Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Diaspora / Sociologji

VIZA E JABANXHIUT

kryqezim_binareshBatuta, në qoftë se mund ta quajmë kështu, e një politikani shqiptar për vizat që u duhen kërkuar “jabanxhinjve” për të hyrë në Tiranë, përmbante informacione tekstuale e nëntekstuale të mëtejshme, që kaluan pa u analizuar. E vetmja “meritë” e batutës, për të cilën u kërkua falje publikisht, është se na jep mundësinë t’u rikthehemi disa temave për të sqaruar, in primis politikës vetë, disa koncepte bazike të domosdoshme.

Nëse jabanxhi, sipas Fjalorit shqip është “njeriu që ka ardhur nga një vend tjetër e nuk e njeh ende mirë vendin ku ka ardhur; i ardhur, i huaj”, është e qartë se askush nga ne nuk nënkupton me fjalën jabanxhi të huajt, pra personat me kombësi tjetër, por shqiptarët që i drejtohen kryeqytetit nga vise të ndryshme, nga jugu e veriu. Këtu na ndihmon edhe konteksti ku është shprehur mendimi. Po viza ç’hyn këtu si fjalë? Sipas gjasës, është përdorur në mënyrë figurative, në kuptimin e kontrollit, megjithatë si fjalë është jo vetëm e fortë, por edhe e keqkuptueshme.

Jabanxhiu dhe viza u përkasin dy kategorive të ndryshme kuptimore, sepse përdoren si koncepte për dukuri të ndryshme sociale, edhe pse me bazë të njëjtë. Kush i njeh sadopak lëvizjet demografike të njeriut, e pranon që në fillim konstatimin se “sedentariteti nuk është  veçse një parantezë e shkurtër në historinë e njerëzimit” (J. Attali, L’homme nomade). Në kuadrin e gjerë të lëvizshmërisë njerëzore, dallohen dy lloje migracionesh: migracioni i brendshëm dhe migracioni i jashtëm (ndërkombëtar). I pari ka lidhje me lëvizjet brenda vendit, i dyti ka të bëjë me lëvizjet nga një vend në tjetrin, duke kaluar kufij shtetërorë.

Dy fenomenet migratore kanë ngjashmëri e dallime njëkohësisht. Madje në shumë raste kanë edhe lidhje mes tyre. Megjithatë dallimet janë thelbësore. Shqipëria është shembull emblematik në lëmin e migracioneve. Lidhur me migracionin e brendshëm, historia e vendit tonë, na jep ilustrimin nëpërmjet procesit të pasaportizimit, i cili gjatë periudhës totalitare rrekej t’i kontrollonte lëvizjet e brendshme të popullsisë.  Kalimi nga një qytet në tjetrin, nga një fshat në tjetrin, nuk mund të bëhej lehtë, pa marrë fillimisht miratimin e organeve përkatëse. Kontrolle të rrepta bënin edhe vende të tjera totalitare, sikurse kanë bërë vende të tjera diktatoriale përgjatë historisë.

Kjo nuk do të thotë se në vendet totalitare nuk kishte migrim të brendshëm. Në Shqipëri për shembull, duke filluar nga vitet 1950 e tutje, migruan me mijëra njerëz brenda vendit,  të shtyrë nga procesi i planifikuar i industrializimit të vendit dhe nga urbanizimi pasues. Fabrikat kërkonin krahë pune ndaj edhe migracioni i brendshëm u stimulua nga fshati drejt qytetit. Lëvizje të popullsisë ka pasur pra edhe gjatë komunizmit, madje shpeshherë jo vullnetar, por ka qenë në përgjithësi i kontrolluar. Vetë Tirana është produkt i migracionit të brendshëm të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar. Ata që sot e quajnë veten tiranas, me të drejtë ngaqë janë lindur e rritur në kryeqytet, në të shumtën e rasteve nuk i kanë prindërit tiranas denbabaden, por të ardhur, pak a shumë si ata që trokasin sot në dyert e kryeqytetit.

Përgjithësisht, me përjashtimet e sipërme, lëvizjet e brendshme të popullsisë janë të lira, sidomos në epokën e sotme.  Ndryshe paraqiten migracionet ndërkombëtare, të cilat i nënshtrohen kontrolleve të shumta, madje politikave specifike që synojnë qeverisjen e dukurisë migratore. Kështu, shumë vende kanë legjislacion të caktuar për rregullimin e prurjeve të migrimit, nëpërmjet lëshimit të vizave për shembull, sikurse vende të tjera – edhe Shqipëria deri kohë më parë – përpiqen t’i disiplinojnë duke mos dhënë pasaporta për të dalë jashtë vendit. Fakt është se migracionet e jashtme i nënshtrohen më shumë vullnetit politik se sa migracionet e brendshme. Arsyet duhen kërkuar në konceptin e shtetit, të ndryshmërisë dhe të kontrollit të territorit.

Një migrant i brendshëm nuk e ka problemin e gjuhës për të komunikuar me të tjerët në vendmbërritje, pavarësisht se theksi i tij mund të irritojë dikë ose t’i dekonspirojë prejardhjen. Migranti që kalon kufijtë e shtetit të vet mund të ketë probleme reale komunikimi, sepse mund të ketë njohuri të pamjaftueshme gjuhësore. Ndonjëherë migranti që lëviz brenda vendit nuk e percepton si të tillë veten, por e konsideron krejt normale, ashtu siç është në të vërtetë, lëvizjen brenda vendit të vet. Kjo varet edhe nga përvoja personale. Një bir oficeri, sa për të marrë një shembull klasik, që lëvizte sipas detyrave që i jepeshin, nga një cep tek tjetri i republikës, nuk mund ta perceptojë lëvizjen si kolegu që nuk ka dalë asnjëherë nga fshati i vet as për ta çuar kopenë për kullotje.

Megjithëse arsyet e migrimit mund të jenë të ngjashme (arsye pune, familjare, shëndeti, studimi, etj.), qëndrimi ndaj migracionit të jashtëm është krejtësisht i ndryshëm, sepse shtetet vendosin të mbajnë qëndrime të qarta në këtë fushë. Ka vende që përdorin kontrolle obsesive në kufi e brenda territorit, ndaj atyre që quhen zakonisht klandestinë, pra me qëndrim ilegal në vend. Në këtë kuadër, viza është mjeti për të kontrolluar hyrjet në vend. Edhe këtu, përvoja e Shqipërisë na ndihmon shumë. Kontrollet që ushtron Shqipëria në kufij janë të rrepta, pavarësisht filtrimet kriminale që mund të dëgjohen herë pas here. Për qytetarë të shumë vendeve të treta, hyrja në Shqipëri bëhet ekskluzivisht me vizë. Kontrolli i territorit nga ardhjet e jashtme, së bashku me daljet, pasaportat biometrike, etj. nuk janë pa lidhje me liberalizimin e vizave të qytetarëve shqiptarë për të hyrë në vendet europiane.

Fjala vizë, për t’iu kthyer “batutës” së mësipërme, e ka vendin e vet kur flitet për migracionet ndërkombëtare e jo kur flitet për lëvizjet brenda vendit. Megjithatë, edhe sikur të ishte përdorur një fjalë tjetër, përsëri do të ishin krijuar probleme, sepse mjeti që përdoret për ta zgjidhur çështjen (vetëm kontroll) është tërësisht falimentar dhe i shpërpjesëtuar.  Megjithatë, problemet ekzistojnë, duke filluar nga gjendja socio-ekonomike e këtyre bashkëqytetarëve të ardhur në kryeqytet. Çdo proces migrator kërkon qasje komplekse, sepse të tilla janë problemet që e shoqërojnë, që kanë të bëjnë me gjendjen shëndetësore, arsimin e fëmijëve, kushtet e banimit, punësimin, e kështu me radhë me probleme të tjera të integrimit; pa harruar problematika të tjera si paragjykimet, stigmatizimi, fërkimet sociale, që mund të shkaktohen si nga keqmenaxhimi i procesit migrator, ashtu edhe nga instrumentalizimet e ndryshme.

Trajtimi i problemeve të migracioneve kërkon njohjen e disa parimeve bazë, duke filluar nga citimi fillestar, që tregon se njeriu në historinë e vet, lëvizjen nga një vend në tjetrin e konsideron si diçka normale, madje jetike. Shpeshherë migrimet janë procese epokale, që nuk mund të devijohen me viza ose masa të tjera administrative; procese të tilla deri në një farë mase mund të rregullohen, por jo të disiplinohen. Gjithsesi, dinjiteti i atyre që vijnë, ose shkojnë në një vend tjetër, kërkon që t’i krijohen kushtet minimale të jetesës. Ky këndvështrim, së bashku me detyrimin e politikës në kuptimin tradicional të saj (polis), kërkon që lëvizjet e popullsisë, të brendshme e të jashtme, të përshoqërohen me masa që t’i lehtësojnë sikletet e dy palëve, e atyre që vijnë dhe atyre që banojnë, për të krijuar kushtet e integrimit në indin e ri shoqëror, për t’i dhënë perspektivë të re komunitetit të përftuar.

Ndryshe nga vende të tjera, Shqipëria po konfigurohet si territor pa zhvillim policentrik. Tirana po ngrihet si metropol pothuajse në “shkretëtirë”, pa asnjë lloj konkurrence nga qytete të tjera, përfshirë jo vetëm anën ekonomike por edhe atë kulturore; çka i shtyn njerëzit ta shikojnë të ardhmen drejt kryeqytetit edhe kur kanë mundësi ekonomike të jetojnë në vendlindje. Mirëpo ky i fundit, për arsye të ndryshme, nuk ua plotëson më kërkesat për jetesë. Mungesa e qendrave të mesme urbane, me zhvillimin e duhur ekonomik e kulturor, mundësisht me prestigjin e nevojshëm, do të ishte barriera më natyrale kundër prurjeve problematike migratore, sepse do t’ia reduktonte trysninë e krijuar në drejtim të kryeqytetit. Governanca i ka munguar krejtësisht si kryeqytetit ashtu edhe territoreve nga ku nisen “jabanxhinjtë”; sepse nuk mund të kufizohet migrimi pa ndikuar mbi motivet që e shtyjnë qytetarin të marrë torbat e mërgimit; edhe brenda vendit.

Parimi tjetër ka të bëjë me përdorimin e klisheve në lëmin e migracioneve, ku më shumë se kudo e tregojnë hapur brishtësinë dhe dështimin e tyre, por ku bëjnë edhe më shumë dëme sepse ndikojnë mbi frikat primordiale të njeriut. Kush luan me to, tregon në rastin më të mirë injorancën e vet. Migracioni kërkon së pari realizëm. Ligjërimi për migracionet e politikat migratore duhet çliruar nga retorikat e ndryshme dhe duhet pastruar nga papastërtitë paragjykimore. Nuk duhet të harrojnë se migrantët, të brendshëm e të jashtëm, janë njerëz, para se të jenë shqiptarë, nga jugu, nga veriu, qytetarë, apo katundarë.

Si përvoja e governancës politike të migracioneve, ashtu edhe puna kulturore për qasjen ndaj Tjetrit e ndryshmërisë, do të na shërbejë shumë për të ardhmen, po të kemi parasysh se Shqipëria mund të bëhet nesër vend imigracioni, pra pikëmbërritje për imigrantë nga vende të tjera.

Pa Komente

  1. Vlejne keto per vende te tjera, por jo per Tiranen, statusi ekonomik,politik dhe kulturor i se ciles si kryeqytet eshte i tille vetem fale te ardhurve dhe me harxhet e te ardhurve. Sa per ate te Laures qe na u dashka vize per te hyre ketu, kjo te ben per te qeshur duke te sjelle zorret. Tirana e kulturume, qyteti ku ne nje lavatrice lahen tumanet me tangat.

  2. Hahahaha, kjo eshte e pabesueshme!
    Nderkohe, si gjithe batutat e pabesueshme, kjo e jabanxhinjve me vize ka aftesine e dyfishte qe te ofendoje disa njerez por ne te njejten kohe te perforcoje edhe dy stereotipe jetegjate: ate qe bukuroshet jane pak budallacka dhe qe tironsit jane rob te trashe.

  3. Ajo qe te ben pershtypje eshte, se per shkak te procesit te urbanizimit disi te vonuar ne Shqiperi (ne kohen e komunizmit mund te perceptohet me teper si transferim, ndersa pas renies se sistemit si zgjedhje e lire), kontrastet ne binomin qytetar – fshatar jane kaq te hatashme, saqe nuk ndeshen ne te njejten shkalle ne vende te tjera te Evropes, te pakten ne kohen e sotme. Pavaresisht, se ne cdo shtet ekzistojne kategorizime te ndryshme per ata qe jane nga kryeqyteti dhe atyre qe vijne prej qytetesh apo fshatrash te tjera, diferencimi qe kryhet nuk ka nuancat denigruese dhe anti-humane qe ndodh ne Shqiperi. Ne shumicen e rasteve, nje qytetar apo fshatar evropian, pyetjes se nga c’vend je, do i pergjigjet me saktesi gjeografike dhe me specifikime shpeshhere te panevojshme. Madje mund te ndodhe, qe shtepia e tij te jete vetem 10 – 15 km larg qendres kryesore dhe te thote emertimin e posacem te zones se tij, qe ne shumicen e rasteve ti s’arrin dot as te fiksosh emrin apo te kuptosh shqiptimin perkates. Nuk me ka ndodhur me asnje te huaj deri tani, qe te thote qe eshte nga “Tirana” ekuivalente apo “Durresi” ekuivalent i vendit te tij (si qyteti i dyte me rendesishem), nderkohe qe ka jetuar dhe eshte rritur ne vend tjeter. Nderkohe qe me ka rastisur, qe shume shqiptare te veteprezantohen sikur jane nga Tirana nderkohe qe vijne nga qyteza te vogla dhe disa syresh te mohojne origjinen e tyre fshatare, duke u prezantuar nga qyteti nen te cilin ndodhet fshati i tyre.

    Nje diferencim tjeter, qe behej ne Tirane dhe besoj se vazhdon te behet eshte ndarja konviktore – jokonviktore. Besoj se dhe ne qytetet e tjera te Shqiperise qe perbejne qendra universitare duhet te ekzistoje ky dallim, ndonese i permasave me te vogla. Konviktori ne Tirane perceptohej si qenie me brire, aksenti i tyre i cirrte butesine e veshit moshatarit te tyre tiranas, gocat konviktore perfliteshin si femra imorale dhe me karakter te ulet, veshja e tyre stononte si demode dhe “tacky”, etj, etj. Kjo dukuri ka shpjegimin e vet, por qe karakterizime te tilla vazhdojne te stigmatizojne dhe te ushqejne ende ndarjen kryeqytetas – jo kryeqytetas me kritere artificiale, siperfaqesore dhe abuzive.

  4. Mendoj se kjo deklarate infantile mund te jete nje shtytje per te sjelle ne vemendje paaftesine/pamundesine e vendit/popullit tone deri me sot per te krijuar qytetari dhe qytete. Perse kjo ka ndodhur, mendoj se mund te shpjegohet ne nje liber te tere.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin