Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi / Totalitarizëm

NJË LIBËR NË KATËR RRUGË

CaptureNjë shoqe që takova në Tiranë menjëherë pasi ajo kish lexuar librin tim të fundit, më tregoi se rrëfimet e mia për të shkuarën letrare të brezit i kishin sjellë ndërmend ca kujtime të vetat të shtrenjta.

Të dy prindët i kishin punuar në shtypshkronjë, dhe kishin krijuar një bibliotekë të tërë me libra që sillnin në shtëpi, para se të dilnin në treg; dhe natyrisht pa kopertina.

Ashtu më kujtoi edhe librat që na sillte një fqinja jonë, e cila punonte gjithashtu në shtypshkronjë (te “Mihal Duri”), dhe që shoqërinë me time më e konsumonte kryesisht përmes këtij shkëmbimi të pandërprerë faqesh të shtypura, sugjerimesh dhe mbresash romantike.

Punëtorët e shtypshkronjës, së bashku me bibliotekarët, mësuesit, librashitësit dhe të tjerë punonjës të përfshirë në qarkullimin e librit kanë pasë lexuar shumë. Helmin e plumbit e luftonin me antidotin e kënaqësive të shumta të leximit.

Librat e ardhur drejtpërdrejt nga shtypshkronja i gjen akoma në bibliotekën time; zakonisht të futur prapa të tjerëve, pse joestetikë dhe të paekspozueshëm, me shpinat e lyera me zamkë të verdhë dhe flokët e thinjur të penjve lidhës të fashikujve.

Shoqja që përmenda më lart, më tregoi se, në familjen e vet, këta libra të ikur nga shtypshkronja lakuriq i “lidhnin”, duke u vënë edhe kapakë të fortë dhe shpinore prej bezeje.

Të lidhje libra, në atë kohë, ishte e barasvlershme me të shkuarit te rrobaqepësi, për të “prerë” një palë pantallona, ose qepur një këmishë; ose edhe te këpucari, për një palë këpucë me porosi.

Edhe të arratisurit lakuriq nga shtypshkronja kishin nevojë të visheshin disi, të mbulonin trupat e mardhur, dhe ashtu të vinin e t’u ngjanin sivëllezërve më fatlumë.

Çuditërisht, sot kjo shprehje e “lidhjes së librit” më kujton lidhjen që ia bëjmë një kali të azdisur ose një qeni të paduruar; të thuash se marrëdhënien tonë të kujdesit për ta nuk mund ta shprehim dot ndryshe, veçse duke ua kufizuar lirinë, përmes një litari a zinxhiri.

Libri i lidhur rishtas ishte libër i disiplinuar, i krehur dhe me thonj të prerë, që lejohej më në fund të zinte vend krahas kolegëve të vet, në rreshtat e ushtrive të ngrira në raft; pa çka se me uniformë të qepur me dorë dhe flokët të qethur me gërshërë dhensh.

Mes librave që na kish dhuruar fqinja tipografe, mbaj mend sidomos romanin e Petro Markos Një emër në katër rrugë – dhe e mbaj mend jo vetëm ngaqë më pëlqeu kur e lexova, por sidomos ngaqë romani vetë nuk u botua kurrë.

Dikur midis faqosjes dhe vendosjes së kopertinës, do të kish ardhur urdhri fatal nga lart, për t’ia ndaluar botimin e shpërndarjen, dhe për ta dërguar “në karton.”

Petro Markoja ishte nga autorët më të preferuar në shtëpinë tonë – sidomos falë romanit Qyteti i fundit, por edhe romanit tjetër Hasta la vista, që ishte disi “ndërkombëtar” nga natyra.

Nuk e kam marrë vesh pse u ndalua romani i Petros, edhe pse asnjë shkrimtar në Shqipëri nuk ishte imun, ndaj ndalimit në sekondën e fundit dhe riciklimit në karton; dhe aq më pak Petroja, që gjithnjë kish pasur probleme me regjimin.

Por tani që e kujtoj, më ngacmon statusi i asaj vepre, që në pak ekzemplarë dhe pa kopertinë, qarkulloi gjysmë fshehurazi, dhe dorë më dorë, në Tiranë; diçka midis librit të shtypur dhe dorëshkrimit, objekt që logjikisht nuk duhej të ekzistonte, hebré që rastësisht i kish shpëtuar krematoriumit.

Ngaqë ne nuk i lidhnim librat (sepse nuk dinim), për ta kërkuar romanin e Petros në bibliotekë duhej t’i shfletoje prurjet nga shtypshkronja njërën pas tjetrës; t’i identifikoje nëpërmjet faqeve të para ose tekstit; gjithnjë duke u ruajtur që pjesë nga libri të mos binin përdhe, as të vareshin në penj si çarçafët në tel.

(Librat e palidhur gjithnjë mund të vendosnin t’ia mbathnin sakaq, dhe të fitonin lirinë jetëshkurtër, derisa të përfundonin në kaushë për bajame të pjekura dhe kikirikë, ose letra për fiq të butë fshati.)

Dhe ashtu do ta gjeje romanin e Petros, kushedi të rrasur midis “Katedrales së Parisit” dhe “Kontit të Montekristos” – dhe pastaj do të vrisje mendjen duke krahasuar aventurat e rrëfyera në këta dy libra, dhe të tjerë si këta; me aventurën e librit të Petros vetë, që nuk arriti të bëhej dot libër tamam, por mbeti edhe ai, si emri i personazhit Gjikë, “në katër rrugë.”

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin