KUR U NDANË, KËTO NA RANË

Herët e fundit që kam qenë në Tiranë dhe më ka bërë përshtypje ajri tepër i ndotur i kryeqytetit, ua kam hedhur ndonjëherë muhabetin njerëzve, kështu si për solidaritet.

Reagimet kanë qenë të përziera – ndonjëherë, për mirësjellje, bashkëfolësit kanë rënë dakord me mua; të tjerë kanë marrë një pamje në fytyrë si të trazuar, dhe janë përpjekur të ma shpjegojnë se pse është kështu (ndërtimet, motorët diesel të makinave, tejshtrirja e sipërfaqeve urbane).

Njëherë dikush, që ndodhej rastësisht në tavolinë kur unë po pëllisja për këtë temë, e humbi durimin dhe më tha: “Ç’të bëjmë ne, sipas teje? Të ikim? Ku të ikim?” E gjithë kjo, e shqiptuar me seriozitet të madh, në kufi të histerisë.

Më në fund, kur më kishin ftuar në një emision në TV, drejtuesi më pyeti, mes të tjerash, nëse më ishte dukur “i rëndë, i padurueshëm” ajri i Tiranës. Unë u ndieva me krahë, sepse më në fund po më jepej rasti të shkëlqeja, në shqetësimin tim të preferuar.

Gabim! Drejtuesi i emisionit e paskësh përdorur shprehjen “ajri i Tiranës” në mënyrë metaforike – duke pasur parasysh atmosferën e marrëdhënieve publike, antagonizmin dhe goditjet me thikë pas shpine (sërish metaforike).

Prandaj e bëra një fiasko edhe aty – dhe qeshëm të gjithë së bashku.

Nuk është e lehtë, t’i angazhosh bashkatdhetarët e mi në temën e mjedisit: ndotjes, efektit serrë, zhdukjes së specieve, ngrohjes globale. Këtë përshtypje ma konfirmon edhe vendi fare i vogël që zënë këto tema në mediat – shumë më pak, bie fjala, se Cameron Diaz.

Duke bërë një përgjithësim jo shumë korrekt nga pikëpamja logjike, po lejohem të them se këtyre nuk u bëhet shumë vonë për krizën e mjedisit sot në botë.

Dhe jo vetëm: por duke mos qenë pjesë e asnjë përpjekjeje për ta ngadalësuar në mos ndalur këtë krizë, p.sh. duke ricikluar, kursyer energji, zgjedhur makina ekologikisht më pak ndotëse, ruajtur pyjet, mbrojtur ujërat nga derdhjet industriale, etj., ata duket sikur e kanë të vështirë, në mos të pamundur, të bëhen të vetëdijshëm se, si banorë të së njëjtit planet me të tjerët, ata që shqetësohen, do t’i vuajnë njëlloj pasojat e degradimit të mjedisit.

Pa folur këtu për ato pasoja të cilat shqiptarët e zonave urbane po i vuajnë që tani, madje më shumë se të tjerët: ajrin e ndotur, që u shton problemet e rrugëve të frymëmarrjes, alergjitë, dhe më tej ndikon në rritjen e numrit të disa kancerëve dhe sëmundjeve vaskulare.

Shqiptarët që jetojnë në Perëndim, me kalimin e viteve janë mësuar të mbajnë një qëndrim tjetër ndaj mjedisit: nuk ndotin, riciklojnë dhe, kur munden, zgjedhin opsionin ekologjik.

Në Tiranë, ndonjëherë, mjafton të flasësh për këto punë, që të të marrin për tuhaf. Tuhaf të llojit, ku e kemi hallin ne, dhe ku e ke ti.

Ndërkohë, politikat e mbrojtjes së mjedisit, edhe kur përqafohen në letër, nuk promovohen si politika të tjera në publik; dhe as ka shpresë që ndonjë parti ose grup politik që të fitojë vota, duke bërë të vetin një program të mbrojtjes së mjedisit.

Kjo ndodh megjithë suksesin që kanë pasur disa nisma të shkëputura nga shoqatat e mbrojtjes së mjedisit, për të ndalur projekte industriale në zona ekologjikisht delikate; ose, tani vonë, protestat kundër përpunimit në Shqipëri të armëve kimike siriane – pa çka se te këto të fundit kishte një element irracional, në mos histerik, që lidhej me amplifikimin e një rreziku në thelb të panjohur.

Raste të tilla mbeten megjithatë të pakëta, ndërsa indiferenca është rregull.

Të duket sikur një pjesë e njerëzve, ata që i kanë kapacitetet e duhura për ta kuptuar problemin, megjithatë e mënjanojnë, duke e parë si problem të Botës, jo tonin; meqë Shqipëria është e vogël, dhe luan rol të papërfillshëm, në indekset absolute të ndotjes dhe të efektit serrë, në nivel planetar.

Është i njëjti lloj arsyetimi me atë që i bind njerëzit të mos votojnë: ç’vlerë do të ketë vota ime, një e vetme, përballë milionave të votave të tjera?

Më kujtohen këtu fjalët e D.F. Wallace, kur thotë në një nga esetë e veta: nuk ekziston diçka e tillë si mosvotimi – kur ti nuk voton, vota e atij tjetrit, që shkon të votojë, vlen më tepër, vlen dyfish.

Do ta shartoj menjëherë këtë ide në argumentin tim, meqë mjedisi është me përkufizim çështje e të gjithëve.

Dhe si çështje e të gjithëve, shqetësimi për ruajtjen e mjedisit dhe përpjekjet për të bërë diçka kundër ngrohjes globale kanë edhe natyrë etike, në kuptimin që është e moralshme të mos e përdorësh makinën për të shkuar në kafe, në qoftë se makina jote e ndot ajrin po aq sa një tank sovjetik model T-62M nga ata të Afganistanit.

Një pjesë e mirë e njerëzve nuk pyesin për këto shqetësime, qofshin edhe etike; bota e tyre fillon dhe mbaron me ditën, ndërsa çfarë ndodh nesër është në duart e Perëndisë. Kjo kategori robsh presin që për mjedisin të bëjë diçka qeveria, pushteti, “Amerika”, dhe kështu me radhë; ndërsa ata vetë janë jashtë këtyre skemave, sepse tepër të vegjël, tepër të parëndësishëm.

Të gjitha këto argumente, njëri më i dobët se tjetri, përdoren, në thelb, për të përligjur dukurinë e free loading (free riding); në fakt, në qoftë se përpjekjet e atyre të tjerëve për mjedisin arrijnë të realizojnë diçka, atëherë edhe këta që nuk lëvizën gishtin do të përfitojnë nga ajri më i pastër, uji më i kthjellët, gjelbërimi në mes të qytetit, ushqimi më i shëndetshëm dhe, në përgjithësi, bota më e jetueshme.

Çfarë është, në thelb, imorale.

Një hap e ndan këtë qëndrim nga ai tjetri – kur një masë free loaders të vënë ty në izolim dhe të bëjnë të dukesh si budalla, ngaqë guxon të marrësh një pozicion moral, në një kontekst të sunduar nga pragmatizmi.

Ky është edhe mallkimi i vendeve të vogla – qytetarët e tyre janë gjithnjë të rrezikuar nga meskiniteti, cektësia morale dhe sensi i dobët, gati i papërfillshëm, i përgjegjësisë globale.

Por s’është e thënë që të jetë kështu; dhe fakti që shumë nga ne, shqiptarët e vendosur në Perëndim, ia kemi dalë të edukohemi, brenda pak vjetësh, me një etikë tjetër të kujdesit për mjedisin, tregon se është e mundshme t’i shpëtosh mallkimit të mësipërm.

Për shembull, nëpërmjet një angazhimi total të shoqërisë civile.

Ka kohë që në media flitet shumë për çështjet e komunitetit rom – të cilat janë pa dyshim serioze. Më ka tërhequr vëmendjen, për mirë, aktivizimi i paparë sa i organizatave joqeveritare, aq edhe i pushtetarëve, në gjeste dhe veprimtari në mbështetje të romëve; aktivizim që është përcjellë prej mediave në hollësi.

Dhe kam pyetur veten: pse kaq bujshëm për romët, dhe kaq pak për mjedisin?

Tek e fundit, mjedisi i përmirësuar, më pak i ndotur, më i shëndetshëm, do t’u bënte mirë edhe romëve, të cilët për nga kultura tradicionale e jetesës, jetojnë në kontakt shumë më të ngushtë me rrugën dhe të përditshmen, sesa ne të tjerët.

Ironikisht, tani lexoj nga Xhemal Mato, aktivist i mbrojtjes së mjedisit, se grupi i shoqatave ekologjike që ai përfaqëson kish bërë kërkesën për një grant të vogël te Agjencia në Mbështetje të Shoqërisë Civile dhe kish marrë vetëm dy mijë euro.

Politikat kundër ndotjes së mjedisit do të krijojnë, herët a vonë, konflikt me ndërtuesit, me tregtarët e karburanteve dhe të tjerë peshkaqenë të ekonomisë shqiptare të shërbimeve. Ka njerëz të mençur, në Tiranë, të cilët i kanë rënë lapsit dhe e kanë kuptuar se, për bizneset e tyre, idiotizimi i publikut për çështje të mjedisit është më se i dëshiruar.

Vetëm pak ditë më parë u lajmërua, në mediat, se kompania britanike që ka marrë në dorëzim doganat e Shqipërisë, kish sjellë për të përdorur një numër makinash që, përndryshe, janë të ndaluara me ligj për të qarkulluar në rrugët e Bashkimit Europian, pse tepër ndotëse.

Nga një anë, legjislacioni shqiptar për mjedisin nuk është ende i detyruar t’u konformohet standardeve të BE-së; nga ana tjetër, publikut shqiptar nuk i bëhet vonë që po e helmojnë nga mëngjesi në darkë, madje edhe gjatë kohës kur fle; dhe më në fund, ndërgjegjja civile, për çështjet e mbrojtjes së mjedisit dhe luftës kundër efektit serrë dhe ngrohjes globale është kushedi në nivelet më të ulëta në kontinent; mbase edhe të krahasueshme me ato të kohës së revolucionit industrial në Angli.

Edhe vetë politikanët, sa herë që marrin frymë, para se të vazhdojnë tiradat e tyre kundër njëri-tjetrit – se Sala ia përplasi, dhe Edi ia ktheu, dhe Liri është dhelpër, dhe Jari s’e ka thënë fjalën e fundit – i mbushin ato jo vetëm me oksigjen, azot dhe gaz karbonik, por edhe me gjithfarë nënproduktesh të djegies së naftës, pluhura inertesh dhe pisllëqe të tjera.

Në Shqipëri ende sundon – sado në nivelin informal – një kulturë që e trajton mjedisin si burim potencial pasurish, ose si një mega-organizëm mbi të cilin mund të parazitohet për bukuri. Ideja se ky mjedis është i brishtë, delikat dhe i rrezikuar; dhe se mund të degradojë shumë shpejt, siç edhe ka degraduar, po të vazhdojmë ta shpërfillim, ende nuk ka zënë rrënjë.

Ato pak OJQ që merren seriozisht me këto çështje të japin statistika të frikshme – për pyjet e shkatërruara, shtretërit e gërryer të lumenjve, detin që ka fituar terren ndaj plazheve, ekosistemet e rrënuara për shkak të projekteve industriale (nafta, etj.).

Megjithatë, shqetësimi publik mungon.

Ka kush merret me këtë punë, të thonë; ulu tashi, pije kafen rehat.

Herët e fundit, marrëdhëniet e bashkatdhetarëve të mi me mjedisin më kanë çuar në mend atë bretkosën, që ngrohet së bashku me ujin, në tenxhere, deri sa arrin pikën e vlimit; dhe nuk e kupton se është duke ngordhur, meqë temperatura është rritur në mënyrë graduale.

Jam i sigurt se, edhe bretkosa, gjatë kohës që po ngrihej temperatura, do të ketë qenë duke menduar: ja, po u bë edhe pak më keq, sa të mos duroj dot, do të kërcej jashtë tenxheres, por për momentin sikur nuk ia vlen… punë leverdie, asgjë më tepër.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: