Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

PANTEONI I MBIPOPULLUAR

Për nevojën e rishikimit të historisë së Shqipërisë dhe të shqiptarëve flitet shumë dhe shpesh, pa çka se narrativat e mëdha historike vështirë se mund të ndryshohen përmes debatit akademik ose intelektual, sa kohë që janë kristalizuar në mit.

Përkundrazi, rishikimi mund të kryhet, dhe në fakt është duke u kryer në rrafshin mikro, ose atje ku historia vetë mishërohet në përmasat individuale të protagonistëve, të mëdhenj dhe të vegjël; meqë shformimet, arnat dhe riderdhjet, në këtë rrafsh, duket sikur nuk i cenojnë, në vështrim të parë, narrativat madhore.

Ndërhyrjet vijnë për motive të ndryshme: dikush kërkon të vërtetën, një tjetër shtyhet nga arsye sentimentale, një i tretë kërkon revansh; por në përgjithësi, emërues i përbashkët i këtyre ndërhyrjeve për ta lënë historinë pa humbës, ose mishërim i mekanizmit rishkrues dhe rishikues është rehabilitimi.

Nuk ka media të shkruar dhe të folur, tradicionale dhe elektronike, të majtë dhe të djathtë, që të mos i ketë shërbyer këtij procesi rehabilitues të figurave historike, i cili shpesh paraqitet si produkt i nevojës për të vënë drejtësi, ose për të shlyer padrejtësitë e djeshme.

E kanë marrë fjalën historianët dhe gazetarët, politikanët e djeshëm dhe të sotëm, arkivistët dhe dëshmitarët, të afërmit dhe të njohurit; janë cituar letrat, qarkoret, urdhëresat, vendimet e gjyqeve, pretencat, kabllogramet dhe procesverbalet, procesverbalet e hetuesive, debatet e plenumeve të KQ, deponimet, denoncimet, librat me kujtime, autobiografitë, raportet e shërbimeve të huaja dhe dorëshkrimet e vjetruara sirtarëve.

Të gjitha herët, synimi ka qenë që figura deri dje të nëpërkëmbura, të mbuluara me baltë, të përgojuara, të njollosura si armiq të çështjes, të popullit, të kombit, të progresit, të rivlerësohen tashmë në dritë pozitive.

Rehabilitimi i ka prekur të gjithë: figurat e larta të kupolës komuniste, të dënuara për shkak të luftës brenda llojit; kryepersekutorët dhe kryepolicët dhe kryetorturuesit; të arratisurit dhe të syrgjynosurit; të humburit; agjentët e fuqive të huaja, poliagjentët, spiunët, të shiturit për tridhjetë aspra, diversantët, sabotatorët, komplotistët; trockistët, titistët, hrushovianët; bashkëpunëtorët me pushtuesit, kuislingët, kolaboracionistët, kapitullantët, mercenarët, tradhtarët, tregtarët e flamujve; ballistët, zogistët, legalistët, nacionalistët e ndershëm dhe të pandershëm, fraksionistët, puçistët, bonapartistët, jeniçerët; monarkistët dhe antimonarkistët; fundamentalistët fetarë, radikalët, separatistët, krahinistët, irredentistët; italofilët, serbofilët; filosovjetikët, filogjermanët; grekomanët, turkomanët.

Që nga Mehmet Shehu e deri te Hamza Kastrioti, nuk ka mbetur figurë dikur negative dhe e përbuzur e historisë shqiptare pa u riportretizuar në dritë të praruar e pa u lumturuar rishtas; sepse gjithnjë do të gjendet diku një grup i papërfaqësuar mirë në histori, ose i penalizuar nga ky ose ai version zyrtar i narrativës, dhe që tani kërkon “drejtësi” nëpërmjet riformulimit të profilit moral të heroit përkatës.

Nëse historiografia komuniste, në vazhdën edhe të makineizmit kombëtarist të Rilindjes, e kish shkruar historinë e shqiptarëve si një dramë morale, me të mirë që përpiqeshin për të mirën dhe të ligj që përpiqeshin t’u zinin rrugën të parëve, kjo e tanishmja, në atë masë që mund të konsiderohet ende si degë e dijes, e sheh historinë më shumë si tragjedi homerike, ku heronjtë vërtet luftojnë me njëri-tjetrin, dhe vrasin njëri-tjetrin rregullisht; por vetëm të detyruar nga rrethanat, të shtyrë e të përçarë nga të tjerët, ose të gënjyer.

Si në një rast, ashtu edhe në tjetrin, vizionet kanë natyrë në thelb fetare; pa çka se ai pari, ai totalitar, organizohet më shumë sipas modelit të një feje monoteiste dhe hierarkike, me engjëjt, shenjtorët dhe kundërshenjtorët e vet; ndërsa i dyti ndjek më shumë modelin politeist, ku perënditë janë në konflikt të përhershëm mes tyre dhe me vdekatarët poshtë.

Në realitet, këto rehabilitime këmbëngulëse i kanë shërbyer ngjizjes së grupeve të interesave, organizuar rreth idhujve përkatës dhe në luftë skërmitëse mes tyre; në kuptimin që grupi që rehabiliton Kadri Hazbiun nuk është i njëjtë me atë që rehabiliton Xhaferr Devën, as i njëjtë me atë që rehabiliton Patër Anton Harapin.

Duket sikur ky segmentim është efekt i padëshiruar i pluralizmit; por në të vërtetë ai ka lidhje me shpërbërjen e njësisë kombëtare, së paku në përmasën kohore.

Edhe pse historiografia e mirëfilltë nuk ka shumë të bëjë me narrativat madhore të mitit kombëtarist shqiptar; dhe mund madje duhet të konfigurohet në mënyrë pluraliste, ku ndonjëherë interpretimet të bien edhe ndesh mes tyre, kjo nuk e cenon gjë nevojën për logjikë të brendshme, koherencë dhe vijueshmëri.

E keqja e rehabilitimeve të tanishme nuk ka vetëm të bëjë me natyrën e tyre ad hoc dhe amatoriale, as me kitsch-in sentimentalist dhe abuzimin me faktorin human; por me dëshirën për ta përmbysur historiografinë e djeshme, dhe hierarkitë e saj të rrepta etike, gjithë duke ia ruajtur planimetrinë dhe etosin.

Nëse historiografia komuniste vuri një numër të madh figurash para skuadrës së pushkatimit historik, duke i dënuar me syrgjyn të përjetshëm në ferrin e kujtesës në mos fare me harresë, kjo e tanishmja, gjithë e shkërmoqur në dhjetëra variante të pabashkëmatshme, duket sikur nuk mjaftohet me rikthimin e këtyre figurave në “fotografitë” historike, por kërkon edhe t’u thurë atyre këngë, njëlloj siç u thureshin dje këngë kundërshtarëve të tyre.

I frymëzuar nga revanshi, rehabilitimi e minon kështu njësinë kombëtare, duke e atomizuar, në mënyrë të tillë që çdo grup interesash – qofshin këto krahinore, kulturore, fetare ose politike – të ndërtojë vizionin e vet historik, të tillë që t’i shërbejë jo aq të vërtetës, sesa kohezionit të grupit dhe motivimit të gjithsecilit.

Edhe pse ky proces në dukje vetëm sa risjell në dritë pozitive të përbalturit e djeshëm, ai e dëmton drejtpërdrejt ekzistencën e arsyeshme të kombit dhe të shtetit shqiptar sot, pasojë objektive e disa zhvillimeve historike të pakthyeshme, që nga shembja e Perandorisë Osmane e deri te fitorja kundër fashizmit, gjatë Luftës II Botërore.

Përndryshe, falë zellit për të pasur të gjithë nga një lojtar “tonin” në ekipin kombëtar të historisë, e kemi mbingarkuar imagjinatën kolektive me heronj ngadhënjimtarë; gjithë duke vazhduar t’ua çojmë atyre përpara luftërat dhe përpjekjet në kohën e sotme.

Nëse historiografia, në të gjitha variantet e saj dhe për të gjitha moshat dhe mendjet, synon t’u japë qytetarëve një ide pak a shumë konsistente për të shkuarën e bashkësisë së tyre, përpjekjet e tanishme për rehabilitime mëtojnë, përkundrazi, ta shpërbëjnë këtë njësi, duke e mbajtur historinë në vend numëro, ose duke e shndërruar në arenë ku rikthehen e konsumohen, pafundësisht e në formë ciklike, po ato konflikte: Lindja me Perëndimin, Veriu me Jugun, Europa me Azinë, Krishterimi me Islamin, Katolicizmi me Ortodoksinë, mali me fushën, qyteti me fshatin, të ardhurit me vendësit dhe, last not least, plaçkitësit me të plaçkiturit.

Më tej akoma, dhe sikurse dihet, historinë e shqiptarëve nuk e përfytyron, as e rrok dot, pa u ndalur me hollësi në pleksjen dhe konfliktin mes interesave të huaj në trojet shqiptare; kjo edhe ngaqë shteti shqiptar ka qenë dhe mbetet faktor i dobët në zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare, dhe gjithnjë i varur politikisht dhe ekonomikisht nga fuqi të mëdha; dhe nga kjo pikëpamje një numër i madh i “heronjve” që kemi, të vjetër por edhe mes të rehabilituarve rishtas, kanë vepruar në emër të këtyre faktorëve të huaj, shpesh edhe duke luajtur lojën e tyre – edhe pse kjo nuk është se i shndërron vetvetiu në agjentë të të paguar të palëve të treta, sikurse thuhet jo rrallë.

E megjithatë, po të dëgjosh sot rehabilituesit, bindesh se të gjithë protagonistët, për mirë a për keq, të jetës shqiptare në shekuj, kanë vepruar të motivuar nga dëshira, vullneti dhe bindja për t’u shërbyer kombit, bashkatdhetarëve, dhe çështjes kombëtare; mundësisht duke iu kundërvënë ballazi “të huajit.”

Ka një prirje për ta përligjur rehabilitimin me nevojat ose instinktet kombëtariste; në kuptimin që edhe ky edhe ai, për të mirën e kombit kanë punuar, pa çka se historia i ka hedhur në llogore të kundërta, ose i ka vënë në shënjestrat e pushkëve të njëri-tjetrit; dhe se të qenët shqiptarë “të mirë” mjafton, të paktën sot, për t’i shlyer këta njerëz nga mëkatet e djeshme e për t’ua vendosur statujat në një panteon tashmë të mbipopulluar.

Kështu, edhe komunistët luftuan për të mirën e shqiptarëve, edhe kolaboracionistët bashkëpunuan me pushtuesit për të mirën e shqiptarëve; edhe Zogu u përpoq për të mirën e shqiptarëve, edhe Noli po ashtu – pa folur pastaj për Enver Hoxhën dhe krerët e tjerë të kupolës totalitare.

Paradoksi i këtij vizioni, të motivuar nga një kombëtarizëm naiv, është se duke e adoptuar, ia heqim çdo logjikë dhe koherencë konceptit të kombit si entitet historik, që vetorganizohet me synimin për të pasur kontroll mbi historinë e vet; duke e shndërruar në një “nënë” që prodhon fëmijë të gjithë të virtytshëm me përkufizim, pa çka se të dënuar për të mos i shërbyer ndryshe, përveçse duke u kacafytur mes tyre e duke dalë pastaj të gjithë faqebardhë.

Shënim: botuar së pari në gazetën Impakt, të dt. 1 gusht 2013.

Pa Komente

  1. shum e drejte; nji dukuri kjo qe me shoket e kemi pase emertu “amnesty national”

  2. Mendoj qe ne nje forme apo ne nje tjeter historianet apo rehabilituesit tentojne te vazhdojne rrugen e paraardhesve te tyre. Historinaet e rritur dhe brumosur nen frymen nacional-komuniste tentojne te zbatojne teknikat moderne te historise per te ngritur vlerat e komunisteve (verehet nje gje e tille per Shehun dhe Lleshin) nderkohe qe te persekutuarit tentojne te perdorin teknika te tjera per te zhvleresuar sa me shume te jete e mundur komunizmin duke e mohuar ate dhe si nje levizje qe u perhap dhe u perqafua ne Shqiperi jo vetem nga klasa e mesme por edhe ajo e larte. Ne kete menyre harroen te shihen ato ngjyrat e vogla te tablose qe i japin force dhe realitet historise sone dhe bukurine e cdo ngjarjeje njerezore (madje keto ngjyra mungojne edhe ne filma edhe ne romane gjihashtu).

    Nga ana tjeter jane disa “armiq” te cilet nuk kane ende nje numer te medhenj mbrojtesish, rasti par excellence eshte ai i Esat Pashe Toptanit, te cileve vazhdohet t’u mvishen tituj nga me te ndryshmit. Jo me shume se para disa ditesh qeveria e Berishes krahasohej me HAXHIQAMILIZEM, nderkohe qe jo pak here Berisha eshte akuzuar (sidomos nga historinaet nacional komuniste) si nje Esad Pashe Toptani qe shet Shqiperine per interesat e tij personal te pushtetit. Fakti qe Esadi, Haxhi Qamili, Avni Rustemi e figura te tjera nuk kane pasur mundesine per tu gjykuar ne baze te kohes, ngjarjeve dhe ndodhive te asaj periudhe te patrazuar nga fryma e indoktrinuar historike me ben te mendoj dhe te shtroj nje pyetje: A jemi ne ne gjendje te hulumtojme mbi te shkuaren tone per te nxjerre mesimet e te tashmes?

  3. Nuk eshte kombetarizem, thjesht ne epoken e kombeve e mira e perbashket quhet e mira e kombit. Dualizmi mes se mires private/vetjake, dhe asaj publike/te perbashket eshte i vjeter sa vete njeriu. Me pare shihej si e mira vetjake perballe se mires se fisit, shtetit, fese etj, ne epoken e kombeve kategorive te mesiperme i mbivendoset kombi.

    Cdo veprim publik per te qene i moralshem duhet te behet ne emer te se mires se perbashket. Aq me teper ka nevoje veprimi politik persa kohe qe politika ne erresiren e esences se saj eshte konfliktuale dhe e pjesshme prandaj ndarese e perçarese.

    As nje blog nuk mund te mbijetoje dot ne sferen e publikes, nqs i zoti thote gjithnje qe kete blog e kam thjesht per te miren vetjake, i zerohet moraliteti i nevojshem per te mbijetuar, prandaj duhet te jete gjithnje ne sherbim te se mires publike, te mires se perbashket, rrjedhimisht kombetare.

    Rehabilitohet çdo figure historiko-politike ne emer te se mires se kombit, sepse, si me siper, konfliktualiteti i politikes ka me teper nevoje per te miren e kombit per te qene konflikt i pranueshem ose ekzistent, me fjale te tjera pa te miren e kombit si koncept s’ka politike.

    Konflikti politik shqiptar ka si kategori te domosdoshme ate te tradhetise, sepse i ka rrenjet tek nacionalizmi, i cili krijoi nje dialektike efikase politike ne lidhje me te miren e perbashket, efikasitet qe eshte shfrytezuar nga te gjithe deri me sot, ne formen retorike te tij.

  4. Une jam pro rishikimit te historise, sipas parimit dekonstruksionist – dallimet e medha mes komuniteteve brenda shqiptare dhe fqinjeve, duhen zbutur prej absolutizmit, fatalizmit e ndonjehere edhe fashizmit qe i karakterizon. Por gjithsesi dallimet duhen shfaqur qe e gjithe perpjekja te kete kuptim.

    Ne kete shkrim Xha Xhai jep pershtypjen se gjithe perpjekjet per rishikim te historise, krijojne nje te tere absurde, si kostum Arlekini.

    Fragmentizimi, eshte shenje e kohes, per mendimin tim. Kujtoj ketu dhe nje seri shkrimesh ne PTF me titull “Konfeksionim mendjesh”

    Ndersa ky me poshte me duket vezhgim shume interesant:

     

    Si në një rast, ashtu edhe në tjetrin, vizionet kanë natyrë në thelb fetare; pa çka se ai pari, ai totalitar, organizohet më shumë sipas modelit të një feje monoteiste dhe hierarkike, me engjëjt, shenjtorët dhe kundërshenjtorët e vet; ndërsa i dyti ndjek më shumë modelin politeist, ku perënditë janë në konflikt të përhershëm mes tyre dhe me vdekatarët poshtë.

    Besoj se monoteizmi eshte i lidhur ngushte me nacionalizmin perkates te cdo kombi. Shume shpesh, personat besimtare, jane edhe nacionaliste. Vec ne Shqiperi kjo nuk ndodh, ku, deri tani nje nga deget e nacionalizmit e mbajne te vetequajturit ateiste. Shume prej nacionalisteve-ateiste nuk kane ngelur pa i thurrur lavde kesaj vecantie, e quajne madje arritje. Ndersa une mendoj se eshte monoteizem rudimentar – nje fe pa zot.

     

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin