Gjatë një vizite të paradokohshme në MOMA, po barisja nga një sallë në tjetrën, kur më doli përpara Equivalent V i Carl Andre – që, megjithë titullin bombastik, konsiston në një grumbull tullash të rreshtuara në dysheme.
Shkrova “më doli përpara” sepse, në fakt, kisha qenë duke lexuar, ato ditë, një pamflet të Robert Dixon ku, ndër të tjera, skulpturat me tulla të Andre-së ishin sjellë si shembull i atij marifeti me të cilin muzeumet e artit modern e krijojnë artin si të ishte monedhë; në vend që ta mbrojnë, ta kurojnë dhe ta popullarizojnë.
Për vepra të tilla, publiku dhe kritikët zakonisht harxhojnë shumë fjalë dhe letër, për të vendosur nëse janë apo jo “art” – në një kohë që ca të tjerë i bien shkurt dhe shpjegojnë se dilemën e zgjidh vetvetiu fakti që ato i sheh të ekspozuara në një hapësirë të konsakruar, si muzeumi ose galeria; në kuptimin që është vendi ku gjenden dhe mënyra si paraqiten, që i shndërron në art, jo ndonjë karakteristikë imanente.
Diskutim që nuk e vazhdojmë dot këtu. Mua nuk më pëlqen të shoh tulla të vendosura në dysheme – dhe aq më pak kam ndërmend të hiqem sikur sapo kam parë një “kryevepër” të artit bashkëkohor; por edhe shija ime nuk përbën ndonjë kriter.
Çfarë i bën këto tulla interesante, nuk është vetëm mënyra dhe vendi i ekspozimit të tyre, por edhe fakti – i papërmendur në tekstet e MOMA-s – që ky institucion pagoi 1 milion dollarë, në 2008, për ta bërë të vetën veprën e Andre-së.
Megjithatë, nuk ishte kjo blerje që nxiti debatin; por një tjetër, ajo e Tate Gallery, e një vepre “të barasvlershme” të Andre-së (Equivalent VIII), në 1972; për 4000 lira sterlina; dhe në atë kohë shumë kritikuan këtë përdorim të papërgjegjshëm të parasë publike.
Vepra e Andre-së në Tate qëndroi për ca kohë në gjysmë anonimat, derisa u përmend nga një artikull në Sunday Times të 15 shkurtit 1976, për të ngjallur indinjatën e publikut.
Që nga ajo kohë, Equivalent VIII është ekspozuar shumë herë në Tate, për t’u kthyer në një nga veprat më të njohura të artit modern në koleksion.
U tha, në atë kohë, se vizitorët po dyndeshin në Tate për të parë “tullat” e Andre-së.
Një ndjenjë të ngjashme përjetova edhe unë në MOMA: përballë kuadratit me tulla, m’u duk sikur gjendesha në një skenë krimi – dhe tullat vetë si arma e deliktit.
Çdo objekt i rëndomtë që ka kushtuar 1 milion dollarë ia vlen të kundrohet, madje edhe filozofikisht; sepse paratë e paguara ia japin deri edhe atë “aurën” për të cilën flet Benjamin-i. Në këtë kuptim, nuk mund të mos i japësh të drejtë Dixon-it, kur ky i krahason institucionet e artit modern me treasure mints, ose vendet ku pritet monedha.
Unë nuk gjej art te këto tulla të renditura sipas vijash të drejta prej bebeje; por gjej, përkundrazi, skandal, sikurse gjej edhe një meditim për natyrën e tregut të artit dhe të marrëdhënieve të veprës me vlerën e vet monetare.
Këtu ka një paradoks – sepse tullat e Andre-së nuk do të kishin përfunduar në MOMA, dhe rrjedhimisht para syve të mi skeptikë, sikur disa të tjerë të mos i kishin konsideruar, dhe trajtuar, si art të hollë.
Por kjo veç e bën edhe më interesante eksperiencën time.
Kushedi muzeumet e artit modern duhet të fillojnë t’u caktojnë fonde, salla dhe evente të posaçme veprave “skandaloze” – të cilat janë të famshme ngaqë, në një botë “të rregulluar” nuk duhej të ekzistonin për publikun.
Kjo do t’i afronte, veç, me ato “kabinetet e kurioziteteve”, të disa shekujve më parë; nga ku edhe e kanë, pjesërisht origjinën.
Po MOMA a nuk eshte muze privat? Pse me para publike blihen veprat qe ekspozohen aty?
Jo, nuk blihen me para publike. Por nuk po e kuptoj arsyen e kësaj pyetjeje – asgjëkundi në shkrim nuk kam thënë, as kam shkruar, se MOMA financohet me fonde publike. Tate Gallery, po, dhe për ata u bë zhurma.
Ah, ok.
Arsyeja eshte thjesht kurioziteti i momentit. Ne fakt, pyetja nuk me lindi mua, por nje te afermi qe me pyeti se ç’po lexoja ne kompjuter. I tregova foton dhe i permblodha me dy fjale shkrimin. Ai beri pyetjen, une aty per aty e shkrova. Vajti si ‘telefon i prishur’. 🙂
Xhaxha nje pyetje : me duket mua apo keto barisjet e tua ne MOMA sikur jane te shpeshta ? 😀
Mbaj mend disa artikuj ketu e muaj me pare, ku merrje spunto po nga vizita ne MOMA, dhe thumboje po njesoj disa vepra te artit modern, ndaj edhe pyes.
Tani ti o ke memorje kompjuterike dhe superproduktivitet prej nje barisjeje te vetme, ose nuk je dhe kaq kritik sa kerkon te dukesh ndaj artit modern 😀
Shkoj gjithnjë në MOMA – madje jam “i abonuar” 🙂