Ç’TË MOS BËJMË? (II)

nga Paskal Stafa

Pasi më të shumtën bëhet ajo që nuk duhej bërë e jo e kundërta. Flitet kur duhej heshtur e heshtet për çka duhej thënë. Është e turpshme që heshtet lig për të kaluarën, kur duhej të qenë hapur me kohë dosjet, e në të njëjtën kohë dërdëllitet për të po aq turpshëm, në formë sensacionesh të paqena, me të cilat ndillet publiku për të blerë lëtyrat kinse gazeta. Relativizimi i krimit në kureshti, nihilizmi i kundërvënies të keqes së shkuar të keqen e sodit, rritin dita-ditës zhguallin e pandjeshëm, nën të cilin kotet në letargji breshka e drejtësisë. Ne jemi vendi i vetëm në ish-bllokun komunist që nuk jemi përballur ende me të kaluarën tonë: ligji për lustracionin nuk u miratua sërish. E si mëtojmë të vemë drejtësi në të tashmen e në të ardhmen, pa qenë të drejtë me të shkuarën tonë?

Heshtet keq për korrupsionin që ka pllakosur vendin, merret ky si i dhënë, si e keqja më e vogël, diçka që do e bënin të gjithë po t‘iu jepej mundësia; nga ana tjetër, flitet skajshëm për gjithshka. „Madhështor“, „ i shquar“, „mbarëbotëror“, „ikona“, etj. janë fast food-i i përditshëm i medias. „Bukën e përditshme falna sot!“. Dhe mana na vjen në formë analiste nga banorët e ekranit dhe të fletushkave. Fevziu, Gjebrea, Cani, Xhunga, Nano, Zogaj, Lubonja, Hoxha, Çili, Krasta etj. me shokë janë punëtorët me mëditje të vulgut që bën sehir, ushqyesit me shuka të gjelit të detit, që theret çdo katër vjet ; e kojnë atë me dokrra dhe mbetje perëndimore e ai është i uritur, a i ngopur deri në zakon; ha ç‘i japin e nuk i bën më përshtypje se çfarë. Flitet për gjithçka, por përflitet keq, larg asaj ç‘është vërtet – larg parave që paguhen nën dorë, nga?, pasurive të vëna si?, ndërtimeve pa leje, pse? tarafllëkut të kujt? krimeve të bëra nga kush? – pra dërdëllitet nga njëra anë çka nuk ka pse thuhet e heshtet nga ana tjetër ajo çka duhet thënë medoemos.

Ku janë Gandhi-t, Havel-ët, Mandela-t, Nënë Tereza-t, Luther King-ët tanë? A nuk paskemi më njerëz  të virtytshëm, njerëz që do të mundeshin t‘i kundërvinin hedonizmit ideale më shpirtërore se sa pasuria materiale, seksi, pushteti, farefisnia, egozentrizmi? A nuk jemi në këtë botë për të bërë diç më shumë se të vënit thjesht para, se për të bashkëfjetur, për të komanduar, për të qenë familjarë, pasi „…robi nuk jeton vetëm me bukë…“? Ngjan se banorët e atij ish-burgu të hapur të mbiquajtur atdhe vijojnë të presin gardianët që u sjellin për të ngrënë edhe kur janë liruar, ngjan që ata e vuajnë ende sindromën e Stokholmit.

„Ç‘të bëjmë?“ është pra „Ç‘të mos bëjmë?“, pasi, për të ditur se si bëhen gjërat, mjafton të marrim shembullin e kujt i ka bërë ato, siç mund të shihen pasojat tek të tjerë, që kanë bërë çfarë s‘duhet bërë. Sepse të zhbësh, ta zëmë, mbiurbanizimin e Tiranës, apo bregdetit të Durrësit, është përpjekje ku e ku më titanike se thjesht të mbyllurit një sy, apo të ligjërimit të korrupsionit ndërtimor në prag zgjedhjesh. Si mund të zhbësh dot pastaj deformimin shpirtëror e mendor të brezit të ri, rritur në geto periferie me trafik anarkist, pa hapësira të gjelbëra, pa vende lojrash, ushqyer me reklama cinike e fjalë të huaja që nuk ua di doemos kuptimin, shkolluar me para nën dorë e tarafllëk, mjekuar po ashtu? Aq më tepër që janë ata, që t‘i kërkon të drejtosh, që të zgjedhin? Ndaj dhe programet e qeverive në pushtet, duke qenë se ligji normalisht është mohues, duhej të kishin parësore „mosbërjen“, ndalimin, kontrollin, pasi gjërat që duhen bërë, bëhen sidoqoftë vetiu.

E, në fund të fundit, kjo është përmasë njerëzore. Lasgushi e Migjeni i përtejshëm fare mirë mund të kishin shkruar ca poema për udhëheqësin, për mbretin, për partinë, siç bënë shumë të tjerë, që hëngrën bukë me to, duke helmuar të tjerët. Por zgjedhin të mos e bëjnë. Pasi, nga ta dish, ndofta robi nuk ka vërtet veç një jetë, ndofta ai që bëri këtë botë dhe banorët e saj mund të ketë bërë edhe të tjera, ku bëmat e mosbëmat e kësaj janë bumerangë në tjetrën; ndoshta jemi trofta që kthehen për të lindur ku kanë lindur, jemi si fajkojtë e gjahut që i kthehen të zotit në dorë. Për sa kohë nuk e dimë, në është kështu, do të qe mirë të mos besonim aksioma të tjera që e marrin të dhënë të mos qenit ashtu. Për sa kohë nuk i dimë pasojat e bëmave tona, do të ish më mirë të ushtroheshim në mos-e jo urdhërorë, për të kursyer të ngjashmit nga vetja, por ndoshta edhe atë vetë.

Nuk ka komente

  1. Po, jemi ne kete bote per me shume se vetem per buke. Jo ne Shqiperi vecse. Mendo per nje moment si me poshte:

    Gandhi Berisha.
    Havel Dritan Prifti.
    Mandela Ilir Meta.
    Nene Tereza Josefina Topalli.
    Luther King Bujar Nishani.

    Mos u lodh, nuk e gjen dot, te pakten ne Shqiperi. Nuk jam pesimist vetem realist. Nuk ka shprese. Nuk e shikon sesi vrapojne si te marre mbas materiales? Eshte nje vrap i cmendur dhe i pandalshem; jane kaq te siperfaqshem saqe te duken sikur luajne ndonje teater! Kush te shesi mend me shume, range rovers, vila, firmato, udhetime, veze peshku… Dmth nuk te merren mendte nga e gjithe kjo cmenduri!
    Persekutimi, vrasjet, internimet, burgimet, jane harruar dhe nuk do te kete drejtesi. Sa here qe flet per to, njerzit heshtin te trembur, sepse nuk duan te zgjohen nga gjumi i rende i te mrekullueshmes firmato.Vdekatare te pandreqshem. Idealiste utopike. Egoiste intrigante, dhe me ne fund injorante dhe katundare ne thelb.

    1. “Nuk ka shpresë” – shkruani, ndoshta me të drejtë.
      Por po duam të besojmë në të, se ku tjetër?
      Shpresën e mbajmë me thërrime.

  2. “Shpresën e mbajmë me thërrime”.
    Shpreso i dashur, por dije se komunizmi nuk vdes kollaj ne Shqiperi. I ka rrenjet e forta dhe shprehet ne te gjitha format; perfytyro nje kameleon perfekt! Dhe te gjithe qe bejne sikur drejtojne sot jane ish komuniste ose format e mbetura te komunizmit. Do te ndryshoje nje dite, por ti dhe une, nuk do e arrijme dot, perderisa fara e hipokriteve shembullore te zhduket nga ekzistenca.
    Por Ana Akhmatova tha:
    “During the terrible years of the Yekhov terror I spent seventeen months in the prison queues in Leningrad. One day someone ‘identified’ me. Then a woman with lips blue with cold who was standing behind me, and of course had never heard of my name, came out of the numbness which affected us all and whispered in my ear—(we all spoke in whispers there):
    ‘Could you describe this?’
    I said, ‘I can!’
    Then something resembling a smile slipped over what had once been her face.”
    Kjo eshte shprese me therrime, e mirefillte.

    “Une kete punen e dosjeve dhe lustracionit, te them te drejten nuk e kisha marre ndonjehere seriozisht me pare. Me dukej percapje e kote, e c’do kete aty qe do ndryshoka kaq shume fatet e vendit, thosha. Hajde t’i gjykojme njerezit per c’ka do te jene tani e tutje dhe jo per cfare kane qene 30 vjet me pare, dhe ky me dukej argomenti me serioz.”

    E kupton dot llogjiken e argumentit te mesiperm? Nuk di nese duhet te habitem apo ti konfirmoj vetes qe keshtu pothuajse mendojne te gjithe! Por si do qe te jete, per cfare ka vlere, eshte thenia e Ana Akhmatova sa me poshte:
    “I am not one of those who left the land
    to the mercy of its enemies
    Their flattery leaves me cold,
    my songs are not for them to praise.

    1. Shpresa është parim e jo me patjetër e faktuar.
      Pasi, nëse e humbasim edhe të, ç’të bëjmë pastaj? -për të perifrazuar edhe titullin e shkrimit.
      Pasoja e menjëhershme e humbjes së saj do të qe depresioni, e medytëhershme heshtja e kështu me radhë deri, ndoshta tek vetëvrasja.
      Por kemi zgjedhur të durojmë e, në mundemi – jo gjithnjë ia dalim edhe kësaj – të mbahemi diku, në shpresën si besim se më keq nuk bëhet dot.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin