Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

TA KRUASH TURQINË E VJETËR

Çdo autor që i vihet punës ta ripunojë veprën e vet, e bën këtë për ta “përmirësuar” – që këtej edhe termi ndreqje i cili parakupton ndryshime të disa gjërave të cilat më parë nuk kanë qenë në rregull.

Kohët e fundit, Umberto Eco i dha lexuesit një version të ripunuar të romanit të vet të mirënjohur, Emri i trëndafilit; ku, siç e shpjegon ai vetë në një intervistë dhënë Corriere.it, u kujdes ta bënte tekstin më të lehtë për lexuesin e sotëm, sidomos duke prekur disa nga citatet në latinisht dhe duke mënjanuar përsëritje dhe të tjera të meta të vogla të tekstit.

Në intervistë lexon edhe si kritikët ia kanë dalluar, Eco-s, edhe ndryshimet që ka bërë në portretin e Guglielmo-s, duke ia hequr tufat e qimeve të verdheme nga veshët; sikurse e kanë qortuar pse ka hequr një fjalë, settatore, për ta zëvendësuar me seguace

Eco-ja ka vënë dorë edhe në listat e gjata të romanit (enumeracionet), për çka i thotë intervistuesit: “nuk doja të katandisesha si Mozart-i, të cilin Joseph-i II e qortoi për notat e tepërta që i kish muzika.”

E megjithatë, kritiku i njohur frëng, Pierre Assouline, në blogun e vet në Le Monde, pat vërejtur atëherë si Eco-ja e kish ripunuar romanin “për t’ia përshtatur shijeve të sotme teknologjike” dhe për ta bërë “më të kapshëm” (plus accessible) nga lexuesit e sotëm, sidomos duke i bërë më të lehta disa pasazhe dhe duke e freskuar gjuhën.

Çfarë më tërheq vëmendjen, në këtë shkëmbim kulturor, është pikërisht shqetësimi, mbase edhe vigjilenca e lexuesve të romanit të Eco-s, të cilët e trajtojnë tekstin e tij me të njëjtin kujdes që do të tregonin, të themi, për një Van Gogh ose Monet, po ta kishin në dhomën e pritjes.

Por duhet vënë në dukje edhe që Eco-ja ka ndërhyrë në tekst për ta përditësuar, ose duke pasur parasysh lexuesin e shekullit XXI; një arsye të cilën mund ta hipotezojmë, mes të tjerash, edhe për çfarë ka ndodhur me disa nga veprat klasike në prozë të I. Kadaresë.

Për këto të fundit, mënjanimi i gabimeve drejtshkrimore dhe gramatikore, ose i përsëritjeve, hyn në kategorinë e ndreqjeve gjuhësore – p.sh. kur në Kronikë në Gur, emrat e personazheve Xhexhua, Nazua, Kako Pinua ndryshohen në Xhexhoja, Nazoja, Kako Pinoja kjo bëhet për hir të rregullit normativ të shquarjes së emrave femërorë me temë më –o.

Ndërkohë, për ndryshime të tjera, duhen kërkuar arsyet përkatëse.

Kështu, kur autori vendos të heqë sistematikisht, nga teksti i romanit, fjalën çati, për ta zëvendësuar me pullaz, atëherë efekti është jetërsues; të paktën jetërsues për mua, që përdor rregullisht çati në shqipen time dhe pothuajse asnjëherë pullaz; dhe po të pranoja hipotezën e përditësimit, atëherë do të më duhej të pranoja edhe që autori ma ka hequr mua, lexuesit të parë, librin nga dora, për t’ia dhënë dikujt tjetër, dhe pikërisht atij që çatinë e quan pullaz.

Pastaj, kur po ky autor heq nga teksti i romanit edhe fjalë të tilla si tavan, kala (si ta mendosh gjuhësisht Gjirokastrën pa kalanë e saj?), oxhak, xhade, inat, minder, dollap, parvaz, mazgalle, musandër, xham, shejtan, sherr, hile, shami, batanije, peshqir, shilte, çezmë, pazar (po, e lexuat mirë: pazar), zile, ferexhe, kullë, hajat, tabaka, çibuk, borxh, mysafir, atëherë lexuesi i kujdesshëm fillon të dallojë, midis rreshtave, një program ideologjik të pastrimit të tekstit nga fjalët shqipe me prejardhje nga turqishte-osmanishtja (të njohura edhe me emrin teknik orientalizma të shqipes).

Unë i përkas një brezi lexuesish që fjalët e mësipërme i përdorin rëndom në ligjëratën e folur dhe të shkruar, ndonjëherë krahas fjalëve me të cilat i ka zëvendësuar ato autori në botimin e ri. Kështu, në shqipen time ka vend edhe për xham edhe për qelq; edhe për kështjellë edhe për kala; edhe për çibuk edhe për llullë; edhe për shejtan, edhe për dreq, edhe për djall, edhe për i paudhi, edhe për qoftëlargu; edhe për shami, edhe për ferexhe, edhe për rizë; edhe për pazar, edhe për treg; edhe për zile, edhe për këmborë; edhe për borxh, edhe për hua; edhe për mysafir, edhe për bujtës. Prandaj më duket fare normale që dikush të flasë për kala, dhe dikush tjetër për kështjellë; por nuk më duket normale që dikush të sugjerojë, qoftë edhe tërthorazi, për ta zëvendësuar fjalën kala me fjalën kështjellë.

Në shqipen time, fjalët teze, hallë, xhaxha dhe dajë janë normative, kur vjen puna për të emërtuar këta pjesëtarë të familjes; prandaj më duket e çuditshme që autori, në versionin e ri të romanit Kronikë në gur, i ka zëvendësuar me emta dhe ungji; nëse ju kujtohet personazhi aq simpatik, i quajtur “tezja e vogël”, besoj do t’ju vijë keq të merrni vesh që ky personazh quhet, në versionin e ri, emta e vogël. Natyrisht, teze, hallë, dajë dhe xhaxha janë huazime nga turqishtja/osmanishtja, por kjo nuk i skualifikon gjë automatikisht; sepse jo vetëm përdoren sot e kësaj dite, nga një shumicë shqiptarësh, por edhe se, në krahasim me emta dhe ungji, termat e huazuara nga turqishte-osmanishtja janë më të sakta, në kuptimin që teze na kumton diçka më shumë se emta (“motra e nënës”, në krahasim me “motra e nënës ose e babait”); dhe dajë diçka më shumë se ungji.

Meqë ndërhyrje të tilla leksikore në tekstin e romanit janë me mijëra, atëherë vetëm këto do të kërkonin një parathënie të hollësishme, nga autori ose redaktori përkatës, ku të shpjegoheshin arsyet e kësaj kirurgjie plastike – ose programi për pastrimin e gjuhës shqipe nga fjalët e huaja në përgjithësi, dhe nga fjalët me prejardhje nga turqishtja-osmanishtja në veçanti.

Nëse ky pastrim është bërë për t’ia afruar romanin brezave të rinj të lexuesve, unë këtë nuk jam në gjendje ta them; edhe pse nuk më rezulton që këta lexues të rinj të veprës së I.K.-së të mos përdorin më fjalë si pazar, teze, kala, xham dhe mysafir; për të mos folur pastaj për çati dhe tavan.

Përkundrazi, nga pikëpamja artistike, ndërhyrjet është e vështirë të përligjen – dhe pikërisht ngaqë romani është i ankoruar në një vend dhe kohë historike të përcaktuar, Gjirokastrën e viteve 1930-1940, e cila – të mos harrojmë – vetëm 20-30 vjet më parë kish qenë qytet i Perandorisë Osmane. Brenda kësaj kornize kohore-hapësinore, fjalët me prejardhje nga turqishtja-osmanishtja i shërbejnë ankorimit, duke e sjellë historinë në roman edhe nëpërmjet leksikut; ndërsa zëvendësimi i tyre e largon këtë histori; duke e bërë qytetin më abstrakt, më të jashtëkohshëm, më surreal.

Le të krahasojmë, me këtë rast, të njëjtin pasazh në të dy versionet, për të parë efektin e zëvendësimit masiv të fjalëve në tekst:

(Versioni i vjetër)
Në shtëpinë tonë të madhe kishte lloj-lloj gjërash: kazanë bakri, dybekë, tepsira të çdo madhësie, hambarë druri, kanxha të hekurta, trarë, gjyle (për njërën prej tyre thoshin se ishte gjyle topi), kamë me dorezë të qëndisur, fuçira, sëndukë me data të vjetra, mokra guri, gjithfarë kovash e çengelash, gropa për të zier gëlqeren, gjyma, ibrikë, teneqe, legenë, një dyfek me strall, gjithfarë rrangallash të vjetra e të çuditshme.

(Versioni i ripunuar)
Në shtëpinë tonë të madhe kishte gjithfarë sendesh: kazanë bakri, tundsa për rrahjen e qumshtit, enë të çdo madhësie, hambarë druri, trarë, sfera hekuri (për njërën prej tyre thoshin se ishte predhë topi), kama me doreza të qëndisura, voza, arka rrobash me data të vjetra, mokra gruri, gjithfarë gremçash e vargorësh, gropa për të zier gëlqeren, prushana, pushkë me strall, fshikuj, gjithfarë rrangallash, që s’u dihej as emri.

Në versionin e parë, emra sendesh si kazan, dybek, kanxha, gjyle, fuçi, sënduk, çengel, gjym, ibrik, teneqe, legen, dyfek i referohen një bote materiale disi të vjetëruar, të ndryshkur, të ciflosur, të shtrembëruar, të pluhurosur; tekstologu do të dallojë në to një izotopi, e cila i ka rrënjët edhe në prejardhjen e tyre të përbashkët, si orientalizma; pa çka se njohja e këtyre fjalëve si orientalizma, nga lexuesi, mbetet problematike (në shumicën e rasteve, lexuesi do t’i njohë fjalët si të vjetruara).

Në versionin e dytë, disa nga këto fjalë janë zëvendësuar: dybeku është bërë tundës, sënduku arkë, fuçia vozë, dyfeku pushkë; disa të tjera janë zhdukur – tepsitë, kanxhat, çengelat, gjymat, ibrikët, teneqetë, legenët; ndonjëherë duke u zëvendësuar me fjalë të përgjithshme ose hiperonime – p.sh. tepsia është bërë enë; sënduku është bërë arkë, gjylja është bërë sferë (në fakt tepsia është një lloj ene; sënduku një lloj arke; gjylja një lloj sfere; marrëdhënia brenda këtyre çifteve fjalësh, në semantikë, quhet hiponimi/hiperonimi).

Zëvendësimi, gjithashtu, ia ka hequr tekstit vjetërsinë: dyfeku mund të jetë një lloj pushke, por ndryshe nga pushka, dyfeku është edhe i vjetër, edhe historik; gjylja nuk është as sferë, as predhë (vështirë që në një shtëpi të Gjirokastrës të mbanin predha, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës). Në përgjithësi, versioni i parë të fut në një mjedis me rrangalla edhe leksikore; ndërsa i dyti lexohet edhe si ushtrim për sterilizimin e tekstit.

Të jetë kjo shqipja e së nesërmes?

Uroj që jo. Disa orientalizma të shqipes po dalin tashmë gradualisht nga përdorimi dhe këtë fat do ta kenë edhe të tjerë – p.sh. të paktë janë ata që thonë akoma serm, mukafa ose birinxhi; të tjerë orientalizma kanë gjetur strehim në regjistrin bisedor dhe po shërbejnë për të kristalizuar një shqipe bisedore të themeluar jo në dialektin; më në fund, një grup i tretë orientalizmash janë historizma (jeniçer, sulltan, mytesarif).

Këtu duhet vërejtur – sepse shumëkush bën sikur nuk e di – që fjalë të reja në shqipe nga turqishtja, arabishtja dhe persishtja nuk hyjnë më; prandaj sot nuk është më fjala për t’u mbrojtur nga kjo kategori fjalësh, si në kohë të Rilindjes; por më tepër për të administruar një trashëgimi leksikore të caktuar, e cila i referohet, në tërësinë e vet, një bote të perënduar. (*)

Si gjuhëtar dhe njeri që merret me punë të kulturës, unë besoj që orientalizmat e shqipes, ato që u kanë mbijetuar kohëve, duhen mbrojtur; dhe, në përgjithësi, trajtuar si një pasuri e shqipes, jo si pisllëk për t’u hequr me çdo kusht, a si infeksion.

Për ta mbështetur këtë me një shembull: në versionin e vjetër, në pazarin e Gjirokastrës njëri prej blerësve i thotë tjetrit: “I bëfsh paret ilaçe!” Shprehja është më tepër e gegnishtes jugore; sikurse duket edhe nga forma gegnishte e emrit paret (në toskërishte do të ishte paratë); I.K.-ja do ta ketë dëgjuar diku rrugëve të Tiranës; megjithatë, ajo i ka mbijetuar shartimit në një mjedis tjetër, jugor; së paku për lexuesin që jeton në kryeqytet (lexuesin ideal të I.K.-së në vitet 1960-1980). Ndërkohë, në versionin e ri, kjo shprehje e ka ndërruar jelekun: “I bëfsh paret barna!” Dhe këtu leximi ngec, sepse fjala barna, si barasvlerë leksikore për ilaçe, nuk e ka vendin këtu; barna i përket shqipes librore, të shkruar, burokratike, ndryshe nga ilaçe, që është e shqipes bisedore, të rrugës. Për këtë arsye, “i bëfsh paret barna” tingëllon artificiale, e sajuar, e paqenë; edhe pse shprehjet popullore e kanë forcën te natyra e tyre si gjysmë-proverba, ose te përsëritja a te citimi.

Sërish, i gjithë ky interpretim imi mund të jetë i ngjyrosur nga eksperienca ime me shqipen; kushedi ka folës të shqipes, të cilëve “i bëfsh paret barna” u tingëllon natyrshëm, sepse i referon te një shprehje për ta e rëndomtë; dhe në këtë rast romani Kronikë në gur, në versionin e ri, kërkon t’u flasë pikërisht këtyre të tjerëve.


 

(*) Për ta sqaruar më mirë konceptin, po sjell një shembull nga fusha tematike e pajisjeve të kuzhinës.

Çfarë kanë të përbashkët një tenxhere, një tigan dhe një tas? Shumë gjëra, mes të tjerash edhe që përdoren si pajisje në procesin e gatimit dhe të konsumit të ushqimit (po e lëmë mënjanë faktin që janë të ngurta ose të rrumbullakëta ose që përdoren për të gatuar zakonisht ushqime plotësisht ose pjesërisht të lëngshme).

Po ta hapim fjalorin, do të shohim se tenxhere përkufizohet si: pajisje kuzhine që…; dhe tigan përkufizohet si: pajisje kuzhine që…; dhe kështu me radhë. Kjo “pajisje kuzhine”, që është pjesë e kuptimit (ndonjëherë e gjen të quajtur edhe semantemë), kur përsëritet nga një fjalë në tjetrën brenda fushës tematike, i lidh këto fjalë me njëra-tjetrën, duke i bërë pjesë të një bashkësie të caktuar.

Kështu, funksionit të përbashkët të pajisjeve të kuzhinës, në realitet, u përgjigjet një tipar kuptimor i përbashkët, i emrave të këtyre pajisjeve.

Tani, po të marrim fushën tematike të pajisjeve të kuzhinës në shqip, aty do të bëjnë pjesë fjalë si tenxhere, tigan, kusi, kazan, xhezve, ibrik, çajnik, tepsi, sahan, çanak, tavë, gjyveç, tabaka, filxhan, çafkë, kupë, gotë, krikëll, shoshë, kullojëse, kanë, shishe, shtambë, gjym, pjatë, safë, tas, sapllak, havan, okllai, vazo, kavanoz, qer, rende, thikë, lugë, pirun, qepshe, satër, hanxhar, etj. Historiani i gjuhës menjëherë e dallon se, përveç semantemës (“pajisje kuzhine”), shumë prej këtyre fjalëve i lidh së bashku edhe një tipar tjetër: janë huazime nga turqishte-osmanishtja.

Megjithatë, folësi i zakonshëm i shqipes, nuk pritet që të dallojë prejardhjen e një fjale; prandaj kjo karakteristikë e dytë nuk pritet të ndikojë në funksionimin e këtyre fjalëve, as në jetën e tyre në gjuhë. Si informacion, ky më shumë i hyn në punë, bie fjala, historianit të kulturës për të kuptuar si arti i të gatuarit u zhvillua mes shqiptarësh kryesisht nën ndikimin kulturës osmane; dhe sidomos nëpërmjet produkteve të tregut osman.

Prejardhja e përbashkët i vendos fjalët në një perspektivë edhe historike – në kuptimin që shumë prej tyre lidhen me një teknikë dhe ekonomi të caktuar të gatimit, që ka qenë karakteristike për periudhën osmane. Në fakt, unë mbaj mend nga fëminia të kemi pasur në shtëpi kazan, qyp, sahan, gjym, okllai, havan, ibrik, satër, etj.; por sot këto pajisje në shtëpinë time nuk i gjen; në një kohë që janë shtuar gjëra të reja, si rrahëse vezësh, letër alumini, shiringë, hapëse shishesh, termos, shtrydhëse portokallesh, etj. Pajisjet e reja, së bashku me emrat përkatëse, nuk hyjnë, gjithsesi as nga Turqia, as nga, përkatësisht, turqishtja; teknologjia tashmë vjen nga Perëndimi, së bashku me arritjet më të fundit të artit kulinar: qebapet, kimatë dhe kabunitë ua lënë vendin sufléve dhe patéve; qoftet i zëvendëson hamburger-i.

Tani, në qoftë se unë ndesh në një paragraf ku përshkruhet një kuzhinë dhe ku flitet, bie fjala, për kazanë, çanakë, sahanë, tiganë, tenxhere, gjyma, ibrikë, etj., atëherë këto fjalë, të shpërndara në tekst por jo shumë larg nga njëra-tjetra, përftojnë atë që e kanë quajtur izotopi – dhe që, në thelb, nuk është veçse përsëritja e një tipari, kuptimor në shembullin tonë: “enë kuzhine”. Megjithatë, fakti që disa prej këtyre enëve janë vjetruar tashmë, ose lidhen me një teknikë gatimi ose konservimi të kapërcyer – si kazani, sahani, gjymi etj., atëherë izotopisë funksionale “enë kuzhine” i bashkëlidhet një izotopi tjetër, konotative – ajo e “vjetrimit”; dhe prania e këtyre fjalëve të vjetra, të cilat i përkasin të gjitha së njëjtës fushe tematike, i jep tekstit një aromë të caktuar. Sa kohë që ne nuk përdorim më gjyma, por i mbajmë mend këto enë, nga fëminia për shembull, atëherë përmendja e një fjale të tillë në një tekst letrar mund të luajë rolin e madeleine-ës së Proust-it; ose të na shpërthejë dyert e kujtesës. Por që ky marifet leksikor të funksionojë, duhet që fjala të jetë në vendin e vet; në përkthimin shqip të Fifty Shades of Grey, fjala gjym kushedi do të na tingëllojë si e papërshtatshme; përkundrazi, në përkthimin e Kronikës së Travnikut do të na pëlqejë, sepse do të na e ngacmojë kujtesën në drejtimin e duhur.

Vlera e një kategorie orientalizmash në shqipe, të cilat i referohen kulturës materiale, lidhet edhe me aftësinë e tyre unike për të marrë pjesë në izotopi konotative të vjetrimit – duke iu referuar një mënyre ose stili të jetesës materiale që ka ardhur duke u kapërcyer; çfarë i bën veçanërisht të përshtatshme në lojën e tekstit me kujtesën e lexuesit. Tek e fundit, një letërsi e pasur do të ishte edhe mjet i përkryer i asaj kulture që kërkon ta ruajë shtresëzimin historik të vetëdijes së vet.

30 Komente

  1. Analizë e shkëlqyer XhaXha dhe, për mendimin tim profan, shumë e drejtë.
    Shoh vetëm një problem (po të lemë mënjanë azapët Yp, Jackmark-aj etj. që kam frikë se do të turren sërish ulët): është pothuajse e pamundur që IK të marrë dot mprapsht ripunimet e tekstit e të tërheqë ripunimet e lartpërmendura nga qarkullimi, ndaj nuk shoh për diagnozën tënde, përndryshe shumë të kthjellët, ilaç – qoftë edhe bar – për sterilititetin në fjalë.
    E vetmja zgjidhje do të qe t’i rekomandoheshin lexuesit botime më të hershme, por të cilës kohë, pasi, me sa di unë, bëhet fjalë për ripunimin e disahertë të tekstit e jo për të dytin.
    Kjo çfarë bën IK me distilimin e tharmit parësor më ngjan ca me homëopatinë, kur tretësirat hollohet pafundësisht, gjersa mbetet veçse një ish-ish-ish-etj. e substancës fillestare.

    1. Nuk dua të tingëlloj sfidues, as të hyj në luftë me azapët; jam i bindur se edhe versionet e reja të tekstit kanë gjetur tani ithtarët dhe publikun e tyre; por kushedi lexuesit mund t’u viheshin lirshëm në dispozicion edhe versionet origjinale, në raste si ky i Kronikë në gur, që nuk është se janë ripunuar ngaqë versioni i parë kish dalë i gjymtuar prej censurës politike.

      Dua të them se sot ka së paku dy versione të romanit – disave do t’u pëlqejë njëri, disave tjetri; dhe do të ishte gabim të mendohej sikur versioni i dytë zëvendëson të parin, njëlloj si ka zëvendësuar emta tezen, në trup të tekstit. Duke bërë një krahasim fare të trashë, versionin e tanishëm mund ta afronim me director’s cut të një filmi, që nuk e zëvendëson gjë origjinalin e luajtur kinemave.

  2. Zoti Vehbiu, ju faleminderit për artikullin interesant edhe për argumentet e bindshme që keni parashtruar. Nuk isha në dijeni se iu paskëshin bërë këto ndërhyrje sanitare romanit Kronikë në gur të cilin unë e vlerësoj shumë. Jam dakord me ju se ndryshimet që janë bërë nga ana e autorit shfaqen si tepër të gabuara dhe ndodhen larg sferës së thjesht ndreqjes.

    Në vend t’i serviloset “Perëndimit” zoti Kadare do të bënte mirë të lexonte (apo rilexonte) Orientalizmin e Edward Said-it (1978). Është turp që t’i bëhet një intervencë e tillë gjuhës shqipe për ta “qytetëruar” në mënyre që është jotolerante në aspektin shoqëror, që është problematike nga kendveshtrimi gjuhësor apo letrar, edhe që është e paarsyetuar nga pikëpamja historike. Të mohosh historinë apo të orvatesh ta përpunosh atë në mënyrë që t’i përputhet një axhendeje politike (siç është pastrimi i gjuhës nga të ashtu quajturat orientalizma) është veprim analog me atë të fabrikimit të historisë të cilin vet zoti Kadare ia ka kritkuar regjimit të Enver Hoxhës, për shembull. Tashmë ai po e bëka vetë këtë veprim të dënueshëm.

    Këto ndryshime që i janë bërë romanit i përkasin të njëjtës ligjeratë shoqërore shqetësuese që ka paditur kryeministrin Edi Rama për shkak të përpjekjeve të tij për t’i përmirësuar apo konsoliduar marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Turqisë – një akt diplomatik i cili është denoncuar si frymë anti-“Perëndimore”, pra si tendencë orientale. Këto janë absurditete të një rrymeje reaksionare, raciste edhe jodemokratike nga të cilat do të ishte mirë që Shqipëria dhe shqiptarët të çliroheshin dhe jo të cilat t’i përforconin siç, me sa duket, po kërkon të bejë zoti Kadare.

    Duke i eliminuar fjalët me origjin osmane/turke, zoti Kadare e tregon veten si një shkrimtar jobashkëkohore, sepse ndërsa “Perëndimi”, të paktën në ambientet akademike edhe intelektuale, e ka kritikuar me kohë qëndrimin e vetë tepër problematik ndaj “Lindjes” (përbuzjen, paragjykimin, mospërfilljen apo edhe shfrytëzimin), zoti Kadare po i rikthehet diskursit edhe ideologjisë orientaliste në mënyrë si implicite ashtu edhe eksplicite. Si rezultat, ai po e rrënon veprën e vetë duke e shndërruar në një letërsi sterile dhe anakronike.

  3. Pa dashur te jap ketu gjykime te çfaredo lloji, dua te permend vetem nje fakt:

    Keto ndryshime te thella gjuhesore kane sjelle ndryshimin rrenjesor te atmosferes se vepres. Nese eshte e vertete se nje veper letrare nuk perbehet vetem nga fabula, por edhe nga gjuha dhe stili, atehere duhet pranuar se nga pikepamja letrare kjo eshte veper e ndryshme nga ajo e para. Ketu duhet folur jo me per te njejten veper, por per dy vepra te ndryshme.

  4. 2xha: “Tani, në qoftë se unë ndesh në një paragraf ku përshkruhet një kuzhinë dhe ku flitet, bie fjala, për kazanë, çanakë, sahanë, tiganë, tenxhere, gjyma, ibrikë, etj., …… fjala gjym kushedi do të na tingëllojë si e papërshtatshme; përkundrazi, në përkthimin e Kronikës së Travnikut do të na pëlqejë, sepse do të na e ngacmojë kujtesën në drejtimin e duhur.”

    Po i kushtoj vemendje ne kete komentin tim paragrafit te mesiperm, vecanerisht izotopise, si perseritje(redundancy) ne rastin ne fjale te konceptit – por qe shfaqet ne forma dhe funksione specifike – te botes se gatimit, eneve te kuzhines(kitchen utensils). Cdo tekst, vecanerisht i Kadarese, eshte nje univers me vete me kompleksitetin e tij. A duhet qe te interpretojme tekstin bazuar vetem ne elementet, mjetet gjuhesore (sic eshte rasti i turqizmave, nje pjese akoma ndoshta ne perdorim ne jeten e perditeshme)?

    Per brezin tim dhe 2xha-it, nje pjese e termave te permendura jane “seme” konkrete, pra transfigurohen ne imagjinaten tone si lexues ne objekte fizike reale, sepse i kemi pare, prekur, qofte edhe ne shtepite e vjetra te gjysheve tona(kazanet, gjymat, etj), apo qofte edhe ne muzeumet etnografike(dybeket, etj). Po per brezin e ri dhe per ata qe do vine, nga “seme” konkrete, nje pjese e eneve te kuzhines jane objekte krejt abstrakte, veshtire per t’u imagjinuar, aq me teper per t’i dalluar nga pamja dhe kuptuar funksionin e secilit tyre.

    Pastaj, ne tekst per lexuesin shohim te humbase edhe izotopia “konotative e vjeterimit”, sepse nje pjese me pamje moderne(ene kuzhine si prodhime moderne), perseri vazhdojne te quhen, tenxhere, tigane, tave, tepsi, ne nje kuzhine moderne(si objekt dhe si gatim), kurse nje pjese tjeter nuk njihen, nuk dallohet nga perdorimi dhe kuptimi si fjalet canak, sahan, gjym, kazan, ibrik, etj.

    Rishfaqja ne tekst e “seme-ve”, qe i perkasin te njejtes fushe semantike(gatimi dhe enet), ku nje pjese nuk kane perdorim (ne nje bote moderne ne te cilen jeton ose do te jetoje) lexuesi, nuk e ndihmon domosdoshmerisht tekstin te ruaj koherencen. Sepse kjo varet kryesisht nga “background-i” kulturor i lexuesit, i cili nuk do jete me i njejte me ate te timit dhe 2xha-it.

    Eshte pikerisht formimi kulturor i ndryshem, qe do te beje qe t’i mungojne lexuesve te ardhshem nje pjese e ketyre eneve dhe turqizmave perreth vetes, duke e privuar lexuesin qe te mund te kontekstualizoje kuptimin dhe funksionin e tyre. Do te jene pikerisht keta faktore gjuhesore qe mund te kthehen kundra nje interpretimi dhe kuptimi sa me te sakte te tekstit dhe teksti vetvetiu do ta humbase koherencen, qofte edhe ate historike.

    Mendoj se izotopia semantike nuk humbet dhe ajo e “vjeterimit, vjeterise” te termave nuk do te kete shume funksion (te kihet parasysh cfare shkruajta me siper), nese nje pjese e emrave(emertimeve) zevendesohen per t’iu pershtatur perdorimit dhe kuptimit ne nje realitet te ri gjuhesor, koherent me kohen e lexuesit te ardheshem, apo te riut te sotem.

    Koherenca e tekstit, nuk eshte e lidhur vetem me kohen dhe termat qe i perkasin nje periudhe te shkuar, por ne perspektive, kryesisht eshte e lidhur me koherencen e lexuesit; sa i afte eshte dhe do te jete lexuesi per te rrokur kompleksitetin e tekstit, temen universale te Kronikes ne Gur.

    1. “Mendoj se izotopia semantike nuk humbet dhe ajo e “vjeterimit, vjeterise” te termave nuk do te kete shume funksion (te kihet parasysh cfare shkruajta me siper), nese nje pjese e emrave(emertimeve) zevendesohen per t’iu pershtatur perdorimit dhe kuptimit ne nje realitet te ri gjuhesor, koherent me kohen e lexuesit te ardheshem, apo te riut te sotem.”

      Koherent me kohen e lexuesit te ardhshem ? Po si keshtu, Kadareja o qenkerka nje Nostradamus o po e krijoka ai vete kete njeriun e ardhshem ?!!!
      Perndryshe, nese pranojme qe as Kadareja nuk e ka per fat te keq kete dhunti qe t’a parashikoje a krijoje njeriun e ardhshem, llogjika jote ta do qe vepra te ripunohet cdo 10-15 vjet po them, per t’ja kontekstualizuar ate lexuesit perkates. Se teknologjia eshte edhe e tmerrshme jo per gje ; enet e kuzhines ecin me hapa galopante…

    2. “Koherenca e tekstit, nuk eshte e lidhur vetem me kohen dhe termat qe i perkasin nje periudhe te shkuar, por ne perspektive, kryesisht eshte e lidhur me koherencen e lexuesit”

      Me sa duket do te thuash se koherenca e tekstit eshte e lidhur me nivelin kulturor, enciklopedik te lexuesit.
      Prandaj edhe, sipas teje, per ta bere tekstin sa me koherent duhen zevendesuar fjalet qe lexuesi ta kuptoje me mire tekstin.

      Mirepo duke nderruar fjalet cenohet rende nje tipar tjeter i domosdoshem i tekstit: kohezioni.

      Gjithsesi une po vras mendjen dhe nuk po gjej asnje shembull nga letersia boterore kur eshte prekur leksiku i tekstit ne funksion te koherences.

      Ti di ndonje shembull?

      1. Relapso nga praktika e te lexuarit te nje libri paralel me femijen tim, kam verejtur se si autoret “klasike” ne botimet e mevoneshme jane edituar, duke zevendesuar fjale ose shprehje pergjate nje procesi te “falling out of use” “ose “obsolescence”.

        Me vjen ndermen se nje nga fjalet qe e gjeta te zevendesuar eshte fjala “trousers” me “pans” ose “slacks”. Nje fjale e tille konsiderohet “obsolete” ose “in obsolescence”. Fjala tjeter “galoshes”. Jo shume amerikane e kuptojne kete fjale me, sepse nuk praktohet me futja e kepuceve ne keto mbrojtese gome, por mund te kuptoje “rubber boots”, etj.

        Reagimi i femijes tim(new generation, brez i ri) eshte i thjeshte. It’s old English. Nuk perdoret me keshtu, ose nuk e kuptoj, (sepse gjuha eshte shume arkaike sipas ketij lexuesi qe ne fakt eshte nje femije teper i lecitur ne libra). Kohezioni per lexuesin e ardhshem eshte kur kupton se cfare shkruhet dhe e mer vesh leksikun, fjalet, pa qene nevoja te hamendesoje, ose te shohe fjaloret.

        Megjithate kjo e nxjerr komentin tim jashte binareve, ku situata e shqipes dhe kontributi, nderhyrjet e Kadarese jane totalisht ne nje kontekst dhe domethenie tjeter. Per ne, Kadareja, te pakten si nje opinion i pergjithshem, eshte shkrimtari i letersise moderne, perfaqesuesi i saj, dhe pritet qe te ribotohet perseri e perseri.

        Nese do t’i rezistoje kohes, do te futet ne nje kohe jo shume te larget te klasiket shqiptare. Vepren nuk e tjeterson ndryshimi, zevendesimi i nje inventari te caktuar te leksikut ose i leksemave. Nese Kadareja do te fitoje statusin e klasikut do ta fitoje nga fjalori, gjuha dhe mjeshteria ne perdorimin e saj.

        Sic thote Oruelli, mendimet e medha krijohen nga nje fjalor i pasur, dhe nje fjalor i pasur dhe i shumellojshem eshte motori i mendjeve te medha.

        1. Mua nuk me rezulton qe fjala teze te jete ne nje kategori me fjalen “trousers” kur kjo perdoret masivisht sot nga cdo shqipfoles. Ne fakt emte eshte me shume obsolete. Provo te besh nje kerkim per “emta ime” dhe “tezja ime”.
          Read Me, me duket se me cdo nderhyrje kerkon te trubullosh ujrat duke na sjellur argumente per ceshtje periferike- ne kete rast datimin e fjaleve. Argumenti kryesor deri tani eshte qe po zevendesohen nje kategori fjalesh nga nje shtyse ideologjike, pertej moshes se fjaleve, qe ne kete rast eshte thjesht koincidence. Ne fakt shume prej fjaleve qe Kadareja ka futur jane akoma dhe me te vjetra (read: obsolete) se fjala teze e shami qe perdoren rregullisht dhe kjo eshte vleresuar si dicka per tu pelqyer nga studiues te tjere. Eshte thene e sterthene: fjalet nuk kane pasaporte. Une fjalen teze e shami i di si fjale shqip. Hajde me bind ti mua qe duhet te perdor fjalen emte se ajo teze qenka e “vjeter” nderkohe qe realisht kerkon te me thuash qe eshte e “huaj”. Ky eshte fati i fjaleve qe ka hequr Kadare. Ndoshta Xha Xhai na ndihmon dhe jep shembuj ku fjale akoma me te rralla kane shpetuar se i kane patur letrat ne rregull.

          Une nuk e kuptoj pse argumenti per fshirjen sistematike te nje kategorie fjalesh (argument i arsyetuar dhe i faktuar) duhet te futet ne konkurim me akrobacira nga me te ndryshmet. Nuk mund te kundershtosh nje argument duke u kapur per fije bari sic kane qene nderhyrjet e tua deri tani. Perndryshe, ulu dhe bej nje analize te na tregosh se fjalet e zevendesuara jane me te vjetra se ato qe i kane zevendesuar sic perpiqesh te bindesh me shembullin e trousers/pants/slacks.

          I grow old… I grow old…
          I shall wear the bottoms of my trousers rolled.

          Se imagjinoj dot te zevendesohet dot fjala trousers ne kete rast. Shkrimtaret synojne te jene medhenj ne kohen e tyre. Le te vendos koha sa te medhenj do jene dhe me tej… jo kozmetika.

          Fjalori i pasur i popullit ka dhe hallen, tezen, dhe emten. Kadare ka vetem emten. Kaq dhe per mendjet e medha!

          1. Eshte interesant fakti qe tamam keto dite po i mburresha nje mikut tim amerikan me pasurine e shqipes (pa ndonje tepri kombetariste sigurisht) dhe per shembull mora tamam grupin teze-halle-daje-xhaxha, ku menjehere tregohet perkatesia nga ana e nenes apo e atit. Per kuriozitet, nga anet e Korces, mbaj mend qe kur isha i vogel perdornim edhe “jengje” per nuse e dajes, dhe “xexé” per nuse e xhaxhait. Nuk jam ne gjendje te them nese ishin ne perdorim te gjere, apo thjesht shpikje te ndonje pjestari te fisit.

            Gjithsesi, mendoj se ndonjehere fjalet e qemotshme vazhdojne te perdoren rendom dhe perpjekja per t’i zendsuar me te reja ngjan artificiale dhe pa ndonje benefit.

          2. Parrulla ato dy pandehjet dhe pohimet e tua me poshte, nuk thone shume per mua se sa thone per ty. Lexo edhe njehere komentin tim te pare mesiper dhe merru me ate. Per tezet, hallat dajot, mund te vazhdojme te diskutojme, por nuk na con larg ky diskutim semantikash dhe perdorimesh. Mire e the: Le te vendos koha sa te medhenj do jene dhe me tej…imagjino kur ne komentuesit dhe kritiket do te na kete tretur dheu ne anonimitet, shkrimtari yne do te vazhdoje te jete objekt diskutimi dhe leximi nga brezat qe vine.

            PA: “Read Me, me duket se me cdo nderhyrje kerkon te trubullosh ujrat duke na sjellur argumente per ceshtje periferike- ne kete rast datimin e fjaleve.

            Nuk mund te kundershtosh nje argument duke u kapur per fije bari sic kane qene nderhyrjet e tua deri tani.”

            Une do te vazhdoj te komentoj kur me mbushet mendja. Sic e sheh komentet e mija nxisin diskutime qe ne te shumten, me shume zbulojne dhe hulumtojne duke nxitur ca mendje te shendosha e te mencura, qe te mos reagohet vecse me hedhje parrullash armiqesore per te zbuluar armiq te paqene.

        2. “Nese do t’i rezistoje kohes, do te futet ne nje kohe jo shume te larget te klasiket shqiptare”.

          Pikerisht ketu eshte problemi. Kadareja eshte nder ata te pakte shkrimtare ne bote qe ka hyre qysh ne gjallje te klasiket. Sikur veprat e tij te viteve ’60-’80 te mos konsideroheshin klasike, nuk do te kishte lindur gjithe ky debat. Ne letersine shqipe mund te krahasohet vetem me Fishten, i cili gjithashtu u be klasik qe ne gjallje.

          1. Ka shume perqasje per te percaktuar nese nje veper eshte kthyer ne klasike apo jo. Distanca kohore eshte nje nga metodat. Une deshiroj ta shoh klasiken kur vepra e mbijeton autorin. Eshte me modeste dhe e kujdeseshme mendoj kjo menyre veshtrimi.

            🙂

          2. OK,
            më falni këtë dilemë kaq dytësore, por kam një situatë këtu në punë, ku më duhet të përdor të famshmin proverb, se kur mund t’i thuhet hallës xhajë. Si u dashka përdorur konkretisht ky proverb për të qenë në rregull me dogmën?

        3. Qe ta mbaroj, se nuk e plotesova.

          Te prekesh tekstin te nje vepre klasike, pra si te thuash te konsakruar, si “Kronika”, eshte njesoj si te prekesh veprat e Naimit Frasherit a te Fishtes, pavaresisht se kush e ben, qofte ky edhe autori vete.

  5. Shume u torr kjo e Ishamel Kadarese. E sigurte eshte se vepra e tij nuk ka per te patur ate peshe qe pati dikur. Gjithesesi me hallin te lexuesit e rinj, formimin kulturor te ndryshem te tyre, sic thote dikush, gjithe pra duke ndryshuar vepren paralelisht me modelimin e lexuesit, jemi ne kushtet e perftimit te nje vepre te nje lloji te ri. Veper e cila udhehiqet nga shijet dhe dijenite e presupozuara te nje lexuesi te se ardhmes, packa se ky lexues percmohet njefaresoj si injorant duke i servirur gjellen e re leksikore. Nese bejme vepra te tilla dhe i miratojme, pra letersi mbi kriterin e lexueshmerise, nuk kuptoj sesi ky lexues i ardhshem do te mund te pranoje nje Ernest Koliqi, nje Fishta, nje Migjen, nje Lasgush, por edhe nje Fan Nol. Sepse pervec orientalizmit aty kemi te nakatosur edhe dialektin e me siguri qe, pse kushtet e hiperkomunikimit priren te rrafshojne dallimet gjuhesore, ose te pakten te krijojne nje kod te pergjithshem komunikimi gjuhesor, kjo nuk do te thote qe edhe Fishten ta sjellim ne shpergejte gjuhesore te lecitesit qe ende nuk ka lindur. Kjo me kujton ate qe thoshte Borges per nje teolog broitanik mos gaboj, James Bradley, sipas te cilit koha rrjedh nga e ardhmja drejt se shkuares, meqenese ngjarjet ne castin e manifestimit aktualizojne te ardhmen. Keshtu edhe kjo adhamudhiada e Ishamelit. Vetem se paranoja per shqipen bio eshte ku e me ku totalitare se ligjerimi i xhaxhi Enverit, pasi ai te pakten ishte ne formen e urdhereses politike, gjithsesi jo kaq kategorike, kurse kjo na sherbehet si edukim i shijes se DUHUR.

    1. Kush na qenke ti mor zoteri/moj zonje, qe keput keto pallavra prej halabaku per Kadarene dhe s’te hyka gjemb ne kembe?

      1. Fatma,
        ka një ironi atje, që nuk e ke kapur. Sa e qëlluar është, është tjetër gjë. Ishamel është emri hebre, që më vonë bëri tek turqit myslimanë (nëpërmjet arabëve) mbase Ismail. Natyrisht, nuk ka askush të drejtë të fyejë askënd, e ca më pak duke i përçudnuar emrin, por t’i thuash Ishamel dikujt që quhet Ismail e që i ka hyrë shqipes me traktor për ta pastruar nga turqizmat, është brenda kontekstit të temës.
        Edhe mua ma vrau syrin për një moment, por mjaftoi një klikim dhe e sqarova për vete.

        Kjo është jashtë temës mbase, por për shumëkënd ka probleme të mëdha, me këtë që po mundohet të bëjë Ismaili me gjuhën. Unë vetë jam me origjinë në brezin e tretë në linjën matriarkale nga Gjirokastra dhe e kam një shqipe relativisht të mirë (besoj) dhe përdor (dot) në të shkruar vetëm standardin. Në mënyrë të pavetëdijshme jam shumë rehat në dialektin e Gjirokastrës, i cili në mënyrë magjike më kthen në një kohë të largët, ku as unë e as ime ëmë nuk kemi lindur. Janë gjëra që i kam marrë nga gjyshja dhe nga Aneja (stërgjyshja). Jetoj relativisht i izoluar për sa i përket përdorimit të shqipes prej 25 vitesh. Fëmijëve ju flas shqip dhe vetëm unë jam shqiptar. Kështu më duhet i vetëm të gjeneroj një gjuhë, që e kam vetëm unë time. Një jehonë e largët me freskohet gjithnjë e përsëri dhe gjithnjë e më shpesh nga fëmijëria ime, që sa më befason, aq edhe më prek emocionalisht. Më dalin jo vetëm fjalë, por edhe struktura të tëra mendimi dhe artikulimi, nga një kohë që e kisha të harruar prej disa dhjetevjeçarëve. Por ja që gjërat i mbajnë në vete pa i ditur dhe i japim më tej. Për mua personalisht kjo gjuhë e folur është pjesë e identitetit tim kulturor dhe pasurisë time emocionale. Natyrisht që unë nuk jam gati ta sakrifikoj për hir të një trilli të Kadaresë.
        E di si është puna? Si një lloj jorgani. Unë pasi i provova të gjitha këtu ku arrita, ju ktheva jorganit tonë. Ishte pesha e tij që më mungonte prej vitesh. Tjetër gjë se në Shqipëri nuk bëjnë më jorganë. Pastaj ju ktheva edhe dyshekut me lesh e kështu me radhë, imam-bajalldisë, hallvës, kadaifit, petullave. Që të mos keqkuptohemi. Nuk kam të bëj në asnjë mënyrë me 11 shtatorin, po flas vetëm për ca gjëra shumë personale dhe intime, për të ilustruar rëndësinë e të lënit të gjërave në vendin e vet.

        1. Pifto,

          Po ta kishe kenduar deri ne fund se c’shkruante ky “ironiku protohebraik” do kishe marre vesh se IK qenka komplet nje adhamudh, nje paronoiak, nje totalitarist me keq se Enveri..

          Ca me siper do te vereje se nje zonjushe (sic me duket nga delikatesa e shqipes se saj), me “argumente te bindshme” na thote se nuk ka me asnje dyshim se ‘zoti Kadare me keto absurditete kerkon te perforcoje nje rryme reaksionare, raciste edhe jodemokratike nga të cilat do të ishte mirë që Shqipëria dhe shqiptarët të çliroheshin… Bile bjondja ka vene se se ai, IK, po vete sterilizohet ( dhe se po anakronizohet nderkohe qe e kritikojme bash per te kunderten )

          Une nuk jam kontra qe secili ka dhe do te kete mejtimin e besimin e vet te mevetshem por ky blog pandehet te jete per debatues , jo per mitingashe(-xhi) dhe se mesimet e saponxjerra nga diskutimi i meparshem “Kohe perbaltjesh” nuk eshte mire te harrohen kaq shpejt, ‘sa pa u thare balta”.

          1. Lexoje sic eshte per te lexuar, ose ashtu sic eshte shkruar. Ose: Lexoje si te duash!
            Ti shkruan nga pozitat e dikujt qe e ka idhull shkrimtarin ne fjale, por ti nuk di te argumentosh pasurimin qe prezupozohet se sjell ne lemin letrar ky transplantim leksikor. Mbetemi vetem te gjuha, pra funksioni, ose motivi i ndryshimit te bere. Dhe mbrojtja qe behet eshte se pasuron shqipen, e pastron ate nga mbeturinat e orientalizmit. Kjo eshte politike e nderuar zonje, ose zonjushe, nisur nga fakti qe prekeni lehte. Dhe meqenese eshte politike, jo letersi, atehere do te duhet qe te flasim politikisht per qellimet e autorit. Keto i ka bere te qarta vete autori ne sprovat letrare, ne te cilat nuk mungon edhe me interpretime shume delikate, jokoherente si te “Mosmarreveshja”, “Hamleti, princi i veshtire” dhe “Dantja i Pashmangshem”. Meqenese keto sprova jane thjesht nje kontribut i tij ne debatin aktual per identitetin, ato gjithesesi jane te pafuqishme te konkurojne me te vertetat historike, qe nuk e japin kaq bardh e zi raportin e shqiptareve me te shkuaren e tyre. Ndaj ne rastin e nderhyrjes ne tekste, ne veprat artistike te tij, me pastrimin radikal te fjaleve, kemi nje Kadare qe ben “Inception”. Pasi “ne fillim ishte Fjala”. Me kete rast nisim kryqezaten ndaj “shqipes osmane”. Tani dikush mund te thote qe keto jane intepretime, se keto nuk ka sesi te vertetohen si qellime te Kadarese. Dakord jam. Vetem se ndryshimi leksikor i teksteve qe u sollen ketu eshte fakt. Dhe pas faktit kerkohen motivet, arsyet. Kadare operon me totalitarizmin, ose me sakte me tiranine, te cilen guxon per vetepercaktim politik, qe ta rendise si nenkategori, ose atribut vetem te orientalizmit nder shqiptare; orientalizem qe sipas tij ka faze kaq te gjate inkubatore vetem e vetem nga dashuria jone historike me Orientin, ose nga pajtimi ne mentalitet. Me mire: nga mpirja jone mekatare. Pavaresisht se sot kontakti i shqiptareve me Lindjen eshte rivendosur. Si ta kurojme kete semundje? Hajde tani te zbulojme te keqen. E keqja eshte Perandoria Osmane. Shume larg ne kohe. Por ajo na solli komunizmin, edhe pse ky i fundit ne parametra sociale, edhe per shkak se meton industrializmin dhe manifestohet si sistem teknologjik con ne modernizim. Madje komunizmi shqiptar kerkoi nje entitet shume modern si forme eksperimentale: njeriun e ri. I vetmi akt kreacionist i komunizmit, madje do te thoja parakusht i nje metafizike te permbysur. Ky krijohet nga amnezia. Ndaj pse te mos e kapitalizojme kete amnezi ndryshe; duke e mbajtur nevojen e saj te gjalle me tezat e perplasjes se qyteterimeve. Dhe ja ku shqiptaret nuk duhen lejuar te gabojne me; ata duhet t’i marrim per dore dhe t’u mesojme sesi te lexojne, se cfare te lexojne, pse jo, edhe ku te besojne. Mundet natyrisht qe te jete e drejte e gjitha kjo, mundet edhe qe te niset nga qellime shume fisnike. Por pse valle duhet qe te gjitheve t’u kerkohet bindje pa kushte? Nga ana tjeter e gjitha kjo perpjekje calon shume pse ajo, pasi nese reduktohet ne thelbin e vet, eshte shume sempliste ne premisa dhe perjashtuese. Histori e keqe, e tashme e keqe. Rregullojme leximin e historise dhe do te kemi nje te tashme dhe te ardhme ndryshe. Kemi 23 vjet qe po na seviren ne media armiq te shqiptarise, tani edhe armiq fetare dhe historike dhe une realisht nuk e di, nese keshtu eshte Europa, apo keshtu e kuptojne nje pjese e atyre qe zoterojne pushtetin ne Tirane. E sigurt eshte se perpjekjet e Kadarese kane nje mesazh politik brenda. Legjitim natyrisht, por jo i shenjte. Sikurse jane edhe interpretimet.

  6. Besoj se autori e ka vërtetuar gjerësisht faktin që këto ndërrhyrje i kanë dëmtuar tekstet e Kadaresë në shqipe. Megjithatë tani që janë kryer dhe nuk mund të çbëhen, shpresoj, siç u tha, që disa prej fjalëve të reja apo të paknjohura më parë, ti rezistojnë kohës dhe të udhëtojnë sa më gjatë.
    Veçse në shkrimin “Artikull i arratisur” jepen edhe shembuj latinizmash të zvendësuara nga fjalë të konsideruar më shqiptare, siç është përshembull “vasal” i zvendësuar me “vartës”.
    Ndaj nuk ka vend për komente të tipit “i serviloset perëndimit”, “është turp”, të mohosh historinë” etj, apo nuk ka vend as për komente që i përçundojnë emrin Ismail Kadarenë. Për ta thënë më shqip, është e vërtetë që nuk mund të jemi elegantë në çdo situhatë, por kujt i kruhet “turqia” le të përpiqet të paktën të jetë i saktë në sulme e akuza.

  7. Paska pase te drejte Naimi kur thoshte, gjuha jone sa e lehte, sa e lire.
    Ne paragrafet e krahasuara, bie menjehere ne sy nje shqipe me e kendshme, gje qe per mendimin tim vjen nga inflacioni i germave, xh,k,ç,q,g,gj qe mbartin turqizmat (s’ka turqizem te hequr qe s’permban nje nga keto tinguj, qe kane prejardhjen nga k e g). Me kohe e vakt, shqipja ka kthyer ne s,sh,t,th,d,dh,gj shume nga k-te e g-te e saja te lashta, gje qe edhe ka formesuar natyren historike te fonetikes se saj.

    Gjithe keto turqizma me k,ç,xh i paskeshin marre frymen shqipes, e paskeshin shemtuar jashte mase si nga ana e bukurise se fjales se shkruar ashtu edhe tingullit.
    Shqipja ka fonetiken e saj e cila perben nje nga pasurite e dhunuara me rende nga turqishtja.

  8. duledupicard shkruan:
    […dhe “xexé” per nuse e xhaxhait. Nuk jam ne gjendje te them nese ishin ne perdorim te gjere, apo thjesht shpikje te ndonje pjestari te fisit.]

    Jo, nuk eshte shpikje. Ne Mallakaster, por edhe ne krahun tjeter te Vjoses , perdoret ‘gegé’ per gruan e xhaxhait. Eshte e njejta fjale pervec shqiptimit lokal.

  9. Kam pershtypjen qe ripunimi i krijimeve tekstore me synim zevendesimin e fjaleve te huaja me fjale te pastra shqipe ja ul ndjeshem cilesine krijimit dhe ketu bie dakort me analizen shteruese te Vehbiut. Nderkohe, sec mu kujtua nje kenge e vjeter (ndoshta korcare) me nje pjese vargu te tille:
    Ilacet nuk me bejne gje,
    S’me sherojne plaget -e
    Pervec se syrit tend te zi
    Qe me dogji zemren-e.
    E zevendesova fjalen “ilacet” me “barnat” por nuk me ngjiste. E te tilla “turqizma” neper kenget tona te bukura por te vjetra ka sa te duash, por zevendesimi i tyre me fjale autoktone vecse i baltos.

  10. Ndoshta do te ishte me interes qe shkrimtari i mirenjohur Ismail Kadare, meqe po i meshon kaq shume pastrimit te gjuhes shqipe nga fjalet e huaja, te perpiqej te shqiperonte si fillim emrin dhe mbiemrin e tij. Duke qene aspak i ditur ne fushen e gjuhesise e aq me teper te asaj te vjeter (besoj se fjalet “ismail” apo “kadar-e” duhet te jene fjale me origjine nga arabishtja) do te desha kontributin e ndonjerit ketu per te shqiperuar sa me paster keto dy fjale. Dhe me pas do ti rekomandoja miqesisht Z. Kadare qe librat e ripunuar te mbajne per autor emrin e tij te shqip-pasteruar. lol

  11. Per te kaluar kohen dhe keto dite apatike gushti, po lexoj nje liber te nje shkrimtari italian, Andrea Camilleri.
    Per ata qe nuk e njohin, eshte nje shkrimtar librash policore, shume i lexuar ne Itali. Autori eshte sicilian dhe ngjarjet ne romanet e tij zhvillohen gjithmone ne Sicili.

    Suksesi i tij nuk qendron aq te historite policore qe tregon, sesa te stili dhe idiolekti, qe eshte nje lloj italishteje letrare e perzier me sicilianizma dhe shprehje dialektore a gjysmedialektore, te cilat u japin veprave nje atmosfere te veçante. Ndonjehere autori u shton romaneve ne fund nje fjalorth per ata qe nuk e kuptojne dialektin.

    Tani, t’i heqesh ketij autori dialektalizmat dhe t’i zevendesosh ato me italishten letrare, nuk i mbetet pothuajse asgje. Ndoshta nuk do ta lexonte kush.

    E solla kete shembull vetem per te ilustruar rendesine qe kane fjalet dhe registri leksikor per nje veper letrare.

  12. ”’E solla kete shembull vetem per te ilustruar rendesine qe kane fjalet dhe registri leksikor per nje veper letrare.”’

    Besoj se te hedhesh akuzen se Kadareja po varferon fjalorin, duhet te shkruash diçka me konkrete sesa krahasimi ne fjale.
    E kunderta eshte e vertete, qe Kadareja po pasuron fjalorin, sepse po hedh ne tregun e kontratave te fjaleve, mall te ri. Ai nuk po heq fjalet nga fjalori i shqipes, sepse nuk e ka ate autoritet politik, sa te thote, keto fjale m’i shporrni nga fjalori i gjuhes shqipe. Perndryshe ka ate autoritet moralo-letrar, le te themi, sa te keshilloje perdorimin e fjaleve te reja.

    Ka diçka qe nuk shkon nga ana logjike tek teoria se fjalet jane arbitrare, hidhen ne treg e nqs njerezit bien dakort, t’i perdorin ose jo, dhe mandej te akuzosh dike se po hedh arbitrarisht fjale ne treg.

    Rendom per te justifikuar huazimet, perdoret teoria e hedhjes arbitrare ne treg te huazimeve, sepse ne fund te fundit vendosin folesit. Por nqs dikush, konkretisht Kadareja, hedh ne treg fjale te reja, atehere ky na u dashka akuzuar se po beka namin kunder fjalorit te shqipes.
    Kadareja ka pohuar se e pranon teorine qe fjala eshte pakt mes paleve dhe pikerisht ate po ben, po hedh fjale te reja me synim krijimin e pakteve me brezat e rinj te lexuesve.

    Ketu tani po shqyhen njerezit me kritikat, çdo ai qe prodhon grure vendas e kerkon te na deboje grurin rus apo amerikan. Po mire mo, mos ia ble atij, ç’ke qe ben zhurmuesin kot. Me shqiptaret te gjen belaja edhe kur prodhon tek ngastra jote. Koperative eshte vetem fjalori i gjuhes shqipe, vepra artistike eshte prone private, ste pelqen me se e prishi doren, mos e lexo.
    Keto kohet e fundit duket blogu si zyra e mbrojtjes se konsumatorit dhe xha xhai si avv. Altin Goxhaj (con le dovute proporzioni, tha).

    1. Hyllin, efekti kryesor i redaktimeve leksikore në veprat e I.K.-së është një farë pështjellimi te lexuesi.

      Kjo lidhet me varfërimin leksikor, por jo vetëm – ka të bëjë edhe me statusin e neologjizmit; i cili nuk është fjalë, por më shumë një figurë leksikore.

      Nuk ka fituar shtetësinë në gjuhë, as në ligjërim; por vetëm ka një vizë të përkohshme, për t’u përdorur në një vepër letrare.

      Neologjizmi nuk e pasuron gjë gjuhën, përveçse kur del nga kufijtë e një vepre ose nga ligjërimi i një autori të caktuar; në një kohë që krijon opacitet në vepër, sepse tërheq vëmendjen.

      Më tej akoma, dhe siç kam sjellë shembuj më parë dhe do të sjell më pas, I.K.-ja e ka varfëruar leksikun e veprës duke përdorur, në versionet e reja, të njëjtat fjalë “shqipe” për të zëvendësuar fjalë të ndryshme që për të janë tani të padëshiruara.

      Kështu, te versioni i ri i Kronikës, ai ka përdorur vedër, një fjalë krahinore me përdorim të kufizuar, për të zëvendësuar edhe fjalën kovë edhe fjalën kazan; të cilat natyrisht nuk janë vedra. Fjalori e përkufizon vedrën si “enë prej druri”; por te Kronika lexoj sesi e vënë vedrën në zjarr…

      Ka hequr, për shembull, edhe fjalën tavan; duke parafrazuar, ose duke përdorur, në një rast, fjalën trarët; gjë që sërish nuk përtypet lehtë. Tjetër gjë tavani, tjetër gjë trarët.

      Ka hequr, gjithashtu, fjalën patkua, nuk kuptohet pse, për ta zëvendësuar me thundër. Këtë e ka bërë disa herë – dhe e ka dëmtuar tekstin, sidomos kur shkruan që thundrat nxirrnin shkëndija. Kush ka parë që të dalin shkëndija nga thundrat?

      Sa për shqipen, eksperimentet leksikore të I.K.-së nuk besoj se kanë ndonjë ndikim mbi të. Nuk besoj se ka ndonjë rrezik që fjalë si teze, çati dhe pazar të dalin nga leksiku i zakonshëm, ngaqë këto nuk i pëlqejnë më I.K.-së. Përkundrazi, ka një farë rreziku që lexuesit të sotëm të mos i pëlqejë më I.K.-ja në versionin 2.0, për shkak të efekteve bizarre të leksikut që është duke përdorur.

    2. Hyllin,

      une nuk mendoj se Kadareja po varferon fjalorin. Eshte absurde te besh nje akuze te tille per nje nga autoret me leksik me te pasur qe kemi. Prirjen per te krijuar dhe hedhur ne qarkullim neologjizma e kam vene re ne te gjithe librat e rinj qe ka botuar qysh nga romani “Shkaba” e ketej. Shume nga ata neologjizma me kane pelqyer e me jane dukur te goditur, te tjere jo dhe aq. Eshte çeshtje shijesh dhe pershtypjesh te çastit.

      Ajo qe une nuk dija dhe qe nuk me pelqen eshte nderhyrja ne leksikun e ribotimeve te veprave qe tashme kane hyre ne traditen dhe historine e letersise shqipe si Gjenerali, Kronika, Keshtjella, Dimri etj.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin