kredh “zhys”, kridhem, u krodha “zhytem në ujë”; kredharák m. “Podiceps cristatus, shpend ujës”, në Myzeqe e në Vlorë, kredhomë f. “baltovinë, ligatë”, te Godini. Fjalë me etimologji të diskutuar. G. Meyeri 204 e afron me sll. e vj. kishtare gręznoti “me u zhytë në ujë”, gręza “baltë, llucë”. Me gjithë dyshimet e Meyerit më vonë (AS III 8, 15), kjo etimologji përmendet – po me rezervë – te Bernekeri I 350 e Walde-Pokorny I 654. Pederseni KZ 36, 335 e quan krejt të pasigurtë. Për Treimerin MRIW I 360 kredh ësht’e afër me nord. e vj. krata “me ra, me u lëkundë”. Jokli (te Walde-Hofmann I 617) mbi dëshminë e variantes krydh që ekziston pranë kredh, e afron fjalën me prus. e vj. krūt “me ra”. Këtë spiegim e merr parasysh, pranë atij të mëparmit, edhe Vasmeri REW I 315v., ku jepet dhe literaturë e mëtejme (Agrelli). Me kredh lidhet emri kridhë “baltë e madhe ku zhytet këmba e kalit”. Fjala krydh, megjithëse përdoret zakonisht me tjetër kuptim, “ia marr paret nga xhepi pa e ndjerë”, jepet prej Tasit dhe për “kredh”, e mund të jetë një fjalë me të. Megjithë këtë rrethanë për kredh paraqitet mundësia e një afrimi të brendshëm: kër‑hedh, kridhem : kër‑hidhem, u krodha : u kërhodha.
Parashtesa kër- përveç emrave u ngjitet edhe foljeve: kërthnezem (ndezem), kërqethem (qethem), kërveshem (vesh), kërleshem (përleshem); sh. Xhuvani-Çabej BSS 4, 1956, f. 73, sh. dhe kërtyl. Në folje na duket se ky prefiks ka një kuptim intensiv, përdoret sidomos në verbe afekti; një i tillë verb është edhe kredh kridhem. Te kredh, kridhem, u krodha ndryshimi vokalik është po ai që ka hedh, hidhem, u hodha. Forma e reduktuar kr- e prefiksit ndeshet dhe te i kréturë “i munduar prej etit” në shqipen e Greqisë (te G. Meyer, AS V 87 e paspieguar), që është kr-éturë. Psiloza që vihet re te kredh shihet dhe te primitivi, që shumëkund shqiptohet edh, idhem, u odha (sh. dhe eci). Për krydh do shënuar se ekziston dhe forma krudh, përdorur te I. D. Sheperi.
Kjo formë është një kompozit me hudh (kr-hudh) siç është kredh një i tillë me hedh; krydh do të jetë një formë metafonike e krudh. Kjo metafoni del dhe në sistemin verbal; khs. mbruj : mbryj, përgjunjem : përgjynjem, trus : trys, kërtyl : tul (sh. këto fjalë).