Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

POR TITOJA VETË NUK E DINTE

BreznevQarkulloi këto ditë një lajm, trivial në vetvete, se sipas një analize fonologjike të CIA-s (dokumenti origjinal besoj është ky këtu), Titoja mund të mos ketë qenë kroat, por polak, rus ose diçka tjetër; supozim ky i mbështetur në një idiosinkrazi të shqiptimit, ose në çfarë e quajnë zakonisht “aksent” ose “theks”.

Ka njerëz që i ndjekin me pasion të veçantë lajme të tilla, si ato që Napoleonin mund ta kenë helmuar, ose që Lenini ka vuajtur nga sifilizi, ose që Hitleri vetë mund të ketë qenë hebre me origjinë. Në Shqipëri kemi dëgjuar të tilla për Skënderbeun, që paskësh qenë sllav; për të jatin e Skënderbeut, që e paskësh pasur emrin Ivan; për Enver Hoxhën, që paskësh qenë i biri i bimbashit të Gjirokastrës, ose edhe katolik nga Mirdita, për Sali Berishën që mund të jetë me origjinë nga Tropoja, etj.

Kur lexova për identitetin e ri të Titos, m’u kujtua se vite më parë, një kafexhi malazez më pat thënë, i zgurdulluar, se Titoja nuk ishte Titoja, por një person me të cilin e kishin ndërruar Titon; dhe ky person paskësh qenë “çifut” – çfarë i shpjegonte të gjitha.

Teoria e ndërrimit i shton një përmasë të re enigmës – dhe më kujton menjëherë një shaka të Mark Twain-it, i cili shkruan diku se “kur isha i vogël, e kishim zakon që luanim në vaskë me vëllain binjak; një ditë nuk di si u ngatërruam, dhe njëri prej nesh u mbyt. Në fakt, ai që u mbyt, isha unë.”

Tani kjo puna e shqiptimit nuk është se e hedh poshtë hipotezën e mëparshme; sepse fare mirë Titon mund ta kenë “ndërruar” me një çifut polak.

Kush e ka parë filmin Impostor, të nxjerrë nga një tregim i Philip Dick-ut, do ta kuptojë se për çfarë bëhet fjalë.

Lajmi vetë do të ishte qesharak, së bashku me burimin: analizat linguistike të CIA-s – por nuk është i tillë, sepse fakti që përcillet dora-dorës dhe ndiqet me kërshëri, lë të duket një mekanizëm të psikologjisë së publikut, në kufi të nënvetëdijës.

Kyçi këtu qëndron te shprehja “nuk ka qenë…”, ose më mirë akoma “nuk paska qenë…”; e cila ia hap dyert realitetit alternativ, ku e vërteta bëhet e gënjeshtërt, dhe fantazia e vërtetë.

Nevoja për ta hapur këtë derë lidhet, doemos, me tensionin që krijon ekzistuesja; ose me kontradiktën midis probabilitetit pothuajse zero të diçkaje, të gjithçkaje, për të ndodhur; dhe probabilitetit një të gjithçkaje që ka ndodhur.

Figurat historike, si Titoja dhe Enveri, i kanë dhënë formë historisë, për mirë dhe për keq; me personalitetet, huqet, pasionet, pruritet dhe paranojat e tyre. Shumë prej nesh e kanë të vështirë të pranojnë që një grusht rastësish – p.sh. diabeti, edhe i njërit edhe i tjetrit – të kenë shprehur domosdoshmërinë e çfarë tashmë nuk ndryshohet më: p.sh. Jugosllavia e djeshme, ose totalitarizmi në Shqipëri.

Dhe që këtej, mundësia që “nuk paska qenë…”, e shoqëruar me zbulimin e universit alternativ të fshehur poshtë këtij tonit; ose “a-ha!”-ja lehtësuese: ai s’paska qenë kroat, por polak, kozmopolit, çifut, etj.; ose homoseksual, joshqiptar, kriptokristian, kriptomysliman, e kështu me radhë; derisa sekreti me josekretin të ndërrojnë vendet mes tyre, dhe përmes një parodie të psikanalizës (wo Es war soll Ich werden), ta shndërrojnë historinë në një lloj terapie kolektive.

Nga njëra anë ekzistuesja, e cila pikërisht ngaqë ekziston nuk ka nevojë të shpjegohet; nga ana tjetër, alternativa ndaj ekzistueses, më e vërtetë se kjo, sepse më e arsyeshme; meqë prandaj edhe është alternativë, ngaqë është e arsyeshme.

Në bazë të një psikologjie të tillë qëndron paranoja; jo si çrregullim mendor, por si qasje hiper-racionale ndaj realitetit. Për vizionin paranoid, gjithçka në sipërfaqe e maskon thellësinë, sikurse edhe e tradhton.

Mbaj mend si vite më parë, gjatë një koncerti të paharrueshëm të U2 në Napoli (turi Zooropa), kishte një mesazh që shfaqej, me ritëm stroboskopik, në ekranin e madh në sfond: All You Know Is a Lie, gjithçka që dini është gënjeshtër. E thënë kështu, kjo moto mund edhe të tingëllojë e mençur për një çast, por vetëm për një çast, ose derisa të zgjohet, në kujtesë, paradoksi i Epimenides-it: nëse gjithçka që dimë është gënjeshtër, atëherë edhe dija se gjithçka që dimë është gënjeshtër, është gënjeshtër. Dunque?

Ai malazezi, që muhabetin për ndërrimin e Titos ma bëri në kontekstin e një ekspozeje më të gjerë, që lidhej me 11 shtatorin dhe komplote të tjera, gati-gati priste që edhe unë t’ia pranoja këtë botëkuptim; tek e fundit, ishte i vetmi që “i shpjegonte” gjërat deri në fund.

Ky është edhe shkaku i fundmë i paranojës – nevoja për t’i ftilluar të gjitha, ose “për t’i kapërcyer të gjitha kontradiktat”, siç shprehej Engelsi. Realiteti, ashtu siç është, ekziston por nuk shpjegohet dot – që këtej nevoja për ta përmbysur, për të parë poshtë, për t’i filluar fjalitë me “nuk paska qenë…”; ose për të shpjeguar jo aq pse kanë ndodhur gjërat, sesa pse të gjitha ato që kanë ndodhur, kanë ndodhur aq gabim: duke filluar nga Jugosllavia.

Shto këtu edhe praninë kuptimplote të CIA-s në këtë ekuacion; sidomos po të kemi parasysh një paranojë tjetër, atë të Tiranës totalitare, sipas së cilës Titoja ishte agjent i imperializmit, sepse vetëm kështu “do të shpjegohej pse…” etj.; çka do të thotë se CIA ose gënjente atëherë, ose gënjen tani; ose Titoja nuk ka ekzistuar fare; ose edhe CIA ka qenë një krijim i Titos, detyrimisht i gënjeshtërt.

Sky is the limit.

Sipas një lajmi të kujdesshëm, tashmë te Shekulli, hipotezën e CIA-s e paska kundërshtuar deri edhe Azem Vllasi, me argumente dialektologjike dhe të gjendjes civile; “Tito ka lindur në Kumrovc, një fshat në veriperëndim të Kroacisë. Nënën e ka patur sllovene e babën kroat,” thotë Vllasi, pa çka se kjo jo vetëm nuk i prek asnjë presje hipotezës së ndërrimit, por kushedi edhe e mbështet më mirë.

Në fakt, sikurse e dimë nga filmat, alibitë më të forta i kanë gjithnjë kriminelët.

Nga ana tjetër, edhe sikur të vërtetohej nesër se Titoja vërtet ka qenë një çifut rus i infiltruar, ose Enver Hoxha i biri i bimbashit ose kriptokatolik, ose që Mehmet Shehun e kanë vrarë, ose që ilirët kanë folur trakisht (ta zëmë, po larg qoftë!), përsëri kjo nuk do t’u jepte fund paranojave – sepse çdo paranojë, në momentin që “kënaqet” nga realiteti, pushon së qeni paranojë dhe shndërrohet në arsye për një paranojë të re.

Figurat e mëdha historike, ose të gjithë ata individë që, me vendimet e tyre ndonjëherë të rastësishme, i kanë dhënë formë historisë, nuk mund të mbushen dot me kuptim; sepse rregullisht u rrëshqasin interpretimeve, për t’u zhvendosur drejt një zone të zbrazët, ose të tillë që të ftojë për interpretime të reja.

Sikur të përpiqnim t’i fiksonim në fotografi, imazhi do të na dilte gjithnjë i shfokusuar, blurry, i parikuperueshëm; njëlloj si imazhi i një zogu në fluturim, kapur me një kamera teknikisht modeste.

Njëfarësoj, kur Enver Hoxha e nxirrte Titon agjent të imperializmit dhe të social-imperializmit, të amerikanëve dhe të sovjetikëve; ose kur e quante Mehmet Shehun “poliagjent”, edhe të CIA-s edhe të KGB-së edhe të UDB-së, në fakt vetëm sa përpiqej të parandalonte paranojat e ardhshme; ose ta mbyllte me shtupë lecke vazon e Pandorës që kishte hapur.

Kjo do të ishte e barasvlershme me fotografin që ta vriste zogun, për ta fotografuar më mirë: modernizim i mitit të Gorgonës.

(Gorgonat do të ishim ne, në këtë rast, që e shndërrojmë historinë në gur, sa herë që shohim në të, nëpër të, nën të.)

Duke u qetësuar dhe ngushëlluar me lajmin se Titoja paska qenë polak dhe jo kroat; se ky ka qenë kështu dhe jo ashtu; dhe se këtë e kanë helmuar nuk e kanë vrarë me thikë; dhe se “all you know is a lie”, në fakt ne veç kërkojmë konfirmim të identitetit tonë vetjak. Diçka si, “më gënjejnë, pra jam”, ose një lloj Dekarti që nuk po i pi ilaçet në rregull.

Pa Komente

    1. Shumë e drejtë – por sa të sigurt jemi që nuk është në fakt Titoja i vjetër, që mbeti në Bashkimin Sovjetik kur e zëvendësuan me të riun?

      1. Kjo shpjegon edhe puthjen e famshme në buzë me Honecker-in. E në qoftë se nuk na bind, duhet parë kush ishte në të vërtetë Honeckeri. Brezhnjevi?

  1. kjo teze me titon ne fakt eshte shume e vjeter, origjinen duhet ta kete andej nga l2b, pas gjasash nga perpjekjet dizinformative te gjermaneve. une personalisht e kisha ndeshur ne librin e otto scorzeny-t (atehere qe lexoja vepra kriminelesh lufte), ushtarit te dashur te hitlerit. ky tregonte se titoja nuk qe kroat, se kishte te pakten edhe nje tito tjeter qe i kishte vjedhur identitetin ne burg, se tjeter ishte titoja qe morri pjese ne luften e spanjes etj.

  2. Kam lexuar diku per soziet e Enver Hoxhes,do te doja te dija me shume per kete gje.Eshte e vertete apo vetem teori konspirative?
    Kur jemi te kjo ceshtje,dua te sqaroj se nje person tjeter po perdor pseudonimin”Bashkim” ne kete blog.Une nuk strehohem te ky pseudonim. I imi eshte “Bashkimi” me ” i ” ne fund. Prandaj,jemi dy persona te ndryshem qe shprehim mendimet tona te ndryshme me nje nofke pothuajse te njejte.Prandaj,do t’i lutesha personit me nofken “Bashkim”,te zgjedh nje tjeter,sepse keshtu mund te shkaktojme keqkuptime.
    Une, rralle e per mall kycem ne debate,por ketu kemi te bejme me “pronen”,une e kam marre i pari,po ashtu nuk jam i interesuar qe te kem nje “sozie” timen,hahahaha….
    Pa keqkuptime,do te doja ta zgjidhja kete ceshtje “pronesie” nofkash !!!
    Me respekt e mirekuptim,
    Bashkimi

  3. Imagjino! Ti je kaq sensitive karshi nje pseudonimi, po sikur te kishe pasur prona “I pari”?

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin