LUKTHI NË KORPUS

Shumë vonë kam marrë vesh se grup gjuhëtarësh nga Sankt-Petërburgu kanë krijuar dhe vendosur online Korpusin e gjuhës shqipe, i cili përmban rreth 16,700,000 përdorime fjalësh – që nuk janë mjaft, por të paktën një fillim i mirë.

Siç kuptohet nga teksti paraqitës i databazës, këto fjalë janë vjelë nga vepra letrare dhe tekste publicistike; dhe se në të ardhmen do të eksplorohen edhe fusha të tjera përdorimi të gjuhës, përfshi edhe gjuhën e folur.

Gjithnjë nga sa shoh në sajt, pjesë e grupit përpunues të korpusit, përveç një numri specialistësh nga Rusia, është edhe Qerim Ondozi, nga Prishtina.

Në fakt, idenë për të përdorur të dhëna nga korpusi në debatin tonë për statusin normativ të fjalës lukth, me kuptimin “stomak”, në shqipen e sotme standard, e mora nga një koment në FB, prej dikujt që kish cituar shembuj nga ky korpus, për të përgënjeshtruar tezën e shkrimit tim të parë për lukthin (Susam Hapu!).

Shkova edhe unë të provoj fatin atje, dhe futa, pikë së pari, fjalën lukth, për të marrë 6 hyrje, nga të cilat 3 me kuptimin “stomak” nxjerrrë që të treja nga gazeta Zëri, dhe 3 të tjera nxjerrë nga tekste të shkrimtarëve Arapi, Kongoli dhe Kadare, të tre nga Shqipëria, ku besoj se kuptimi është më shumë “epigastrium” – siç mund ta verifikoni vetë.

Trajta lukthi më dha vetëm 1 hyrje, nga gazeta Zëri.

Trajta lukthin më ktheu 1 hyrje nga një tekst i Eqrem Bashës, 1 hyrje nga Zëri, dhe 1 nga Kronikë në gur i Ismail Kadaresë:

Lumi i fryrë jashtë mase nga ky gllabërim, mundohej ta treste në lukthin e tij.

Ku kuptimi është pa dyshim “stomak”.

Trajta lukthit më dha 3 hyrje, nga të cilat 2 nga Zëri dhe 1 nga Koha.mk., gjithnjë me kuptimin “stomak”.

Kaq sa për lukthin.

Ndërkohë, fjala stomak më kthen 50 hyrje, nga 41 dokumente të ndryshme, mes të cilave 18 nga Koha.mk, 15 nga Zëri dhe shumë të tjera nga burime autorësh të Kosovës ose të Maqedonisë.

Trajta stomaku më jep 38 hyrje, nga 27 dokumente, prej të cilave 9 nga Zëri dhe 3 nga Koha.mk.

Trajta stomakun më jep 32 hyrje nga 26 dokumente, mes të cilave 13 nga Zëri, 6 nga Koha.mk, dhe shumë të tjera nga burime jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë, si gazeta Agim.

Trajta stomakut më jep 36 hyrje nga 22 dokumente, mes të cilave 8 nga Zëri, 15 nga Koha.mk.

Këto të dhëna më bëjnë të mendoj se fjala lukthi, në kuptimin “stomak” dhe në çdo kuptim tjetër, ndeshet relativisht rrallë në tekstet e marra në shqyrtim nga autorët e korpusit; dhe as që mund të krahasohet, për nga denduria e përdorimit, me fjalën stomak madje edhe sikur të kufizohemi vetëm me burimet nga Kosova dhe Maqedonia.

Kur flas për këto burime të fundit, veç gazetave Zëri, Koha.mk dhe Agim, kam parasysh edhe autorë si Kim Mehmeti (Ritet e Nishanes, Atje dhe dikur, Fshati pa varreza), Eqrem Basha (Dyert e heshtjes), Ibrahim Kadriu (Spirale muzgu) dhe Binak Kelmendi (Foshnja ecte me djep).

Kur nxora shkrimin Susam hapu!, për një tekst të faqes Shqiptarja.com, nuk e kisha ditur që fjala lukth ishte fjalë mjaft e përhapur në Kosovë; si edhe në raste të tjera të ngjashme, ajo fjalë më tërhoqi vëmendjen me intuitë, edhe pse një verifikim të shpejtë ia bëra në Fjalorin e 1984-ës.

Natyrisht, intuita ime është e dikujt që është marrë me shqipen për një kohë të gjatë; dhe unë zakonisht i besoj, edhe pse jo pa kryer verifikimet e duhura.

Pasi bëra një sondazh të shpejtë online (Anatomia e lukthit), sipas të dhënave të Google, m’u krijua bindja se, edhe në Kosovë, fjala lukth prirej të trajtohej si e gjuhës së folur dhe, sa më formal të ishte teksti, aq më shumë i nënrenditej fjalës stomak.

Testimi i tanishëm i përhapjes së dy fjalëve, nëpërmjet korpusit, më konfirmon se lukth ka një status të ndryshëm nga stomak, në shqipen e shkruar: stomak është fjalë neutrale dhe normative, ndërsa lukth, me kuptimin “stomak”, i përket shqipes së folur në Kosovë, ndërsa në tekstet e shkruara është sjellë ose për të riprodhuar ligjëratën e folur, ose prej disave që, gabimisht, e kanë kujtuar të huaj fjalën stomak dhe kanë dashur ta zëvendësojnë, me zell prej puristi; ose, më në fund, prej të tjerëve që nuk e njohin mirë shqipen standard ose që nuk e pranojnë atë.

Për fat të mirë, korpusi mund të përdoret falas prej kujtdo; edhe pse i kufizuar, është më i vlefshëm se thjesht përshtypjet tona prej përdoruesish të gjuhës, intuita dhe instinktet lokaliste.

Nuk ka komente

  1. Meqenëse debati po vazhdon me të dhëna të reja mendoj se duhet t’i analizojmë edhe këto të dhëna që ofrohen në këtë korpus.

    Janë 50 (pesëdhjetë) të dhëna për fjalën ‘stomak’. Pajtohem se fondi i burimeve është shumë i varfër. Është fond i vjelë kryesisht jashtë Shqipërisë dhe e bën situatën më të paqartë.

    Le të shohim se si janë përdorur këto 50 të dhëna:

    A). Kuptimi ‘stomak’ për ‘stomak/lukth’. Në këtë grup hyjnë 18 të dhëna (duke llogaritur ato që vijnë nga i njëjti artikull si një e dhënë (jepen në kllapa katrore).

    1. Gazeta ‘Koha’: [1, 11, 35, 37, 50], 18, 19, 26, 36, 38;
    2. Gazeta ‘Zëri’: 12, 22, 23, 33;
    3. ‘Gazeta Shqiptare’: 4, 6;
    4. Ilir Ikonomi: 14;
    5. Enver Hoxha: 27;
    6. Eqrem Basha: 29;
    7. Agim Gjakova: [34-47];
    8. Ben Blushi: 48;
    9. Kim Mehmeti: 44 .

    B) Kuptimi ‘stomak’ për ‘bark’. Këtu bëjnë pjesë 19 të dhëna.
    1. Gazeta ‘Koha’: 7, 8, 13, 21, 23, 28, 30, 32, 39, 45;
    2. Gazeta ‘Zëri’: 2, 3, 5, 15, 17, 31, [41-42] 46, 49;

    A) Në këtë grup (‘stomak’ për ‘stomak/lukth’) autorët janë nga Shqipëria megjithëse botohen në:

    ‘Koha.mk’: – Të dhënat: 1, 11, 35, 37, 50 janë artikulli i njëjtë nga Shqipëriaonline.com; e dhëna 18 -> autor Mustafa Nano; e dhëna 19 -> marrë nga balkanweb, autore Anila Jole; e dhëna 26 -> marrë nga shqiptarja.com; e dhëna 36 -> marrë nga Gazeta Shqiptare; e dhëna 38 -> marrë nga Radio Evropa e Lirë.

    ‘Zëri’: të dhënat 12, 22 -> autorë nga Shqipëria (tekstet janë nag një tekst shkollor për fëmijë të përgatitura në Shqipëri); e dhëna 23 -> autor Josif Papagjoni, e dhëna -> 33 marrë nga tirona.co.uk;
    Dhe, natyrisht, të dhënat: 4, 6 (Gazeta Shqiptare), 14 (Ilir Ikonomi), 27 (Enver Hoxha), 34-47 (Agim Gjakova) dhe 48 (Ben Blushi) janë nga autorë brenda Shqipërisë.
    Dy të dhëna nga ‘jashtë kufijtë’ janë e dhëna 29 me autor Eqrem Bashën dhe e dhëna 44 e Kim Mehmetit, të cilët fjalën ‘stomak’ e përdorin me kuptimin ‘stomak/lukth’.

    B) Në këtë grup kuptimi i fjalës ‘stomak’ është për ‘bark’. Autorët janë nga jashtë kufijtë e Shqipërisë. Ajo që është interesante të thuhet është që e dhëna 3 përcillet nga gazeta ‘Zëri’ në gazetën ‘Shekulli’, dhe gjithashtu e dhëna 5 përcillet nga ‘Zëri’ në ‘Top Channel’. Mirëpo, fjala ‘stomak’, në të njëjtin lajm, në Kosovë kuptohet ‘bark’ e në Shqipëri ‘stomak/lukth’!

    Citat i së dhënës 3:
    ‘Mirëpo, edhe përkundër rrëzimit shumë të keq, Depp kishte kaluar me vetëm disa gërvishtje në stomak dhe vetëm disa qaste më vonë ai ishte prapë në disponim, duke bërë edhe shaka’ (Zëri, 2013.06.20 )

    Kuptohet, pra, që ‘pas rrëzimit’ nuk mund të shihen gërvishtje në ‘stomak/lukth’, por në ‘bark’!

    Citat i së dhënës 5: Zëri (e përcjell Top-Channel):
    ‘ Këngëtarja 36-vjeçare kolumbiane tregoi një pamje perfekte të shtatit të saj e mbi të gjitha një STOMAK të sheshtë të përkryer, në dy veshje të ndryshme bikini.’

    Kuptohet, prapë, jo ‘stomak/lukth’ të sheshtë, por ‘bark’ të sheshtë!

    Po kështu:
    Citat i së dhënës 15: «Më parë do të ha dhe të kam vithe dhe gjinj të mëdhenj, se sa të jam e uritur dhe me gjinj të varur dhe STOMAK të rrafshët», është shprehur Kelly, të cilës ia kanë lakmi si meshkujt, ashtu edhe femrat. Etj.

    Pra, qarkullimi i fjalëve dhe kuptimeve nuk po ndodh vetëm në relacionin Tiranë-Prishtinë-Shkup por edhe Prishtinë-Shkup-Tiranë!

    E theksojmë se, megjithëse raporti statistikor është 18 të dhëna për ‘stomak’ me kuptimin ‘stomak/lukth’ dhe 19 me kuptimin ‘stomak’ për ‘bark’, fondi i korpusit nuk paraqet gjendjen reale dhe të dhëna të mirëfillta nga burime të Shqipërisë janë të pakta.

    Xha Xhai thotë se:

    ‘Shkova edhe unë të provoj fatin atje, dhe futa, pikë së pari, fjalën lukth, për të marrë 6 hyrje, nga të cilat 3 me kuptimin “stomak” nxjerrë që të tria nga gazeta Zëri, dhe 3 të tjera nxjerrë nga tekste të shkrimtarëve Arapi, Kongoli dhe Kadare, të tre nga Shqipëria, ku besoj se kuptimi është më shumë “epigastrium” – siç mund ta verifikoni vetë.’

    Xha Xhai nuk i paraqet këto të dhëna në tesktin e tij. Udhëzon për ta ‘verifikuar vetë’. Unë po i sjell këtu dhe nuk besoj që ndonjë shqiptar ka ndonjë fije dyshimi se fjala ‘lukth’ është përdorur vetëm për ‘stomak’ dhe asgjë tjetër.

    ‘Kur grupi i vogël vonohej sipër eshtrave, gjenerali ndjente një zbrazëtirë në LUKTH.’ (Gjenerali i ushtrisë së vdekur (1980), Ismail Kadare, 1963)

    ‘Ndjeva një uri të madhe në LUKTH, por nuk dëshëroja të shkoja askund.’ (Gjeniu me kokë të prerë, Fatos Arapi, 1990–1999)

    Lëmshi që kisha në LUKTH nuk më ikte edhe kur u gjendëm të gjithë në sallën e udhëtarëve. (Hija, Fatos Kongoli, 1984–1986)

    Pra, ku ndien zbrazëtirë një shqiptar? Në lukth/stomak, jo në ‘epigastrium’!

    Ku ndien ‘uri të madhe’? Në ‘lukth/stomak’ pra, jo në ‘epigastrium’!

    Dhe ku ndien ‘lëmshin’? Në ‘lukth/stomak’ pra, jo në ‘epigastrium’! Natyrisht, shqiptarët përdorin po ashtu
    shprehjen ‘kam një lëmsh në stomak’ paralelisht me ‘kam një lëmsh në lukth’!

  2. Pershendetje

    Siç duket “lukthi” do te na mundoje edhe per nje kohe te gjate ! Nese nuk arrijme ne nje perfundim te perbashket,do te ishte mire qe t’i drejtohemi ndonje mjeku,qofte ne Tirane a ne Prishine dhe besoj se do te na jepnin diagnozen e sakte se nga çka “vuajme”, stomaku apo lukthi !

    Nga nje kerkim qe bera,per fjalen “lukth” ne kuptimin e “stomakut” qe e jep FGJSSH,me rezultoi se Google me jep:14,600 rezultate ( ne 0.20 sekonda),nderkaq wikipedia e jep keshtu:

    Lukthi është një organ muskulor strajcor i cili gjendet në pjesën e sipërme të barkut.Ky organ gjendet nen diafragmen dhe nen rrezhden e majt te melqise. Forma e tij eshte e ndryshueshme, por lukthi mesatarisht i mbushur e ngjason grepin me gjatesi 25 cm.
    ( http://sq.wikipedia.org/wiki/Lukthi_i_njeriut ).

    Po ashtu portali “Shqiperia online” ka marre kete perkufizim te wikipedias per lukthin.
    http://www.shqiperiaonline.tv/mjekesi/lukthi-i-njeriut/

    Nderkaq Ministria e Arsimit e Kosoves,ne planprogramin e lendes se biologjise per klasen e nente,lukthin e fut te organet tretese te njeriut,domethene,ia atribuon elementet e stomakut,sipas FGJSSH.
    Pra,MASHT,jep kete perkufizim:Kategoria 1.1.Ndertimi i qenieve te gjalla / Nenkategoria1.1.Indet,organet deh sistemet e organeve te njeriut / Permbajtjtja programore:Ushqimi dhe tretja-pjeset kryesore te sistemit tretes:ne goje,lukth,zorrë etj.
    ( http://www.masht-gov.net/advCms/documents/klasa_9_BIOLOGJI.pdf ).

  3. Skumbin, nga keto te dhena qe jep dallohen qarte dy pika:

    Separi qe fjala lukth = stomak perdoret me se shumti ne letersi nga autoret e njohur, njerez te lecitur qe e dine se ku e ka vendin nje fjale. Nuk besoj se Kadare, Arapi etj nese do te shkembenin ndonje leter me nje mjek ne Tirane apo edhe jashte saj do te shkruanin “Kam probleme me lukthin!”

    Sedyti qe fjala stomak=bark perdoret nga gazetaruce te showbiz-it, te cilet mesa duket nga shembujt nuk e zoterojne mire shqipen dhe qe ngaterrohen me veten ose nga pakujdesia ose nga padituria.

    Tani si i bie? Se mua me duket se kjo verteton idene e Xha Xhait.

    1. Kjo vetem verteton qe “stomaku” ne Shqiperi quhet “stomak” e shume rralle “lukth” dhe qe “lukthi” nuk e ka kuptimin vetem te “stomakut”. Dhe nga ana tjeter qe ne Kosove fjala “lukth” eshte shume e stabilizuar nga kuptimi me domethenien “stomak”, ndersa fjala “stomak” (ndoshta si huazim i vone nga Shqiperia) nuk eshte etabluar si duhet dhe here nenkupton “stomakun” e here “barkun”.

      Per mua situata eshte e qarte: Ne tekstet mjekesore per tregun e Shqiperise do te vazhdoj te shkruaj “stomak”, ndersa per tregun e Kosoves “lukth”. Pra per tekstet ‘zyrtare’ mjekesore doemos duhet te ekzistojne dy versione, ndersa per kontekstet e tjera mjafton nje version, varesisht ku synohet publikimi paresor. Nuk shoh probleme ketu.

      1. Shkruan:

        Nuk shoh probleme ketu.

        Problemi është se, në bazë të korpusit, lukth po përdoret shumë pak, në tekstet e shkruara (përjashto Internetin), edhe në Kosovë, me të gjitha kuptimet.

        Natyrisht, ky s’është ndonjë problem për mua, por një e dhënë për t’u pasur parasysh në këtë debat.

    2. Ermir,

      Kadare është një nga autorët jugorë që më së shumti ka futur në përdorim dhe ka bërë të popullarizuara një mori fjalorësh veriakë. Dhe kjo është një punë shumë e mirë. Pa u përdorur asnjë fjalë nuk mund të bëjë jetën e vet. Nuk mund të paragjykoj se çfarë mund të thotë ai kur shkon te mjeku. Mund të thotë se i dhemb ‘stomaku’ dhe mund të thotë edhe se i dhemb ‘lukthi’ përderisa e përdor në të shkruar. Por kjo gjë nuk paraqet problem.

      Problem paraqet fakti nëse dikush mund të marrë rolin t’ia përcaktojë dikujt se çfarë fjale ‘mund’ apo ‘guxon’ të përdorë. Nëse do të niseshim nga kjo premisë, gjuha shqipe do të duhej të ngurtësohej në një pikë kohore në të kaluarën dhe të mbetej e pandryshuar.

      Ju shprehni një paragjykim kur thoni:

      ‘Sedyti qe fjala stomak=bark perdoret nga gazetaruce te showbiz-it, te cilet mesa duket nga shembujt nuk e zoterojne mire shqipen dhe qe ngaterrohen me veten ose nga pakujdesia ose nga padituria.’

      Vetë fjala ‘stomak’ ka hyrë në të njëjtën mënyrë, nga ndonjë ‘gazetaruc’ sepse shqiptarët e kanë pasur fjalën ‘lukth’, ‘mullë’, ‘zgof’ për këtë punë. Nëse do të kishim zbatuar parimin Tuaj, atëherë as fjala ‘stomak’ nuk do të kishte hyrë në fondin e shqipes. Pra, fjalët hyjnë në mënyra të ndryshme: nga padituria, nga përkthimi i keq, nga keqinterpretimi tingullor apo kuptimor i një fjale të huaj, nga nevoja, nga marrëzia, nga loja me tinguj e rrokje fjalësh, nga emra e mbiemra njerëzish, nga ngjarje, nga anekdota… Nëse lexoni pak më shumë rreth origjinës së fjalëve do të shihni se aksidentet luajnë një rol shumë të madh në jetën e fjalëve. Kur një fjalë përdoret nga ‘gazetarucë’, dhe kjo pranohet nga shumë ‘gazetarucë’, dhe kjo, prapë, pranohet nga masa e gjerë ‘e paditur’ që e lexon, ajo bëhet fjalë e fondit të shqipes. Shumica dërmuese e folësve të një gjuhe janë ‘të paditur’, por, ja që pikërisht ata janë bartës kryesorë të gjuhës.

      Më parë në Tiranë dihej për ‘mapo’ (‘MAgazinë POpullore’ ), tani dihet për ‘supermarkato’ . Si erdhi kjo? Nga ‘gazetarucë’, kushërinj të ‘gazetarucëve’, shokë, miq etj. të cilëve sot po t’u thuash: ‘A ka këtu afër një mapo?’ të shikojnë me habi! Me po aq habi dhe dyshim do të të kishin shikuar nëse në vitet ’60 apo ’70 do të kishe përdorur ndonjë fjalë ‘imperialiste’ si ‘supermarkato’.

      Gjendja që na paraqitet në terren është që fjala ‘stomak’ është stabilizuar në përdorim në Shqipëri për ‘stomak/lukth’, por jashtë Shqipërisë ka marrë edhe një kuptim më të gjerë dhe përdoret kryesisht për ‘bark’ ndërsa për ‘stomak/lukth’ përdoret kryesisht fjala ‘lukth’. Kjo gjendje e sjell muhabetin te zgjidhja që e bën fjalori i gjuhës shqipe 1954, që trajton si sinonime të barazvlefshme fjalët ‘stomak’ = ‘lukth’ dhe jo fjalorët e mëvonshëm normativë.

      1. Shkruan:

        Problem paraqet fakti nëse dikush mund të marrë rolin t’ia përcaktojë dikujt se çfarë fjale ‘mund’ apo ‘guxon’ të përdorë.

        Shkumbin, ky lloj ‘imponimi’ ndodh fare normalisht dhe pa krijuar ndonjë problem sa herë që duhet përdorur një terminologji e caktuar, p.sh. në literaturën teknike ose shkencore.

        Sikurse ndodh, kur një medium përcakton ato që i quajnë ndonjëherë ‘style rules’ – këtu në ShBA deri edhe përdorime specifike të presjes ndryshojnë nga një gazetë në tjetrën.

        Në fushën teknike, përdorimi i një termi jo-standard rrezikon ta skualifikojë krejt tekstin.

        Me fjalë të tjera, imponimi nuk ka të bëjë aq me të drejtën e dikujt për t’u shprehur në një mënyrë të caktuar, sa me rregullat e kontekstit të përdorimit.

        1. Xha Xhai,

          Kjo pakëz e riciklon muhabetin por, sidoqoftë, le të ndalemi te një shembull tjetër konkret, i ngjashëm, i cili mund të na ndihmojë për t’u sqaruar më tej.

          Te rasti i fjalëve sinonime ‘krye’ dhe ‘kokë’ si e shihni zgjidhjen Ju? A mund të përdoren, qoftë njëra, qoftë tjetra? Më dhemb ‘kryet’ dhe më dhemb ‘koka’? A paraqet problem të pazgjidhshëm fakti që janë dy fjalë dhe shprehin një gjë të njëjtë në kuptimin e parë?

          Cilin parim e ndiqni këtu? Kujt i referoheni? Dhe pse një parim i tillë nuk mund të zbatohet edhe te fjalët ‘stomak’ e ‘lukth’?

          E di se mund të thoni që një fjalë këtu kuptohet më pak e atje më shumë. për këtë u sqaruam. Por nëse e trajtojmë gjithë bashkësinë shqipfolëse si një dhe kemi këtë situatë që kemi, ç’zgjidhje do të bënit me çiftet ‘krye/kokë’ dhe ‘stomak/lukth’? Apo, ndoshta, në tekste nuk mund të përdorim më as fjalën ‘krye’ për të shprehur atë që shpreh fjala ‘kokë’?

          Për hir të argumentit, pa hyrë në imtësi, mua më intereson parimi prej nga niseni në të dy rastet e këtyre çifteve sinonimike.

      2. Shkumbin me duket se me ke keqkuptuar. Une nuk paragjykoj gazetarucet e showbiz-it. Une ata i prapagjykoj (fjale e bukur qe duhet te futet ne shqipe dhe po e hedh te konkuroje ne tregun e lire:). Ja psh le ta lexojme perseri shembullin qe solle ti nga nje gazete e te vrasim mendjen c’lloj shqipe eshte kjo.

        Po kështu:
        Citat i së dhënës 15: «Më parë do të ha dhe të kam vithe dhe gjinj të mëdhenj, se sa të jam e uritur dhe me gjinj të varur dhe STOMAK të rrafshët», është shprehur Kelly, të cilës ia kanë lakmi si meshkujt, ashtu edhe femrat. Etj.

        Tani, une e kam theksuar edhe tek nje koment me pare se ne nje regjister formal gjuhesor nuk kane rendesi numrat. Rendesi ka faktorizimi. Shumica behet e rendesishme vetem nese faktorizohet. Jam dakort me ate qe thua se keta gazetaruce edhe jane duke u faktorizuar deri diku ne trevat shqipfolese (duke filluar nga Shqiperia e para). Por sidoqofte kjo eshte teme qe ha debat dhe une nuk mendoj se duhet t’i qemtojme shembujt pikerisht tek keta shpifesirofoles qe shkruajne fjali te tilla.

        Edhe njehere, nuk behet fjale per perdorim sado te gjere. Fjala eshte per perdorim ne regjistrin formal-profesional. Dhe pavaresisht se te kam lexuar me kersheri me vjen keq te te them se nuk ke sjelle qofte edhe nje shembull ku nje mjek i Kosoves te perdore fjalen “lukth” ne nje diskurs te ketij lloji.

        1. Ermir,

          Listën e shembujve e solla nga një uebfaqe të cilën e solli Xha Xhai këtë artikull të tij ‘Lukthi në korpus’. Ai kishte bërë një analizë statistikore të fjalës ‘stomak’ dhe ‘lukth’ nga ky korpus online i shqipes për të dëshmuar argumentin e tij rreth përdorimit të fjalës ‘stomak’ si statistikisht mbizotërues.

          Mua m’u desh të bëja një analizë timen statistikore, për të dëshmuar se edhe me këtë analizë rezultatet nuk ishin në vijën që mbronte Xha Xhai. Në artikull thuhet se në korpus dilnin 50 të dhëna për fjalën ‘stomak’ dhe vetëm 6 për fjalën ‘lukth’. Si numër ky rezultat është i saktë. Dhe në shikim të parë duket se argumenti statistikor duket i qëndrueshëm dhe i fortë. Por cilësia e të dhënave nuk del e tillë.

          18 të dhëna, nga 50 sa janë, janë për atë që mbron Xha Xhai ‘stomak’ për kuptimin ‘stomak/lukth’ (16 janë autorë nga Shqipëria dhe dy nga Maqedonia), por 19 përdorime të fjalës ‘stomak’ janë për ‘bark’ (të gjitha nga autorë kosovarë).

          Derisa shumica e komentuesve në blog vazhdonin të luanin rolin e të paditurit për fjalën ‘lukth’, doli që shkrimtarët më të mëdhenj shqiptarë sot e përdorin këtë fjalë (Kadare, Arapi, Kongoli)! Pra, nuk është fjalë e pikur nga qielli, as e ‘kosovarëve’, as e ‘gegëve’ por e shqipes standarde, atë që pohoja dhe vazhdoj të pohoj edhe tani.

          Nuk mjaftoi lista e fjalorëve të botuar në Shqipëri (1908, 1954), që solla si argument për fjalën ‘lukth’, nuk mjaftoi pohimi im se 3 milion njerëz e përdorin çdo ditë dhe kudo (për këtë u quajta dhe ‘gënjeshtar’), tani nuk mjafton as përdorimi i fjalës ‘lukth’ nga shkrimtarë jugorë (Kadare, Arapi), as nga ai i Shqipërisë së Mesme, Kongoli!

          Edhe argumenti i fundit , se kinse kosovarët e përdorkan fjalën ‘stomak’, doli të jetë mufkë! Sepse kuptimi i saj del i shtrembëruar për fjalën ‘bark’. U dëshmua pikërisht ajo që thosha unë se ka ndikuar serbishtja në këtë punën e zhvendosjes së kuptimit. Dhe kjo ka bërë që shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë me fjalën ‘lukth’ kuptojnë ‘stomakun/lukthin’ dhe me fjalën ‘stomak’ kuptojnë ‘barkun’.

          Unë u përpoqa të sjell fakte për çdo pohim timin.

          Tashti, pres të shoh ç’argument tjetër do të shtrohet për të kundërshtuar atë që e thashë që nga fillimi: fjala ‘lukth’ është fjalë e shqipes standarde. Atë mund ta përdorë kush të dojë, ku të dojë. Mund të shkaktojë një hutesë të çastit, por gjuha standarde, për këtë punë quhet e tillë, sepse që të gjithë duhet t’i hapim fjalorët!

          Ky argumenti me ‘faktorizimin’ është i paqartë për mua. Ose disi i paargumentuar deri në fund. Nuk e di ç’mendon me fjalën ‘faktorizim’ në gjuhësi. Ndërsa pohimi yt se unë duhet të sjell një fakt që një mjek i Kosovës përdor këtë, bëhet pak joserioz sepse nëse shkruan në ‘google’ lukth dhe ‘fakulteti i mjekësisë’ të dalin rezultate sa të do zemra, bile edhe në një doktoraturë e mbrojtur në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë.

          Shpresoj që kjo do të mjaftojë për këtë argument tëndin. Sapienti sat, thonë latinët.

          Përzgjedhje shkrimesh profesionale mjekësore ku përdoret fjala ‘lukth’:

          http://www.syri3.com/pdf_fajllat/KriminalistikaMjekesore.pdf (Një libër i tërë i kriminalistikës mjekësore, fjala ‘lukth’ përdoret 38 herë)
          http://www.doktoratura.unitir.edu.al/wp-content/uploads/2014/01/Doktoratura-Hesad-Aliu-Fakulteti-i-Shkencave-i-Natyrore-Departamenti-i-Biologjise.pdf (Doktoraturë e mbrojtur në Fakultetin e Mjekësisë në TIRANË, ku përdoret fjala ‘LUKTH’)
          http://www.medalb.com/gazeta/Medicus2.pdf
          http://www.scribd.com/doc/148189990/Biokimi-Praktika-Fakulteti-i-Mjekesise-Prishtine
          http://www.microbiologybook.org/Albanian/Albanian-chap11.htm
          http://www.shqiperia.com/55-keshillat-me-te-fundit-te-mjekesise-moderne-per-shendetin-.7675/

          1. Shkumbin, që fjala stomak përdoret gjerësisht në Kosovë, në nivelin libror, me kuptimin “stomak”, këtë unë besoj se e provova tek Anatomia e Lukthit – prandaj le të mos kthehemi mbrapsht në debat.

            Atje unë tregova edhe se në disa tekste, prej autorësh nga Kosova, ndeshemi në formatin stomaku (lukthi), që mua më tregon kahun e sugjeruar të përdorimit, ose hierarkinë.

            Përkundrazi, korpusi mua më duket me interes sidomos ngaqë tregon se sa pak përdoret fjala lukth, me të gjitha kuptimet e saj, në shqipen e shkruar në Kosovë dhe në Maqedoni; dhe e tregon këtë jo duke i zgjedhur shembujt me dorë, sikurse bën ti më lart (nuk po të qortoj për këtë, dua vetëm të nxjerr në pah metodologjinë), por në mënyrë të krahasuar dhe, besoj unë, të vetvetishme.

            Fakti i mësipërm, nuk ka lidhje me përdorimet e gabuara ose jostandard që mund t’ia bëjnë në Kosovë fjalës stomak (p.sh. me kuptimin “bark” ose “abdomen”); ndonëse edhe këto mund dhe duhet të studiohen. Por, qendror në argumentin tim, mbetet numri i paktë, pothuajse qesharak, i okurrencave të lukthit në rezultatet që na jep korpusi.

            Për mua rezultatet nuk duan të thonë se fjala lukth në Kosovë nuk përdoret; por vetëm se, edhe ata që e përdorin në ligjërimin gojor ose në Internet, kur ulen të shkruajnë për mediat më tradicionale, e shmangin; ose, që mund të jetë e njëjta gjë, autorët që shkruajnë për mediat më tradicionale e ndiejnë se stomak ka epërsi ndaj lukth, sa i përket statusit brenda shqipes standard të regjistrit libror.

            Ti me të drejtë vure re që shumë tekste të “Zërit” dhe të “Kohës”, ku përdoret fjala stomak, janë në fakt me burim nga Shqipëria. Vërejtje e drejtë – por, kujdes: ajo i shërben argumentit tim. Ka një arsye pse vijnë këto tekste nga Shqipëria – sepse atje prodhohet më shumë content, pavarësisht se ky mund të jetë edhe thjesht trash; vetëm se, sa më shumë që kalon nga një dorë në tjetrën dhe përmes kufirit, ai jep efekt edhe në hierarkitë e fjalëve.

            Dhe, më në fund, unë kam përshtypjen se fjala lukth, me kuptimin “stomak”, në një tekst gazete në Tiranë, do të tërheqë më shumë vëmendjen (për keq) sesa fjala stomak, me kuptimin “stomak”, në një tekst gazete në Prishtinë. Këtë përshtypje mua ma mbështetin edhe të dhënat në ueb, edhe statistikat e korpusit.

            P.S. Të lutem, le të merremi vesh një herë e mirë që, kur flasim për përdorimin e fjalës lukth në këtë debat, kemi parasysh përdorimin e saj me kuptimin “stomak”; prandaj nuk debatojmë për statusin e kësaj fjale kundrejt normës leksikore si leksemë; por vetëm për statusin e njërit prej kuptimeve të kësaj fjale. Kjo është shumë e rëndësishme – por kam vënë re që ti e ngatërron shpesh.

          2. Jo Shkumbin. Nuk eshte mjaft per te mencurin sepse i mencuri nuk kenaqet me kaq pak po i shkon deri ne fund. Dhe me e mira e mundshme eshte qe te behet nje studim per shpeshmerine e perdorimit te fjales “lukth”, jo ne popull se kete tashme e dime dhe te jesh i sigurt se, gjysma e popullates shqiptare nuk do ta kuptoje, por ne diskursin akademik. Kur une te thashe te sillje shembuj isha me teper ne linje me Xha Xhain e jo ne linje me ty se nje shembull e gjen per cdo gje, edhe per ate qe ndodh shume rralle. Po sidoqofte te falenderoj qe e more me shume mundumin dhe gjete disa te tille.

            Po le t’i shikojme me mire keto shembuj. Ke sjellur gjashte te tille. Nga keta 2 jane per te mos u marre ne konsiderate.Keta te dy.

            http://www.shqiperia.com/55-keshillat-me-te-fundit-te-mjekesise-moderne-per-shendetin-.7675/
            http://www.scribd.com/doc/148189990/Biokimi-Praktika-Fakulteti-i-Mjekesise-Prishtine

            I pari sepse eshte faqe ne internet dhe materiali eshte thjesht perkthim nga nje shqipfoles i Kosoves mesa duket. Pra eshte perkthim artikulli per popullin.
            Dhe i dyti eshte nje pacavure e vertete persa i perket shqipes. Pra perdorimi i fjales “lukth” aty eshte bere nga nje person me njohuri shkel e shko per shqipen standarde.

            Ndersa kater te tjeret me duken shembuj te respektueshem edhe pse kam rezerva per perdorimin e shqipes ne ndonje prej tyre. Madje materiali i pare (libri) me shume gjasa mund te jete perkthim, pra eshte konceptuar njehere ne serbo-kroatisht si material dhe pasi eshte shkruar ne ate gjuhe eshte perkthyer ne shqip. Ndoshta gabohem por nese eshte keshtu atehere edhe fjala ‘lukth” mund te jete me shume pasoje e perkthimit sesa e konceptimit terminologjik. Ndersa ne rastin e doktoratures qe eshte mbajtur ne Tirane (qe mu duk nje punim dinjitoz) mos harro qe behet fjale per nje teze te shkruar ne Fakultetin e Shkencave te Natyres e jo Mjekesise. Pra mund te teorizojme se fjala “lukth” eshte me e afert per studiuesit e veterinarise e biologjise sesa mjekesise. Qe do te thote pak a shume ate qe tha Xha xhai ne ate fjaline qe u ofenduan shume veta per barinjte e ata qe jane me afer jetes baritore.

            Ndersa sec kuptoj me faktorizim e kam shpjeguar ne komentet e meparshme. Por po e perseris. Ne rastin e perdorimit “lukth” apo “stomak” ne diskursin formal shkencor, nese nje shumice mjekesh nga Kosova e bejne kete ne atehere kemi faktorizim. Nese e bejne ne menyre konstante dhe dinjitoze.
            Nese e ben nje injorant ne internet apo ne fakultet atehere nuk kemi faktorizim. Kemi thejsht nje fenomen qe ia vlen te studiohet gjithsesi.

          3. Përkundrazi, korpusi mua më duket me interes sidomos ngaqë tregon se sa pak përdoret fjala lukth, me të gjitha kuptimet e saj, në shqipen e shkruar në Kosovë dhe në Maqedoni; dhe e tregon këtë jo duke i zgjedhur shembujt me dorë, sikurse bën ti më lart (nuk po të qortoj për këtë, dua vetëm të nxjerr në pah metodologjinë), por në mënyrë të krahasuar dhe, besoj unë, të vetvetishme.

            Nga ana e analizës statistikore, apo epidemiologjike (të përhapjes së fjalës) kjo që kreu Shkumbimi ka të bëjë me atë që quhet eliminim i faktorëve dyzues, apo konfondues.
            Në fakt, një studim, psh në degët biomjekësore, është aq më i saktë sa më shumë merr në konsideratë dhe analizon ndikimin e faktorëve konfondues. Përndryshe analiza, nëse nuk thellohet, nuk ka thënë ndonjë gjë të ndryshme nga ajo që gjithkush mund të vërej në jetën e vet të përditshme, e që mund të jetë një asociacion jo domethënës apo krejt i rremë, pas të cilit (mund të) fshihet tjetër gjë.

          4. Ja si flet revista “Medicus’ e Shoqates se Mjekeve Shqiptare te Maqedonise , tek punimi shkencor me titull:

            KRAHASIMI I TRI PROTOKOLEVE TË BAZUARA NË PANTOPRAZOL NË
            TRAJTIMIN E TË SËMURËVE ME ULÇERË DUODENALE

            ” Terapia e trefishtë e bazuar në një inhibitor të pompës protonike (IPP) dhe dy
            antimikrobikë aktualisht paraqet terapinë e zgjedhjes për eliminimin e infeksionit me HP
            dhe shërimin më të shpejtë të kraterit ulçeroz. Eliminimi, definohet si mungesë e HP nga
            mukoza e lukthit, e vërtetuar pas më së paku katër javë, ose edhe më vonë, pas
            përfundimit të terapisë eliminuese me antimikrobikë. Kërkesa primare është efikasiteti i
            barnave, të cilat për një kohë sa më të shkurtër, me sa më pak efekte anësore dhe më pak
            shpenzime, do të bëjnë çrrënjosjen në më tepër se 90 % të rasteve me infeksion me këtë
            bakterie (1). ..”

            ” Pas përfundimit të terapisë me antimikrobikë në kuadër të skemave, shumë
            hulumtues preferojnë të vazhdohet me dhënien e terapisë antisekretore, edhe për 4-6 javë,
            deri te shërimi i plotë i ulçerës në lukth ose duoden (3)…”

            Zaim Gashi, gastroenterohepatolog, magjistër

            http://www.medalb.com/gazeta/Medicus2.pdf

          5. Ermir,

            Më parë më kërkove ‘një mjek’ i cili përdor fjalën ‘lukth’ dhe unë të gjeta disa mjekë. Tani gjeta edhe mjekë specialistë të fushës jo vetëm në Prishtinë, por – shihe ti çudinë! – edhe në mes të Tiranës. Jo nga gjithkush në Tiranë, por nga një magjistër i shkencave të mjekësisë. Jo në çfarëdo vendi, por në një universitet!

            1. http://LAJME.PARAJSA.COM/SHENDETI/ID_196818/
            DR. ARBËR VELIU, specialist Gastroenterolog Hepatolog

            2. Titulli i një punimi shkencor, me përkthtim në anglisht.
            30. G. LIPOVECI, N. HYSENI, Detektimi sonografik i karcinomës së LUKTHIT dhe metastazeve të tij në mëlçi. (sonographic detection of the GASTRIC cancer and its liver metastases)
            Citat nga: TAKIMI I GJASHTË VJETOR I INSTITUTIT ALB-SHKENCA, 6TH ANNUAL MEETING OF INSTITUTE ALB-SHKENCA, Prishtinë, 1-4 shtator 2011, Prishtina, September 1-4, 2011, KONFERENCA E SEKSIONIT TE SHKENCAVE MJEKESORE

            3. Ligjërata në fakultetin ‘Kristal’ në Tiranë nga Mr. Sc. Nevruz Zogu (pra, Magjistër i Shkencave të Mjekësisë):
            ’74. Ushqimi perzier prej LUKTHIT nepermjet vrimes pirolike derdhet ne zorren e holle, gjegjesishte ne zorren dymbedhjetgishtore. Ne kete pjese te sistemit te tretjes, nen veprimin e lengut zorror, vrerit dhe lengut pankreatik, behet pjesa kryesore e tretjes se ushqimit. Ketu behet tretja e plote gati e te gjitha materjeve ushqyese. Tretja e materjeve ketu behet gjate pH te mjedisit per afer 8,5. Perberja e acidit (thartines) prej LUKTHIT neutralizohet gjate kalimit ne zoren dymbedhjetgishtore (duodenum), qe arihet pH i duhur i mjedisit per veprimin e enzimeve.ne ndikimin e legjeve te permendura, materiet ushqyese-sheqernat, proteinet dhe yndyrnat zberthehen deri ne materie qe mund te resorbohen ne gjak dhe limfe’

            Ju thoni se:

            ‘Ndersa kater te tjeret me duken shembuj te respektueshem edhe pse kam rezerva per perdorimin e shqipes ne ndonje prej tyre. Madje materiali i pare (libri) me shume gjasa mund te jete perkthim, pra eshte konceptuar njehere ne serbo-kroatisht si material dhe pasi eshte shkruar ne ate gjuhe eshte perkthyer ne shqip. Ndoshta gabohem por nese eshte keshtu atehere edhe fjala ‘lukth” mund te jete me shume pasoje e perkthimit sesa e konceptimit terminologjik.’

            Rezerva për shqipen e tyre kam edhe unë. Unë kam aq shumë rezerva edhe për shqipen e atyre që përdorin ‘stomak’ por kjo nuk përbën kurrfarë argumenti në këtë vijë. Thua ‘është përkthim’! Po ç’pati me fjalën ‘lukth’ ky fakt? A thua kur përkthehet një fjalë dhe kur përdoret nga një shqiptar, fjalët duhet të jenë të ndryshme? Si ‘pasojë e përkthimit’? Nuk kuptoj asgjë! Janë argumente fluturake!

            Si duket s’e ke lexuar së paku titullin e tezës së doktoratës nga – saktësisht – Fakulteti i Shkencave të Natyrës’: HESHTJA POSTRANSKRIPTIVE E GJENIT TË MBISHPREHUR ANTI-APOPTOTIK, h-TERT, ME ANË TË shARN-ve, NË LINJAT QELIZORE KANCEROGJENE HUMANE’

            Pra, – edhe një herë – ‘…linjat qelizore kancerogjene HUMANE’. Humane, shpresoj, e di që do të thotë: njerëzore.

            1. Shkumbin, më la gojëhapur teksti i këtij magjisterit të shkencave të mjekësisë Nevruz Zogut: shqipja e tij është shumë e keqe, me gabime gramatikore fatale.

  4. Nuk e di sa mund të merret për kapital fjala e një mjeku, por është e natyrshme që mjeku në bisedë me kolegët të përdorë, le të themi, fjalët “më teknike” që i afrohen më shumë nomenklaturës ndërkombëtare, kurse në raport me pacientët, duke parë (po kjo është diçka intuitive, mendoj unë) edhe nivelin kultural dhe prejardhjen gjeografike të pacientit, ta përshtasë të folmen e vet. Kur punoja mjek në Dibër nuk m’u desh shumë të mësoja shprehje e fjalë të veçanta (që tani mjerisht nuk më kujtohen) që përdoreshin për të shprehur mundime e dhimbje të përgjithshme e konkrete trupore e mendore. Edhe unë vetë fillova t’i përdor kur i pyesja pacientët, dhe kjo është normale po të duash të hysh në komunion me atë që viziton. Prandaj nuk habitem që edhe kolegët nga Kosova e përdorin fjalën “lukth” gjerësisht kur komunikojnë me pacientët qoftë gojarisht, qoftë me shkrim, nëpër rubrika të ndryshme në të përditëshmet e vendit, siç e kuptova unë që kanë bërë. Po në asnjë rast të vetëm nuk i kam dëgjuar kolegët (edhe në kontaktet që kam pasur vetë) ta përdorin fjalën “në fjalë” në komunikim mes nesh (nuk thuhet tumor lukthi, rezeksion lukthi, ta hajë dreqi, në një kohë që tumor i mëlçisë, rezeksion i mëlçisë thuhet që ç’ke me të).
    Problemi (nëse mund të quhet problem) me fjalën stomak në literaturën mjekësore është që është një fjalë e vetme, pa derivate. Për të gjitha rastet e tjera, për shembull kur përmenden ligamentet e stomakut, refluksi etj… përdoret dhe kombinohet me të tjerat fjala “gastros”, edhe kjo fjalë greke që, në mos gaboj, do të thotë si stomak, si bark. Tamam-tamam, pra fjala “lukth” për mua i korrespondon fjalës “gastros”, më shumë se fjalës “stomak”. Fola shumë.

  5. Po per urrejtjen per tosket qe shprehen sivellezerit tuaj me kete rast[…]

    Unë për vete, si tosk që jam, nuk ndjeva ndonjë urrejtje apo stigmatizim; e anasjellta mund të thuhet fare pa vramendje.

  6. Pavaresisht cilesise se shqipes ne shkrimet profesionale,perdorimi i fjales “lukth” e perligj argumentin e Shkumbinit.Kur nje ekspert i fushes e perdor nje fjale te caktuar ne nje shkrim shkencor,atehere audienca se ciles i drejtohet,nenkuptohet qe eshte familjarizuar me te,kur Ministria e Arsimit e Kosoves,ne planprogramet shkollore perdor fjalen ” lukth”, i drejtohet nje publiku qe eshte familjarizuar me kete fjale, po
    ashtu edhe nje ose dy gazeta qe dalin ne Republiken e Shqiperise,perdoren fjalen magjike,atehere as publiku atje s’eshte i pamesuar me kete fjale.
    Po shkojne javet dhe ne ende jemi duke diskutuar pro a kunder ” lukthit”. Kur nje fjale qe gezon ” pasaporte valide” dhe eshte e stabilizuar ne te gjitha nivelet e perdorimit te saj merret kaq shume ” ne pyetje “, valle si do te veje halli me fjalet, qe jane vertet dialektore?
    Fjale te tilla s’paskan shanse te trokasin ne dyert e normes…

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: