Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Totalitarizëm

ENDE HERËT, POR EDHE TEPËR VONË

I përkas një brezi i cili nuk ka nevojë të këshillohet me historianët, për të përpunuar një gjykim të vetin për Enver Hoxhën – ngaqë i kam kaluar tridhjetë vjetët e parë të jetës sime në Shqipërinë e udhëhequr prej këtij burri me dorë të sigurt, nëmos të hekurt.

Nuk më kanë përndjekur, as burgosur; nuk më kanë hequr me përdhunë nga shtëpia, as ndarë nga familja, as detyruar të mohoj të dashurit e mi; nuk më kanë internuar, as pushuar nga puna, as qarkulluar në bazë; nuk më kanë marrë as fabrikat, as tokat, as florinjtë; e megjithatë, besoj se e kam kaluar rininë, ose pjesën më të bukur të jetës, i privuar nga liritë dhe të drejtat e mia njerëzore elementare.

I frymëzuar sa nga Stalini, aq edhe nga diktatorët e djathtë të Europës Perëndimore në vitet Tridhjetë, Enver Hoxha ndërtoi një shtet të bazuar në dhunën dhe terrorin totalitar; jo aq si shpagim për ndonjë farë krimi, qoftë edhe të mendimit, sa ndëshkim i verbër dhe jo rrallë pedagogjik; duke i shndërruar dramat personale dhe fatet e thyera të individëve dhe familjeve anembanë Shqipërisë në një lloj teatri për turmën, sa të zbavitur aq edhe të lemerisur.

Ky terror policor depërtonte si gaz helmues në të gjitha hallkat dhe qelizat e jetës, publike dhe private; duke i bërë njerëzit të vështronin me dyshim të afërmit, miqtë dhe shokët, dhe të ngryseshin e të gdhiheshin me ankthin se mos kishin thënë diçka që tashmë ish bërë pjesë e dosjes së tyre, apo mos vallë një i afërm i tyre kish rënë ndërkohë në fatkeqësi, ishte shpallur armik ose, më rëndë akoma, arratisur.

Një shoqëri si e jona, e përshkuar fund e krye nga llahtara e ndëshkimit dhe miti i arratisjes, ishte në realitet shoqëri e modeluar sipas logjikës së mbrapshtë të burgut, ku të gjithë ne vuanim dënimin kushedi për krime që ende s’i kishim kryer.

Për të ruajtur pushtetin e vet prej armiqve realë dhe imagjinarë, Hoxha e rrethoi Shqipërinë me mure; por muret më të larta ua ndërtoi përreth mendjeve tona – çfarë unë, si person, nuk do t’ia fal dot kurrë.

Vendi erdhi dhe u mbyll në vetvete; jeta shpirtërore dhe më pas ajo materiale u varfëruan deri në mjerim. Pa përmendur pastaj se, që kur kish ardhur në fuqi, pas Luftës II Botërore, Hoxha ishte kujdesur që t’i hiqte qafe elitat e trashëguara nga vitet tridhjetë – duke i poshtëruar dhe tredhur, dërguar të punojnë në ara dhe këneta, deri edhe shfarosur fizikisht dhe duke e themeluar politikën e vet kulturore mbi parimin e “tokës së djegur.”

Kjo, së bashku me shkëputjen e kontakteve me botën, e shpjegon boshllëkun intelektual, në të cilin u formuan disa breza shqiptarësh me radhë, mes të cilëve imi; dhe e kam të pamundur të shlyej nga mendja urinë për lexime të tjera, që ndieja përballë librarive të mbushura me librat e mërzitshëm të liderit; dhe dëshirën deri në torturë për të udhëtuar jashtë Shqipërisë dhe për të parë botën, të cilën nuk e realizoja dot.

Kjo jetë prej burgu nuk ishte gjë fatalitet historik, as iluzion i pak të përkëdhelurve në Tiranë; por diçka që Hoxha vetë e kish dëshiruar dhe zbatuar në praktikë, në emër të realizimit të vizionit të tij politik dhe, sidomos, për të mbajtur fort pushtetin.

Autarkia e Hoxhës dhe gjymtimi i marrëdhënieve ekonomike me botën çuan – këtë herë pashmangshëm – në varfërimin e madh të tregut; dhe tregu nuk është thjesht çështje konsumi ose ekonomike, por edhe vendi ku njerëzit takohen mes tyre dhe shkëmbejnë mall, ide dhe të drejta; ose vendi i lirisë dhe i barazisë.

Një varfërim i tillë, që i shkoi shoqërisë shqiptare deri në palcë, dha ndihmesën e vet të trishtuar në përftimin e njeriut të ri me kominoshe në tru – të “çliruar” nga vargonjtë e traditës, të pronës private, të fesë dhe të moralit borgjez, dhe të gatshëm për çdo sakrificë, në emër të interesit të përgjithshëm; interes që, në fakt, nuk ishte veçse imperativi për të mbajtur Hoxhën dhe klikën e tij në pushtet.

Të gjitha përpjekjet e mirëfillta për emancipim, të shoqërisë shqiptare pas përmbysjes në fillimvitet 1990, kanë synuar distancimin, në mos shkëputjen nga efektet e enverizmit, si doktrinë dhe si praktikë politike dhe sociale. Jemi përpjekur të kultivojmë dhe të mbrojmë lirinë e mendimit, pluralizmin dhe respektin për Tjetrin, në një shoqëri ende të përshkuar tej e ndanë nga monizmi; jemi rrekur të sjellim meritokracinë, në një klimë sociale ende të mbytur nga nepotizmi, klientelizmi, barazitizmi dhe anti-intelektualizmi; jemi orvatur të rikthejmë në jetë institucionet fetare, me shpresë se ato do të ndihmojnë për të zëvendësuar frikën me moralin, si shtysa motivuese të veprimit publik; jemi munduar të normalizojmë marrëdhëniet me botën dhe të shërohemi nga kompleksi i inferioritetit; kemi luftuar për të ngritur në këmbë shtetin ligjor dhe për të kultivuar respektin për ligjin, përkundrejt arbitraritetit të djeshëm dhe arrogancës së forcës.

Dhe ende nuk dimë, për fat të keq, nëse këto përpjekje për të rehabilituar një shoqëri të sëmurë do të japin apo jo rezultatet që duam; sikurse nuk dimë nëse mund të rikthejmë vërtet mes nesh institucionet që dikur u shkatërruam, apo thjesht jemi duke lëshuar në botë ose karkasat e tyre të zhvarrosura, zombie-t e tyre.

Përballë këtyre sfidave, ndonjëherë të pamundshme për t’u fituar, rrëzimi simbolik i statujës së Enverit, në 1991, duket si lojë fëmijësh – meqë lideri totalitar ia kish ngritur tashmë të lartë dhe të fortë statujën e vet shoqërisë shqiptare në mendje; imazhin prej patriarku të rreptë, babai fuqiplotë dhe bariu shpëtimtar, Moisiu që do t’i udhëhiqte shqiptarët nëpër shkretëtirë, drejt Tokës së Premtuar.

Me autoritetin, karizmën dhe brutalitetin e vet, Hoxha duket se përmbushi, kështu, një zbrazëti mitologjike të vjetër, në vetëdijen kolektive të shqiptarëve – çka edhe do të shpjegonte tundimet e sotme këmbëngulëse për rivlerësimin e tij.

Është ende herët, megjithatë, që historianët ta vlerësojnë Hoxhën si burrë shteti dhe udhëheqës; në një kohë që, për momentin e tanishëm, idetë e Hoxhës, metodat e tij, vizionet dhe paranojat e tij, frymëzimet e tij dhe bëmat e tij në krye të shqiptarëve mbeten toksike.

Shoqëria shqiptare, kultura dhe mediat, nuk kanë arritur të ndihmojnë publikun për t’i normalizuar marrëdhëniet me një lider të llojit të Hoxhës, i cili nuk mund të gjykohet, as të vlerësohet, me metrin që përdorim për politikanët e sotëm. Përtej propagandës, thashethemeve që dalin në tabloidet, dhe dokumenteve lakuriqe të dhëna jashtë çdo konteksti, mungon pikërisht kornizimi i trashëgimisë enveriste dhe analiza e pasojave të gjysmë shekulli totalitarizëm në shoqërinë e sotme shqiptare. Dhe kjo do të mund të arrihet jo aq duke folur për Enverin dhe simbolikat enveriane qoftë edhe ironikisht, sesa duke rrëfyer, herë me dokumente dhe herë me art, për jetën e shqiptarit nën Enverin; jo aq për gjurmët e tij në histori, sesa për impaktin e tij në shoqëri. Ashtu edhe historianët do të kenë kohë të punojnë më të qetë.

Shënim: ky shkrim m’u kërkua nga Gazeta Shqiptare dhe duhet të jetë botuar aty javën që shkoi.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin