasin

Krypa: Assassin

Filma për filma: jo më kot, z. Didi u shpjegoi mediave se detektivët që po merren me krimin, deri më sot, e kanë kaluar një pjesë të kohës duke parë filma – jo të Hollywood-it, as të Kinostudios, por të kamerave të sigurisë.

Ashtu edhe kanë mësuar që viktimën e kanë ndjekur “edhe para ekzekutimit” (e rëndë do të kish qenë sikur ta kishin ndjekur edhe pas ekzekutimit).

Policia nuk ka zbardhur dot krimin, por ka zbardhur mirë dinamikën e tij. Nuk dimë kush e ka vrarë të ndjerin A.S., por dimë me hollësi si e kanë vrarë: kemi deshifruar koreografinë.

Terjaqinjtë e punës policore dhe të romaneve të verdha mahniten pas si-së; madje aty e gjejnë edhe artin që përndryshe i mungon narrativës – tek e fundit, kush tjetër mund ta ketë kryer një vrasje, përveçse vrasësit?

Por si-ja, përkundrazi, është streha ku struket arti, në këtë epokë faktesh të ftohta.

Filmimet e kamerave të sigurisë tregojnë të njëjtat pamje; hitmen-ët ndjekin të njëjtën rrugë, madje mbajnë edhe të njëjtin pozicion në motoçikletë.

As “struktura e tyre trupore” nuk ndryshon.

I vetmi ndryshim, në këtë fantazmagori kopjesh dhe përsëritjesh, ka të bëjë me vrimën që hapi plumbi vrastar, në indin e realitetit.

Pak ditë pas vrasjes, një tjetër bankier i lartë u ekzekutua rrugëve të Tiranës – por këtë herë atentati ishte simbolik: nuk u vra personi fizik, por personazhi (character assasination, e quan anglishtja).

E kam fjalën për Drejtorin e Bankës Shqiptare, A. Fullanin, të cilit iu bë gjyqi popullor në mediat dhe atje edhe e grinë me breshëri automatiku, familisht.

Ndryshe nga ç’ndodhi me A. Santon, asnjë simpati nuk pati publiku për Fullanin – sepse ky ishte i shëndoshë, sikurse ishin të shëndoshë pjesëtarët e familjes së tij; dhe sidomos pse këtij ia kishin vjedhur bankën mu nën sytë e funksionarëve syleshë.

Njërit bankier ia vjedhin paratë, bankierin tjetër e vrasin. Borges-i i Teologëve do të kish thënë, kushedi, se Santo dhe Fullani, në sytë e Zotit, paskan qenë i njëjti person.

Pa folur pastaj për të tretin e përfshirë, ose atë personin enigmatik që u paralajmërua, prej vrasjes së Santos e kushedi edhe prej diskreditimit publik të kolegut të Santos, Fullanit.

Të tretin, që e mori paralajmërimin dhe, me sa duket, reagoi në përputhje me logjikën dhe skenarin e parashkruar; të cilin kushedi do ta shohim të materializuar në një film të ardhshëm.

Ky i treti është anonim: pa çka se e ka një avatar, në person(azh)in e policit që gjendej atë ditë pranë selisë së Credins Bank, dhe nën sytë e të cilit u konsumua vrasja e Santos.

Një T.Q., i cili është shkarkuar nga detyra dhe tani po ndiqet administrativisht: polic që, sipas kolegëve të vet, e pa filmin me kujdes dhe vendosi të jetojë edhe një ditë tjetër.

Me siguri edhe pater familias, njeri i ndershëm dhe i dashur me miqtë dhe komunitetin, qerasës dorëlëshuar, bujar dhe bakshish-lënës i mrekullueshëm.

Reagimet e publikut janë të paparashikueshme.

Ky zotëri kushedi edhe nuk kish nga ta dinte se paraliza që e kaploi, teksa po ia vrisnin tjetrin para syve, ishte edhe shenjë se vrasja e Santos ishte kryer tashmë.

Kushedi edhe nuk kish nga ta dinte se, çfarë që po i shpalosej para syve, ishte një cut scene në një video-game të luajtur e të riluajtur gjetiu.

Policia, nëpërmjet A. Didit (i cili ka të njëjtin emër me viktimën), thotë se tani kërkon të shtjerë në dorë kodin burimor (the source code) të kësaj loje të mbrapshtë.

Për fat të mirë, qeveria e tanishme ia ka kursyer publikut përpjekjen patetike, për të sjellë në Shqipëri ekspertë të huaj të krimit.

Sherlock-ë të nxjerrë nga faqe romanesh të tjera, emra të lemerisur, përballë përgjegjësisë që t’i japin një kuptim reputacionit të tyre.

Ekspertë të huaj, mjekë të huaj, futbollistë të huaj, administratorë të huaj, arkitektë të huaj, këshilltarë të huaj: të gjitha këto shenja se narrativa përkatëse u është afruar nyjeve kritike: ose pikave ku ekzistenca, a më mirë kontingjenca, vjen e bëhet tepër e rëndësishme, për t’ia lënë në duar atyre që nuk ekzistojnë dhe aq.

Deus ex machina vërtet, por nga një Panteon tjetër.

Pa çka se, në këtë rast, edhe vetë autorët materialë e vrasjes mund të kenë qenë të huaj: ky softuer prej mishi dhe gjaku, që i ka udhëzuar plumbat në rrugën e tyre të gjatë dhe të përdredhur, nga kushedi se ku, drejt e në trupin fizik të A. Santos.

Se vrasja, tek e fundit, është edhe punë trupash – të lënduar, të depërtuar, të shtrirë përdhe, të mbuluar në gjak. Jo më kot hetimet janë marrë, mes të tjerash, edhe me karakteristikat fizike të hitmen-ëve: të cilët kushedi – kushedi – i kanë vrarë edhe ata tani.

Si në filmat, e kam fjalën.

Ndonjë mund ta ketë quajtur terror atë që ndodhi; por ndonjë tjetër mund ta ketë quajtur terror edhe atë që ndodhi me Fullanin, tek e fundit.

Ka njerëz të cilët i terrorizon deri edhe merimanga.

Ndonjë i tretë, më në fund, mund të ketë pyetur veten, ditën kur u mor vesh ngjarja: pse nuk më vranë mua?

Pyetje e mbarsur me paradoks kjo, pse nuk më vranë mua, por Santon?

Sepse, po të të kishin vrarë ty, këtë pyetje pas gjase do t’ia kish bërë vetes viktima.

Ose më mirë akoma – ty nuk të vranë, sepse ti nuk ngre peshë në logjikën e sendeve; je një atom i kotë, një aksident natyror dhe biologjik.

Santon e vranë, tek e fundit, edhe për të të kujtuar ty se nuk je kërkushi; dhe se askush nuk ka ndërmend të harxhojë ndonjë plumb me ty.

Por edhe ky është terror – pse u ngjall njerëzve jo frikën që vjen nga identifikimi me viktimat, por një frikë tjetër, ekzistenciale, metafizike: se mos u ka shkuar jeta kot.

Ndonëse kjo me siguri nuk përfshihet në arsyet, e parashtruara me kujdes nga z. Didi, se pse policia mbetet e interesuar, në zbardhjen e krimeve të tilla.

Le të shpresojmë, pra.

6 Komente

  1. Le te themi qe zoti Didi nuk eshte edhe aq i mire me fjalet. Te shpresojme ( dhe ashtu si e shoh une, premisat jane ) qe te jete me i mire me veprat. Perndryshe ironia e shkrimit eshte pak e tepruar per mendimin tim, megjithese e mirekuptoj. Behet fjale gjithsesi per nje funksionar te rendesishem te rendit, parodizimi i te cilit kerkon gjithmone nje fare “autocensure” te shendetshme do thoja 🙂

    1. Peshperites, po me habit. Mos e ke gje kusheri kete Didin? 🙂

      Ç’do te thote se policia qenka e interesuar te zbardhe ngjarjen? Policia e ka per detyre ta beje kete. Nuk ka pune tjeter, per kete ekziston, per kete e paguajne shqiptaret.

      Didi po i pergjigjet aluzionit te pergjithshem qe i vjen nga te gjitha anet se policia e di mire se kush eshte vrasesi, por nuk do qe ta zbardhe se ashtu jane punet. Pergjigjen e tij une e lexoj keshtu:

      Kjo vrasje nuk ka per t’u zbardhur kurre, sepse nuk duhet te zbardhet. Nuk eshte se kemi faj ne policet, ne jemi te interesuar, po ç’t’i bejme qe s’varet nga ne”.

      Ky eshte mesazhi.

    2. Une nuk e lexoj ashtu mesazhin, po pak rendesi ka.

      Qe Didi nuk ka folur ndonje gje te mencur, kjo do pak mend per tu kuptuar, por dyshoj se realisht ka dashur te jape ndonje mesazh kriptik. Duhet te mesohemi me idene qe njerez te cilet artikulohen mire, edhe ne nivele te larta drejtuese, kemi pak. Mekat po, por te tjera gjera presim nga nje drejtor policie, ndaj jo dhe aq i madh.

  2. Kjo vrasje me kujton nje tjeter vrasje te bujshme per te cilen “policia ishte e interesuar te zbardhej”.

    E kam fjalen per vrasjen e kolonelit dhe ministrit te mbrojtjes te Republikes se Kosoves Ahmet Krasniqit, ne Tirane ne vitin 1998. Krasniqi ishte nje nga kosovaret me te mire qe kam pasur fatin te njoh.

    Shik-u dhe polica shqiptare e detyroi Krasniqin te nderronte shtepi, se atje ku ishte nuk e vrisnin dot. Fillimisht e futen ne nje shtepi qe ndodhej ne nje rrugice te humbur diku andej nga shtepia e partise. Pastaj policet shqiptare dhe agjentet e Fatos Klosit i bastisen shtepine dhe i sekuestruan pistoleten. Nje nate para se te vritej, policia ia behu peseri ne shtepi dhe çarmatosi truprojat e tij. Te nesermen ne mengjes, sa doli nga shtepia, e vrane dhe “autoret u larguan ne drejtim te paditur”.

    Dhe e varrosen me nderime te medha. Qeveria organizoi homazhe, Fatos Nano u perbetua se vrasesit do te merrnin denimin e merituar.

    Asokohe kam qene ne France dhe mbaj mend qe kur ia tregova ngjarjen nje oficeri kroat qe kishte luftuar bashke me Krasniqin ne Kroaci kunder serbeve, u thye me dysh nga dhimbja dhe i shkane lotet.

    – E kam pasur si vella, me tha.

    Nje here kam qelluar ne nje kafe ne Tirane dhe ne tavolinen ngjitur ishte Fatos Klosi. Nuk di si e perballova tundimin te ngrihesha e ta pyesja: – Pse u va Ahmet Krasniqi?.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: