Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi / Media

SQARIM PËR LEXUESIN E PANORAMËS

Me një titull sa karakteristik aq edhe të rrejshëm, Panorama e sotme më kish rreshtuar si “pro Nasho Jorgaqit” në debatet e tanishme rreth datimit të një romani të I.K.-së.

Teksti i shkrimit, përkundrazi, citonte korrektësisht pjesë nga posti im Kohët e shkrimeve në blogun Peizazhe të fjalës.

Komentet natyrisht nuk i kam lexuar (as do t’i lexoj).

PanoramaKaq rëndë kanë degraduar debatet publike në mediat e sotme shqip, sa deri edhe gazeta që zakonisht e ruajnë një farë niveli, si Panorama, nuk po munden veçse t’i lexojnë si të ishin ndeshje të Botërorit: kush është me Argjentinën dhe kush me Gjermaninë.

Përndryshe, ata që i kanë lexuar ndërhyrjet e mia në blog, për letrën e N.J. dhe reagimet përkatëse, do ta kenë vënë re, shpresoj, se unë vetëm sa jam munduar ta kornizoj temën e debatuar dhe t’i jap asaj një kontekst – për interesin tim intelektual dhe si studiues.

Nuk kam marrë anë në debat, sepse më mungojnë të dhënat: nuk e kam lexuar romanin Mjegullat e Tiranës, as ia kam parë dorëshkrimin; edhe sikur ta kisha parë, nuk do të mund ta vlerësoja kronologjikisht.

Përkundrazi, e kam mbrojtur N.J., siç do të mbroja çdo qytetar tjetër, nga sulmet e ashpra, ad hominem, që ia kanë bërë në mediat, pas letrës së tij të hapur; sepse tani këto sulme nuk mund t’i shoh veçse si orvatje – me këmishë të zezë – për të censuruar, nëpërmjet frikësimit.

Duke qenë pro N.J. dhe kundër detraktorëve të tij, unë vetëm sa ritheksoj vendosmërinë time në mbrojtje të së drejtës së fjalës dhe të dinjitetit të personit.

Kjo s’ka të bëjë natyrisht me I.K. dhe romanin për të cilin debatohet; dhe as me qëndrimin tim ndaj letrës së N.J., të cilën vazhdoj ta shoh si një akuzë së cilës I.K. do të ishte mirë t’i përgjigjej vetë. Kanë qenë miq të ngushtë, do të dinë me siguri t’i flasin njëri-tjetrit me arsye.

Për fat të keq, nuk mund veçse të arrij në përfundimin që, për një segment të mediave sot, mund të jesh “pro I.K.-së” vetëm po t’i bësh temena dhe ta quash “shenjtor”, “kollos”, “nobelist”, “mik të Dantes e të Shekspirit”; ose, alternativisht, po t’ua bësh biografinë e t’ua hapësh dosjet atyre që guxojnë ta sfidojnë edhe për çështje anësore, siç bëri N.J.

Titulli i Panoramës më vendos në një pozicion, brenda debatit, ku nuk e gjej veten; sepse dëshira ime është që I.K. të dalë i pastër nga kjo akuzë, jo i përlyer; madje unë vetë, si autor – për sa ç’vlej – jam produkt i një kulture të ndriçuar nga vepra letrare e I.K.-së; të cilën vazhdoj ta admiroj sot e kësaj dite.

Por nuk kam gjë të përbashkët, me këtë idhullzim të neveritshëm që po i bëhet shkrimtarit nga njerëz me axhenda politike, kulturore dhe fetare; dhe që po kanë si rezultat të parë ndarjen e I.K.-së nga vepra e tij dhe nga lexuesit e tij.

Turp, për Panoramën, që rren në kryetitujt e saj; turp për shtypin e Tiranës dhe ata që e paguajnë, përfshi këtu edhe click-et tona në ueb. Turp për mendësinë tonë prej skllevërish, sejmenësh e kurtizanësh, në kërkim të përhershëm të padronit.

17 Komente

  1. Titulli krejtësisht i gabuar i Panoramës na tregon edhe një herë se ligjërimi publik shqiptar funksionon me mekanizmat e tifozllëkut. O me mua, o kundër meje. O me atë, o me këtë. Ndërkohë, në cilësinë e pjesëmarrësve në diskutim jemi të gjithë dëshmitarë se pozicioni i Xhaxhai-t ishte krejtësisht ndryshe, madje distancohej nga vizioni bardhezi që mbizotëron debatin në Shqipëri.

    Kam frikë se tashmë një pjesë e lexuesve dhe e pjesëmarrësve në ligjërimin publik nuk arrijnë t’i shohin nuancat e reflektimit, nuk i perceptojnë dot tonalitetet e ndryshme, si rrjedhim i lexojnë mesazhet me dy ngjyra, e ndonjëherë i përçojnë nën efektin e daltonizmit mediatik.

    Uroj që redaksia e Panoramës ta ndryshojë menjëherë titullin në ueb, të bëjë një retifikim për lexuesit, por mbi të gjitha të mos lejojë më gabime të tilla, çka do të thotë angazhim serioz për të dalë nga kultura e dikotomisë.

  2. 2xha: “sepse dëshira ime është që I.K. të dalë i pastër nga kjo akuzë, jo i përlyer;…”

    Si do te dilte i paster e i paperlyer? A eshte e nevojshme te thuhet kjo?

    Kjo eshte nje nga menyrat e te shprehurit qe do t’i tundonte lexuesit te mendonin se autori po anon nga njera apo tjetra ane e kandarit, duke i udhehequr njerezit drejt nje pershtypje te gabuar, dhe duke krijuar edhe keqkuptime si shembulli i titullit te Panorames.

    E gjithe letra e Jorgaqit eshte nje spekullim, qe mori nje pergjigje te drejtperdrejte nga botuesi. Nese spekullon(dhe eshte thjeshte nje spekullim jashteletrar) Jorgaqi, a duhet qe doreshkrimi i Kadarese te merret nga eksperte per te provuar se eshte thjeshte spekullim, dhe qe kurrsesi nuk mund te ngrihet ne nivelin e akuzes?

    Doreshkrimi i Kadarese eshte i arkivuar, i prekshem, i poseidueshem. Nje mendje si e tij nuk mund te ishte kaq e lehte, duke vene ne rrezik staturen dhe reputacionin qe gezon. Si mund t’i hidhte hi syve publikut e njerezve qe dine te mendojne e te arsyetojne duke filluar nga botuesi? Ku do te ishte perfitimi i Kadarese? Mendoj se kaq mjafton.

    Cila “gjykate” do te vendoste “pafajsine” e Kadarese duke iu futur provave materiale sic eshte doreshkrimi? Kjo eshte nje insinuate e ulet, qe nuk duhet te kishte vend ne faqet e gazetave.

    1. IK dhe NJ kanë qenë shokë shumë të afërt, në kohën kur shkruhej romani Mjegullat. Prandaj akuzën që bën NJ mund ta kundërshtojë IK vetë, jo botuesi. Për mua fjala publike e IK-së do të mjaftonte.

      1. Qe kane qene shoke te ngushte e thote Nasho, por nuk eshte per t’u besuar. Se pari, se jane dy karaktere aq te ndryshme sa nuk mund te behen shoke te ngushte, se dyti, Ismaili nuk ka pasur kurre shoke e miq. Eshte tip krejt i pashoqerueshem. Ai nuk di se ç’eshte miqesia. Vete thote se ka pasur vetem nje mik ne jete, Drago Siliqin, por ne fakt ajo miqesi u konsakrua nga vdekja.

        Eshte e pamundur qe Ik t’i hapte zemren nashos e t’i tregonte planet e tij krijuese. Prandaj argumenti kryesor i nashos nuk qendron.

  3. Ndersa do te mjaftonte ty si Xhaxha, nuk do t’i mjaftonte NJ.

    Kjo do te hapte nje maratone te gjate ndersjelljesh midis IK dhe NJ e llojit “e lagu, se lagu”. Kjo do t’i sherbente shume NJ se do ta fuste perseri ne harte “e te gjalleve”( 🙂 ) duke e barazuar me IK.

    Une thjesht e shoh nje provokim, per te ngrene karemin e debatit.

    1. Në fakt ti je haptazi i paragjykuar ndaj NJ, prandaj argumenti yt nuk qëndron. Edhe më tej i bie vlera, kur nisesh t’u bësh gjyqin qëllimeve që ka pasur NJ kur e ka shkruar dhe botuar letrën.

      Kështu, nga leximi i letrës, unë besoj se NJ-në e ka lënduar thellë trajtimi që i ka bërë IK-ja novelës së tij Dashuria e Mimozës. Pavarësisht nga ky lëndim (i natyrshëm për një shkrimtar), akuza objektivisht më serioze në letër ka të bëjë me datimin e romanit të Mjegullave.

      Unë shpresoj që IK të sqarojë edhe njërën edhe tjetrën – por jo nëpërmjet botuesit. Botuesi i IK-së shoots himself in the mouth, për ta thënë me një frazeologji të anglishtes; nuk e përfaqëson mirë IK-në dhe s’e luan dot rolin e agjentit të tij.

  4. I nerumi xhaxha, duke u perzier ne kete ceshtje hape kutine e pandores. Po te veresh kohen kur u hap ky debat, sezon pushimesh, do kuptosh qe mediave nuk i intereson fare cili ka te drejte, perderisa debati te kthehet ne bicim telenovele dhe te shesi tabloidet neper shezllonet e plazheve.
    Per sa me intereson ky debat, mendoj qe penat e medhaja ne pergjithesi kane mendje perverse. Sigurisht qe ndjej simpati per NJ qe ne kete moshe eshte i detyruar te pergojohet kaq poshtersisht, dhe shkaktar per kete behet egoja e semure e ish mikut te tij. Qe ta mbyll, po notove ne kenete vetem shushunja e malarje ka, rriju larg ketyre debateve ose levroiji ne gjuhe te tjera se gazetarucet pertojne po qe se artikulli kerkon me teper se Copy/Paste.

  5. Ky koment ndofta do te ishte me i pershtatshem per “KOHET E SHKRIMEVE”, por meqenese nje nga perfundimet e tij lidhen me “SQARIM PER LEXUESIN E PANORAMES” po e perfshij ketu.
    Une do te perdor nje lloj tjeter arsyetimi rreth kesaj ceshtje, qe eshte krejtesisht jashteletrar. Le te kemi parasysh qe edhe nje shkrimtar i jashtezakonshem nuk eshte vecse nje vdekatar i zakonshem, me fjale te tjera madheshtia si letrar, shkrimtar nuk e ben automatikisht shenjtor (ne kuptimin njeri super te mire, te pafajshem, te cilter, te dlire etj. etj, jo ne kuptimin qe ka ky term ne hapesiren e krishtere, ose sic e kuptoj une, jo edhe si e perdor Ngjela kur duke huazuar nje term fetar e paralelizon ate ne nje kuptim laiko-hierarkik te vlerave letrare shqiptare, se nuk besoj qe Ngjela te kete rreshkitur kaq shume sa t’i duket se IsKa na bartka edhe nje aureole).
    Le t’i shohim pjestaret e ketij debati si vdekatare te zakonshem.
    Vete Ismail Kadare sa c’eshte i permendur si shkrimtar i madh, po aq eshte i njohur edhe si objekt dhe subjekt i polemikave te te gjitha llojeve, letrare dhe jashteletrare, politike dhe ideologjike, prokosovare dhe kunderkosovare, morale, me sigurim dhe pa sigurim dhe lista mund te vazhdoje pa fund. Nje nga te parat qe kujtoj une (nuk them qe nuk ka pasur me pare) eshte edhe debati qe u ysht ne gazeten “Zeri i Rinise” kur u botua romani i tij “Dimri i Vetmise se Madhe” (me vone u be Dimri i Madh, se ne nuk mund te ishim vetem, kishim proletariatin boteror, partite ml, popujt e vuajtur te Botes etj). Pas kesaj, e sidomos pas 1990, disa nga polemikat e debatet e Kadarese ose rreth Kadarese jane ajo me K.Trebeshinen, A. Pipen, R. Qosjen, shemeria here e heshtur here e hapur me D. Agollin, jo thjesht rreth vepres letrare. I permenda keta thjesht sepse me duket nje argument i pa kundershtueshem qe IsKa sic ushqehesh me letersi (a vazhdon valle?) kishte nevoje edhe te ishte ne qender te vemendjes, sidomos pas vitit 1990, sepse me perpara kete e siguronte me fare pak mund.
    Megjithate, sic vlen per shume aspekte te tjera, te qenet ne qender te vemendjes vjen me nje cmim. Ne kete rast cmimi rezultoi i larte dhe me kohe vazhdon te rritet dhe duket se IsKa do te vazhdoje te paguaje edhe interesa. Nuk mund te them psh qe IsKa qe kur vendosi te botoje “Mjegullat…” e llogariti se cfare do te ndodhte, por me siguri vagullisht dicka ka ndjere. Jo domosdoshmerisht qe goditja e pare do te vinte nga ish-miku i tij i ngushte, sadoqe provokimi ishte i qarte, por qe turma kundershtare dhe ata qe i prijne kesaj turme ne menyre profesionale do te leshoheshin perseri mbi argumentin tashme te stershtrydhur, “A ka qene Kadareja disident, apo shtihet?”, “Cili ka qene raporti i tij shpirtror dhe profesional me SocRealizmin?”. Sido qe te ishte puna IsKa dilte i fituar, reklame per librin, me shume shitje, me shume para’ (vdekatar i zakonshem). Tani une mund te jem edhe gabim, po cili ne kete bote do ta merrte me mend e do ta zhbirilonte qe referimi pa emer i Kadarese ishte per NaJo? Edhe mund te kishte ndonje bashkemoshatar e mik i perbashket (ne kane pasur), por edhe po te ndodhte kjo, ne zulmen dhe rendjen e jetes shqiptare, mendoj se edhe po ta zbulonte, nuk do te merresh me kete pune.
    Mirepo Nashoja jo!…. i rene prej kohesh ne anonimitet letrar dhe shoqeror, si per shkak te moshes ashtu edhe per cilesine e vepres se vet letrare ky shkrimtar dhe vdekatar i zakonshem pa rastin per te dale ne siperfaqe edhe nje here, dhe kunder kujt, atij te poshtrit qe nuk i kishte zbrazur barkun kur e konsideronte shokun e vet te ngushte, a me te ngushte. Hej, pse jo? Me kete rast mbase njerezia behen kurioze dhe kerkojne qe “Dashuria e Mimozes” te ribotohet, pra ca shitje, ca para’, oops edhe nje vdekatar i zakonshem qe mund te nxjerre ndonje lek.
    E kuptoj qe e gjithe kjo mund te tingelloje cinike dhe e lige, por ne fund te fundit mund te jete edhe e vertete. Une psh nuk po them qe ish shoket kane folur ne telefon e kane thene “E’, e bejme nje na ato anonimet?” ka thene Nashoja, “Po e filloj une.” ka thene Isamili…. e keshtu pjesa tjeter eshte histori qe e njohim te gjithe. Ky interpretim po, e pranoj, qe do te ishte kulmi i cinizmit, po kushedi mbase edhe i vertete.
    Debatet e Ismailit apo rreth Ismailit, apo per ismailin me kohe i kane ndare shqiptaret ne kater grupe, ata qe e mbrojne me zjarr per cdo gje dhe sidoqe te jete puna, ata qe gjithmone behen me skuadren kundershtare per cdo gje e sido qe te jete puna, krejtesisht indiferentet, madje ata qe nuk i dine as emrin (keta IsKa i ka me inat nga te gjithe), nje pjese shume me e vogel, por si gjithmone me e mencura, me e ekulibruara dhe qe mundohet t’i jape Cezarit at qe i takon Cezarit dhe Ismailit ate qe i takon Ismailit (keta Ismaili i ka edhe me inat se indiferentet).
    Qe ketej rrjedh edhe titulli i Panorames. Meqe pjestaret e dy grupeve te para perbejne shumicen dermuese, pra tifozat dhe tifozat kunder, edhe pse mund te kuptojne egzistencen e grupit te trete (po keta nuk vlejne, se keta jane injorantet), nuk mund te kuptojne ekzistencen e grupit te katert (jo te grupit te te Katerve, kjo sikur eshte kineze). Pra per ta, meqe per vehte jane te rreshtuar rendshem o ne njeren o ne tjetren ane, cdo shkrimtar, shkrues apo shkarravites pa tjeter i perket njerit prej kampeve. Perkatesia percaktohet jo nga vleresimi qe i behet te gjithe ideve, apo kontekstit ne te cilen shprehet shkrimtari, shkruesi, apo shkarravitesi, perkatesia percaktohet ashtu sic ia ka qejfi tifozit bazuar ne ndonje fjale a fjali aty ketu, apo thjesht nga emri i atij qe shkruan.

  6. Ja edhe prononcimi publik i dikujt që deri edhe emrin tim nuk arrin ta shkruajë dot mirë, në lidhje me çështjen: Agron Gjekmarkaj, te Gazeta Shqiptare.

    Ajo çka më bezdis, është analiza që bën njëfarë Ardian Vehabi ose Xhaxhai, siç e thërrasin ëmbël me përkëdheli cazë këtu, i cili e merr si të mirëqenë tezën e Jorgaqit, pa i lënë asnjë ditë kohë historisë,ta verifikojë atë, dhe mbi të fillon e ngre një arsyetim detraktues. Këto më duken si metodat e Sigurimit famëkeq të Shtetit, që nga hiçi ndërtonte një alibi. Mesa duket, ajo vjersha e Nolit që thotë “mbahu nëno mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë” mund të rishkruhet “mbahu diktaturë mos ki frikë, se paskësh djem në Amerikë”. Ca shqipo e paskan zët të madh suksesin dhe famën e tjetrit. Iu prish gjumin dhe ëndrrat.

    Braccia tolte all’agricoltura.

    1. 2xha: “që deri edhe emrin tim nuk arrin ta shkruajë dot mirë…”

      Me ngjan se fatkeqeisht shperfytyrimi i mbiemrit nuk eshte thjesht nje gabim ne te shkruar. Une po hedh ashtu nje teze konspirative(sigurimsash sic mund te thoshte dikush) qe Gjekmarkaj mund te kete patur ndermend nje lidhje midis mbiemrit dhe sektit te vehabi-ve(ose forma tjeter e shkurter vehbi, kjo sipas themeluesit te sektit, imamit Muhamed Ibn Abdul Vehab-it(ose Vehbi-ut); ne anglisht Muhammad ibn ʿAbd al-Wahhab ose sic njihet me Wahhabism sect or movement. Sinqerisht, eshte thjesht nje “personal hunch” si thone anglezet.

      Kjo me ben te mendoj se per personin ne fjale(te cilit supozoj se i adresohet), shprehja “braccia rubate all’agricultura” mund te marre nje sinjifikance tjeter.

      Mund te jete ndoshta nje paranoje nga ana ime. 🙂

      1. Mundet fare mirë të jetë kështu. Etika e sotme e “debatit” publik po jep rezultat – në kuptimin që shtrembërimi i emrit të “kundërshtarit” për ta zvogëluar si person, ose për ta de-personalizuar, është bërë tani taktikë e rëndomtë. Gjekmarkajt nuk do t’i kenë munguar mësuesit në këtë fushë. Vëreje edhe përdorimin e asaj “njëfarë” para emrit tim – përftesë gjithashtu tipike, për ta degraduar tjetrin, për ta shpallur si të papërfillshëm që pa e nisur debatin me të.

        Duke pasur parasysh që ky Gjekmarkaj nuk po shkëlqen gjëkundi në ato që shkruan; dhe që, megjithatë, e gjen gati përditë me nga një artikull në mediat (edhe pse të bazuar te MAPO-ja, e cila po i koleksionon këto figura), pyetja për t’u bërë është se çfarë ose kush po e energjizon kështu; dhe ç’nevojë do të kishte IK-ja për një çetë të tillë kryqtarësh të lemerisur, që po duan ta mbrojnë kundër një rreziku imagjinar.

        Vëreje edhe, më në fund, që Gjekmarkaj nuk ka ndërmend të hapë ndonjë debat me mua, por vetëm të ma shtypë kokën si të pleshtit, duke më përfolur diktaturën, zilinë dhe Amerikën, ose duke u orvatur për një ad hominem rudimentar, që duket se nuk e ka përvetësuar mirë akoma (ka mjeshtra që do t’ia mësojnë edhe këtë).

        Ai nuk kërkon të flasë dhe të komunikojë, por veç të dënojë dhe t’u tregojë vendin atyre që i ka identifikuar si armik, duke u rreshtuar njëkohësisht në kampin ku kërkon që ta pranojnë: le të themi, si një ushtar në kërkim të togerit, për të mos thënë si një sheleg në kërkim të bariut. Ironia në këtë mes është se, gjithë duke u sjellë në mënyrë fashiste me kolegun e vet e duke pështyrë mbi të, e akuzon pastaj për nostalgji ndaj diktaturës!

        1. Në intervistën e tij, Gjekmarkaj e përmend dy herë etikën. Përfitoj nga rasti për t’ia kujtuar edhe vetes se sulmet ad hominem, e ca më keq përqeshja ose përbaltja e tjetrit, sidomos kur nuk e mendon si ti, nuk është aspak etike. Në publik diskutohet, hidhen mendime, bëhen debate, por gjithnjë duke e respektuar bashkëfolësin dhe pa shpallur vendime të formës së prerë “në emër të popullit”.

          P.S. Nuk e dija që Xhaxhai qenka trajta e ëmbël e emrit origjinal, kujtoja se ishte një pen name tashmë i mirënjohur, që lexohet me kënaqësi dhe që ka ç’t’i thotë publikut shqiptar. E këtu kemi filizin e një fenomeni të ri: sulmi kundër pseudonimit publik për të kaluar tek personi.

  7. Sa here qe hapet debati mbi Kadarene, shperthejne mllefet, sharjet, qendrimet ekstreme. Eshte interesante nga pikepamja sociologjike te shqyrtohen kategorite e ndryshme qe vijne e pervijohen ne keto debate. Ne te vertete ne to Kadareja eshte vetem sebepi, katalizatori, sepse thelbi i tyre nuk ka te beje thuajse kurre me vepren e tij letrare, por me pozicionimet e sotme mirefilli politike e ideologjike te debatuesve.

    Asnje veper letrare nuk i ka ndare e perçare shqiptaret si vepra e Kadarese, sepse ajo eshte vepra me e hapur e gjithe historise se letersise shqipe. Secili prej nesh ate e ke lexuar ne menyren me te gabuar, sipas qellimit te tij si lexues, qe thuajse kurre nuk ka perkuar me qellimin e autorit e aq me pak te vepres. Ne fakt te ajo veper ne kemi lexuar vetveten. Kuptohet, flas per ato raste kur e kemi lexuar, sepse jo rralle ndodh qe te perfshihemi ne debate edhe pa e lexuar fare ate.

  8. “Secili prej nesh ate e ke lexuar ne menyren me te gabuar, sipas qellimit te tij si lexues, qe thuajse kurre nuk ka perkuar me qellimin e autorit e aq me pak te vepres”

    Me fal per cfare po flitet ketu, per ndonje manifest ? Ne menyren e vete ??…nuk ka perkuar me qellimin autorit/vepres ?? It’s the econo…sorry, literature, tha…

  9. Shkruan Alfred Lela tek MAPO mbi këtë temë, ndër të tjera:

    Te mëvetësia në spikamë, e shndërruar në universalizim të veprës letrare, fillon edhe tëhuajëzimi (in)koshient i anti-kadareanëve me Shkrimtarin. Me filozofinë e tij hapur Oksidentale, antishenjë e parapëlqyer e së cilës janë sovjetizmi (lexo bizantinizmi politik e shoqëror) dhe otomanizmi (lexo orientalizmi despotik e kulturor). Kadare i ka pasur e i ka tema të parapëlqyera marrëdhëniet e shqiptarit me ‘sovjetiken’ dhe ‘otomanen’, me orientalen dhe oksidentalen, me mitin dhe anti-mitin. ‘Mosmarrëveshja’, një dhjatë e antropologjisë kombëtare më shumë se një sprovë, është dëshmi e kësaj.

    Unë shikoj një pattern këtu, nga një sërë autorësh, kryesisht të identifikuar si katolikë, që po synojnë t’a kthejnë Kadarenë në një totem të katolicizmit.

    Vazhdon akoma deliri, pak më poshtë:

    Nuk është e rastit që ai është prej të targetuarve të mëdhenj, njëri krah i Trinisë (së shenjtë) të universalizmit e oksidentalizmit shqiptar: dy të tjerët janë Nënë Tereza e Gjergj Kastrioti.

    Këto lloj shkrimesh ndikojnë mbi natyrën e reagimeve – duke i çuar deri në ekstrem.

    Të shkruash se, kush është kundër Kadaresë i bie të jetë ose bizantin, ose otoman; nuk është as perëndimore – apo oksidentale? as katolike; është… nëse duhet përkufizuar: paganizëm totemist para kristian, me grimca animizmi primitiv – ndryshe, thjesht idiote.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin