Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Gjuhësi

LËKURA, IMJA DHE JOTJA

Kur analizova përdorimin e emrave të ngjyrave në eposin e Veriut dhe, tërthorazi, në një shqipe relativisht më arkaike, ose edhe më të arkaizuar se kjo e sotmja, vërejta se në ato tekste ngjyrat vijnë të perceptuara sipas aksit bardhezi, ku dallimi nga një emër ngjyre tek tjetri nuk mbështetet aq në kromatizëm sesa në luminancë ose albedo – në kuptimin që objektet e ndritshme do të priren drejt së bardhës, ndërsa objektet e errëta drejt së zezës. Këtij aksi i kundërvihej, herë pas here, çfarë do ta quaja e vetmja ngjyrë e mirëfilltë, në epos: e kuqja, për të përftuar një sistem të trefishtë.

Hipoteza ime është se këtë sistem të trefishtë, që i paraprin kromatizmit të sotëm leksikor, e ndesh jo vetëm në tekstet e eposit, por edhe në disa fusha leksikore të shqipes së sotme bisedore, të cilat kanë ruajtur tipare arkaike ngaqë nuk janë prekur shumë nga teknologjia dhe tregu.

Një fushë e tillë “tematike” do të ishte ajo e cilësimeve dhe emërtimeve të njerëzve, sipas ngjyrës së lëkurës.

Lëkurën e vet shqiptari gjithnjë e ka quajtur të bardhë, një mbiemër që edhe këtu i referohet në masë të madhe dritës që rrezatohet ose përthyhet nga një objekt; dhe që, si edhe në raste të ngjashme në fusha të tjera, vjen me ngarkesë emocionale pozitive. Lëkura e bardhë është e bukur, e lakmueshme, e dëshirueshme; shenjë e shëndetit dhe e fisnikërisë; ose e racës së mirë – duke pasur parasysh këtu me racë potencialin gjenetik të trashëguar (ose “gjakun”).

Kësaj lëkure të bardhë i kundërvihet konceptualisht lëkura e zezë – e cila shënjon Tjetrin; të huajin ose të ardhurin; sipas rastit, jevgun, evgjitin, magjypin, të cilët quhen pastaj, gjithnjë në bazë të lëkurës së errët, edhe pac, xax, etj. Në komunitetet tradicionale të shqiptarëve, ka pasur rëndësi edhe praktike të dallohej mes shqiptarëve “të bardhë” dhe “jevgjve” – që këtej edhe shprehja jevg i bardhë, të cilën e dëgjon edhe sot ndonjëherë, dhe që shënon dikë që është “jevg” nga prejardhja, edhe pse lëkurën e ka “të bardhë”.

Natyrisht, jo çdokush me lëkurë të errët është edhe jevg, ose gjithsesi Tjetër. Lëkura e errët është burim dyshimi, por jo arsye e mjaftueshme për klasifikim racor.

Siç mund të pritej, shqipja ofron një larmi sinonimesh, për personin me lëkurë të errët: zeshkan, i zeshkët, ezmer, murgash, murrak, i mushkëllyer, i muzgët, zijosh, murrak, korropesh, korrozi, murrash (këta dhe të tjerë shembuj në vijim i kam nxjerrë nga Fjalori i Sinonimeve Dhrimo, Tupja, Ymeri). E shumta e këtyre fjalëve, me përjashtim të ezmer që është huazim i vonë dhe që nuk zbërthehet dot, emërtojnë sipas konceptit të së zezës, ose sipas konceptit analog (shpesh kuptimisht të barasvlershëm) të së errëtës.

Edhe afrikani i mirëfilltë (negro), ose njeriu që i përket çka njihet si racë e zezë, është quajtur sipas të njëjtit mekanizëm: i zi, zezak dhe më e vjetra arap, shpesh e përforcuar si arap i zi.  Në fjalorin e vet të orientalizmave, Dizdari sheh këtu një provë të faktit se zezakët janë njohur fillimisht prej shqiptarëve kur janë sjellë si skllevër përmes viseve dhe/ose tregtarëve arabë. “Populli për të ba dallim me arabët e vërtetë (pothue krejtësisht të bardhë a esmera) shprehet me arab i bardhë, arab i zi,” shpjegon ai.

Kjo, sidoqë dallimi mes arap “zezak” dhe arab duket se është fosilizuar tashmë, së paku në regjistrin bisedor të shqipes.

Sipas aksit bardhezi emërtohen edhe ndryshimet e përkohshme të lëkurës – shqipja thotë nxihem në plazh, atje ku italishtja thotë abbronzarsi dhe anglishtja to get a tan (krahaso edhe shqipen e tanishme “marr ngjyrë”, e cila presupozon se lëkura, në gjendjen e saj normale, nuk ka ngjyrë, ose që e bardha e lëkurës, si e tillë, nuk është ngjyrë).

Së bardhës dhe së zezës, në fushën e ngjyrës së lëkurës, u kundërvihet ndonjëherë e kuqja, si e tretë herë e përjashtuar dhe herë jo. E kuqja u referohet flokëve, qukave dhe ndonjëherë pigmentit të lëkurës vetë – siç shprehjet nëpërmjet emrave dhe mbiemrave të tillë si kuqo, kuqalash, kuqal, qimekuq, allç, kuqash, kuqalosh, etj. të cilat e kanë zakonisht pikënisjen te ngjyra e flokëve. Te kjo kategori futen edhe emërtimet për albinot, si abrash, bardho, bardhuk, etj. (me këtë nuk dua të ngatërroj albinizmin, që është çrregullim gjenetik, me perceptimet popullore të ngjyrës jo-standard të lëkurës dhe të flokëve.)

Siç ndodh edhe në kultura të tjera, ai ndryshim gjenetik që çon në reduktimin ose mungesën e pigmentit (melaninës) në lëkurë dhe në flokë, dhe që shprehet në forma të ndryshme që bien lehtë në sy, shoqërohet shpesh me të keqen, mallkimin, tersin, sëmundjen (“racën e prishur”). Kuqot dhe abrashët shpesh e kanë të vështirë të integrohen plotësisht në komunitet: më i miri i kuqove vrau babanë, thotë një proverb i pamëshirshëm në jug. E megjithatë, flokët e bardhë të abrashit, karakteristikë në thelb negative, shndërrohen në gati virtyt, kur janë efekt i moshës – flokë të bardhë ose të thinjur (rënia e flokëve, edhe ajo shpesh efekt i moshës, nuk e sjell këtë efekt).

Çfarë e bën, pra, të padëshiruar ngjyrën e bardhë të flokëve dhe të vetullave tek abrashi ka të bëjë me anomalinë, jo me ngjyrën vetë; pse abrashi i ka flokët të bardhë atëherë kur nuk duhej t’i kishte.[1]

Si ngjyrë e lëkurës, e bardha i kundërvihet edhe të zezës, edhe të kuqes, por në bazë të parametrave të ndryshëm: kundërvënia me të zezën bëhet më tepër sipas një parametri që do ta quaja biologjik (raca); ndërsa me të kuqen sipas një parametri që do ta quaja patologjik (shëndeti). Përndryshe, edhe zeshkani (i ziu) edhe kuqoja (abrashi) shënojnë Tjetrin, ose dikë që nuk i përket komunitetit “tonë”.

Kështu do të shpjegohet edhe kundërvënia e të bardhit (ngjyra default) me bardhon (abrashin), meqë e bardha si ngjyrë, te ky i dyti, nuk është normale, as a natyrshme, por pasojë e një çrregullimi, që lidhet edhe me ngjyrën e flokëve – e bardhë ose e kuqe, kur duhej të kish qenë “e zezë” (në kuptimin “jo e bardhë”, sipas aksit bardhezi). Në të njëjtën mënyrë, flokët e bardhë konsiderohet se shënjojnë patologji tek abrashi, dhe fisnikëri tek i moshuari, sikurse e cekëm më lart; sepse në rastin e dytë flokët janë zbardhur (ose thinjur), aq sa mund të thuhet se nuk e shënjon ngjyra virtytin, por shndërrimi i saj – zbardhja ose thinjja.


[1] Me ngarkesë relativisht negative është edhe ngjyra “e bardhë” e syve, që shfaqet në kompozitën sybardhë, për sytë ngjyrë hiri.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin