Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

QEJFE QEJFE KJO DYNJA

28 nëntori na gjen edhe këtë herë gati për ta festuar, madje më tepër se kurrë: ia dolëm të mbetemi të pavarur nga Turqia edhe një vit tjetër!

Por për mua dhe Hasibenë si familje kjo festë kombëtare është para së gjithash sebep për t’u mbledhur e për t’u gëzuar së bashku, me bashkatdhetarë të tjerë safi.

Atyre që na duan e i duam u themi: o të na vini o t’ju vijmë. Shtëpinë e kemi të hapur: mirë se të na urdhëroni.

Që në sabah trokasin në derë mysafirët e parë: dy baxhanakët, me torbat me zahire e peshqeshe.

Të na rrojë flamuri me shkabën dykrenore.

Futen brenda, zënë të heqin çizmet e mushamatë se përjashta është kijameti, tufan i madh që s’i bëhet dermani.

Ç’është ajo, u themi, ju shyqyr që na erdhët, shkelni ku t’u dojë mideja e rrini rehat e pa teklif. Dysheme është e shkreta, nuk është tavan.

Hyjnë mysafirëtodë të madhe, heqin xhybet, rregullojnë jakat e drejtojnë palat e fustaneve, lërojnë rripat e meshinit, pastaj ulen sa në kolltuqe, sa në divane, sa në mindere. Kalamajtë venë me vrap te penxherja, e zënë të shkruajnë me avull në xham, të përplasin kanatet, e të shkulin perdet; pastaj e lënë lojën, futin nga një petë çamsakëz në gojë e venë të eglendisen me bilbilin që ia thotë këngës gjithë sevdakafaz.

Mashallah, thotë plaka ime, sa qenkan rritur.

Pastaj vete në kuzhinë, t’u bëjë mysafirëve kafetë. Si i doni, o agallarë? i pyet. Turke i duam, thonë të gjithë. Turke po se po, po me sheqer, apo pa sheqer?

Me pak sheqer, thonë të gjithë.

Ne burrat hapim muhabet biznesi. Një nga baxhanakët do ta mbyllë dyqanin, se nuk ka myshterinj. Këtij taksirati nuk i gjendet ilaçi, më thotë. E shoh që është në siklet e sëkëlldi të madhe, se i kanë mbaruar paratë e ka hyrë borxh sarafët.

Sot vetëm habere të mira duam të dëgjojmë, u them; ta heqim mendjen nga hallet e nga telashet.

Nxjerr nga xhepi kutinë e duhanit e ua zgjat të gjithëve me radhë. Hajde ta dredhim nga një, kapedanë, u them. E ndezim kur të na vijë kafeja.

Njëri nga baxhanakët e pi me çibuk.

Tjetrit i mbeten sytë tek çakmaku. Merre, i them; unë kam tjetër.

Ime shoqe nxjerr nga dollapi filxhanet e mira. Të reja i keni këto dollape? pyesin gratë me zili. Të reja, tani i kemi bërë. Po sergjenet? Edhe sergjenet. Biles edhe raftet e librave.

T’i gëzoni! Hejvallah.

Një nga kalamajtë kërkon ujë, hap frigoriferin me zor e bën të pijë nga shishja. Mos ashtu, rezil, i thotë e jëma, se na e nxore bojën. S’ka gjë, se ditë zijafeti është, u themi.

Pastaj, se me bardhak, se me sapllak, se drejt e nga çezma, ç’ndryshim ka?

Mysafirëve u pëlqen shumë kafeja. Njëri hutohet e matet të lërë bakshish.

Ngrihen pastaj të ikin, se kanë edhe zijarete të tjera për të bërë.

Më vonë, në vakt të drekës, ia behin ortakët e mi të zyrës, edhe ata me gratë.

Hajdeni, bujrum, ju kam rixha!

Ja ku u mblodhëm, nën çatinë tënde, më thotë një nga ortakët, burrë zamani, tek më zgjat zarfin me urimet monetare të rastit.

Çati e mirë, nuk pikon; i them unë. E ka bërë ustai me merak të madh. Ia ka qarë qoshet.

Merakli ustai e merakli i zoti i konakut, më thonë.

Atmosferë e shkëlqyer.

Nuse, na sill rakinë dhe mezetë, e trash unë zërin.

Ç’është ajo raki? Si more, po sot festojmë ditën e flamurit! Raki dhe meze për të filluar, se pastaj do të rrini për drekë, s’keni ku veni. Ka gatuar Hasibeja për shtatë palë qejfe!

Ngremë dollitë e para, për vatan e bajrak, siç e do adeti.

Hasibeja nis të shtrojë sofrën, me njëmijë të mirat.

Ka gatuar çorbë dhe paçe; imam bajalldi; japrak dhe qebap; pilaf dhe kabuni; bamje, borani dhe çomlek.

Më në fund byrek e qahi, për të shpëlarë gojën. Ty të lumshin duart, o nuse. Aferim!

Eh, kemi qenë fukarenj të mëdhenj, psherëtijnë ortakët; po fukarallëku harrohet sa del në selamet. E mbani mend që vetëm trahana hanim, të tre vaktet? Trahana me pastërma, shtojnë të tjerët, tek fshijnë buzët me peshqir.

Kur ngopemi të gjithë, na sjellin ëmbëlsirat: bakllava, kadaif, revani, sheqerpare, llokume, kajmaklie, pelte, paluze, muhalebi, syltiaç, hallva, hasude, hoshaf. Edhe bozë ka sa të duash, të ftohtë akull.

Rroftë Shqipëria, mor aman!

U lodhe e u bëre telef, o Hasibe, me gjithë këtë hyzmet, i themi.

Prisni se s’keni ngrënë hiç, na thotë: dhe na vë përpara një sini të madhe me hurma, kajsi, zerdeli, bajame e hide.

Po ç’i deshët këto?

As mos i zini në gojë.

Mysafirët hëngrën me tahma, e duan të mbështeten pak. T’u shtroj të merrni një sy gjumë, o efendilerë? pyet Hasibeja. Kemi vend me bollëk.

Shtroju, shtroju, u them unë; se dita e flamurit është.

Vete Hasibeja me gratë, e u shtron dyshekët, me çarçafe të pastra, e me jastëqe me këllëfë të qëndisur. Cave u vë batanije të buta si kadife, ca të tjerëve jorgan, ndonjërit që mërdhin shumë çull të dhirtë.

Kallaballëkun e zë gjumi e gërhasin; Hasibeja me gratë venë të lajnë enët në kuzhinë: tenxheret, tepsitë, sahanet, kazanët, taset e saçet. Zallamahi e madhe, po unë jam mësuar e rri bëj sehir nga penxherja fëmijët që luajnë me top poshtë në avlli.

Mysafirëve u del gjumi në aksham. Vër çajdanin në zjarr e na bëj ndonjë çaj Evrope, i themi Hasibesë, të mbledhim veten se jemi mahmur.

Ulemi te oxhaku dhe ndërrojmë një llaf, gjersa vete sahati tetë.

Kështu iku edhe kjo ditë e shënuar, prit e përcill miletin. Po kur je i pavarur, nuk ankohesh dot; sidomos kur ke hequr qafe atë goxha Turqi të sulltanit, që desh na mori me vete të na bënte hatanë, kur u batërdisqenef të historisë.

[2006]

Pa Komente

  1. Hahaha!
    Ban lazem pak turqisht, tha At Gjergj Fishta, kur e pyeten per Lahuten e Malcise, qe ka shume llafe turce.

  2. Forse non e il soggeto, ma sapo ho sentito che; në okazionin e festës së indipendencës, Salvatore Gjika inicioi nje konkurso në Valona për shetitoren e re “Lungo Mare”

  3. Xhaxha,i paske pritur mirë miqtë,prandaj përgatitu që tani për 102 vjetorin e Pavarësisë.Patjetër që do të të shtohen BUMBASHIRËT.Shpresoj që vitin tjetër për ta të mos zbatosh fjalën e urtë:Kush vjen pa ftuar,e gjen pa shtruar.Ky tregim alla turqisht,më thotë se ju do të përdorni zgjidhjen e Nastradinit :Shokët e shokëve të gjahtarit që solli lepurin,i ushqeu me supën e supës të lepurit.
    Por nuk ke pse të qahesh,se edhe ti familiarisht paske ngrënë e rekatuar paq.

    Sepse ka patur edhe më keq.Në kohën e qoftëlargut,çdo 24 maj,shtëpitë e përmetarëve mbusheshin me të afërm,nga të dy anët-burrit dhe gruas.Pas orës 12 të natës miqtë vinin dhe flinin kudo,krevate,mindere me kashtë,kanape,karrige-deri edhe mbi dysheme,prandaj vend për disa pjesëtarë të familjes nuk kishte.Donin,nuk donin,këta ndiqnin koncertet deri në mëngjes.Ama,një fjalë qarkullonte:Mos ardhtë prapë 24 Maji!

    Ndërsa shumicën e fjalëve turke të përdorur në këtë tregim, “sebep,safi,sabah,torbat,zahire,peshqeshe,kijameti,mideja,teklif,mindere,taksirati,sarafët,sergjenet,rezil,zijafeti,bardhak,sapllak,zijarete,rixha,zamani,bajrak,adeti,qahi,Aferim,selamet,tahma,çull,taset ,Zallamahi,avlli,aksham,mahmur,qenef”,brezi i ri nuk i ka as në fjalorin aktiv dhe as në atë pasiv.
    FATKEQËSISHT,letërsia në shkollat tona,ashtu si bëre vërejtje edhe
    ti në OPINION-Libri dhe shqiptarët, jepet keq.Fjalori i të rinjve është tepër i varfër.Pasoja e mosleximit nga brezi i ri duket qartë.
    Para disa vjetëve bëra një sondazh me të gjithë nxënësit e klasave të ciklit të lartë të shkollës ku jap mësim.Rezultati:ASNJË nxënës nuk e kuptonte fjalën “REND” te vjersha e Nolit.

  4. Pasi e bene shtepine kallame, mysafiret u sikterisen ne hesap te vet.
    Ne ballkan ( te pakten tek shqiptaret dhe serbet), fjala “sikter” perdoret pak a shume e barabarte me ik, me ngarkese emocionale negative.
    Ne turqisht tregon aktin seksual.
    Eshte interesante se si nje fjale e tille ka bere vend me kuptimin e vet dytesor (ik q…) dhe e ka humbur kuptimin bazik.

  5. Shkrim i përsosur.
    Përveç të tjerave edhe për t’u përdorur si model dhe si shembull në çdo manual stilistike.

  6. Shume shkrim interesant Efend Xha Xha ;). Pervjetorin tjeter, do te propozoja te beje nje shkrim te ngjashem me italianizma, greqizma apo serbizma :).

  7. Ja dhe versioni grek i kësaj që ka shkruar 2XH, nga Nikos Dimou:

    Έλληνας (ο από 3.000 ετών): Ο τυπικός Ρωμιός είναι λεβέντης, μερακλής, τσίφτης, ασίκης, χουβαρντάς, ντόμπρος, μάγκας, βλάμης, μπεσαλής και καπάτσος. Καμιά φορά τεμπέλης, το ρίχνει στο χουζούρι και στο ραχάτι – μαχμουρλής, στο ντιβάνι, κοιτάει το ταβάνι. Του αρέσει ο παράς, το μπαξίσι, το κέφι και το γλέντι. Άμα τον πιάσει ο σεβντάς ή ο νταλγκάς για καμιά νταρντάνα, γίνεται νταής (μπελάς, ο γρουσούζης!) και άμα τον χτυπήσει ντέρτι και σεκλέτι, γίνεται μπεκρής και τον πονάει ο ντουνιάς. (Όλα τα ουσιαστικά ονόματα αυτού του κειμένου είναι ξένα. Είκοσι πέντε τουρκικά, τρία αλβανικά, δύο ιταλικά και ένα σλαβικό).

    Grek, që këtu e 3000 vjet. Romi tipik është levend, meraklli, çift, ashik, huvarda, dobro, magka, vëllam, besnik, dhe kapaço. Ndonjëherë dembel, ia shtron me huzur dhe rehat, mahmur rri në divan shikon në tavan. I pëlqen paraja, bakshishi, qejfi dhe glendi. Po e zuri sevdaja apo dallkaja për ndonjë dardane, bëhet dai’ (bela terslliku) po t’I bjerë derti dhe sikleti, bëhet bekri (pijanec) dhe i dhëmb dynjaja.

    1. Juliusx: e prisja nga ND kete. 🙂
      Mund te me japesh referencen e plote te shkrimit nga eshte shkeputur?
      Falemnderit!

  8. lol, shume e bukur gjetja. Sikur te kishe futur diku edhe fjalen “tamam” nuk do beje keq. Si do qe te jete nje argument me shume per ti dhene te drejte Erdogan-it ne cilteresine e shprehjes se tij se “Turqia eshte Kosove dhe Kosova eshte Turqi”.

    1. Ndoshta ky ka qene edhe qellimi i autorit.:) Ekzagjerimi dhe gjetja e qellimeshme e fjaleve.

      Lufta “kunder purizmit” ka nevoje pikerisht per pak ekzagjerim, por qe ne thelb, nuk eshte ekzagjerim. Po ta shohesh thelle-thelle kete pune, te luftosh, ne rastin tone “turqizmat”, eshte njelloj si ne mungese “syzesh”, t’i drejtohesh si Don Kishoti mullive te eres.

      Megjithate shkrimi i shkruar vite me pare tingellon pak autoironik ne “nje dite te shenuar te Nentorit”. Me mire se autori, nuk mund ta dije kerkush tjeter. 🙂

      Turqizmat jane aq pjese integrale e leksikut dhe gramatikes shqipe, sa qe natyrshem jane integruar ne te perditeshmen e cdo shqiptari. Kjo qe sjell XhaXhai eshte nje porcion i vogel, si i thone maja e aizbergut(akullnajes), te kontributit te osmaneve ne shqipen e sotme. Mund te sillen shembuj aq te shumellojshem, qe lehtesisht deshmojne per integrimin e gjuhes se perandorise kembekryq ne shqipen e sotme(… edhe atehere kur nuk mendojme, nuk na e kap mendja se kemi te bejme me thjesht “turqizma”).

      Duke thene kete, desha te rikujtoj se “turqizmat” nuk jane kontribut i nje purizmi turkoshar, por jane nje pjese e mire, fjale te huazuar ne osmanllishte nga arabishtja, greqishtja, persishtja, serbokroatishtja, frengjishtja, gjuhet e romances, por edhe nga vete shqipja e hereshme(dhe e rikthyer nga portat e medha te perandorise ne shqipe), etj.

      Eshte nje pershesh gjuhesor i krijuar ne qendrat e perandorise, si superfuqia e kohes, qe sot ka fituar nje simbolike dhe domethenie krejt shqiptare dhe jane kontekstualizuar shendetshem ne shqipen moderne.

      Nuk i zhgulim dot, se eshte njelloj sikur te heqesh mish e kocka prej trupit tend.

  9. E kam te veshtire te kuptoj nje fare ndjenje nostalgjie apo keqardhjeje per fatin e turqizmave ne shqipen. Nje kembengulje se ato do te jene te pavdekshme.Nje simpati e pakuptueshme qe nuk u adresohet edhe huazimeve te gjuheve te tjera.

    Une disa nga keto fjale te shkrimit nuk i kuptoj pa hapur fjalorin(online), po edhe atje disa mungojne si psh hejvallah,zijaret,rixha,qenef. Asnjehere nuk iu a kam ditur kuptimin, as sot nuk ua di, disa turqizmave si psh saraf, zijaret ndonse gjyshja ime, kam frike se, me teper fliste turqisht se shqip.

    Fjalet e meposhtme te shkrimit :

    /sebep,safi,sabah,zahire,kiamet,derman,mide,teklif,ode,xhybe,divan,minder, penxhere,sevda,mashallah,myshterinj,sekelldi,saraf,haber,sergjen,hejvallah,sapllak,bardhak,zijarete,rixha,zaman,konak,adet,bajrak,aferim,selamet,hyzmet, sini,tahma,kallaballek,sehir,mahmur,qenef/

    ose kane pushuar se qeni aktive ne ligjerim ose humbasin peshe perdite dhe jane pa te ardhme.

    Dhe kjo eshte normale sepse gjuha bashke me shoqerine zhvillohen, nuk mbeten statike, fjalet hyjne e dalin ne leksik.Trendi i sotem i huazimeve, ashtu sic thoshte edhe Cabej, jane gjuhet europiane dhe per pasoje edhe zevendesimi i nje pjese te turqizmave me europianizma. Sigurisht zevendesimi i turqizmave me psh italianizma nuk sjell shkencerisht ndonje permiresim ne pastrimin e shqipes ,por eshte nje proces qe nuk mund te permbyset. Psh /nerenxe/ eshte pothuaj e harruar , e zevendesuar thuajse krejt me /portokalle/; /mehmur/ me /burokrat/.Ose /saraf/ me /kambist/ qe tipizon me mire zhvillimet e sotme.

    Eshte e vertete qe turqishtja ka ndikim te madh ne shqipen , kryesisht me huazimet e veta nga arabishtja dhe persishtja, dhe nje pjese e turqizmave kane zene vend qendrueshem e megjithate kjo nuk do te thote se cdo huazim i vecante prej turqishtes eshte i perjetshem ne gjuhen tone. Per me teper eshte pa kuptim mbrojtja e tyre dhe kembengulja per t’i ruajtur. Bie fjala per se duhet shqetesuar per fatin e /penxhere/ kur kemi /dritare/-n tone? ose per /sevda/ kur kemi /dashuri/? /’hejvallah/ per /falemnderit/?,etj.

    Eshte frike e kote dhe jo reale qe perjashtimi i nje sasie turqizmash do te sjelle probleme me normen leksikore. Cfare problemi do te sjelle psh perjashtimi i /sabah/ kur kemi /mengjes/, /haber/ per /lajm/,/zaman/ per /kohe/ ,etj,bile mund te thuhet se perjashtimi eshte i bere tashme. Dhe jo vetem nuk eshte krijuar ndonje problem por shqipja duket me e bukur. Te pakten per veshet e mij e te tjere si keta. Me krijojne alergji disa turqizma me mbaresen -llëk, -lluk apo -llar ose prapashtesa -xhi,-çi kur kemi shqipen -ar, -tar per shume raste psh jo /furrxhi/ por /furrtar/. Keto raste jane nje lungë , jo mish e kocke e trupit te shqipes.

    1. Ne fakt shume nga turqizmat e dikurshem qe kane dale nga perdorimi sot po zevendesohen nga huazime te reja romane. Fjaleve si qelibar apo shafran, sot shqiptaret nuk ua dine kuptimin dhe i perdorin vetem ne togje te ngulitura si “i paster si qelibar” apo “m’u be goja shafran”. E nderkohe kane filluar te perdorin gjegjeset romane ambra dhe xaferan.
      Ndonje nga turqizat e mesiperm, si “divan” ne shqipe ka hyre nga gjuhet perendimore dhe jo drejtperdrejt nga turqishtja.
      Disa nga turqizmat e mesiperm, sidomos emertimet e gatimeve apo te disa sendeve etnike, si bakllava, pilaf, qebap, qilim etj. tashme jane nderkombetarizma dhe perdoren jo vetem ne gjuhet ballkanike por ne gjithe boten.
      Nje pjese e mire e turqizmave sot perdoren vetem si arkaizma dhe shpesh bartin ngjyrime perkeqesuese.
      Jam i bindur se, sikur te behet nje ankete ne shkollat shqiptare, shumicen e turqizmave qe ka perdorur Xha Xhai me siper te rinjte sot nuk i njohin, nuk i kane degjuar kurre e nuk kane per t’i perdorur kurre.

    2. Fatma, shkrimi im ishte menduar si humoristik, jo si traktat. Përndryshe, qëndrimin tim për orientalizmat e shqipes e kam shtjelluar shumë herë këtu në blog, pa llogaritur librin “Kundër purizmit”, i cili është botuar vjet. Ti natyrisht mund të mos pajtohesh me ato që them unë, por nëse i hap këto muhabete, në këtë mexhlis, nuk mund t’i injorosh debatet e mëparshme, nëse kërkon vërtet të hapësh një debat me mua. Nuk ka fare nevojë të blesh librin: mjaft të kërkosh në blog.

      1. Xhaxha, po te mos me paragjykoje do te kishe kuptuar fare lehte , qofte nga permbajtja, qofte nga pozicioni fizik, qofte nga timing i komentit tim se reagimi eshte ndaj ReadMe, i cili me eshte pergjigjur ne menyren e vet te respektuar si gjithmone.
        Nuk kam harruar se ky shkrim nuk eshte hera e pare qe del ne blog. As qe eshte debatuar.
        Dhe sa per dijeni librin tuaj e kam blere, e kam lexuar dhe kam mbajtur edhe shenime.
        Nese do kerkoja debat me ty mund te komentoja vetem mbi nje fraze te ReadMe. Por jemi ne dite festash dhe me kete rast gezuar te gjitheve.

        1. Më fal – gabimi im (mua si admin. komentet më dalin në rend të ndryshëm nga ai në faqen publike të blogut, por gjithnjë mund të kisha kontrolluar më mirë).

  10. Fatma, Repalso(Relapso ?) nderhyrja ime ndoshta mund te keqkuptohet si nje lloj overture nostalgjike, “relaps” ne turqizmat. E verteta eshte se nuk eshte.

    Ka me shume se nje shekull, qe shqiptaret kane filluar perpjekjet per te pastruar gjuhen prej influences te turqizmave, – purizmi gjuhesor (megjithese tingellon si teater absurd, sepse nuk mund te shpiken fjale per cdo turqizem, … dua te them se ka nje kufi)

    Administrativisht (si terminologji ne administrate, ekzekutiv, legjislative, ushtri, teknologji, etj) shqiptaret kane qene deri diku te sukseshem, kemi lene turqizmat (nje pjese te konsiderueshme) dhe i kemi zevendesuar me gjuhet europiane ne te shumten, me fqinjet e tjere ballkanike, nje pjese edhe me aleatet e perkoheshem si ruset, greket, jugosllavet, ndoshta edhe kinezet 🙂 por edhe me krijimet shqiptare, qe nje pjese e konsiderueshme edhe ka ngjitur, etj.

    Kjo ngjan te jete vetem cipa e problemit. Mjafton te marresh fjalorin e orientalizmave te Dizdarit per te kuptuar se sa pjese e shqipes ne perdorimin e sotem jane orientalizma te futura gjate perandorise osmane.
    Por nuk eshte thelluar ne nje aspekt tjeter, qe e preku Repalso, frazologjizmat; eshte nje “univers” i tille i semantikes se shqipes qe eshte huazuar dhe trupezuar ne shqipe nga turqizmat. Jane proverbat, shprehet idiomatike, formulimet e etiketes te te perditeshmes qe jane adaptuar nga turqizmat. Eshte nje menyre komplekse te menduari qe eshte influencuar nga bota orientale. Efektet stilistike dhe ngjyrimet kuptimore jane huazime direkte ne shqipe nga gjuha dhe te menduarit osman.

    Shprehje te tilla si “u rrukullis tenxherja e gjeti kapakun”, “sheh rrushi-rrushin e piqet”, “dardha e ka bishtin mbrapa”, “pi duhan(cigare)”, “nejse, u pa kjo pune” me demek, gjoja, ben sikur, etj”, jane shembuj qe gjeta shpejt e shpejt, per te ilustruar idene se turqizmat i kane rrenjet e thella ne shqipe, jane pjese e korpusit te pazevendesueshem, prandaj u shpreha eshte njelloj si te zhgules “mish dhe kocka prej trupit tend”(krahasim).

    Jam shume i kujdesshem qe kur shkruaj te mos te shprehem me nje ton, qe percjell nje fait accompli, por si nje perqasje krahasimore(pra edhe njehere “sillesh si te…”, “ben si…”, por kjo nuk tregon se ne thelb je i tille, apo eshte sjellja jote… eshte keshtu apo ashtu, …etj).

    Dizdari ka bere nje pune te mire me fjalorin e tij dhe deri diku, fjalori luan edhe rolin e nje fjalori krahasues(historical comparative dictionary) te shprehjeve, semantikes, idiomatikes midis botes orientale(osmane) dhe asaj shqiptare.

    Si pa lidhje: gjeta rastesisht ne DailyMotion nje prezantim te Xhaxhait nen nje program te titulluar Parfume (Juicy Couture!!!) 🙂 rreth librit te tij te fundit. Ne nje moment Xhaxhai shprehet se “nuk merret me me gjuhen”, por pak me vone kur flet rreth planeve te veta, permend pikerisht marrjen me gjuhen.

    E kuptoj ndoshta si fenomen shoqeror, kulturor, por tingellon pak kontradiktore, perderisa instinkti i lingustit eshte i pashmangshem.

    Pjesa e mesiperme e shkruar nga Xhaxhai, eshte e lidhur edhe me aspektin kulturor e social te kontributit te gjuhes nder ne, apo ne tek gjuha (notari dhe deti).

    Ndoshta kjo ka te beje edhe me temen, me ato gjurmet e thella qe kane lene orientalizmat ne kulturen tone. Besoj se kete synon edhe Xhaxhai me kontributin e tij diku midis gjuhes dhe kultures.

    http://www.dailymotion.com/video/x17c4ql_ardian-vehbiu-me-sende-qe-nxirrte-deti_creation

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin