Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

TË HARROSH

Në një libër kushtuar Abū Nuwās-it (756-814), një nga më të mëdhenjtë poetë klasikë të kulturës arabe, dijetari Ibn Manzūr tregon si, para se të fillonte shkruante vargje, Abu Nuwas-i ende i ri shkoi t’i kërkonte ndihmë dhe këshilla një poeti të mirënjohur të kohës, Khalaf al-Aḥmar-it.*

Kur Abū Nuwās-i i kërkoi mësuesit të vet që ta lejonte të shkruante poezi, Khalaf-i i tha: “Nuk mundem të të lë të shkruash, derisa të kesh mësuar përmendësh një mijë pasazhe nga poemat e vjetra.”

Abū Nuwās-i u bind, pastaj u largua për një farë kohe, dhe kur u kthye prapë, pas shumë muajsh, i tha mësuesit të vet: “I mësova!”

“M’i recito,” i tha Khalaf-i.

Dhe Abū Nuwās-i filloi të recitojë dhe ashtu vazhdoi për disa ditë me radhë, derisa Khalaf-i u bind.

“Të filloj të shkruaj tani?” e pyeti Abū Nuwās-i.

“Jo, jo, nuk mundesh,” i tha Khalaf-i. “Nuk mund të fillosh të shkruash, pa i harruar më parë të gjitha këto që mësove.”

“Po kjo është shumë e vështirë,” i tha Abū Nuwās-i. “Unë mezi i mësova…”

“Tani duhet t’i harrosh,” përsëriti Khalaf-i.

Dhe Abū Nuwās-i nuk pati ç’të bënte tjetër, përveçse të mbyllej në një manastir dhe të rrinte aty deri sa t’i harronte vargjet që kish mësuar.

Pastaj ia mbërriti dita kur i doli përpara Khalaf-it dhe i tha: “I harrova të gjitha!”

“Mirë,” iu përgjigj Khalaf-i. “Tani mund të fillosh të shkruash!”

Anekdota përmbledh, me një ton gati prej përralle, marrëdhëniet midis letërsisë së krijuar rishtas dhe traditës, autorit dhe ata që e kanë ndikuar, zërit të atij që shkruan dhe isos të atyre që e kanë paraprirë; ose çfarë njihet edhe si intertekstualitet.

Më kujton edhe një aforizëm që ia atribuojnë politikanit të shquar frëng, Édouard Herriot, sipas së cilës “kultura është ajo që mbetet, pasi të kesh harruar gjithçka.”

Por mua më ngacmon veçanërisht, te kjo histori, edhe që herën e dytë Khalaf-i nuk i kërkoi nxënësit të vet të zellshëm provë se e kish mbajtur vërtet fjalën; por thjesht i zuri besë.

Nëse herën e parë Abū Nuwās-it i mjaftoi të recitonte mijëra vargjet që kish mësuar përmendësh, çfarë do t’i duhej të bënte herën e dytë, për të dëshmuar se i kish harruar vërtet ato vargje?

Asgjë – sepse nuk ka ndonjë mënyrë logjike për të provuar, nëse ke harruar apo jo (ndonjë psikolog mund të sugjeronte këtu hipnozën: por unë mbetem skeptik).

A rrjedh vallë nga kjo, se kur dikush thotë që ka harruar, është duke thënë gjithnjë të vërtetën?

Shënim: këtë anekdotë e kam gjetur te Echolalias, On the Forgetting of Language, nga Daniel Heller-Roazen, Zone Books, 2008; autori e rrëfen sipas The Author and His Doubles, Essays on the Classical Arabic Culture, nga Abdelfattah Kilito.

2 Komente

  1. Vetëm kur duam, e skajojmë dijen a përvojën një kthine, derën e së cilës e mbajmë kyçur. Po e hapëm, me apo pa qëllim, e gjejmë krejt të freskët “frutin” e mbamendjes. Në rastin e dijes së mbledhur ( që unë i referohem si ujë në shishe ( ujë bidoni do të thonit ju andej :)), riprodhimi i lëndës mund të mos jetë i saktë e i fjalpërfjalshëm, por mbamendja e sjell në gjendje të atillë, siç ta zëmë ndodh me ujin e ekspozuar kushteve të ndryshme atmosferike: të turbullt, të copëzuar nëpër shtresa ngricash, të avulluar nga nxehtësia… Mbase e vetmja mënyrë për të prekur mbamendjen “e konservuar”, pronari i të cilës mund të mos jetë i vetëdijshëm që e ka (e së këndejmi mund ta pranojmë si të vërtetë pohimin e tij/të saj se ka harruar) është të rikthejmë në pozicion të parë ( në rrethanat që është kërkuar mbamendja) dhe t’ia shtrojmë kërkesën sërish. Mbase do t’i duhet pak kohë sa të rrëmih në qilarin e mbyllur, mes rrëmujës së hedhurinave aty, por se do ta rikthej, s’kam asnjë dyshim. Edhe rastet kur kujtesa humbet nga tronditjet ( psikologjike a fizike), kujtesa të shumtën rikthehet me një tronditje tjetër! Harresa s’ekziston! Pohimi për të kundërtën, do të ishte i pavërtetë, mendoj unë 🙂

  2. Me sa duket morali i historise eshte se per te kapur thelbin e poezise dhe per te kuptur deri ku kishte evoluar ajo ne penen e paraardhesve, poetit te ri (aspirant) iu keshillua te mesoje ate volum te madh poezish permendesh. Qellimi “pedagogjik” i harreses se tyre (se nuk duhet harruar se kemi nje nxenes dhe nje mjeshter) ka mundesi te kete qene, qofte edhe ne kuptim simbolik (pra jo domosdoshmerisht duke dhene prova harrese) shmangia e imitimit te paraardhesve, gje qe eshte semundje e çdo poeti te ri. Ajo “harrese”, te shtyn edhe ne nje kerkim te thelluar te individualiteti yt.
    Kjo histori me kujtoj nje thenie te Nadia Boulanger qe e mbajta mend se e lexova vetem para nja tre ditesh. Ajo thote se per te kuptuar muziken duhet te studiosh rregullat e solfezhit, ndersa per te krijuar muzike duhet t’i harrosh ato. Ne thelb eshte e njejta gje me historine e vjeter arabe, tha.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin