Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi / Totalitarizëm

JETA SI VEPRA SI NJERIU

Le të përfitojmë nga debati i tanishëm për realizmin socialist dhe letërsinë e sirtareve të botuar rishtas për t’i hyrë një reflektimi rreth kulturës dhe letërsisë, si pasqyra dhe modalitete të shoqërisë shqiptare; sa kohë që jemi përfshirë.

Flitet shpesh për Kadarenë “disident”, që i kundërvihet Kadaresë “shkrimtar të oborrit” – në të dy rastet, bëhet fjalë më parë për IK si autor të veprës letrare, dhe më pas për IK si person publik dhe pastaj privat, që ka jetuar mes nesh në Tiranë, ka thithur të njëjtin ajër me ne dhe ka rrahur të njëjtat bulevarde.

Por sa e vështirë të ndahen këto dy fillesa, këto dy narrativa, këto dy vija biografike; dhe sa të vështirë e kemi ne për t’i ndarë, ne që si publik jemi të specializuar veç në ad hominem.

Unë do të thoja që e vetmja mënyrë e arsyeshme për të folur rreth distancimit të IK-së nga regjimi i Hoxhës – se për “disidencë” nuk besoj se duhet folur – është që ta trajtojmë këtë si proces, si një shndërrim që ka ndodhur hap pas hapi, krahas me rritjen intelektuale të IK-së dhe famës së tij anembanë botës.

IK-ja nuk erdhi në këtë botë as si komunist, as si antikomunist – rrethanat e bënë komunist, poet revolucionar, militant, barrikadist; duke e ngjitur deri në kupolën e shtetit totalitar.

Përkundrazi, talenti letrar i pazakonshëm, inteligjenca dhe ekspozimi prej protagonisti ndaj botës Perëndimore e ftohën ndaj komunizmit, veçanërisht ndaj versionit provincial, autarkik të komunizmit në Shqipëri.

Distancimi i tij ishte kështu intelektual dhe estetik; dhe më parë i ndodhi IK-së si autor ose zë që rrëfen veprën e tij, dhe më pas IK-së njeri publik.

Në kuptimin që autori, të themi, i “Pallatit të ëndrrave” ishte mërguar shpirtërisht me kohë dhe e kish denoncuar regjimin totalitar të Enver Hoxhës vite para se IK-ja publik të bënte gati valixhet dhe të merrte arratinë nga Rinasi.

Të gjithë ata që, në kërkim të një idhulli për ta adhuruar, kujtojnë se e kanë gjetur te IK-ja, gabojnë – sepse shenjti i tyre, për ta thënë me metaforën që ka zgjedhur S. Ngjela, nuk e mohoi paganizmin komunist për arsye morale (si Haveli, sa për të sjellë një shembull); por për arsye estetike, intelektuale dhe, si të thuash, imagjinative.

Romani i sapo-botuar Mjegullat e Tiranës i shtohet veprës letrare së IK-së, sikurse i shtohet biografisë së tij, letrare dhe joletrare: përmendja e dorëshkrimit e nxjerr atë nga letërsia e mirëfilltë – sepse dorëshkrimi është letërsi e mohuar, e gjymtuar, e privuar nga lexuesi.

Dhe meqë flasim për biografi, të mos harrojmë se gjithkush prej nesh ka një përfytyrim të qëndrueshëm për jetën e vet, ose një narrativë të cilën e mban, në gatishmëri, në vetëdije – pse ajo ia ushqen me unitet unin, ose subjektin.

Pa çka se kjo narrativë gjithnjë vjen e ndërtuar post hoc, me copëza ngjarjesh që nuk kanë doemos lidhje mes tyre; sikurse vetë uni, ose subjekti, është një mozaik pamjesh dhe shkrepjesh çasti, që lidhen sëbashku nga ligjërimi dhe emri i përveçëm.

Ka një të përbashkët të madhe midis letërsisë dhe këtij imazhi që kemi për veten; në të dy rastet, bëhet fjalë për një bashkëpunim me natyrë gjuhësore, ose një disiplinim ose ankorim përemrash me emra të përveçëm dhe identitete.

Kur dikush bëhet figurë publike, këtij dyzimi i shtohet edhe biografia e figurës publike vetë – ose jeta për të tjerët, si cilësisht e ndryshme nga jeta ime, për mua.

Edhe kjo është narrativë, dhe si çdo narrativë tjetër mund të editohet – por me sa të drejtë morale?

IK-ja, si njeri dhe si autor, i ka jetuar të dy kohët, me cilësinë e protagonistit; dhe tani redaktorit të narrativës së tij personale, cilido qoftë ky redaktor, i duhet të rivendosë unitetin mes këtyre dy IK-ve – ose t’i japë konsistencën e nevojshme tekstit IK.

Të gjithëve na ndodh kështu; por personat publikë kanë fatin e keq që këto redaktime të narrativës vetjake t’u bëhen edhe ato në publik.

IK-ja vetë, këto 20 vjet, i ka ripunuar shumë nga veprat e shkruara nën totalitarizëm; botuesi i tij thotë tani se “Nga përvoja 20 vjeçare me Kadarenë mund të them se kurrë nuk ka patur asnjë rast, që ai të ndryshojë, retushojë veprat e tij” – duke shtuar pastaj se ka pasur “retushime të karakterit gjuhësor, artistik, po”. Janë të papërgjegjshme këto pohime, përveçse kontradiktore. Mjafton një rilexim, qoftë edhe i përciptë i disave nga veprat, për t’i pikasur ndryshimet, ndonjëherë të rëndësishme – atëherë ç’kuptim ka të thuash “kurrë nuk ka patur asnjë rast?”

Por le të mos e humbasim fillin; po flasim për ripunime tekstesh, dhe tema vetvetiu do të na shpjerë edhe te ripunimi i atij teksti, që është biografia publike e IK-së; ose narrativa që i është dhënë publikut, për këtë biografi.

Nëse botimi i Mjegullave të Tiranës ia shton një libër raftit të veprës prolifike të IK-së, data që i është vënë në fund atij romani është instancë e këtij ripunimi, editimi, ri-organizimi të narrativës personale; sipas modelit me të cilin janë retushuar veprat – pa çka se unë nuk do ta quaja këtë retushim as gjuhësor, as artistik, madje as thjesht “kronologjik.”

Dhe çfarë nuk më shkon, në këtë mes, është përpjekja për ta paraqitur jetën private dhe publike të IK-së sikur të ishte edhe ajo pjesë e artit të tij, ose diçka e krijuar gjithashtu prej tij; në bazë të një silogjizmi të kalbur, se kemi të bëjmë, në të dy rastet, me narrativa.

Natyrisht, ky narrativizim i jetëshkrimit, kjo lektisje pas incidenteve ndonjëherë banale, ndonjëherë tepër private, ndonjëherë të parëndësishme në jetën e IK-së njeri na çojnë drejt e te etiketa e “shenjtit”, që ia vuri shkrimtarit tani S. Ngjela; dhe s’bëhet fjalë vetëm për një metaforë këtu, por për një program, për një strategji të mënyrës si duhet folur për IK-në në publik; si duhet trajtuar ky njeri.

Kjo sepse jeta e shenjtit është ajo vetë e shenjtë, burim frymëzimi dhe narrativë e lexueshme në disa nivele; madje shenjti është i tillë, pikërisht ngaqë ka jetuar shenjtërisht.

Pa çka se për të gjithë ne, që ishim mësuar ta lexonim IK-në si ikonoklast, antikonformist dhe antidogmatik, ky shenjtërim i tiji tani vjen të paktën i neveritshëm – ose, për ta ruajtur tonin leksikor të Ngjelës, si sakrilegj.

Ka edhe më: atje ku disa shohin shenjtë, të tjerë do të shohin idhuj – dhe po të gjykojmë nga mënyra si është mbrojtur IK-ja këto ditë në mediat, do të vërejmë si narrativa e idhullit ka marrë epërsi ndaj asaj tjetrës, më të rafinuar, të shenjtit.

Vëreni se çfarë po i bëjnë Nasho Jorgaqit, që guxoi të kundërshtojë dogmën e tanishme, ose versionin e miratuar të narrativës aktuale, për IK-në “disident”, “shkrimtar të kombit”, “antikomunist” – një narrativë që, në fakt, e ka degraduar jetëshkrimin aq kompleks të këtij autori në strip vizatimor për fëmijë me prapambetje mendore.

Ypi 2

Vëreni entuziazmin me të cilin i janë lëshuar NJ-së virtuozët e ad hominem-it; vërejeni dhe mendoni se sa pak ka ndryshuar nga koha e gjyqeve te Kinema Republika.

Ypi 1

Për fat të keq, këtë pisllëk fashist tani mund ta ndalë vetëm Kadareja vetë.

Shënim: ky shkrim nuk lejohet të riprodhohet në asnjë media, elektronike ose të printuar.

9 Komente

  1. per mua problemi i letres se NJ se eshte me i thjesht, cuditem si nuk arrine nje pjese e mire te kuptojne konteksin…aq me teper Ngjela te cilit balanca i ka shkare pak kohe me pare bashke me postin e ministrit te drejtesise
    IK ja nuk mund te publikonte nje veper te tijen pas 25 vjetesh demokraci, sigurisht jo me pare(as behet fjale) , keshtu tak fak pasi te tere do cuditeshin e do thonin po ky ku e kishte deri tani kete veper qe as e ka permendur, apo e kishte humbur…apo mos e ka kembzer me znj NH a apo ku di une se cfare…e pikerisht pak kohe pasi kish deklaruar qe nuk do te shkruante me letersi artistike, ndodhi cudia…por i duhej nje sfond, i duhej nje debat dhe ish miku i rralles bashke me librin e tij ishin perfekt per te goditur e bere bingo duke krijuar atmosferen e pershtatshme dhe me nivel jo cfardo. Profesori i plotesonte te tera keto…, dhe ja goditi ate memenyren qe ai di ta beje mrekullisht dhe hodhi ne qarkullim librin sikur asgje te mos kish ngjare
    NJ ja padashur beri lojen e tij pasi u mor me ceshtje karakteri dhe kujtimesh nostalgjike te kohes, dhe IK ja futi nje liber qe bluante prej vitesh ne koke sikur ta kish shkruar ne vitet 50, skenari nuk ka te share as per nje film te Hitchcock ut
    Respekt per NJ in por IK ja eshte mjeshter jo vetem i librave, jo vetem ne diktature por dhe ne demokraci per tu perdredhur ne interes te qellimeve nga vete ai te inskenuara, nuk di pse nuk perdor nje prej syresh per te tentuar cmimin N…

  2. E vertete eshte! Ne shqiptaret flasim shume per Kadarene si person, por fare pak per vepren e tij letrare, madje edhe kur flasim per vepren, e bejme kete me terma politike dhe aspak letrare.
    Une kam kohe qe kam krijuar bindjen e patundur se te gjithe ata qe ngene akuza politike ndaj Kadarese duke e quajtur shkrimtar oborri etj. nuk kane lexuar asgje prej vepres se tij, perjashtuar ndonje cope antologjike nga librat e gjimnazit.

    Kadare eshte bere person publik sepse ka shkruar nje veper letrare. Fytyra e tij publike eshte vepra. Per pasoje diskutimet publike perligjen vetem nese behen me terma, mjete dhe kritere mirefilli letrare. Perndryshe mbeten pallavra.

    Sa per ato qe thote Xha Xhai mbi retushimet dhe ndryshimet e veprave te ribotuara keto vitet e fundit, tema me duket tejet interesante. Une vete i kam lexuar (dhe rilexuar) ato vepra thuajse gjithmone ne botimin e pare. Edhe pse nga pikepamja ngushtesisht ligjore çdo autor ka te drejte te ndryshoje dhe rishkruaje si te doje veprat e tij, praktikisht nje veper letrare, qysh nga çasti qe botohet, nis nje jete te veten, nuk i perket me autorit te saj, behet prone shpirterore e publikut, ndaj mendoj se nuk eshte mire te preket.

    Para dy-tri vjetesh Umberto Eco ribotoi nje version te rishikuar te “Emrit te trendafilit”, duke deklaruar se nuk mundi t’i bente balle tundimit qe e kishte munduar prej vitesh per te ndryshuar e ndrequr disa gjera ne nivelin stilistik. Me gjithe justifikimet e tij, kritika iu versul me nje egersi te papare duke e akuzuar se po bente nje operacion me natyre komerciale, per ta afruar librin me publikun e gjere, per ta bere me te shitshem etj. Ekspertet thone se ne fakt ia ka ulur nivelin.

    1. Kur po përgatitesha për një studim monografik, e kam krahasuar gati rresht për rresht botimin e vjetër të njërit prej romaneve të para të I.K.-së me versionin përfundimtar të viteve 2000. Kam gjetur ndryshime të panumërta, disa prej të cilave dalin nga rrafshi diskursiv, për të prekur vetë narrativën. Prandaj nuk e kuptoj botuesin, i cili flet pa përgjegjësi – sa kohë që ndryshimet dhe ndërhyrjet në tekstet mund të dokumentohen lehtë.

  3. 2xha: “Kjo sepse jeta e shenjtit është ajo vetë e shenjtë, burim frymëzimi dhe narrativë e lexueshme në disa nivele; madje shenjti është i tillë, pikërisht ngaqë ka jetuar shenjtërisht.”

    Une nuk do ta merrja “at face value” shprehje e perdorur nga Ngjela. Eshte nje “misplacement”, aplikim i gabuar, i dale nga nje gjuha kunfuze, qe reflekton nje coroditje ne te menduarin e avokatit(me shume si nje emer mafioz), karakteristike e njohur e bla-blave publicitare te tij.

    Batareja e frazave te avokatit, mendoj eshte thjesht nje admirim i llojit Ngjela (pavarsisht se nuk ka te ngjare qe ne thelb te admiroje kerkend sinqerisht, vecse vanitetin e tij intelektual), qe shpreh per vepren letrare te Kadarese dhe statusin si shkrimtar qe ka fituar ai, qe sic nenkuptova, gabimisht mund te merret si sanktifikim i jetes, apo fabules morale te personazhit real.

    Por mu duk me interes hipoteza qe hedh 2xha, ne lidhje me alterimet e tekstit qe shkojne deri ne prekjen, modifikimin e narratives origjinale. Kjo eshte shume e rendesishme dhe serioze dhe sikur nderthuret me idete qe percohen ne shkrimin e mesiperm, qe dashje, pa dashje, hedh dyshime serioze ne figuren morale te Kadarese, apo njerezve qe “revizionojne”, alterojne, se toku me te, vepren e tij.

    Ketu mund te ndalohet dhe mendoj se eshte jo shume e veshtire per njohesit dhe hulumtuesit e tekstit te shkruar te provojne hipotezen e ngritur. Them hipoteze, se nuk kam pare deri me sot, dicka konkrete, te detajuar ne kategorine e letersise(teksteve) krahasimore, per ta parashtruar dhe per ta provuar katerciperisht.

    Mendoj se 2xha ka kellqet intelektuale ta beje nje gje te tille dhe per t’i dale perpara cdo keqkuptimi, apo te veshtruarit te nje ndermarje te tille si dashakeqe, te kerkoje parasegjithash bashkepunimin e vete shkrimtarit, Kadarese, bashkepunetoreve, redaktoreve, apo botuesit te tij.

    1. Kadareja vetë ka folur për këto ndryshime, redaktime, shtesa, heqje, prekje, përditësime… duke shpjeguar se disa prej tyre pasqyrojnë atë çfarë ai kish vërtet në mendje, por që nuk e shkruante dot, në kohën kur u botua vepra për herë të parë. Për shembull, krejt izotopia narrative dhe diskursive e Krishterimit të arbërve, te Kështjella. Nuk ka qenë më parë, është shtuar më pas. Kjo nuk ka të bëjë as me gjuhën as me rrafshin diskursiv të veprës; por me narrativën dhe stancën autoriale. Botuesi i IK-së flet pa u menduar mirë, tingëllon i trembur, dhe më shumë e dëmton, sesa e ndihmon shkrimtarin; sepse e vë veten në pozicion mbrojtës, edhe kur nuk është nevoja; sa kohë që nuk ka asgjë të fshehtë as tinzare në rishikimet e një teksti që ribotohet; edhe pse ca lexuesve kjo përftesë mund të mos u pëlqejë. Mua nuk më pëlqen fare, më duket shkelje e paktit të shkrimtarit me lexuesin, por nuk është se kam ndërmend të ngre ndonjë “padi” për këtë punë. Por do të më kish ardhur mirë, sikur të gjeja një shënim, në hapje të botimit të ri, që të më lajmëronte se çfarë është prekur dhe pse.

  4. Ne fak, keto meselete e perseritura me Kadarene tregojne nje nga karakteristikat me te forta te tij. Ate te notimit bukur ne “sistem”. Deri dje notimi ishte politik perderisa politika qe thelbi i sistemit. Kjo dihet dhe eshte analizuar shume.

    Por ajo qe vihet pak re sot eshte notimi po aq i shkelqyer ne komerc-boshti i sistemit te sotem te tregut. Prandaj keto tymnaja, akuza, thashetheme VIP-ash rreth aspekteve intime te autorit marrin rendesi ne ditet e sotme. Marrin rendesi sepse me to ushqehet komercialja. Cdo lloj reklame e sidomos anti-reklame perkthehet ne shitje. Pjese e mozaikut komercial eshte dhe deklarata e Kadarese se nuk do te shkruaje me letersi artistike. Dhe ja ku del nje liber i pazbuluar me pare. Dikush shkruan nje artikull dhe efekti domino ndodh. Tani shitja e nje libri me shume gjase te parendesishem ne cdo aspekt eshte e garantuar. Perndryshe te pakte do te ishihn ata qe do ta kishin blere.

    Te kuptohemi, nuk eshte se te gjitha keto behen qellimisht nga vete Kadareja apo ndonje agjent i tij letraro-tregtar. Kjo edhe per faktin se agjente te ketij lloji nuk ka akoma ne Shqiperi (nje vend qe refuzon te hyje ne treg edhe pas kaq dekadash). Eshte vete figura e Kadarese (dhe kur them figura mendoj edhe vepren e tij si te pandashme me te) qe gjeneron vetvetiu kete energji. Kadareja vete eshte si ai lojtari i rendesishem ne nje ndeshje ku jo te gjitha levizjet qe ai ben jane te programuara qe ne stervitje. Perkundrazi shume prej tyre jane spontane ne varesi te situates. Kjo situate dje ishte kryesisht politike. Sot eshte kryesisht komerciale.

  5. Mua me duket se Kadare ka nje detyre tejet te veshtire te hedhe poshte idete e verejtjet e NJ ne letren e tij. Pa e njohur NJ por duke lexuar letren e tij ndjeva nje respekt per menyren e kulturuar , pa mllefe, pa devijuar nga qendrimi i nje njeriu te mire qe eshte thirrur pa dashjen e tij ne debat, ai nuk e “sulmon per vdekje” kundershtarin por e fton per debat. Nga fillimi ne fund letra eshte e shkruar me miresi.Ky eshte pozicioni qe ka marre NJ. Kunder ketij qendrimi IK duhet te tregohet nje njeri pa mllefe e i stermire.
    – Kurse per sulmet e erreta e fashiste te Haxhiut e Ypit me benin te skuqesha kur i lexoja e mendoj qe i kane bere nje dem te madh IK. Keta mbrojtes fashiste te pamoral duhet ta bejne “te vere duart ne koke” IK se eshte me keq se te jesh “heroi pozitiv i nje romani”.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin