Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Diaspora / Sociologji

GOTA E INTEGRIMIT

Cilat fjalë kyçe duhet të përdorim për të sintetizuar ecurinë e integrimit social të imigrantëve në Itali? Çfarë shenjash ose etiketash (tag) duhet të fusim tek analiza e aspekteve të ndryshme si diskriminimi, racizmi, pluralizmi fetar, shtetësia, familja, banimi, komunikimi, shërbimi shëndetësor, puna, shkolla, e kështu me radhë? Mund të na duhen shumë, por disa nuk duhet të mungojnë: dritëhije, dykuptimësi, pasiguri, dyanshmëri, udhëkryq, degëzim, kontrast… Bëhet fjalë për terma transversale, që mund të shoqëronin cilindo argument të imigracionit kur flitet për përfshirjen sociale dhe shanset e barabarta. Megjithatë, nuk janë fjalë neutrale, sepse nuk përshenjojnë baraslargësi ose ekuilibër, por ndonjëherë hendeqe të mëdha dhe teprime të forta. E ndonjë mëdyshje tek mendojmë për të ardhmen. Pra, bëhet fjalë për gotën klasike gjysmë të mbushur e gjysmë të zbrazët? Ndoshta, por nuk është çështje perceptimi.

Nga fronti i integrimit vijnë sinjale të kundërta. E dëshmojnë një sërë kërkimesh. Nëse nga një anë diskriminimi racor rezulton gjithnjë e më i përhapur, nga tjetra kemi imigrantët që e ndjejnë veten gjithnjë e më shumë italianë. Monitorimi kundër diskriminimeve po rritet, falë edhe enteve institucionale që nxisin barazinë e trajtimit dhe luftën kundër diskriminimeve me bazë racore ose etnike. E megjithatë racizmi nxjerr krye si në deklarata publike ashtu edhe në pohime private, si në autobus ashtu edhe në stadium. Racizmi në futboll nuk është dukuri e re. Por nëpër vite është transformuar, ka ndryshuar formë e shprehje, i detyruar nga risitë, midis të cilave duhet përmendur prania gjithnjë e më e dukshme e futbollistëve me ngjyrë, ose të huaj. Episodet e racizmit në stadium nuk janë pak, por nuk  mungojnë reagimet e kontrolli; ekzistojnë gjithashtu mjetet e ligjet, që i dënojnë rastet e racizmit në futboll. Megjithatë, lipsen analiza të mëtejshme të fenomenit me një vizion më të gjerë.

Lidhur me pluralizmin fetar, duhet thënë se Kushtetuta Italiane vigjilon mbi lirinë e fesë e të kultit. Kontribuon në këtë drejtim edhe historia e kulturës së vendit, ku shumëfetaria ka rrënjë të lashta, që në vitet e fundit është rritur me praninë e imigrantëve. Në këtë kuadër ka praktika pozitive, por edhe shumë pika kritike. Prandaj ka rëndësi të vijojmë në rrugën e ballafaqimit e të dialogut, midis feve, institucioneve publike e qytetarëve.

Skizofrenia e mesazheve vihet re edhe në çështjen e shtetësisë. Nga një krah ekziston përqasja ideologjike brenda debatit publik, e shoqëruar nga mekanizmi i shtetësisë plot me pengesa me karakter legjislativ e burokratik. Ndryshk i shtresëzuar që vë në rrezik vetë kuptimin e përkatësisë. Deri pak kohë më parë, terma si ius soli e ius sanguinis ishin prerogativë e specialistëve të sektorit, tanimë përdoren gjerësisht në media, ndonëse ende të mbuluara nga mjegulla propagandistike. Disku i debatit publik ka ngecur gjithsesi tek tema reduktuese “ius soli po/ ius soli jo”, pa hyrë në detajet e një teme mjaft të nyjëtuar. Për një farë politike, imigracioni mbetet bankomati i pëlqimit publik. E megjithatë mjafton pak bonsens, për të kuptuar se parimi i shtetësisë duhet të burojë nga vullneti për t’u ndjerë pjesë e kolektivitetit, e jo nga dëshira për ta mbushur rrugëtimin me “parametra burokratike” për matjen e integrimit. Është e nevojshme të njihen e të vlerësohen elementet integruese e përfshirëse, jo të futen brenda një kazani ku çdo gjë humbet trupësi e shije. Gjithsesi, sinjale pozitive vijnë nga sondazhet në favor të idesë për t’u dhënë të drejtën e shtetësisë bijve të imigrantëve që janë lindur në Itali.

Banimi, përveçse përbën një nga situatat e pafavorshme të imigrantëve, është vendi ku bashkëjetojnë një sërë kontradiktash. Po reduktohet zona e vështirësive të skajshme, po shtohen familjet e imigrantëve që blejnë shtëpi, po përmirësohen situata e qirave. Nga krahu tjetër, përqindja e qirasë mbi të ardhurat është më e madhe se italianët, varfëria e imigrantëve varet kryesisht nga shtëpia, kushtet e animi në shumë raste janë jashtëzakonisht të këqija, kriza e pasurisë së patundshme i ka përgjysmuar blerjet e banesave, marrja e shtëpive është rrugë me vështirësi të çfarëdollojshme. Ka raste që edhe diçka pozitive mund të fshehë problematika serioze. Në fakt, prania progresive e imigrantëve në banesat publike tregon brishtësinë e tyre ekonomike dhe kushtet e vështira të banimit. Tema riparaqitet kur flasim për romët e sintët, që nuk mund të konsiderohen plotësisht shtetas, duke pasur parasysh gjendjen e paqëndrueshme dhe diskriminimet e ndryshme ndaj tyre.

Italia mezi e perceptoi veten jo më si vend emigracioni, por si vend imigracioni. Gjatë një dhjetëvjeçari, për shkak edhe të krizës së fundit, është detyruar ta rishikojë e ta ricilësojë imazhin e vet në pasqyrë. Emigracioni ekziston akoma. Shumë të rinj italianë nisen për të punuar e jetuar në vende të tjera të botës. Edhe në këtë pikë, mes hijesh e dritash që pasojnë njëra tjetrën, është e vështirë t’i përvijosh tiparet e dukurisë. Nga Italia largohen edhe të ashtuquajturit “truri” i vendit, por emigracioni mbetet gjithsesi pasuri e pazëvendësueshme për vendin dhe prodhimin Made in Italy.

Edhe nga mediat mbërrijnë ndonjëherë lajme pozitive. Përveç veprimit të Kartës së Romës, kodi deontologjik që “dikton” disa rregulla për trajtimin e lajmeve për migrantët, dallohen disa ndryshime. Për t’u përmendur gjuha e matur që u përdor me rastin e vizitës së Papës Francesco në Lampedusa. Mund të thuhet se nisma e Papës nuk mund të frymëzonte veçse një qëndrim të tillë, por asgjë s’duhet marrë si e mirëqenë në fushën e mediave, ku fjalët vërviten si gurë. Megjithatë, mediat vazhdojnë ta komunikojnë e ta tregojnë keq migracionin. Stigmatizimi në kronikën e zezë nuk është zhdukur, pështjellimi leksikor mbizotëron, tonet alarmiste mbretërojnë ende sovrane, fantazma e frikës fshihet pas rreshtave të shkruara.

Normalisht, nga familjet e nga martesat e përziera duhet të vinin sinjale të mira. Janë emblema e migracionit dhe e shoqërisë së immigrazione-dossier-statistico-2013globalizuar. Nga pikëpamja statistikore, familjet e përbëra nga autoktonët e imigrantët janë në rritje. Kjo do të thotë shumë gjëra, midis të cilave rritja e imigrantëve dhe stabilizimi i tyre. Familjet e përziera janë laboratori i madh kulturor ku eksperimentohet dhe ndërtohet shoqëria e së ardhmes. Nuk është e thjeshtë, natyrisht. Përveç grackave të shumta që kërcënojnë aktualisht familjen, ka pika të tjera kritike: tensioni midis mënyrave të ndryshme të mendimit, moskuptimi gjuhësor, konceptimi i ndryshëm i edukimit të fëmijëve, tradita dhe zakone të ndryshme… Pastaj ka edhe martesa të përziera të përziera (dy individë që u përkasin prejardhjeve të ndryshme, që bashkohen në vendin e imigracionit), bij të përzier, varfëri, martesa me detyrim, ndarje, divorce, etj. Situata është komplekse, por familjet e përziera mbeten palestra të dialogut, të respektit të ndërsjellë, ku negocimi ushtrohet përditë, duke shtuar ndjenjën e përgjegjësisë.

Atëherë, si duhet ta përkufizojmë situatën e integrimit shoqëror të imigrantëve në Itali? Duke përdorur imazhin e gotës, duket e mbushur përgjysmë, apo gjysmë e zbrazët? Varet nga shumë gjëra. Ndërkohë, nuk duhet harruar kurrë se përveç përmbajtjes së perceptuar, duhet të dimë se ku gjendet gota. Nëse qëndron në mes të tryezës është një çështje, nëse gjendet në buzë, gati për të rënë, është diçka tjetër. Çfarë vlere do të kishte pjesa e mbushur mes qelqeve të thyera? Detyra jonë është që ta shtyjmë gotën, pra çështjen e migrantëve, drejt pjesës së sigurtë, mundësisht në mes të tavolinës; në këtë mënyrë, duke qëndruar mbi soliditetin e dinjitetit njerëzor, mbi kulturën e mikpritjes, mbi respektin e ndryshmërisë, mbi të drejtat e detyrat, mbi përgjegjësinë, mbushja e gotës do të jetë veçse çështje kohe.

Së fundi, do të kuptojmë se kur flasim gjithnjë për ata, me një farë distance, nuk ka kuptim fare. Po flasim gjithnjë për ne, për integrimin “tonë”, për shoqërinë tonë.

P.S. Ky shkrim është botuar me ndonjë shkurtim në italisht si editorial i kapitullit “Integrimi dhe shanset e barabarta” në botimin “Immigrazione. Dossier Statistico 2013”, Unar – Idos, që u prezantua në Romë më 13 nëntor 2013.

Pa Komente

  1. Problemet e integrimit jane vertet te komplikuara dhe vendet europiane ndryshojne nga njeri-tjetri per sa sa u perket politikave te integrimit. Mjafton te kujtoj dy vende me nje qasje krejt te ndryshme ndaj ketij problemi: Anglia dhe Franca.

    Ky shkrim me kujtoi nje koment te nje kolegu italian, nderkohe qe po diskutohej per kete çeshjte. Pasi degjoi me vemendje parafolesit, ai tha disi mendueshem e me gjysme zeri:
    “Flasim shume per integrimin e imigranteve dhe mire bejme, po kur do te fillojme te merremi me integrimin e italianeve?” 🙂

    1. Ke të drejtë. Qasja që i bën bota anglosaksone dhe Franca ndryshojnë kryekëput nga ajo italiane. Dikush ka thënë se Italia po eksperimenton rrugën e tretë, por kjo ende duhet provuar. Fakti është se komunitarizmi dhe asimilacionizmi kanë dëshmuar tashmë se kanë qenë modele dështake në lëmin e integrimit.

      Sa për kolegun tënd italian, unë do ta merrja seriozisht çështjen, por kjo nuk e përjashton integrimin e imigrantëve. Shkojnë paralelisht, e ndoshta diku priten.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin