Shkrimtari dhe studiuesi Nasho Jorgaqi i ka shkruar një letër të hapur Ismail Kadaresë, këto ditë, në përgjigje të disa gjërave që ka thënë ky i fundit në një intervistë, në lidhje me gjenezën e romanit Mjegullat e Tiranës.
Letra e N. Jorgaqit merret me një varg çështjesh që mund t’u interesojnë historianëve të realizmit socialist shqiptar – duke filluar që me marrëdhëniet e këtyre dy shkrimtarëve kur ishin ende letrarë të rinj; dhe marrëdhëniet e tjera midis historive të tyre rinore dhe librave që shkruanin ose që përpiqeshin të shkruanin në ato vite.
Megjithatë, në letrën e vet, Jorgaqi hedh një akuzë serioze: atij i rezulton që romani Mjegullat e Tiranës “të mos jetë shkruar në vitin 1958”, por
në vitet e [m]ëvonshme, ndoshta dhe para pak vitesh, pas shpalljesh botërisht të vendimit se nuk do të shkruaje më letërsi artistike. Ka qenë kjo kohë kur të kanë tunduar kujtimet dhe ditaret e rinisë së hershme për të shkruar një vepër të mistifikuar.
Pra, gjithnjë sipas mikut të vjetër dhe kolegut Jorgaqi, Kadareja i paska paraqitur lexuesit si të hershme një vepër të shkruar vonë, me qëllimin që
t’i tregosh lexuesit të sotëm se ti, qysh në hapat e para letrarë, nuk e pranoje realizmin socialist […].
E thashë, akuza është tejet serioze, madje edhe për kontekstin moralisht të falimentuar të debateve publike në Shqipëri; dhe argumentet që sjell Jorgaqi, disa me natyrë personale dhe të paverifikueshme, të tjera me natyrë më “letrare”, meqë vënë në dyshim edhe mundësinë që një autor i ri si Kadareja, i pafamiljarizuar me Perëndimin, praktikisht i padalë nga Shqipëria dhe i formuar në shkollat e regjimit, të shkruante një vepër aq jo të realizmit socialist, paralelisht me libra me poezi që i kushtoheshin “Sekretarit”, “Leninit” etj.
Vërtet mund të ndodhë që një shkrimtar të fillojë ta shohë edhe jetën e vet si pjesë të veprës së vet; dhe ta rishikojë biografinë, e cila përfshin edhe kronologjinë e veprave që ka shkruar, njëlloj siç ia lejon vetes të rishikojë veprës.
E dimë që Kadareja ka botuar, në mënyrë të përsëritur, versione të përditësuara të romaneve të veta të periudhës totalitare; të cilat janë “pastruar” nga ideologjia e kohës. I pyetur për këtë kirurgji plastike, ai ka thënë se, në fakt, këto të rejat janë versionet e mirëfillta të veprave, ose tekstet ashtu siç i kish dashur të ishin që në krye; dhe nevojat e hershme për t’ia përshtatur veprat kërkesave të Realizmit Socialist ia kishin përçudnuar ato vepra.
Mirëpo, në rastin e Mjegullave të Tiranës, të cilin mediat e kanë paraqitur si roman “me frymë moderne”, dhe që u kundërvihej parimeve të realizmit socialist të kohës, data e saktë se kur është shkruar nuk ka vetëm rëndësi kronologjike.
Përkundrazi, ajo ndihmon për të kuptuar trajektoren e Kadaresë, nga letrar vjershash të stilit rus, në shkrimtarin ndoshta më të madh të Ballkanit gjatë viteve 1980, në përballje me regjimin e Enver Hoxhës nga njëra anë, dhe me tregun letrar të Perëndimit, nga ana tjetër.
Pa folur pastaj për njollën që do t’i mbetej çdo autori, i cili do të kapej në gënjeshtër ose shtrembërim me dashje, për periudhën se kur e ka shkruar një vepër të caktuar.
Sa për të sjellë një shembull: një roman amerikan i vitit 1966, për vrasjen e Presidentit Kennedy nuk do të përbënte ndonjë ngjarje letrare në vetvete; por sikur i njëjti roman të ishte shkruar në 1962, atëherë do të kishim të bënim me skandal.
Viti i botimit i Mjegullave të Tiranës nuk i përket vetëm kronologjisë, as kalendarit; por më shumë krejt procesit të vështirë dhe kompleks të shkëputjes së Shqipërisë së Pasluftës nga komunizmi – duke pasur parasysh se çfarë ndodh me elitat është përcaktuese edhe për procesin vetë.
Prandaj ndoshta Kadareja duhet t’i përgjigjet menjëherë kësaj akuze, në mos vetë, së paku nëpërmjet agjentit të vet në Tiranë; qoftë edhe për respekt të të gjithë atyre lexuesve të vet që, pasi janë njohur me letrën e Jorgaqit, e kanë pezulluar gjykimin, përkohësisht.
2xha: “Prandaj ndoshta Kadareja duhet t’i përgjigjet menjëherë kësaj akuze, në mos vetë, së paku nëpërmjet agjentit të vet në Tiranë..”
Duket se ka nje reagim te shpejte nga botuesi:
Botuesi i Kadaresë, përgjigje Jorgaqit: “Mjegullat e Tiranës”, e vërteta e dorëshkrimit.
http://www.balkanweb.com/kultur%C3%AB/2691/botuesi-i-kadarese-pergjigje-jorgaqit-mjegullat-e-tiranes-e-verteta-e-doreshkrimit-202372.html
Megjithate do t’i duhet eksperteve, studiuesve te doreshkrimeve, etj, qe te thone fjalen e fundit.
🙂
I vetmi argument qe sjell Nasho eshte: “Nuk e ka shkruar ne vitin 1958 sepse, meqenese atehere ishim shoke, do te ma kishte thene”.
Xha xha, pretendimet e Nashos jane krejt absurde. Nuk ka asnje akuze serioze aty, ka vetem ligesi dhe senilitet.
Po ta kishe lexuar romanin do ta kuptoje menjehere se eshte nje veper e se njejtes periudhe me “Qytetin pa reklama”, me te njejtin stil te pasigurt, me te njejtat naivitete, me te njejten fryme te paperseritshme te fundviteve ’50. Kadare i mevonshem nuk do te mundte kurre ta shkruante ate tekst.
Edhe diçka… Nasho thote se kane qene miq, por nuk thote se marredheniet u ftohen kur Kadare mori vesh se Nasho bashkepunonte ngushte dhe zellshem me Sigurimin.
Me kete lloj “kenge te mjellmes” Nasho i ve vulen nje ekzistence mjerani dhe deshtaku ne te gjitha frontet.
Po pse kaq ashpër me Nashon, Relapso? Unë e kam pasur profesor dhe më është dukur gjithnjë njeri i sjellshëm, delikat dhe korrekt. Të ketë qenë bashkëpunëtor i Sigurimit? Unë s’kam parë ndonjë provë për këtë – dhe kështu me llafe, edhe Ahmet Zogun mund ta nxjerrim bashkëpunëtor… Mund të mos pranosh asgjë nga ato që thotë Nashoja, xhanëm, por pa ad hominem, se këto e zhvlerësojnë edhe argumentin vetë.
Komenti im ne fakt ishte nje pergjigje per ate qe ti e quajte “akuze tejet serioze” te Nashos, bazuar ne argumente letrare qe “vene në dyshim edhe mundësinë që një autor i ri si Kadareja, i pafamiljarizuar me Perëndimin, praktikisht i padalë nga Shqipëria dhe i formuar në shkollat e regjimit, të shkruante një vepër aq jo të realizmit socialist…”
Te vjen te pyesesh: po a e ka lexuar Nasho Kadarene? A e ka lexuar Gjeneralin? Po “Kronike ne Gur”? E te tjera e te tjera qe nuk ia vlen t’i permend ketu? Nuk i ka bere pershtypje me pare qe ky “miku i tij” zakonisht shkruante vepra “jo te realizmit socialist”?
Sa per ate punen e sigurimit, une nuk thashe se Nasho ishte “bashkepunetor i sigurimit”, por thashe se “bashkepunonte me sigurimin”. Ka nje dallim thelbesor mes ketyre dy pohimeve: Nasho nuk ishte bashkepunetor i fshehte i sigurimit, nuk ishte nga ata spiunet e dosjeve me pseudonime etj. Ai bashkepunonte hapur dhe nuk e fshihte, sepse e konsideronte detyre politike, qytetare dhe patriotike te bashkepunonte. Madje asokohe ai vete mburrej me kete fakt, nuk e fshihte.
Jam dakord me vërejtjen për Sigurimin, duhet të isha shprehur më saktë; por unë në fakt nuk e kam dëgjuar ndonjëherë NJ të shprehet kështu, edhe pse e pranoj se nuk e kam njohur jashtë sallës së leksionit.
Sa për realizmin socialist, unë po, e kam dëgjuar 20 vjet IK-në të shpjegojë në publik pse veprat e tij i përkisnin realizmit socialist – prandaj e kam pak si zor që ta dëgjoj tani edhe 20 vjet të tjera të shpjegojë, po në publik, pse veprat e tij nuk i përkisnin realizmit socialist.
Duke qenë ai shkrimtari më i madh në Shqipërinë e viteve 1970-1980, unë besoj se realizëm socialist në Shqipëri ishte gjithçka botonte IK-ja. Përndryshe, sic ndodh shpesh me metodat letrare, veprat më të mëdha janë ato që ua negociojnë limitet.
Nuk kam asnjë dyshim, nga ana tjetër, se jeta personale e IK-së qytetar dhe shkrimtar dhe veprimtar publik nuk i ka përkitur realizmit socialist.
Edhe diçka… Me pyete “pse kaq ashper me Nashon”.
Sepse ne çastet kur shkrova ate koment “te ashper” seç m’u kujtua per dreq nje bisede qe kam bere ne rinine time me shkrimtarin Mustafa Greblleshi. E takova rastesisht ne nje sebep familjar dhe me tregoi duke iu dridhur buza per nje takim qe kishte pasur ato dite me Nashon ne studion e tij (Nasho kishte nje studio me vete, jashte shtepise, si piktoret) per nje doreshkrim qe i kishte dhene per t’i marre nje mendim. Kuptohet qe nga ai “mendim” varej fati i doreshkrimit. Me ka mbetur ne kujtese ajo bisede, ata sy gati te perlotur, ai ze qe perpiqej me kot te fshihte ngasherimin, ai burre fisnik qe pasi kishte studiuar letersi ne Itali, kishte shkruar romane kur Nasho i binte maces me luge, ishte persekutuar per hir te letersise e ishte shtrenguar te punonte si bojaxhi per te nxjerre buken e gojes, tani detyrohej te degjonte “verejtjet” e partishme te Nashos qe i kujtonte biografine, faktin qe partia ishte treguar zemergjere me te, etj. etj.
Subjektive, do te thuash ti. Ashtu eshte, subjektive, por meqe me pyete…
Romanin e Kadarese nuk e kam lexuar, por ate te Jorgaqit po, vite me pare. Kadareja dhe cdo nxjerrje, qofte edhe joletrare e tij eshte bere ngahera “molle sherri” midis admiruesve dhe ish-admiruesve(???).
Duke lexuar nje shpjegim te Kadarese per romanin(Panorama), si nje pjese, histori personale, qe ishte mbajtuar i pabotuar deri pak kohe me pare, mendoj se hidhet drite mbi arsyet e verteta te replikes se Jorgaqit, se perse “i ka djegur” kaq shume ketij te fundit.
Duke folur pikerisht per fatin e dy romane, Kadareja shpjegon edhe thelbin e ndryshimit te dy romaneve, ku njeri eshte i krijuar si veper sociorealiste, tjetri tregon historine e nje dashurie, pa percudjet parimore e letrare te personazheve dhe marredhenieve midis tyre.
Kadare: “Ndryshimi tjetër, ai thelbësori, ai fatali, ishte se, ndërsa njëri nga tekstet i përkiste realizmit socialist, tjetri, imi, s’kishte të bënte me të. Kur e kam lexuar, në vend të kënaqësisë, që do të ndiente çdokush që një ngjarje e jetës së tij kishte frymëzuar një vepër letrare, kam vënë duart në kokë. M’u duk një tmerr i vërtetë. Dhe ky tmerr lidhej, në radhë të parë, me personazhin kryesor, që duhej të isha unë vetë.”
Sic e shpjegon Kadareja vete, Jorgaqi mund te kete pasur si pikenisje “dashurine e Kadarese”, nje shkrimtari me shoqen e kursit, por e ka kthyer ne nje histori shabllone sociorealiste, ku personazhi pozitiv, shkrimtari ne kete rast. ve parimet, Partine, etj. mbi gjithshka, qofte edhe mbi nje dashuri te madhe.
Kadare: “Çdokush mund të pyeste: të paska nxjerrë keq në atë vepër? Të ka bërë personazh negativ?
Përgjigjja ime do të ishte e qartë: ku ta gjeja të isha negativ. Ishte e kundërta, duke kujtuar se më bënte nder, më kishte vënë në qendër të veprës si “hero pozitiv”! Dhe ishte pikërisht kjo që m’u duk si fatkeqësi.
Nuk e kisha marrë me mend se do të vinte dita që mbi shpinën time të ndieja se ç’turp do të ishte të gjendeshe si hero pozitiv në një vepër të realizmit socialist!”
Dhe pastaj Kadareja shpjegon klishene e nje vepre sociorealiste, dhe me te mendesine e krijimtarise te Jorgaqit:
“Që ta rrokni këtë, po jua shpjegoj. Personazhi qendror, domethënë unë vetë, isha një student që më rrinte mendja ditë e natë se si, pas mbarimit të studimeve, të shkoja ku të më dërgonte partia, për t’i
shërbyer popullit. Që ia kisha bërë të qartë të dashurës sime, studente gjithashtu, se mbi dashurinë ndaj popullit s’vija asgjë, madje as atë vetë, e kështu me radhë. Nga ana tjetër, e dashura ime portretizohej si një vajzë trillane kry eqy tetase, që e kishte mendjen të krihej e të zbukurohej, pa çarë kry et “për kauzën” etj. Ky ishte edhe thelbi i dramës që do të na çonte në ndarje! Zemërimi im për negativitetin e së dashurës (në të vërtetë, ajo ishte një vajzë e mrekullueshme nga të gjitha pikëpamjet) bashkohej me mllefin për pozitivitetin tim të padurueshëm. Por kry esorja ishte tjetër gjë. Për herë të parë, si një ndëshkim për atë me të cilën do të merresha, unë kuptova se sa çnjerëzor mund të ishte ky art. S’ishte ndonjë teprim po të dëgjoje se ishte shpikur një mallkim i ri, si ata që nisnin me fjalët “të pafsha në dreq a në dreqollë”. Në këtë rast, mallkimi do të ishte: të pafsha hero pozitiv në një roman të realizmit socialist!”
Eshte interesante te lexohen edhe kujtimet e vete Jorgaqit ne te njejtin shkrim, per te kuptuar se ne thelb Kadareja ishte ndryshe, preferencat dhe zgjedhjet i kishte ndryshe, shkruante ndryshe nga versniket e tij sociorealiste.
Nasho Jorgaqi: Dashuria tragjike e Kadaresë meshoqen e kursit
http://www.panorama.com.al/2014/07/23/nasho-jorgaqi-dashuria-tragjike-e-kadarese-me-shoqen-e-kursit/
Te tjerat, se cfare mund te kene ditur per njeri-tjetrin, sic eshte permendja e Relapsos, mbeten nen siperfaqe per momentin, pavarsisht se ka shume shenja qe nuk duhen injoruar.
“Dashuria e Mimozës” e Nasho Jorgaqit nuk u konsiderua si vepër tipike e Realizmit Socialist, përndryshe nuk do të hiqej nga qarkullimi dy herë; por më tepër si novelë sentimentale, me ç’më kanë thënë – për fat të keq nuk e kam lexuar as atë. Fakt është që në vitet 1960 dhe 1970 ka pasur një farë interesi kult rreth asaj vepre, e cila qarkullonte dorë më dorë, sidomos mes lexuesve vajza (nuk di nëse kjo do të mjaftonte për ta kategorizuar sot si chick lit). Pavarësisht se ç’thotë Ismail Kadareja sot, veprat tipike të Realizmit Socialist pritej që ta tregonin jetën ashtu siç duhej të ishte; dhe personazhi i Jorgaqit është i angazhuar politikisht dhe në sferën publike; dhe si i tillë nuk mund të mos ketë karakteristikat e njeriut të kohës (gatishmëria për t’i shërbyer Partisë, etj.); ndërsa ky i Kadaresë tani rezulton se ka qenë apolitik. Por kjo nuk bën gjë novelën e Jorgaqit të Realizmit Socialist. Unë do të shtoja, këtu, se në fund të viteve 1950 mund të ishe akoma apolitik, sikurse mund të ishe edhe kastravec, parazit ose rrugaç i rëndomtë; por kjo nuk është se të bënte gjë kundërshtar të regjimit; përkundrazi, ka një përvojë, sidomos sovjetike, që pikërisht mes këtyre kastravecëve, parazitëve dhe rrugaçëve rekrutoheshin operativët e sigurimit dhe mashat e tjera të dhunës totalitare. Nga ana tjetër, të shkruaje një roman, duke e vënë në qendër një personazh të tillë apolitik dhe duke i qëndruar larg problematikës publike të kohës do të përfaqësonte një gjest kundër regjimit, ose subversiv, me kusht që ai roman të lexohej njëfarësoj (i palexuar, nuk do të ekzistonte). Tani, duke pasur parasysh që novela e Jorgaqit ishte destinuar për botim, personazhi i atjeshëm, pavarësisht nga modeli që ka pasur në jetën reale, nuk mund veçse të kishte karakteristikat e parashkruara nga doktrina; ndërsa novela e Kadaresë ishte një eksperiment, një gjë sirtaresh, ku personazhi pozitiv mund të ishte ashtu siç ia donte zemra autorit, madje edhe apolitik, qelbësirë ose vjedhës xhepash. Do të kish qenë subversive sikur të ishte botuar ose të kish qarkulluar – por nuk ka ndodhur kështu. Dhe këtu ka një dallim të madh. Vetë Kadareja, kur ka botuar në atë kohë, e ka përjetuar trysninë e Realizmit Socialist dhe ka bërë kompromise me të. Ka shkruar vjersha dhe poema për Partinë, për Leninin dhe për qenin e kufirit, të cilat duhen interpretuar si lëshime të nevojshme, për të bërë të botueshme pjesën tjetër të veprës, atë që ngrinte peshë. Njëlloj, me të njëjtin metër, them se duhen trajtuar edhe “mëkatet” e novelës rinore të Jorgaqit – e cila, sidoqë erdhën punët, nuk u paraqit ndonjëherë si model i realizmit socialist.
Ja edhe një shkrim tjetër nga Muharrem Dardha, që e kontekstualizon debatin:
http://www.balkanweb.com/gazetav5/artikull.php?id=150929
Sic edhe permenda, e kam lexuar librin e Nashos, kohe me pare. Per nje lexues si une qe kishte lexuar Gollsworthin, Cvajgun, por qe lexoi ‘dashurine e Mimozes” me teper i cytur nga nje kushurire petroninse qe enderronte dhe ngasherehej sa here lexonte romane me teme dashurie, libri me eshte dukur nje lloj limonate/arancate e sheqerosur sociorealiste per te freskuar etjen e nje vere te nxehte, te thate, te tkurrur, totalitare tiranase.
Permendja e MD perkrah romanit te Nashos, e autorve te mesiperm, deshmon per kontekstualitetin dhe kufizimet estetike, filozofike ne letersine krahasuese te autorit te shkrimit(qe permende 2xha). Ne fakt romani mund te merret edhe si nje nje shembull, perpjekje e perafert e heroit pozitiv dhe dashurise se tij qe zbehet para militantizmit, revolucionit, partise, njelloj si ne romanin qe krijoi heroin pozitiv sovjetik, qe triumfoi mbi dashurine mikroborgjeze, sic ishte romani “Si u kalit celiku”.
Qelloi qe “dashuria e Mimozes” ishte konteksti i bisedave rinore “rebele” te nje pjese petroninse te bijeve dhe bijave te bllokut dhe rretheqarkut, qe ngashereheshin me dashurite sociarealiste dhe heroin pozitiv qe libri promovonte. Kishte qelluar qe kushurira ime te ishte ne nje brez me ta.
🙂
Libri i Jorgaqit brenda ngurtesise sociorealiste, nuk shtonte shpresen per letersi te mirefillte, por ngasherimet femerore per nje cike dashuri, momente idilike, sikur te mos ekzistontin. Sikur njerezit ne ate kohe kishin ndalur se dashuruari,, apo nuk e dinin se cfare ishte dashuria! A thua?
MD: “Duke treguar këtë detaj, dua të nënvizoj se novela “Dashuria e Mimozës” në ato vite, për ne brezin adoleshent që po rriteshim në një mjedis që sa vinte e bëhej më i mbyllur e më represiv, të etur për të lexuar letërsi erotike, ishte mjaft e kërkuar dhe nuk di pse dua ta krahasoj me “Lulet e mollës” të Gollsuorthit, apo me “24 orë nga jeta e një gruaje” apo “Letra e një të panjohure” të Cvajgut, të cilat i kërkonim me aq zell e dashuri dhe po me kaq zell i përpinim së lexuari kur na binin në dorë. Natyrisht, krahasimi që përdor ka doza hiperbolizimi, por asokohe, kur thuajse ishte tabu të shkruaje për dashurinë, novela e Jorgaqit erdhi si një dritë shprese në qiellin gri të letërsisë shqiptare… Kjo është e vërteta dhe këtu besoj se shpreh diçka që del më shumë se nga vetja ime.
Kadareja deshmon se ishte nje “silent mind”. Sic edhe permendet mesiperm, ai prodhoi edhe “endrra industriale socialiste”, nderkohe qe krijoi vepra per te cilat ai permendet dhe mbetet sinjifikant edhe sot.
Dualizimi i tij vinte fillimisht per arsyen e thjeshte, se ai ishte pjelle e sistemit. lindi nga ai, Ishte partizan e militant i tij. Por mendja analizuese, hulumtuese, aftesite deduktuese, krijuese, e bene qe te kaloje muret kufizuese sociorealiste te sistemit. Ai u rrit pertej kufizimeve ideologjike sociorealiste ne saje ndoshta pikerisht te gjenise qe ishte brenda tij.
Lenda e pare ishte vete sistemi qe e rriti dhe ishte i vetmi ndoshta qe e pa dhe e analizoi me sy kritik,, duke qene brenda tij, dhe ndertoi metaforen e tij letrare per te shprehur pikepamjet, botekuptimin e tij.
Kjo nuk ndodhi me Jorgaqin, ai qendroi besnikerisht brenda suazave, parcelave sociorealiste te sistemit. Ky eshte ndryshimi. Kadareja kishte talentin. mendjen letrare, politike, ideologjike, humaniste, qe fatkeqesisht nuk ishte pajisur mendja dhe atituda e Jorgaqit.
Figura te pakrahasueshme me njeri-tjetrin, qe te ben te harrosh “profesorllikun” e tij.
Më duket sikur shoh një fallacy (rrejshmëri) në arsyetimin tënd; fallacy që pastaj më del me ekran të gjerë dhe me ngjyra në disa shkrime që kanë dalë këto ditë në mbështetje të IK-së – nga Agim Baçi, Edison Ypi dhe Miranda Haxhia.
Kjo fallacy, e zhveshur lakuriq, do të tingëllonte kështu: në përplasjen Jorgaqi-Kadare, Kadareja ka të drejtë sepse ai është shkrimtar i madh.
Që të funksionojë ky arsyetim, duhet edhe një fallacy tjetër, më e imët: dhe pikërisht, që në këtë debat NJ dhe IK janë në të njëjtin rrafsh; ose barazia në pikënisje.
Në fakt, kur e formulon kështu, nuk mund të mos e shohësh gabimin – IK-ja mund të jetë i madh, por akuza e NJ-së është specifike; dhe nuk ka të bëjë fare me fushën ku është i madh IK-ja.
Tek artikujt e Baçit, Ypit dhe Haxhisë unë gjeta një idhullzim të IK-së i cili i bën atij dëm shumë më tepër se akuza e mikut të dikurshëm NJ; dhe që është tipik për ata që i janë afruar IK-së vonë, ose pasi ai e arriti suksesin si shkrimtar.
Një fallacy tjetër, që nuk ka të bëjë këtë herë me argumentin tënd, ka lidhje me mënyrën më primitive, më të trashë me të cilën mund të lexohet një tekst letrar, dhe që mund të kondensohet në reagimin: “nuk ka ndodhur tamam ashtu.” Sipas këtyre që shprehen kështu, letërsia nuk është veçse një mënyrë për të rrëfyer ngjarje që kanë ndodhur.
Jeta vetjake e IK-së mua s’më është dukur ndonjëherë as interesante, as intelektualisht stimulante; dhe elementet prej saj që janë bërë publike nuk më duket se i kanë shërbyer për gjë veprës së IK-së vetë.
Edhe një roman i tij i bazuar në një histori që i ka ndodhur “vërtet” do të më pëlqente po të ishte shkruar mirë, jo ngaqë do të “zbardhte” një incident përndryshe të panjohur. Disa mund të zbaviten duke e lexuar letërsinë si të ishte artikull tabloidi; por le t’i mbajmë larg tryezave të debatit këta shpellarë, për hir të letërsisë.
Premisat e shkrimit mbi te cilen u bazuan input-et(komentet) ishte nevoja per nje pergjigje nga ana e IK apo nje agjenti te tij. Pergjigja erdhi e qarte nga botuesi, i cili ofroi mundesine per te verifikuar doreshkrimet. Nje analize e tille, qofte edhe laboratorike eshte e realizueshme.
Komentet tona u ndaluan ne nje aspekt me transhendal, ate qe sa e njohim ne(perfshire ketu N.Jorgaqi, qe haptazi ka hedhur dyshime mbi kohen kur eshte shkruar romani ne fjale, bile sic e thekson edhe ti 2xha, Jorgaqi eshte akuzues, ka leshuar nje akuze) shkrimtarin, Kadarene, menyren e tij te shkruar, mendimet, qendrimet, letersine, qofte edhe ajo e sirtareve, intimja, autobigrafike. Per Jorgaqin, Kadareja qe ai njeh(njihte) nuk mund ta kete shkruar nje veper te tille ne vitet 50-te.
Ne kemi shume prova te dualizimi te Kadarese, te atij qe qendron ne shinat e sociorealizmit, dhe tjetrit, ku metafora e prozes se tij na ka tronditur, na ka mahnitur me bukurine, thellesine, frazologjine, leksikun, tematiken disi te vecante dhe menyren krejt ndryshe te trajtimit te saj, duke sfiduar moden sociorealiste(vete Jorgaqi na e sjell ndermend ne kujtimet e tij).
Kam qene nje lexues i Kadarese dhe kaq. Kurrsesi nje admirues i tij, por thjesht nje vleresues, qe i njeh meritat, dallon ne vepren e tij nje talent jo te zakonshem. Personalisht romanet apo tregimet e tij, i kam pare si barometra te evoluimit si pende, por njekohesisht edhe nje menyre testimi se deri ku mund te guxonte letersia e pendes se tij, te largohet nga ngurtesia e doktrines letrare sociorealiste, per te testuar ujrat mbytese te diktatures. Kjo ka qene edhe arsye perse letersia dhe kritika e vepres se tij ne Shqiperine e EH ka qene problematike.
Ne komentin, ku 2xha i referohesh mundesise te renies ne fallacy, thjesht i pergjigjesha komentit tend rreth kompromiseve qe duhet te bente shkrimtari per te pare driten e botimit vepra e tij. Kjo ne rastin e Kadarese ka te beje me dyjezimin dhe evoluimin e tij, si talent dhe botekuptim. Komentova shkurtimisht rastin e te dyve, qe ne rrugen e tyre, njeri fitoi statusin e shkrimtarit me te madh shkrimtar, kurse per tjetrin kompromisi, shitja e shpirtit, mediokriteti letrar i shitur per letersi, ishte e vetmja menyre ekzistence, per te ekzistuar si shkrimtar, per te shkruar dhe botuar. Por kjo nuk e beri te madh, pavarsisht.
Ketu nuk po perpiqemi per te gjetur se kush ka te drejte, por per te zbuluar se si qendron e verteta. E drejta dhe e verteta nuk jane e njejta gje me duket.
🙂
Sa per krahasimin me artikullshkruesit e tjere, nuk perafrohem me asnje. 🙂
A nuk ju duket se ka një shtinjari të madhe në ngulmimin shumëvjeçar të Ismail Kadaresë për disidencën e veprave të tij, bashkë me deklarimin e tij se vetë nuk ka qenë disident? Është përshtypja ime se ky është thelbi i debatit që ka hapur pa dashje Nasho Jorgaqi, jo edhe aq koha kur është shkruar romani i fundit i Kadaresë. Sikur ky i fundit të mos e kishte trajtuar me indiferencë dhe fyerje në një intervistë, Jorgaqi mendoj se as kishte për t’i hyrë fare kësaj pune. Pothuaj tërë korpusi i veprave kryesore në prozë të Kadaresë s’ka qenë tjetër veçse pasqyruesi në letërsinë e socrealizmit i zhvillimeve politike të periudhës socialiste, që nga lufta ndaj zakoneve prapanike, prishja me Bashkimin Sovjetik post-Stalin, ftohja me Kinën e Maos, izolimi i plotë, pa llogaritur pastaj kontributin prej komunisti të vërtetë në poezi, dhe luftën prej kryqtari në publicistikë, me emër e me pseudonime, në denigrimin e tërë figurave letrare të paraluftës, përjashto Migjenin që gati ishte shpallur poet zyrtar i komunizmit shqiptar, dhe Lasgush Poradecin, me gjasë për lidhjet familjare.
Kadareja i hapi vetes kutinë e Pandorës me Jorgaqin, vetëm e vetëm se nuk i pëlqeu bërja publike në veprën me kujtime të këtij të fundit të faktit se tiparet e personazhit të romanit të parë, romantik të Jorgaqit ishin pak a shumë ato të djaloshit Ismail. Sa kohë kjo ishte e padokumentuar, edhe pse mund të ishte e njohur për plot vetë në mjediset rrotull tyre, Kadaresë nuk i prishte punë. Por botimi me kujtime i Jorgaqit duket s’i ka pëlqyer në këtë pikë Kadaresë, ndaj dhe reagimi i tij në intervistën shpjeguese që i parapriu botimit të romanit të fundit. Pastaj edhe reagimi i tjetrit.
Por mes këtyre reagimeve e përfshirjes së të tretëve në debat, kam përshtypjen se thelbi po u rrëshqet duarsh. Ndoshta sepse askush nuk dëshiron t’i trazojë ato ujëra edhe kështu të turbullta. Ndaj edhe i fundit person i përfshirë në këtë debat letrash ka lëshuar thirrjen “I santi non si toccano!”.
Thelbi i debatit mund te jete edhe ky: A ka menduar e shkruar Kadareja “out of the box”, jashte klishese, dogmes, shabllonizmit, edukimit te letersise te realizmit socialist, kuader i te ciles ishte pregatitur dhe ne gjirin e te ciles duhet te militonte?
Librat, veprat e shkruara jane deshmia me e mire.
Eshte krejt e natyreshme ajo qe ka bere Kadareja. Nje pjese e temave te tij ka prekur dhe trajtuar “the path” te ngjarjeve te medha te regjimit te Hoxhes, te marredhenieve social-politike te sistemit brenda dhe jashte hekurave te izolimit. Nuk kishte se si te ndodhte ndryshe. Ai ishte realitetit qe ai perjetonte, njihte dhe kuptonte. Pyetja tjeter qe behet: Si na e ka sjelle ai ate realitet?
E ka perdorur penden e tij dhe bojen e saj per te retushuar realitetin sipas parimeve te realizmit socialist, duke qene nje mashe dhe vegel qorre e sistemit, apo penda e tij ka qene nje lloj llampe qe na ka ndricuar per te zbuluar sadopak skutat, shemtine, mizorite, djallezite, te pathenat e regjimit te Hoxhes.
Shkrimtari si cdo njeri tjeter, ka nje busull te brendeshme, qe do ta temptoje te zgjedhe midis konformistit, konjukturalistit, disidentit, fanatikut dhe pozicioneve te ndermjetme te tjera te pafundme.
Te provojme gjene me te thjeshte qe do te na bente me te besueshem dhe te vlefshem talentin e tij: te menduarin e tij jashte kornizave strikte te sistemit, “out of the box”. Po te provojme dicka te tille, nuk kemi nevoje te rrekemi te gjejme emra te tjere.
Ke të drejtë. Dhe s’është nevoja të lodhesh të shfletosh tërë krijimtarinë për të arritur në këtë konkluzion. Merr edhe shqyrto vetëm vjershën “anti-regjim”, të ndaluarën, të censuruarën “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, analizo elementet, strukturën, frymën, motivet, mesazhet e vjershës e gjithçka tjetër dhe do ta kuptosh shtysën, motivet dhe frymën e krijimtarisë “out of the box” të Kadaresë.
Mendoj se bere mire qe e solle si shembull poezine ne fjale, Cdo strofe eshte besnike e atij realiteti qe luhej dhe fjalorit qe konsumohej ne mbledhjet e byrose politike, ku trillet e udheheqesit, mund te kthenin brenda disa castesh cdo njerin nga besniket ne armik te popullit, te partise dhe klases.
Kemi pare deshmi filmike te farses qe luhej, ku nje paranojak, me nje gjuhe ordinere, duke qene vete skenaristi, regjizori dhe aktori fliste me cinizmin e papershkruar, nen emrin abstrakt te partise, popullit, klases punetore dhe leshonte rrufete zeusiane qe ngrinin nga hici, fortuna, fushata pastrimi, qarkullime kuadrosh, apo conin njerezit, vete anetaret e rrethit e Zeusit, byroistave para skuadrave te pushkatimit.
Pyetja qe mund te behet: A ishte ajo gjuha e Kadarese, apo gjuhe e huazuar nga fjalori i fushates te rastit per te mbushur nje detyrim si shkrimtar qe duhte te rrinte brenda rreshtit te “red guards”?
Dicka tjeter: A ishte zelli i shkrimtarit si nje “red guard” i revolucionit, apo nje doze e forte (auto)ironia per te pasqyruar dhe diskretituar njeherazi realitetin surealist te mbledhjeve te byrose dhe halucinaciove te percartura te Zeusit?
Sofizmat nuk e shpien dot larg këtë debat. I.Kadare mund të ketë qenë duke kaluar ndoshta një periudhë të trazuar për veten në atë kohë, që e ka shtyrë të dalë hapur në elozhe. (Kjo dalje hapur është, për mendimin tim, edhe arsyeja e refuzimit apo bllokimit të bërjes publike të vjershës, pasi E. Hoxha, ndër të tjera, pretendonte të paraqitej fshehtas e i sublimuar tek partia, shteti, sistemi në veprat e të parit, që edhe po financoheshin me përkthim jashtë vendit – sa për konsum të brendshëm, kishte të tjerë shkrimtarë në Tiranë nga e cila pritej ajo punë.) Por fryma dhe elementet e vjershës që shprehin mendimin politik të Kadaresë janë të njëjtat me ato të pjesës tjetër të korpusit panegjirik letrar, që është edhe pjesa kryesore e më e arrira letrarisht e veprës së tij, përjashto nga ky korpus “Kronikën”.
ergyspetriti: “I.Kadare mund të ketë qenë duke kaluar ndoshta një periudhë të trazuar për veten në atë kohë, që e ka shtyrë të dalë hapur në elozhe.”
Ishte nje loje qe e benin(benim) te gjithe, me duket. Per nje pjese te mire konsideroheshin thjesht shashka te zhurmshme revolucionare, per t’iu bashkuar zerave te turmes, zhurmes se fushates. Kadareja sigurisht qe ishte me i dukshem.
EH i duhej kjo atmosfere te kyente ritualin makaber te eleminimit te armikut imagjinar(shperndarjes se mijve, armiqve te partise neper skutat, cepat e Atdheut) dhe qetesimit te shpirtit dhe paranojave te tij. Ishte nje lloj transfuzion gjaku, ku me pare shamanizmi revolucionar, si nje heqim i pashkolle, kishte hequr, apo i duhej te derdhte gjakun e keq.
Elozhet, ose ruajtja e kornizes me portretin e udheheqesit ne mes, ne rastin e Kadarese ngjan te kete shkuar me tej sec duhej. Prandaj paranoia(EH) kur ka lexuar poezine pyeste veten: E ka seriozisht ky, apo do te talli bythen(me mua) me kete zell te tepruar? Une kam nje imagjinate vivide te Enverit me poezine e Kadarese ne dore(pa te shohim c’fare ka kollandrisur kete here ky gjirokastriti im miop).
🙂
E njejta pyetje eshte bere mijra here nga komuniste, kolege, bashkepunonjes, studente, anetare te BRPSH apo sekretare partie, kur njerezit recitonin si bilbila neper mbledhje vjersha te ngjashme me vargjet e Kadarese(se ajo as nuk eshte poezi e mirefillte). Nuk ishte mendimi politik i tyre, por ishte recitim permendesh(si te ishte kthyer ne nje natyre te dyte per secilin) i fjalive te rastit te udheheqesit per te inicuar ritualin e derdhjes se gjakut te keq. Kokat qe do te priteshin i kishte pare ne enderr udheheqesi, fati i tyre ishte i parathene. Njerezit, sebashku edhe me ta Kadareja, po i bashkohej ritualit, ceremonialit te rastit.
Nen nje cmenduri dhe verberi kolektive, pastaj nuk kishte kufi se deri ku do te vazhdonte rituali. Edhe gongun e mbarimt e caktonte perseri udheheqesi.
E priteshme qe te arrihet ne konkluzionin e egyspetritit: “Por fryma dhe elementet e vjershës që shprehin mendimin politik të Kadaresë janë të njëjtat me ato të pjesës tjetër të korpusit panegjirik letrar, që është edhe pjesa kryesore e më e arrira letrarisht e veprës së tij, përjashto nga ky korpus “Kronikën”.”
Eshte nje kategorizim i tepruar me duket. Veshtire qe IK te kete zhvilluar, apo mbajtur nje mendim politik apo ideologji, ku te jete mbajtuar fort pas tyre. Qe ka bere elozhe dhe ka luajtur me parrullat e fushatave te pafund dhe ka hedhur edhe ai shashka revolucionare sipas modelit te kohes(humorit te udheheqesit), deshmi eshte edhe poezia ne fjale.
Po, nje pyetje mund t’i behet Kadarese, se ketu ka qene me konstanti: A mos je nje kombetarist me tepri?
🙂
“Prandaj paranoia(EH) kur ka lexuar poezine pyeste veten: E ka seriozisht ky, apo do te talli bythen(me mua) me kete zell te tepruar?”
Nuk ishte pune tallje bythe. Aty problemi ishte politik, sepse zelli i tepruar kishte prekur byrone politike. Dakord fryma antiburokratike, karakteri revolucionar i klases punetore etj., por ishte harruar parimi i rolit udheheqes te partise qe drejtohej pikerisht nga byroja politike. E kishte tepruar!
Kur e kam lexuar per here te pare me eshte dukur si poetizimi i nje shprehjeje qe qarkullonte asokohe nen ze mes komunisteve dhe perkrahesve te regjimit kur donin te justifikonin “gabimet” dhe “te metat” e administrates: “Ujet buron i kulluar, por turbullohet rruges” -:)
Ndërsa unë mendoj se I. Kadare e kishte një ideologji, dhe mendimi i tij politik ishte pikërisht ai i regjimit. Në rast se kjo që them unë ju duket e çuditshme, mund t’u riktheheni veprave të tij – mundësisht botimeve të para, jo atyre të pas-90-ës – e të gjeni dallueshëm në to qëndrimin politik ndaj armiqve të brendshëm, klasave të përmbysura, apo edhe tradhtarëve të revolucionit; qëndrimin e tij politik ndaj vendit si një vend i rrethuar nga armiq të jashtëm; qëndrimin e tij politik ndaj fesë; qëndrimin e tij ndaj pronës si një vjeturinë e kapërcyer kohe. Këto ishin edhe qëndrimet e regjimit – e kastile nuk po them qëndrime komuniste, se i shkrep ndokujt të hapë debat a ishte komunizëm a jo ai në Shqipëri, e unë s’kam kohë të merrem me të tilla gjëra.
Dalëngadalë ai nisi të ndryshojë mendim. Ka shumë njerëz që ia atribuojnë këtë daljeve në Francë. Unë shoh tjetër gjë si faktor kryesor. Nga mesi i rrugës, revolucioni vazhdonte t’i dërrmonte armiqtë e jashtëm me fjalime. Problemi është se po i shteronin armiqtë e brendshëm e makineria e stërmadhe e shtypjes që ishte ngritur, rrezikonte të ndryshkej e kështu të shembej. Ndaj, siç edhe thonë, revolucioni nisi të hajë bijtë e vet. E si çdo njeri me dy pare mend në kokë, edhe biri Ismail nisi fillimisht të shqetësohej se mos kushedi i vinte edhe atij radha dhe më pas, dalëngadalë, nisi t’i shohë me sy paksa tjetër punët. Veçse, kur i ndodhi ky proces, veprat e veta më të arrira letrare i kish nxjerrë duarsh.
Ka njerëz që thonë se veprat e tij s’janë të realizmit socialist, se u mungon në to heroi pozitiv. Le t’i lexojnë edhe njëherë. Heronjtë e tij pozitivë, ata të mirët, pa cenet, që kanë gjithnjë të drejtë e që janë shembull për të tjerët, janë E. Hoxha dhe Partia.
Ka shumë njerëz që mungesën e disidencës, dëshirën që dikur, diku ndoshta të kishin vepruar më ndryshe, të kishin ngritur njëherë zërin, të kishin bërë një veprim, qoftë sikur edhe vetëm një herë, e projektojnë tek miti i ndërtuar me shumë kujdes i Kadaresë disident (apo, për të qenë më i saktë, tek disidenca e veprës së tij letrare, pasi ai vetë s’paska qenë disident) prej vitit ’90 e këtej. Kështu kënaqin veten se kanë lexuar vepra disidente, vepra gati-gati të ndaluara – e pra, e paskan kryer edhe ata aktin e tyre disident, e paskan plotësuar kështu pjesën e tyre të disidencës. Dhe vazhdimi i pompimit të kësaj disidence të rreme është bërë bajat, përtej të durueshmes.