Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

ETIMOLOGJI TË ÇABEJT: LAK

lak m. I. shm. leq leqe “gjalmë, litar a tel lidhur si syth, që shërben për të zënë zogj e egërsira; litar i kafshës, i barrës; dre­dhë e lëkurtë për opinga; hark i lahu­tës; të lakuarit”: ep lak druja “përkulet druja”; qafë mali në formë të shalës”; leqet e këmbës; leq m. “lak” te Mitko; lakth m. “cartilago thyreoidea” në shqipen e Greqisë, Reinholdi. G. Meyer 235 e spiegonte nga një lat. *laquus për laqueus, po më vonë (AS IV 30) e bie të formuar nga shm. leq, e këtë prej lat. laquei. Prej laqueus e bie të ardhur dhe Pedersen KZ 33, 537, Meyer‑Lübke Gr Gr I2 1041, Puşcariu EW 947.

Fjalë e mbarë gjuhës. Del që te Buzuku (XI, Psalm 123, 6; LXII/2, Jeremia 18, 22; LXXXVIII = CVIII, Ekleziastiku 51, 3)… qi shpëton ṇ lakut së gjatorëvet; laku u̯ këput, e na klem shpëtuom “…sicut passer erépta est de láqueo venántium”; e ṇdenë leqtë kambëvet mive “et laqueos absconderunt pedibus meis”; e ṇ lakut së gluhësë keqe “a laqueo linguae iniquae”; Budi DC 219, 223, RR 274, SC 104, 232, 303; Bardhi Laqu­eus,Tendicula Lak, Pli­ca­tilis, pie­ghe­vo­le Lakës, Plicatile lignum Lakësë drū. Në Greqi e bëri lak nga gjalmë (Meyer, AS V 49). Me lak lidhen lakadredhas loko­dre­dhas “me kthesa”, lakadredhem, lokodre­dhem “shkoj posht’e përpjetë; loz nga ve­ndi”, lakinë f. “shulore”, lakój “kthej në trajtë të har­kut, përkul”, lakore f. xhoke burrash”, lakth m. “syth i rrjetës; litar për të mbajtur barrën e druve në samar; lasso; dell i Akilit, cartilago thyreoidea”. Në Lumë grue me lak “grua me barrë”; për lak “qafë mali në formë të shalës” sh. HD X 20. Një shumës i singularizuar është leq m. te Mitko, si e vuri re G. Meyeri në qoftë se përdoret vërtet kështu e jo leq‑të shm., forma e zakonshme (sh. dhe ľeq). Etimologjia latine nuk mund të qëndrojë, se laquus do të kish dhënë *laq. Nuk mund të merret (me Pedersenin) për laquus : lak si analogji socius : shok, se socius dha shoq e prej kësaj u formua rishtas shok (sh. dhe Meyerin 412); shoq ekziston pranë shok, po një laq nuk gjindet gjëkundi. Mbase është refleksi shqiptar i rrënjës i.‑e. *el‑, me zgjerim gutural *el‑ek, në gr. λοξός “përdredhur, ndry­dhur”, lat. licinus “brishtrembër, bri­për­­pjetë”, obliquus “i tërthortë, i shtre­mbër”, let. leja “luginë, fushore” etj. Kup­ti­mi i përkuljes ruhet dhe te lajthi, nga lakth‑i.

lak m. II. “dënesë”, kal. te De Rada (Poesie alb.  VI 94): Mbì ljiaccun “Da su il singhiozzare”. G. Meyeri 240 mendon për një afrim me lemzë léhmëzë, po m’anë tjetër sjell lëkmë “lemzë” prej Xylanderit, me dyshim dhe lakësonj “ngjirem” e prej fushës indo­euro­pia­ne afron për krahasim sll. e vj. kishtare loču lokati “lëpij”, lit. lākti “lëpij, llap”; dy­shime për lakësonj të Kavaliotit shfaq ai në AS IV 30. Krahasimi me fjalët bal­tike e sllave shënohet me rezervë te Ber­nekeri I 727 e te Walde‑Pokorny II 380, po jo më në fjalorët e tjerë eti­mo­lo­gji­kë.

Është një me lak “kur i vjen fëmijës për të vjellë e bën sikur po mbytet” që dëshmon Folklorë I 13 për të folët e Shkodrës. Gjan te jetë një formim ono­ma­to­peik. Si të tilla janë marrë dhe fjalët balto‑sllave te Walde‑Pokorny e te Pokorny 653.

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin