Po qarkullon në mediat një peticion i quajtur Famije e shëndoshë – Atdhe i shëndoshë, në përgjigje të një parade të komunitetit gay në Tiranë dhe që tashmë po nënshkruhet nga një numër në rritje “intelektualësh”.
Nuk kam ndërmend të cenoj, as të diskutoj të drejtën e këtyre tashmë 50 e kusur grave dhe burrave për t’iu kundërvënë kolektivisht në publik një dukurie sociale ende kontroversiale si alternativa gay, as për të mbrojtur konceptin që ata kanë, për një institucion sërish social, si familja.
Kjo edhe pse më acaron kjo mënyrë korale e shprehjes së protestës – krejt atipike për njerëz që paraqiten publikisht si intelektualë; dhe sidomos ngaqë më shqetëson ideja se po respektoj haptazi të drejtën për protestë të kujt refuzon t’ia respekton të drejtën tjetrit, për ta jetuar jetën dhe seksualitetin e vet jashtë imponimeve autoritare dhe normative.
Gjithsesi, nuk ishte kjo arsyeja që më bëri t’i shkruaj këta dy rreshta, por teksti i këtij peticioni, i cili fillon dhe mbaron me gjepura.
Që me thirrjen e vendosur në krye: Jo shkatërrimit të familjes shqiptare! Se mua nuk më rezulton gjë që komuniteti gay është ngritur të shkatërrojë familjen; dhe, sidomos, sepse nuk e kuptoj çfarë është kjo “familja shqiptare.”
Ku dallon ajo nga familja rumune, italiane, kroate, bullgare apo greke? Ku dallon nga familja hungareze, ruse, serbe, qipriote, portugeze apo irlandeze?
Qëkur i paskemi kombëtarizuar virtytet familjare?
Ka një model religjioz të familjes, sikurse ka edhe një model laik; por për model etnik-kombëtar nuk kisha dëgjuar kurrë.
Shkruhet në peticion:
Populli shqiptar ka përjetuar mjaft mjerime, luftra, fatkeqësi e pushtime të huaja. Por të gjitha plagët ne i kemi shëruar dhe të gjitha fatkeqësitë i kemi kaluar, duke u mbështetur gjithnjë në moralin e lartë të një familje të bashkuar. Vlerat tona të familjes kanë qenë gjithnjë ato që na kanë mbajtur të qëndrojmë në këmbë me krenari e dinjitet. Ky ka qenë sekreti i qëndresës sonë në përballimin e vështirësive që s’na i kurseu fati dhe kështu ka për të qenë në jetë të jetëve. Familja shqiptare është vlerë e shenjtë, e paprekshme!
Vëreni përpjekjen për të sjellë, krejt pa arsye, narrativën e popullit shqiptar si “viktimë” të historisë, ose “të vështirësive që s’na i kurseu fati”; në fakt, jo aq pa arsye, sepse kjo bëhet për ta paraqitur edhe gjakimin e gay-ve për normalizim si të një kategorie me luftrat, fatkeqësitë dhe pushtimet e huaja. Vëreni se çfarë na paska shpëtuar prej katastrofës, sipas autorëve të këtij teksti: morali i lartë i një familjeje të bashkuar. Tezë e guximshme, që u hap punë historianëve… Dhe doza sa vjen e forcohet: “Vlerat tona të familjes kanë qenë gjithnjë ato që na kanë mbajtur të qëndrojmë në këmbë me krenari e dinjitet.” Madje ky paska qenë edhe “sekreti i qëndresës sonë” – dhe si do të bëjmë tash e tutje, që sekreti nuk është më i tillë, ose që na e mori vesh armiku…
Mbyllja megjithatë nuk i kursen notat optimiste: “dhe kështu ka për të qenë në jetë të jetëve. Familja shqiptare është vlerë e shenjtë, e paprekshme!”
Nuk di kush i shkruan këto budallallëqe. Gays-t tani kërkojnë deri edhe që t’u njihet e drejta për të krijuar familje dhe për t’u martuar; prandaj kushedi duhet folur për një larmi modelesh të familjes, sikurse i shkon për shtat shoqërisë pluraliste. Dhe kjo larmi ka ekzistuar që kur u normalizuan martesat laike, dhe më pas bashkëjetesa pa vënë kurorë – dy lloj familjesh që feja tradicionalisht nuk i ka pranuar.
Më tej, e kuptoj që mund të mos e pranosh homoseksualitetin, si lloj normativ të seksualitetit; por kjo s’ka fare të bëjë as me shqiptarinë, as me kombin, as me institucionet kombëtare – debati ka natyrë sociologjike, mbase edhe antropologjike (për ca kushedi deri edhe psikiatrike ose endokrinologjike), por jo kombëtariste!
Dhe më në fund, implikimi se homoseksualët, duke u ngritur “kundër familjes”, ngrihen kundër kombit, është sa dinak aq edhe i padrejtë – meqë fare lehtë mund të përfytyroj dikë që të jetë edhe gay, edhe patriot i flaktë: ku është kontradikta këtu, xhanëm?
Më vjen keq që shoh në listë emra kolegësh, miqsh dhe të njohurish të cilët i njoh prej kohësh dhe i respektoj për çfarë përfaqësojnë intelektualisht dhe si njerëz; por sidomos më vjen keq, ngaqë kanë bërë të tyrin dhe e kanë nënshkruar këtë dokument dhe parashtrim të keq, i cili lexohet si një tekst fetar radikal, ku argumentin thjesht religjioz e ka zëvendësuar kombëtarizmi. Feja e shqyptarit është shqiptaria vërtet – po çfarë abuzimi me të ziun Pashko Vasë!
Kompetencat morale e juridike te familjes shqiptare dihet qe kane qene me te zgjeruara se ne vendet e tjera, ku kisha dhe shteti i kane lene ato familje me pak kompetenca te atilla. Nuk me duket rasti te permenden kompetencat sepse njihen mjaft mire.
Ne kushtet kur shteti dhe kisha/xhamia kane vepruar historikisht ne dem te shqiptareve, atehere logjikisht familja me kompetencat e zgjeruara morale e juridike konsiderohet me te drejte si Kruja e Skenderbeut.
Normalisht kompetencat juridike(apo normat qe lidhen me konceptin e drejtesise) ne mase te madhe i kane kaluar gradualisht shtetit te Shqiperise (megjithese ende sot, shumica e konflikteve te vogla zgjidhen mes familjeve), ndersa kompetencat morale pjeserisht jane zhdukur si pasoje e zhvillimeve te reja e pjeserisht vazhdojne te karakterizojne familjen shqiptare.
Prandaj, pavaresisht formes, e cila mund te ngjaje e diskutueshme, thelbi i familjes si institucioni me jetik ne mbijetesen shqiptare, eshte nje e vertete qe nuk hidhet poshte duke pire kafe e shkruar ne kompjuter.
Mund te hipotezohet se tashme shqiptaret nuk i kercenon me kish me genocid, pastrim etnik e etnocid kulturor (hipoteze e veshtire te mbrohet, por jo e pamundur), keshtu qe familjes i duhen hequr te gjitha kompetencat morale e juridike ”te teperta” per kohen, por nuk mund te qellohet falas ne emer te nukediseçfare.