O TEMPORA

Shkrimi i djeshëm i E. Ypit më transportoi mendërisht te një kohë e largët dhe e pafajshme – kur autori kish opinione të tjera për mua.

Në 2006, një mike e përbashkët imja dhe e Ypit, Ina Hoxha-Zaloshnja, më dërgoi me e-mail çfarë i kish shkruar asaj Ypi për mua, pasi kish lexuar një shkrimin tim.

Po e riprodhoj më poshtë, me lejen e Inës:

In’ e shtrenjte, ardian vehbiu eshte perfeksionist. ai nuk ka, ai nuk di, ai nuk njeh mes. ai nuk shkruan as si *** per cumcakiza as si *** per  kolloqidhizma. ai o shkruan “come Dio commanda” o nuk shkruan fare. nder shkruesit e sotem shqiptare, vehbiu ka graden me te larte te pergjegjshmerise njerezore, intelektuale, qytetare, profesionale. kjo eshte arsyeja qe Ti e une e sigurisht shume e shume te tjere pataxemi para teksteve te vehbiut. if hipotetikisht ndodh qe vehbiu pasi e ka shkruar dichka nis e dyshon qofte edhe infinitezimalisht per saktesine e ndonje hollesie ne tekst, ai s’eshte chudi veten vret. degjo ta konfidoj dichka; une, megjithse ushqej nje stimë te jashtezakoneshme ndaj vehbiut, nuk e njoh ate vechse nga te shkruarat e tij. nuk e kam pare kurre dhe nuk di kurgje rreth tij. por per mua ai, apo me mire jo ai por hija spectre-i i tij, eshte i vetmi, i vetmi po te them, qe sa here ulem te shkarravis, nis e dyshoj a  ja vlen, a meritoj te vazhdoj, apo ta hedh ne hale’ tastieren me gjith computerin, modemin, printerin, scannerin, nje here e pergjithmone te mos i shoh kurre me sy. ja po te tregoj edhe dichka me te thelle; eshte  praktikisht e pa mundur qe per rigorozin vehbiu cicerrimat e nje “zog’ i qiejve” te pa pergjegjshem si une  te jete i pa njohur. kam bindjen se ai nje si une e perbuz “by default”. por perbuzja e tij nuk eshte si chdo perbuzje. ai perbuz ne stil te larte, pa llallallara lart e posht’. pra, une ate jo, por ai mua, ne nje fare menyre me ka armik. rrofshin e u shtofshin armiqte e tille !

Kështu Ypi i 2006-ës – shembull ekstrem si njerëzve mund t’u ndërrojë mendimi. Edhe pse nuk jam nga ata që e konsiderojnë si virtyt madhor konsistencën e mendimit në vite, sërish e kam të vështirë të kuptoj si, i njëjti person që ka shkruar rreshtat e mësipërm dhe që u “pataxësh” para teksteve të mia, m’i quan tani shkrimet “këllira ortografike” dhe pohon se “të lexosh A.V. është shkurtim jete, pushkatim kohe, s’të është shtuar dhe s’të është paksuar asgjë.”

Për hir të korrektesës, po shtoj se edhe unë, në letërkëmbimin e ndërmjetësuar me Ypin të para 8 vjetëve, kisha shkruar kështu:

Po ç’thote ashtu Edison Ypi? E di ai qe ne ia qarkullojme materialet si te ishin doreshkrimet ilegale te Solzhenjicinit, ne kohe te Luftes se Ftohte? Ka degjuar ai per kultin e Edison Ypit ne diaspore, e qe shkrimet ia adhurojne e ia percjellin dore me dore edhe ca qe deri edhe Ismail Kadarene e konsiderojne pothuajse ne nje kategori me Nonda Bulken e me Hile Mosin? E merr dot me mend ai qe, per ne qe s’vemi dot ne Shqiperi ashtu siç duam, eshte our webcam virtuale? Nga ata qe shkruajne per ato qe shkruan ai e nga ajo optike qe ka zgjedhur ai, askush nuk i afrohet, sidomos per nga guximi.

Ashtu mendoja atëherë – kur autori s’e kish rënduar akoma dorën. Jo vetëm unë, por një grup i madh lexuesish në Alb-Club ia pëlqenim shumë shkrimet, stilin dhe njohjen që kish për Shqipërinë jashtë Tiranës; duke ia falur edhe ndonjë ekscentrizëm.

Ç’t’i ketë ndodhur vallë, që atëherë? Edhe unë nuk jam më i njëjti, edhe unë nuk është se përsëritem dita-ditës, por nuk ma merr mendja të jem “transformuar” aq sa të paralelizoj evoluimin marramendës të Ypit – nga autor reportazhesh pikante për fshatin post-komunist dhe kapitalizmin alla shqiptar në karikaturën e një të marri, që sokëllin te cepi i rrugës, teksa të gjithë ndërrojnë rrugë që të mos i afrohen.

Ç’gjëmë t’i ketë ndodhur, pra, Ypit?

Miq që më kanë shkruar, më thonë të mos merrem me të, t’i qëndroj larg, të vështroj rrugën. Nuk e thonë, por lënë të kuptohet se këtë diatribë të Ypit duhet ta trajtoj siç këshillonte Schopenhauer-i t’i trajtonim fyerjet e të ngeshmëve: si shkelma të një kali. Kur qëllon që na godet kali, na dhemb sa s’ka, thotë filozofi; por nuk është se i mbajmë inat e nuk ia falim.

Dhe unë, në fakt, Ypin s’e marr dot inat. Nëse u mora pak gjatë me shkrimin e tij, e bëra edhe për ta vënë në kontekst debatin e tanishëm për veprën e I.K.-së dhe për t’i prezantuar lexuesit një takëm penash që ngrihen kundër meje, sa herë që guxoj unë të shkruaj diçka për autorin tim shqiptar të preferuar.

Përndryshe, turpi dhe përgjegjësia publike për karagjozllëqet që shkruan Ypi i mbeten gazetës Rilindja Demokratike, sikurse i mbeten atij establishmenti të mediave që nuk arrin ose nuk dëshiron të vërë rregull në xhunglën e gazetarisë shqiptare, për të tuteluar të drejtat e të përgojuarve dhe të përbalturve të përditshëm. Lexuesit e këtij blogu e dinë se unë e kam ngritur zërin disa herë, dhe jo në mbrojtje të vetes, sikurse do të vazhdoj të bëj; për ta denoncuar këtë realitet të ndyrë, ku liria e fjalës po interpretohet dhe zbatohet si liri e bajgës; dhe debati publik si palestër për ad hominem.

8 Komente

  1. me fal…mendoj qe kjo nuk ishte e nevojshme….tingellon sikur shkrimi i Ypit kishte disa “vlera”….injorimi do ishte i nevojshem….anyway …puna juaj

    1. Nuk do ta kisha nxjerrë, sikur të ishte fjala për një shkëmbim personal mes Ypit dhe meje – pse unë dhe ai nuk njihemi, ose njihemi vetëm përmes shkrimeve.

      Mirëpo, as unë dhe askush tjetër nuk mund dhe nuk duhet t’i injorojë këto skandale: rëndësi ka se çfarë vendosim të bëjmë me to. Në një vend perëndimor, Ypin do ta kishin hedhur në gjyq, së bashku me gazetën – unë këtë nuk e bëj sepse nuk kam kohë të humb me këto gjëra, as para që të vë të tjerët të merren.

      Por t’i injoroj, jo. Është njëlloj si të injorosh një bajgë që të kanë lënë në derë: ti mund ta injorosh, por ajo erën njëlloj do ta lëshojë dhe njëlloj do ta qelbë mjedisin.

      E keqja nuk injorohet – dhe komunikimin tonë publik e ka mbytur e keqja, vulgariteti, rrugaçëria. Disa edhe mund të jenë mësuar me këtë – disa të tjerë e kanë parë të arsyeshme të largohen krejt nga sfera publike, për të ruajtur integritetin dhe “mendtë e kresë”. Janë ata që edhe duhej të kishin reaguar me të madhe – por është kohë plazhi, s’i bën dot shumë me faj.

      Unë s’e bëj dot këtë. Kam investuar shumë jo vetëm në integritetin tim si autor, por edhe, e sidomos, në përpunimin e një kulture të caktuar për debatin publik. E shoh si tradhti ndaj vetes dhe lexuesit, po të bëja sikur Ypi & Co. të mos ekzistonin.

      Përndryshe do ta kisha fare të lehtë: nuk jetoj në Shqipëri; dhe më mjafton të shtyp një buton, për ta ndërkallur oqeanin Atlantik midis meje dhe kënetave ku lëvrijnë Ypi me shokë. Vetëm se a do të rroja dot i qetë, pas kësaj?

  2. Konsultohu njehere me shenimet dhe skedaret e babait tuaj, ku i dihet Ypi do kete qene pacient i tij. Nuk jane te rralla keto luhatje ne sjelljet e pacienteve me crregullime te forta mendore.

  3. Po t’ish në letër ky shkrim, do thoja keni harxhuar kartë e penë kot. Për ndjekësin e këtij blogu, siç jam unë prej do kohësh, ky shkrim s’ka kurrëfarë vlere a interesi.

    1. Thoni se jeni ndjekës i këtij blogu “prej do kohësh”, por nuk më rezulton të keni komentuar për ndonjë gjë më parë.

      Dhe meqë jeni këtu prej kohësh, besoj se e bëni këtë vetëm ngaqë shkrimet dhe atmosfera ju pëlqejnë.

      E megjithatë, shoh që të komentoni – të lëshoni komentin tuaj të parë – pikërisht kur gjetët diçka që nuk ju erdhi pas midesë.

      Dhe kjo nuk shkon. Nuk është e hijshme, nuk është etike.

      Nëse ju kanë pëlqyer shkrime dhe tema të mëparshme, çfarë ju ka penguar të thoni një fjalë të mirë dhe të mbështetni argumentin dhe autorin?

      Nëse jeni tip i drojtur, që nuk flisni dot në publik, atëherë si e gjetët tani guximin, për t’i thënë tjetrit se shkrimi i tij “s’ka kurrfarë vlere dhe interesi?”

      Dhe, në lidhje me vërejtjen e fundit: e besoj që ashtu mund t’ju jetë dukur ju; por flisni për veten tuaj dhe mos bëni përgjithësime naive.

      Mua, si autor, shkrimi më është dukur edhe me vlerë edhe me interes, prandaj edhe e kam nxjerrë. Me interes jo në vetvete, por sepse ndriçon diçka më tepër, në kontekstin e zallahisë së tanishme.

  4. Xhaxhai ka te drejte. Nuk eshte ky rasti per te injoruar fyerjen. Ne rruge po, hedh njeri nje fjale, ti vazhdon rrugen se nuk ke nge te merresh me gjithe rrugacet e mehalles.

    Ypi eshte person publik, shkruan ne gazete me emer e mbiemer ( dhe ka patur vertet ca reportazhe shume interesante dikur). Ulet dhe shkruan per nje person tjeter publik, ne mes te nje debati gjithshtu publik. Mbase nuk ja vlen vertete te merresh me ato qe thote se jane ligesira pa vlere, por me fenomenin Ypi e kompani duhet marre seriozisht, sepse eshte rasti me flagrant i mjerimit te shtypit shqiptar.

    Ne ankohemi pse shkruajne anonimet neper komentet e gazetave plehra te gjithfarellojshme, jo me te shkruaje tjetri ne gazete pa ja patur njeri borxh fare. Po fare fare domethene. Dhe e keqja eshte se me ate gjuhe qe shkruan ai, nuk ke as c’ti pergjigjesh konkretisht, se nuk ka debat, nuk ka argument, nuk ka logjike….ka vetem percartje.

    Shume i larte doli cmimi i kontributit ne mbarevajtjen e kombit te lavdishem shqiptar.

  5. cfare ka ndodhur xhaxha?

    reagime te tilla ngjajne me ato te femrave te tradhetuara. mos e preve gje ne bese edisonin dhe reagon keshtu? 😀

    sado i acaruar te jesh do mjaftonte nje pergjigje ala twain, “shkrimi juaj ne lidhje me emerimin tim si drejtor i bk eshte plot ekzagjerime”!

  6. I dashur Xhaxha,

    shkrimi i Ypit është pjesë e dhunës verbale që mbizotëron në diskutimin publik në Shqipëri. Problemi është, që kjo lloj dhune është monedha e këmbimit midis palëve në politikën shqiptare. Tani të zuri ty, për ato arsye që Ypi vetë i ka evidentuar në vlerësimin që të ka bërë vite më parë. Që i njëjti person brenda disa vitesh ndryshon mendimin në këtë formë, nuk ka të bëjë me mënyrën se si mund të ketë ndryshuar vepra jote, por me gjendjen e shëndetit psikik të Ypit. Sapo pashë që të paska bërë një portret sipas mënyrës së tij përsëri tek RD disa javë më parë dhe që gjehet këtu:

    http://www.rilindjademokratike.com/web/index.php?option=com_content&view=article&id=10972:ardian-vehbiu&catid=45:editorials&Itemid=115

    Fatkeqësia është që RD e boton një gjë të tillë. Po si ka mundësi, që askush brenda PD dhe RD nuk e nuhat nevojën ekstreme brenda kësaj partie, që t’i afrohet mesit të shoqërisë dhe të (ri)bëhet qytetare? Po si ka mundësi, që njerëz me influencë të saj, që e lexojnë këtë blog, të bien dot dakord me këtë realitet dhe të heshtin? Si ka mundësi, që tani, kur ky artikull është lexuar nga një bashkësi e madhe internautësh kjo gazetë nuk e gjeti dot kurajën civile të ngrihej mbi veten dhe të kërkonte ndjesë? Si ka mundësi, që Ismail Kadareja, që e shikon gjithë këtë baltë që hidhet publikisht në emër të një lufte fantazmë për t’i ruajtur emrin e tij, nuk ndërhyn në një farë mënyrë për të treguar qëndrimin e tij lidhur me nevojën urgjente të higjienës se diskutimit publik? Vërtetë të ketë ai njeri vetëm një gjë në mëndje, veprën e tij; ndërkohë që të tjerave dhe të tjerëve flaka ju rafte.

    Mbase ka lindur prej kohësh nevoja, që dikush të shkruaj poemën: “Ku t’i kërkoj rrënjët e tua poshtërsi!”

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin