Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë / Sociologji / Totalitarizëm

E VËRTETA NË POLITIKË

Njerëzimi e ka pyetur gjithnjë veten për lidhjen që ekziston midis politikës e së vërtetës. Boja e konsumuar për përsiatjet e pafundta rreth kësaj teme nuk i ka dhënë ende zgjidhje përfundimtare, ngaqë paraqitet vazhdimisht e gjithnjë me forma të reja. Fjalia që mund të na duket si pohim banal (Politikanët duhet ta thonë gjithnjë të vërtetën) mund të shndërrohet në pyetje filozofike në rast se i ndërrojmë intonacionin dhe i shtojmë një pikëpyetje në fund.

Edhe pse nuk shtrohet zakonisht në mënyrë direkte, pyetja nëse politikanët duhet t’u thonë njerëzve të vërtetën, e përshkon historinë e vonët shqiptare nga themelet. Siguria, ose mëdyshja që e rrethon qëndrimin ndaj të vërtetës në politikë, shfaqet nga kafenetë, në bisedat televizive, nga Parlamenti në analizat politike. Dëshirën që politikanët ta na thonë të vërtetën e lexova edhe ndër rreshtat e Presjes disa ditë më parë këtu në Peizazhe të Fjalës.

Duket sikur pyetja e mësipërme ka vetëm një përgjigje: “Po, politikanët duhet të thonë të vërtetën”; e megjithatë opinionet publike nuk e kanë perceptuar kurrë të vërtetën si pjesë e politikës, ose më mirë si virtyt i saj. H. Arendt ka shkruar: “Zakoni për të thënë të vërtetën nuk është llogaritur kurrë ndër virtytet politike, ndërsa gënjeshtrat janë konsideruar gjithnjë si mjete të justifikueshme në punët politike”. Realiteti shqiptar veçse e konfirmon pohimin e mësipërm. Sa herë i justifikojmë gënjeshtrat e politikanëve si pjesë e lojës politike, si kërkesë e fushatës elektorale, si kundërpërgjigje ndaj kundërshtarëve? Shumë prej nesh e nuhasin “me hundë” gënjeshtrën nga e vërteta, e megjithatë shpeshherë nuk na bën përshtypje, ngaqë në politikë të gjithë bëjnë kështu. Madje ka militantë që e kërkojnë gënjeshtrën, si armë përfundimtare, në mposhtjen e palës tjetër. Ndonjëherë, sidomos gjatë fushatave elektorale, ndizet një garë ideale gënjeshtrash, ku palët rreken cili ta thotë mufkën më të madhe mundësisht të ngrënshme nga zgjedhësit; garë ku përjashtohet me rregullore vetëm e vërteta.

Që lidhja e së vërtetës me politikën është temë e ndjeshme për shqiptarët, e vërteton edhe historia e totalitarizmit. Siç dihet me përkufizim, totalitarizmi e mbështet fuqinë e vet mbi gënjeshtrën, mbi propagandën ideologjike, ku e vërteta kthehet pothuajse në tabu, ose gjithsesi në funksion të “së vërtetës zyrtare” absolute. Kush e njeh atë periudhë, e di fare mirë se e vërteta relativizohej deri në atë pikë saqë nuk “dallohej më”, shkrihej në pohimet zyrtare, bëhej si të thuash “e padukshme”, deri “e pavërtetë”. Përndryshe si mund të shpjegohej, për shembull, retushimi i fotografive të tribunave politike të byrosë? A ka dokument më të besueshëm, më të lidhur me realitetin, se sa fotografia? Atje ku më parë fryhej filan “pezzo grosso” i Partisë, dy ditë më pas zhdukej pa nam e nishan. Në shumë shtëpi, librat dhe albumet me fotografi “qetheshin” sipas konjukturave politike, duke hequr fytyrat e padëshiruara të drejtuesve të deklaruar armiq nga pushteti. Botimet e mëpasshme e bënin me art grimin. Ato vrima e mungesa nëpër fotografi flisnin më shumë se çdo traktat për të vërtetën në politikën e asaj kohe. Pa folur për manipulimet ideologjike të historisë dhe propagandën bajate për arritjet e socializmit. Në fakt, totalitarizmi mund të përcaktohet edhe nga përqasja ndaj të vërtetës.

Megjithatë, edhe gjatë regjimit totalitar kishte dy lloj të vërtetash. Pa iu futur teorive të shumta e komplekse mbi të vërtetën, me bazë filozofike ose logjike, duke filluar nga e vërteta objektive e subjektive, po huazojmë kategorizimin e politologes Hannah Arendt, e cila në politikë dallonte të vërtetën faktike e të vërtetën sipas arsyes. Kjo ndarje është mjaft empirike, që mund të nxirret edhe nga vëzhgimet tona. Nga një anë kemi faktet, ato që mund të verifikohen, të bazuar në dëshmi e dokumente, nga ana tjetër kemi opinionet e mendimet. Në vitet tetëdhjetë në Shqipëri kishte krizë ushqimi, çka përbënte fakt sepse të gjithë merrnin tollona (riemërtim i triskave të vjetra të pasluftës) që ishin një farë sistemi për racionalizimin ushqimor. Mirëpo ky fakt mohohej dhe konsiderohej si e pavërtetë, madje në mediat totalitare jepeshin lajme se prodhimi ishte rritur dhe planet pesëvjeçare ishin realizuar mbi 100%.

Kishte edhe të vërteta që pranoheshin nga regjimi, por në mungesë lirie përdoreshin sipas interesit. Pushtimi fashist i Shqipërisë pranohej si e vërtetë, dhe ashtu ishte, sikurse ishte e vërtetë prishja me jugosllavët, sovjetikët, kinezët, por këto fakte trajtoheshin sipas dobisë së pushtetit. Aksidentet vdekjeprurëse në punë shndërroheshin në akte heroike, me medaljet përkatëse. Edhe tërmetet e fatkeqësitë natyrore, kur nuk mund të fshiheshin, shfrytëzoheshin nga propaganda. Kishte edhe të vërteta (vetëvrasja e Mehmet Shehut?) që ende sot nuk dihet nëse mund ta gëzonin atë status, megjithatë shfrytëzoheshin për larje hesapesh e qëllime politike.

Trajtimi i të vërtetës gjatë totalitarizmit kërkon hapësirë të veçantë, por mjaftojnë shembujt e mësipërm për të theksuar se shqiptarëve të sotëm, të djegur keq nga e kaluara, u intereson që politikanët të thonë të vërtetën e vetëm të vërtetën. Në çdo rast. Mirëpo të gjithë e dimë se Makiaveli, nëse nuk do të kishte lindur në Firence, do t’i kishte pasur prindërit nga trojet shqiptare. Makiavelizmi si kulturë politike është shumë i përhapur në Shqipëri; e pra, mendimtari italian e mbështeste përdorimin e gënjeshtrës për mbajtjen e pushtetit me dinakëri e me forcë kur nevojitet. Në Shqipëri ka plot që e justifikojnë përdorimin e gënjeshtrës për mbajtjen ose marrjen e pushtetit. Në historinë e re të demokracisë shqiptare gjen sa të duash shembuj të tillë. E nuk mund të ishte ndryshe në një vend ku realpolitika fiton gjithnjë podiumin kur garon me politikën, sikurse cinizmi ndaj njerzillëkut, kopilllëku ndaj ndershmërisë.

E megjithatë, po të na pyesësh veç e veç, të gjithë duam që politikanët të na thonë të vërtetën. Tek e fundit, asnjë prej nesh nuk ka besim tek gënjeshtarët. Politikanët duhet të bëjnë premtime të mbajtshme, pra të thonë të vërtetën, të pranojnë dështimet e tyre, t’i lavdërojnë kundërshtarët kur bëjnë akte pozitive, të japin dorëheqjen kur thonë gënjeshtra. Mirëpo në botën e “të gjithë kështu bëjnë”, dhe “pse më budalla se të tjerët jam unë?”, ose në botën e “të zhvat sa të kem mundësi”, dhe “ashtu i do mushka drutë”, veprojnë të tjera ligje. Këtu çështja ndërlikohet sepse e vërteta, për t’u ftilluar si e tillë, duhet njohur, madje duhen pasur mjetet për ta njohur. Aktualisht, edhe për shifrat statistikore plasin debate kundërshtuese, ndërkohë që numrat duhet të ishin të vërteta të padiskutueshme.

Në parim e vërteta duhet thënë gjithnjë. Porse kush e ka parë filmin “Liar, Liar”, me aktorin Jim Carrey, do të kujtojë me buzëqeshje se të thuash të vërtetën nuk është aq e lehtë, gjithsesi rezulton paksa problematike. Në film, djali i vogël i protagonistit, i lodhur nga gënjeshtrat e të atit, shprehu dëshirën që të paktën për një ditë babai të mos rrente. I tërë filmi dhe aspektet komike të tij bazohen në pasojat e përmbushjes magjike të dëshirës së fëmijës. Nuk është e rastit që protagonisti (Jim Carrey) punonte si avokat. Filmi mbaron bukur, sidomos nga pikëpamja etike, por në jetë punët nuk do t’i ecnin aq fjollë sikur të thoshte gjithnjë të vërtetën.

Mirëpo ne po flasim për përdorimin e së vërtetës në politikë. Le ta riformulojmë pyetjen: A duhet thënë gjithnjë e vërteta në politikë? Qeveritarët duhet t’ia thonë hapur gjërat publikut? Këtu puna ndryshon pak, edhe pse parimi nuk pranon devijime. Edhe më i padituri e di se shërbimet sekrete veprojnë e quhen të tilla sepse janë sekrete, pra nuk thonë të vërtetën. Po kështu, gjatë negociatave shtetërore delikate nuk është se thuhet troç gjërat për popullin. Teoritë konspirative bazohen tek aksioma se udhëheqësit politikë nuk e tregojnë realitetin. Edhe filmat fantashkencorë e marrin si të dhënë: në Matrix njerëzimi jetonte në një sistem totalisht të rremë, kurse në Men in Black askush nuk e dinte se planeti rrezikonte rregullisht të bëhej shkrumb e hi.

Shumë vjet më parë, në fillimet e demokracisë, Kryeministri shqiptar Ylli Bufi tha me siguri një të vërtetë kur deklaroi se në Shqipëri kishte pak ditë bukë. Mirëpo kjo deklaratë shkaktoi trazira të rënda dhe humbje jete, sepse njerëzit iu turrën furrave të bukës dhe magazinave. Bëri mirë që e tha të vërtetën? Ndoshta në të kaluarën, Shqipëria mund të ketë pasur edhe më pak ditë buke rezervë, por njerëzit nuk e kanë ditur të vërtetën ndaj s’ka ndodhur gjë. Në këtë rast, mund të thotë dikush, nuk duhej thënë e vërteta. Po kush e vendos se përse duhet thënë ose jo e vërteta; kur duhet e kur nuk duhet thënë dhe… cila e vërtetë? Pushtetari? Politikani? Qytetari? Rreziku i trajtimit subjektiv i së vërtetës, pra edhe i gënjeshtrës, ekziston. Po kështu tundimi i politikës. Edhe në demokraci.

Ndoshta e vërteta absolute në politikë nuk ekziston. Për këtë arsye duhet të ekzistojë tendenca ndaj së vërtetës, kërkimi i saj, nëpërmjet dialogut e ballafaqimit, siç e koncepton kulturën politike Norberto Bobbio, i cili flet për shpirt kritik ndaj politikës. Mirëpo ky shpirt kritik duhet krijuar, kultivuar, nxitur, mprehur, pajisur… Sepse edhe shpirti kritik pa dialog e argument nuk ka asnjë vlerë. Nga ana tjetër të thuash të vërtetën, pa pasur ndershmëri e integritet moral, nuk do të thotë asgjë, sepse e vërteta mund të jetë antonim i saj. Ndërkohë politika është e lidhur ngushtë me të mirën e përbashkët, çka e kushtëzon shumë idenë e së vërtetës. Pra për politikën kërkohet në radhë të parë etikë. Politikanët shqiptarë mund ta fillojnë nga mosthënia e gënjeshtrave, pastaj nga thënia e së vërtetës.

Po njerëzit duan të vërtetën apo gënjeshtrën? Kjo është çështje tjetër. Në filmin e lartcituar Matrix, në çastin kur i la në dorë dy tabletat me ngjyra, Morpheus i tha Neo-s: “Tableta blu, historia mbaron këtu: nesër do të zgjohesh në dhomën tënde e do të besosh çka dëshiron. Tableta e kuqe, mbetesh në vendin e mrekullive. Po të ofroj vetëm të vërtetën Neo, asgjë më shumë”.

Pa Komente

  1. me fute ne mendime, Pishak. Thua deshiroj qe politikanet te thone te verteten?! Besoj se qe ta deshirosh dicka, duhet ta besosh si te mundshme. Une nuk besoj qe eshte e mundshme. Por sic thoja ne shkrim, nje qeveri mund te beje gjera te mira edhe pa te vertetat e plota… ato te jopolitikanit.

    Per rastin e Bufit qe jep me lart besoj se aty duhet thene qe Bufi nuk me duket se tha te verteten aq sa “u rrefye”. Sido qofte, une nuk e njoh fare ate situate, ndaj thjesht me duket sikur eshte kjo ceshtja. Une e vleresoj te verteten e thene nga politikani, kur situata eshte e bartur me genjeshter. Pra nese e verteta nuk sfidohet, nuk ka ndonje vlere shume te madhe. Dhe e verteta ne vetvete s’i hyn kujt ne xhep. Psh nese Kadriu i thote Sotirit qe e shoqja e ketij te fundit ka nje dashnor, thjesht sepse Kadriu ndodh qe e di kete fakt, nuk ben askend te jete ne anen e Kadriut sepse ky tha te verteten. Ndoshta Sotirin se pari.

    Edhe une ne shkrim doja t’i rrija larg natyres filozofike te se vertetes, por ajo e shkrete nuk hiqet qafe kollaj, dhe per hir te se vertetes duhet diskutuar ndoshta.

    1. Shkrimi yt u bë sebep i përsiatjeve që i hodha për diskutim. Tek e fundit edhe unë dua që politikanët të thonë të vërtetën e jo gënjeshtra. Tema gjithsesi është e stërgjerë.
      Komenti yt më kujtoi një film humoristik, ku protagonisti u nxeh tejmase ngaqë shoku i ngushtë, i nisur nga pesha e përgjegjësisë miqësore, i tha se e dashura shkonte me dikë tjetër. “Përse ma the? – ia ktheu. Këto gjëra zakonisht thuhen prapa shpine, si thashetheme”. Nejse. Këtu po flasim për të vërtetën në politikë, pra në sferën publike. Shembullin e Bufit e dhashë pa hyrë në detaje, se në kuadrin politik ajo “e vërtetë” e kishte nje funksion.
      Ke të drejtë, kur flet për të vërtetën nuk i rri dot larg natyrës së saj filozofike. Por për hir të së vërtetës, siç thua ti, duhet thënë e vërteta. 🙂

  2. Une do beja nje dallim midis politikane shqiptare apo dhe te shume vendeve te tjera nese do ti krahasojme me vendet e zhvilluara nga ka dale edhe Makiaveli me sugjerimet e tij per qeveritaret. Dhe kjo sepse edhe kushtet per shume faktore kane qene te ndryshme.
    Me bie nder mend Johan Hahn i cili tek “Studime shqiptare” thote se ” ne perendim njeriu tani jeton ne sundimin e ligjit…. Ligji, zakoni dhe tradita e mbrojne ate ne jeten e tij nga veprimi dhe arbitrateti i te tjereve ne nje shkalle me te madhe se ne lindje, per kete arsye njeriu ne perendim i trembet dhe shpreson shume pak nga bashkeqytetaret e tij….. Perkundrazi lindori mund te krahasohet me nje dru pylli, ekzistenca e te cilit rrethohet nga rreziqe te panumerta… dhe tue qene se frika dhe shpresa e tij varen ne nji mase te madhe nga arbitrariteti i te tjereve, ai si rregull asht me i zoti se perendimori ne njohjen dhe trajtimin e njerezve…. I pari ka mundesi qe ti perkushtoje te gjitha forcat ndertimit te jetes se vet ndaj nuhk i njeh rrengjet dhe marifetet te cilat i dyti i ka te zakonshme per te ruajtur baraspeshimin ne veprimtarine vet”.
    Nese kjo eshte e vertete edhe politikanet qe qeverisin kete kontigjent duhet te jene ndryshe nga partnere e tyre perendimore.
    Nese trembja e individit nuk eshte ne perendim sikurse ne lindje, atehere qeveritaret e perendimit duhet te kene frike te mos thone te verteten. (Dhe ketu nuk flasim per ato te sherbimeve sekrete.) Fryma kritike e shoqerise qe eshte ne nivele minimale tek shoqerite si e jona, eshte element kyc. Dhe ajo qe me vjen ne mend eshte ndodhia me nxenesit e Harri Fullcit qe nuk paten asnje reagim edhe pasi ai u reduktoi ndjeshem racionin ushqimor…..

  3. “Kur fjalët humbin kuptimin, njerëzit humbin lirinë.” (Konfuci)

    1. Shume e goditur,por jo vetem kaq.Kur humb lirine di se ku je,kush je( transformuar).
      Por kur “e tera” behet ETHERA, “e para~bera” behet APIRO, “she,ban” behet SIBAN,KOHAS i thua ,do te thote “qo ha” dhe barazon vleren semantike me nje kod optiko akustik te ndryshem Chronos,ahere humbet lirine e pjeseshme,dikush te mohon te drejten qe te shpenzosh sa me pak per te arritur te e verteta diakronike,vazhdimesia,historia.Te infekton ,injekton iluzionin ,te mohon te kuptosh drejt natyren,te ben te ndjesh se ti mund te arrish te pafundesia,nderkoh qe askush nuk e ka perjetuar ate.

  4. ”’Ndërkohë politika është e lidhur ngushtë me të mirën e përbashkët, çka e kushtëzon shumë idenë e së vërtetës. Pra për politikën kërkohet në radhë të parë etikë.”’

    Ne fakt, nese politika do te ishte e lidhur ngushte me te miren e perbashket, nuk do te kishte nevoje per etike, perkundrazi politika duhet te jete e lidhur me te miren e perbashket prandaj kerkohet nderhyrja e etikes. Pra etika duhet ta detyroje politiken te lidhet me te miren e perbashket. Ky eshte edhe roli i etikes.

    C’eshte e verteta, politika duhet ndare gjithnje ne te jashtme e te brendshme, ne menyre qe dallojme politiken e jashtme, e cila ka lidhje te ngushte me te miren e perbashket ( mbrojtja nga armiku, grabitja e perbashket e Tjetrit), nga politika e brendshme ku e mira e perbashket, pa rolin e etikes, nuk eshte veçse e mira e perbashket e njeres pale.
    Ne politiken e jashtme, nuk ka pale ( eshte zakon qe politikanet te bejne sikur dallojne edhe ne politiken e jashtme, por realisht politika e jashtme nuk varet nga interesi i paleve ), ka nje interes te pergjithshem, i cili misherohet tek Sovrani ( monarku, kombi, populli).

    Gjithsesi, e verteta ne politike eshte pasoje e nevojes per etike ne politike, perndryshe per politiken e verteta eshte thjesht nje mjet, i cili mund te nevojitet ose jo ne fitoren e betejes se radhes. Ne fund te fundit e verteta kushtezon vetem fushen intelektuale, e cila ekziston si e tille sepse kerkon te verteten, pra objekti i saj, qellimi dhe njekohesisht arsyeja e ekzistences eshte e verteta. Perndryshe, fushat e tjera, nder te cilat politika, kane qellime e arsye te tjera ekzistence, e verteta eshte thjesht nje mjet si gjithe te tjeret, si vete genjeshtra.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin