Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

DUKUNI NJË HERË NGA JAVA

MerkelKa diçka që nuk më shkon, në arsyen e sjellë nga kancelarja Merkel, për refuzimin e statusit Shqipërisë.

Siç lexova te Shqiptarja.com, Merkel paska thënë që “duhet të vendosen ligje të mëtejshme për reformat.”

E kontrollova këtë edhe në origjinal, siç e kish përcjellë Die Presse:

Zunächst müssten weitere Reformgesetze beschlossen werden, forderte die Kanzlerin.

Reformgesetze, pra – ose ligje për reformat, a ligje reformash.

Dhe pikërisht kjo nuk më shkon, sepse ne, shqiptarët, i kemi provuar Europës dhe botës mbarë se, kur vjen puna për ligje, ne jemi gati të miratojmë çfarëdo, në çdo moment dhe me çfarëdo shumice që kërkohet.

Përkundrazi, problemi ynë mbetet ndërgjegjësimi dhe zbatimi i ligjit.

Sikurse mbetet problemi ynë vendosja e drejtësisë, ose mënyra si i trajton shoqëria dhe institucionet e rendit ata që shkelin ligjin.

Dua të them: ne ligjet i kemi relativisht të gjitha të kopjuara shkeleshko nga legjislacione vendesh të tjera europiane, me histori thellësisht të ndryshme nga jona; por të kopjuara dhe të përkthyera, siç na i kanë kërkuar tutorët.

Ligjet i kemi – por shkelja e këtyre ligjeve, në Shqipëri, është kaq masive, kaq e toleruar, kaq e pakontrollueshme, sa nuk përfaqëson problem të drejtësisë dhe të ruajtjes së rendit, por problem social.

Në qoftë se, bie fjala, një djalë qëllon me gur xhamin e vitrinës së një dyqani, ky është krim ndaj pronës dhe qetësisë publike, me të cilin krim merren organet e ruajtjes së rendit.

Në qoftë se, përkundrazi, të themi njëzet mijë ose dyqind mijë djem dhe vajza thyejnë me gurë xhamat e vitrinave në Tiranë, ky nuk është më krim, por protestë e dhunshme, rebelim, revolucion.

Dhe shkelja e ligjit në Shqipëri ashtu duhet trajtuar: si një rebelim masiv, por me veprim të ngadalshëm. Shoqëria nuk i njeh ligjet si të vetat, duke filluar që me Kushetutën.

Të gjithë e dimë se Shqipëria nuk i përmbush kushtet për t’u futur në Europë; dhe kjo jo për shkak të ligjit, por për shkak të ligjshmërisë.

Dhe ligjshmëria është problem social dhe kulturor, që nuk zgjidhet duke miratuar ligj pas ligji, sikurse nuk shërohet dot një i sëmurë, duke ia krehur flokët ndryshe.

Për shembull, sistemi ekzistues i drejtësisë, në të gjitha instancat, nuk e garanton zbatimin e ligjit.

Flitet shumë për korrupsion (këtë e tha edhe Sequi sot, “për të marrë statusin në qershor, luftoni korrupsionin”); por korrupsioni i ka rrënjët edhe te mënyra si i vendosim ne marrëdhëniet me tjetrin: ku gjithçka mundësohet veç si favorizim, dhe çdo favorizim ka çmimin e vet.

Shqipëria nuk i përmbush kushtet për t’u futur në Europë, sepse shoqëria shqiptare funksionon, kryesisht, sipas modelit parakriminal: shqiptarët i shtyn të organizohen dëshira për t’i shmangur ligjit dhe për ta shkelur ligjin, meqë e perceptojnë këtë si të keqe, të imponuar nga jashtë; a thua se po koagulohen në struktura kolektive dhe komunitare pikërisht për t’u mbrojtur më mirë nga ky ligj.

Ligji shihet kështu jo si garanci e lirisë, por si pengesë, si shtrëngim, si asfiksim.

Ne e dimë këtë, dhe europianët e dinë.

Ajo që Europa, me Merkelin në krye, refuzon të pranojë, është se e vetmja mënyrë për ta shpëtuar shoqërinë shqiptare nga kthetrat e këtij succubus-i parakriminal – ose mafioz – është pikërisht integrimi i përshpejtuar, madje i sforcuar i Shqipërisë në Europë.

Shoqëria shqiptare ka vërtet nevojë për reforma të gjithanshme, dhe jo thjesht për Reformgesetze, siç thotë Merkeli; por këto reforma nuk mund të kryhen veçse nën drejtimin e një agjencie me autoritetin e nevojshëm.

Elitës politike shqiptare sot i mungon ky autoritet; dhe në rrethanat ekonomike, sociale dhe kulturore të Shqipërisë, gjasat që autoriteti i nevojshëm të fitohet brenda për brenda në mënyrë autonome dhe pa dhunë janë praktikisht zero.

Prandaj duhet autoriteti i Europës: jo për të diktuar ligje të reja, por për t’i dhënë ligjit dinjitetin që sot nuk e ka; ose për t’i ofruar shoqërisë shqiptare garancinë, qoftë edhe iluzionin e mbrojtjes ndaj elitave të veta.

Groucho Marx pat thënë njëherë: unë kurrë nuk do të bëhesha anëtar i një klubi, që do të më pranonte mua si anëtar.

Kjo më vjen tani ndërmend; jo aq në lidhje me përpjekjet e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Europë, sesa në lidhje me marrëdhëniet që vendosin shqiptarët me elitat e tyre politike.

Ne nuk kemi respekt për njerëzit që i zgjedhim vetë të na përfaqësojnë; por i referohemi mendërisht autoritetit imagjinar të një perandorie në shkallën zero, të cilën përpiqemi ta marrim me të mirë, duke ia kopjuar dukjet – ose nëpërmjet kultit të kargove.

Shpesh sillemi si qen sa të lëshuar nga zhinxhiri, aq edhe në panik se mos na ka humbur padroni.

Këtë duhej ta kish kuptuar Europa: që shqiptarët e sotëm, pa traditë të shtetit ligjor dhe të gjymtuar mendërisht nga totalitarizmi, varfëria dhe izolimi, kanë ende nevojë për mbështetje nga jashtë.

Jemi një shoqëri në fazën e rehabilitimit, me të gjitha simptomat e një çrregullimi post-traumatik; dhe vetëm dora e shtrirë, nga drejtimi i duhur, do të na ndihmonte për t’u ngritur në këmbë.

Merkeli nuk më duket në mirëbesim, kur flet për “ligje dhe reforma”; sepse më shumë gjasë ka që Europa na refuzoi edhe këtë herë, ngaqë nuk dëshiron të merret me ne në këtë moment; ngaqë nuk na e ka ngenë.

Xhelozitë që lindin natyrshëm, kur dëgjojmë se Serbia po trajtohet më mirë, nuk marrin parasysh dy faktorë: që shoqëria serbe është më e zhvilluar se jona; dhe që Serbia duhet marrë me të mirë prej Europës, për ta mbajtur larg tundimeve rusofile.

Shqipëria, përkundrazi, është lënë në pritje ab aeterno, sepse në momentin e tanishëm nuk përfaqëson ndonjë rrezik për Europën.

Ky është gabimi i madh që po bëjnë në Bruksel, dhe që nuk ka lidhje me prapambetjen tonë, as me erën që na mbajnë këmbët.

Dhe fakti që, në thelb, Europa ende na imponohet si opsion i vetëm, ose pa alternativë, e rëndon edhe më situatën; sepse në mungesë të alternativave, dhe duke qenë shoqëria shqiptare kjo që është, Europës gjithnjë do t’i interesonte që të na linte te dera.

Prandaj qeveria e tanishme kushedi do të bënte mirë ta krijonte vetë alternativën – për shembull, duke e hequr marrjen e statusit nga prioritetetet e programit të saj. Tek e fundit, nuk ka kuptim politik ta torturosh publikun, dhe elektoratin, me nevojën për të plotësuar këto ose ato kushte; dhe për të miratuar këto ose ato ligje, të cilat shpesh janë të pakuptueshme, në mos të panevojshme.

Ndoshta edhe BE-ja e sotme, e sfilitur nga kriza ekonomike, do ta kish më të lehtë të na ndihmonte, sikur ta çlironim nga frika se mos një ditë do të detyrohej të na mbante me bukë, siç e mban vëllai vëllanë.

Çështja në këtë mes do të ishte nëse kjo qeveri, ose më mirë kjo elitë në fuqi, i ka aq kredenciale, sa ta ndërmarrë këtë lëvizje taktike ripozicionimi, pa u akuzuar për anti-europianizëm?

Pa Komente

  1. A mos eshte me interesante parja ne prizmin pseudo-paradoksal “Ceshte Europa, e ne fund te fundit “c’na duhet”
    Eshte ai entitet qe krijoi Rilindjen ne Mesjete dhe gjithe ate bagazh kulturor e filozofik (80% kjo ne feudalizem)?
    Eshte nje kopje e keqe e tentatves Janki (ne thelb Anglo-Saksone) te kapitalizmit Darvinian?
    Kam frike se me te hutuarit ne kete mes jane “Europianet” vete.
    Nuk ja vlen te merremi me nje avatar skadent si Kancelaria e Gjermanise (nje Shtet akoma ne pushtim pra me aftesi non-ekzistente per vizione Gjeopolitike).
    Zinxhiri i eshte lene goxha i shkurter.
    Nese per te shkuar ne Europe (shprehja me idiote e imagjinueshme nga te pakten 4 arsye) duhet te aprovojme ca Ligje per Dylberet qenka domosdoshmeri, atehere shumekush ka nevohe te lexoje me kujdes referimin e Putinit Asmblese Federale te …..Nikolai Berdyaev.

  2. Nje orientim antieuropian me ose pa doreza nuk do ti bente keq Shqiperise. Jo vetem pse kjo eshte e disata here qe Europa perplas dyert, por edhe pse kriza qe Europen akoma e mban mberthyer ka nxjerre ne pa problemet e medha te ketij konstrukti politik. Sot Europa eshte ne piken me te ulet te besueshmerise qofte si institucion dhe si projekt, me pikepyetje te medha mbi te ardhmen dhe vete mbijetesen e saj. Nje kontinent ku gelojne levizje te medha parafashiste nga njeri cep ne tjetrin dhe ku vete establishmenti eshte zhytur ne akuza te ndersjellta te keqmenaxhimit. Nje Europe ku Gjermania dominon politikisht dhe ekonomikisht dhe qe po izolohet gjithnje e me shume duke genjyer veten se Europa mund te mbijetoje pa ndihmen reciproke te shteteve. Fjala “Transferleistung” ne gojen e nje politikani Gjerman eshte ekuivalete me harakirin politik, dhe narrativa e krizes qe akoma dominon ne Gjermani eshte ajo e te pergjegjshmeve (Gjermanet) vs te papergjegjshmeve (jugu) (edhe pse Gjermania ka luajtur rol paresor ne krijimin e krizes financiare).

    Keni te drejte xhaxha qe Merkel me fjalen “Reformgesetze” eshte terhequr ne “Beamtendeutsch” per te kodifikuar mesazhin qe ju e keni lezuar sakte, se nuk ka njeri nge te merret me ndihme sociale (anetaresimin e nje vendi problematik qe shumica e Europianeve e shoqerojne me Afriken) kur ka mbijetesen e vet ne pikepyetje. Ironikisht Shqipetaret duhet ta kishin kuptuar me heret se mund ta bejne veten te deshirueshem per Europen vetem nese gjenerojne force se brendshmi duke i meshuar ekonomise dhe projektit te bashkimit praktik me Kosoven. Pra do ti afrohen Europes duke ju larguar. Nese kjo behet nga nje levizje nacionaliste hapur kundra Europes apo heshtur pak rendesi ka. Por Europa duhet te pushoje se qeni prioritet dhe kjo jo vetem per aresye taktike.

  3. Figura e e perdorur nga Xhaxhai (nje qen ne panik se i ka humbur i zoti) eshte me e sakta e mundeshme per pershkrimin e kategorise (fatkeqesisht maxhoritare) qe po shkulin floket e mjekren bashke meqe “s’po na fusin ne Europe”.
    Sapo reagoi nje ekzemplar i tille pak perpara me patosin e turmave te “Meidanit” ne Ukraine. Fatkeqesia eshte qe kjo kategori qe dikush do e klasifikonte si “idiotet e dobishem”, qe pasi marin ne qafe kombet respektive, vete ja mbathin ne Parjsen e “Botes se Lire” per te mbijetuar me lloj lloj punerash mizwerabel qe dje i kishin per turp edhe ti permendnin ne vendet e tyre.
    Dikush duhet te cliroje leshkot nga autosugjestioni se Europa eshte nje si tip hallve (do thoshte Prefekti) ku Gejrmane, Hollandeze Franceze e me the te thashe do rrobtoheshin ne pune per te na mbajtur ne me buke pa punuar, e ne te dredhim zinxhirin e te kapardiseni me Porche si ai Kosovari qe pretendonte se po “voziste” me 314km/h kur maksimumi i mundshem i asaj makine ishte……305km/h.
    Sa per rrushte ndoshta duhet pyetur Greqia, Spanja, vendet Balltike se si po u duken!
    Ja ku jane Rumania e Bullgaria (vende gjithsesi me lart se ne ne cdo kategori te imagjinueshme). C’perfitim paten nga ku “Nder i Madh”?
    Ato ane qe do na afronin me vendin qe marrim si shembull, jane te tilla qe nuk importohen po vine si rezultat i nje evolucioni te brendshem qe vendeve (qe kemi marre si shembuj) u jane dashur shekuj.

    1. E kam trashegimi nga shqipja e dikureshme e mesuar ne familje dhe ne shoqeri. Ka qelluar dhe shume prej te njohurve te perdorim nje shprehje ne Shqiperi: “e ke marre vesh roma per toma” apo ne disa raste “flet roma per toma”. Une gjithmone e kam kuptuar interpretuar mendoj drejt: “e ke marre vesh gabim”, apo “flet qesim” apo si “kodra mbas bregut”.

      Ka kohe dhe ia kam gjetur etimologjine nje shprehje te tille. Eshte huazuar nga nje shprehje tale quale nga italishtja. Cka eshte interesante, jo te gjithe italianet e perdorin apo ia dine kuptimin vete kesaj shprehje “comprendere Roma per toma”, qe transmeton pak a shume te njejten ide te dhene me siper ” t’i kuptosh gjerat gabim”, “te mos kuptosh apo te keqinterpretosh cfare thote tjetri”.

      Roma, dihet se per cfare flitet, kurse toma eshte nje lloj djathi. Te ngaterrosh kete dy gjera kaq te ndryshme.

      Mu kujtua kjo shprehje kur lexova Antaren. Je ne pozite te veshtire se mendja te refuzon per te bere lidhjen e gjerave qe lexon, por kjo nuk eshte mjaft. Problemi vazhdon se t’i i thua vetes: “Po degjo une them se jam i lecitur mjaft per te kuptuar se cfare do te thote tjetri”. Pastaj kur perpiqesh vete t’i japesh nuanca komunikimit, kalon ne nje situate tjeter, proverb tjeter: “per inat te sime vjehrre, do te shkoj me mullixhine”.

      Por inati nuk duhet te shkoje ne ate pike sa te fillojme arsyetime dege me dege, pa lidhje, apo sic i thone ndryshe te flasesh “kodra mbas bregut”, per t’i tregua tjetrit qe jeton ne saraje, e qe s’te qas brenda, se te kam aq inat sa qe do te shaj gjithe dite edhe naten, se je i lig se nuk me qase mua.

      Kjo me kujton rahmetliun EH, qe shante nge frengjia e kulles se tij dite e nate Perendimin, qe e kishte harruar atje “ne ate shkemb graniti ne buze te Adriatikut” duke e injoruar e duke lene te lehte per gjysem shekulli. Ky EH ishte si nje lloj bajlozi i zi, qe i mbante te ndrydhur te gjithe bashkekombasit e vet, nje pjese e mire te budallallepsur nga llafollogjia nacionaliste-komuniste, qe pranonin fatin e tyre kokeulur se i tuteshin zemerimit te cmendur te bajlozit dhe gardianeve te tij (henchmen).

  4. Një reagim ironik (dhe pak provokativ) mund të ishte që sot e tutje mbledhja e firmave për një referendum…për të kërkuar bashkimin me ShBA.

  5. Europa nuk i duhet aq shume (madje, s’i duhet fare) ketij mileti, qe ta hedh gelboqen qe ne pike te sabahut, mu para kembeve …. se sa ketyre hajduteve, qe pasojne njeri tjetrin, per llogarite e tyrete ndyra politike…Do benin akoma me mire ata te Brukselit, qe te mos i hidhnin syte fare kesaj nahie; breshka do ferren, thote nje llaf i urte..

  6. “Këtë duhej ta kish kuptuar Europa: që shqiptarët e sotëm, pa traditë të shtetit ligjor dhe të gjymtuar mendërisht nga totalitarizmi, varfëria dhe izolimi, kanë ende nevojë për mbështetje nga jashtë.
    Jemi një shoqëri në fazën e rehabilitimit, me të gjitha simptomat e një çrregullimi post-traumatik; dhe vetëm dora e shtrirë, nga drejtimi i duhur, do të na ndihmonte për t’u ngritur në këmbë.”

    Jane disa stade pjekurie shoqerore dhe politike qe shqiptaret duhet ti kalojne vete, pa ndihmen e askujt, perndryshe nuk ka sesi te miratohen ne BE pa pjekurine e domosdoshme. Eshte njesoj sikur ti kerkosh nje personi i cili nuk ka luajtur kurre shah ne jeten tij te ndeshet me Bobby Fischer. Do te ishte qesharake ti kerkoje Bobby Fischer qe te ta linte ta fitoje ndeshjen , vetem per faktin e thjeshte qe jam i paafte. Eksperiencen nuk e merr dot dhurate, duhet te punosh pa ta fitosh. Ky person pa pervoje, do te duhet te stervitet njehere, dhe pasi te ndjehet i zoti dhe te kete ndershmerine dhe pjekurine e plote, do te ulet ne tavoline e te luaje me partnere pothuajse te barabarte.

    Qeverite shqiptare te ketyre viteve mendojne se duke shpalosur fjalen demokraci eshte e mjaftueshme per tu miratuar ne BE. Ketu qendron dhe gabimi kryesor ne kendveshtrimin e politikes shqiptare, papjekuria.

    Fillimisht mendoj qe per te bere nje hap drejt kesaj pjekurie eshte jetike per shqiptaret te perballen me figuren e Enver Hoxhes dhe te mbajne nje qendrim te prere, jo me heshtje, sikur edhe kundrejt persekutimeve cnjerzore qe i jane bere shqiptareve nga qeveria e tij. Ky eshte edhe hapi i pare.

    1. Si mund te quhet BE-ja klubi i te barabarteve kur ka brenda edhe Luksemburgun edhe Rumanine ? Luksin e burgut luksemburgas nuk e gjen dot ne shtepine e rumunit mesatar. Apo do per ane te tjera ?
      BE-ja eshte projekt politik, qe do te thote o je parashikuar dhe hyn kur u duhesh o s’ je parashikuar dhe rri kot tek dera. Pyetja themelore nuk lidhet me sa stervitje duhet te bejme, po a jemi ne te parashikuar ne projektin politik e nese jo a ka shpresa qe evoluimi i BE-se te sjelle per ne modifikimin pozitiv te projektit. BE-ja nuk eshte projekt i dale nga zyrat e shoqerive civile, si ta zeme projekti dyvjecar i sorrosit per arixhinjte, por projekt i dale nga zyrat e ministrise me te vjeter te jashtme te Europes, asaj frenge.

      1. Hyllin,
        të jesh mes të barabartësh do të thotë ta ndërtosh konkurrencën mbi premisa e rregulla të barabarta. Unë si shqiptar, mbi këtë logjikë dua që vendi im të futet në Europë.
        Jo, siç mendojnë disa komunistofilë mendjeprishur, se të futurit në Europë të mbron figurativisht krahët apo prapanicën, dhe të bën automatikisht “të barabartë” me tjetrin. Ky është një koncept i qelbur që ka mbizotëruar e mbizëtëron tek ata individë prazitë të cilët për t’u ndjerë mirë, nuk kërkojnë të njëjtat mundësi, por kërkojnë uljen e tjetrit, dhe të tjerëve në një nivel bazë, ku paraziti mund tëpërfitojë e të ndiet mirë, si në një forme terapie grupi, ku vetvlerësimi vjen ngaqë asnjë nuk ka mundësi të ta kalojë. E kjo fatkeqësisht ishte e është mendësia e atyre që dje e sot kujtojnë me nostalgji kohët e diktaturës komuniste.

        Pra, Rumania e Luksemburgu që përmend ti, më duket, meqë nuk jam ekspert i mënyrës se si funksionon BE, i kanë mundësitë teorike për të konkurruar në tregun e përbashkët, si të barabarta. Pastaj është në dorën e drejtuesve dhe të “elitave” (siç i quan autori shkrimit) ta edukojnë shoqërinë nga e cila kanë dalë e janë nxjerrë, për të qenë sa më pjesëmarrës në këtë proces.
        Përndryshe, nëse elita, apo edhe eksponentë të të ashtuquajturve apo vetquajturve intelektualë mbështet, me argumente bastarde dhe të rrejshme, një elitë të kalbur, duke i trembur me gogola të hiperbolizuar e iracionalë, atëhere përfundimi është se kryetar i kuvendit bëhet një individ që ka thyerë ligjin. Të gjitha muhabetet e tjera pas kësaj janë prej hipokritësh, gjykoj.

        1. C’eshte e verteta Luksemburgu rron me bankat, por s’ ka rendesi, sepse ne teresi kur bashkohet nje vend i pasur me nje te varfer vetiu konkurrenca eshte e kushtezuar.
          Ne rastin tone 1/3 e shtetasve shqiptare kane 10-20 vjet qe jetojne e punojne ne BE, kane krijuar aq shume vlere te shtuar ne ato vende saqe mund te justifikojne shume mire te gjitha fondet qe BE-ja do t’i kaloje Shqiperise ne 10-20 vitet e para te hyrjes. Me pak fjale kane krijuar me pune edhe kushtet qe Shqiperia te parazitoje te pakten 10 vjet. Sidoqofte qendron edhe fryma jote kritike.

          Persa i perket asaj qe cdo individ mendon se eshte e drejte apo e padrejte ne lidhje me hyrjen, une per vete them se Shqiperia e ka paguar tashme bileten e hyrjes ne nje entitet ekonomik, jane miliarda dollare deficit tregtar cdo vit me BE-ne e me shume miliarda akoma cdo vit si vlere e shtuar e punes se emigranteve. Bileten e kemi paguar shtrenjte po ne klub ndalohen te hyjne qente dhe Shqiperia.

          Problemi nuk e kane me shqiptaret por me shtetin shqiptar. Nuk e kane
          me shqiptaret sepse emigrantet i kane, por edhe shqiptaret emaqedonise i fusin, te malit te zi apo serbise.Prandaj mendoj se problemi lidhet me ceshtje te politikes se jashtme dhe jo me kritere qe plotesojme ose jo.

  7. Jo, ky Kryeminister, ashtu si edhe Saliu ose Basha, nuk e kane stofin per te bere ndonje levizje taktike te zgjuar. Fatos Nano besoj se po, por me sa duket nuk ka interes te merret heperhe me politiken aktive. Perfundimisht, Kryeministri i tanishem, ne kete moment, sapo i tregoi fare qarte limitet e veta.

    Une do te filloja te flirtoja me Union Doganor Evroaziatik, sa per fillim. Me pas do te vijoja me mbledhjet e perbashketa mes dy qeverive shqiptare dhe asaj turke, dhe mund te pretendoja edhe rishikimin e shumes se kontributit financiar te Shqiperise ne Nato.

    Ndjehej nje fare lodhjeje nga zgjerimi ne fakt, jo po deri ku do te mund te shtyhet BE-ja, jo po a eshte Turqia Evrope, nese po, pse jo edhe Afrika e Veriut ose te pakten ish-kolonite franceze; dhe e gjitha kjo pa permendur dermen qe i dhane kushtetutes evropiane Franca dhe Hollanda.

    Por edhe une jam per nje ridimensionim te perparesive kombetare. Do ta kerkosh Vloren Angie, tha, por nuk ke per ta gjetur….

  8. Kur ne te plotesojme kriteret, do kemi arritur nje nivel zhvillimi qe do doje Europa te hyje ne Shqiperi. Se keta shty e shto dhe shto e shty vetem nese behemi si Zvicra do na thone ok. Serbia do hyje se eshte shtet sherrxhi qe nuk ha pyke me te keq, prandaj duhet marre me te mire. Maqedonia ka 8 vjet qe ka marre statusin se i duhet garantuar mbijetesa, ashtu sikunder edhe Malit te Zi. Shqiperia eshte nje vend anonim qe as i rregullon as i prish pune kujt, ku s’ kalon asnje arterie tregtare me rendesi, as mbijetesen s’ ia kercenon kush, c’e do kot havale. Vene keta tanet , i presin me darka, dreka e buzeqeshje, keta thone ua futem ata thone iken katundaret te kenaqur, s’ do na hapin telashe jashte katundit te tyre. Kaq do robi normal prej nje fqinji havale mos t’i prishe pune, kaq do edhe shteti normal prej nje fqinji havale.

    1. Serbia nuk ka me c’sherr te beje ne Ballkan, me shume se c’ka bere. Dhe nga infrastruktura eshte me Evrope se shumica gjeografike e Evropes se sotme. Pika e dobet e BE-se eshte unisoni i munguar ne ceshtje te politikes se jashtme, dhe kjo qe nga fillimet e saj. Entitet brilant qe ia ka dale mbane te krijoje deri me sot te vetmen hapesire relativisht te lumtur te globit, ka deshtuar ne menyre spektakolare ne te pasurit nje politike te jashtme te unifikuar te shteteve antare, ne menyre te perseritur. Zgjerimi eshte mbi te gjitha ceshtje e politikes se jashtme te BE-se, por BE-ja vertet po perjeton ditet e saj me te keqija, nese analiza e Enit eshte e sakte. Dhe eshte me se e sakte, druaj.

      Por shiko pse ka ane te erreta ky vendim i fundit. Une nuk e besoj se shoqerite rumune dhe bullgare ne momentin qe u pranuan ne BE ishin po aq te zhvilluara sa ajo gjermane apo franceze, e megjithate u pranuan me vrap, nga tmerri i arushes ruse. Dhe fytyren e trishtuar te Merkelit mbas terheqjes se Ukraines e kemi gjithashtu fare te fresket. Meqe puna qenka me te shitur, pra une duhet t’i shitem atij qe me ofron me shume, dhe e vetmi kriter na qenka ai i afersise/largesise kilometrike nga Moska, mund te arsyetoj une nenshtetasi shqiptar, atehere une vertet nuk kam gjasa te me shpetoje rusi nga falimentimi por mundet te rinovoj dhe rifreskoj me force pjesemarrjen ne Konferencen e Vendeve Islamike, per shembull, dhe kete here pa komplekse fare, sepse une nuk jam evropian, dhe ne cdo rast me sa duket do jem i fundit qe do i bashkohet klubit. Mundet gjithashtu te filloj me ne fund te imagjinoj nje bote ku une do te mund te jetoj per shume vite pa endrren e nje nate vere.

      Asnje e mire nuk i vjen sinqerisht Evropes nga mosintegrimi i hapesires shqiptare, shume probleme qe ia kemi edhe krijuar me shumice gjate ketyre dy dekadave te fundit, do te vazhdojme t’ia krijojme ne vitet ne vijim.

      Kam gjithe diten qe kendoj nen ze Stonsat…

      Angie, Angie, when will those clouds all disappear?
      Angie, Angie, where will it lead us from here?
      With no loving in our souls and no money in our coats
      You can’t say were satisfied
      But Angie, Angie, you can’t say we never tried…

      1. Sinqerisht nuk shoh se cfare ka pare keq Evropi nga ne. Ne cdo vend raporti 23 vjecar, mire/keq eshte dukshem ne favor te se mires. Nuk jemi shume te mire, po s’ ka pare ndonje shtet keq nga ne, perndryshe dhe do na kishte fluturuar jashte, me keq se Franca me arixhinjte.
        Emigrantet kane vuajtur diskriminimin, punen ne te zeze, kur kane qene ne rregulla s’ kane marre as nje te dhjeten e sherbimeve per te cilat kane paguar taksat, s’ kane te drejte vote e me radhe ‘lukset’ e qytetarit normal. Kush ka nxjerre fitimin e vertete eshte BE-ja, ne jemi kenaqur me therrimet e tryezes. Ok hallexhiu do thote falemnderit, po jo edhe cka hequr ai tjetri ndersa te shfrytezonte deri ne palce.

        Persa i perket manovrave te tjera, do kellqe ajo pune dhe ka kosto te larte politike. Te shohim njehere manovrat e brendshme, sa kellqe do kete qeveria pasi na ngopi 100 dite me llafe..

      2. Phaino, ky vendimi i fundit i BE-se per te mos ia dhene statusin e vendit kandidat Shqiperise, per njerez si une dhe shume te tjere, europeiste te bindur deri dje, ishte nje goditje e madhe. Sepse personalisht mendoj qe per Shqiperine eshte e vetmja zgjidhje, e vetmja, dhe shtyrja e pranimit vetem sa i shton muajt e agonise vendit tim, por edhe neve qe duam sa e shpejt ta shohim ‘Zonje’. Por do e marrim ne qershor, me sa duket. Dhe deshperimin ti mund te kishe lexuar mes rreshtave te mi, perpara se te shkruaje: “Këto pseudoargumentet se arsyeja kryesore na qenka politika e jashme, duhen futur tek dollapi e duhen nxjerrë vetëm kur mos të ketë më në lojë ndryshore të tjera. Unë personalisht e quaj këtë lloj muhabeti propagandë anti-europiane të pacipë”.

        Une nderkohe e shoh pothuajse cdo dite nje 10-minutsh Euronews-in dhe di goxha per politikat e zgjerimit te BE-se, dhe une iu referova politikes se jashtme te BE-se ne koment.

        Eni eshte talent me i vjeter se une ketu ne blog, meqe une e kam gjetur ketu dhe ia kam lexuar edhe shkrimet e hershme. Une adhuroj vetem Perendine, edhe ate jo ne menyre konstante, hiq nje lloj narcizizmi siperfaqesor qe me kap here pas here, si cdo femer fundja.

        Pse ‘keshillim nga poshte’ dhe jo ‘keshillim nga lart’? Se une per vete mund te keshilloj edhe nga lart, fjala vjen.Pse jo ‘keshillim diagonal’? Keshillim ne rang Komisioni apo ne rang Keshilli? Po Keshillin vete kush e keshillon? Gjithsesi, me vjen keq nese pa dashur te kam fyer.

  9. More zoteri, jemi autoktone. Jemi ketu te pakten perpara statusit. Ndaj BE-ja duhet te kete pak me shume respekt per ne te lashtet, se si te tille, na dhembin kryqet e mezi e kapim te rene, e na e marrin per propagande. Gjynah qe nuk na e japin, sinqerisht. I ke pare qe ne Europe nuk bejne me humor? Po ja te na marrin ne dhe ndoshta gjallerohen nje cike. E kane bere jeten si bicim projektbuxheti a derebardhe. Te masin edhe sa perqind e popullsise do qeshe ne fund te muajit janar, krahasuar me tremujorin e pare te vitit qe shkoi. I kane harruar huqet fare, vetem ne i kemi ruajtur. Europiane te vertete, madje te vetmit qe kemi mbetur te tille. Ja c’tregoi Bujar Asqeriu, ai aktori, ne nje emision:

    “Luanim nje film ne 1987 ne Dukat. Disa partizane greke, hyne ne Shqiperi dhe kontakuan me ata shqiptare per te koordinuar veprimet. Une isha majori gjerman qe i ndiqja. I veshur kreko, me cizme, me uniforme, grenx fare. Po rrinim ne shesh xhirimi, kur u dha nje xhaxha. I veshu si mos me keq. Mu afrua, po me prekte, me shikonte. Tundte koken. He c’ke xhaxha? Te pelqen okupatori? Ia priti dikush me shaka. Ai tundi koken dhe me vuri doren ne zemer: Eh gjerman gjerman. Eh gjerman gjerman. Me pa iku”.
    Eshte paguar shtrenjte Europa ketej. Kuptohet po ta shikosh nga nje pikepamje.

  10. Ky episod e beri XhaXhain te citonte Groucho Marx, ndersa mua me ben te citoj popullin Amerikano Verior kur thote “you aint much if you aint Dutch”.

  11. Kam disa pyetje: po sikur populli te kuptoje qe ne ate klub s’ka per tu futur ndonjehere? C’i duhet demokracia e kapitalizmi atehere? Pse jo islamo-fashizem, apo nacional-socializem?

    1. Ketu i ke rene ne koke. Idealja (teorike) per miletin eshte Nacional-Socializmi, por idealja praktike (per te njejtin material) eshte Islamo-Fashizmi.
      Sado qe te duket absurde vulgu eshte gati te ndermarre lloj-lloj kthesash ekstreme si ai i parashtruari.
      Fati (i mire) eshte qe nuk ka nje Elite qe te ndjeke ate rryme. Frika ndaj Kodoshit (USA, BE) eshte me e madhe se sa deshira per pushtet, sic mund te shihet edhe ne Ukraine.
      To be continued…..

  12. Ajo që Europa, me Merkelin në krye, refuzon të pranojë, është se e vetmja mënyrë për ta shpëtuar shoqërinë shqiptare nga kthetrat e këtij succubus-i parakriminal – ose mafioz – është pikërisht integrimi i përshpejtuar, madje i sforcuar i Shqipërisë në Europë.

    Nje ide qe kam une i referohet historise. Nqs nje Hollandez ngriti policine e pare te Shqiperise, perse te mos ia leshojme ate funksion shteteror Hollandezve (meqe na vune veton). Ka precedent historik per kete. Thuhet nje polic i trajunar nga Thompsoni kishte autoritet sa 100 sot.

  13. Per mua nuk eshte kiameti po te mos hyjme tani ne Europe. Nuk jemi gati ne asnje pikepamje. Edhe keto qurravitje alla shqiptarçe qe e kerkojne anetaresimin e Shqiperise si nje lloj shtyse te jashtme dhe shprese te fundit per t’iu afruar standardeve europiane, me duken pa dinjitet.
    Nese nje dite do te hyjme ne BE, duhet ta bejme kete me koken lart, jo si lapangjoze dhe lypsare. Me kujtohet ketu nje citim i meparshem i batutes finale te Kandidit nga nje komentues qe nuk ia kujtoj emrin: Te ulim koken e te punojme kopshtin tone, para se te kerkojme nga te tjeret qe nuk na e kane per borxh!

  14. Mjeshtri i vërvitet skenës vetëm mbasi çirakut t’i jetë mbledhur fiqiri për të shtruar me domosdo suvanë.

  15. Europa nuk ka asnje interes per ne. Ka pak te ngjare qe te na pranojne as keshtu sic jemi as sic do jemi ne qershor a ne dhjetorin tjeter. Megjithate, nuk do shkuar me mullixhiun.

    Qaravitjet per Europen jane te shemtuara dhe po instrumentalizohen politikisht nga te gjitha palet, por cila eshte alternativa? Propozimi per marifete ngriva-shkriva eshte i rrezikshem. Si tha ai, kush i ben gropen tjetrit, ai tjetri bie brenda.

    Kemi 2000 e kusur vjet ne zemer te Europes, midis dy qyteterimeve me te medha perendimore, dhe…..nuk u beme dot. Nuk behet qameti se presim edhe nja 50-100 vjet te tjera. Do jo thoja, me mire 100 vjet ne dyert e Europes, se sa ne gjirin e ndonje grupimi tjeter, islamik, per shembull (ato endrrat me Hollande e me Austri harrojini. asnjeri nuk na do. na do Turqia mbase, po i erdhem pas avazit edhe ajo).

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin