Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Sociologji

KALLKAN DOLLAPËT

“Funksioni i çdo sirtari është të lehtësojë, të aklimatizojë vdekjen e sendeve duke i detyruar të kalojnë përmes një hapësire të përshpirtshme, një faltoreje të pluhurt ku, duke u hequr sikur po i mbajmë gjallë, u lejojmë atyre një interval dinjitoz agonie të errët…” shkruan Roland Barthes te autobiografia e tij mozaike, Roland Barthes by Roland Barthes.

Kur e lexova këtë pasazh, m’u kujtua jo ndonjë sirtar në shtëpi, edhe pse kemi plot të tillë, të mbushur me sende të varur pezull midis vdekjes dhe mundësisë, sado të brishtë të ripërdorimit; por frigoriferi, ku tërhiqen për të kaluar muzgun e tyre gjellët e mbetura, sallatat tashmë të lodhura, salcat pikante të paketuara ngjeshur, në arkivole plastike, ose tase prej balte të mbuluar me plastmas të tejdukshëm; fruta të qëruara përgjysmë, si natyra të qeta të lëna edhe ato përgjysmë, pse tepër të ngjashme me natyra të qeta të mëparshme.

Në fakt ushqimi në tryezë është kaq i gjallë, kaq pulsues me jetë, me informacion dhe mundësi përjetimi, sa nuk të bëhet ta hedhësh sakaq, madje edhe kur je i sigurt se nuk do t’i qasesh më; e vë mënjanë jo për të kursyer, por për respekt ndaj vetes dhe rrethinave, duke shërbyer frigoriferi, në këtë rast, njëlloj si sirtarët e vjetërsirave të Barthes-it; dhe duke u renditur, njëkohësisht, me hapësira të tjera të shenjta dhe njëlloj të ftohta në shtëpi, si kthina, dollapë, rafte këpucësh, albume fotosh, biblioteka dhe valixhet e vjetra, inkubatorë me vezë të vyshkura dhe të rreshkura prej motesh, rroba që nuk të rrinë më, të dala mode, ose që as i mban mend si i ke pasur ndonjëherë; libra dhe CD që nuk e gjen dot as pse vallë i ke blerë; prova të një jete që as do ta kesh jetuar kurrë.

Shtëpia, me frigoriferin në zemër, vjen e mbushet, hap pas hapi me kujtime të tilla sendore, që të rrethojnë si morg sa beninj, aq edhe i pamëshirshëm në shënjimin që ia bën vdekjes. Me arsye, kushedi do të na duhej ta zbraznim krejt frigoriferin, dollapët, sirtarët, komotë, dollapët, valixhet e vjetra dhe të reja, madje edhe shportën e rrobave të palara; po a ia vlen vallë t’i zbrazësh, përveçse për t’u hapur vendin të rejave, që janë duke trokitur te dera tashmë?

Të gjithë ruajmë nga pak, ndoshta edhe vetëm për t’iu kundërvënë, me kryeneçësi, kohës që ikën. Edhe Barthes-i e mbushi sirtarin e autobiografisë së vet, sado mozaike dhe fragmentare, pa e ditur se do të binte viktimë e një aksidenti banal trafiku: i shtypur nga një furgon lavanderie, kushedi ngarkuar me tesha gjysmë të vdekura e tashmë të ftohura të së tjerëve.

Pa Komente

  1. Shkrimet me “sirtar” jane “such a cliche”.
    Une e kam gjetur per veten time te gjitha kujtimet i kam hedhur ne kosh te plehrave, pervec fotove, dhe foto panumerim, dhe ato, jane foto te natyres, te gjitha bardh e zi, dhe natyre pafund.

  2. E para gje qe mendova kur lexova eshte dashuria e perjetshme e mamave tona te embla me sirtaret. Ne te gjitha kujtimet vizuale qe me parakalojne, mamaja ime eshte duke palosur, futur gjera neper sirtare, kthina, kuti ose duke risistemuar sirtare. Edhe tani kur shkoj ne Tirane dhe e dua gjithnje valixhen te hapur, si dhe objektet qe nxjerr prej saj te grupuara mbi shtrat ose ne dysheme ne nje menyre qe te kem gjithnje gjithcka para syve, kthehem ndonje dite, dhe gjej gjithcka te ndryshuar. “T’i sistemova te gjitha gjerat per bukuri neper sirtare se i kishe lemsh! Gjynah se edhe gjerat prishen, edhe ti s’di nga i ke, edhe dhoma s’duket mire! Tani i ke te gjitha neper vende.” Mbasi e di qe s’ka asnje kuptim t’i them se i dua ne ate “lemshin” tim te qarte, pres te dale mami dhe t’i rikthej gjerat gradualisht ne “rregullin” tim te zakonshem. Edhe kur vjen ne shtepine time eshte njelloj. kthehem nga puna dhe mami me del perpara shend e vere “Xixe ta kam bere dollapin e erezave dhe specieve! S’merrte vesh i pari te dytin aty!” “Sot te kam pastruar sirtaret e nderresave dhe te corapeve! Bera edhe ato te gocave. Pupupu… cfare nuk gjeta brenda!. Sirtaret e jerryt nuk i preka se thashe te te them ty me pare. Po te duash i bej tani fet e fet se nje cerek ore vetem do nje sirtar burrash!”

    Kam pershtypjen se sirtarizimi eshte mani e pergjithshme njerezore; s’jetojme dot pa te. Ku e mesuam xhanem! Por eshte edhe ceshtje moshe e brezash. Une pres me frike te me nise faza e dashurise me sirtarizimin. Para nje jave ndreqa librat, sipas gjuheve, poezi e proze (poezine ta ndaj sipas gjuheve apo vetem sipas autoreve? me mire vetem sipas autoreve! Shakespeare-in ta fus me dramaturgjine apo me poezine?), librat e Kadarese dhe te Xhaxhait ne dy pirgje me vete (vertet!:)); nje tufe te madhe me libra kot cafre ta bej? he se po e mbaj edhe nje vit tjeter. Sa here jam e ngaterruar brenda vetes me dicka, pastroj e sistemoj frigoriferin. E bej me aq dashuri e perkushtim dhe mbeshtjell me aq kujdes cdo cope te ndryshme djathi, sa kam frike se jam e semure. Besoj se me ka nisur mosha e sirtarizimit. Kaq e pata!

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin