Kësaj radhe i shkela dy herë rregullat e turizmit. Së pari kur vendosa të vizitoj një qytet jo aq të njohur për hartat e zakonshme turistike, së dyti kur brenda në qytet vajta e pashë një objekt absolutisht anësor. U nisa me idenë se bëra gabim, por gabimet jo gjithnjë rezultojnë të tilla e gjithsesi, siç do të shikojmë më tutje, kanë shpeshherë sharmin e tyre.
Qyteti italian Askoli Piçeno gjendet në krahinën Marke. Ka rreth 50 mijë banorë e përmban pasuri të pallogaritshme artistike e arkitektonike. Qendra historike është ndërtuar tërësisht me gurin travertin, pa dyshim një nga më të bukurat e Italisë, pavarësisht se nuk gëzon shumë reklamë turistike. Askoli Piçeno, falë kullave e kambanoreve të shumta, quhet edhe Qyteti i njëqind kullave. Mahnitëse sheshet, pallatet e kullat mesjetare, që zbukurojnë qytetin: Sheshi i Popullit, Pallati i Kapitenëve, Seshi Arringo, Katedralja e Shën Emidios, e kështu me radhë.
Më erdhi keq që nuk e kisha vizituar më parë. Askoli Piçeno ishte përnjimend surprizë e bukur. E pasur aq shumë me vepra arkitektonike, sa nuk të linte kohë të shikoje ndonjë qendër ose objekt me rëndësi dytësore. Kështu, kur më propozuan të vizitonim muzeun e fabrikës mesjetare të letrës, mblodha buzët fillimisht, por pastaj u dorëzova meqë në ndërtesën e muzeut, sipas udhërrëfyesit, kishte edhe salla didaktike të vyeshme për fëmijët.
Fabrika e letrës ishte ndërtuar në mesjetë, pronë e Vatikanit, sipas dokumenteve noteriale në aktivitet që nga shekulli XIII. Ndërtesa që vizituam nuk ishte ndryshe nga ajo që kishte rindërtuar Papa Xhulio della Rovere (Papa Xhulio II), i cili e kishte sistemuar me kujdes dy shekuj më pas. Edhe rrugëtimi i përroit në anë të kompleksit nuk besoj se kishte pësuar shumë ndryshime në kohë. Uji i përroit përdorej për të vënë në punë makineritë që prodhonin letrën, por edhe gurët që shërbenin për bluarjen e grurit dhe për prodhimin e vajit të ullirit. Pas kalimit në kanale e vaska të posaçme uji kthehej në përrua, ashtu siç ishte, i pastër dhe i kthjellët.
Letra e prodhuar në këtë fabrikë shitej jo vetëm në Vatikan, por eksportohej edhe në Principata të tjera të kohës. Në atë periudhë fabrika konsiderohej me teknologji të avancuar. Procesi i prodhimit ishte vërtet i ndërlikuar dhe letra nxirrej kryesisht nga rrobat e pëlhurat e vjetra. Tregu i gjendej menjëherë, madje shpeshherë ankandi zhvillohej në një sallë të posaçme, brenda fabrikës.
Vizita e fabrikës mesjetare të letrës ishte shkas për të mësuar aspekte të tjera të jetës dhe të teknologjisë së asaj kohe. Ndoshta është banale ta kujtojmë, por e sotmja nuk mund të lexohet pa ndihmën e së kaluarës. Por aty mora përgjigjen përse krahina Marke ka qenë në pararojë në prodhimin e letrës deri në ditët e sotme (Fabriano).
Aparati im u lodh së shkrepuri foto gjithfarësh, megjithatë objektivi i mbeti drejt një gabimi në shkrim. Fasada kryesore e ndërtesës ka dy porta kryesore. Në hyrjen qendrore të fabrikës papnore të letrës, në të djathtë, pikërisht mbi portën e hyrjes është mbishkruar në gur emri i Papës që e ka rindërtuar dhe viti i punimeve. Edhe në portën në të majtë të ndërtesës është bërë e njëjta gjë: emri i Papës dhe viti i rindërtimit.
Mirëpo ndërsa në portën djathtas mbishkrimi i vitit është i saktë JULIUS II PONT MAX MDXII, në të majtë mbishkrimi është ndryshe: JULIUS II PONT MAX MCCCCCXII. Siç dihet numrat romakë ndjekin tjetër logjikë nga numrat arabë. Bëhet fjalë për vitin 1512, mirëpo siç kemi mësuar në shkollë, numri pesëqind jepet me shkronjën D në sistemin romak, ndërsa numri 100 jepet nga C (centum). Në mbishkrimin e parë është përdorur saktë numri MDXII, duke përdorur D për të shënuar shifrën 500, kurse në të dytën e njëjta shifër është dhënë me pesë C. Logjikisht nuk ka ndonjë gabim të hatashëm, sepse lexuesi e kupton vitin, pavarësisht se nuk është shkruar drejt.
Gabimi në drejtshkrimin e numrit provokoi edhe një diskutim të pashmangshëm me punonjësen e institucionit turistik që na shoqëronte me mirësjellje. Duke filluar nga hipoteza se mbishkrimi në gurin tavertin, sipas gjasës, ishte bërë nga dy gurgdhendës të ndryshëm e me kulturë të diferencuar. Pa harruar gjithashtu se në Europë kishte kohë që qarkullonte sistemi arab i numërimit, i cili kishte promovues të kalibrit të Leonardo Fibonacci-t; si rrjedhim “gabimi” mund të mirëkuptohej, meqë sistemi romak i numërimit tashmë i takonte të shkuarës, edhe pse nuk kishte perënduar tërësisht. Por gabimi mund të shpjegohej edhe në mënyrë më të thjeshtë, ndoshta nga pakujdesia dhe mosnjohja e autorit të mbishkrimit. Por perceptohej vallë si gabim? Dokumente, na thanë, nuk kishte. Ishim të lirë të hamendësonim; pse jo, edhe me imagjinatën kinematografike prej Dan Brown-i.
Ironik fakti që një fabrikë letre, që prodhonte material për të shkruar dhe ku gabimi mund të korrigjohej me lehtësi, përmbante një gabim në fasadën e saj prej guri.
Ky ishte një nga ato rastet kur gabimi mëson jo autorin, por pasardhësit e tij. Vetë hetimi i tij kthehet në leksion për të kaluarën e të ardhmen, pa llogaritur sharmin e një gabimi që sot na tërheq për të shkuar drejt vendeve ku nuk do të na kishte shkuar mendja kurrë. Sepse gabimi, tek e fundit, na e forcon perceptimin e dorës së njeriut dhe praninë e tij në epoka të hershme, çka e shumëfishon sharmin magnetizues të së kaluarës.
[fotografitë me detaje janë të autorit]