DIKUSH TESHTIN NË KIEV…

Referendumi në Krime dhe hapja e rrugës për aneksimin e gadishullit nga ana e Rusisë solli një tufë reagimesh, shumica të zakonshme dhe disa të pazakonshme. Megjithatë, nëpër tubat e internetit shoh të përsëritet shpesh një pyetje prej atyre që shohin paralele midis Kosovës dhe Krimesë, duke akuzuar SHBA-në për hipokrizi: Përderisa në Kosovë u lejua vetëvendosja, përse jo në Krime? Biles sipas deklaratave të Kremlinit, Presidenti Putin ka përdorur togfjalëshin Kosovo precedent” në bashkëbisedimin me Presidentin Obama dhe në fjalimin që mbajti në Dumë.

Ky lloj paralelizmi është logjikisht i dobët për arsyet që përfshihen në linkun më lart e për shumë të tjera. Megjithatë këto pëshpërima janë të mjaftueshme për të hapur atë kutinë famëkeqe të Pandorës përsa i përket Kosovës. Përderisa në Kosovë kampet janë të ndara si me thikë, (një perëndim deri diku i bashkuar në njohjen e saj dhe një lindje sllave deri diku e bashkuar në opozitën kundër pavarësisë) dhe pavarësia e Kosovës është ende e pakonsoliduar pyetja e natyrshme është: A do të bëhet Kosova një lloj monedhe në tregtinë ndërkombëtare që detyrimisht do të bëhet në Ukrainë?

Duke qenë se Presidenti Putin ka zgjedhur ta fusë Kosovën, qoftë edhe si precedent legal, në vallen e Ukrainës, më duket shumë e mundur që dikush në Moskë dhe Uashington ka hapur qitapët dhe po studion legalitetin e pavarësisë së Kosovës. Gjithashtu është e afërmendshme që nëse pavarësia e Krimesë sfidohet ligjërisht në konjukturat ndërkombëtare, ana ruse me siguri do të sjellë njohjen Kosovës nga SHBA dhe vende të tjera europiane si rast ligjor që përligj referendumin në Krime. Unë nuk dua të bëj argumentin ligjor, sepse nuk e bëj dot (do të isha shumë shumë i interesuar të dija nëse dikush këtë argument mund ta bëjë këtu). Megjithatë, duke lexuar shtypin e huaj këto javë, pyetja më lindi natyrisht dhe përgjigjja mund të kufizohet në katër skenarë:

  1. Perëndimi nuk e pranon pavarësinë e Krimesë dhe Rusia nuk pranon pavarësinë e Kosovës (të dyja ligjërisht). Ky është skenari që ekziston sot. Me sa duken bathët, ka shumë mundësi që ky skenar të vazhdojë pa cak, sepse të dyja palët janë të ndërgjegjshme që e kanë humbur de facto vendin në fjalë.
  1. Perëndimi pranon pavarësinë e Krimesë në shkëmbim të pranimit ligjor të Kosovës si vend i pavarur nga Rusia. Ky lloj skenari sot për sot më duket i pamundur sepse SHBA nuk më duket e gatshme te hedhë poshtë retorikën e deritanishme. Më duket që opinioni politik në Perëndim nuk është gati të bëjë këtë lloj shkëmbimi. Gjithashtu nuk e di se sa e gatshme është Rusia të heqë dorë nga Kosova, sidomos pas ulërimave që mund të dëgjohen këtu. Megjithatë pas një kohe relativisht të shkurtër, nëse pavarësia e Krimesë pranohet de facto, ky lloj skenari bëhet gjithnjë e më i mundshëm.
  1. Në formë spektakli, Putini i deklaron Perëndimit: “Tërhiquni nga Kosova dhe unë do tërhiqem nga Krimeja”, duke e ditur mirë që është thjeshtë lojë politike dhe blof ndërkombëtar. Në këtë rast ka ndonjë lloj kundërdeklarate perëndimore që thotë që ky lloj shkëmbimi nuk është serioz.
  1. Hapur apo fshehurazi ky lloj shkëmbimi bëhet, dhe Krimeja i bashkohet Rusisë dhe Perëndimi anulon njohjen e Kosovës si shtet i pavarur. Edhe ky lloj skenari më duket i pamundur, biles nuk e di të jetë ligjor (nuk di a ka precedent ligjor përsa i përket tërheqjes së njohjes së një vendi sepse ky lloj akti nuk është diplomatik në SHBA, është ligjor). Ky lloj skenari gjithashtu mund të ndodhë nëse hapet ndonjë lloj gjyqi ndërkombëtar për të shqyrtuar çështjen e Krimesë. Çfarëdolloj gjyqi i tillë rrezikon të hedhë dyshime ligjore mbi pavarësinë e Kosovës.

Natyrisht që kjo është një përmbledhje e shkurtër e skenarëve që mund të ndodhin përsa i përket Kosovës. Megjithatë mua më shqetëson skenari i katërt, ndonëse ky skenar deri tani më duket me probabilitet shumë të vogël.

Gjithashtu, duke patur parasysh një pjesë të së majtës europiane, për të cilët ndërhyrja e SHBA-së është çuditërisht mëkat kosovar (nuk e ndajnë dot në kokë imperializmin amerikan dhe gjenocidin serb), nuk më duket që në Europë (përveçse në Gjermani, dhe kjo është e rëndësishme) ka ndonjë dashuri të madhe për Kosovën. Sidoqoftë, në krye të kësaj meseleje është SHBA, dhe me sa shoh europianët më duken të gatshëm të sakrifikojnë Krimenë për gazin natyral dhe të deklarojnë fitore duke marrë njohjen për Kosovën. Megjithatë, një lloj diskutimi më i gjatë e më i plotë përsa i përket cenimit që i bën pavarësisë së Kosovës aneksimi i Krimesë më duket i arsyeshëm. Ndoshta mund të jetë pak alarmant si reagim, dhe ndoshta nuk ka asnjë arsye për tu shqetësuar. Sidoqoftë, duke ditur që Kosova është përmendur, më duket e nevojshme të diskutohen hapur rrjedhojat e ngjarjeve në Ukrainë.

Nuk ka komente

  1. Kam frikë se krahasimi i Krimesë me Kosovën nuk qëndron edhe pikërisht për shkak të arsyes që e shtyu Putinin të ndërhyjë në Krime.

    Situata në Kosovë, para ndërhyrjes së Perëndimit, ishte shpërthyese – dhe mund të precipitonte dita-ditës në katastrofë me përmasa gjenocidale.

    Përkundrazi, grushti i shtetit në Ukrainë ndodhi si ndodhi – nuk kish ndonjë mbështetje të fortë në popull – madje edhe vetë Europa u kap e papërgatitur ndaj ngjarjeve.

    Para disa ditësh, Shekulli botonte një intervistë të Skerdilaid Zaimit me Shpëtim Çuçkën, ish-ambasador shqiptar në Ukrainë (http://www.shekulli.com.al/web/p.php?id=42711&kat=100), i cili ofron ekspertizën e vet në këto debate.

    Në fakt, shumë vëzhgues – dhe këtu nuk e kam fjalën për megafonët propagandistikë të mediave popullore – besojnë se Perëndimi u ngatërrua një çikë si shumë në punët e Ukrainës; madje aq shumë, sa t’i japë Putinit, në dorë, kartën fituese të ndërhyrjes ushtarake në Krime. Ja edhe një editorial i NYT prej dikujt që merr vesh mirë nga këto punë (http://www.nytimes.com/2014/03/14/opinion/getting-ukraine-wrong.html?_r=0).

  2. krahasimet, thoni ju calojne.. por faktet ne terren jo .. dhe ato e perbejne bazen e krahasimit.. gurit i qellohet qe te shnderrohet ne nje objekt te ngjashem me perfytyrimin tone.. dhe kete po ben Putin, krijon fakte ne terren, te cilat i ngjajne precedenteve te krijuara ne te drejten nderkombetare – referendume, levizje, kerkesa per bashkim etj.. ne prekemi se merremi si krahasim, dhe mendojme se legjitimiteti i pavaresise se kosoves vendoset ne rrezik, por pushteti, forca, goditjet e krijojne realitetin dhe interpretimin e tij.

  3. Ky ambasadori shqiptar i intervistuar nga Zajmi, dukej më shumë si një zyrtar i qëmotshëm që të flet me një ton admirativ dhe paternalist për Bashkimin e madh Sovietik.
    Ndërsa për sa i përket ndërhyrjes ruse në Krime, duket sikur aty të gjitha palët kanë të drejtë. Vendasit e dëshirojnë bashkimin me Rusinë siç tregon referendumi dhe askush nuk ka të drejtë që t’ua mohojë. Ndërkohë, BE dhe SHBA janë bërë dikur garantë të sigurisë së Ukrainës, përkundër eleminimit të armëve bërthamore që kishin trashëguar nga BS. Tani nëse nuk gjejnë ndonjë mënyrë për të përmbushur zotrimet, ajo diplomatja që formulonte në telefon frazën « Fuck the EU » mund t’ja thotë të njëjtën gjë edhe shtetit të saj.
    Gjithsesi nëse duhet të negociohen territore, është mirë që të kërkohen më shumë të drejta për popujt e Kaukazit verior. Kosova ka nevojë për njohjen nga Rusia, por vendet e Kaukazit kanë shumë më tepër nevojë për ndihmë nga perëndimi. Përndryshe ndërhyrja ruse në Krime duhet parë më shumë si një leksion i mirë që shpjegon se aty ku ka minoritete, hartat nuk janë vizatuar përfundimisht dhe gjithçka mund të ndodhë.

    1. Çuçka ka një stil të vetin, pak burokratik, të shprehuri, që ndoshta ia imponon edhe puna si diplomat, por është njeri shumë inteligjent dhe erudit. Dhe çfarë ka edhe më shumë rëndësi, duket që është informuar mirë për çfarë ka ndodhur në Ukrainë.

      1. Une bile u cudita se si nje njeri me poziten e Cuckes (zyrtar i nje protektorati Amerikan) do te mund te shprehej zyrtarisht ashtu. Nese i hidhni nje sy te gjithe histerise Atlanticiste (bile sa me larg Rusise aq me groteske cjerrja e faqeve dhe kujitjet per Ligj Nderkombetar dhe ndeshkim te Rusise) analiza e Cuckes eshte nga me te thellat dhe me te ndershmet.
        Kam frike se do e pesoje (do humbase punen) nen akuzen “Mosvallezim me entuziazmin e duhur sipas avazit te “Aleatit Strategjik”.
        Asnje ndryshim nuk ka per te ardhur per Kosoven se si Pavarsia e Kosoves si Plebishiti per bashkim te Krimese me Rusine jane fakte qe gjenerohen nga levizjet Gjeopolitike te Superfuqive.
        Ligji Nderkombetar ka qene, eshte dhe do te jete thjesht nje Gjethe Fiku qe u duhet te fuqishemve per te justifikuar veprimet e tyre.
        Eshte sa patetik aq edhe komik fakti qe USA dhe satelitet Europiane zbuluan qe paska Ligj Nderkombetar vetem 10 minuta pasi triumfoi Grushti i Shtetit ne Ukraine!
        Perendimi kerkon “to have it both ways” – dikush nuk eshte dakord!

      2. Natyrisht për kë dëshiron të informohet mirë mbi këtë problem, ambasadori duhet të jetë një ndër personat e paktë drejt të cilit mund të drejtohemi, dhe për më tepër që është kaq mirë i referuar. Veç në disa momente ishte vërtetë i padureshëm. Për shembull teksa shprehej për politikat turke në krizën e Sirisë: “Është e drejtë e saj sovrane të vendosë për qëndrimet që do të mbajë. Dhe, natyrisht, të mirëpresë pasojat. Edhe andej nga nuk e pret.” Ndaj them që ky dukej në anën tjetër si më sovjetik se Stalini.

        1. Teorikisht eshte ashtu, por kam frike se rasti i Cuckes ne Diplomacine Shqiptare perben nje perjashtim. Shumica e titullareve jane te kategorise se mazllumit te Romes qe eshte i mirenjohur per publikun e ketij forumi per brockullat monumentale qe ka leshuar.
          Nga ana tjeter nuk jam i sigurte se Cucka flet si zyrtar apo individ (meqe ne interviste eshte prezantuar si Ish-Ambasador).
          Kjo nuk ja ul vleren e padiskutueshme. Fatkeqesisht ka nje shumice njerzish qe edhe kur largohen nga posti vazhdojne te flasin kodra mbas bregut sepse sinqerisht i besojne ato.
          Cucken e vleresoj me shume se sa per analizen (qe nje vezhgues i kujdesshem i ngjarejve nderkombetare eshte ne ghendje ta beje po aq mire), per ndershmerine dhe kurajon per ti thene gjerat me emrin e tyre.

          1. “per ndershmerine dhe kurajon per ti thene gjerat me emrin e tyre.”
            Dy vlera që mungojnë sot në masë të madhe ndër përfaqsuesit e shtetit shqiptar, dhe që mjaftojnë pêr të eklipsuar shumë difekte.

      3. ne teorite e marredhenieve nderkombetare njihet si nje qasje neo-realiste, se respektohen institucionet nderkombetare, por keto jane produkt i vullnetit te fuqive nderkombetare dhe prandaj interpretimi eshte ceshjte force dhe interesash.. por kishte ne te dhe ndjeshmeri gjeopolitike pse kishte nje veshtrim historik .. qasja e tij ishte mese e arsyeshme dhe jo e nje zyrtari sovjetik, por njera nder te shumtat ne diplomacine nderkombetare .. respektimi i te drejtave te njeriut dhe vetevendosja p.sh. nuk merren parasysh nga kjo qasje.. a ka nje zell misionar per demokratizimin e botes nga vendet perendimore? jane hulli te tjera diskutimi

        1. Kapedan lexoje edhe nje here intervisten dhe shikoje sidomos kete pasazhin ketu;
          “Sa për çështjen e vetëvendosjes së popujve, kjo e drejtë njihet në statutin e OKBsë dhe këtë vit atë pritet ta shfrytëzojë me referendum Skocia.”
          Cuçka e thote kete pasi parimi i vetvendosjes eshte i vetmi ku mund te bazohet pavaresimi i Krimese dhe bashkimi i saj me Rusine. Pasi ligjet e Ukraines nuk e lejojne nje referendum qe kundershton kushtetuten e vendit dhe Gjykata kushtetuese e Ukraines duke u bazuar ne keto ligje, e ka bere kete referendum te jashteligjshem. Por jemi shqiptare dhe per te cituar ambasadorin rus ne Shqiperi, e dime se “çfare do te thote e drejte per vetvendosje” ndaj per mendimin tim e drejta ketu qendron ne anen e popullit te Krimese. Megjithese ne kete rast edhe Timoshenko mund ta thote nje fjale ndersa sheh qe nje pjese e vendit te saj po shkeputet me nderhyrjen e ushtrise ruse, – pa u anatemuar.
          Nderkohe pasi jemi shqiptare dhe e dime se çdo te thote te kesh mbi krye nje diktator psikopat, mendoj se populli i SIrise duhet ndihmuar, ndaj fjalet e Cuçkes ne raport me politiken e shtetit turk atje jane vertete tragji-komike. Besoj se shteti turk eshte i vetmi qe nuk mund te qortohet ne kete rast, jane te vetmit qe jane perpjekur disi kunder Asadit dhe kane ndihmuar refugjatet e luftes. por gjithsesi edhe nese une e kam gabim, nderkohe fraza te tilla si “do ta gjeje nga nuk e prêt” dhe te tjera ishin vertete fraza qe mund ti thote vetem ndonje sovjetik i vogel entuziast. Pertej Cuçkes eshte e habitshme sesi çdo putinofil i mesem do te te flase gjithnje per lirine e popujve nderkohe qe i ke po gjithnje ne krah te diktatoreve.
          Nderkohe shpresoj qe tani Turqia EU dhe SHBA te nderhyjne nje here e mire ne Siri, dhe ti japin nje zgjidhje asaj krize perpara se te gjendja te perkeqesohet akoma me tej.

          1. une jam i mendimit qe edhe keta vullnetare jane zene se ka ndryshuar pozicioni i qeverive perendimore ne lidhje me ndryshimin e qeverise ne siri (qofte kjo per sigurine e izraelit por edhe per shkak se forcat opozitare nuk munden te ofrojne garancite per perendimin se lufta nuk do te degjeneronte ne nje irak tjeter) .. keshtu qe kjo eshte premisa ime per kete situate, dhe per turqine, e cila kembngul ne te vjetren e nuk ndryshon drejtim perkatesisht sipas diplomacise perendimore … premisa e ish-ambasadorit ishte se mbeshtetja turke po reflekton politiken e saj neo-otomane ne krime dhe siri..

            por se pari ish-ambasadori kishte te drejte ne gabimet e diplomacise sone, qe rreshtohen te paret ne politika te nxituara, sic eshte izolimi i rusise.. pa lidhje.. se dyti, premisa e tij, e politikes realiste, eshte se ne te drejten nderkombetare sovraniteti si koncept i perket shtetit, dhe jo popujve .. e drejta nderkombetar ne kete ceshtje eshte e disktueshme dhe disa e shtrijne deri tek popujt… keshtu me te drejte ish-ambasadori e sqaron se kjo ceshtje eshte zgjedhur me force.. sic kane bere amerikanet kur kane dashur ne east-timor, kosove, bosnje etj.. kur sovraniteti i shtetit eshte shkelur per ti dhene perparesi sovraniteti te popullit/individit nepermjet nderhyrjeve per te mbrojtur te drejtat e njeriut etj.. edhe une nuk jam dakord me kete qasje, por duhet ta dime se subjekt i se drejtes nderkombetare nuk jane popujt por shtetet, sikur edhe ne OKB prezantohen shtetet dhe jo kombet.. rasti i fundit i palestines dhe rremuja qe solli ne UNESCO pranimi i autoriteteve palestineze (bojkotin e izraelit, dhe mospagesen e fondeve nga shba), e ilustron kete situate.

          2. Shqiperise i eshte kërkuar qe te vihet ne sinkroni me vendet e tjera perëndimore, siç kuptohet këtu http://www.balkanweb.com/kryesore/1/ashton-edhe-shqiperia-i-vendos-sanksione-rusise-178360.html Dhe pavarësisht se çfarë thotë z. Cuçka, çdo veprim tjetër i diplomacisë sonë do te ishte nje dëmtim i panevojshëm, medje absurd, i interesave shqiptare. Nderkohe nuk eshte vetëm ky problemi i shkrimit te z. Cuçka, gjithnjë per mendimin tim. Ato qe nuk kapërdiheshin akoma me shume ishin frazat gati ekzaltuese ne drejtim te politikave te Rusise, e cila ka mposhtur e vetme Gjermanine naziste etj, dhe frazat çuditërisht kërcënuese ndaj te gjithë atyre qe janë ne kundërshti me politikat e Putinit apo aletaeve te tij. Pertej kësaj, besoj se argumenti i “politikave neo-otomane” te Turqise, nuk vlen nje grosh nëse ne anën tjetër te peshores vendoset ndërhyrja kundër diktatorit te këtij vendi dhe ndihma dhene popullit sirian.
            Per mendimin tim, gjithnje nese Rusia nëse dëshiron vertete te mbaje Krimene, duhet te leshoje pe ne shumen ane, pasi megjithe krizën qe po kalojnë vendet perendimore, Rusia mbetet gjithsesi nje vend me nje PBB te barabarte me ate te Italise, dhe nuk mund ti kundërvihet e vetme SHBA-se, dhe EU, nese keta deshirojne vertete ta demtojne gjithnje

          3. Baloz,

            ketu nuk ka me “nese keshtu” apo “nese ashtu”.
            Rusia e mori Krimene. Ajo pune mori fund!
            Kete tashme e ka te qarte Amerika dhe EU. Protestat e tyre, kercenimet per sanksione etj. jane pjese e formaliteteve diplomatike.

            Çeshtja tani shtrohet: a do te kenaqet Rusia me Krimene apo do te rimarre edhe pjeset lindore e jugore te Ukraines qe i perkisnin dikur e qe banohen kryesisht nga popullsi ruse?

            Une jam i bindur se edhe sikur te verifikohet ky eventualitet i fundit, prape Amerika dhe EU do te mjaftohen me disa protesta rituale. Nuk ka kush ngè te kruhet me Rusine tani per hir te Ukraines.

          4. Krimeja eshte marre nga Rusia nuk diskutohet, por besoj se do ta kene probleme per ta mbajtur ne te ardhmen, megjithese nderkohe kisha harruar ti hidhja nje sy filxhanit te kafese, ne menyre qe te isha po aq i sigurte sa ju! Gjithsesi do te shohim se ç’do te ndodhe. SHBA dhe EU po kerkojne ne kete moment ndonje menyre per tu hakmarre, dhe shpresoj qe kjo menyre te kete ndonje lidhje me pavaresimin e ndonje krahine autonome ne Rusi, apo edhe heqjen e Asadit nga shpina e sirianeve.

          5. Disa reflektime ndaj tezave te Balozit:
            a) “Shqiperise i eshte kërkuar qe te vihet ne sinkroni me vendet e tjera perëndimore, siç kuptohet këtu” – Nje fjale e urte shqiptare thote “Kur s’ke pula mos bej ish”
            b) “ne drejtim te politikave te Rusise, e cila ka mposhtur e vetme Gjermanine naziste etj” ndoshta Balozi ndoshta eshte bere anetar i Shoqates se Revizionisteve Amatore te Historise, por te pakten te mos kishte dale nga Shoqata e Aritmetikes. Vetem ne Stalingrad jane vrare aq Ruse ne 4 muaj sa te gjithe “Aleatet” te marre se vashku ne te gjithe Luften e Dyte Boterore. Nderkohe 90% te humbjeve Gjermane rezultuan ne Frontin e Lindjes. “Aleatet” perendimore thjesht “i mbajten bishtin lopes” dhe hapen Frontin e Dyte kur u be e qarte ushtarakisht se BRSS do ishte plotesisht ne gjengje te dilte ne Atlantik.
            c)”anën tjetër te peshores vendoset ndërhyrja kundër diktatorit te këtij vendi dhe ndihma dhene popullit sirian” Turqia shume shpejt do e kete mbas qafe, se eksperienca te meson qe shpejt a vone kur ngroh veze neperkash per tja futur nen dere komshiut, nje mengjez gdhihesh shakull. Sa per ndihmen popullit Sirian ndoshta Allawitet apo Kristianet dhe cdo Jo-Sunit nuk jane Siriane sipas teje. Pikerisht keto jane mesimet e Saudito-Katarioteve.
            d)”Per mendimin tim, gjithnje nese Rusia nëse dëshiron vertete te mbaje Krimene, duhet te leshoje pe ne shumen ane” – Thjesht mendimi yt eshte i gabuar. Rusia ka te beje me kundershtare me mentalitet “Ceshte e imja eshte e imja, c’eshte e jotja ta diskutojme qe ta ndajme” Me keta rivale e vetmja gjuhe e kuptueshme eshte “grushti turinjve”.
            e)”Rusia mbetet gjithsesi nje vend me nje PBB te barabarte me ate te Italise, dhe nuk mund ti kundërvihet e vetme SHBA-se, dhe EU” – Kjo nuk eshte tamam ashtu, por edhe sikur te ishte nuk do te thote asge prej gjeje. PBB eshte gati e cveshur nga cdo kuptim. Por mentaliteti i bakejve te con ne gabime te tilla shume te rrezikshme per “Dyqanin”. 50miljard$ kane kuptime shume te ndryshme ne USA Europe Kine Apo Rusi!
            Sa per ilustrim USA eshte vendi qe ka shpenzimet nga me te lartat shendetsore ne bote dhe ne shumicen e indikatoreve rreshtohet tek vendet e Botes se Trete.
            Jane pak me keq se Kuba (megjithese kjo e fundit shpenzon 5% te asaj qe shpenzon USA).

          6. a) Ne kete pike nuk mund te diskutohet nese rreshtimi (apo edhe dobesimi i Rusise) eshte ne interesin e shqiptareve apo jo, pasi nuk diskutohet qe eshte. Veç mund te diskutohet nese deklaratat ishin parimore duke marre parasysh edhe fjalet e drejta te ambasadorit rus ne Shqiperi. Une them qe diplomacia shqiptare po flet ne kete rast me nje gjuhe tjeter nga ajo e perdorur kur flitet per pavaresine e Kosoves, ndaj nuk jane parimorë, veçse ne anen tjeter gjesti i tyre shkon ne nje linje me interesat shqiptareve, nje perkrahje e politikes ruse do te demtonte pa dyshim interesat shqiptare. Ndaj secili mund te kete mendimin e tij, veç askush nuk mund te thote nese zgjedhja qe beri diplomacia shqiptare eshte e gabuar ose jo, dhe as nuk mund ti gjykoje ne kete rast.
            b) Edhe nese URSS do te kishte meriten kryesore ne WWII serisht ky vend nuk luftoi i vetem; kane luftuar sigurisht edhe vend te tjera. Por e permenda me lart, pasi me shqetesoi permendja e panevojshme e ketij episodi te historise se shekullit te kaluar dhe lavdet e panevojshme ndaj Rusise.
            Per te shkuar me tej ne bisede, per mendimin tim URSS nuk ka meriten kryesore ne fitimin e luftes se dyte boterore. Ndoshta ju e njihni me mire historine; por gjithsesi mesa kam lexuar, ushtrite ruse u shpartalluan nga Gjermania ne vitin 1941, gjermanet arriten deri ne portat e Moskes dhe Stalini nuk kishte me asnje mundesi t’ju rezistonte, nuk kishte me arme, siç e ka pohuar vete. Rusine e kane ndihmuar njekohesisht dimri i ashper i viteve 1941-1942 qe ndaloi veprimet ne front dhe pushtimin e Moskes, dhe dhjetra mijera aeroplanet, mjetet e blinduara dhe kamionet qe amerikanet ju dhane. Gjithashtu bombardimet e rrjetit industrial gjerman nga aviacioni anglez dhe amerikan, fitoret e aleateve ne Afrike qe prene furnizimet gjermane me karburant dhe heqja e divizioneve gjermane nga fronti i lindjes per te konsoliduar ate perendimor dhe per tu perballur me pas me ushtrite aleate qe perparonin ne Siçili dhe Normandi..
            c) Te prononcohesh kunder Asadit nuk do te thote qe po e ben kete edhe kunder aleuiteve dhe kristianeve, por ne kete rast thjesht pasi deshiron qe nje diktator te hiqet. Them qe duhet te hiqet Asadi edhe per arsye se ashtu si po shkojne gjasat, per nje kohe jo te gjate ne Siri do te fitojne islamiket radikale dhe nuk ka per te ngelur me asnje kristian dhe asnje aleuit ne ate vend. Gjithsesi esenca e asaj çka kam shkruar deri tani; eshte qe nuk kishte vend per tu prononcuar kunder politikes turke ne Siri. Dhe qe pikerisht e dime shume mire qe dashamiresit e politikave ruse te flasin gjithnje per lirine dhe mbrojtjen e popujve, por mbeshtesin tiranet.
            d) Jane kundershtare qe kane premtuar sigurine e Ukraines, perkunder eleminimit te armeve kimike. Dhe qe per kete arsye mund te kunderpergjigjen! Megjithese besoj njelloj qe gjasat me te medha jane qe te mos bejne asgje per Krimene, por te demtojne Rusine ne plane te tjera.
            e) Megjithese nuk eshte nje indikator i mire; PBB eshte sot njesia me e mire matese e performances ekonomike te nje shteti. 50 miliarde dollare, kane kuptime te ndryshme ne hapesira te ndryshme eshte e vertete, por jo edhe shume te ndryshme gjithsesi. Ne keto raste perdoret njesia $ PPP dhe nese e krahasojme ekonomine e Rusise me ate te shteteve siç SHBA, Anglia, Gjermania ose Franca eshte gjithnje shume me larg dhe shume me e dobet.

  4. Pertej krahasimeve me Kosoven, lojerave diplomatike, kleçkave te se drejtes nderkombetare dhe provave te forces, dy fakte jane te pakundershtueshme:

    1. Krimeja, qe ka qene historikisht pjese e Rusise, e banuar jete e mot nga popullsi ruse, iu “dhurua” arbitrarisht Ukraines nga Hrushovi.

    2. Ruset e Krimese kane te drejten e vetevendosjes. Ketu behet fjale per jeten e njerezve. Pikerisht sot pata rast te flas me nje ruse te Krimese qe e kam fqinje. Ajo me shpjegoi se ata asnjehere nuk e kane kaperdire “dhuraten” e Hrushovit, asnjehere nuk e kane ndier veten mire ne Ukraine, asnjehere nuk jane pare me sy te mire nga ukrainasit qe i konsiderojne ruset si burimin e te gjitha fatkeqesive te tyre. Ata jane ruse dhe kane te drejte te jene pjese e shtetit rus.

    1. Dhe jo vetem kaq, po ajo puna e “dhuratave” nuk filloi me Hrushovin…
      Kur u krijua BRSS,Lenini (projektet e te Cilit ishin mbinacionale) i kaloi R.S. te Ukraines territore histokisht ruse te cilat sot jane Ukraina Lindore dhe Jugore.
      Harkovi (qe Ukrainasit kane qejf ta quane Harkiv) eshte rasti tipik.
      Denglat Ameriko – Eu(nuko)-Europiane per mosnjohjen e Krimese jane per tia dhene gazit.
      Krimeja nuk kerkon te shpallet Shtet i Pavarur, por ti ribashkohet Rusise.
      Pra pellitjet e USA dhe lakejve te tyre jane ne dere te gabuar.
      Vec ne qofte se shpallin mosnjohjen e Federates Ruse!
      Te me falin modertoret per daljen nga tema.
      Statusi i Kosoves nuk ka te beje aspak me keto zhvillime Historike.
      Ne analize te fundit Rusia (nepermjer Ministrit te Jashtem Lavrov) kohe perpara ka deklaruar se njohja e Kosoves Varet nga i Zoti i Punes.
      Pra, nese Serbia njeh Kosoven atehere Rusia nuk e sheh te pamundur te beje te njejten gje.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: