Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Letërsi / Totalitarizëm

INDEX LIBRORUM PERDITORUM*

Libra në panair

Nuk qëlloj në Tiranë vjeshtave, ndaj Panairin e Librit e ndjek zakonisht nga larg. Analizat e shtypit të atyre ditëve i japin vend qendror, e flasin më shumë për sasinë e personave që e vizitojnë dhe numrin e librave të sjellë në panair apo shtëpive botuese që paraqesin librat e vet, sesa për cilësinë e botimeve. Panairi shërben si një rast i mirë mediatik për analiza kryesisht pozitive, për arritje, bardhosje me bojë intelektuale të kronikave të zeza të përditshme shqiptare, e pse jo edhe rihedhje në treg emrash që shesin gazetat e librat, si dhe miqsh të vjetër e të rinj që duhen. Në fakt, cilësia e përgjithshme e librit shkencor, krijimit artistik sidomos në prozë, dhe e shumë përkthimeve që botohen çdo vit në Shqipëri dhe sheh në Panair, është ende e ulët. Ka edhe gjëra të bukura (sidomos poezi)… ka gjithashtu edhe disa shtëpi botuese që kanë krijuar një profil më të besueshëm dhe që kanë nisur ta filtrojnë botimin që nxjerrin edhe për nga cilësia.

Botimet e reja në vitet e para pas rënies së socializmit në Shqipëri ishin aq të dobëta, sa natyrshëm e tërthorazi u rrit vlera e perceptuar e botimeve socialiste. “Në socializëm, së paku, plehra të tilla nuk i linte kush të botoheshin!”- thoshim. Më pas njerëzit nisën të shohin me sy më kritik gjithçka që botohej viteve socialiste, që nga vjedhjet e pacituara të materialeve shkencore, deri tek përkthimet e varfëra e të gabuara të vëllimeve që deri para pak mbaheshin si modele të përkthimit në shqip. Ky lloj sensi kritik besoj na bën mire e duhet mbajtur i hapur në një shoqëri që profesionalizmin e ka njohur kryesisht në prodhime artizanale, dhe që gjatë socializmit shpesh e ndëshkonte si shfaqje të huaj, ndërsa në kapitalizmin tonë ballkanik e ka politizuar dhe nëpërkëmbur edhe më keq. Dhe të qenët kritik duhet të jetë i dyanshëm dhe dyplanësor: ndaj së shkuarës dhe së sotmes; për të zbuluar atë që vlente e vlen, dhe jo vetëm atë që s’bënte e s’bën. Në entuziazmin tonë të pas-socializmit që u pasua menjëherë nga një vakuum i perspektivave dhe erozion i vlerave, ne, ashtu siç shkatërruam mollët dhe ullinjtë, hodhëm në plehra edhe librat e prishëm bibliotekat. Dokumentimi i asaj që kemi pasur është i detyrueshëm në një shoqëri civile, pavarësisht nga cilësia e materialit të dokumentuar. Besoj se ky është aspekti më i çalë sot në marrëdhënien tonë me librin: mungesa e respektit institucional e të organizuar për të. Në vrullin e panaireve të librit të ri, harruam të ruajmë e dokumentojmë të vjetrin, madje e shkatërruam atë; harruam se, ndonëse panairi e shet, është biblioteka që e ruan, dhe struktura institucionale që ia detyron, imponon dhe garanton cilësinë.

Libra në trotuar

Nëse Panairi i Librit nuk gjendet kur gjendem unë në Tiranë, librashitësi i trotuarit është gjithnjë aty, në verë e dimër, deri vonë pasditeve shumë i ndryshëm nga korresponduesi i vet në New York, Paris apo Köln. Nuk e di në është libraruajtës a librashitës. Rri herë në këmbë, herë ulur në një qoshe me hije, herë mbështjellë në një pallto të vjetër, herë mbështetur tek muri kundruall me njërën këmbë mbi tokë dhe shputën e tjetrës ngjeshur mbas murit. Më kujton mullarët e barit të Monet-së në drita e pozicione të ndryshme të ditës. Atë burrë të imët që zë gjithnjë qoshen kur hyn nga sheshi Avni Rustemi për tek rrugica e Pedagogjikes (bën vaki unë po përdor emërtime qytetase të vjetëruara?), e shoh së paku dy herë të vet socialistë të të gjitha kategorive. Nuk e di nëse i ka lexuar të gjithë, por përshkruan mirë përmbajtjen e tyre. Fati simbolik i librit socialist botuar për 50 vjet në Shqipëri rri shtrirë aty, i harruar, i pluhurosur dhe zbërdhulur nga moti mbi trotuarët me gunga të Tiranës, i zvjerdhur nga njerëzit që jetojnë një dashuri të re me ngjyrat dhe të shndritshmen. Po s’e bleu apo deshi kush, dergjet aty derisa thërrmohet e bëhet dhè nga vjetërsia.  Shumica janë në letër të cilësisë shumë të ulët. Kërkoj botime të vjetra për arvanitët. Gjej dy libra. Njëri i botuar në 1985 është shumë interesant. Më intereson sidomos materiali gjuhësor i papërpunuar si dhe histori gojore për ta e prej tyre, por gjej më fort histori sjellë nga autori pa dhënë fare burimin e informacionit. Prapë, ka vlerë të referueshme. Kërkoj edhe librushka me këngë të festivaleve në Radio-Televizion (paraprakisht në “Radio”) për një punë që po kryej. Për arsye të imagjinueshme, më mungon i plotë Festivali i 11-të, dhe nuk dua ta mbledh nga tekste të shkëputura dhe as nga ato të regjistruarat. Dua të kem vëllimin e plotë si për festivalet e tjera. Por s’kam fat. Gjej disa gjëra interesante. Të gjithë nisin me një citat të Enverit apo thënie nga Kongresi i fundit i Partisë; hyrja është e gjitha e ideologjizuar. Por një libër që ka diçka për të sjellë në përmbajtje, i mban pa asnjë problem elemente të tilla që janë haraç i paguar sa për të siguruar botimin. Më vjen keq që kanë përfunduar në rrugë. Ble një tjetër tufë për të nderuar autorët që njoh: babain e vdekur para pak të një shoku, libri i të cilit botuar në vitin 1968, sado që jo letërsi artistike, ka një narracion aq të natyrshëm, sa kuptoj se të qenët i penës në atë familje qenka çështje gjenetike; një përkthyes shqiptar që vdiq i dërrmuar, por që në këtë libër të 1990-ës është ende i gëzuar e sheh përpara aventurën fëmijënore ashtu si Tom Sawyer-i; nuk mund të mos ble Historinë e Skënderbeut nga Fan Noli (botim të 1962-shit); pastaj nuk i rezistoja dot kopertinës së vjetëruar në rozë e të zezë të “Gjërit të vogël”, edhe ky botim i 1962-shit, dhe as përmendjes së përdorimit të Daudet-së nga Lenini dhe Stalini në luftën kundër trockizmit, që të ndjerit përkthyes Misto Treskës i ish dashur ta fuste si fakt liçencues në hyrje të librit. Librashitësi i dobët s’dinte si të më gëzonte dhe të më shërbente, e më vinte rrotull si bletë e gëzuar. E pyeta për shumën që duhet t’i paguaja. Ditët në vijim, vihesha në siklet sa herë kaloja në atë ngushticën historike tiranase ku rrinte shitësi modest me librat e veta të vlershëm shtruar për tokë, sepse ai, sa më shihte, ngrihej më këmbë që të më përshëndeste respektueshëm.

Libra në biblioteka e në dreq

Më ranë këmbët duke kërkuar këngë… këmbë e këngë. Ishte arsyeja kryesore pse kisha ardhur asaj vere në Tiranë. Doja të gjeja këngët e festivaleve nga mesi i viteve 60 deri ne festivalin e 1990-ës. Mendova se do ishte e lehtë ta kryeja këtë punë, gjersa ishte material biblioteke dhe s’kish lidhje me njerëz, intervista, udhëtime nëpër male e detra. E nisa për së mbari kërkimin nga Biblioteka Kombëtare. Gjeta fare pak festivale të botuara në formë broshure: të parregullta, pa vazhdimësi. Veç kësaj pata fatin e keq të gjeja atje një palë syze dielli që për dreq ia dorëzova një sportelisteje të re bukuroshe që punonte afër tryezës së katalogëve ku i gjeta. Më futi një të parë të egër dhe më tha të bëja ç’të doja me syzet se s’ishte puna e saj të merrej edhe me ato. E mbani mend kur ishim të vegjël dhe kishim biblioteka lagjeje kudo ku jetonim? Ku punonjësja e bibliotekës, sido që pinte kafe e shtrohej në muhabet me gratë e lagjes, prapë ishte miqësore dhe i njihte gjithë kalamajtë që e frekuentonin? Librat, ca ishin kot, por kishte edhe plot libra të mirë, dhe sidomos zakoni i të shkuarit atje, u bën veç mirë njerëzve, sidomos fëmijëve.

Pra, me dert e pa shpresë u nisa për në ndalesën dy ku më thanë se një material i tillë mund të gjendej: Biblioteka e Akademisë së Arteve. Një bibliotekare e kujdesshme e Bibliotekës Kombëtare më drejtoi këndej. Këtu vërtet gjeta dokumente të mrekullueshme, që nga tema diplomash studentësh të ruajtura mirë, deri tek botime të rëndomta, por me vlerë të padyshimtë dokumentare, të klasifikuara jo veç alfabetikisht por edhe tematikisht. Këtu më bënë të ditur edhe për qenien e librushkave me të cilat rashë në dashuri, që quheshin “Kënga Jonë”, botuar me disiplinë e rregull nga Shtëpia Qendrore e Krijimtarisë Popullore (edhe kjo, ashtu si librat, pa dyshim kish humbur në hiç, pasi shtëpinë ku strehohej ndoshta e paskësh kërkuar pronari i vjetër. Pastaj kujt i duhet krijimtaria popullore sot?!) Mblodha, lexova e fotokopjova sa munda, por edhe tek Akademia vëllimet “Kënga Jonë” që botonin rregullisht gjithë krijimtarinë në këngë të çdo viti, dhe klasifikonin duke i botuar si tekstin ashtu edhe muzikën këngës me autorësi të plotë, kishin plot mungesa. Normalisht këngët e festivaleve në Radio e Televizion (festivalet tona zakonisht bëheshin në dhjetor) botoheshin në numrin e parë të periodikut Kënga Jonë të vitit në vazhdim. Iu ktheva Bibliotekës Kombëtare edhe një herë që të kërkoja tashmë periodikun Kënga Jonë. Kishte një sasi shumë të vogël të periodikut, edhe këto me mungesa numrash në mes. Festivali i 11-të siç e prisja, nuk ishte. Isha gëzuar pa arsye kur gjeta vëllimet Kënga Jonë të vitit 1973, pra vitit pas festivalit. Gjeta të lidhura në dy grupe Kënga Jonë 2-7 dhe 8-16. Pra numri 1 që përmbante këngët e festivalit të 11-të mungonte edhe këtu. Një tjetër bibliotekare dashamire më thotë se mund të gjej botime të mbetura rastësisht nga institucione të mëparshme të shuara pa rregull e të shkelura me nxitim, ndoshta… ndoshta, tek godina e ministrisë së brendshme, afër Teatrit. Diçka që lidhej me kulturën popullore.

E gjeta institucionin që më sugjeroi bibliotekarja. Për fat të keq sot është zhdukur nga godina. Por ishte një tufë me zyra mes një tufe zyrash në një ndërtesë mes një tufe ndërtesash ku gjendej një dhomëz me mobilje tipike zyre dhe me shumë libra futur pa rregull nëpër rafte e sirtarë ngelur nga ato institucione të harruara a pa emër ose me një emër mjegullor si “Ndërmarrja e objekteve të artit të publikuar”, libra që nuk guxuan as t’i hidhnin në plehra e as t’ia linin buldozerit që iu fut ndërtesës ku do bëhej gropa e pallatit të ri, libra që u mbijetuan viteve shkatërruese të vakuumit total shtetëror të pas 1990-ës mes të cilëve mund të fshiheshin harruar vëllimet Kënga Jonë. Mezi e gjeta mes katesh me shumë emra institucionesh të ndryshme; pastaj më kaluan tek dy shefa seriozë që më morën në pyetje se ç’më duhej e përse. U thashë kërkoja botime këngësh të festivaleve të socializmit që po i gjej copa-copa në biblioteka të ndryshme. Me dyshim më lanë të punoja, dhe, pa e fshehur dyshimin e vet, vinin e më kontrollonin shpesh. Vetë ishte e qartë që s’kishin ndonjë punë të ngutshme, por së paku kujdeseshin për atë çka kishin nën mbikëqyrje. Më duket se merreshin me organizime aktivitetesh kulturore, por s’e mora vesh tamam se çfarë. Iu futa me themel gjithçkaje që gjeta aty. Gjeta më shumë volume sesa në Bibliotekën Kombëtare, por gjithsesi ende më mungonin shumë prej tyre. U ktheva edhe të nesërmen këtu se s’mbarova dot. E gjeja veten që humbisja në pasurinë e absurdit të padobishëm e shpesh joprofesional të botimeve socialiste, sido që më interesonin vetëm vëllimet Kënga Jonë. Më dukej vetja si traktor që hapte toka, toka të vjetra e të harruara djerr, libra të paprekur prej vitesh që ishin transportuar e stivosur në tufë. I kisha hundët të mbushura me pluhur, gojën të tharë dhe duart e krahët tmerrësisht pis e të lodhura e të vrara nga librat. Por ama kisha gjetur diçka. Në dalje gjeta një sekretare moshatare timen, së cilës me sa duket i hyra në zemër se më dha një emër, një nr. telefoni dhe destinacionin e ardhshëm se ku sipas saj mund të gjeja këngët e munguara. Ishte fjala për ish-Shtëpinë Botuese 8 Nëntori, ky pallat jotipik socialist me shkallë shumë të gjera e korridore tejet të gjatë e pa dritare.

Nuk e dija që në tri bibliotekat paraprake librat e mbetur rastësisht nga shkatërrimet kataklizmike të institucioneve, kishin qenë fatlumë. Një grua e sjellshme u soll me mua zyrë më zyrë, sa gjeti su ku ishte çelësi i dhomës magjike ku bën vaki edhe gjendeshin vëllimet Kënga Jonë. E hapi me kujdes, dhe një dhomë si klasë e madhe pa asnjë orendi m’u hap përpara. Kishte dritare, dhe xhamat nuk qenë të thyer. Gruaja më pa si me turp dhe më tha ‘punë të mbarë’ pa hyrë fare. Dukej se nuk kish hyrë kush prej vitesh aty. I vetmi objekt ishte një pirg shumë i madh me qindra libra hedhur kapicë në mes të dyshemesë. Kur shkela këmbën e parë drejt pirgut, një shtëllungë e rëndë pluhuri u ngrit nga pllakat dhe më mbështolli këmbët, po kështu edhe hapi i dytë. Pastaj kisha arritur pirgun. Çdo libër që lëvizja ngrinte re pluhuri. Shtatë ditët pas këtij pluhurizimi organik të mushkërive vazhdoja ta kisha hundën e grykët të sëmura e të prodhoja sekrecione nazale të zeza, më pas ngjyrë plumbi e pastaj gri. Besoj se u pastrova vetëm pas një jave. I kalova një nga një gjithë librat e pirgut socialist, dhe u përpoqa t’i lija pas të organizuara sipas kategorive. Pluhurin do ta haja në çdo rast; së paku lija pas diçka që mund të ndihmonte disi. Kalova disa orë duke kërkuar aty brenda. Gjeta disa vëllime Kënga Jonë, por vetëm pak nga ato që ende më mungonin. Para se të lija ndërtesën, desha të urinoja. Një gocë e bukur dhe shumë e ngrefur që e gjeta në banjën e katit, kur pa shenjat e zeza të pluhurit që lanë sandalet e mia në pllakat bezhë të dyshemesë së lagur, më pa siç shihet neveria vetë. Lëre kur pa që i kisha këmbët deri në gjunjë, të nxira. Nuk i lava hiç duart që i kisha të zeza që të mos ia bëja pis lavamanin gocës që sillej ndaj meje si e zonja e hales (ku WC-së i hidhej ujë me kovën e ndërgjegjes) ndaj shërbyeses pisanjose e gjynahqare. Por unë isha e gëzuar që vajzotja kish ndier ta cikte një mal vigan superioriteti.

Ende kisha rreth 5 festivale që më mungonin. Më mungojnë edhe sot. Ndalova në pikën e fundit të shpresës, në bibliotekën e Radio Tiranës. Më futi aty një ish-studente e imja të cilën e kisha harruar se e kisha pasur veç një muaj para se të lija Shqipërinë. Historitë e saj për vitin 1990 na përlotën të dyjave. Pastaj u futa nëpër bodrumet e Radios. Një farë burri që ishte si biçim shefi i bibliotekës, m’i ngacmoi keq nervat. Njeriu tipik i paaftë që ka gjetur një qoshe që e mban fort, sido që as nuk e njeh punën e as di të bëjë gjë tjetër. Më e keqja është se më hidhte vazhdimisht vështrime e shpoti, që thoshin ashiqare se ai e dinte pse kisha hyrë në atë bodrum të ftohtë, dhe sillesha pa turp apo teklif prej një burri që s’e njihja: unë po ia luaja. Pa dyshim! Si mund të kishte grua t’i rezistonte virilitetit të tij?! Për t’i prerë vazhdën budallallëkut në kokën e njeriut dhe pyetjeve idiote, e pashë ngulët dhe gjatë, ose siç e karakterizon im shoq atë lloj vështrimi, e pashë “siç shikonte Skënderbeu turqit para beteje” dhe i thashë se mund të punoja pa ndihmën e tij. Nuk e kishte idenë se çfarë kishte apo nuk kishte në bibliotekën e vet. Dhe as që donte t’ia dinte. Ishte e vetja, në fund të fundit.

Tamam aty ku duhet të kish qenë zemra e festivaleve, s’gjeta thuajse asgjë që desha. Tani duhet t’u kthehesha individëve. Kisha një listë me persona që mund të kishin fshehur në shtëpi tekstin me këngët e festivalit të 11-të, ose që kishin punuar me festivale dhe mund të kishin mbeturina të teksteve të tjera nga Kënga Jonë. Kisha edhe dy emra kërkuesish që kishin punuar veçanërisht me festivalin e 11-të. Por pak shpresë kish që këta të kishin në dorë pikërisht atë libërthin “Kënga Jonë”, volumi 1, viti 1973.

Libra në perspektivë

Ka kohë që s’jam marrë me to dhe është një ndër punët e mia që dergjet ende si projekt i papërfunduar, sado që e dua fort. E di edhe që, çdo vit që kalon, lë më pak shanse që të gjenden botime të viteve të shkuara. Shqipëria është e egër me atë lloj libri. U shoh tirazhet vëllimeve Kënga Jonë që lëvizin mes 300 dhe 800 kopje, kopje që asnjë person privat nuk i donte, pra që duhet të bënin hije veç nëpër zyra. Më vjen çudi që disave u është shuar fara kaq shpejt. Janë të pavlera? Varet si përkufizon ‘vlerën’. Këngët e festivaleve shpesh të bëjnë të qeshësh me boshin total, mungesën e realizmit, absurdin. Mjafton t’u shohësh titujt: “Dita më e bukur”, referuar ditës kur hyn në Parti, “Dashuria ime je ti” referuar Partisë (kuptohet) apo “Sulmuesja e tisazhit” që s’di ta shpjegoj tamam, apo “Punëtorëve të ndërtimit” ku nuk i këndohet seksit të tyre superior, por shpirtit të tyre novator. Kam gjetur teksa kërkoja, vëllime me këngë nga “Festivali i këngës së naftëtarëve të Qytetit Stalin” apo nga “Festivali i mbrojtësve të hapësirave qiellore” (?!) Sigurisht plot vëllime nga anketat, nga Kënga e ushtarit, nga festivalet e rretheve dhe ato për fatosa e pionierë. Gjeta materiale absurde shpjeguese nga një i ashtuquajtur “Universiteti i Radios” që transmetohej rregullisht në radio dhe “synonte t’i bënte gjithë masat me universitet”, apo një botim kolosal periodik quajtur “Kultura masive” ku gjenden këngë, skeçe, analiza ideologjike të artit e kulturës deri edhe një cikël i vazhdueshëm që furnizonte me diskurs të gatshëm kaluar në sitat e rrepta të kushedi ç’komiteti savonarolas që quhej “dialogje për mbrëmje dëfrimi”. Por kishte diçka që mungon totalisht sot: kujdes institucional për gjithçka që botohej, jo aq cilësinë sa ideologjinë, sidoqoftë. Çdo rresht e fjalë krihej! Të vjen keq të mendosh se frika se mos “e hash” e lëvizte institucionin dhe individin shumë më mirë se liria për të mbajtur norma cilësore.

Prodhimtaria e stërmadhe dhe cilësia shpesh e dobët e botimeve të socializmit ka kuptim e shpjegim vetëm nën një kornizë analitike sipas së cilës komunikimi është në fakt propagandë. Por injorimi total institucional, lënia në mëshirën e trotuareve, braktisja në pluhurin real e jo veç figurativ të Tiranës, pra rrjedhimisht shkatërrimi institucional i një prodhimi kolosal të 50 vjetëve që, në mos tjetër, ka vlerë dokumentare për historinë, mund të shpjegohet veç në kuadrin e një kapitalizmi të egër, primitiv, pa tru e pa të ardhme si ky i yni. E domosdoshme, përkujdesja ndaj panaireve të librit në ekonominë tonë të tregut dhe propagandën e re të imazhit të tipit perëndimor. Por është bosh si tregues i qytetërimit tonë. Matësi i vërtetë i asaj që shteti dhe shoqëria bëjnë për librin si simbol i trashëgimisë historike (qoftë edhe të përthyer e të vuajtur) të njerëzores, lëngon nëpër skuta ndërtesash pa emër dhe qoshe trotuarësh të vrarë.


[*] ose ndryshe: “Kënga e sprasme e librit socialist”; ose edhe “Shkëlqimi dhe rënia e botimeve socrealiste”; dhe, pse jo “Legasia e librit të rënë nga fiku”.

Pa Komente

  1. Dialogje për mbrëmje dëfrimi? Me duhet nje jave e plote symbyllur ta konsumoj gjithe kete defrim!

    Dialogje për mbrëmje dëfrimi!

    Te falenderoj edhe me gjate per kete zbritje ne llagemet e tipografise socialiste dhe per gjithe raportin fantastik prej aty dhe c’nuk do te kisha dhene (nga c’kam) per te pare diku nje fond te digjitalizuar te ketyre lloj botimeve, qofte dhe te pjesshem, sa per te mbajtur gjalle shijen.

    Ne pamje te pare duket sikur eshte i rrezikuar me shume korpusi periferik i botimeve socialiste, po me duket se edhe me shume eshte i rrezikuar ekuivalenti i tij, botuar fill pas renies se socializmit: perodike, broshura, fletepalosje, manuale (shpesh te botuara thjesht per te djegur ndonje grant te shpejte euro-atlantik). Te pakten dikur zbatohej aq sa zbatohej detyrimi i pajisjes se bibliotekave me ekzemplare te rinj, po me renien e shtetit, kjo pune u harrua fare.

    Per t’iu kthyer ‘dialogjeve per mbremje defrimi’: shpresoj ta kem ruajtur ende diku nje fletushke ‘te kultures masive’, nga fillimi i te ’90-ve, ku ne faqen e kerkesave nga lexuesi, nje ze qe perfaqesohej si “jemi nje grup adoleshentesh nga Elbasani”, kerkonte nga redaksia te botonte disa formula “propozimi”, per t’i ndihmuar me gocat…

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin