LAJMI I KAFSHIMIT

qeni_dhe_i_zotiKush ka lexuar qoftë një libër të vetëm për gazetarinë, me siguri do ta ketë hasur maksimën e famshme të qenit dhe njeriut. “Kur një qen kafshon njeriun nuk përbën lajm, sepse ndodh shpesh. Por në qoftë se njeriu kafshon një qen, ky është lajm”. Pavarësisht autorësisë, meqë fjalia e njohur u atribuohet gazetarëve të ndryshëm, fakti është se rregulli për mediat vlen edhe sot e kësaj dite. Kemi të bëjmë me karakteristikat që e shndërrojnë ngjarjen në lajm, ose rrethanat që e kushtëzojnë informacionin të ngjallë interes për mediat e publikun.

Po ta merrnim si absolut rregullin e mësipërm të qenit, lajmi i botuar nga Balkanweb (29.12.2013), me titull “Tiranë, fëmija 10-vjeçar kafshohet nga një qen, prindërit denoncojnë pronarin në polici”, nuk duhet ta kishte parë dritën e botimit.

Duhet thënë që në fillim se gazetarët e redaktorët nuk është se gjatë procesit të botimit evokojnë gjithnjë kriterin e kafshimit; në të shumtën e rasteve kjo bëhet me intuitë, ose vetë ngjarja imponohet për nga rëndësia. Tema është e gjerë, duke pasur parasysh studimet e shumta në lëmin e komunikimit dhe të gazetarisë, që kanë hulumtuar se si një ngjarje bëhet “e lajmshme”, në qoftë se mund të shprehemi me një neologjizëm antipatik.

A përbën lajm kafshimi i fëmijës nga qeni? Normalisht jo. Kushedi sa kafshime ndodhin në ditë në Shqipëri; gjithsesi fakti është disi i rëndomtë, gjithnjë sipas rregullit të gazetarisë. Lajmi i lartcituar nuk duket me shumë interes, të paktën nga pjesa e parë e titullit. Po të kishte qenë (larg qoftë!) një fëmijë disamuajsh edhe ndoshta, por një dhjetëvjeçar është fëmijë i rritur, mund të ketë qen vetë e mund të luajë me kafshët pa ndonjë problem të veçantë. Mund të kishte qenë lajm, nëse do të ishte rasti i kushedisatë, praktikisht epidemi kafshimesh; ose do të bëhej lajm në rast se është folur më parë për qenë të tërbuar, që enden rrezikshëm në qytet. Nejse, lajm i përmendur edhe mund të mos dilte, ose të publikohej në ndonjë gazetë të lagjes (në qoftë se ekzistojnë).

Ja si është komunikuar lajmi i plotë:

Një fëmijë 10-vjeçar është dërguar në spital mbremjen e sotme pasi është kafshuar nga një qen. Ngjarja ka ndodhur në zonën e njohur si Fusha e Aviacionit në kryeqytet, ku fëmija është kafshuar nga nje qen i racës “rodvajler”. Mesohet se vogëlushi është kafshuar disa herë nga qeni dhe është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore. Prindërit e fëmijës kanë denoncuar nç polici pronarin e qenit, ndërsa banorët e zonës shprehen se qentë që shëtiten në rrugë përbëjnë shqetësim për ta.

Teksti nuk po riprodhohet për t’u argëtuar me korrigjime ortografike, ose sugjerime stilistikore; çdo lajm mund të jepet e të shkruhet ndryshe nga pikëpamja formale. Nuk është ky problemi ynë.

Mua më duket se ngjarja përbën lajm, por lajmi duhet kërkuar nëpër tekst. Dy janë faktet me rëndësi sociale. I pari ka të bëjë me shqetësimin që shkaktojnë qentë e shoqëruar, pra ata që dalin me “pronarët” e tyre dhe jo qentë endacakë, të rrugës. I dyti ka të bëjë me denoncimin që i është bërë të zotit, nga ana e familjarëve të vogëlushit të dëmtuar nga kafshimet e qenit.

Lajmi mund të hapë debat publik, sepse shqetësimi është i përbashkët. Kur qentë e rrugës tërbohen e të sulmojnë papritur u kërkohet hesap organeve vendore, në mënyrë që të ndërhyrjnë me ekspertët e tyre. Kur dëmet i kryejnë qentë që e kanë të zonë, atëherë përgjegjësia i kërkohet këtij. Në botë, në kësi rastesh të rënda, plasin polemika të ashpra për racën e qenve, për rrezikshmërinë e tyre, por me sa kam lexuar faji është gjithnjë i njerëzve, i atyre që i edukojnë qentë, dhe jo i kafshëve të gjora, që shpesh janë viktima. Aq më tepër që po flasim për një nga kafshët më fisnike, mik besnik i njeriut dhe tejet i rëndësishëm për të. Përveç kësaj, tema e ngritur mund të pasurohej edhe me problemet higjienike, për sa kohë njerëzit që shëtisin qentë e vet nuk ua mbledhin ekskrementet, siç bëhet normalisht në të gjitha vendet e qytetëruara.

Me rëndësi sociale më duket edhe denoncimi që i është bërë të zotit të qenit pranë organeve të drejtësisë. Ky akt mund të duket i zakonshëm, madje i detyrueshëm, por në Shqipëri jo çdo vepër penale ose kundërvajtje i denoncohet drejtësisë. Denoncimi, nga një anë tregon vetëdijen qytetare për përgjegjësinë e aktit, nga tjetra dëshmon besimin se do të jetë shteti, me mjetet e tij, që do ta ndjekë ankimin e shtetasit. Nëpërmjet denoncimit, gjithashtu, shmangen incidente të tjera që mund të ndodhnin në të ardhmen.

Lajmi mund të ishte paraqitur ndryshe, por siç e pamë, lajmi e ka rëndësinë e vet, edhe kur qeni kafshon njeriun. Rregullat kanë përjashtimet e veta, çka e bën rregullin më të besueshëm. Anipse rregulli duket pak cinik. Tek e fundit, ëndrra jonë do të ishte një botë pa lajme të çuditshme e bombastike. E pamundur: utopi e pastër. Po pse mos të bëjë lajm druri që rritet dhe jo ai që rrëzohet me rrapëllimë?

Gazetaria ka rregulla të veta. Le të marrim, në fund, rregullin e 5W (who = kush; what = çfarë; when = kur; where = ku; why = përse). Lajmi i mësipërm përgjithësisht e ka respektuar rregullin e 5W që, sipas manualeve, gazetarët duhet t’u përmbahen kur i japin informacion publikut. Natyrisht, pika e fundit (përse) nuk është thelluar në lajmin e mësipërm, por dihet që i referohet të zotit, jo qenit.

Nuk ka komente

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin