MOS I FOL SHOFERIT

mos i fol shoferitPolitika shqiptare vuan nga sindroma “mos i fol shoferit”. Nuk bëhet fjalë për sindromë të re, tejet të rrallë, por është vënë re se ka prekur jo një pjesë, por gjithë politikën. Për hir të së vërtetës duhet thënë se simptoma të ngjashme shihen edhe në vende të tjera të botës.

Kjo sindromë del në pah kur mazhoranca parlamentare, që ka detyrën e qeverisjes së një vendi, fillon ta shikojë me bezdi veprimin e opozitës. Tre janë imazhet që na vijnë në ndihmë për të kuptuar dinamikën difektoze të marrëdhënieve mazhorancë opozitë. I pari lidhet me emrin e sindromës. Tabelat brenda mjeteve publike, që u drejtohen ekskluzivisht pasagjerëve, flasin prerazi: “Mos e shqetësoni drejtuesin e automjetit”, ose diku tjetër “Mos e shqetësoni manovruesin”.

Mesazhi është i qartë, aq sa tremb edhe ata që kanë ngatërruar autobus e duan të pyesin pa përfunduar në qytet tjetër. Fjalia jepet në trajtën e urdhrit, sepse pikërisht i tillë është. Me fjalë të tjera, urdhri thotë se nuk duhet t’i çash veshët shoferit/manovruesit se ai duhet të drejtojë mjetin dhe nuk ka nge të të përgjigjet.

Urdhri duket sikur vjen nga një entitet edhe më i lartë se vetë shoferi, sepse targa e vogël është ngulitur aty jo prej tij personalisht, por prej ligjit, i cili nuk pranon diskutime në këtë pikë. Cilido qoftë halli yt mos e shqetëso shoferin se ka timonin në dorë dhe ka jetë mbi kurriz. Mesazhi vërtet të frikëson edhe pse nga praktika e dimë se në disa momente nuk ka asgjë të keqe ta pyesësh shoferin për stacionin pasardhës. Këtë e di edhe ai vetë, ndaj edhe shpesh të përgjigjet me mirësjellje. Mirëpo kjo ndodh në jetë, jo në politikë.

Dy imazhet e tjera na vijnë nga bota e kafshëve. Nga një anë kemi kalin që bezdiset keqas nga mizat mbi kurriz, nga tjetra njeriu që nuk e zë gjumi për faj të mushkonjave. Në të dyja rastet kemi përpjekje për asgjësimin e insekteve shqetësuese. I pari fillon të lëvizë kurrizin e t’i godasë me bisht, i dyti lëviz krahët si i ndërkryer dhe i gjuan vetes me shpulla. Të dy bashkohen nga dëshira për t’u lënë rehat.

Rehat. Kjo është fjala që shpjegon shumë gjëra. Parafrazimi i “mos i fol shoferit” do të ishte ky: “Lëre rehat shoferin”. Ose lëre kalin të hajë rehat, lëre robin të flejë rehat.

Kur një mazhorancë fillon ta konsiderojë opozitën si mizë ose mushkonjë bezdisëse do të thotë në rastin më të mirë se nuk e ka kuptuar rolin e opozitës, në rastin më të keq se mekanizmi demokratik ka probleme serioze. Mazhorancat shqiptare i kanë konsideruar gjithnjë opozitat si insekte shqetësuese, që nuk të lënë rehat. Edhe pse të padukshme, targat e vogla që kanë varur qeveritë shqiptare kanë qenë të njëjta: Mos i fol drejtuesit, mos i fol qeverisë, se po merret me gjëra të mëdha, se ka në dorë fatet e vendit.

Që kjo po kthehet në kulturë nuk ka dyshim, edhe për faj të opozitës vetë, e cila nuk duhet të bëjë mizën ose mushkonjën, pra nuk duhet ta bezdisë qeverinë, por ta kritikojë atë nëpërmjet të gjitha rrugëve demokratike, madje duke dhënë recetat e sugjerimet përkatëse për masat e kundërshtuara. Me fjalë të abuzuara kjo quhet opozitë konstruktive.

Në qoftë se qeveria sillet si shoferi fjalëpakë, ose ca më keq si i pagjumi në verë, ose si kali bishtrrufe, atëherë dialogu me opozitën është i pamundur. Automjeti vërtet drejtohet nga ata që kanë marrë votëbesimin e vendit, por një rol për gjetjen e rrugës së duhur e ka pa dyshim edhe opozita.

E njëjta gjë mund të thuhet për opozitën, e cila po u soll si miza e kalit, ose si mushkonja e moçalit, vetëflijohet në rolin e irrituesit, të ngacmuesit, duke e fyer në thelb detyrën fisnike të opozitës, lavjerrësi i së cilës duhet të luhatet nga denoncimet publike të keqqeverisjes deri tek propozimet konkrete për mirëqeverisje.

Vitet e demokracisë shqiptare janë dëshmitare kokëfortë të qëndrimeve të gabuara të mazhorancës, së djeshme e të sotme, sikurse të opozitës, të djeshme e të sotme, që e delegjitojmë palën kundërshtare, duke mos ia pranuar fjalën, si rrjedhim ekzistencën.

Targa e vogël e shoferit, bishti i kalit, fliti i të pagjumit, janë të gjitha metafora të mungesës së dialogut, që psalet por nuk praktikohet, përmendet por nuk zbatohet. Në bazë të komunikimit të dështuar qëndron kultura e mospranimit të Tjetrit, e cila e shndërron në alergji reagimin ndaj mendimit ndryshe. E do të ishte përnjimend mrekulli sikur sindroma “mos i fol shoferit” të izolohej vetëm në botën politike, megjithëse praktikisht kemi të bëjmë me sëmundje infektive që përhapet shumë shpejt në të gjitha sektorët e shoqërisë. Por a jemi të sigurtë se nuk e kemi trashëguar?

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin