ETIMOLOGJI TË ÇABEJT: KAPUCAR

kapucár m. “ai që, kundrejt një shpërblimi, zbulon e kallëzon një vjedhje a një faj tjetër”; kapucarí f. “puna e kapucarit”. G. Meyeri 176 e lë të paspieguar. Si e kemi shtjelluar në BSS 2 (1954) 41v., Kristoforidhi 152 me të drejtë e spiegon kapucar-in si “ai e ajo që merr këpucë për të mbaruar ndonjë punë të mirë”, dhe kështu mendon për një lidhje me fjalën këpucë. Ky mendim gjen vërtetim në këtë, që këpucë, siku­ndër na dëshmon vetë Kristoforidhi, me vë­shtrim të figurshëm shënon shpër­bli­min që i jepet ndokujt për një shërbim (më shpesh të mirë) që ka bërë, si b. fj. një krushqi: ap këpucë, marr këpucë, te Cordignano kpucë a (me metatezë) pkucë “danaro (mancia) che si dà a chi scopre il ladro o ľomicida”, me lá kpucët “danaro che si prende dallo sposo (da suo padre), oltre il dovuto come segno (shêj) dello sposalizio”. Edhe Gjeçovi (Kanuni i L. Dukagjinit § 1081) “kapu­cari do të két kpucët e veta përmbas të folmevet të zot’t të gjâs së vjedhun a të hupun”, khs. dhe § 1079, 1084, 1085, 1086, 1087. Ky për­dorim i këpucë-s është mjaft i moçëm, ai del që te Budi (SC 124, sh. edhe 123, 139): qi për këpucë ō për qishdo tjetër ndēr e pagëtyrë të kësāj jete. Ky kuptim i figurshëm i këpucë-s duhet të ketë dalë nga një përdorim i mirëfilltë e konkret i fjalës. Ai i ka pasur rrënjët te një zakon i moçëm që jepeshin një palë këpucë si shpërblim për një shërbim të kryer. Pastaj ky shpërblim u kthye në të holla, pas Kanunit të Lekës 1500 grosh për “gjak të hupun”, 1000 për një pushkë, 500 për një kalë etj., e “këpucët” u bënë shprehja simbolike e një shpërblimi të tillë. Në këto rrethana shihet se është i padrejtë spiegimi që jep për kapucar G. Castel­letti (Studi alb. III-IV 148vv.), duke e nxjerrë atë prej turq. kapu “derë; portë”, me vështrimin “derë e gjyka­tores”. Ky term i së drejtës popullore gjuhësisht pra nuk është veçse një formë e këpucar-it, po me kuptim të ndryshuar. Barazimin e të dy formave e vërteton dhe Sutor, calzolaio Kapucār që ka Bardhi. Ndrimi ë:a në rrokje paratheksore ësht’i shpeshtë, sido­mos në geg. veriore, prej nga ka dalë dhe kapucar; khs. carac, kanushë, miqasi.

Nuk ka komente

  1. Kush niset t’i gjejë etimologjinë fjalës kapucar, me kuptimin “ai që, kundrejt një shpërblimi, zbulon e kallëzon një vjedhje a një faj tjetër”, menjëherë do të mendojë për një lidhje me fjalën këpucë; çështja është se, kështu në vështrim të parë, nuk ka ndonjë lidhje kuptimore midis informatorit dhe këpucëve.

    Për këtë arsye, etimologu mund edhe të tundohet dhe ta shohë lidhjen mes kapucarit dhe këpucës si etimologji popullore, ose një përpjekje për ri-interpretim të pjesës së parë të fjalës kapucar, kushedi edhe nën ndikimin e fjalës këpucar, “mjeshtër që bën dhe ndreq këpucë.”

    Nga ana tjetër, një fjalor etimologjik standard mund edhe të mjaftohej me shpjegimin “emër vepruesi nga tema këpucë”, pa u zgjatur më tej.

    Mbi këtë bazë, mund të vlerësojmë më mirë punën e Çabejt, i cili kërkon të dijë nëse ka ndonjë lidhje midis shpërblimit që merr kapucari dhe këpucëve; në bazë të një intuicioni të cilin e ndesh edhe te Kristoforidhi, sipas së cilës këpucë përdoret, mes të tjerash, si metonimi për shpërblimin; çka e konfirmon edhe Cordignano dhe Gjeçovi.

    Që këtej, Çabej bën deduksionin logjik se këpucët kanë qenë përdorur dikur si pagesë a shpërblim, në natyrë, për një shërbim të kryer.

    Kësisoj, nëpërmjet fjalës kapucar mund të rindërtojmë një zakon të lashtë, atë të dhurimit të këpucëve si shpërblim; të cilit përndryshe nuk i kanë mbetur gjurmë gjëkundi. Gjuha vërtetohet, edhe në këtë rast, si magazinë ose muzeum i kulturës – mjaft të dish ta marrësh në pyetje.

    Vëreni edhe se Çabej e kryen hetimin e vet duke qëmtuar në tekstet e traditës së shqipes – që nga fjalorët e Kristoforidhit dhe të Cordignano-s, e nga Kanuni i Gjeçovit, tek një autor më i vjetër si Budi. Përdorimet e fjalës kapucar, në këto tekste, të cilat citohen, hedhin dritë mbi kuptimin e mëparshëm të kësaj fjale, por edhe mbi kuptimin e temës këpucë, e cila përveç sendit përkatës, ka shënjuar metonimikisht shpërblimin; dhe historinë kulturore të vetë objektit këpucë, i cili paska pasur dikur funksionin simbolik të pagesës abstrakte.

  2. Ne skeden e publikuar ketu shkruhet :

    / Barazimin e të dy formave e vërteton dhe Sutor, calzolaio Kapucār që ka Bardhi./

    (Ne castin e pare kete ‘Sutor’ per shkak te germes se madhe e mora padashur per emrin e ndonje autori; eshte nje i ngjashem ndonse historian.)

    Kurse ne “Studime gjuhesore”, VII,fq.214, te botuar ne Prishtine eshte formuluar keshtu:

    /per trajten e fjales khs. kapucar “sutor,calzolaio” te Bardhi./

    qe me duket me e qarte dhe me rigoroze.

    Nuk e di si eshte gjykuar, nese skedat do te botohen te paprekura sic i ka lene prof. Cabej apo do te lejohen korrektime, ku eshte e mundur, te ballafaquara me punime apo publikime te tjera te tij.

    *
    Sa per kuriozitet : Xhaxhai veren se “.. një zakon të lashtë, atë të dhurimit të këpucëve si shpërblim; të cilit përndryshe nuk i kanë mbetur gjurmë gjëkundi.”

    Ne fakt ne Fier e Vlore deri ne 1990 ishte akoma ne qarkullim ne ligjerimin popullor qe, atij qe bente nje mbleseri a krushqi i jepeshin nje pale kepuce si shperblim. Nuk di sa zbatohej ne praktike ,por si shprehje perdorej edhe per humor. Bile kam pasur rast ta degjoj edhe ne emigracion. Sigurisht kapucar, ne kuptimin qe merr ketu, s’e kisha degjuar kurre para se ta gjeja tek Cabej.

  3. Bëhem këtu kurioz të di nëse ka ndonjë lidhje me këtë kuptim të fjalës “këpucar” shprehja frazeologjike (popullore): “e nxorri me këpucë të kuqe”…

  4. Fatma,

    bleu V, nga i cili janë nxjerrë këto lema, përmban shkronjat K-L-LL-M, dhe kronologjikisht është i fundit që do të shohë dritën e botimit nga kjo vepër prej shtatë vëllimesh. Pra VI dhe VII kanë dalë tashmë. Kështu e pati fatin e hidhur kjo vepër, nisi me botimin e bleut II para bleut I, i cili megjithatë ishte gati prej disa vjetësh në vitin 1976 kur doli i dyti.

    Mjerisht bleu II, që përmban shkronjat A-B, i vitit 1976, ishte i vetmi që arriti të shohë autori. Gjithë të tjerët kanë dalë pas vdekjes së tij. Ai vëllim pra, i dyti, është modeli mbi të cilin mbështeten të tjerët. Çabej ishte shumë rigoroz e kërkues në botimin e veprës së vet. Dhe e kishte një arsye për çdo zgjedhje, qoftë edhe për një presje, që s’ishte asnjëherë e rastësishme, por e menduar mirë. E nga përvoja ime, kur i pata ndihur për të hedhur në letër lemat e fundit të jetës, e di mirë sa zët e kishte po t’i ndryshoje qoftë edhe një gërmë. Dhe kurdoherë që citon lema nga fjalori i Frang Bardhit, ai i citon pa thonjëza. Kështu e kishte vendosur. Ja këtu për kureshti po sjell një shembull nga të fundit fare që më ka diktuar kur dergjej në shtrat të vdekjes. Shkrimi është imi, ndreqjet natyrisht të tijat.

    [kliko këtu për imazhin e dorëshkrimit]

    Nëse në botimin e Prishtinës është ndërhyrë, kjo është bërë në kundërshtim me parimin e autorit.

    Ballafaqimi për bleun V është kryer si me dorëshkrimin, ashtu dhe me botimet, dhe shtesat që ka bërë autori në botimet, krahasuar me dorëshkrimin, janë përfshirë natyrisht të gjitha. Por jo ndërhyrjet në drejtshkrim a në parimet formale.

    “Studime etimologjike”është fillimisht një vepër jo fort e lehtë për t’u lexuar, por sapo të mësohesh me mënyrën e të shkruarit të autorit, është krejt e qartë, edhe pse vepër shkencore e jo divulgative. Idealja do të ishte që njeriu i interesuar të lexonte më parë “Hyrjen” e autorit, që është bleu I, për t’u orientuar më shpejt.

    Ndjesë nëse kam përsëritur gjëra që ju i dini.

    1. Ju faleminderit shume Brikena per gjithe shpjegimet , te cilat me qartesojne mjaft.
      Mesa duket prej botimit te Prishtines duhet te kem krijuar nje pershtypje disi tjeter. Kryesisht prej pasthenies se botuesit por dhe nga nje ‘shenim i autorit’ ne krye te ‘Studime etimologjike ne fushe te shqipes’ ,perfshire ne vol.VII. Gabimisht kam kujtuar se Cabej e ka dhene lejen edhe per ndryshime ne paraqitje.
      Ndjese per menyren se si jam shprehur, por ne , amatoret biem ne gabime edhe atehere kur ruhemi me fort prej tyre. Eshte fare e vertete ajo qe thoni ju , se per te pasur Cabejn nuk duhet levizur as presja ne shenimet e tij.

      Shpresoj qe tirazhi i bleut V te jete i bollshem. Pervecse ne nje rast kur u ndodha per fat ne nje librari ne Shkoder diten qe sapo ishte furnizuar me bleun III,C-D, gjithmone me ka qene e veshtire te shtija ne dore veprat e aq shume kerkuara te Cabejt.

      Falemnderit edhe njehere dhe shume urime per botimin.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: