Në vijim, një bisedë imja me Fatmira Nikollin, botuar sot në Gazeta Shqiptare.
Si e keni lexuar letrën e hapur të Nasho Jorgaqit për Ismail Kadarenë?
E kam lexuar si një ftesë miqësore që ia bën një shkrimtar kolegut të vet, për të hapur një debat për burimet e letërsisë, përfshi këtu edhe jetën private të autorit dhe të njerëzve që e rrethojnë.
A mendoni se ai ka të drejtë të ndihet i fyer: pse Kadare nuk i ka përmendur emrin, apo pse Kadare është shprehur se vepra e Nasho Jorgaqit nuk i ka pëlqyer?
Kam përshtypjen se N. Jorgaqi është lënduar për disa arsye njëherësh – por sidomos ngaqë e ka parë të nëpërkëmbur miqësinë e vet të hershme me I. Kadarenë. Përndryshe, po t’i besojmë atyre që thotë N.J. për miqësinë mes dy shkrimtarëve, besoj se ata të dy kanë pasur rast të bisedojnë më shumë se një herë për “Dashurinë e Mimozës”; dhe shpresoj të bisedojnë mes tyre sërish. Gjithsesi, nuk ka qenë kurrë synimi im të ndërhyj si palë në këtë “përplasje”; por vetëm të përpiqem të kuptoj diçka më thellë dinamikat e autorësisë letrare, jetës private dhe nevojës për konformim, nën totalitarizëm, temë kjo që më intereson drejtpërdrejt si studiues.
Ka ide se Kadare nuk e përmendi emrin e Jorgaqit që të mos e e fyente, meqë atij “Dashuria e Mimozës”, nuk i ka pëlqyer, madje shkruan se kur e ka lexuar, ka vënë duart në kokë.
Por vetë mospërmendja me emër, në një kohë që flitet haptazi për ty, lëndon. Dhe në lidhje me “Dashurinë e Mimozës” unë nuk do të flisja aq për fyerje, sa për lëndim: edhe pse u ndalua nga censura e regjimit, ose pikërisht pse, ajo u bë vepër kult në vitet 1960-1970, qarkullonte dorë më dorë, i mbështjellë me gazetë që të mos i dukej titulli, pse përmbushte një nevojë të caktuar të lexuesit – kushedi sot do ta quanim chick lit, sepse vajzave dhe grave u pëlqente shumë. Dhe besoj se autori, N. Jorgaqi, ka qenë krenuar për të, ndonëse në heshtje; kushedi edhe e ka parë si një vepër shëlbyese. Ai thotë tani se novelën dy herë ia ka ndaluar regjimi; çka ia bën “fëmijën” të persekutuar, përballë atij vetë si autor dhe njeri publik, të cilin ndonjëherë edhe e kanë përfolur si “të privilegjiuar”. Prandaj edhe mënyra shpërfillëse me të cilën ka folur I. Kadareja për atë novelë mund ta ketë plagosur veçanërisht; sidomos po të kemi parasysh edhe miqësinë që kanë pasur ata të dy mes tyre në kohën kur shkruhej, dhe kur ndalohej novela.
Në letër, profesori hodhi idenë se Kadare “Mjegullat e Tiranës” nuk i ka shkruar më 1958, por me gjasa vitet e fundit. Ju, ç’mendim keni për këtë?
Kjo nuk është aq ide, sa një akuzë serioze – së cilës besoj se I. Kadareja duhet t’i përgjigjet me qetësi. Akuza është serioze jo sepse iu lëviz datëlindja një dorëshkrimi, por sepse vë në dyshim një imazh dhe një narrativë të caktuar biografike, që I. Kadareja dhe ekipi editorial i Onufrit kërkojnë t’i prezantojnë publikut në Shqipëri, edhe nëpërmjet botimit të këtij romani, deri dje të panjohur, madje të mohuar prej autorit vetë. Përndryshe, unë nuk besoj që autori dhe Onufri të kenë falsifikuar, qëllimisht, datën e një dorëshkrimi; sikurse nuk besoj edhe që N.J., me letrën e vet, synonte ta nxirrte zhvendosjen e datës si mashtrim. Çështja ka natyrë etike dhe çdo qasje formale, ose “juridike” do ta shpërfytyronte; kemi të bëjmë këtu me njerëz dhe intelektualë të profilit të lartë, jo me batakçinj, nga ata që u del çdo ditë surrati në TV.
Në përgjigje të pikëpyetjeve të Jorgaqit, botuesi i Kadaresë, Bujar Hudhri foli për dorëshkrimin e romanit dhe madje në “GSH” u botuan edhe faksimilet e tij. A mendoni, se çështja e datimit të veprës u sqarua?
Disa e kanë trajtuar problemin e datimit si të ishte çështje ekspertize teknike; por unë besoj se një përgjigje e shtruar e I. Kadaresë do të shërbente më mirë për të qetësuar publikun, duke filluar që me N. Jorgaqin; i cili datën e botimit e vinte në dyshim jo me argumente, si të thuash, teknike; por duke analizuar përmbajtjen e librit, ose me arsyen se I. Kadareja që njihte ai në ato kohë, nuk mund të kish shkruar diçka të tillë; dhe me argumentin tjetër, të paverifikueshëm, por kushedi me vlerë njerëzore, se po të kish ekzistuar një dorëshkrim i tillë në vitin 1958, ai, N.J., do ta kish marrë vesh nga autori. Unë këtu shoh një mosmarrëveshje mes dy miqsh, që mund dhe duhet të zgjidhet me një dialog publik, i cili ne të tjerëve të interesuar mund të na shërbejë edhe si shkollë për të kuptuar raportet mes privates dhe publikes në letërsi. Ky dialog do të sqaronte, idealisht, edhe si erdhi puna që një mik i dikurshëm të akuzojë publikisht I.K.-në, për pasaktësi në datëlindjen e deklaruar të një teksti; edhe pse kjo më duket tani pak e vështirë, në rrethanat kur N.J. iu nënshtrua një linçimi publik nga jeniçerët në mediat, të cilët kujtojnë se po e mbrojnë I.K.-në duke e shëtitur rrugëve si të ishte idhull, shenjt a statujë prej allçije të pikturuar, nga ato që hijeshojnë kishat e provincës; dhe që duan të frikësojnë të gjithë ata të tjerët të cilët kërkojnë ta problematizojnë këtë figurë të rëndësishme të kulturës shqiptare; jo për ta rrëzuar, por për ta kuptuar më mirë, atë dhe veten. I.K.-ja që njoh unë, do të llahtarisej përballë këtij procesioni provincial, i cili e trajton atë, shkrimtarin, si hero pozitiv të një narrative kombëtariste primitive, me karakteristika praktikisht të njëjta me ato të heroit pozitiv në novelën “Dashuria e Mimozës”, që e shqetësuan pa masë I.K.-në këtu e gjysmë shekulli më parë. Ky debat u duk, pra, sikur nisi rreth datimit të një dorëshkrimi; por më duket se tani ka më rëndësi, për të gjithë ne, që të reflektojmë për kulturën e dhunës verbale, të censurës publike, të rrugaçërisë dhe të linçimit, që është ulur këmbëkryq në mediat e Tiranës; dhe që, duke përfituar nga liria e fjalës, po bën të pamundurën për t’u mbyllur gojën atyre që kanë vërtet diçka për të thënë.
Ju shpreheni se data e saktë të shkrimit të romanit “ndihmon për të kuptuar trajektoren e Kadaresë, nga letrar vjershash të stilit rus, në shkrimtarin ndoshta më të madh të Ballkanit gjatë viteve 1980, në përballje me regjimin e Enver Hoxhës nga njëra anë, dhe me tregun letrar të Perëndimit, nga ana tjetër.” A mendoni se në atë libër gjendet përgjigja?
Gjendet një pjesë e vogël e përgjigjes, dhe pikërisht ajo që ka të bëjë me rrethanat në të cilat filloi ftohja e autorit, I.K., me diktaturën, me regjimin totalitar dhe me realizmin socialist dogmatik. Këto kanë rëndësi për studiuesin e veprës së I.K.-së; sepse në materialet e hershme, kur një shkrimtar ende nuk e ka rafinuar stilin e vet, mund të shquhen akoma pasioni ideologjik, tundimet dhe etika e autorit. Sot lexon e dëgjon budallallëqe të mëdha në mediat, por e vërteta është se I.K.-ja, ashtu siç e njohim, është produkt i një historie të gjatë dhe komplekse, ku ndërthuret jeta e tij private dhe publike, si qytetar ndonjëherë në kontakt të drejtpërdrejtë me kupolën totalitare dhe më tej me elitat e kulturës botërore; me jetën e tij si autor i një numri të madh veprash letrare, të përkthyera anembanë planetit dhe kandidat për çmimin Nobel; dhe i gjithë ky gërshetim ka shkuar paralelisht me historinë e Shqipërisë dhe të botës. Përndryshe, unë nuk dua ta shoh si operacion thjesht komercial, botimin e këtij romani gjysmë të mohuar nga autori; edhe pse nuk pres, madje nuk dëshiroj, që një gjest i tillë editorial, me jehonë të ekzagjeruar në mediat, të synojë rivlerësimin biografik të I.K.-së. Është e gabuar, për mendimin tim, që jeta e një shkrimtari të përfshihet në veprën e tij dhe t’u nënshtrohet redaktimeve dhe përmirësimeve gjithfarësh, nga zelltarët e radhës.
Titulli i origjinalit: Ardian Vehbiu: Kadare që njoh do llahtarisej nga procesioni provincial