Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Politikë / Sociologji / Totalitarizëm / Udhëtime / Urbanistikë

PAGËZIMI I RRUGËVE

Për një vend si Shqipëria, ku toponimet përbëjnë shkas për debate të ashpra publike, është e habitshme që emërtimi i rrugëve dhe i shesheve kalon zakonisht në heshtje. Jo shumë kohë më parë, flamurin e ndryshimeve të toponimeve e kishte marrë në dorë një forcë e caktuar politike, me bindje të djathta, e cila kërkonte zëvendësimin e emrave të vendeve që kishin origjinë të huaj, kryesisht sllave dhe greke. Nisma nuk ishte aspak e re, përderisa ishte përqafuar edhe më parë nga përfaqësues të lartë të institucioneve shqiptare, gjithnjë me dëshirën e spastrimit të toponomastikës nga ndikimet e huaja.

Rryma e korrigjimit të toponimeve i ka rrënjët në purizmin gjuhësor, i cili e ka përherë një ideologji kombëtariste në themelet e veta. Në biografinë e purizmit shqiptar do të lexonim se gjatë Rilindjes veprimtaria e tij pati rritje të vrullshme, kryesisht në dëm të turqizmave, por edhe huazimeve të tjera, të cilat u dëbuan me forcë nga shqipja, në kuadrin e riformulimit të shqiptarisë dhe të farkëtimit të identitetit kombëtar. Në të vërtetë, purizmi në Shqipëri nuk ka pushuar kurrë së ekzistuari, deri në ditët e sotme, madje shfaqet edhe me trajta subkulture, përveçse me vepra gjuhësore ideologjikisht të mbështetura.

Purizmi toponimik, në qoftë se mund ta pagëzojmë kështu veprimin për pastrimin e toponimeve të huaja, merr forcë nga karakteri gjeografik e administrativ i emrave të vendeve. Toponimet, ndryshe nga huazimet, kanë një appeal më të fortë spekulativ. Një fjalë e huaj, tek e fundit, përmbën një grimcë leksikore mes mijëra e mijëra fjalësh të tjera. Mund të quhet huazim nga një gjuhë tjetër, fqinjë ose jo, mund të anatemohet, por nuk shkakton asnjë lloj ndërlikimi të drejtpërdrejtë politik. Përkundrazi, emri i një fshati ose qyteti dallohet në radhë të parë sepse hyn në fjalët e përveçme, të cilat nuk kanë referime konjitive semantike të konvencionuara, e në radhë të dytë sepse gëzon një farë “sovraniteti territorial”. Toponimet u referohen zonave ose hapësirave të përcaktuara të cilat, kur rezultojnë me origjinë të huaj, edhe pse shqiptare deri në palcë nga pikëpamje thelbësore, u japin mundësi spekuluesve, pak a shumë të të njëjtit kallëp, që të aventuroren në interpretime historike e që këtej, sipas gjasës, në “pretendime territoriale”.

Edhe pse në nivel emocional, opinioni publik shqiptar ia njeh rëndësinë toponimeve, ndaj edhe heshtja që shoqëron emërtimin e rrugëve dhe i shesheve duhet kuptuar dhe interpretuar njëkohësisht. Ato që nga specialistët përkufizohen si odonime (nga gr. hodós “rrugë”) hyjnë natyrisht në familjen e madhe të toponimeve, e nuk janë aspak asnjanëse në veprimin e tyre në nivel sociopolitik, ndaj nuk duhen parë si kategori të dorës së dytë.

Duhet nënvizuar që në fillim se toponimet karakterizohen përgjithësisht nga historia e hershme. Me kalimin e kohës, nga brezi në brez, emrat e vendeve e humbasin tejdukshmërinë e tyre semantike dhe përftojnë një farë opakësie, që e pengon leximin fillestar. Ky proces ndërlikohet kur ndërhyjnë gjuhë të tjera. Përkundrazi, emrat e rrugëve dhe shesheve  – që nuk duhen konsideruar si shenja gjuhësore normale (si fjalët e zakonshme) – sidomos kur emërtimet janë relativisht të reja, nuk vuajnë nga patejdukshmëria semantike. Rruga e Kombit, sa për të marrë një shembull të famshëm, nuk është mister për qytetarët shqiptarë. Të gjithë e dinë përse u quajt me atë emër. Edhe rrugë të tjera në Tiranë si Abdyl Frashëri, Pjetër Budi, Teodor Keko, nuk kanë vështirësi në kuptim. Po kështu rrugët e Barrikadave, e Kavajës, e Elbasanit, etj., e kanë përbrenda çelësin e interpretimit. Toponimet e reja u afrohen në këtë pikë odonimeve. Mjaft të marrim shembullin e qytetit Bajram Curri në Tropojë dhe bulevardit me të njëjtin emër në Tiranë. Nga skaji tjetër, kemi mjegullën gjithnjë e më të dendur, që i mbështjell toponimet e ndryshme, përfshirë emrat e rrugëve. Kështu njerëzit do ta kenë të vështirë t’ia gjejnë prejardhjen Pogradecit, sikurse rrugës Bardhyl në Tiranë.

Megjithëse në epoka të ndryshme, të dyja kategoritë (toponimet dhe odonimet), pasqyrojnë në një farë mënyre bashkësitë që jetojnë në territor dhe mënyrën se si njerëzit i emërtojnë vendet. Ndryshimi qëndron në kodifikimin e emërtimit. Nëse e kemi të vështirë ta kuptojmë përse Korça quhet Korçë dhe Vlora thirret Vlorë, ose përse Lushnjës ia kënë vënë emrin Lushnjë, kjo nuk ndodh me Sheshin Skënderbej, Bulevardin Dëshmorët e Kombit, rrugën Mine Peza ose Sandër Prosi. Për brezat e rinj, është normale që rruga e fundit (Sandër Prosi) të rezultojë më e zbërthyeshme se ajo e parafundit (Mine Peza). Kjo ka të bëjë me njohjen e personazheve të cilëve u është dedikuar rruga.

Administratat e qendrave të banimit, kudo në botë, e kanë kuptuar prej kohësh se emërtimi i rrugëve kërkon medoemos disa rregulla ose kritere. Disa prej tyre janë me karakter teknik. P.sh. në të njëjtën bashki/komunë nuk mund të bashkëjetojnë dy rrugë me emra të njëjtë. Motivi nuk ka nevojë të shpjegohet, ka të bëjë me rregullin. Përveç kriterit të homogjeneitetit ekziston edhe ai i “pamundësisë“ së ndryshimit. Vetëm në raste të rralla, e për arsye madhore, emrat e shesheve dhe rrugëve mund të ndryshohen. Në Shqipëri, pas rënies së totalitarizmit, bashkë me statujat u rrëzuan edhe një sërë emërtimesh “politikisht“ jokorrekte. Kështu p.sh. sheshi i Stalinit në Kombinat, tani mban emrin e Garibaldit. Të njëjtin fat patën edhe emrat e shkollave, fabrikave, institucioneve…

Rasti i Shqipërisë nuk është unikal. Edhe në vende të tjera, madje në epoka të ndryshme historike, rrugët e sheshet nuk i janë nënshtruar vetëm riasfaltimit, por edhe proceseve riemërtuese. Kjo do të thotë se emërtimi i rrugëve ka të bëjë me politikën e memories kolektive, dhe se zgjedhja bëhet duke u bazuar në kritere politike e kulturore, jo sipas rastit me aplikacione random. Vetë ceremonitë përuruese dëshmojnë se zgjedhja e emrit ka shpeshherë vlera simbolike për bashkësinë, që me të drejtë nënvizohen nga përfaqësuesit vendorë.

Pak kohë më parë, disa media italiane njoftuan se në Tiranë ishte emërtuar “Rruga Silvio Berluskoni”. Scoop-i doli nga shkrepja e aparatit të fotografit DemRruga_Silvio_Berluskoni-foto_Demotix.comotix.com. Huffingtonpost në italisht shkruante: “Në Tiranë lind një rrugë me emrin e Silvio Berluskonit”. Në të vërtetë, në faqen zyrtare ku botohen për herë të parë fotografitë e tabelës së rrugës Silvio Berluskoni lexohej në anglisht: “Silvio Berlusconi receives street name in his honour in Albania”. Didaskalia e fotografisë (Rruga Silvio Berluskoni, a street in Tirana, Albania that was named in honor of the italian politician), së bashku me titullin, shkon përtej ftohtësisë së lajmit. Të njëjtën gjë bënë edhe gazeta të tjera. Thelbin e fjalëve “për nder të”, organi online Huffingtonpost e ka dhënë kështu: “Midis proceseve e dënimeve, ja një ngushëllim i vogël për Silvio Berluskonin”.

Edhe për publikun shqiptar lajmi rezultoi i padëgjuar, edhe pse më 9 prill 2013 Kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, e kishte njoftuar përurimin e rrugës nëpërmjet faqes zyrtare të bashkisë së tij, duke shpjeguar kryesisht aspekte teknike të saj, pa motivuar përzgjedhjen e emrit, ose vlerën simbolike të tij:

Kryetari i Bashkisë, Xhelal Mziu, përuroi sot fillimin e punimeve në rrugën “Silvio Berluskoni” në lagjen Frutikulture të qytetit të Kamzës. Kjo rrugë lidh rrugën “Skënderbeu” me rrugën “Liria” dhe është paralele me rrugën nacionale “Bulevardi Blu”. Rruga është në përputhje me planin urban dhe parametrat e duhur. […] Kjo rrugë që po ndërtohet, është krejtësisht e re, me të gjithë parametrat e nevojshëm si për kalimin e automjeteve dhe lëvizjen e këmbësorëve, ashtu edhe për rrjetin e ujësjellësit dhe pjesën tjetër të infrastrukturës rrugore”.

Një farë interpretimi Kryetar i Bashkisë Mziu e dha gjatë intervistës në emisionin “Shih programin” të datës 22 prill 2013, në Televizionin Shqiptar (TVSH), ku është shprehur kështu sipas transkriptimit të gazetës “Kamza” (n. 120, maj 2013):

Në fakt, ne patëm edhe fatin e mirë që të vendosnim ca emra dhe janë jo pak, por 505 emra rrugësh që janë vendosur. Nga këta 505 emra më shumë se 400 prej tyre janë emra qytetesh të Shqipërisë, emra komunash nga Shqipëria, për t’i respektuar të gjithë ata që kanë ardhur nga e gjithë Shqipëria, kemi emra të personaliteteve të artit, të kulturës, të sportit, patriotë, por në asnjë mënyrë nuk kemi vendosur emra personash, të cilët për arsye të ndryshme i konsideronin dëshmorë apo ku e di unë, apo që kishin arsye të ndryshme… […] Partizanësh apo njerëz të tjerë që dëshironin të kishin emrin e tyre, por kemi përzgjedhur rreth 90 emra të tjerë të cilët janë nga qytete shqiptare jashtë kufijve, apo janë nga qytete ndërkombëtare, apo edhe personalitete ndërkombëtare dhe në njëfarë mënyre është bërë më e lehtë. Qytetarët ndihen më mirë, nuk krijohen konflikte. Po të shohësh në qytete të tjera, sheh emra të personave që asnjëri nuk e di se kush është ai person, kurse këto e kanë bërë Kamzën pak më sensibile.

Nga ç’kuptohet nga kjo intervistë e shkurtër televizive, dy janë kriteret ku janë bazuar autoritetet vendore në vënien e emrave: fama dhe konsensusi. Janë dy kritere të diskutueshme, por të vlefshme. Problemi i të parit qëndron në faktin se njohja ose fama u përket me përkufizim pak njerëzve, ndërsa rrugët janë të shumta. Dobësia e këtij kriteri qëndron në përmbysjen e tij. Po sikur emriperurimi_rruga_berluskoni_kamez i një rruge të vihej pikërisht me qëllim që bashkësia t’ia njohë meritat dikujt që përndryshe do të mbulohej nga pluhuri i harresës? Plasaritjet e kriterit të dytë qëndrojnë në manovrën e anashkalimit të konsensusit. Meqë nuk biem dakord për emrat e partizanëve, le të marrim emra të huaj, për të cilët nuk krijohen konflikte. Përsa i përket lajmit në media, ajo çka bie në sy që në fillim është karakteri i tij. Jo çdo ngjarje shndërrohet në lajm. Dihet. Mediat shqiptare e kaluan nën zë, për të mos thënë me indiferencë, rrugën e re në Kamzë, megjithëse e dinin që më 11 shkurt 2013, ditën kur Bashkia njoftoi fillimin e punimeve për rrugën tashmë të njohur. Përkundrazi, mediat italiane e rimorën lajmin porsa u dha për herë të parë nga fotografi Marco Zeppetella. Tërheqin gjithashtu vëmendjen mënyrat e ndryshme të leximit të lajmit. Nga një anë pothuajse mungon fare, madje edhe në komunikimin zyrtar të bashkisë, ku nuk jepen arsyet e emërtimit (ndoshta se supozohej e mirëkuptuar nga publiku?); nga ana tjetër ndërthuren hareshëm lexime nga më të ndryshmet, sipas ndjeshmërive politike.

Domethënës artikulli i botuar në gazetën italiane “Libero” (3 shtator 2013) me titull: “Berlusconi ‘eroe nazionale’, a Tirana dedicano una strada al Cav” (Berluskoni ‘hero kombëtar’, në Tiranë Kavalierit i dedikojnë një rrugë). Përshoqërimi befasues me heroin kombëtar sqarohet në nëntitull: “Midis rrugëve të kryeqytetit shqiptar nxjerr krye një rrugë për Kavalierin. Kryqëzohet me arterien dedikuar prijësit e patriotit shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Artikulli përshkrohet fund e krye nga entuziazmi me tone militanteske: “Rruga Silvio Berlusconi. Shumë prej të kaltërve, do të donin të shikonin një tabelë të ngjashme poshtë shtëpisë. Në Shqipëri kanë ecur më shpejt…”Hero italian”. Shqiptarët pra, e trajtojnë që tani si etatist Kavalierin, deri në atë pikë sa i dedikuan një rrugë afër dy patriotëve shqiptarë. Në Itali Kavalieri nuk do ta ketë të lehtë. Në Milano diskutohet ende për memorien historike të Vittorio Emanuele II…”. Shkrimi, botuar në gazetën filoberluskoniane, duket sikur komenton proverbin: “Nemo propheta in patria”.

Siç mund të pritej, komentet e kundërshtarëve nuk vonuan në sulm. Nga therësja “Në Shqipëri Silvio Berluskonit i dedikohet një rrugë. Nga krahu i numrave çift femrat sllave, nga teket femrat nigeriane” (Il Fatto Quotidiano, 4 shtator 2013, rubrika “Ligësi”); tek komentet e batutat në forume diskutimi: “Në qoftë se Shqipëria e do, le ta marrë, neve na bën favor”, “Atëherë le të shkojë të jetojë në Tiranë”, “Rruga Berluskoni kryqëzohet me bulevardin e Perëndimit diellor e përfundon në rrugë qorre”, “Në fund të rrugës Berluskoni ka ndalim kthese majtas”, “Rruga duhet të përfundonte në sheshin ‘gjykatësit komunistë’”, “Të paktën t’i kishin dedikuar një rrugë Troftës” (Renzo Bossi shën. ynë), “Ndoshta është zonë me emra kryeministrash”, “Kësaj radhe do bëhem racist”… Natyrisht, komentet në internet nuk kanë ndonjë vlerë të madhe, shpeshherë kurrfarë niveli, por ka raste që shënojnë temperaturën si termometri: tema këtu mbetet e nxehtë.

Nuk duan të hyjmë në çështjen e zgjedhjes specifike, që ka të bëjë me personazhin publik, pra të rrugës Berluskoni, ose rrugës Sarkozy, as kemi ndërmend ta diskutojmë si të tillë, bazuar në bindje politike ose simpati personale. Gjykimin tonë për personazhet e kemi pezulluar për arsye objektiviteti, por edhe sepse janë të panevojshme. Rrugët e mësipërme mund të mbanin gjithfarë emra politikanësh, të majtë, të djathtë, të qendrës. Pikërisht për këtë arsye, tema kërkon domosdoshmërish përsiatje lidhur me metodën e përzgjedhjes, për sa kohë emërtimet e rrugëve paraqiten si akte kuptimplotë – siç u pa më sipër – me komplikacione potenciale në rrafshin shoqëror e kulturor.

Ftesa implicite për të kureshtuar në logjikën e proceseve emërtuese vjen edhe nga disa kundërshti të hapura. Nga një krah kemi Shqipërinë, që zgjedh emra të huaj për të shmangur përplasje, paçka se po të ndodhte në Paris, Romë, ose në Berlin diçka e tillë (duke përdorur p.sh. të njëjtat emra), minimumi do të plasnin peticione nga të gjitha anët; nga krahu tjetër kemi personazhe që mund t’i eksportojnë emrat e tyre për tabelat jashtë shtetit, por nuk pranohen në vend, çka do të thotë se edhe shqiptarët mund të pretendojnë që ndonjë rrugë në Europë të quhet me emrin Sali Berisha ose Edi Rama.

Çështja i rrethrrotullohet kritereve të zgjedhjes. Cili ka qenë kriteri i emërtimit Berluskoni? Sepse është italian, kryeministër, sipërmarrës, i djathtë, sportdashës, sepse ka dhënë kontribut të veçantë për Shqipërinë, sepse ka ndërtuar në atë rrugë Fondacionin me të njëjtin emër, e kështu me radhë? Po Sarkozy-në, cilat arsye e bënë fatlum që ta ketë emrin mbi rrugë? Sepse ka qenë President, apo sepse është martuar me Karla Brunin? Pavarësisht nga batutat, kriteret janë absolutisht të nevojshme. Kjo për të shmangur edhe dasitë e qytetarëve, të huaj e shqiptarë bashkë, që mund të shprehen me admirim, ose me përçmim, në vartësi nga ngjyra e teserës partiake që kanë në xhep. Dikush mund të zbavitet me emrat e rrugëve të mësipërme, por anëtari i Forza Italia-s do të krenohet e do të rrahë gjoksin, kurse militanti i Partisë Demokratike italiane do të irritohet e do të tallet. Po kështu në Francë, sipas opinioneve politike. Po shqiptarët vetë ç’do të mendonin sikur një kryeqytet europian t’i dedikonte rrugë ndonjë lideri partiak shqiptar, ose kryeministri të deritanishëm?

Ka vende që e kanë rregulluar procesin e emërtimit të rrugëve dhe shesheve nëpërmjet normave ligjore, të cilat përcaktojnë me saktësi kriteret e përzgjedhjes. Shumica e vendeve ua kanë lënë organeve vendore (këshillave bashkiake) vendimin për pagëzimin e hapësirave publike. Edhe në Shqipëri kështu është, porse vendimet e tyre nuk kërkojnë miratimin, ose të paktën konsultimin, e autoriteteve qendrore. Sipas ligjit nr. 8652, datë 31.7.2000, Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore ndryshuar me ligjin nr. 9208, datë 18.3.2004, në nenin 32 (Detyrat dhe kompetencat e këshillit komunal ose bashkiak), në pikën ll) shkruhet: “Vendos për emërtimin e rrugëve, të shesheve, të territoreve, të institucioneve dhe të objekteve në juridiksionin e komunës ose të bashkisë”.

Ndoshta janë bazuar tek shprehja “koha është ilaçi më i mirë”, të gjitha ato vende që i kanë futur pasionet në një farë karantine, duke mos lejuar për shembull emrat e personave që janë ende gjallë, ose duke caktuar një periudhë kohore nga vdekja në përjetësinë e tabelës në shesh. Përjashtime mund të bëhen, sikurse janë bërë edhe për proceset tejet të kodifikuara të shenjtërimit fetar, por edhe këto përjashtime kanë nevojë për piketa të sakta. Për heronj të padiskutueshëm të kombit, për shembull, përjashtimet rrjedhin krejt natyrshëm. Edhe për personazhe të kalibrit botëror mund të anashkalohen rregullat e përgjithshme, por pa rënë as në provincializëm, as në mendjelehtësi, që në publik shprehen me heshtje indiferente. Sot kemi shembuj pozitivë, sepse bëhet fjalë për personalitete të huaja gjithsesi të zgjedhura në demokraci e që u përkasin vendeve perëndimore historikisht aleate, por nesër emrat mund të vijnë nga vende të tjera të diskutueshme nga shumë pikëpamje.

Përgjithësisht, kriteret ideologjike e politike për emërtimet rrugore ngrihen mbi një terren të rrëshqitshëm, sepse janë të ngurta e njëkohësisht të debatueshme, në analizë të fundit ndarëse. Shqipëria është pa dyshim një nga ato vende që e ka pësuar dhimbshëm përçarjen ideologjike, me pasoja që ende sot janë evidente. Së fundi, nuk duhet harruar se emërtimet e hartës nuk janë lojëra fëmijësh, as karshillëqe me kundërshtarët e palës tjetër. Përgjegjësia është e madhe se ka të bëjë me brezat e ardhshëm, të cilëve përveçse truallit duhet t’u lëmë edhe një memorie kolektive të bazuar në vlera të shëndetshme. Nëpër rrugë e sheshe depozitohet kultura dhe identiteti i një vendi, jo vetëm në arkitekturë e ndërtime, por edhe në emërtimet e tyre. Tek e fundit, hartat e qyteteve janë shpeshherë si pëllëmbët e duarve, ku mund të lexohet nga rruga në rrugë, nga bulevardi në bulevard, nga sheshi në shesh, nga vija në vijë: e kaluara, e tashmja dhe, pse jo, e ardhmja.

Në një vend ballkanik si Shqipëria, ku historia përjetohet e gjallë, ku gojëdhënat lexohen si histori, ku shekullorja shikohet si e djeshme, ku e hershmja kushtëzon të ardhmen, pra në një vend ku pasionet e vjetra e të reja janë gjithnjë të ndezura flakë, ku e huaja hyn shpeshherë pa filtra, lipset shumë maturi, edhe në operacione që sot na duken pa ndonjë rëndësi të madhe.

Pa Komente

  1. hmm
    diku kam lexuar qe qerate e dyqaneve pergjate rrugeve qe quhen ‘martin luther king jr’, jane me te uleta se ne rruge te tjera, ne qytete te vogla/mesme ne shba.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin